Abas Ermenji - një jetë për ShqipërinëAbas Ermenji - një jetë për Shqipërinë


Apostull i vëllazërimit kombëtar

Fjala, me rastin e përcjelljes së Prof. Abaz Ermenjit për në banesën e fundit!

Më lejoni, zonja dhe zotërinj, miq e dashamirës, t'ju falenderoj në emër të Partisë "Balli Kombëtar" që keni ardhur sot këtu t'i jepni lamtumirën e fundit prof. Abaz Ermenjit, këtij mëmëdhetari, që e deshi Shqipërinë më tepër se veten!

T'Ju falenderoj, zotërinj, për fisnikërinë Tuaj! Për bukurinë e shqiptarizmit Tuaj! Se, kush nderon Abaz Ermenjin, përveç vetes, kërkon të nderojë tërë pasuritë morale dhe shpirtërore që krijon kjo tokë. Kush nderon Abaz Ermenjin synon ta bëjë jetën e vet të dobishme, si ky burrë, për lartësimin e Shqipërisë! Se, Abaz Ermenji e sakrifikoi jetën e tij vetëm për një Shqipëri të shqiptarëve! Se bashkë me Mid'hat Frashërin Ai ngriti lart flamurin vëllazërues "Partia jonë është Shqipëria!"

Se ky burrë, që qëndron sot, këtu, i heshtur para nesh, ka qënë një luftëtar i madh i pushkës dhe i penës : i pushkës kundër okupatorit, i penës kundër tradhëtisë, antishqiptarizmit! Kosova e di ndoshta më mirë se ç'ka bërë ky shqiptar i madh për bashkimin e trojeve tona, ndërsa të gjithë shqiptarët e panë se si e treti jetën Ai për një Shqipëri vërtet demokratike. Ky organizator i demonstratave të para antiokupator të rinisë, me t'u kthyer nga internimi fashist në ishujt e frikshëm të Italisë, luftoi maleve si një luan, në krye të çetave nacionaliste kundër hordhive italo-gjermane. Dhe si një shqiponjë e zemëruar Abaz Ermenji qëndroi atje, në male, si shkëmb, edhe kur kuçedra komuniste, me flamurin e Stalinit në duar, mbolli terror e thelloi vëllavrasjen në Shqipëri. Po edhe në mërgim, ky Promete kurrë s'u lodh së punuari për të ndriçuar me kulturën e vet prej akademiku, vetëdijen liridashëse të kombit të Tij.

I lindur për burrë i madh shteti, Historia i rezervoi Abaz Ermenjit rolin e luftëtarit të lirise, atë të avokatit të së vërtetës dhe të apostullit të bashkimit e të vëllazërimit kombëtar. Dhe në te tria këto Ai u bë një simbol dhe arriti majat e një misionari të vërtetë.

Dashuria e zjarrtë për Shqipërinë nuk e la t'i dorëzohej moshës, ndaj askush nuk e besoi se mund të ndahej nga kjo jetë. Se burrat si Abaz Ermenji nuk mund të vdesin: edhe kur ligjet e natyrës na detyrojnë të vendosim sot trupin e tij pajetë në këtë tokë që ai e deshi aq shumë, mbeten gjallë e të paharruar.

Lamtumirë, profesor!

Tani na takon neve dhe gjithë Shqipërisë ta kthejmë zjarrin e dashurisë Suaj për Shqipërinë në një dritë të pashuar, përherë të pashuar për përparim, për një të ardhme të bukur siç e ëndërruat Ju!...

Ju ftoj, zotërinj, të mbajmë, në shenjë respekti për Të, një minutë heshtje!

I paharruar qoftë kujtimi i Tij!...

Luan Myftiu

Menu
Jetëshkrimi
Historia e Shqipërisë
Artikuj
Thirrje
Poezi
Foto
Dokumente
Shtypi
Pamje filmike
Faqe e parë

Kontakt
Nëse dëshironi t'ju mbajmë në dijeni për artikujt e rinj që do të vendosen në këto faqe, na dërgoni adresën tuaj email:

Libri i Miqve
Për të lënë një shënim ose mendimin tuaj për Profesor Abas Ermenjin klikoni këtu

Për ta parë
librin e miqve
klikoni këtu

© Abas Ermenji