Fushata e Skënderbeut n'Itali për t'i siguruar fronin mbretit Ferdinand të Napolit është një epizod jo më pak i lavdishëm i historisë së tij. Alfonsi V i Aragonës kishte vdekur më 1458. Djali i tij natyror, Ferdinandi, gjeti kundërshtime për të trashëguar fronin e Napolit, të cilin, përpara Alfonsit, e kishte pasur dinastia frënge e Angjevinëvet. Trashëgimtari i kësaj dinastie, princi René d'Anjou, i ndihmuar nga mbreti i Francës, Karli VII, u çua të kërkonte të drejtat e vjetra mbi fronin e Napolit. U bashkuan me të pjesa m'e madhe e banorëvet t'Italisë jugore duke u ngritur kundër Ferdinandit. Kryengritësit udhëhiqëshin nga princi i Tarantos, Giovanni Antonio Orsini, nga Duka i Kalabrisë, Jean d'Anjou, i biri i princit René, dhe nga kondottieri i famshëm Giacomo Piccinino. Kjo grindje e ndau Italinë në dy kampe. Në fillim, u tregua kundër Ferdinandit edhe Papa Kalisti III; por ky vdiq shpejt, dhe Piu II, që i zuri vendin, mori anën e mbretit të Napolit. Shtëpinë e Aragonës e përkrahte edhe Duka i Milanos, Francesco Sforza, i cili kishte qënë aliat i Alfonsit V. Kurse Venetiku dhe Firenca qëndruan asnjanës.
Natyrisht, Skënderbeu kishte interes që në fronin e Napolit të mbetej Shtëpia e Aragonës, me të cilën kishte miqësi dhe aliancë. Aq më fort kur këtu bashkohej edhe politika e Papës.
Por në të parat përpjekje me armë, sidomos në betejën që u bë në Sarno më 7 Korrik 1460, Ferdinandi u thye keqas. Një pjesë e banorëvet dhe e qytetevet që kishin qënë me të deri atëhere, e lanë dhe u bashkuan me anën kundërshtare. Në këtë kohë i erdhi ndihma e parë e Skënderbeut dhe, një vit më vonë, u hodh n'Itali ai vetë, i cili e këtheu krejt gjendjen.
Në Shtator të vitit 1460, Skënderbeu i dërgoi Ferdinandit një trupë prej nja 500 kalorësish të zgjedhur, ndoshta edhe disa këmbësorë, nën kumandën e Gjon Stres Balshës. Zbritjen e këtyre n'Itali ia lajmëron nga Napoli Dukës së Milanos ambasadori i tij, Antonio Da Trezzo, me një letër të datës 1 Tetor 1460. Kjo kalorësi, megjithëse e pakët në numër, e përmirësoi disi gjendjen e Ferdinandit dhe la nam nga shpejtësia e lëvizjevet. Kuajt e tyre kanë vrap të madh, tregon da Trezzo, dhe bëjnë me lehtësi 30 a 40 mila kur kalorësit italianë mezi bëjnë 10 a 12. Duket se me ndihmën e këtyre pak Shqiptarëve Ferdinandi i ripushtoi tokat nga Capua në Benevento, në javën e fundit të Tetorit, dhe mposhti disa baronë kryengritës. Se sa e shqetësoi anën kundërshtare kjo ndihmë e vogël Shqiptarësh dhe frika se mund të vinin ndihma të tjera siç po flitej, kuptohet nga letra që princi i Tarantos, Antonio Orsini, m'i fuqishmi nga armiqtë e Ferdinandit, i dërgonte Skënderbeut, më datën 10 Tetor 1460. Me fjalë të bukura lavdërimi dhe duke e quajtur "mik shumë të shtrenjtë", Antonio Orsini mundohet t'i mbushi mendjen Skënderbeut se çështja e Ferdinandit ishte e humbur, se shumicën e krerëvet dhe të popullit ai i kishte kundër, se ndihma e Shqiptarëvet s'mund t'a ndryshonte fatin e tij, se Skënderbeu ato forca, në vend që t'i rrezikonte kot, do të bënte më mirë t'i përdorte në luftën kundër Turqvet, se s'ishte e drejtë që të dërgonte njerëz për të dëmtuar tokat e këtij dhe të "mbretit" René d'Anjou, nga të cilët jo vetëm që s'kishte parë kurrë ndonjë të keqe po edhe mund të shpresonte përkrahje e përfitime më tepër nga ç'kish pasur prej mbretit t'Aragonës etj.
E kemi përmendur më sipër përgjigjen që Skënderbeu i dha princit të Tarantos më 31 Tetor 1460. E kujton me fjalë të përmalluara Alfonsin e Aragonës dhe ndihmën që ai i pat dhënë; thotë se, për detyrë mirënjohjeje, do t'a mpronte të birin e atij, me sa fuqi që kishte, ashtu siç ia donte nderi, dhe s'desh të dinte për dinastinë frënge as t'a njihte ndryshe veçse armike. E padit princin e Tarantos për trathëtinë kundrejt Ferdinandit dhe si shtytës të kryengritjes. I përmend se, me një ushtëri të vogël, ai pat mundur përpara Krujës Sulltanin e Turqve, i cili kishte një fuqi shumë më të madhe nga ajo e armiqve të Ferdinandit; se Shqiptarët quhëshin Epirotë, dhe se të Parët e tyre kishin zbritur edhe tjetër herë n'Itali, ku patën bërë me Romakët luftime të mëdha duke dalë me nder; se, për të vazhduar luftën kundër Turqvet, ai nuk kishte nevojë për këshillat e princit të Tarantos, por ky do të bënte më mirë t'i sillte fuqitë e tija kundër atyre armiqve të përbashkët në vend që të ngrinte krye kundër Ferdinandit etj.
Pas një përmirësimi të përkohshëm, gjendja e Ferdinandit u keqësua përsëri në verën e vitit 1461. Kështu që vajtja e Skënderbeut n'Itali u bë m'e nevojshme se kurrë. Prej vitit 1458, kryetrimi shqiptar i kishte ndrequr marrëdhëniet me Venetikun. Por duhej të siguronte vendin prej rrezikut turk dhe të pajtohej me Dukagjinët, të cilët këtë radhë ishin lidhur me Turqit. Iu vu punës pa humbur kohë dhe me durimin e tij të jashtëzakonshëm i rregulloi këto çështje njërën pas tjetrës. Pajtimi me Dukagjinët ishte i vështirë. Por me një letër të Papës Piu II i cili i kërcënonte me çkishërim, kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, i detyroi Dukagjinët t'i këpusnin lidhjet me Turqit dhe t'afrohëshin përsëri me Skënderben. Ky pastaj, në prendverën e vitit 1461, bëri me Sulltanin një armëpushim për gjashtë muaj, ose ndoshta për një vit. E i dërgoi mandej një ambasador Ferdinandit për t'a lajmëruar se ishte gati t'i vinte në ndihmë me 1.000 kalorës dhe 2.000 këmbësorë. Këtë lajm ia njoftojnë Dukës së Milanos me shumë gëzim Da Trezzo, me një letër të datës 12 Qërshor 1461, dhe vetë mbreti Ferdinand, me një letër të 21 Korrikut.
Në Gusht 1461, Skënderbeu, me një ushtëri prej 3.000 vetash, duke pasur me vehte Moisi Golemin dhe Zaharia Gropën, u nis për n'Itali. Kaloi nga Raguza, ku u prit me nderime të mëdha prej popullit dhe prej zyrtarëve të Republikës, një pjesë e mirë e të cilëve ishin Shqiptarë. Më 24 Gusht, iu bë një pritje madhështore prej Senatit të Raguzës, i cili i dorëzoi edhe një ndihmë në të holla për fushatën e tij n'Itali.
Skënderbeu zbriti në Pulje në një kohë kur gjendja e Ferdinandit ishte krejt e dëshpëruar. Përveç Napolit, i kishin mbetur vetëm dy fortesa, e Barlettës dhe e Tranit, po edhe kjo e fundit ishte në dorën e një trathëtari. Ferdinandi vetë ndodhej i rrethuar në Barletta, ku, sipas një historiani sypamës, Giovanni Pontano, s'i mbetej tjetër veçse t'ikte me turp nga anë e detit për të shpëtuar kokën, ose të hidhej i dëshpëruar kundër armiqve duke rrezikuar qind për qind vetvehten, ose të dorëzohej i gjallë. Ardhja e Skënderbeut dhe e ushtërisë shqiptare e këtheu krejt gjendjen në favor të Ferdinandit. Porsa zbritën trupat e para, armiqtë filluan të tërhiqëshin, siç i shkruan vetë Ferdinandi së motrës, Isabella, më 25 të Gushtit 1461. Shqiptarët e shtrënguan kontin Piccinino t'a lëshonte rrethimin e Barlettës dhe të zmbrapsej sa më tutje. Ferdinandi e priti Skënderben si çlironjës duke i shfaqur mirënjohjen më të thellë. Armiqtë u tërhoqën në drejtim të Lukanisë, rrugët u hapën, dhe Ferdinandi u nis më 5 të Shtatorit për në San Bartolomeo in Galdo, ku do të bashkohej me fuqinë që sillte i vëllaj i Dukës së Milanos, Aleksandër Sforza. Skënderbeu mori në dorëzim Barlettën dhe, prej kësaj baze, me goditjet e rrufeshme të kalorësisë së lehtë shqiptare e shkatërroi kalorësinë e rëndë të princit të Tarantos dhe të kontit Piccinino duke i ndjekur këmba këmbës dhe duke kallur tmerrin në radhët e tyre. Në pak kohë, e shtriu kontrollin e tij mbi të tërë Puljen. Siç thotë Giovanni Pontano, Skënderbeu i përmbysi të gjitha planet dhe manevrat e armiqve të Ferdinandit, edhe e mbushi Italinë me admirim dhe me famën e emrit të tij të madh.
Auktorët e kohës i shpjegojnë sukseset e Shqiptarëvet nga se këta, të regjur në betejat kundër Turqve, kishin një tjetër mënyrë luftimi, sulmonin me kuaj të shkathët e të lehtë, me një shpejtësi lëvizjesh të jashtëzakonshme, kundër kalorësisë së rëndë italiane që ishte e ngarkuar me hekurishte të kota.
Kumandari i kështjellës së Tranit, Antonio Infusado ose Foxa, i qe çpabesur mbretit të tij dhe ish lidhur me princin e Tarantos duke u bërë një armik i rrezikshëm. Ferdinandi qe përpjekur me të gjitha mënyrat për ta sjellë n'udhë, po ishte e pamundur. Skënderbeu e mori përsipër t'a kryente atë punë pas mënyrës së tij. E thirri Infusadon për një bashkëfjalim, e zuri të gjallë me gjithë rojet që kishte, e lidhi me hekura dhe e shtrëngoi t'ia dorëzonte fortesën. Kështu shpëtoi edhe Trani nga thonjtë e armiqvet.
Në katër muaj, Skënderbeu e ndryshoi krejtësisht gjendjen n'Italinë jugore. Ferdinandi e mori situatën në dorë. Armiqtë e tij i humbën shpresat. Disa nga banorët kryengritës zunë t'i shtrohëshin mbretit njëri pas tjetrit. Princi i Tarantos, i dërrmuar prej Skënderbeut, kërkoi paqen.
I lajmëruar prej së shoqes Donika se Turqit kishin filluar të lëviznin në kufi, Skënderbeu u nis prej Italie në fillim të Shkurtit 1462. Më 6 të atij muaji arriu në Raguzë, ku u prit përsëri me nderime të mëdha, e prej andej zbriti në Shqipëri.
Siç shihet, Skënderbeu nuk mori pjesë në betejën përfundimtare që u bë në Troja, më 18 Gusht 1462, ku Ferdinandi iu dha grushtin e fundit armiqve të tij që kumandohëshin nga Duka Jean d'Anjou dhe nga kondottieri Piccinino. Por këtë triumf të Ferdinandit e pregatiti Skënderbeu gjatë atyre katër muajve që luftoi n'Itali. Ky e këtheu krejt gjendjen në favor të mbretit të Napolit, ky i mposhti baronët, i shpartalloi fuqitë e princit të Tarantos, shtiri në dorë kështjellën e Tranit, ua theu guximin armiqvet, e shpëtoi Ferdinandin nga një humbje e sigurtë dhe e bëri të zotin e situatës. Fitorja e fundit që mbreti i Napolit pati në Troja, qe pregatitur prej Skënderbeut. Dëshminë më të mirë mbi këtë të vërtetë na e jep vetë Ferdinandi, i cili i mbeti mirënjohës për jetë Skënderbeut, edhe e quante "i dashur si atë, i shkëlqyer e shpirtmadh". Pas vdekjes së herojt, mori nën mprojtje të venë, Donikën, dhe të birin, Gjonin, duke i ndihmuar dhe duke i rrethuar me të gjitha nderimet.
Sipas disa dokumentave më të reja, Skënderbeu ka bërë edhe një udhëtim tjetër në Napoli, në Prill të vitit 1464. Këtë herë i ka dhënë Ferdinandi tokat Monte San Angelo dhe San Giovanni Rotondo, në Pulje.