XVI

Kombi shqiptar e qau me kujë e me gjëmë prijësin më të madh të tij që ia rrëmbeu vdekja në çastin më fatkeq të luftës për vetëmprojtje. Vajtimi i burravet edhe i gravet, që çirrnin fytyrën, shkulnin flokët, rrihnin krahërorin, ishin nga ato pamje që të këpusin shpirtin. Nuk mbet zemër që s'u helmua, nuk mbet sy pa derdhur lot. Lajmi i zi shkaktoi dhëmbje e pikëllim në tërë Evropën, që humbiste mprojtësin e saj më të fortë. Tregojnë se Sulltan Mehmeti, kur dëgjoi vdekjen e tij, tha: "Një luan të këtillë nuk do t'a pjelli më dheu kurrë!".

Trimëritë e Skënderbeut u kënduan, pas mënyrës shqiptare, si ato të heronjve të vjetërsisë klasike. Figura e tij u mbajt si hije e shënjtëruar në malet e Shqipërisë edhe e frymëzoi popullin t'a vazhdonte qëndresën e pathyershme për disa dhjetra vjet akoma. Kronikani venetikas, Antonio Scabello, shkruante më 1487, afro njëzet vjet pas vdekjes së fatosit, se populli shqiptar i këndonte me vjersha epike trimëritë e tija të çuditshme, se grumbuj vajzash mblidhëshin çdo tetë ditë nëpër vendet ku ai kishte sunduar dhe, midis zjarrit të betejavet, kur dridhej bota përpara armëvet të barbarit, ato i këndonin hymne lavdie prijësit të vdekur, siç e kishin zakon të vjetrit nëpër gostitë përkujtimore të heronjve të mëdhenj.

Qëndresa shqiptare, që e kishte marrë shtytjen nga luftat e Skënderbeut, vazhdoi gjer në mbarim të shekullit. Por tani nuk kishte një dorë të fortë që t'a mbante të bashkuar. I biri i Skënderbeut, Gjoni, ishte i vogël dhe shkoi e u vendos bashkë me t'ëmën, Donikën, në Mbretërinë e Napolit, ku u pritën bujarisht prej Ferdinandit. E shumta e kapedanëve shqiptarë t'epopesë kastriotiane ishin vrarë ose kishin vdekur. Disa nga ata që rronin akoma u shtrënguan të mërgohëshin n'Itali ose t'i nënshtrohëshin Sulltanit. Të tjerët, bashkë me popullin e malësivet, e vazhduan qëndresën për aq sa mundën, të lidhur me Venetikun, i cili tani ndodhej në luftë kundër Turqisë. Kjo ishte një qëndresë e dëshpëruar, shpeshëherë pa ndërlidhje e pa një plan të përbashkët; çdo qytet e çdo krahinë përpiqëshin të mprohëshin me mjetet e tyre. Si figura shqiptare m'e shquar, në veri, kishte mbetur Lek Dukagjini, i cili mori kumandën e luftës për mprojtjen e vendit së bashku me fuqitë e Venetikut. Në jugë u përpoq të qëndronte Gjin Muzaka. Nëpër qytetet e papushtuara kishte garnizone shqiptaro-venetikase, por duhet të dimë se edhe ato forca që thuhëshin të Venetikut përbëhëshin me shumicë prej Shqiptarësh nga viset që sundonte Republika. Kjo mori nën mprojtje edhe Krujën me mbeturitë e principatës së Skënderbeut pas ikjes së Gjon Kastriotit n'Itali.

Turqit i vazhduan të pandërprera shpeditat e tyre ushtarake kundër pjesëvet të panënshtruara të Shqipërisë. Dy herë në vit, në verë e në vjeshtë, në kohën e korrjevet dhe të mbjelljevet, kalorësia turke i shkretonte tokat midis Durrësit, Krujës, Leshit dhe Shkodrës. Grumbuj të gjerë fshatarësh, sidomos nga fushat, për t'i shpëtuar hekurit edhe zjarrit t'armikut, e braktisën vendin dhe u mërguan n'Itali ose në brigjet e Dalmacisë.

Më 1470, Sulltan Mehmeti II, në krye të një ushtërie prej 100.000 vetash, u lëshua kundër zotërimevet të Venetikut në Greqi, ndërsa një flotë turke prej treqind anijesh, nën kumandën e Mahmud Pashës, i sulmonte nga deti. Perëndimi u trondit nga kjo ndërmarrje e Sulltanit, sidomos nga fuqia detare turke që çfaqej për të parën herë në një shkallë t'atillë. Papa Pali II u përpoq t'i bashkonte shtetet e Italisë kundër rrezikut, por as këtë radhë s'u bë gjëkafshë. Venetiku pësoi disfatën më të rëndë. Ishulli i Eubesë dhe pak më vonë e gjithë Greqia ranë në duart e Turqvet. Për të shpëtuar të paktën zotërimet e saja në Shqipëri, Republika e Shën-Markut e pau të nevojshme të ndihmonte Lek Dukagjinin dhe krerët e tjerë shqiptarë që t'a vazhdonin luftën.

Më 1474, Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtëri të madhe, nën Sulejman Pashën e Rumelisë, për të pushtuar Shkodrën. Ajo e rrethoi qytetin dhe e rrahu kështjellën me artileri, por nuk mundi t'a merrte. Mprojtësit e Shkodrës i prapsën me humbje të mëdha sulmet e ushtërisë turke. Më vonë, Sulltani dërgoi Sanxhakbeun e Bosnjës për t'a shkretuar Shqipërinë e veriut anembanë.

Pushtimi i Shkodrës, i Krujës, i Durrësit dhe çrrënjosja e qëndresës shqiptare ishte puna m'e ngutshme për Sulltan Mehmetin II, i cili mendonte t'i hidhej pastaj Italisë. Prandaj e mori vetë në dorë pregatitjen dhe kumandën e shpeditavet për të shtruar Shqipërinë. Më 1476, dërgoi me një ushtëri Ahmet Bej Evrenozin, i cili e rrethoi Krujën për të katërtën herë dhe vendosi t'a mbante ashtu gjersa të jepej nga uria. Në pjesët e shkelura të Shqipërisë, trupa të specializuara u vunë të ndreqnin rrugët edhe urat për të lehtësuar kalimin e ushtërive të mëdha me armatimin e rëndë, që do të vinin më pas nën kumandën e Sulltanit. Garnizoni i Krujës i qëndroi rrethimit për një kohë të gjatë, por ushqimet dhe municionte po mbarohëshin. Në fillim të Shtatorit 1477, një fuqi shqiptaro-venetikase nën kumandën e Lek Dukagjinit dhe të Francesco Contarini-t i erdhi në ndihmë Krujës, e sulmoi edhe e theu ushtërinë rrethonjëse t'Ahmet Beut dhe e pushtoi kampin turk. Por dy kumandarët nuk dijtën t'a nxirrnin fitoren në krye: në vend që t'a ndiqnin armikun gjersa ta shkatërronin fare, ata i lanë ushtarët e tyre të binin pas plaçkës, duke i dhënë rastin Ahmet Beut t'i përqëndronte forcat dhe t'a kundërsulmonte ushtërinë e shpërndarë shqiptaro-venetikase, të cilën e theu shumë keq. Aty u vra edhe kumandari venetikas, Contarini. Ahmet Beu e vazhdoi rrethimin e Krujës, por garnizoni i kështjellës u mbajt edhe ca kohë me ushqimet që mundi të rrëmbente në kampin turk.

Në prendverën e vitit 1478, erdhi vetë Sulltan Mehmeti kundër Shqipërisë, në krye të një ushtërie shumë të madhe ku bënin pjesë Bejlerbeu i Rumelisë edhe ai i Anadollit, me qëllim që t'i jepte fund këtë radhë qëndresës shqiptare dhe të pushtonte qytetet që po mbahëshin akoma. Kjo ishte e katërta herë gjatë njëzetetetë vjetësh (qyshse pat ardhur me t'atin, Muratin II, më 1450), që pushtonjësi i Stambollit dhe tmerronjësi i botës gjendej përpara murevet të Krujës, ku qenë thyer të gjitha valët e ushtërivet otomane, dhe e shikonte akoma të pamposhtur kryeqytetin e Skënderbeut, çerdhen e lirisë shqiptare. Por këtë radhë uria e bëri më në fund atë që s'kish mundur t'a bënte forca. Mbetur pa ushqime dhe pa municione, mprojtësit e patundur të Krujës u muarën vesh me Sulltanin që t'ia dorëzonin kështjellën heroike, më 16 Qërshor 1478, por me kusht që të lihëshin të lirë për t'ikur nga qyteti me familjet dhe me plaçkat e tyre. Mehmeti II, porsa e mori në dorëzim kështjellën, e shkeli fjalën dhe urdhëroi të therëshin pa mëshirë të gjithë burrat, kurse gratë e fëmijët të shitëshin si skllevër. Me këtë mënyrë barbare u çfaros garnizoni dhe e tërë popullsia e Krujës. Turqit deshën t'i ndërronin edhe emrin qytetit, të cilin e quajtën Ak-Hisar, domethënë Kështjella e Bardhë.

Pas kërdisë që bëri në Krujë, Sulltani gjakësor u nis me të gjitha fuqitë e tija kundër Shkodrës dhe e shtrëngoi rrethimin e saj. Derdhi në vend disa lloje topash tepër të rëndë dhe e rrahu kështjellën e Rozafatit një muaj rresht. Kur u ça një pjesë e murevet, Turqit u lëshuan si të tërbuar për të hyrë brënda në kështjellë, por mprojtësit e saj luftuan kundër tyre me një heroizëm që s'ishte parë gjëkundi n'atë kohë veçse në Shqipëri. Valët e sulmimeve turke u prapsën njëra pas tjetrës me shumë humbje. Veçanërisht në një mësymje të përgjithshme që Sulltani urdhëroi nga mbarimi i Korrikut dhe që vazhdoi e pandërprerë, me hove të përsëritura, prej mëngjezit në mbrëmje, thuhet se Turqit lanë nën muret e Rozafatit nja 12.000 të vrarë. Në kështjellën e Shkodrës, bashkë me burrat kanë luftuar edhe gratë.

Gjatë asaj vere, Mehmeti II pushtoi Leshin, Zhabjakun dhe Drishtin. Për të marrë Leshin nuk pat vështirësi, se kumandari venetikas e lëshoi pa luftë. Fortesa e Zhabjakut ra pas një kundërshtimi prej pak ditësh. Por Drishti, i cili u rrethua në muajin e Gushtit, qëndroi me trimëri gjatë disa javëve duke i prapsur me humbje sulmet e armikut. Prandaj, kur u pushtua, Turqit e çfarosnë mizorisht të tërë popullsinë e qytetit. Thuhet se burrat e Drishtit u shpunë lidhur në Shkodër edhe u therën përpara murevet të kështjellës për t'iu shtirë tmerrin mprojtësvet të saj.

Por qëndresa e Shkodrës vazhdoi e rreptë. U duk se edhe Rozafati, sikurse Kruja, nuk mund të merrej veçse nga uria. Prandaj Mehmeti II u tërhoq me një pjesë t'ushtërive të tij, në muajin e Shtatorit, duke lënë në vend pjesën tjetër për të vazhduar rrethimin.

Ardhja e dimrit e keqësoi gjendjen e të rrethuarëvet, të cilët mbetën pa ushqime, pa municione dhe pa shpresë ndihme nga ana e Ventikut. Republika ishte e lodhur prej luftës me Turqit dhe s'mendoi gjë tjetër veç si e si të shpëtonte tregëtinë e saj në Lindje. Prandaj nënshkroi paqen me Sulltanin, më 25 Jenar 1479, duke i lënë Shkodrën dhe të gjitha zotërimet e saja në Shqipëri përveç Durrësit, Ulqinit dhe Tivarit. Pikërisht atë ditë, garnizoni dhe banorët e Shkodrës, t'uritur, i kishin çuar fjalë kumandarit turk se ishin gati t'ia lëshonin kështjellën me kusht që të largohëshin të lirë me familjet, me armët dhe me plaçkat e tyre. Për t'u siguruar se Turqit nuk do t'i vrisnin me të pabesë, siç patën bërë në Krujë, kërkuan dhe muarën nga ata njerëz si peng. Kështu popullsia trime e Shkodrës e la me zemër të thyer atdhen e vet edhe u mërgua në Venetik. Heroizmi i mprojtjes së Shkodrës, sikurse ai i mprojtjes së Krujës, bëri një përshtypje të thellë në gjithë botën e atëhershme dhe frymëzoi shkrimtarë e artistë të kohës. Qëndresa e Shkodrës është përjetësuar në një nga tabllot më të bukura të piktorit të madh të Rilindjes, Paolo Veronese. Kjo kryevepër ndodhet në Venetik, në pallatin e vjetër të dogjëvet.

Porsa pushtoi Shqipërinë - megjithëse qëndresa nëpër malësitë vazhdonte akoma - Sulltan Mehmeti II iu vu menjëherë pregatitjevet për t'u hedhur n'Itali. Kumandën e kësaj shpedite ia ngarkoi gjeneralit Ahmet Gjedik Pasha, një renegat shqiptar, i cili, duke përdorur Vlorën si bazë dhe pasi u pregatit brenda një viti nga toka e nga deti, iu hodh Italisë në prendverën e 1489-ës dhe, më 11 të Gushtit, pushtoi qytetin e Otrantos1. Kjo ngjarje tronditi tërë Evropën. Italisë i hyri tmerri. Papa po mendohej t'ikte në Francë. Në qytetet italiane, si në Napoli e gjetkë, u krijua panik. Njerëzia, si e çmendur, s'dinte nga t'ia mbante për të gjetur shpëtim. Mbreti Ferdinand kërkoi ndihmë nga të gjitha anët, sidomos nga Papa. Ky iu bëri një thirrje shtetevet italiane për t'u bashkuar, por ndeshi në kundërshtimin e Venetikut i cili kishte lidhur paqe me Sulltanin. Ahmet Gjedik Pasha po priste shkarkimin e fuqive të tjera për të përparuar n'Italinë e jugës dhe në drejtim të Romës. Në Prill të vitit 1481, Papa iu lëshoi një thirrje të ngutshme gjithë shteteve dhe princave t'Evropës. Por Sulltan Mehmeti II vdiq më 3 të Majit, dhe në Turqi filloi menjëherë grindja e brendëshme për fronin ndërmjet dy djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit. Vdekja e Sulltan Mehmetit, i cili e kaloi të tërë jetën duke luftuar kundër Shqiptarëvet, e shpëtoi Italinë dhe Evropën nga rreziku turk. Ky shpëtim i detyrohet sidomos luftës së Skënderbeut dhe të kombit shqiptar, që i përmbajti forcat turke lart nga tridhjetepesë vjet, në një kohë kur ato ishin në gjendje të përpinin Italinë dhe ndoshta pjesë të tjera t'Evropës.

Vdekja e Sulltanit t'urrejtur dhe grindja për fronin, që u ndie në Turqi, iu dha rast Shqiptarëvet të çohëshin përsëri dhe të sulmonin qytetet për të përzënë garnizonet turke. Kryengritja u bë e përgjithshme, por nuk kishte një udhëheqës. Atëhere Shqiptarët dërguan e thirrën Gjon Kastriotin, të birin e Skëndrebeut, i cili ishte n'Itali dhe luftonte n'ushtërinë napolitane kundër Turqvet, n'Otranto. Mbreti Ferdinand i Napolit kishte interes t'iu krijonte Turqvet pengesa në prapavijat e tyre, në Shqipëri, ngaha kalonin për n'Itali. Prandaj vuri nën urdhërat e Gjon Kastriotit katër anije lufte, i dha ca armë e municione dhe e nisi për në Shqipëri nga mbarimi i Korrikut 1481. Porsa zbriti Gjon Kastrioti kryengritësit shqiptarë e pritën si udhëheqësin e tyre dhe lëvizja u zgjerua më shumë. Në këtë ndërkohë, Sulltan Bajaziti II, djali m'i madh i Mehmetit II, ishte siguruar në fronin e Turqisë, dhe një ushtëri turke nën kumandën e Sulejman Pashë Eunukut kishte ardhur në Vlorë për t'u hedhur n'Otranto. Kryengritja e Shqiptarëvet i krijoi kësaj ushtërie një rrezik prapa krahëvet dhe e detyroi të qëndronte në Vlorë për të shtruar vendin.

Rreth Gjon Kastriotit u mblodh një fuqi shqiptare prej nja 4 a 5.000 këmbësorësh dhe nja 600 kalorësish. Me këtë fuqi i biri i Skënderbeut theu një ushtëri turke, në muajin e Gushtit 1481, dhe nisi t'i shtrinte lidhjet e brendëshme. Gjeti një mbështetje të fortë sidomos në Himarë dhe në Labëri. Këto krahina, si edhe të tjerat që ngritën krye, e njohën Gjon Kastriotin për princ të tyren. Himariotët rrethuan fortesën e Himarës dhe atë të Sopotit për të dëbuar garnizonet armike, e thyen keqas ushtërinë turke që vinte nga Vlora kundër tyre dhe e çliruan të gjithë krahinën.

N'Itali, Turqit u shtrënguan t'a lëshonin Otranton, më 10 Shtator 1481, jo vetëm prej forcavet italiane që kumandonte Duka i Kalabrisë, po edhe sepse kryengritja e Shqiptarëvet ua bëri të pamundur ardhjen e ndihmës nga Vlora. Pas çlirimit t'Otrantos, Papa Siksti IV ishte i mendimit që flota e tij dhe ajo e mbretërisë së Napolit të sulmonin Vlorën duke përfituar nga kryengritja e Shqiptarëvet. Por nuk u bë gjëkafshë, ndoshta sepse marrëdhëniet ndërmjet Romës dhe Napolit nuk ishin fort të mira. Mbreti i Napolit nënshkroi paqen me Turqinë, më 1483, dhe Shqiptarët mbetën përsëri vetëm për t'i bërë ballë fuqisë shtypëse të Turqvet.

Me forcat e Himariotëvet Gjon Kastrioti desh t'a ringjallte principatën e lirë shqiptare. Suliotët dhe gjithë krahinat jugore të Shqipërisë u lidhën me të. Në veri, Mirdita, Dukagjini dhe pjesë të tjera të malësisë ishin çuar në këmbë. Por Turqit, pasi hoqën dorë nga Italia, i përdorën fuqit e tyre për t'i dhënë grushtin e fundit kryengritjes shqiptare, të cilën edhe e shtypën. Gjon Kastrioti kaloi përsëri në Mbretërinë e Napolit, në tokat që Ferdinandi i kishte falur Skënderbeut. Më 1485, u bë Kont i Soleto-s dhe, pak më vonë, Duka i San Pietro-s në Galatina.

Kryengritja shqiptare filloi rishtas pas disa vjetësh, e nisur prej Himariotëvet, e u përhap shpejt në Shqipërinë e Mesme dhe n'atë të veriut. Më 1488, duket se Gjon Kastrioti u hodh për të dytën herë në Shqipëri, i thirrur prej kryengritësvet, të cilët e njihnin gjithnjë si princin e tyre. Turqit dërguan fuqi të shumta nga toka dhe një flotë të madhe në Vlorë. Kryengritja u shtyp në viset e tjera, por vazhdoi e rreptë në Himarë deri më 1492. Në verën e atij viti, Sulltan Bajaziti II lëshoi në ndjekje të Himariotëvet forca të mëdha duke përdorur edhe flotën nga ana e detit. Himariotët me gra e fëmijë u tërhoqën në majat e thepisura të Kurveleshit. Një pjesë e tyre që u shtrëngua nga uria të binte në duart e Turqve u çfaros krejt: burrat u vranë barbarisht, kurse gratë e fëmijët u shitën si skllevër. Por të tjerët e vazhduan qëndresën deri sa shkëputën prej Sulltanit disa të drejta (ose venome, fjalë që është përdorur më vonë). Këto të drejta ishin që Himariotët do të qeverisëshin vetë me kanunin e vjetër të Shqiptarëvet, do të mbanin armët, por do t'i paguanin Turqisë një haraç të vogël duke premtuar se nuk do të ngrinin më krye kundër saj.

As këtë radhë Shqipëria nuk u shtrua plotësisht. Saherë që shikonin tek shtetet e Perëndimit ndonjë pregatitje kundër Turqisë, Shqiptarët ishin të gatishëm për të ngritur krye. Perëndimi, sidomos Venetiku dhe Napoli, i shtynte lëvizjet e Shqiptarëvet për t'ua bërë Turqve të vështirë kalimin n'Itali ose pushtimin e qytetevet që Republika e Shën-Markut zotëronte akoma në brigjet e Adriatikut. Më në fund grushti i hekurt i Turqvet binte përsëri mbi Shqiptarët, të cilëve as Napoli as Venetiku s'mund t'iu siguronte mprojtjen, as iu jepnin ndonjë ndihmë, as mërzitëshin fort për fatin e tyre.

Më 1499, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Venetikut u ashpërsuan tepër. Republika ndjeu prapë nevojën që t'i shtynte për kryengritje krahinat shqiptare rreth Durrësit dhe Leshit. Me ndihmën e Shqiptarëvet Venetiku e pushtoi përkohësisht Leshin, por Turqit i muarën Durrësin më 1501. Më në fund Venetiku bëri përsëri paqe me Turqinë, më 14 Dhjetor 1502, duke mbajtur në Shqipëri vetëm Ulqinin dhe Tivarin, të cilët u pushtuan prej Turqvet më 1571.

Kështu, qëndresa heroike e Shqiptarëvet kundër invadimit turk vazhdoi plot një shekull, duke bërë aq sa s'mund të pritej kurrë nga një komb i vogël për mprojtjen e Evropës dhe të qytetërimit të saj.


1Skënderbeu e kishte parashikuar që më 1460, se po të mos i kishte ndalur qëndresa e Shqiptarëvet, Turqit do t'i ishin hedhur Italisë. Në letërpërgjigjen që i dërgonte n'atë vit princit të Tarantos, i thoshte: "Sikur t'isha mposhtur unë, Italia do t'a kishte ndierë sigurisht rrezikun... etj".