Abas Ermenji - një jetë për ShqipërinëAbas Ermenji - një jetë për Shqipërinë



DJALËRIA SHQIPTARE

Prof. ABAS ERMENJI

Kur sjellim ndër ment se dramin t'onë kombëtar të këtyre dhjetë vjetëve të fundit - si në luftën e çlirimit prej të huajvet ashtu edhe në luftën civile, qoftë nga ana e komunistëvet, qoftë nga ana e demokratëvet - e ka lozur tërësisht djalëria; kur kujtojmë gjithashtu se në këtë luftë, nga më të rëndat që ka hequr kombi ynë, kanë mbetur përmbi tridhjetë mijë të vrarë dhe është djegur e shkretuar një pjesë e madhe e Shqipërisë; pastaj kur arsyetojmë se popujt çdo gjë tjetër munt të bënin, vetëm për t'u-vrarë që s'vriten nga qejfi, doemos duhet t'a mendojmë mirë se ç'është djalëria shqiptare dhe ç'kërkon. Nga ana tjetër, kur shikojmë se, ajo që ngjau ndër ne ka ngjarë ose po n'gjan në një formë pak a shumë të njëjtë edhe ndër popuj të tjerë rreth nesh, duhet t'a lëshojmë mendimin në një horizont më të gjerë, të kuptojmë disa probleme shoqërore që lidhen me qytetërimin e kohës, dhe të mundohemi t'iu gjejmë mënyrën e zgjidhjes.

Historia dhe zhvillimi shoqëror

Eshtë një e vërtetë e njohur se në botën e njerëzvet nuk ka gjë të qëndruarshme, se popujt dobësohen e bjenë, të tjerë marrin forcë dhe ngrihen, klasë sundonjëse prishen dhe çthuren, klasë të shtypura çohen lart. Ligje e zakone të vjetra çvleftësohen e humbasin, të tjera vinë në fuqi, shkurt, kjo botë është një hipje e zbritje energjish, një lodër ndërrimesh e transformimesh që i jep fytyrës së saj më çdo kohë një pamje të veçantë. Dhe po të mos ish kështu, njerëzit s'do të kishin ardhur dot në qytetërimin e sotmë por do të jetonin akoma nëpër shpella, shokë me arinjtë dhe majmunët.

Çdo bres që vjen pra, sjell diçka të re në njerëzi, disa zakone e pikëpamje të vjetra humbasin nga rëndësi e tyre, të tjera lindin ose forcohen, fuqia ekonomike-politike lëvis dhe ajo nga pakë prej familjesh në familje, a prej grupesh në grupe. Gjer këtu jemi mirë pse ky ligj kuptohet pak a shumë prej çdo njeriu që ka kënduar ndopakë nga historia ose iu ka vënë re ndryshimeve që kanë ngjarë në kohën e tij. Por gjëja m'e vështirë për t'u kuptuar, është shkaku ose shkaqet se përse në disa kohë ndryshimi prej një brezi në tjetrin është aq i vogël sa mezi çquhet, kurse në kohë të tjera aqë i math sa duket sikur një bres prej tjetrit e ndajnë disa qindra vjetësh. Për shembull ndryshimet që ka pësuar struktura shoqërore e disa popujve që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e tëhu, janë më të mëdha nga ato që kish pësuar gjatë dymijë vjetëve histori, që nga kohët përpara Krishtit, e gjer në shekullin e nëntëmbëdhjetë. S'do shumë mend të kuptohet se ky transformim në strukturën shoqërore të popujvet, që, në kohët t'ona, po shkon me rrëmbin vale, lidhet me vrapin që kanë marrë shkenca dhe maqinizmi.

Në kuptimin e ndërlidhjevet midis njerëzve, shkenca dhe maqinizmi pothuajse e çdukën fare faktorin "largësi" dhe "kohë", i prunë në pjekje a marrëveshje të vetëtimshme si popujt në mest tyre ashtu edhe nënshtetasit, ose grupet brenda shtetit; ndryshuan mjetet et e punës e të prodhimit, të cilat këputën lidhjet e vjetra midis njerëzve dhe ngjallën nevojën për një ekilibër të ri; përgjithësuan mjetet e mësimit, të propagandës e të përhapjes s'idevet dhe hodhën masat e gjëra popullore në luftën politike; suallë një përzjerje të përgjithshëme si brenda popujvet ashtu edhe në jetën ndërkombëtare, dhe hapën udhën e transformimevet të mëdha shoqërore që vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësinë e motorrit. Prandaj të mos ju duket për të qeshur kur them se ai njeri që mendon se punët e një shteti t'Evropës munt të rregullohen edhe nesër po me ato mjete dhe methoda që u rregulluan tridhjetë vjet më parë, nuk është shumë larg nga i çmenduri që ngjesh një shpatë të vjetër dhe thotë "po nisem për në luftën e Kryqëzatavet".

Në popujt e Perëndimit, trashëgimtarë të kulturavet klasike dhe të punuar prej frymës së krishtërimit, lufta midis punës dhe kapitalit, midis bujkut dhe pronarit, e nisur herjet, u-zhvillua e po zhvillohet ca nga ca, dhe ka sjellë ndërrime të mëdha në shoqëri por pa i këputur si me gërshërë fijet e së kaluarës dhe pa i përmbysur të gjitha vleftat që lidhen me moralin e vjetër.

Ndryshe ndodhi në Rusi pas 1917-ës. Atje lufta midis klasave që punojnë dhe t'atyreve që sundojnë, mori karakterin e popujve të Lindjes. Në Lindje, gjer tani, nuk ka pasur tjetër udhë lidhjesh a marrëdhëniesh midis njerëzve veç o sundonjës o i sunduar, ja zot ja rob : kjo do të thotë absolutizmë. Prandaj edhe komunistët i ndajnë punët me dy fjalë : "o me ne dhe rro, o kundër nesh dhe vdis". Kështu thoshte edhe Atila, Tamerlani dhe, m'i madhi i tyre, Gengis Khani.

Por nga do që të shikojmë, në dashç në Perëndim në dashç në Lindje, një ide e madhe del e bën hije mbi njerëzinë e sotme : ideja e prishjes s'ekilibrit shoqëror ndërkombëtar të djeshëm, dhe nevoja e vendosjes së një ekilibri të ri. Kjo ide i jep fizionominë e veçantë kohës s'onë, mbush gjithë kulturën e sotme dhe shtrihet e sundon në të gjitha drejtimet e vepërimit të njerëzisë.

Ka pasur kohë në histori që karakterizohen nga një ndjenjë e zjarrtë fetare, ka pasur të tjera ku sundonte mbi të gjitha vleftat ndjenja e artit ose lëvizja e mendimit, por koha e jonë do të quhet "koha e luftravet sociale". Komunizmi ka lëshuar thimthat ndër popujt e Lindjes dhe, duke u-çfaqur diku në një formë e diku në një tjetër, po i bren themelet e strukturës së vjetër shoqërore. Sa edhe Kina vigane, vatër kulturash mijra vjeçare, po shëmbet si kështjellë kashte ndënë forcën e re. Në Perëndim po shihet qartë se politika e ndarjes së botës në zona influencash midis fuqish kundërshtare, e mbylli kohën e saj, dhe përpjekje të mëdha po bëhen për të gjetur një mënyrë të re bashkëpunimi në planin ndërkombëtar.

Pra kur mendojmë mbi djalërinë shqiptare, s'duhet t'a marrim njëlloj me ata fëmijët që lozin cinglash, por është e mira t'a shohim në dritën e mendimevet të kohës, dhe çapet e saj t'i lidhim me vallen e përgjithëshme të njerëzisë. Atëhere do të kuptonim shumë gjëra, dhe do të binim nga retë e paragjykimevet të vjetra në një shesh pune të ri.

Djalëria mbas 1920-ës

Gjatë njëzet vjetëve që shtrihen midis dy luftravet Botërore, në disa popuj t'Evropës së Lindjes e të Jugë-Lindjes që, për arsye historike, s'e kishin pësuar atë transformim të ngadaltë që u-bë në Perëndim, jeta e brëndëshme paraqiste forma të kundërta dhe të pa-pajtuarshëme. Më nj'anë, mbeturitë e vjetra feudale që koha s'i kish çdukur akoma, duke lozur n'ekilibër midis Fuqivet të Mëdha kundërshtare, patën ngritur regjime fashiste dhe mujtën të mbahen më këmbë me pahir, ndonëse nuk kishin më rrënjë në popull. M'anën tjetër, idetë e reja sociale, që s'ka mur as kufi aq të fortë sa t'i ndalojë dhe që mjetet e sotme e bëjnë shumë të lehtë përhapjen e tyre, e punonin si me limë brezin e ri të atyre popujve. Kështu u-formua ndër të rinjtë një gjëndje mendore që ish krejt në kundërshtim me mendësinë mesjetare të klikavet feodale në fuqi.

Për në Shqipëri s'munt të flitet për "djalëri" veçse pas 1920-ës ose 24-ës. Më përpara, populli shqiptar e kish bërë luftën e tij ashtu si kish mundur, ose më mirë të themi çdo krahinë ish mprojtur ashtu si kish mundur, e mbajtur gjallë me pahir nga një vetëdije kombëtare gjysmë e shurdhët.

Djemtë që ndiqnin shkollat, ishin përgjithësisht bijtë e klasës sundonjëse që kish marrë kulturën dhe zakonet turke dhe që e qeveriste vendin si mundte për hesap të saj dhe të Perandorisë. Ata djem që zgjuheshin në ndjenjën kombëtare, kishin shpirt të fortë dhe enthusiazmë të zjarrtë por ishin të pakët dhe s'e ndryshonin dot gjendjen e rëndë si plumb. Se ç'flakë i ndiste përmbrenda ata të rinj, duket nga shkrimet e tyre, nga përpjekjet, nga shoqëritë që formuan jashtë atdheut, nga përhapja e libravet shqipe, nga çetat e para që nxuarën malevet. Por këta zoq në lëvizje, si ata të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe ata të fillimit të këtij shekulli, ishin të rrallë dhe s'bënin dot prenverë. Sa herë që i kanoseshin atdheut rreziqe, ata përzjeheshin me popullin, i ngrinin moralin, luftonin tok me të. Por pastaj, kur Shqipëria, qoftë për hir të përpjekjevet të saj, qoftë për shkak të gjendjes ndërkombëtare, delte shtet më vehte, flamurtarët e kryengritjevet shqelmoheshin dhe mbetej prapë në fuqi klasa sundonjëse e vjetër, pse ajo njihej në popull, pse ajo kish në dorë pasurinë e vendit dhe dinte të ndreqej me fqinjët? Pikërisht ata që kishin dashur t'a mbyjnë lëvizjen kombëtare duke i shërbyer imperjalizmit të huaj, delnin tani në krye të punëvet si patriotë dhe, për t'iu vënë kapak të gjithave, bënin ndonjë këngë patriotike ose mbanin një fjalim bumbullitës.

Pas 1920-ës, kur shteti shqiptar mori formë, nisën të ngjallen aty-këtu përpëlitje të rinjsh. Në rrëmujat e Luftës së Madhe dhe n'enthusiazmin që u-përhap pas Luftës me shkollat e para shqipe, u-mëkëmb një farë djalërie e cila zu t'interesohej n'ideologjitë sociale që trazonin atëhere Evropën. Këto përpëlitje u-shtuanë dhe i dhanë trup më vonë Shoqërisë Bashkimit e cila, siç e dimë, lozi një rrol kryesor në Lëvizjen e l924-ës.

Po të ndalemi pakë këtu dhe të hedhim një sy mbi mendimet që punonin djalërinë e asaj kohe, do të rrëmbejmë menjëherë ndryshimin ideologjik në mest të brezit që loftonte përpara se Shqipëria të kish dalë si shtet i lirë dhe brezit të pastajmë. Brezi i vjetër, i mbushur me frymën patriotike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk njihte luftë tjetër përveç luftës kombëtare. Atij i interesonin sidomos kufitë e Shqipërisë dhe pamvarësi e saj. Nëqoftëse këto siguroheshin, ai e quante të kryer punën e tij. Dhe s'munt të mendonte ndryshe se n'atë shkollë ish formuar dhe me atë lloj lufte ish mësuar. Njerëzit që e kanë kuptuar jetën në një drejtim a në një tjetër, është vështirë të ndërrojnë udhë pastaj. Ata rrojnë në kujtimet e vjetra, mbeten si të ngrirë në kulturën e vjetër dhe kanë urrejtje për format e jetës që zhvillohen më pas.

Por brezi i ri që u-mëkëmb pas 1920-ës, m errte frymë në një hapësirë tjetër, kërkonte të ngjitej mbi të tjera maja, mbi majat e përparimit shoqëror. Dhe s'ka gjë më të natyrshëme nga kjo : akti i parë i përpjekjes shqiptare ish mbyllur me fitimin e pavarësisë, tani hapej akti i dytë, ai i luftës për zhvillim të brendëshëm, për një drejtësi shoqërore më të lartë. Kjo është përpjekja, lëvizja e parreshtur e popujvet, që s'mbaron kurrë, mësa ndalet qarkullimi i jetës.

Shohim pra se këtu kemi një bigëzim mendimesh midis brezit të vjetër dhe atij të riut. Të rinjve nuk iu mjaftojnë këngët e një patriotizmi abstrakt. Ato ishin me vent kur shpërthenin nga gojë e Naimit ose e Vasho Pashës. Por tani Shqipëria kish dalë zonjë me vehte, jeta e saj kalonte në një tjetër fazë, e pra hapeshin të tjera horizonte, çfaqeshin të tjera qëllime. Kështu, tek të rinjtë, patriotizmi i vjetër, pa humbur asgjë nga zjarri i tij i dikurshëm, vishej me të tjera ngjyra që e bënin më të dukur, më të plotë : me idealet e mbarëvajtjes shoqërore. Ish edhe koha atëhere, pas Luftës së Madhe, që iu dha idevet sociale një lëkundje të re. Revolucioni Rus, lëvizje punëtorish nëpër Evropë, Lëvizja Qemaliste në Turqi, shpresa të ngjallura prej luftës e fjalë të mëdha lirie e drejtësie që ushtonin nga të katër anët, s'munt t'a linin të paprekur djalërinë shqiptare e të mos e futnin edhe atë në koncertin e përgjithshëm. Por, me thënë të vërtetën, të rinjtë t'onë t'asaj kohe nuk e kishin të qartë se ç'kërkonin dhe ç'donin të bënin. Ata dridheshin n'enthusiazmë për ndryshim dhe reforma, por nuk kishin as ideologji sociale të caktuar mirë as pregatitjen politike të duhur për t'a vënë në zbatim. Revolucionin Rus s'e kuptonin dot siç duhet. E si do të munt t'a kuptonin ata të gjorë kur s'e patën kuptuar shumë nga diplomatët e Perëndimit (disa prej tyre s'e kuptojnë as sot), me gjithë jakat e ngrira dhe syzat e ndritura ?

Avni Rustemi, Llazar Fundua e të tjerë djem t'asaj kohe flisnin për drejtësi shoqërore, për reformën agrare, për arsim dhe zhvillim të popullit. Shoqëria e Bashkimit filloi të bëjë mjaft zhurmë nëpër qytete, vuri në lëvizje pjesën më të madhe të nxënësvet të shkollavet, desh të shtrinjë rrënjë në popull. Por këtu ndeshi në tokë të ngurtë, pse populli shqiptar s'ish zgjuar akoma saç duhej nga lethargjia e robërisë, s'delte dot aq lehtë nga zakonet e së kaluarës, jepej akoma pas politikës së krahinavet e të bajraqevet, tamam ashtu siç donte klasa sundonjëse e vjetër. Për djalëri fshatrash s'bëhej fjalë fare, por edhe nëpër qytetet të rinjtë e shkollavet ishin të pakët, një pjesë e tyre s'dinte ç'domethënë "interes shoqëror" dhe jetonte akoma në burgun e ngushtë të mendimevet të lagjes.

Që mendimi i një brezi të ri të ndihet në të gjithë kombin, nuk mjafton të këndojnë vetëm disa bilbilë aty-këtu, por duhet pa tjetër t'i përgjigjen asaj kënge masa të gjera djelmoshash prej qëndravet më të mëdha në qëndrat më të vogla, duhet që ideja e re të rrëmbejë sidomos djalërinë e punëtorisë e të fshatravet. Një mrekulli e tillë s'munt të ndodhte më 1924. Përpëlitjet e Shoqërisë së Bashkimit s'kapërxyen dot përtej oborrit të shkollës ose tregut të qytetit. Në ngjarjet që u-zhvilluan n'atë kohë, enthusiazmi dhe zhurma e të rinjvet u-çfrytëzuan djallëzisht nga disa klika të vjetra që paraqiteshin me fjalë të mëdha reformash e mirësimesh. Në të vërtetën, këto klika haheshin midis tyre për (punë prestigji e kulltuku) dhe s'ndryshonin prej njëra tjetrës në asgjë, disa flakeshin jashtë, të tjera vinin në fuqi, por gjendja e vendit mbetej njëlloj si zjerë pjekur?.

Por Shoqëria e Bashkimit la një jehonë që tingëlloi gjer vonë në djalërinë shqiptare. Ajo iu hapi shtegun ideve të reja dhe i tregoi djalërisë së detyra e saj është të lëvizë, të luftojë padrejtësitë e vjetra e t'i kërkojë jetës të tjera shanse.

Në pesëdhjetë-vjetshin që shtrihej pastaj gjer më 1939, çdo lëvizje rinie shuhej me kamzhik. Regjimi natyrisht kish urrejtje për mendimet e reja dhe, i pështetur mbi feodalizmën e vjetër e mbi ca kapedanë aventurierë të nxjerrë nga hiçi, rëndonte si një pullas burgu, mbi jetën e kombit. Shqipëria ishte çiflik i disave që kishin futur thonjtë kudo, në financat e shtetit, në sipërmarrjet, në tregëtinë, në dritën, në bukën, në kripën?, shpërdorimi i fuqis së shtetit për të kënaqur epshe e dëshira, i çonte neverinë edhe atij më gjak-butit. Vjedhjet ishin prallëzore. Ndryshimi i jetesës midis njerëzvet të regjimit dhe popullit ish revoltonjës. Ndërsa ata bënin jetë vilash dhe mëndafshesh, bujku s'kish kashtë e rrogos për t'u mbrojtur nga balta. Nërsa ata iu siguronin fëmijëvet të tyre jetesën e njëqint vjetëvet, fëmijët e punëtorit s'kishin as bukën e ditës.

Me fjalë, Shqipërija quhej shtet i pavarur por, në të vërtetën, ekonomia e saj kish shkuar në dorë të tjetërkuj, regjimi mbahej me thërrimet që i hidhnin nga Italia dhe, ditën që t'i priteshin ato thërrime, pushonte së ardhuri rreth, si një mulli që i pritet ujët. Megjithatë, duhej thënë se Shqipëria "po përparon", që "kombi po lulëzon", etj.. Në të kremtet kombëtare, patriotët e vjetër, ringjallësit e idesë Shqiptare, ishin harruar krejt dhe, në vent të tyre, duartrokiteshin markat e regjimit, ata që, pak vjet më parë, e kishin luftuar haptazi Shqipërinë si agjentë të imperializmit të huaj.

Gjendja politike që u-krijua pastaj nuk i la shtek djalërisë për një zhvillim të lirë e të pajtuarshëm me kohët.

Një e tillë gjendje pra, rrinte në kundërshtim si nata me ditën me idetë e reja që i vinin djalërisë nga librat e shkollës, nga historia e popujvet të tjerë, nga lëvizjet e jashtme, nga thirrjet për liri që ushtonin nëpër botë, nga romancat, nga radjot, nga kinemaja. Për të gjetur një vent mprojtjeje nga pamjet e shëmtuara që i a vrisnin ndjenjën orë e çast, nga fyerjet që i bëheshin pa pushim, djalëria ish çkëputur shpirtërisht prej regjimit në fuqi dhe jetonte në një kënd mendimesh të sajat. Por romancat që këndohen fshehtazi të thithin më fort dhe të bëjnë me fanatik. Idetë që kapen vjedhurazi, merren shtrëmbët. Shpirti që formohet burgjeve e qilareve, ka një sasi helmi më të madhe nga ai që zhvillohet n'ajër të lirë.

Në Shqipëri nuk pat një kulturë kombëtare të lartë për t'iu mbyllur udhën influencavet mendore të huaja. Në Shqipëri nuk pat një parti të shëndoshë që të bënte politikën e kohës ku të munt të rreshtohej djalëria. Në Shqipëri nuk pat rrahje të lirë mendimesh, ku të mund të fitonte një ide politike të saktë djalëria. Djalëria shqiptare u-formua ashtu si mundi, duke parë andej-këtej, duke mbajtur vesh djathtas e majtas. Prandaj të mos çuditet njeri tani se pse djalëria jonë u-gjent n'atë anarqi mendimesh.

Edhe një shpresë të vogël që kish mbajtur djalëria tek t'arratisurit politikë të 1924-ës, e humbi me ngjarjen e 7 prillit, kur këta heronj të drunjtë na erdhë me hordhitë e huaja dyke thirrur si Arqimedi se e gjetën shpëtimin e atdheut në "suazën e Perandorisë !". Pastaj u-pajtuan si pa gjë të keqe me njerëzit e "regjimit kundërshtar", që i gjetën të pa luajtur nga kulltuqet si Senatorët e Romës së Vjetër kur hynë Galët. Këta burra të fortë, me ideale të mëdha, që s'u pajtuan dot kurrë ndënë shkabën shqiptare, u-përqafuan më në funt ndënë shenjat e Liktorit. Dhe ndërsa djalëria përjashta, dhe populli bashkë me të, zjente e buçiste e kërkonte armë për të mprojtur atdhenë e trathëtuar, këta ngriheshin si gjela nëpër sallonet e ministrivet e i fëkonin krahët njeri-tjetrit, të gëzuar sikur kishin pashkë a bajram. Ky qe çasti vendimtar që e ndau si me shpatë pikëpamjen e të rinjvet nga lëmshi i politikës mercenare të të vjetërvet. Dhe për të parën herë djalëria shqiptare, në këtë ndeshje në fushën e provës me klikat e vjetra, dha një reaksion përqethës si hekuri i nxehtë kur futet n'akull.

Pas shpërndarjes së Shoqëris së Bashkimit (në dhjetor të 1924-ës), nuk pat ndonjë tjetër organizatë djalërie me karakter politik, përveç shoqërish sportive aty-këtu, ndonjë shoqërie artistike në Shkodër dhe shoqëria Puna në Korçë. Kjo e fundit përmblidhte sidomos djalërinë e punëtorisë së qytetit dhe fshihte qëllime politike me ngjyrë komuniste. Megjithkëtë, e shtypur dhe e mospërfillur, ashtu siç ish, djalëria shqiptare punohej vashdimisht prej mendimesh të reja dhe dukej që ish një energji e mbyllur e cila, kur të shpërthente më vonë, do të bënte mjaft gjëra të pëlqyera ose të papëlqyera.

Djalëria dhe komunizmi

Kur u-muar vesh komploti i Vlorës më 1932, djalëria pat një përqethje enthusiazmi. Në Lëvizjen e Fierit më 1935, muarën pjesë shumë të rinj, disa prej të cilëvet ishin me idera komuniste dhe disa jo. Por çasti që i shtiri drithmat e vepërimit djalërisë shqiptare dhe ku ajo u-vrumullis e tërë si një trup i vetëm, qe 7 Prilli i 1939-ës. Rrallë herë ka qëlluar të jetë me popullin t'onë ndjenja patriotike aqë e nxehtë dhe e përgjithëshme sa n'ato ditë. Dhe, ndërsa klikat e vjetra mundoheshin t'i mbushnin mendjen popullit se e mira e tij ish të mvarej si mish gjahu në grepat e Perandorisë, djalëria i çpalli luftë të hapët asaj gjendjeje dhe u-mundua të futet në trupin e kombit si një nervature e re, për t'i dhënë tjetër drejtim e tjetër forcë. Ndjekjet filluan shpejt, burgjet u-mbushën me të rinj, një pjesë e tyre çohej n'ishujt e Italisë.

Në fillim, fort pakë nga këta të rinj ishin komunistë. E shumta e tyre ishin demokratë, të mbushur me ide të reja drejtësie e përparimi, të dëshëruar për liri dhe mbarësi kombëtare; ata kishin urrejtje për të kaluarën, kishin urrejtje më të madhe akoma për robërinë ku jetonin, dhe bënin luftë për të çliruar vendin nga të huajtë e për t'i sjellë Shqipërisë një t'arthme me të bukurë, më të lumtur. Dashurija për vleftat kombëtare ka qënë gjithmonë e gjallë në zemrën e këtyre të rinjve. Populli i ynë ka përgjithësisht natyrën dhe karakteret e popujvet të Perëndimit. Nuk ësht oriental me shpirt. Ai prej kohëvet më të lashta e gjer në mbarim të Kohës së Mesme, pat qënë pothuajse vashdimisht në frymë të kulturavet të mëdha greke e latine që i kanë dhënë mendësisë dhe kulturës popullore të tij vija të ngjashme me ato të popujvet të Perëndimit. Sundimi turk ktheu në kulturën orientale vetëm klasën feodale të vendit, por popullit mbarë s'mundi t'i a ndryshojë natyrën. Kujtimi i afërt i robërisë së zezë dhe liria kombëtare e fituar me aqë mundime, s'munt t'a kishin lënë të paprekur zemrën e djalërisë e të mos ia kishin forcuar ndjenjën e dashurisë për atdhe. Prandaj, edhe kur një pjesë e saj anoj më vonë nga komunizmi, s'munt të themi se ish e xhveshur nga ndjenjat kombëtare dhe se e kuptonte marksizmin si një ndërkombëtare të pangjyrë e tiranike. Shumë prej tyre ranë si zoqtë në leqe, në propagandën e komunistëvet të vetdijshëm, që iu a paraqitnin fenë e re si një demokraci të mbaruar që çduk si me magji padrejtësitë shoqërore dhe e bën jetën të lirë e të këndshëme për të gjithë. Një pjesë duke mos patur pregatitje politike të mjaftë, kujtonin se s'prishej punë pse ata luftonin tok me komunistët një herë, gjer sa të çlirohej atdheu nga të huajtë, pastaj çështjet e brëndëshme i zgjithte populli vetë me anën e votës. Disa, të xveretitur nga ngjarjet e 7 Prillit, e kishin humbur besimin tek të gjithë të vjetrit pa përjashtim dhe s'donin të dëgjonin më as për këshillat e urta që iu vinin nga patriotët e Ballit Kombëtar. Pastaj është kot të zgjatemi n'arsyetime të këtilla, komunizmi ish gjëja e re e rrethuar me kurreshtje e mister, ish pemë e ndaluar që të tërheq më fort nga të lejuarat, ish kuti e mbyllur me gjëra të çuditshëme brënda, ish këngë e ditës, romancë e gjallë që të hap udhën e aventuravet, ç'duhet më tepër për të marrë mendjen e të rinjvet ? Të rinjtë tërhiqen më fort nga njeri-tjetri se sa nga këshillat e më të vjetërvet. Sidomos kur është puna për të ecur n'udhë të reja, janë të papërmbajtur dhe e kanë për turp të mbeten prapa shokëvet.

Thamë se në fillim kish fort pakë komunistë të vetëdijshëm në Shqipëri. Këta, më parë bënin tre grupe të ndara, grupin e Tiranës, të Korçës e të Shkodrës. Në ditët e Prillit të 39-ës, muarrë pjesë si të tjerët në lëvizjen e madhe kombëtare kundër shkelësit të huaj. Por më vonë, kur u-duk një çast se Rusia do të mbetej jashtë grindjes evropiane, ata zunë të flasin me simpathi për "popullin gjerman" dhe të shprehen keq për "plutokracitë" e Perëndimit. Nuk deshën të marrin pjesë në një kryengritje të mundëshme shqiptare kundër ushtërisë fashiste, që iu qe folur nga anë e patriotëvet demokratë në kohën e Luftës Italo-Greke. Vetem pas hyries së Rusisë në luftë, kujtuan se tingëlloi ora e revolucionit komunist. Të tre grupet e përmendur më sipër u-bashkuan, pas këshillavet të dy të dërguarve jugosllavë, dhe formuan Partinë Komuniste Shqiptare, në Nëntor të 1941-së. Një vit më vonë, lozën me mjeshtëri kamedinë e "Frontit Nacional-Çlirimtar", e cila, pas një vjeti tjetër, u-ndërrua në tragjedinë e luftës vëlla-vrasëse.

Djalëria dhe Nacionalizmi

Po të lëmë mënjanë partinë komuniste, e vetmja organizatë që iu paraqit gjatë luftës popullit dhe djalërisë shqiptare me një program përparimtar të kohës, qe Balli Kombëtar. Dekallogu i tij përcaktonte siç duhet çapin historik që duhet të hedhë kombi shqiptar në ditët t'ona. Por, qoftë pse komunizmi, siç treguam më lart, paraqitej me të gjitha tërheqjet e një fesë së re, qoftë pse Ballit Kombëtar i mungoi ajo teknikë organizimi dhe disipline që iu jep partive komuniste strukturë të fortë, qoftë në lidhje me ngjarjet politike të jashtme, lëvizja komuniste mundi të rrëmbejë një pjesë të djalërisë. Kështu e pruri puna që, djalëria shqiptare, e cila ish treguar si një trup i vetëm në ditët e Prillit të 39-ës, të çahej tani më dysh dhe të thyente kokën në mest të saj si dy valë të kundërta.

Lufta që u-nis kundër të huajit dhe që u-zhvillua me aqë lavdi, u-kthye në Vjeshtën e 1943-së në lufte civile. Dhe qe e rreptë, e përgjaktë, fytafyt. Komunistët, që s'njohin besë a virtut, goditnin qenërisht, me nj'egërsi të pashembullt. Por edhe djelmoshat që mpronin traditën e shqipes, nuk ishin të dobët. Të patundur si shkëmp, binin ballë-hapët ndënë thikën e tmerrit si ata kallinjtë e butë që i pret kosa..

Eshtë për t'u-vënë re mirë se, të gjithë luftën këtë rradhë, qoftë atë kundër të huajit për të çliruar vendin, qoftë atë të brendëshmen për të vendosur mbi fatet e popullit, e bënë të rinjtë dhe njerëzit e idevet. Prandaj qe edhe aqë e hovëshme, e tmerrëshme. Këtë rradhë s'pat tjetër shpirt ushtarak në Shqipëri përveç atij që frymëzohej nga një ide kombëtare ose sociale. Bandat bashibozuke që kishin shërbyer si shkop për të marrë fuqinë në duart e njerit a të tjetrit, kur populli shqiptar s'e kish mbledhur vehten akoma nga robëri e shekujvet, këtë radhë u-treguan kashturina që shpërndahen me frymë, si fletët e vjeshtës. Gjak rrodhi atje ku kish mbirë ide. Dhe rrodhi shumë. U-korr lulja e kombit. Nuk mjaftuan ata që ranë në fushën e nderit kur Hysni Lepenica çante malet si Shqiponjë, dhe Safet Butka predikonte fjalën e lirisë duke iu treguar djemvet se si atdheu qëndron mbi të gjitha vleftat e tjera. Nuk mjaftuan ata që mbetën ballë për ballë në luftën vëllavrasëse. Nuk mjaftuan Besnik Çanot e Qeramudin Sulot, Tare Kalot e Hadi Kasimatët, Hytbi Kullrat e Zija Gashët që i këputi pabesisht dorë e vëllait, por pjesën më të madhe e korri dhe po e korr dita-ditës "gjyqi i popullit", gjyqi cinik i tmerrit dhe i turpit. Një pjesë po kalben burgjevet, të tjerë po vriten akoma malevet.

Eshtë për t'u dridhur e për të qarë nga mallëngjimi kur kujtojmë se ç'zemër tregojnë këta të rinj përpara "gjyqit", përpara vdekjes. Sikur nervat e tyre janë rrahur e kthyer në tela trimërie. Shpirti i kombit tonë rrallë herë është treguar kaqë i fortë sa në këtë bres. Doni të dini se qysh sillen bijtë e shqipes përpara vdekjes ? Dëgjoni gjyqin e Resul Tozharit e të Namik Mehqemesë, dënuar në Berat në vjeshtën e 45-ës, dhe do të kini pasqyrën e shpirtit djaloshar të sotmë.

Hyn Resuli, i lidhur me hekura, në sallën e gjyqit.
* Pse e luftove Lëvizjen t'onë or shok ? -- e pyet djalli-gykatës.
-Ju luftova dhe ju luftonj, tha Resuli, pse populli pritte lirinë prej bijvet të tij e ju i prutë një tjetër formë robërie. Pse populli pritte të delte me rroba dasme për të kremtuar mbarimin e luftës, dhe ju e veshtë me rroba zije. Pse populli pritte t'i jepnit bukë, e ju i muartë edhe atë që kish. Ju që s'latë shtëpi pa zi, që s'latë zemër pa brengë. Ju që përçmuat idealin kombëtar, ju që trathëtuat Kosovën shqiptare. Unë e di se ç'më pret, por po flas fort të më dëgjojë djalëria ; pse fryma ime do të jetojë tek ata, do t'ju luftojë me ata. Pse më shikoni kështu ? Une s'kam frike nga thikat tuaja. Ju, duhet të trëmbeni nga fjalët e mia që ju damkosin si me hekur të kuq. Unë e di se ç'është tirania, kjo bishë e shëmtuar që ushqehet me gjak, që jeton vetëm me gjak. Ju s'munt të qëndroni ndryshe veç duke derdhur gjak, gjersa të mbyteni edhe iu vetë në gjakun t'uaj.

Kështu foli edhe Namiku. Namiku i urtë e i dashur që më parë kish turp kur fliste e skuqej si nuse, tani çfaqej me pamje tjetër, tani i shkrepnin sytë shkëndija si çelniku dhe i luanin rrembat e gjakut në një çfryrje burrërie, pse ish tjetër flakë ajo që e ndiste përbrenda.

Kështu folën. Pastaj të dy bashkë, si ata pëllumbat që i çonin për të therur në tempujt e vjetër, i vajtën vdekjes duke kënduar.

Por djalëria jonë nuk mposhtet në këtë dyel epik. Merr plumba, jep plumba. Sqyfteri i Kosovës, Haki Taha, kërcen në mest të Prishtinës dhe e vret brënda në zyrë Miladin Popoviç-in, organizonjësin e Partis Komuniste Shqiptare, aktorin kryesor të kësaj tragjedije. Pastaj rrethohet, lufton e mbetet. Ndërsa të tjerë shampionë të djalërisë së sotme, si Kazazët e Shkodrës, valavitnin përjashta flamurin e panjollë dhe iu tregonin malësorëvet të Veriut se jeta shqiptare s'duhet të ketë më kuptimin e bajrakut, se malësorët duhet të pushojnë së vrari shoqi-shojnë, malësorët që i këputi skami e mjerimi, malësorët që s'kanë tjetër përveç shpirt e gjak por që edhe gjaku i tyre ka qënë shitur gjer tani si plaçkë tregtie, malësorët që qenë dikur kështjellë e kombësisë, duhet t'i kërkojnë jetës kushte të reja.

Shqipëria do të ketë bukë për të gjithë, jeta do të ketë gëzim edhe për ju të mjerë - thoshte Jupi, i ëmbël e i qeshur si gjithnjë - por duhet t'ia nxjerrim me forcë. A ini burra të fortë pra ?
-Po mana, përgjigjeshin malësorët, kena me ia nxerrë me forcë.

Jupi e Seiti, dy nga djemtë më të mirë të mëmës Shqipëri, i filsnin popullit me gjuhën e zemrës, me gjuhën e të riut ; prandaj i fitonin zemrën. Prandaj duheshin, nderoheshin e pasoheshin kudo. Por Kazazët nuk kufizoheshin vetëm në fjalë e këshilla, ata goditnin, sulmonin, donin të brenin vargojt e tmerrit. Në një nga sulmet që i bënë qytetit, mbetën të rrethuar dhe vendosnë të mbarojnë si burra.

Kur partizanët ulurinin "kapini me dorë, me dorë", Kazazët trima përgjigjeshin: "Mos u-ngutni bre laro të pabesë e të pa-atdhe ; se ideja shtypet po s'thyhet, se flamuri digjet po s'jepet, se trimi vritet po s'kapet". Dhe duke e ndezur vendin flakë si Oso Kuka, e bënë Shkodrën e rreptë të dridhet edhe një herë si në kohën e trimërivet legjendare.

Kështu mbarojnë djemt e shqipes. Të tjerë shuhen burgjevet. Burgjet e lagët e t'errët po përpijnë si gojë kulçedrash me qindra të rinj e të reja, djem e vajza shqiptare. Po vajzat, vajzat ç'zemër tregojnë. Në krye të tyre qëndron Musine Kokalari. Musineja shkrimtare, Musineja e këndëshme e fjalë-ëmbël që e donte Shqipërinë me tërë thjeshtësinë e zemrës, ashtu siç dinë të dashurojnë vetëm krijesat e fisëshme. Në burgun tjetër dergjet Neti Fuga, trimëresha e malevet. Më tej, veniten të tjera vajza shqiptare. Duket sikur s'venë re fare pse iu fishket bukuria dita ditës mbi dërrasat e ashpëra, dhe gjymtyrët e njoma iu murrëtohen ndë hekura. Ato gëzohen me bukurinë e shpirtit. Shpirti i tyre, i pastër si erë lulesh, i çpon muret e trasha të burgjevet, përhapet e iu ndrin gravet shqiptare si flakë qiriri.

Kjo është rinia e sotme.

Djalëria e Përjetëshme

Për një që s'është mësuar t'i shohë gjërat në vijën e historisë, gjithë ky gjak, i derdhur e tmerron, e bën të humbasë arsyen, kujton se mbaroi kombi. Jo, mos u-trembni, kombi del m'i fortë akoma. Dijeni se historia, kjo ndërtesë vigane, i ka themelet mbi gjak e trupa njerëzish. Vetëm popujt që lëvizin jetojnë, ata që rrijnë në vent janë si stivë mishi që qelbet. Ne patëm fatin të ndodhemi ndoshta në një nga çastet më t'interesëshëm që ka shkuar njerëzia. Popujt sot gjenden në një shtek kapërximi, janë duke bërë një kthesë të madhe drejt një t'arthmeje tjetër. Rrota e jetës sociale nuk kthehet aqë lehtë pa shtypur mijra e milionë njerës. Komunizmi do të jetë ndoshta drithma e fortë që e përshkoj njerëzinë përpara se kjo të kalojë në të tjera fate. Mbajini lart zemrat. Mos thërrisni si çiliminj kur shikoni gjak të derdhur. Asgjë s'shkon humbur në natyrë. Rrebeshi i fortë që grryen malet e kodrat, vesh fushat me lerë të majme. Kur bima e një vere bie e kalbet në dhe, e bën tokën më pjellore për verën tjetër. Kur një brez humbet gjak në fushën e idevet, fiton shpirt aqë herë më shumë, fiton fuqi krijonjëse që i japin kombit, me të çelur të paqes, një tjetër dalldisje lulëzimi. Kur ka qenë populli ynë - flas për në kohët e vona - kaqë i gjallë, dhe kur ka pasur një botë-kuptim kaqë të gjerë sa sot ? Cili bres është treguar m'i hedhur, më trim, më rremba-zjarr nga ky i sotmi ? pse thoni që u-përgjunj kombi kur shpirti i tij është sot m'i fortë se kurrë, është bërë çelnik i zjerë tri herë ? Si s'do të mundë brezi i sotmë pra, ky bres i pjellë nga zjarri, të hapë udhët e s'arthmes, t'a zërë fatin e mirë, atë kalë t'egër, e t'a mbërthejë me pahir në qerren e Shqipërisë ?

Mos kini frikë. Nuk çfaroset djalëria. Nuk shterron burimi i jetës. Vriten një pjesë, të tjerë ngjallen. Ideja jonë sot, ideja që patën mbjellë demokratët e vërtetë, po lulëzon n'atdhe m'e mbarë se kurrë, si një farë e pajtë që e do toka. Forcat e reja që lindin po grumbullohen rreth saj si lulet pas degës. Por edhe ajo pjesë e të rinjvet të mitur që qenë gënjyer pas propagandës së keqe, po kthen n'udhën e drejtë tani që komunizmi e grisi maskën e sirenës këngëtare dhe nxori në shesh fytyrën e ariut. Lajmet nga Shqipëria na thonë se djalëria lëvis si gjithnjë. Oficerë të vegjël, nënoficerë, ushtarë, djem shkollash, djem fshatrash e qytetesh që grumbullohen në punë të detyruara, kërkojnë njeri-tjetrin, afrohen, këmbejnë mendime, ngushullohen, forcohen, organizohen në grupe të fshehtë për t'i dalë zot s'arthmes. Kështu lidhet rrjeta e qëndresës kombëtare, e cila pret nga një ditë në tjetrën kushtrimin e udhëheqësvet demokratë për t'i bërë malet t'ona të gjëmojnë edhe një herë nga klithmat e kryengritjes.

Djalëria dhe politikanët

Por duhet të dijmë se djalëria shqiptare s'duron dot më intrigën e përçarjes në krahina e bajraqe, në fe e fise, mënyra që kanë përdorur të huajtë për të marrë kështjellën t'onë nga brenda dhe sundimtarët e vendit për t'a mbajtur popullin të ndarë në zonë influencash, që kështu të munt t'a shfytëzonin e t'a përdornin pas qejfit si një pronë të tyren. Djalëria shqiptare i ngjit në ballë damkën e trathëtarit kujdoj që mbjell përçarje të këtilla, larove të djeshëm e të sotmë që qenë mësuar të hanë pa kursim mbi trupin e atij populli t'uritur, si hiena në mish të vdekuri.

Djalëria shqiptare i kapërxeu dobësitë e këtyre lloj përçarjeve, ajo tani udhëhiqet vetëm nga dritë e idevet, ajo dridhet e tërë në një frymë, ajo çohet e tërë me një fjalë që nga bjeshkët e vrenjtura të Kosovës gjer tek buzët e qeshura të detit Jonian.

Klikat e vjetra sundonjëse që mbaheshin në fuqi për hir të rrethanavet të ndryshme, ranë, u-shuanë. Edhe ato copra të kalbura që kanë mbetur aty-këtu, s'ushtrojnë më asnjë funksion në jetën e popullit, vetë organizmi i kombit i hodhi poshtë si gjëra të mplakura. Brezi i ri ka hyrë kudo në popull si një nervaturë e re. Të rinjtë e drejtojnë jetën në qytete, të rinjtë po e drejtojnë jetën nëpër fshatra. Ata janë fryma, gjaku që e vë kombin në lëvizje dhe e vënë në lëvizje andej nga mendojnë ata. Një parti politike shqiptare që s'ka me vehte djalërinë, vetë-quhet "parti" dhe bën si ai që kërkon të shartojë mbi kërcu të thatë.

Eshtë për t'u-vënë re se dy ide të mëdha kanë bërë rrugë në brezin e sotmë shqiptar dhe janë tiposur në mendjen e çdo të riu.

E para, ndërsa klikat e vjetra e quanin popullin si një lëndë pa shpirt dhe s'e vinin fare në llogari vullnetin as interesin e tij, veç rregulloheshin në mest tyre duke i mbajtur veshët ngrehur n'agjensitë politike të jashtme për të kuptuar se cilës fuqie të huaj po i vjen rradha të vërë dorë mbi Shqipërinë, që kështu të shpejtonin e t'i bëheshin urë, brezi i ri e ka përqëndruar mendimin e tij brenda në popull, është lidhur e bërë një me popullin, s'njeh tjetër ligj as traditë politike veç interesit të popullit, dhe është i vendosur gjer në vdekje për t'a bërë vullnetin kombëtar të triumfojë mbi çdo lakmi a kanosje imperialiste.

E dyta, brezi i sotmë e ka kuptuar mirë se popujt po shkojnë drejt një rregullimi ndërkombëtar të ri. Udha që kanë marrë qytetërimi dhe zhvillimi ekonomik i kohës s'onë, po i çon kombet, me dashje pa dashje, në një tjetër plan marrëdhëniesh dhe bashkëpunimi. Edhe populli ynë pra duhet pregatitur shpirtërisht për një jetë të re ndërkombëtare. Të rinjtë nuk po i mungojnë kësaj detyre. Ata e dinë se nuk arrihet liri, paqe as mbarësi në botë po nuk u bashkërenditën fuqitë e të gjithë popujvet në njësira politiko-ekonomike më të mëdha.

Përpara Djalëri !

Përpara pra djalëri, se sot duhet forca e jote. Ti je vale e fuqishme që hap udhë pa udhë, që shemp pengesa, që këput vargonj. Ku ka cikllop më të fortë nga ti për të kthyer jetën e popujvet në forma të reja ? Ty s'të përmban asgjë. Ti s'mposhtesh as mbarohesh. Atje ku bie gjaku i një të riu, dalin si nga dheu qindra të tjerë që ndjekin udhën e nisur. Pse fryma që të ve ty në lëvizje, është si frymë e prendverës që çel lule nga do shkon ; pret sa mund drapër'i ashpër, të tjera dalin me vesën e mëngjezit.

Përpara Djalëri ! Pasardhëse e denjë e stërgjyshëvet të tu ; ti që e tregove me prova se e paske gjithënjë në gjak shkëndijën trimërore të të parëvet t'onë që rrëmbenin në fushën e armëvet lavdi përmbi lavdi.

Përpara Djalëri ! E vendosur si gjithmonë, e arsyeshme, e bindur tek udhëheqësit e tu, përpara ! Me shpresë të gjallë, me zemër të fortë, me sy të patrembur, se fatet e Shqipërisë i ke në dorë.

Gazeta FLAMURI, mars-prill 1951

Menu
Jetëshkrimi
Historia e Shqipërisë
Artikuj
Thirrje
Poezi
Foto
Dokumente
Shtypi
Pamje filmike
Faqe e parë

Kontakt
Nëse dëshironi t'ju mbajmë në dijeni për artikujt e rinj që do të vendosen në këto faqe, na dërgoni adresën tuaj email:

DËRGOJA KËTË ARTIKULL NJË MIKU
Nëse artikulli ose faqja që jeni duke vizituar ju duket interesante, mund t'ia dërgoni një miku duke klikuar këtu

Libri i Miqve
Për të lënë një shënim ose mendimin tuaj për Profesor Abas Ermenjin klikoni këtu

Për ta parë
librin e miqve
klikoni këtu

© Abas Ermenji