II

Kur flasim për komb, kuptojmë një grup njerëzor që lidhet me gjuhë, me kulturë e zakone të përbashkëta, po edhe që lëviz si një tërësi e organizuar n'anën politike e ushtarake dhe në jetën ekonomike e shoqërore. Ka pasur shumë kombe me gjuhë e zakone, por që janë zhdukur nga skena e historisë sepse nuk patën mundur të formojnë një tërësi t'organizuar politiko-ushtarake. Organizimi i tyre pat mbetur primitiv në radhën e një grumbulli fisesh. Po marrim si shembull vetëm popujt e vjetër t'Evropës, Ilirët, Maqedonët, Thrakët, Dakët, Etruskët, Keltët etj., të cilët ishin kombe me gjuhë e zakone por që u shkrinë në Perandorinë Romake, mbasi vetëm Roma qe e zonja të formonte një strukturë shtetërore në shkallën më të lartë. Në Ballkan, përveç ne pak Shqiptarëve, mbetur nga Ilirët, u mbajt kombësia greke nëpërmjet të kulturës helenike, e cila ishte eprore mbi latinen. Gjermanikët dhe Sllavët, që erdhën më pastaj, duket se kishin më tepër instinkt organizimi, e prandaj i asimiluan ato popullsi të vjetra, të gjysëm-romanizuara.

Kur themi që një komb është m'i lartë nga tjetri, në radhë të parë kuptojmë kulturën por edhe forcën, të cilat në më të shumtën e rasteve shkojnë bashkë. Dhe forca s'është tjetër veçse organizimi, bashkërenditja e fuqive të veçanta nën një drejtim të përgjithshëm. Numri s'ka vleftë kur nuk është i organizuar. Anglia, për shembull, me disa dhjetra milionë frymë, sundonte një perandori koloniale ku vetëm Hindi kishte katërqind e ca milionë njerëz. Dhe Holanda e vogël pat deri dje një perandori fort të madhe në Lindjen e Largët.

Nuk është vendi t'analizojmë këtu se përse disa kombe organizohen dhe arrijnë në një strukturë shoqërore të lartë, siç arriti Roma e vjetër, kurse të tjerë nuk dalin dot përtej kuptimit të fisit, të qytetit a të krahinës. Si faktorë hyjnë sigurisht gjeografia, kultura, rrethanat historike, e të gjitha këto ndërvaren dhe ndikojnë njëra-tjetrën. Duam vetëm të nënvizojmë se Roma i shtroi popujt e tjerë rreth e qark jo sepse këta ishin më pak trima, por sepse s'patën arritur dot n'atë shkallë organizimi sa t'i bënin ballë maqinës shtetërore romake dhe ushtërisë së disiplinuar të saj.

Ne flasim për Mbretëri t'Ilirëvet siç mund të kishte një mbretëri të Galëvet e të tjera mbretëri t'atij lloji. Por këta popuj kishin mbetur të thërrmuar në një numër fisesh me ca lidhje të flashkëta midis tyre, ku shteti ishte si një farë konfederate e çlirët dhe mbreti si një kryebajraktar, të cilin e dëgjonin vetëm kur kishin interes ose kur ishte mjaft i fortë sa t'iu imponohej kryetarëve të fiseve. Ushtëria e këtyre popujve ishte një grumbull i mbledhur në kohë nevoje, i rreshtuar togje-togje sipas fisevet, i paaftë për të zbatuar një plan të përbashkët dhe më i paaftë akoma për një qëndresë të gjatë, të shumanshme. Një fitim i vogël ia dehte mendjen, një humbje e parëndësishme përhapte panik. Kishte aq kumandarë sa ç'kishte edhe kryetarë fisesh. Në vështirësitë më të para, fillonin pëshpëritjet, mendimet e kundërta, hedhja e fajit njëri tjetrit, intrigat, shmangiet, përçarjet, të cilat armiku i shfrytëzonte më së miri ose edhe i mbillte vetë sipas qejfit.

Kundrejt këtij grumbulli të paformë, paraqitej shteti romak i përqendruar, me një administratë të rregullt, me një politikë të përcaktuar, që zbatohej nga një qendër e vetme, me grusht të hekurt. Paraqitej ushtëria romake, një nga më të disiplinuarat në botë, e drejtuar nga një mendje, e kumanduar nga një vullnet i vetëm, dhe që mbahej si një mur ose lëvizte si një maqinë shtypëse, ku çdo kohortë kishte vendin e saj dhe do të zbatonte urdhërin që i jepej, ku çdo legjionar kish numrin e matrikullit dhe për mosbindjen më të vogël mund t'i priste liktori kokën. Kundrejt një ushtërie të këtillë, grumbulli i Ilirëvet, i Galëvet a i cilitdo popull tjetër paraqitej si një vandak shkarpash kundër një shtylle të hekurt.

Nëse shteti i Maqedonisë u tregua ndryshe për disa kohë, kjo iu detyrua, përveç gjeografisë së vendit, organizimit të ri ushtarak që bëri Filipi II dhe që e përforcoi Aleksandri. Maqedonia shtrihej mbi tri fusha të gjera, përshkuar prej luginash dhe rrethuar prej malesh gjithë pyje. M'e madhja, e cila quhej Emathia, përbënte pjesën qendrore të Maqedonisë, ndërmjet lumenjvet Vardar dhe Vistrica. Pastaj, nga juga, zgjatej Pieria deri n'Olimp dhe, nga lindja, Migdonia, gjer në lumin Struma. Filipi II, pasi shtiri në dorë minierat e arit të malit Pangje e të krejt Peonisë, në Thrakë, organizoi një ushtëri të fuqishme duke krijuar falangën, si peshën më të rëndë të këmbësorisë, dhe duke disiplinuar kalorësinë e trupat e tjera ndihmëse. Falangat e famshme dhe kalorësia maqedonase i dhanë fitoret e shkëlqyera Aleksandrit, sikurse legjionet që ia dhanë Romës. Por Maqedonia nuk vazhdoi të zhvillohej si shtet, sepse Aleksandri e shpërnguli prej aty boshtin e fuqisë dhe e vendosi në Persi, të cilën e bëri qendër të Perandorisë së tij të përbotshme. Mbretërit e Maqedonisë që erdhën pas Aleksandrit, qenë të paaftë dhe me pamje të ngushta tirani. Megjithatë, kur Roma vendosi t'i binte Maqedonisë, të cilën e druante më tepër se çdo shtet tjetër në Lindje, ia ngarkoi kumandën e kësaj shpedite gjeneralit më të zot të saj, konsullit Pavl Emil. Ky, që ishte në moshë të thyer dhe i regjur në lufta, tregonte pastaj se nuk kishte ndjerë kurrë në jetën e tij një frikë aq të madhe sa n'atë gjysmën e orës së parë kur u sulmua, në Pidna, prej falangavet maqedonase. Mirëpo Perseu, mbreti i fundmë i Maqedonisë, thuhet se iku i trembur dhe e la ushtërinë pa kumandë. Këtë e tërhoqën atëhere manevrat e Pavl Emilit në një vend që s'ishte i përshtatshëm për kompaktësinë e falangavet, të cilat u çanë sipas formës së tokës që vinte kodra e përrenj. Gjenerali romak e kishte menduar këtë plan më përpara dhe iu dha urdhër legjionevet të hynin nëpër të çarat e midis falangavet për t'i sulmuar këto nga brinjët. Me këtë mënyrë i copëtoi falangat duke shtrirë njëzet mijë Maqedonas të vrarë në fushën e betejës. Pas kësaj disfate, Perseu u dorëzua duke qarë e duke u lutur si një frikacak i dobët.

Mandej Pavl Emili, me një urdhër të Senatit, i ra befas Epirit për t'i kapur burrat si gjahun në shtrofull, prishi gjer në themel 70 qytete dhe zuri robër 150.000 njerëz, të cilët u shitën si skllevër, për të larë fymjen që Pirroja i pat bërë Romës. Ndërsa mbreti i fundmë i Ilirisë, Genci, thyhej dhe binte rob në duart e Romakëve përpara murevet të Shkodrës.

Kështu tre shtetet stërgjyshore të Shqiptarëvet, Iliri, Epir dhe Maqedoni, u ndodhën bashkë n'orën e fundit kur i përfshiu njëherësh furtuna e Romës, në vitin 168 para Krishtit. Mosorganizimi dhe grindjet e brendëshme i kishin dënuar të pësonin atë fat.

S'është vendi këtu të zgjatemi mbi kryengritjet e pastajme t'Ilirëvet, sidomos mbi atë të vitevet 6-9 pas Krishtit, e cila vazhdoi tre vjet, e udhëhequr nga Batua i famshëm, dhe e tronditi keq Perandorinë e Augustit. Por të gjitha këto u shtypën me gjakderdhjet më të mëdha, shumë qytete të lulëzuara t'Ilirisë u bënë rrafsh për tokë dhe sa e sa skllevër ilirianë mbushën tregjet e Italisë! Për të shtypur këto kryengritje, Roma, përveç forcës, pat përdorur gjithmonë përçarjen.

Kur Iliria pastaj hyri në maqinën e shtetit romak, burrat e saj jo vetëm që iu bënë mburojë Perandorisë në Rhen, në Danub e gjer në Kaukaz, por i dhanë gjeneralë dhe perandorë nga më të zotët si Romës dhe Bizantit.