Sulltan Mehmeti II, i zënë n'Anadoll me princat e Karamanisë dhe të Mendeshës, nuk dërgoi ndonjë ushtëri kundër Shqipërisë gjatë vitit 1451. Kjo i la pak kohë të lirë Skënderbeut që të merrej me rindërtimin e vendit dhe me organizimin e mprojtjes. Ndreqi muret e kështjellës së Krujës dhe i vuri në gjendje që t'iu qëndronin topavet të rëndë. Ndërtoi një fortesë të re në Modricë, mbi një lartësirë të malit Shar, për t'iu mbyllur ushtërive turke hyrjen e Dibrës së Poshtëme pas humbjes së Sfetigradit. La aty një garnizon prej 400 vetash nën kumandën e Gjergj Stres Balshës, i cili duhej të vëzhgonte lëvizjet e ushtërive armike kur vinin nga Maqedonia dhe të jepte shenja me top. Nisi të ndërtonte gjithashtu një tjetër fortesë në kep të Rodonit, te gryka ku derdhet Drini në det. Atje shkonte vetë, pothuajse çdo ditë, për të shikuar punimet. Por një mëngjes, kur delte nga Kruja për të vajtur te kepi i Rodonit, iu qas një i panjohur edhe i tha se në pyllin e Krabit i kishin zënë pusinë për t'a vrarë. Një repart i gardës u dërgua menjëherë dhe zbuloi tetë veta t'armatosur, të fshehur në një shpellë. Në përpjekjen që u bë për t'i kapur të gjallë, pesë prej tyre u vranë dhe vetëm tre u dorëzuan. Këta treguan se ishin Turq të dërguar prej Sulltanit për të vrarë Skënderben. Kishin ardhur n'atë pyll t'udhëhequr prej dy Shqiptarësh, që mbetën të vrarë bashkë me tre shokë të tyre. Nuk dinin se cili kapedan shqiptar ua dha dy udhëheqësit për në pyll të Krabit, mbasi shokët e tyre që u vranë nuk ua kishin treguar. Dyshimi i parë ra mbi Dukagjinët, të cilët, n'atë kohë, ishin armiq me Skënderben, dhe Lek Dukagjini kishte famë të keqe për këso punësh. Por këta, më pastaj, u shpjeguan, u betuan dhe dolën të larë. Atëhere dyshimi kaloi me radhë mbi të bijtë e Aranitit, të zemëruar për pajën e tepërt që pat marrë motra e tyre, mbi Moisi Golemin dhe mbi Hamzë Kastriotin, të cilët, pak më vonë, dolën trathëtarë njëri pas tjetrit. Sidoqoftë, komploti i pyllit të Krabit tregon fillimin e trathëtive të brendëshme që e ndoqën Skënderben deri në rrethin familjar të tij. Këto nxitëshin, sigurisht, prej armiqve të jashtëm, por dëftejnë edhe se sa i vështirë ishte bashkimi i Shqiptarëvet dhe se sa pak e duronin krerët dhe kapedanët e vendit politikën përqëndronjëse të Skënderbeut.
Në verën e vitit 1452, porsa Sulltan Mehmeti II i pati duart e lira, dërgoi dy ushtëri turke në të njëjtën kohë për t'a vënë Skënderben midis dy zjarresh. I pari arriti Hamza Pasha me një fuqi prej 10.000 vetash, kurse kryekumandari, Talip Pasha, me 15.000 të tjerë, vinte nga një rrugë tjetër. Skënderbeu me ushtërinë shqiptare prej 14.000 vetash rendi më parë kundër Hamza Pashës, e goditi afër Modricës, më 21 të Korrikut, dhe e dërrmoi në pak orë duke e zënë rob atë vetë bashkë me tërë shtabin. Pastaj i dolli përpara Talip Pashës në fushën e Meçadit dhe i mori krahët me gardën e famshme, ndërsa Moisi Golemi me pjesën tjetër t'ushtërisë e sulmoi për ballë. Më parë se të niste beteja, Shqiptarët iu treguan Turqvet Hamza Pashën të lidhur bashkë me oficerët e shtabit të vet që ishin zënë rob. Megjithatë, ushtëria turke luftoi me tërbim deri sa Moisi Golemi, me një sulm të tmerruar, e çau përmidis, u fut deri në qendër dhe e vrau Talip Pashën me dorën e tij. E mbetur pa kumandar, ushtëria armike u shpartallua dhe Shqiptarët korrën një fitore të madhe. Sipas kronikanëvet, në këto dy beteja Turqit lanë përmbi 7.000 të vrarë, përveç robërvet. Të dy kampet me flamuret, me kuajt dhe me tërë plaçkat e tyre mbetën në duart e Shqiptarëvet. Për të liruar Hamza Pashën dhe oficerët e tjerë robër, Skënderbeu mori si shpërblim nga Sulltani 13.000 dukata.
Kjo fitore e dyfishtë kundër dy ushtërive të Sulltan Mehmetit II iu dha zemër Shqiptarëvet dhe bëri që të jehonte emri i tyre në tërë Evropën. Një gëzim tjetër solli pajtimi i Skënderbeut me Dukagjinët, që u bë në Shtator t'atij viti me ndërhyrjen e Papës Nikolla V nëpërmjet të peshkopit të Drishtit, Pal Engjëllit.
Në Prill të vitit 1453, megjithëse Mehmeti II bënte përgatitjet për të pushtuar Kostandinopojën, nuk e harroi Shqipërinë. Dërgoi një ushtëri prej 14.000 vetash nën kumandën e Ibrahim Beut, i cili desh të hynte nga ana e Tetovës. Por Skënderbeu i dolli përpara, e goditi befas ushtërinë turke në fushën e Pollogut, më 22 të Prillit, dhe e dërrmoi plotësisht duke vrarë me dorën e tij edhe Ibrahim Ben.
Më 29 Maj 1453, Sulltan Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën ose Stambollin, siç e quajtën Turqit, edhe e bëri kryeqytet t'Osmanlinjvet duke i dhënë fund Perandorisë Bizantine mijëvjeçare. Kjo ngjarje shkakëtoi një tronditje të madhe n'Evropë, sepse pushtonjësi i Stambollit, pasi të siguronte sundimin e vet në Lindje, do t'i vërsulej Perëndimit. Mirëpo, përveç tronditjes psikologjike dhe disa mbledhjeve që u bënë aty-këtu, Evropa dukej në pamundësi lëvizjeje. Italia, e sidomos Mbretëria e Napolit dhe Republika e Venetikut, që kërcenohëshin drejtpërdrejt prej rrezikut turk, ndodhëshin të zëna me grindjet e brendëshme. Venetiku luftonte kundër Milanos, Napoli kundër Gjenovës dhe Firencës. Papa Nikolla V mundohej të paqësonte Italinë dhe i lëshoi zërin Krishterimit që të ngrihej me armë kundër Turqvet. Mendimi i njerëzve largpamës, n'Evropë, ishte për bashkimin e të gjitha forcavet të krishtere në një kryqëzatë të përgjithshme. Një mbledhje e madhe u bë në Romë për këtë qëllim; u bënë mbledhje nëpër qendra të tjera. Por nga këto thirrje s'dolli asgjë. Seicili prej princave ose shteteve të Perëndimit shikonte interesat e tija më të ngushta, në kundërshtim njëri me tjetrin. Enthusiazmi fetar i Mesjetës ishte ftohur, koha e kryqëzatavet kishte perënduar. Evropa hynte në periudhën e Rilindjes, me oborret princore që hahëshin në mes tyre kush të shkëlqente më shumë, pa një hov ndërmarrjesh të largëta ushtarake dhe pa një autoritet të lartë që t'i mblidhte tok.
Megjithatë, rënia e Stambollit në duart e Sulltan Mehmetit II, i cili pas këtij ngadhënjimi u mbiquajt Fatih (pushtonjës), u duk sikur do të sillte afrimin midis Venetikut dhe Napolit. Skënderbeu desh të përfitonte nga çasti psikologjik dhe iu drejtua për ndihmë Papës, Alfonsit V, Venetikut, Raguzës. Mori si përgjigje fjalë të mira dhe premtime. Me ndërmjetësinë e Raguzës hyri në marrëveshje me Hungarinë dhe Serbinë, që këta dy shtete të formonin me Shqipërinë një front ushtarak të përbashkët. Sepse, me gjithë zhurmat e Perëndimit dhe thirrjet e Papës, si fuqi të vërteta për të mprojtur qytetërimin evropjan, n'atë kohë, s'kishte veçse dy popuj dhe dy burra: Skënderbeu me Shqiptarët dhe Gjon Huniadi me Hungarezët. Papa Nikolla V u përpoq t'i ndihmonte këta të dy me sa i erdhi për dore.
Me shqetësimin që solli rënia e Stambollit, Skënderbeu shpresoi se do të ndihmohej nga Perëndimi për të çliruar Beratin dhe Sfetigradin. Me këtë mendim, nisi një dërgatë për në Napoli që të kërkonte ndihmën e Alfonsit. Mbasi dërgata u kthye pa bërë gjëkafshë, Skënderbeu u nis vetë për n'Itali, në Tetor të vitit 1453, i shoqëruar nga një provizor i Venetikut, me qëllim që t'i parashtronte Alfonsit planet e tija dhe t'i kërkonte ndihmën ushtarake, sipas traktatit të Gaetës, për t'i përzënë Turqit nga pjesët e shkelura të Shqipërisë. Dukej sikur Venetiku dhe Napoli po bashkohëshin këtë radhë për ta ndihmuar. Alfonsi V i premtoi artileri dhe ushtarë për të çliruar Beratin. Prej Napolit, Skënderbeu shkoi në Romë, ku u prit me nderime nga Papa Nikolla V, i cili i dhuroi edhe një shumë të hollash prej 5.000 dukatash.
Mjerisht, ndihmat e Perëndimit ishin të pakta dhe të pasigurta. Edhe bashkimi i menduar prej tij ish i pamundshëm. Disa muaj më vonë, në Prill të vitit 1454, Republika e Venetikut ua la të tjerëve barrën e luftës kundër Turqve dhe i këtheu krahët Perëndimit duke nënshkruar me Sulltanin një paqe të veçantë për të shpëtuar interesat e saja. Skënderbeu u përpoq të forconte lidhjet në Ballkan, dhe sidomos bashkëvepërimin ushtarak me Hungarinë.
Sulltan Mehmeti II, për të ndaluar krijimin e një fronti të përbashkët ndërmjet Hungarisë, Serbisë dhe Shqipërisë, nisi një ushtëri kundër Serbisë, më 1454, duke shpresuar në këtë mënyrë të hapte rrugën për në Hungari. Por Gjon Huniadi me ushtërinë hungareze kapërceu Danubin, hyri në Serbi, e theu ushtërinë turke, dhe kumandarin e saj, Feriz Pashën, e zuri rob.
Ndërkaq, Skënderbeu po bënte pregatitjet për rrethimin e Beratit. Këtë çështje e kishte biseduar sigurisht në Napoli, që më 1453, me Alfonsin V. Çlirimi i Beratit kishte një rëndësi strategjike të dorës së parë si për Shqipërinë ashtu edhe për sigurimin e Mbretërisë së Napolit. Sepse ky qytet, nga gjeografia dhe nga pozita natyrore e tij, ishte si kryeura m'e fortë e pushtimit ushtarak turk mu në zemër të Shqipërisë. Pasi të merrej Berati, hapej rruga për çlirimin e mëtejshëm të Vlorës dhe të Gjirokastrës, domethënë të krejt Toskërisë, ngaha Turqit kërcënonin Mbretërinë e Napolit. Por, për të thyer muret e Beratit, duhëshin topa.
Skënderbeut iu desh ndoshta t'i përsëriste disa herë kërkesat e tija. Më në fund, ndihmat e Alfonsit, 1.000 ushtarë këmbësorë dhe disa reparte artilerie me nja 18 topa, arritën në Maj të vitit 1455. Në Korrik të atij viti Skënderbeu e rrethoi Beratin me një ushtëri shqiptare prej 14.000 vetash dhe me repartet napolitane. Mendoi t'a zinte në befasi garnizonin dhe t'a merrte kështjellën pa gjak. Por Turqit, të lajmëruar prej ndonjë trathëtari, ishin në dijeni të punës dhe qenë bërë gati për qëndresë. Megjithatë, Shqiptarët e pushtuan qytetin dhe e shtrënguan rrethimin e kështjellës duke çarë me artileri një pjesë të murevet. Kumandari i garnizonit turk kërkoi një muaj afat për të dorëzuar fortesën. Skënderbeu s'desh të hynte fare në kësi bisedimesh, por më në fund u detyrua prej rrethit të tij dhe prej kumandarit të repartevet napolitane, Palerino-s, të jepte një armëpushim prej njëmbëdhjetë ditësh. Pastaj, duke e lënë ushtërinë nën kumandën e Muzakë Thopisë, ai vetë u largua me 4.000 trima të gardës për të marrë një fortesë tjetër, të cilën nuk e dimë se ku ishte. Largimi i Skënderbeut nga Berati, n'ato rrethana, ishte një gabim i tmerrshëm, dhe gabimi i dytë ishte që e la ushtërinë nën kumandën e të kunatit, Muzakë Thopisë, kurse aty kishte gjeneralë më të zotë dhe më të provuar. Ushtëria shqiptare, e çkujdesur, kujtoi se e kishte fortesën në dorë dhe u shtrua rreth Beratit si në dasmë. Mirëpo, përpara se të kalonin të njëmbëdhjetë ditët, arriti befas Isak Bej Evrenozi me një ushtëri turke prej 40.000 kalorësish të zgjedhur dhe, duke e gjetur ushtërinë shqiptare të papregatitur për qëndresë, e korri si me drapër. Më shumë se gjysma e Shqiptarëvet mbetën të vrarë bashkë me Napolitanët e Alfonsit. I tërë kampi dhe topat ranë në duart e Turqvet. Kur u kthye Skënderbeu në Berat, puna kishte mbaruar. Ata që mundën të shpëtonin iknin të tmerruar dhe s'kishte mbetur asnjë mundësi qëndrese. Sikur Isak Bej Evrenozi t'ecte drejt Krujës, mund t'a kishte marrë, se rruga ishte krejt e hapur. Por ai, i kënaqur me suksesin që pati në Berat dhe duke iu trëmbur emrit të Skënderbeut, nuk u shty më tutje. Pasi ndreqi muret e fortesës dhe vendosi aty topat e Alfonsit, la një garnizon të shëndoshë dhe u tërhoq nga Shqipëria.
Kjo tragjedi mundi të ngjante në këtë mënyrë sepse kishte pasur një trathëtar që i vuri Turqit në dijeni të pregatitjevet dhe të planit të Skënderbeut për rrethimin e Beratit. Trathëtari ishte Moisi Golemi, gjenerali m'i mirë i Skënderbeut. Si kumandar i forcave të kufirit, ai gjeti një shkak për të mos ardhur në rrethimin e Beratit, se gjoja ishte i nevojshëm të qëndronte në Dibër. Nga ana tjetër, lajmëroi Turqit mbi qëllimin e Skënderbeut dhe i hapi udhën Isak Bej Evrenozit që t'a zinte ushtërinë shqiptare si në kurth. Pastaj kaloi kufirin dhe u hodh nga anë e Sulltanit. Ushtëria që ai kumandonte nuk e ndoqi në rrugën e trathëtisë dhe qëndroi në vend.
Kjo ngjarje desh e përmbysi Skënderben. Tërë bota kujtoi se i erdhi fundi. Venetiku rifilloi të fuste spicat e përçarjes. Disa nga kapedanët shqiptarë zunë të kërkonin mprojtje djathtas e majtas. Dukagjinët u lidhën përsëri me Turqit. Sa për Gjergj Aranitin, ai nuk përmendet në këtë kohë sepse kishte hyrë në shërbim të Venetikut dhe marrëdhëniet e tija me të dhëndrrin ishin ftohur fare.
Kushdo tjetër në vend të Skënderbeut do t'ishte përmbysur me të vërtet. Por ai u mbajt si një shkëmb graniti që s'e shkepin dot tallazet as furtunat. Nuk u trondit as nga gjëma e Beratit as nga trathëtia e Moisiut. Me vullnetin e tij të çeliktë dhe me pështetjen e madhe që gëzonte në popull e mori përsëri vehten, e rikrijoi ushtërinë e gjysmuar dhe vazhdoi qëndresën si më parë.
Alfonsi V, edhe pas mjerimit të Beratit, nuk i prishi lidhjet me Skënderben dhe vazhdoi t'a ndihmonte pak a shumë si më parë. Papa dhe princa të tjerë evropjanë i dërguan fjalë të mira për ta ngushulluar. Për fat të keq, armiqësia ndërmjet Napolit dhe Venetikut pengonte ndihmat në një shkallë më të gjerë që Skënderbeu mund të kishte marrë prej Perëndimit. Megjithatë, vullnetarë në një numër të kufizuar vazhduan të vinin nga të gjitha viset e Evropës, Italianë, Frengj, Gjermanë e Anglezë, për të luftuar pranë herojt shqiptar.
Disa auktorë kanë dashur të shikojnë në trathëtinë e Moisiut dhe në të tjerat që ngjajtën më pas përzjerjen e tepëruar të mbretit të Napolit ose t'agjentëve të tij në punët shqiptare. Venetiku e luftonte ndërhyrjen napolitane duke futur spica nër krerët shqiptarë dhe deri në rrethin më të ngushtë të Skënderbeut. Nga ana tjetër, Sulltan Mehmeti II kërkonte të ndante e të përçante për t'a përmbysur Skënderben me anën e trathëtive të brendëshme. Por këto mënyra s'ka shtet imperialist që të mos i përdori, dhe Romakët e vjetër i patën shprehur me dy fjalë: ndaj e sundo. Duhen shikuar më fort arësyet e brendëshme që shtynë Moisinë, dhe të tjerët pas tij, të trathëtonin. Arësyeja e parë është se të gjithë këta kapedanë bashkimin rreth Skënderbeut e shikonin si një besëlidhje, si një shoqërim midis të barabartësh, dhe jo si një disiplinë, si një nënshtrim hierarkik kundrejt një autoriteti. Kjo mendësi ose kjo natyrë është i pari shkak që ka penguar formimin e një shteti shqiptar gjatë shekujvet dhe që e ka shpërndarë racën shqiptare në të katër anët, si kashtën q'e merr era. Moisi Golemi ishte nga familja e Aranit-Komnenëvet dhe pikërisht i nipi i Gjergj Aranitit që u bë vjehrri i Skënderbeut. Të Parët e tij kishin qënë kryezotër të principatës s'Arbërisë, e cila pastaj kaloi në duart e Kastriotëvet. Nga trimëria dhe zotësia për të kumanduar në luftë Moisiu i kishte të rrallë shokët. Skënderbeu ia pat shpërblyer shërbimet sipas vleftës, duke e nderuar sa duhej dhe duke i falur krahinat e Dibrës, ku ai qëndronte vazhdimisht si kumandar i forcave të kufirit. Megjithatë, duket se Moisiu nuk e duronte dot famën dhe autoritetin e Skënderbeut si edhe politikën përqëndronjëse të tij. Ndoshta u shtyt edhe nga e shoqja, Zanfina Muzaka, e cila e urrente familjen e Kastriotëvet, sepse burri i parë i saj, Muzakë Thopia, pasi u nda nga kjo, u martua me Mamicën, të motrën e Skënderbeut.
Sidoqoftë, Moisi Golemi - ose Moisiu i Dibrës, siç e quanin - mendoi të bëhej sundimtar i Arbërisë me forcën e Turqvet dhe si vasal i Sulltanit. Kujtoi se Skënderbeu nuk do t'a merrte dot vehten pas katastrofës së Beratit. U nis nga Stambolli në Prill të vitit 1456, me një ushtëri turke prej 15.000 kalorësish të zgjedhur, edhe arriti në kufi për të përmbysur Skënderben dhe për t'i hedhur atdheut prangat e robërisë. Nuk ishte e para as e fundit herë që e gjora Shqipëri shpërblehej në këtë mënyrë prej bijve të saj!
Skënderbeu i dolli përpara trathëtarit në Dibrën e Poshtëme me një ushtëri prej 12.000 vetash. Më 18 të Majit, të dy ushtëritë u rreshtuan kundrejt njëra-tjetrës. Thuhet se ndeshja filloi me një dyluftim homerik: një kapadai turk kërkoi të matej me atë më trimin e Shqiptarëvet. I dolli përballë Zaharia Gropa dhe, pas një përpjekjeje t'ashpër, e shtriu të vdekur Anadollakun. Atëhere Moisiu, për të ngritur moralin e ushtërisë turke, dolli përpara dhe ftoi në dyluftim Skënderben. Ky iu lëshua drejt për t'ia plotësuar dëshirën, megjithëse rrethi i tij u përpoq t'a ndalonte. Por Moisiu, kur pa Skënderben përballë, nga turpi ose nga frika, s'mundi të qëndronte, i këtheu frerin kalit dhe u tërhoq me vrap në mes të talljevet dhe vërshëllimavet t'ushtërisë shqiptare. Një rrebesh i fortë e ndaloi atë ditë betejën, e cila u zhvillua të nesërmen, më 19 Maj, në fushën e Oranikut. Moisiu luftoi si i tërbuar, por megjithatë ushtëria e tij u dërrmua plotësisht duke lënë 10.000 të vrarë e të plagosur.
Pas kësaj disfate, Moisiu, i penduar, erdhi e i kërkoi ndjesë Skënderbeut, i cili e fali, ia këtheu prapë pasurinë edhe i dha shkallën që kishte pasur n'ushtëri. Pastaj Moisiu shërbeu me besnikëri deri në fund nën urdhërat e Skënderbeut.
Në verën e atij viti, Sulltan Mehmeti II ndërmori një fushatë të madhe kundër Hungarisë, por ushtëria e tij u dërrmua prej Gjon Huniadit, përpara Belgradit, më 14 Korrik 1456. Kjo fitore e Hungarezëvet pati një oshëtimë të madhe n'Evropë, se thuhej që ushtëria turke la përmbi 20.000 të vrarë dhe humbi të tërë artilerinë e saj. Skënderbeu i dërgoi përgëzimet e tija Gjon Huniadit, por ai u sëmur dhe vdiq pak ditë pas fitores, në kulmin e lavdisë.
Në Tetor të vitit 1456, një tjetër trathëti ngjau në radhët e Shqiptarëvet. Gjergj Stres-Balsha, nip motre i Skënderbeut, iu lëshoi Turqve kështjellën e Modricës kundrejt një shume të hollash. Që të dukej sikur kështjella ra nga moskujdesja, ai bashkë me të gjithë garnizonin dolli për gjah në një ditë të caktuar, duke i lënë portat hapur, dhe Turqit hynë brenda pa derdhur gjak. Gjergji me të vëllanë, Gjokë Stres-Balshën, u arrestuan dhe u dërguan në burg, në Napoli.
Por trathëtia arriti kulmin më 1457, kur Hamzë Kastrioti, nipi dhe bashkëpunëtori m'i afërt i Skënderbeut, u hodh nga anë e Turqvet. Hamza ishte djali i vëllajt më të madh të Skënderbeut dhe i një zonjë turke, e cila jetonte akoma në Turqi. Që në fillim të kryengritjes, Hamza pat shërbyer pranë t'ungjit si krahu i djathtë i tij. Ishte i zgjuar, i zoti, trim dhe dinte të fitonte zemrën e ushtarëvet. Skënderbeu i pat besuar kumanda të rëndësishme, dhe ai qe treguar në lartësinë e duhur. Por kishte ca kohë që ankohej kundrejt t'ungjit sepse ky nuk ia shpërblente shërbimet aq sa vlenin ose nuk i pat dhënë pjesën e principatës që i takonte. Përsa kohë që Skënderbeu ishte i pamartuar, Hamza shpresonte të mbetej trashëgimtari i tij. Por kur ai u martua dhe sidomos kur i lindi një djalë, më 1456, Hamza humbi çdo shpresë për të trashëguar principatën e Kastriotëvet. I shtytur ndoshta edhe prej Venetikut dhe i këshilluar prej s'ëmës, e cila kishte ardhur t'a shihte, Hamza kapërceu fshehtazi kufirin me grua e fëmijë dhe shkoi në Stamboll ku u vu në shërbim të Sulltanit.
Kjo ishte një nga ngjarjet më fatkeqe që iu përplasnë mbi krye Skënderbeut, sepse këtë radhë trathëtari ishte nga gjaku i Kastriotëvet, pat qënë bashkëpunëtori m'i ngushtë i tij dhe ia njihte më së miri strategjinë dhe manevrimet taktike.
Në Korrik të vitit 1457, Hamzë Kastrioti hyri në Shqipëri me një ushtëri turke prej lart nga 50.000 vetash, shumica kalorës, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit1, i cili ishte i provuar në luftën kundër Shqiptarëvet. Kumandari turk kishte urdhër të këshillohej për çdo punë me Hamzën, të cilin Sulltani e kishte emëruar sundimtar të Krujës.
Këtë radhë duhej që Skënderbeu të përdorte një strategji të re, një plan të pazbuluar deri atëhere, sepse Hamza ia njihte mirë mënyrat e taktikës dhe të strategjisë, e njihte mirë vendin dhe ushtërinë shqiptare. Fuqia e Skënderbeut arrinte në 12.000 veta. Kërkoi ndihmën e aliatëvet. Krerët shqiptarë i dërguan nja 5.000 ushtarë. Papa Kalisti III i çoi ca ushqime dhe municione. Alfonsi i Napolit s'mundi t'a ndihmonte.
Hamza e këshilloi kumandarin turk se duhej çfarosur ushtëria shqiptare përjashta kështjellavet dhe se ishte e kotë që të rrethohej Kruja nëqoftëse Skënderbeu me fuqinë kryesore të tij do të mbetej prapa krahëvet. Kështu ushtëria turke kaloi prej Dibre në Mat duke ndjekur Skënderben, i cili bëri sikur u trëmb dhe tërhiqej. Më në fund dha përshtypjen se ushtëria e tij u shpartallua dhe se ai po vinte rreth për të shpëtuar vehten. Kjo manevër e tij u besua si e vërtetë sepse, më 31 Korrik, kumandari i Venetikut në Durrës, Marko Diedo, lajmëronte dogjin e Republikës që Skënderbeu po endej malevet për të shpëtuar kokën, i braktisur prej gjithë krerëvet të cilët kishin shkuar të bashkohëshin me Turkun. Tekembramja, këtë manevër e besuan, si duket, edhe Hamzë Kastrioti me Isak Bej Evrenozin, të cilët s'po e ndeshnin gjëkundi ushtërinë shqiptare. Turqit zbritën në bregun e lumit të Matit dhe e vendosën kampin në fushën e Albulenës, afër Milotit, në perëndim të malit të Tumenishtit. Skënderbeu e kishte fshehur ushtërinë e tij rreth këtij mali dhe s'po jepte shënja gjëkundi. Si kaluan ca javë pa ngjarë gjëkafshë, disiplina u çlirua n'ushtërinë turke, rojet u çkujdesën, sidomos ditën, në kohën e vapës, ku s'parashihej asnjë rrezik; disa flinin, disa shtrihëshin hijevet, kuajt kullosnin të lirë, kumandarët bisedonin nëse duhej të prisnin akoma apo t'i vërsulëshin Krujës.
Por ditën e 7 Shtatorit, Skënderbeu e ndau ushtërinë e tij në tri pjesë dhe i goditi Turqit nga tri anë të ndryshme, mu në piskun e vapës kur ata nuk e prisnin. Sulmi i tij qe aq i rrufeshëm dhe aq i papritur, saqë Turqit nuk patën kohë të formonin rreshtat as t'organizonin njësitë e tyre për një qëndresë të rregullt. Prandaj në fushën e Albulenës u bë kërdia, ku thuhet se mbetën 20.000 Turq të vrarë. Ata që mundën të shpëtonin iknë nga syt këmbët, pa kumandë dhe pa rregull. I tërë kampi i ushtërisë turke megjith tëndën e kryekumandarit mbet në duart e Shqiptarëvet. Midis 1.500 robërve ishte edhe Hamzë Kastrioti vetë, të cilin e zuri të gjallë Zaharia Gropa dhe ia pruri të lidhur Skënderbeut. Plaçkat ishin të panumërta. Kuaj u kapën me mijëra. Në tëndën e kryekumandarit, Skënderbeu gjeti një shumë të madhe të hollash, gjysmën e të cilavet ia dha Moisi Golemit për zotësinë dhe trimërinë e jashtëzakonshme që ky tregoi atë ditë. Moisiu ua shpërndau ushtarëvet.
Hamzë Kastriotin Skënderbeu e dërgoi të burgosur në Napoli, ashtu siç kishte bërë për Gjergj dhe Gjokë Stres-Balshajt. Me atë i dërgoi Alfonsit si dhuratë disa kuaj e flamure të zënë si edhe tendën e kryekumandarit turk.
Fitorja e Albulenës ishte një nga më të plotat dhe më të shkëlqyerat që pat korrur Skënderbeu. Buja e saj n'Evropë qe e madhe. Papa Kalisti III e lajmëroi me gëzim në të gjitha anët dhe, në Dhjetor t'atij viti, i dha Skënderbeut titullin "Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë".
Pas vdekjes së Gjon Huniadit, Skënderbeu dhe Shqipëria mbetëshin si mburoja m'e fortë e
Evropës kundrejt Osmanllinjvet. Po për sa kohë akoma do të vazhdonte kjo qëndresë?
Kalorësi anglez John of Newport, i cili shërbente si vullnetar n'ushtërinë e Skënderbeut,
shkruante pas vdekjes së Huniadit: "Invadimi i Evropës është i sigurtë, se s'ka fuqi tjetër
që mund t'a bëjë këtë qëndresë po të bjerë edhe fortesa shqiptare".