Ka disa emra njerëzish të mëdhenj që shoqërohen përgjithmonë me idenë e kombit ose të shtetit të tyre. Nuk mund të mendojmë, për shembull, Maqedoninë e dikurshme pa na u kujtuar njëherësh edhe Aleksandri i Madh, as Romën e vjetër, pa Jul Qesarin, as Shqipërinë tonë, pa Skënderben.
Për të kuptuar shkakun e këtij shoqërimi idesh, duhet të dimë më parë se ç'është kombi, ose shteti. Që të dy janë një bashkësi kulturo-gjuhësore, sidomos kombi, dhe politiko-ekonomike, sidomos shteti, ku individët qëndrojnë të lidhur me ndjenja e me interesa si në një familje të madhe. Sa m'i fuqishëm të jetë shteti, sa m'i lartë të jetë kombi nga kultura dhe traditat historike, aq m'e fortë është edhe ndjenja që i lidh individët me të. Kështu që, komb, shtet a çfarëdo grupi qoftë, bëhen si një qenie ideale; dhe emri i atij njeriu që, në një periudhë të historisë a në disa rrethana të veçanta, i ka dhënë kësaj qenieje çfaqjen më të lartë, mbetet i lidhur me të në kujtimin e popujvet.
Kur flasim për Shqipërinë, e mendojmë si një njësi të bashkuar, sipas ndjenjavet kombëtare të sotshme, dhe na pëlqen t'a përfytyrojmë në formën më të mirë, në çfaqjen më të lartë të saj. Por, që nga Mesjeta e tëhu (domethënë qëkur Shqipëria quhet Shqipëri), n'asnjë çast tjetër historik nuk ka treguar kombi ynë aq forcë të bashkuar drejt një qëllimi të vetëm - dhe që hyri si faktor në historinë e përgjithshme t'Evropës - sa në kohën e Skënderbeut.
Studionjësit e psikologjisë dhe të sociologjisë e dinë se sa e fortë është ndjenja e grupit tek njeriu, në fundet e errëta të pavetëdijës. Njeriu është një qenie e gjallë që ka nevojë shpirtërore t'a ndiejë vehten pjesëtar i një grupi, domethënë i lidhur brendësisht me të tjerë njerëz që ndiejnë e mendojnë pak a shumë si ai, që kanë të njejtën gjuhë, të njejtën kulturë, të njëjtat zakone, të njëjtat interesa. Ndarja e njerëzve në grupe të ndryshëm - fis e krahinë, fe e kulturë, komb e shtet, parti e klasë etj. - e ka bazën në këtë ndjenjë instinktive, dhe jo vetëm në nevojën ekonomike siç mendojnë marksistët. Në kohët tona, megjithëse ndërhyrja e shumë faktorëve kulturorë, teknologjikë dhe ekonomikë i ka dhënë të tjera drejtime ndarjes ose bashkimit të njerëzve në grupe, ndjenja kombëtare mbetet akoma si një nga më të fortat.
Për ne Shqiptarët, figura e Skënderbeut zmadhohet ose zvogëlohet sipas vleftës që i japim kombit dhe ndjenjës kombëtare. Ka qënë një kohë - dhe mjaft e gjatë - kur emri i Skënderbeut ishte harruar pothuajse fare në Shqipërinë e sotshme. Shkaku ishte se njerëzit u grupuan rreth ndjenjës fetare ose krahinore - e njihnin vehten të Krishterë ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas - dhe jo bij të një kombi në kuptimin e sotshëm të fjalës. Gjatë asaj kohe, kujtimi i Skënderbeut jetonte tek Shqiptarët e Italisë, pikërisht sepse ata kishin mbetur me gjuhën, me ritin fetar dhe traditat e tyre si një grup kombëtar më vehte, i veçuar nga popullsia italiane që i rrethonte.
Kur ideja kombëtare rilindi për ne Shqiptarët në shekullin XIX, dolli menjëherë edhe figura e Skënderbeut si ati i kombit, si shprehja m'e lartë e sedrës kombëtare dhe e vleftës sonë trimërore. Të Krishterë e Myslimanë, Gegë e Toskë e njohën si hero kombëtar. Më në fund u shtrënguan t'a njohin edhe komunistët, megjithëse në fillim këta u treguan kundër çdo vlefte kombëtare, me qëllim që t'a gruponin popullin - e sidomos brezin e ri - rreth ndjenjës së proletariatit botëror. Mirëpo eksperienca ua provoi se këta vetë paskëshin qënë më të ngushtët nga mendja në tërë kampin e komunizmit ndërkombëtar. E panë se komunizmi titoist nuk ishte veçse një jugosllavizmë dhe desh t'i gëlltitte si i tillë. Provuan gjithashtu se edhe komunizmi rus nuk ishte veçse rusizmë dhe desh t'iu rripte lëkurën për interesat e veta. Nëqoftëse nuk janë prapa botës, duhet t'a kuptojnë se edhe konflikti kino-rus ka një shkak kombëtar ose gjeopolitik, dhe jo ideologjik siç duan t'a trumbetojnë ata. Përpara realitetit të sotshëm që po e shohin edhe të verbëtit, ideologjia marksiste-leniniste, si dogmë, e ka humbur përmbajtjen e saj. Agjentët e regjimit të Tiranës, kur flasin tani me ndonjë Shqiptar të jashtëm, i thonë në mirëbesim: "kërkon të na përpijë sllavizmi." Sikur t'ua thoshte tjetërkush këtë fjalë, njëzet ose dhjetë vjet më parë, e dënonin me plumb.
Të vënë në këtë gjendje dhe të veçuar nga bota (mbasi Kina është tepër larg), komunistët janë kthyer në demagogjinë kombëtare. Prandaj figura e Skënderbeut, edhe për ata, duhet të zërë vendin qendror të historisë së Shqipërisë. Për t'u treguar më t'afërt me ndjenjën kombëtare të masavet, e kanë shpallur vit jubilar pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Përse gjithë ky çmim për Skënderben? Sikur t'a shikonim punën nga ana praktike, nga ana e mirëqenies (siç do të thoshnim sot), ai nuk iu solli ndonjë të mirë Shqiptarëvet të kohës së tij: burrat më të fortë u vranë, një pjesë e madhe e popullsisë u shua, një pjesë tjetër po aq e madhe u mërgua në dhe të huaj, qytetet u rrafshuan, fusha e fshatra u zbrazën, i tërë vendi u shkretua me zjarr e me hekur. A do të kishte mundur Skënderbeu të bënte një tjetër politikë me Turkun, politikë vasali, dhe njëkohësisht të siguronte mbajtjen e kombit shqiptar si një grup ethnik të bashkuar? Ashtu siç deshën të bënin mbretërit e Serbisë, pasi u mundën, dhe siç bënë Grekët e Fanarit pas rënies së Kostandinopojës?
Nuk na besohet kjo hipotezë. Sepse Shqiptarët nuk kishin një kulturë siç ishte helenizmi nëpër të cilin u mbajt kombësia greke, as bashkim kombëtar rreth një dinastie mbretërore siç e kishin Serbët. Këtë bashkim u mundua t'a bënte Skënderbeu nëpërmjet të luftës kundër Turkut. Gjer atëhere Shqipëria kishte qënë e copëtuar në një feudalizmë pa krye. As Thopiajt as Balshajt, që patën qënë shtëpitë princore më të mëdha, nuk kishin mundur t'a bashkonin të gjithë vendin. Përpara Skënderbeut si edhe në kohën e këtij, çdo feudal shqiptar, i madh a i vogël, e mbante vehten si zot në krahinën e tij dhe bënte politikën që i pëlqente, me Turkun, me Venetikun a me cilindo tjetër. Skënderbeu qëndroi në krye të tyre vetëm me anën e luftës: ndryshe s'mund t'ishte mbajtur. Grekët dhe Serbët kishin arritur me kohë n'ato dy njësime (unitete) pa të cilat s'ka shtet as komb që të qëndrojë i bashkuar: njësim kulturor dhe njësim politik. Kombësia greke kishte si bosht qendror kulturën helenike me Kishën Orthodokse dhe me kurorën mijëvjeçare të Bizantit. Kombësia serbe kishte edhe ajo Kishën e saj me liturgjinë sllavone dhe me një kurorë mbretërore prej tre shekujsh. Pra popujt e këtyre dy kombeve, edhe pasi e humbën pavarësinë politike, mbetën të lidhur me shpirt e me ndjenjë rreth boshtit fetaro-kulturor dhe traditës historike të tyre. Rreth këtij boshti e mbajtën bashkimin si kombe.
Kurse Shqiptarët nuk kishin as njësim politik as njësim kulturor, nëqoftëse me fjalën kulturë nuk kuptojmë vetëm gjuhën e folur dhe zakonet. Politikisht ishin të thërrmuar në krahina e principata, pa një dinasti qendrore. Një farë mbretërie shqiptare që pat krijuar mbreti i Napolit, Charles d'Anjou, më 1272, pat qënë e përkohshme dhe pa rrënjë të brendëshme. Nga ana fetaro-kulturore, Shqiptarët nuk kishin jo vetëm Kishë e liturgji në gjuhën e tyre por, me sa dimë, as letërsi të shkruar. Një popull që varet shpirtërisht nga qendra kulturore të jashtëme nuk mund të formojë kurrë njësim kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sikurse nuk mund të formojë njësim shtetëror ai popull që varet nga qendra politike të huaja. Kjo e shpjegon deri diku se përse një pjesë e madhe e Shqiptarëve u kthyen në myslimanë.
Duke mos pasur pra as bosht politik as bosht fetaro-kulturor të tyren, Shqiptarët s'kishin sesi të mbahëshin si njësi e bashkuar nëpërmjet kompromisesh me Portën e Lartë, siç bënë Serbët dhe Grekët. Bashkimin politik të Shqiptarëvet në një shtet të përqendruar u mundua t'a bënte Skënderbeu me grushtin e tij të fortë. Dhe e dimë se sa e vështirë qe kjo punë dhe se sa kokëçarje i solli.
Tani vjen një pyetje tjetër: mbasi lufta e Skënderbeut nuk i siguroi dot Shqipërisë një t'ardhme të pavarur, ose njësimin si komb, ç'vleftë kanë për ne trimëritë e tij përpara gjithë atyre humbjeve në njerëz e në mjete, përpara atij shkretimi që i solli vendit?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje është pak si e vështirë. E para, sepse varet nga shkalla e vleftavet morale që njerëzia ka pranuar gjer më sot si kriter gjykimi. E dyta, sepse nuk dimë se ç'përfundim do të kishte pasur kombi shqiptar sikur të mos kish ndodhur qëndresa e Skënderbeut. E treta, sepse ne e mendojmë atë luftë pasi është bërë. Por kur ishte duke u bërë, kishte të tjera mendime, të tjera ndjenja, të tjera shpresa, sipas të cilavet vepronin Skënderbeu dhe Shqiptarët e asaj kohe. Mendohej e shpresohej, për shembull, në një kryqëzatë të përgjithshme evropiane kundër Turkut, në shpartallimin e Perandorisë Osmane prej grindjesh të brendëshme etj. Sidoqoftë, pa qënë nevoja t'a shikojmë këtë çështje nga disa anë që i përkasin filozofisë ose të kërkojmë shkaqet subjektive që e shtynë Skënderben n'atë luftë, do të mundohemi të japim një gjykim vetëm nga ana objektive e historisë së Shqipërisë nëse figura e Skënderbeut e meriton atë vend që i kanë dhënë gjer më sot Shqiptarët.
Thamë më sipër se Shqipëria nuk kishte arritur në njësimin kombëtar gjer në shekullin XV. Çdo princ a kryezot bënte politikën që i pëlqente, qoftë me Turkun, qoftë me të tjerë shtete fqinjë. Sikur të mos kishte dalë Skënderbeu, disa kryengritje do të kishin ngjarë prapë dhe do t'ishin shtypur, ashtu siç qenë shtypur ato të Gjon Kastriotit, të Gjergj Aranitit dhe të kapedanëve të tjerë. Vendi do të kishte rënë prapë, siç ra, nën Turkun. Nuk do t'ishin vrarë ndoshta aq burra, nuk do t'ishte shuar ndoshta aq popull, nuk do t'ishin bërë ndoshta aq shpërngulje, por nga ana tjetër nuk dimë sesi do të kishte përfunduar kombësia shqiptare.
Skënderbeu i dha jo vetëm një frymë heroike, po edhe një karakter kombëtar qëndresës shqiptare kundër Turkut. Dhe tronditja qe aq e madhe, sa që kujtimi i luftës së tij vazhdoi për disa kohë si një jehonë trimërore në malet e Shqipërisë dhe jetoi si një epope legjendare tek Arbëreshët e Italisë. Kur ideja kombëtare rilindi në shekullin XIX, u kuptua se Skënderbeu i kishte dhënë një bazë historike Shqipërisë, i kishte dhënë nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i saj për në kohët moderne. Ndryshe - edhe sikur t'a zëmë se do të kishte pasur një ndjenjë shqiptare - historia e Shqipërisë do të paraqitej si një legjendë e çthurur, pa lidhje e pa krye, si një përrallë e venitur në mjegullirën e shekujve. Deri Evropa, me gjithë shtrembërimet e armiqve, nuk mundi t'ia mohojë historinë e tij kombit shqiptar, mbasi qëndresa e Skënderbeut kishte hyrë në historinë e përbotshme.
Që Shqiptarët, pa përjashtim, t'a kenë njohur Skënderben për hero kombëtar, duket se ka disa arësye të thella kombëtare dhe historike. Këto arësye do të mundohemi t'i vëmë në dukje gjatë këtij studimi.