XII

Le të shohim pak tani se cila ishte politika e brendëshme dhe politika e jashtëme e Skënderbeut dhe përse dallohet ky nga princat e tjerë që pat pasur Shqipëria. E para, sepse asnjë Shqiptar tjetër deri atëhere nuk pat korrur fitore ushtarake aq të mëdha e për një kohë aq të gjatë. E dyta, sepse nëpërmjet të luftës kundër Turkut Skënderbeu u përpoq të ndërtonte një shtet shqiptar të njësuar e të pavarur, domethënë të bënte bashkimin politik të Shqipërisë. Që në muajt e parë të kryengritjes së tij, ai mendoi e thirri të gjithë krerët shqiptarë në Kuvendin e Leshit, ku u formua e para lidhje shqiptare, me karakter pak a shumë kombëtar, që njeh historia. Por kjo lidhje nuk ishte veçse një lloj konfederate e çlirët, prej së cilës antarët mund të largohëshin kur të donin, ashtu siç ngjau më pastaj. Venetiku nga njëra anë, Turqia nga tjetra, i punonin me intrigat e tyre krerët shqiptarë për t'i shkëputur nga Lidhja e Leshit. Në kohën e rrezikut më të keq, në rrethimin e parë të Krujës prej Muratit II, antarët e Lidhjes e lanë Skënderben në fatin e tij, siç e pamë më sipër. Ky e përballi furtunën me fuqitë e armatosura që nxori nga principata e vet. Krerët shqiptarë mundohëshin, si gjithnjë, të ruanin pavarësinë dhe të drejtat e tyre feudale mbi tokat që zotëronin. S'shikonin dot përtej interesavet vetiake më të ngushta, dhe seicili kërkonte të kishte lidhjet e tija me shtetet e jashtëm.

Skënderbeu, duke përfituar nga pozita si kryekumandar i ushtërisë shqiptare dhe sidomos nga prestigji që i dhanë brenda dhe jashtë Shqipërisë fitoret e shkëlqyera kundër Turkut, u mundua t'i shtronte nën autoritetin e vet krerët më të vegjël dhe të hidhte kështu themelet e një shteti shqiptar të përqendruar. Si mjet për t'ia arritur këtij qëllimi, përveç aftësisë politike dhe lidhjevet familjare, përdori sidomos forcën ushtarake. E pamë se sa rëndësi i dha Skënderbeu, që në fillim, organizimit t'ushtërisë. Kuadrat e kësaj i krijoi ai vetë duke i zgjedhur më të shumtën nër familjet bujare, po edhe nga radhët e popullit. Me prestigjin e madh që fitoi në luftë, i lidhi pas vehtes krerët më të vegjël dhe masat e gjera popullore. Pak nga pak, zotërimet e familjeve bujare të Shqipërisë së Mesme u bashkuan e u njësuan pothuajse me principatën e Skënderbeut, mbasi ky, për nevojat ushtarake, duhej të shkelte nëpër to, të linte garnizone besnike në fortesat e tyre dhe të kishte lidhje të drejtpërdrejta me popullsinë. Kështu Thopiajt, Stres-Balshajt, Muzakajt e të tjerë e humbën pavarësinë e mëparshme dhe iu nënshtruan, me dashje a pa dashje, autoritetit të Skënderbeut, i cili iu la titujt e pronavet e iu dha shpeshëherë shkallë të larta në kumandën e ushtërisë, por e mori vetë në dorë mprojtjen e krahinavet të tyre. Kuptohet vetvetiu se kjo pozitë i jepte të drejtën e ndërhyrjes n'ato krahina, të cilat, me dashurinë dhe nderimin e madh që kishin për të, zunë t'i bindëshin më shumë autoritetit të tij se sa zotërinjve titullarë. Nganjëherë ua rrëmbente pronat bujarëvet që s'i shtrohëshin dhe ua jepte besnikëve ose atyreve që shquhëshin për zotësi në luftë. Pas rrethimit të parë të Krujës, i pat falur Kont Uranit, si shpërblim për qëndresën heroike, një tokë të gjerë në Mat.

Natyrisht, kjo politikë e brendëshme e Skënderbeut nuk ishte kundër rendit feudal në vetvehte si klasë shoqërore, por kërkonte t'a shtronte feudalizmin shqiptar nën autoritetin e një pushteti qendror duke ia hequr fuqinë politike, për të bërë një shtet të përqendruar, ashtu siç ngjau disa kohë më vonë në Francë, në Gjermani e gjetkë me formimin e monarkive të mëdha. Këtë politikë përqëndrimi shtetëror rreth principatës së vet Skënderbeu e ndoqi krahas me luftën kundër Turqve, megjithëse i solli mjaft trazime dhe i shkakëtoi një varg trathëtish deri tek njerëzit e tij më t'afërm. Por pa bashkimin e forcavet njerëzore dhe të mjetevet ekonomike të vendit në një rreth sa më të gjerë, s'do të kish mundur të mbahej as t'i bënte dot ballë për një kohë aq të gjatë perandorisë s'Osmanllinjvet. Kështu Skënderbeu është i pari princ n'Evropën feudale që ua hoqi Zotërinjvet të nënvarur të drejtën e sovranitetit mbi tokat e tyre dhe i shtroi nën autoritetin e tij.

Dëshminë më të mirë të kësaj politike përqëndronjëse të Skënderbeut na e jep Gjin Muzaka në Gjenealogjinë. "Pasi u bë kumandar i përgjithshëm i Zotërinjvet të Shqipërisë, tregon ky, në pak kohë mendoi t'a zotëronte të tërë vendin. Hodhi në burg vëllezërit Gjon e Gjokë Balsha... dhe ua mori shtetin e tyre ndërmjet Krujës dhe Leshit, domethënë krahinën Misia. I mori edhe Zotit Moisi Komnenit shtetin e tij që ishte në Dibër... Dhe, si vdiq im atë, na mori edhe neve Tomonishtën, domethënë Myzeqenë e Vogël, e ashtu ua bëri edhe Zotërinjve të tjerë... që nuk mund të mprohëshin, sepse ai kishte fuqinë e ushtërisë, dhe Turku na rrinte gjithmonë mbi krye... ".

Duket se Gjin Muzaka ngatërrohet pak n'emrat e vëllezërvet Balshaj dhe në punën e Moisiut. Skënderbeu burgosi Gjergj dhe Gjokë Stres Balshajt, të nipërit, që e trathëtuan duke iu lëshuar Turqvet fortesën e Modricës. Dhe Moisi Golemit ia mori krahinat në Dibër kur ai e trathëtoi, por ia këtheu prapë pasi e fali. Sidoqoftë, dëshmi e Gjin Muzakës vërteton se Skënderbeu ishte gjithmonë i gatishëm t'ua përfshinte principatat krerëve të tjerë, ose t'iu linte titujt dhe t'i shtronte nën autoritetin e tij.

Vetëm zotërimet e dy familjeve të mëdha nuk mundi Skënderbeu t'i përmblidhte në shtetin e vet: ato të Dukagjinëvet, në veri, dhe ato t'Aranitëvet, në jugë. Këto dy principata, duke qënë vende malore, patën ruajtur edhe më përpara një farë autonomie kundrejt Turqvet. Sadoqë me familjen e Aranitëvet Skënderbeu u lidh me krushqi, të bijt e Gjergj Aranitit i pat kundër, të zemëruar sepse i ati i dha motrës së tyre një pajë të madhe. Edhe Gjergj Araniti vetë i ftohu marrëdhëniet pak nga pak me të dhe më në fund u vu në shërbim të Venetikut. Kurse Dukagjinët i pat më të shumtën e herës jo vetëm kundërshtarë po edhe armiq, dhe për pak desh hyri në luftë me ta. Në disa raste, Dukagjinët arritën sa të lidhëshin edhe me Turqit kundër Skënderbeut.

Kështu, gjatë luftës së tij të paprerë, Skënderbeu mundi të formonte një shtet shqiptar në kuptimin politik dhe ushtarak të fjalës, i cili përfshinte pothuajse të tërë Shqipërinë e Mesme, përveç Durrësit, një pjesë të Veriut dhe disa krahina të Jugës. Kjo bërthamë e Shqipërisë erdhi gjithnjë duke u përqendruar nër duart e tija. Natyrisht, organizimi i këtij shteti kishte një karakter ushtarak, dhe ajo çka mund të quhej administrata e tij duhej t'iu shtrohej nevojave të luftës: në vijë të parë vinin rekrutimi i ushtarëvet, financat, grumbullimi i ushqimevet, ndreqja e fortesavet etj. I kapërthyer në një luftë të përhershme për jetë a për vdekje, shteti i Skënderbeut nuk pati nge as mundësi që të zhvillohej në të tjera drejtime, të krijonte institute kulturore, t'iu jepte një shtytje diturivet edh'artevet, t'a bënte shqipen gjuhë letrare me një liturgji kishtare të sajnë. Kjo do të kishte sjellë bashkimin kulturor dhe shpirtëror të kombësisë shqiptare. Po edhe me aq sa mundi, ndërmarrja e Skënderbeut mbetet në historinë e Shqipërisë si përpjekja m'e fortë drejt bashkimit kombëtar, nëpërmjet të një qëndrese heroike që la gjurma të thella për në të pastajmen.

Nuk duhet t'i veshim kohës së Skënderbeut ndjenjat kombëtare të sotshme. Por është për t'i vënë re njëj letre që fatosi i ynë i dërgonte si përgjigje princit të Tarantos, Antonio Orsini-t, më datën 31 Tetor 1460. I shkruante nër të tjerat: "E mbasi thoni se me Shqiptarët nuk do të mjaftonj për ta ndihmuar as për t'a mprojtur (mbretin Ferdinand), as për të dëmtuar armiqtë e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem se puna është ndryshe, e nëqoftëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi Epirotë, dhe duhet të kini njohuri se në kohë të tjera stërgjyshët tonë kanë kaluar në vendin që ju mbani sot dhe kanë bërë me Romakët beteja të mëdha, dhe e dimë se të shumtën e herës fituan më tepër nder se turp".

Kjo pjesë e letrës nuk lë pikë dyshimi që Skënderbeu kish një kuptim të historisë së lashtë të kombit shqiptar dhe se vehten e tij e mbante si pasardhës i Pirros s'Epirit. Në shekullin XV, duket se Shqiptarët kishin një ide të qartë mbi vjetërsinë e racës së tyre dhe e dinin që zbrisnin prej Iliro-Epirotëvet.

Politika e jashtëme e Skënderbeut i nënshtrohej nevojës së vazhdimit të luftës kundër Turqvet. Porsa filloi kryengritjen e tij më 1443, u kthye nga Perëndimi me të cilin e lidhte feja, qytetërimi, tradita politike dhe sidomos qëllimi i përbashkët i mprojtjes kundër Turkut. Pasi u bë i famshëm në fushën e betejavet dhe tërhoqi vëmendjen e fuqivet evropiane t'asaj kohe, Skënderbeu u përpoq t'a lidhte luftën e tij me frontin e përbashkët të Krishterimit dhe t'a bënte Shqipërinë si kryeurën e mprojtjes së Evropës. E dinte se po t'ishte përmbysur ai, edhe Italia do t'a kishte ndierë sigurisht rrezikun dhe do të kishte rënë nën sundimin e Turqvet, sikurse i shkruante princit të Tarantos në letrën që përmendëm më sipër. I vetëdijshëm për rolin e tij si mprojtës i Krishterimit dhe i Evropës, Skënderbeu kërkoi ndihmë dhe aliancë ngado që t'i vinin.

Në fillim, duke ndjekur traditën e familjes së Kastriotëvet, ai shpresoi tek përkrahja e Venetikut. Por e pamë se Republika, me politikën e saj tregëtare, s'mendonte tjetër veç si e si të shtrinte tregëtinë në Lindje, duke e mbajtur mirë me Turqit, dhe të siguronte zotërimet që kishte anës detit të Shqipërisë. Prandaj jo vetëm që s'i dha ndonjë ndihmë të rëndësishme Skënderbeut, por e shikoi edhe si të rrezikshëm për qytetet që ajo sundonte në Shqipëri dhe nisi nga intrigat për të përçarë Lidhjen Shqiptare të Leshit. Më 1448, arriti sa të merrej vesh edhe me Turqit për t'i bërë luftë të hapët Skënderbeut, sikurse e pamë më sipër. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, më 1450, Skënderbeu kërkoi që Republika t'a merrte nën mprojtje duke i premtuar t'i falte edhe Krujën si peng besnikërie, por ajo s'desh t'i prishte n'asnjë mënyrë marrëdhëniet e mira me Sulltanin.

Atëhere Skënderbeut iu desh të vështronte nga një tjetër fuqi e madhe që ishte fqinjë deti me Shqipërinë, nga Mbretëria e Napolit, në krye të së cilës ndodhej Alfonsi V i Aragonës, një nga princat më të shquar dhe më të fuqishëm të kohës së tij. Edhe me të tjerë shtete të Perëndimit Skënderbeu u mundua të mbante marrëdhënie sa më të mira, sidomos me Papatin, i cili ishte qendra e përpjekjevet për organizimin e një kryqëzate të përgjithshme evropiane kundër Turqvet. Papët e patën përkrahur moralisht dhe, në disa raste, edhe me të holla, ushqime e municjone. Patën ndërhyrë pranë shteteve dhe princave t'asaj kohe që t'a ndihmonin. Në planet e kryqëzatave që patën menduar Papët njëri pas tjetrit, Skënderbeu, i cili ishte bërë një figurë e madhe evropiane, vinte në radhë të parë, i mbuluar me tituj lavdie, si "Atlet e Mprojtës i Krishterimit" dhe "Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë". Mjerisht, asnjë nga ato plane nuk u sendërtua (realizua), dhe Skënderbeut i kushtuan shtrenjtë disa herë shpresat e thata.

Me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotshëm) Skënderbeu pat qënë gjithmonë në marrëdhënie të mira dhe qe pritur me nderime të mëdha prej Senatit të saj. Qyteti i Raguzës kishte një shumicë familjesh shqiptare që zinin një vend të parë në Senat dhe në ofiqet e larta të Republikës. Prandaj lidhjet midis Shqipërisë dhe Raguzës patën qënë gjithmonë të përzemërta. Ajo nuk bëri ndonjë aliancë ushtarake me Skënderben, por e ndihmoi disa herë me të holla dhe i vlejti si ndërmjetëse besnike për ndërlidhjet e tija me Italinë dhe me Hungarinë.

Përveç Shqipërisë, si fuqia luftarake m'e madhe kundër Turqisë ishte n'atë kohë Hungaria me kumandarin e famshëm Gjon Huniadin. Por Hungaria dhe Shqipëria ndodhëshin larg njëra-tjetrës, prandaj me gjithë marrëveshjet që pat pasur midis Skënderbeut dhe Gjon Huniadit, këta të dy s'i bashkuan dot forcat e tyre në një front të vetëm dhe mbetën t'a luftonin Turkun seicili m'anë të tij. Skënderbeu pati lidhje miqësore e shkëmbime letrash e dhuratash edhe me Dukën e Milanos dhe me Dukën e Burgonjës. Me despotin e Serbisë, Gjergj Brankoviçin, u afrua më 1448 për kundër Venetikut, por në luftën kundër Turqvet nuk mund të pritej ndonjë ndihmë prej tij mbasi ai ishte bërë vasali i Sulltan Muratit II. Më në fund, Mehmeti II e përzuri prej Serbie Brankoviçin, dhe trashëgimtari i tij, despot Stefani, erdhi të gjente strehë në Krujë pranë Skënderbeut. Kemi një letër-shkëmbim ndërmjet këtij dhe Dukës së Milanos, ku fatosi shqiptar i lutej Dukës që të bënte diçka për despot Stefanin.

Pas rrethimit të parë të Krujës dhe tërheqjes së Sulltan Muratit, me gjithë fitoren e Shqiptarëvet, vendi ishte prishur anembanë, fushat e Shqipërisë së Mesme ishin shkretuar nga lufta dhe nga qëndrimi i gjatë i ushtërisë armike, katundet ishin djegur, popullsia kishte mbetur pa strehë, pa gjë, pa bukë, me mijëra të plagosur e të gjymtuar thërrisnin për ndihmë, deri muret e Krujës ishin çarë e dërrmuar; ngado që kaloi rrebeshi s'të zinte syri veç gërmadha e mjerime. Duhëshin mjete për të rindërtuar vendin, për të shpëtuar popullsinë nga uria, për të ndrequr muret e fortesavet, për të vazhduar qëndresën.

Me hipjen e Sulltan Mehmetit II në fron - një nga sulltanët m'ambiciozë, më të pashpirt dhe më gjakësorë por njëkohësisht edhe një nga më të zotët që ka pasur Turqia - i cili kish për qëllim të pushtonte më nj'anë Kostandinopojën dhe n'anën tjetër Romën, dhe rrugën e kësaj të fundit ia priste Shqipëria, u duk se lufta midis Turqisë dhe Shqipërisë do të vazhdonte deri me shuarjen e njërës anë. Skënderbeu vetëm për vetëm e kishte fort të vështirë tani t'i bënte ballë gjendjes pa një ndihmë të jashtëme. Pas provës që pati me Venetikun, s'i mbetej tjetër rrugë veçse ajo e Napolit.

Alfonsi V i Aragonës që kish hipur në fronin e Napolit, nuk ishte më pak ambicioz nga Normanët, nga Hohenshtaufen-t dhe nga Angjevinët. Ëndërronte edhe ky, sikurse Charles d'Anjou, të themelonte një perandori të gjerë në Mesdhe. Mbasi pellgun perëndimor të këtij deti e kishte bërë të tijnë, donte ta shtrinte sundimin edhe mbi pellgun lindor duke pasur Napolin si qendër. Mirëpo rrugën e Mesdheut të lindjes ia prisnin Turqia dhe Venetiku. Shqipëria, me një ushtëri të fortë nër duart e Skënderbeut, kishte rëndësi të veçantë për Alfonsin V si pikëmbështetje për politikën e tij ambicioze në Ballkan dhe në Lindje. I zgjuar e largpamës, ai e kishte kuptuar mirë rrezikun turk. Por nga ana tjetër, shihte edhe tek Venetiku një rival shqetësonjës. Prandaj nisi t'i shtrëngonte lidhjet me Skënderben më 1448, kur ky ndodhej në luftë kundër Republikës. Shikonte te kryetrimi shqiptar një shtyllë qëndrese të sigurtë edhe kundrejt rrezikut turk. Kurse Skënderbeu, nga anë e tij, kishte nevojë të madhe për ndihmën e një shteti të fuqishëm, siç ishte Mbretëria e Napolit, për t'i bërë ballë Sulltan Mehmetit II.

Kështu u arrit nënshkrimi i një traktati, në Gaeta (Itali), më 26 të Marsit 1451, ndërmjet Alfonsit V dhe dy të dërguarve të Skënderbeut, peshkopi i Krujës, Stefani, dhe dominikani Nikolla de Berguzi. Në përmbajtjen e këtij traktati, Skënderbeu dhe farefisi i tij detyrohëshin t'ia dorëzonin Krujën dhe principatat e tyre njëj zëvendësi t'Alfonsit në rast se ky do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për t'a mprojtur vendin nga Turqit. Dhe po t'ishte se me ndihmën e Alfonsit do të çlirohëshin toka të tjera që kishin pushtuar Turqit, do të hynin edhe këto nën mprojtjen e mbretit të Napolit. Skënderbeu premtonte se do të vente në Napoli a më çdo vend tjetër që t'i caktonte Alfonsi, për t'a njohur atë si kryezot dhe për t'i bërë betimin e besnikërisë - siç ishte zakoni në Kohën e Mesme - por mbasi ta kishte çliruar prej Turqve krejt vendin (Beratin, Sfetigradin etj.) me ndihmën e Alfonsit. Premtonte gjithashtu se do t'i paguante mbretit të Napolit një haraç të përvjetshëm në rast se me ndihmën e atij do ta kishte shpëtuar vendin prej rrezikut turk. Kurse mbreti i Napolit zotohej se do t'a merrte nën mprojtje Skënderben dhe gjithë farefisin e tij, se do të ruante privilegjet e Krujës dhe të krejt Arbërisë, se do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për në luftën kundër Turqvet.

Traktate të këtilla Alfonsi V lidhi edhe me Gjergj Aranitin, me Dukagjinët dhe me shumë krerë të tjerë shqiptarë dhe ballkanikë duke pasur në mendje organizimin e një kryqëzate të përgjithshme kundër Turqvet, por nuk ia arriti dot qëllimit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Alfonsi V dërgoi në Krujë një fuqi simbolike prej 100 ushtarësh Katallanë për të marrë gjoja në dorëzim qytetin, dhe një komisar të posaçëm, Bernard Vaquer, i cili u zëvendësua, një vit më vonë, nga kalorësi Ramon d'Ortafa, që përfaqësonte mbretin e Napolit në Shqipëri. Kjo fuqi e vogël ndëjti në kështjellën e Krujës deri pas vdekjes së Skënderbeut, si një paraqitje simbolike. Ramon d'Ortafa vëzhgonte zhvillimin e ngjarjevet të Shqipërisë dhe ia raportonte herë pas here mbretit të Napolit. Skënderbeu i dërgonte Alfonsit, pas fitorevet, plaçka, flamure e kuaj që iu zinte Turqvet, por nuk i pagoi kurrë haraç as nuk i bëri betimin e besnikërisë.

Traktati i Gaetës, po të shikohej nga forma, ose nga ana juridike si do të thoshnim sot, e vinte Skënderben në një pozitë të nënshtruar përpara Alfonsit V dhe Shqipërinë nën protektoratin e mbretit të Napolit. Por po të shikohej nga ana praktike, delte në përfitim të Skënderbeut dhe të Shqipërisë. Është e vërtetë që Alfonsi V u mundua t'impononte vullnetin e tij dhe të ndërhynte pak si tepër në punët e brendëshme të Shqipërisë duke mbajtur lidhje edhe me krerë të tjerë. Por këta nuk i nxiti asnjëherë kundër autoritetit të Skënderbeut, i cili mbeti, në fakt, kryekumandar dhe sundimtar i Shqipërisë. Ndërhyrjet e Alfonsit prunë disa moskënaqësira dhe ndoshta qenë një nga shkaqet e trathëtivet që ngjajtën më vonë. Por ai s'pat kurrë një mundësi kontrolli mbi Shqipërinë, dhe Skënderbeu, si në Krujë ashtu edhe në tërë shtetin e tij, sundoi e kumandoi vetë, krejt i pavarur, deri sa vdiq. Mund të themi se traktati i Gaetës, praktikisht, pati zbatim të njëanshëm, domethënë në fitim të Skënderbeut, sepse, megjithëqë nuk u zbatua dot kurrë pikë për pikë, ndihmat që dha mbreti i Napolit, të holla, ushqime, inxhenjerë, armë e municione, sadoqë jo të mjafta, i vlejtën shumë kryetrimit shqiptar për të kapërcyer vështirësitë e tmerrshme ndërmjet vjetëvet 1451-1458. Skënderbeu e kish kuptuar që nënshtrimi përpara mbretit të Napolit do t'ishte vetëm në dukje, kurse ndihmat që shpresonte të merrte prej atij mund t'ishin vendimtare për të përballur rrezikun turk dhe për të mbajtur shtetin shqiptar në këmbë. Dhe me të vërtetë, jo vetëm që Alfonsi nuk pati ndonjë sundim mbi Shqipërinë, por, pas vdekjes së tij, kur i biri, Ferdinandi, ishte në rrezik të humbiste fronin e Napolit, iu desh Skënderbeut të hidhej n'Itali për t'ia siguruar. Sidoqoftë, Skënderbeu ruante një kujtim mirënjohjeje të thellë ndaj Alfonsit, siç kuptohet nga letrat e tija.

Lidhja e Shqipërisë me Mbretërinë e Napolit e shqetësoi Venetikun, i cili nisi përsëri intrigat e përçarjes dhe ngacëmimet kundër Skënderbeut. Senati i Republikës ia preu këtij pensionin që i kishte lidhur me traktatin e paqes të vitit 1448. Cytjet dhe trazimet në kufijt filluan rishtas. Por Skënderbeu u hodh menjëherë në vepërim duke hyrë me ushtëri nëpër krahinat që zotëronte Venetiku. Kjo gjendje vazhdoi gjer në Jenar të vitit 1452, kur Senati i Republikës hoqi dorë nga provokimet dhe nisi t'ia paguante përsëri pensionin Skënderbeut.