Me gjithë reformat e Tanzimatit, gjendja shëndetësore e "të sëmurit të Bosforit", siç e quanin Turqinë e asaj kohe, vinte duke u keqësuar. Luftat me Austrinë dhe me Rusinë e kishin shtënguar të zmbrapsej sa më shumë. Kombet e krishterë të Ballkanit kërkonin pavarësinë e tyre. Dekreti (Hat-i Humajun) i vitit 1856, që shpallte reforma më të gjera, për t'i dhënë shtetit një Kushtetutë të përshtatshme me kohët e reja dhe liri të mjafta popujve të Perandorisë, nuk e ndryshoi gjendjen. Turqia vazhdonte të mbahej për nevojë t'ekuilibrit evropian, sepse fuqitë perëndimore, Angli e Francë, nuk donin që Rusia të pushtonte Dardanelet dhe të delte në Detin Mesdhe. "Çështja e Lindjes" mbetej gjithmonë një problem i koklavitur.
Rreth 1870-ës ngjajtën disa ndryshime të mëdha në lidhje me forcat e ekuilibrit evropian: Prusia, ndën udhëheqjen e Bismarck-ut, e mundi Austrinë më 1866 edhe e hodhi jashtë Konfederatës gjermanike. Pastaj bëri bashkimin e plotë të Gjermanisë, duke mundur edhe Francën më 1870-1871. Rreth kësaj date (më 1870) u krye edhe bashkimi i Italisë, e cila tani vihej në rrugë për t'u ngritur si një fuqi e rëndësishme.
Këto ndryshime prunë një rrjeshtim të ri në vargun e aliancavet. Një nga kujdeset e Bismarck-ut ishte që të ndalonte afrimin e Francës me Austrinë, ose edhe me Rusinë, kundër Gjermanisë. Prandaj, që më 1873, ai mundi t'arrinte në një marrëveshje, e ashtuquajtura Alianca e Tre Perandorëvet, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Ca vjet më vonë, më 1882, prapë me shtytjen e Bismarck-ut u formua Alianca Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Të tre këta shtete kërkonin t'arrinin në një shkallë të lartë zgjerimi kolonial dhe kapitalist, sikurse Franca dhe Anglia.
Ngritja e Gjermanisë si një fuqi e madhe, duke përmbysur n'Evropë ekuilibrin dhe lidhjet e mëparshme ndërmjet shtetevet, pati, nër të tjerat, dy pasoja të rëndësishme, jo vetëm për historinë e përgjithshme po edhe për fatin e Shqipërisë. E para, duke e larguar Austrinë prej ndikimit të vjetër mbi kombësitë gjermane, e shtyti atë t'a këthente shikimin në drejtim të Ballkanit, e vetëmja anë ngaha mund të shtrihej. Kështu Shqipëria erdhi duke u përfshirë në rrethin e interesavet t'Austrisë. E dyta, antagonizmi franko-gjerman që lindi prej bashkimit të Gjermanisë, e shtyti Francën t'afrohej me Rusinë, të bëhej përkrahëse e fortë e kombësive sllave dhe, për këtë arësye, armike numër një e Shqipërisë.
Gjer më 1870, Anglia me Francën, dy fuqi të mëdha koloniale dhe kapitaliste, qenë munduar t'i prisnin Rusisë udhën e daljes në Dardanelet dhe në Lindjen e Afërme. Por mbas mundjes së Francës prej Gjermanisë, Rusia mori zemër, sepse tani kishte përballë vetëm Anglinë dhe deri diku Austro-Hungarinë. Me këtë të fundit edhe mund të rregullohej, duke i lënë njëra-tjetrës dorë të lirë mbi zonat e ndryshme të Ballkanit. Kështu Rusia nisi të mos i përfillte nenet e traktatit të Parisit të vitit 1856. U vu të forconte flotën dhe bazat detare në Detin e Zi, duke u treguar si gjithmonë mprojtëse e lirivet dhe e pavarësisë së popujve sllavë të Ballkanit. Natyrisht, qëllimi i vërtetë i saj ishte që t'i jepte grushtin e fundit Turqisë për të dalë vetë në Dardanelet dhe në detin Mesdhe. Në këto rrethana, mbetej vetëm Anglia si mprojtëse e Perandorisë Otomane, duke u treguar kundër lirivet të kombësive të tjera të Ballkanit.
Ndërhyrjeve të Rusisë iu jepte rast tërthorazi edhe vetë administrata e kalbur turke me politikën e paaftë të Portës së Lartë. Më 1875 nisi një lëvizje kryengritëse në Herzegovinë, e cila u përhap shpejt edhe në Bosnjë. Në prendverën e 1876-ës ngritën krye Bullgarët dhe, pas pak muajsh, Serbia e Mali-i-Zi i hapën luftë Turqisë. Flaka desh përfshiu edhe Shqipërinë, ku gjendja ishte e turbullt në malësitë e Shkodrës, të Dibrës, të Kosovës. Por intrigat e Rusisë dhe të Malit-të-Zi u përpoqën sidomos të hidhnin Mirditën kundër Turqisë, duke nxitur Prenk Bib Dodën. Në këtë drejtim vepronte edhe një grup intelektualësh shkodranë me qëllim që ta bënte Mirditën një vatër autonomie.
Ushtëria turke i shtypi keq Bullgarët, i theu Serbët dhe ia ndali turrin Malit-të-Zi. Sapër lëvizjen e Mirditës, u tulit edhe ajo si zjarr prej kashte, si të gjitha lëvizjet e Shqiptarëvet, që nuk kishin as lidhje të gjera, as program të qartë, as përkrahje nga jashtë.
Duke druajtur ndërhyrjen e Rusisë - e cila shikohej si përkrahësja e Sllavëve të Ballkanit - fuqitë e mëdha deshën t'a sillnin Turqinë n'ujdi me popujt kryengritës, por nuk mundën. Përpjekje paqësimi u bënë sidomos nga ana e Anglisë dhe e Austro-Hungarisë. Kjo e fundit, që e kishte zjarrin pranë kufijvet, hyri edhe në bisedime të veçanta me Rusinë për të caktuar sesi do të rregullohëshin punët e Ballkanit nëqoftëse kryengritësit delnin fitimtarë, ose në rastin e kundërt. Në një pjekje që u bë ndërmjet dy perandorëvet (i Austro-Hungarisë dhe i Rusisë) në Reichstadt, më 8 Korrik 1876, Austro-Hungaria e çfaqi haptazi se nuk donte formimin e një shteti të madh sllav në Ballkan. Nëqoftëse Turqia do të përmbysej, ajo kërkonte për vehte Bosnjën dhe, midis kushtesh të tjera, përmendi krijimin e një Shqipërie autonome. Por kjo pika e fundit nuk gjeti pëlqimin e Rusëvet.
Mbasi ushtëria turke i theu përkohësisht kryengritësit ballkanikë, por ndërhyrja e Rusisë dukej e pashmangëshme, fuqitë e mëdha, sidomos Anglia, u përpoqën t'a qetësonin gjendjen duke e këshilluar Portën e Lartë që të bënte disa reforma e t'iu njihte ca të drejta autonomie popujve të Bullgarisë dhe të Bosnje-Herzegovinës. Me propozimin e Anglisë, u mblodh në Stamboll një konferencë e ambasadorëvet, në Dhjetor 1876.
Tronditjet në Ballkan shkaktuan edhe tronditje politike të brendëshme në Perandorinë Otomane. Një shoqëri e fshehtë e Osmanllinjve të Rinj, me një pjesë të mirë oficerësh dhe intelektualësh, përkrahte programin e Midhat Pashës për një kushtetutë liberale, e cila do t'a shpëtonte Perandorinë duke i hapur udhën e reformavet dhe të përparimit. Në verën e vitit 1876, u rrëzuan nga froni njëri pas tjetrit Sulltan Abdul Azizi dhe Sulltan Murati V. Ky i fundit u zëvendësua nga Abdul-Hamiti II, i cili, më 24 Dhjetor t'atij viti, shpalli Kushtetutën e re, për t'a hedhur poshtë një vit më vonë. Me shpalljen e Kushtetutës, që parashikonte zgjedhjen e një parlamenti dhe disa liri për kombësitë e ndryshme të Perandorisë por pa shkuar gjer tek autonomia, kryeministri liberal, Midhat Pasha, i njoftoi Konferencës s'Ambasadorëvet se çështja e popujve të krishterë në shtetin turk tani mund të quhej e zgidhur, mbasi ata gëzonin të drejtat politike, lirinë e mbledhjeve, të shtypit dhe t'arësimit në gjuhët e tyre pa dallim feje e kombësie.
Rusia nuk i gjeti të kënaqshme këto premtime, dhe nisi t'i pregatitej luftës. Për të mënjanuar Austro-Hungarinë, ajo nënshkroi me këtë një marrëveshje të fshehtë, në Budapest, më 15 Jenar 1877. Duke përsëritur pothuajse përmbajtjen e bisedimevet të Reichstadt-it, në parashikim të një përmbysjeje të Turqisë a të ndryshimeve tokësore në Ballkan, kjo marrëveshje e dytë i njihte Austro-Hungarisë të drejtën që të pushtonte ushtarakisht Bosnjën e Herzegovinën dhe përmendte mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur.
Fuqitë e mëdha deshën të bënin përpjekjen e fundit për të shuar ngatërresat e Ballkanit, prandaj nënshkruan në Londër, Mars 1877, një protokoll me përfundimet e Konferencës së Stambollit, që e detyronte Turqinë të formonte dy krahina bullgare autonome dhe t'iu njihte po ato të drejta Bosnjës e Herzegovinës. Protokolli i Londrës vinte në dukje, ndonëse në një mënyrë jo fort të qartë, parimin e kombësivet. Konferenca e Stambollit kishte caktuar edhe kufijtë e krahinavet bullgare, njëra prej të cilavet duhej të përfshinte të gjithë Maqedoninë shqiptare gjer në Drin. Po edhe Mali-i-Zi nuk mbetej në harresë, mbasi Konferenca kishte menduar edhe për atë një zgjerim të kufijvet, natyrisht mbi toka shqiptare.
Turqia nuk pranoi asnjë nga konditat e Protokollit të Londrës.
Por vendimet e fuqivet të mëdha përhapën shqetësim tek Shqiptarët, të cilët filluan të ndjenin rrezikun e copëtimit. I pari që u hodh në vepërim ishte Abdyl Frashëri, që thirri në një mbledhje në Janinë, në të hyrë të prendverës 1877, disa nga parësia e Shqipërisë së jugës. Duke kujtuar rrezikun që po i kanosej vendit, mbledhja i drejtoi Portës së Lartë një memorandum, ku i kërkonte bashkimin e të gjithave tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, me shkollat, administratën dhe gjyqet në gjuhën shqipe.
Abdyl Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 1839 dhe pati ndjekur mësimet në gjimnazin grek të Janinës, bashkë me dy të vëllezërit, Naimi dhe Samiu. Më 1877, ishte drejtor i financavet të vilajetit dhe u zgjodh deputet i Janinës në të parin Parlament turk që u krijua pas shpalljes së Kushtetutës prej Sulltan Abdul-Hamitit. Parashikonjës, mendim-gjerë dhe me ndjenja të flakta kombëtare, Abdyl Frashërit nuk i mungonte as zotësia politike as shpirti i vepërimit. Ai i dha jetë Lidhjes së Prizrendit, si do ta shohim, dhe është figura m'e lartë e lëvizjes kombëtare në kohët e reja. Është Apostulli i parë i Shqipërisë ethnike.
Por cilët ishin kufijtë e Shqipërisë ethnike? Shqiptarët kanë qënë fort të përhapur në Ballkan, dhe në krahinat e largme përzjehëshin me popuj prej kombësish të tjera, greke e sllave. Prandaj këtu po marrim atë vijë që kishin caktuar disa udhëtarë e studionjës të huaj të shekullit XIX, si dijetari frëng Ami Boué, albanologu austriak J.G. von Hahn, ose edhe konsulli i Austro-Hungarisë në Shkodër, F. Lippich, në një raport që i dërgonte qeverisë së tij, më 1877. Këta kanë marrë si kriter kombësie gjuhën. Konsulli F. Lippich shënonte vetëm vijën e Shqipërisë ethnike nga veriu dhe nga lindja.
Sipas këtyre auktorëve, vendet e banuara krejtësisht ose në shumicë të madhe prej Shqiptarëvet nisnin nga bregdeti i Adriatikut, ndën Tivar, ndiqnin vijën e malevet dhe anën e lumit Cem përtej liqenit të Shkodrës, kalonin përmes Kuçit gjer në Vasojeviç e Kolashin (banorët e dy krahinavet të fundit flisnin serbisht, por ishin Shqiptarë të sllavizuar); pastaj me një kthesë të vogël nga jugë-lindja përfshinin Gucinë e Plavën, duke u ngjitur përsëri nga veri-lindja gjer në Rozhaj; aty hipnin drejt veriut deri në Duga Poljana; mandej kalonin përtej Novi-Pazarit, në veri të Mitrovicës, dhe vazhdonin nga veri-lindja gjer në Kurshumli e në Prokuplje për t'arritur lumin Morava afër Nishit. Duke ndjekur nga juga dhe jugë-perëndimi luginën e këtij lumi, kufiri i Shqipërisë ethnike rrokte Leskovacin, Vranjën, kalonte në perëndim të Kumanovës, e priste Vardarin atje ku ky bashkohet me Treskën, përfshinte krahinat e Tetovës e të Gostivarit dhe zbriste në Dibër. Nga jugë-lindja, në rrethet e Ohrit dhe në sanxhakun e Manastirit, Shqiptarët përbënin grupe të rëndësishëm midis popullsisë sllave-maqedonase. Pastaj vija e kufirit të popullsisë shqiptare ndiqte malet e Moravës dhe të Gramozit gjer në Konicë, aty bënte një bërryl nga jugë-perëndimi, për t'u shtrirë përsëri nga juga me fushën pjellore të Çamërisë, gjatë bregdetit Jonian, deri në Prevezë. Në qytetin e e Janinës, në rrethet e Mecovës e të Grebenesë, megjithëse kishte popullsi shqiptare, shumicën e përbënin Grekët dhe Vllehët e Pindit. Por s'duhet të harrojmë se këta "Grekë" ishin Shqiptarë të greqizuar.
Brenda këtyre kufijve jetonin n'atë kohë përmbi dy milionë shqiptarë, numër sot na duket i vogël, por duhet të dimë se në shekullin XIX popullsia në Ballkan, si edhe n'Evropë, nuk ishte aq e dëndur sa ç'është tani. Kombet e tjerë të Ballkanit nuk ishin fort më të mëdhenj nga populli shqiptar. Me një shtrirje gjeografike t'atillë mbi detet Adriatik e Jon, dhe me fushat e Kosovës e të Çamërisë, Shqipëria kishte mjaft burime natyrore për t'arritur në një shkallë zhvillimi të lartë, sikur t'ishte e bashkuar dhe të qeverisej mirë.
Mbasi Turqia nuk i pranoi konditat e Protokollit të Londrës, Rusia i shpalli menjëherë luftë, në Prill 1877. Serbia dhe Mali-i-Zi ishin gati. Ushtëria serbe pushtoi, nga jugë-lindja, Kurshumlinë, Prokupljen, Nishin; nga jugë-perëndimi, zbriti deri në Gjilan. Mali-i-Zi, nga njëra anë provoi të delte në Malësinë e Madhe, nga ana tjetër sulmoi Tivarin, Ulqinin, rrethet e Anamalit e të Krajës. Më vonë, në Shkurt 1878, u lëshua edhe Greqia turravrap se mos mbetej pa gjë. Fuqi t'armatosura të sajat hynë n'Epir e në Thesali ku ngjajtën luftime të përgjakshme. Njëkohësisht, disa banda antartësh zbritën në Lëkurës, afër Sarandës, për të çuar në këmbë Shqiptarët orthodoks. Po edhe aty ndeshën në një kundërshtim te rreptë. Më në fund, me ndërhyrjen e Anglisë, Greqia u detyrua të hiqej mënjanë.
Megjith qëndresën e fortë t'Osman Pashës në Plevna, Turqia u thye si zakonisht prej Rusisë dhe u shtrëngua të nënshkruante traktatin e Shën-Stefanit - një lagje e jashtëme e Stambollit - më 3 të Marsit 1878. Ky traktat krijonte një Bullgari të madhe e cila, përveç Maqedonisë shqiptare, do të përfshinte edhe pjesë të Shqipërisë së sotshme gjer në Drinin e Zi, në malet e Voskopojës dhe në Gramos, domethënë Dibrën, Pogradecin, Bilishtin dhe tërë prefekturën e Korçës përveç Kolonjës. Serbinë dhe Malin-e-Zi traktati i Shën-Stefanit jo vetëm që i bënte shtete të pavarur (deri atëhere ishin autonome), po edhe i zgjeronte mbi toka shqiptare. Serbia do të merrte Prokupljen, Kurshumlinë, Leskovacin, një pjesë të sanxhakut të Prishtinës, duke zbritur nga jugë-lindja gjer në Vranjë. Kurse Mali-i-Zi përveç Tivarit edhe Ulqinit, do të merrte të tërë një pjesë që niste prej Rugovës, afër Pejës, e shkonte duke përfshirë Plavën, Gucinë, Malësinë e Madhe, Krajën, Anamalin, dhe përmes liqenit të Shkodrës e gjatë rrjedhës së Bunës do të zbriste gjer në det. Siç shihet, zgjerimi i shteteve sllavë bëhej pothuajse krejtësisht mbi tokat shqiptare.
Duke krijuar një Bullgari të madhe nën drejtimin e saj dhe duke zgjeruar dy shtete të tjerë sllavë, Serbinë dhe Malin-e-Zi, të cilët i bënte njëkohësisht të pavarur nga Turqia, Rusia po delte në Ngushticat dhe po e fuste Ballkanin thuajse nën vehte. Një gjë të këtillë s'mund t'a pranonin fuqitë e tjera t'interesuara, Austro-Hungaria edhe Anglia. Kjo e fundit dërgoi flotën e saj në detin Marmara. Nga frika e një përleshjeje ndërmjet të mëdhenjvet, u vendos që të mblidhej një kongres në Berlin për të rishikuar traktatin e Shën-Stefanit dhe për t'i bërë disa ndryshime.
Shqiptarët, kur muarën vesh se vendi i tyre ishte caktuar të ndahej si mish gjahu ndërmjet fqinjëvet, u tronditën thellësisht. Pa pritur që të mblidhej Kongresi i Berlinit, u vunë në lëvizje. Ishin të mendimit që të bënin çmos për të ndaluar copëtimin e vendit. U formuan vetvetiu disa komitete për vetëmprojtje, sidomos nëpër krahinat e kërcënuara, që nisën t'iu dërgonin protesta fuqivet të mëdha. Në Prill të vitit 1878, populli i Dibrës iu dërgoi nga një telegram ambasadorëvet t'Anglisë dhe t'Austro-Hungarisë, në Stamboll, ku iu thoshte se ishte gati të shuhej i tërë për të mos iu nënshtruar Bullgarisë. Kaza e Dibrës përbëhet prej më shumë se 220.000 Myslimanësh dhe 10.000 të Krishterësh, të gjithë Shqiptarë, që s'kanë asnjë lidhje me vendin e quajtur Bullgari, - shtonte telegrami. Protesta të këtilla iu vajtën fuqivet të mëdha nga Shkodra, nga malësitë e veriut, nga qytetet e Kosovës, dhe kishin pothuajse të njëjtën përmbajtje, se populli i këtyre vendeve, pa dallim feje, ishte i vendosur të qëndronte me armë në dorë gjer në pikën e fundit të gjakut për të mos iu shtruar pushtimit të Serbisë dhe të Malit-të-Zi. Por ajo që kishte rëndësi më shumë se protestat, ishte pregatitja që filluan të bënin krahinat shqiptare të veriut, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës për t'i qëndruar rrezikut me armë. Komitetet e vetëmprojtjes u vunë në lidhje me njëri-tjetrin dhe zunë të mblidhnin ndihma e forca. Mbledhje të gjera u bënë sidomos në Guci, Pejë, Gjakovë e Prizrend, ku i dha shtytje lëvizjes Ali Bej (më vonë, Pashë) Gucija, i vendosur për një qëndresë me armë. Që në fillim të Majit 1878, konsulli i Anglisë në Shkodër, Green, lajmëronte qeverinë e tij se në Guci, Plavë e të tjera vise të Shqipërisë veriore ishte bërë një lidhje midis Myslimanëvet për t'i qëndruar gjer në vdekje çdo fuqie të jashtëme, ose edhe të qeverisë së Stambollit, nëqoftëse kjo ndërhynte për t'ia lëshuar vendin tjetërkujt. Popullsia e këtyre krahinave-shtonte raporti i konsullit britanik-po i shtrin lidhjet edhe më larg, me Shqiptarët e rrethevet të Prizrendit, Prishtinës, Fandit, Dibrës, Ohrit, e gjer në Manastir. Më 5 Qërshor 1878, Knjaz Nikolla i Malit-të-Zi lajmëronte konsujt e fuqive të mëdha në Shkodër se, bashkë me lidhjen që kishte bërë popullsia e Gucisë, e Plavës dhe e viseve të tjera, një lëvizje po organizohej në Malësinë e Madhe, duke përfshirë Grudë, Hot e Kelmend, për të shkaktuar trazime gjatë kufijvet.
Mirëpo këto lëvizje krahinore të lindura vetvetiu prej kërcënimit të jashtëm, kishin nevojë për nj'organizim të përbashkët, për një komitet drejtonjës, përndryshe do të shkrihëshin si të tjerat. Këtë rol s'mund t'a losnin veçse disa udhëheqës që shikonin më larg në planin kombëtar, përtej horizontit të ngushtë të krahinavet. Gjatë luftës ruso-turke, duke parashikuar ndryshime në Ballkan dhe rreziqe për Shqipërinë, disa nga fytyrat më të shquara ndërmjet Shqiptarëvet të mësuar, myslimanë e të krishterë, kishin formuar fshehtazi në Stamboll një "Komitet Qendror për Mprojtjen e të Drejtavet të Kombësisë Shqiptare", ku bënin pjesë vëllezërit Abdyl e Sami Frashëri, Vaso Pasha (Pashko Vasa) Shkodrani, Jani Vretua, Zia Prishtina e të tjerë atdhetarë. Qëllimi i këtij Komiteti ishte shpëtimi i tokavet shqiptare prej copëtimit dhe kërkimi i autonomisë. Pas mundjes së Turqisë dhe duke parë gjendjen e vështirë të saj, Komiteti shpresonte se Porta e Lartë do t'ishte e shtrënguar të vinte në një marrëveshje me Shqiptarët duke iu njohur këtyre autonominë, pse ndryshe s'kishte sesi t'i mpronte krahinat perëndimore të Ballkanit. Nga ana tjetër, duke e ditur se fqinjët ishin në pozita më të forta dhe përkrahëshin nga fuqitë e mëdha, Komiteti i Stambollit u tregua i matur, në një shpallje që bëri më 30 Maj 1878: "Ne duam të rrojmë në paqe me të gjithë fqinjët tonë: Malin-e-Zi, Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Nuk kërkojmë as nuk dëshirojmë gjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur për të mprojtur gjer në fund çdo gjë që është e jona. Toka shqiptare duhet t'iu lihet Shqiptarëvet". Komiteti i Stambollit shpresonte edhe se fuqitë e mëdha do të pështetëshin deri diku në parimin e kombësivet për të rregulluar çështjet ballkanike.
Mbasi shpëtimi i Shqipërisë varej, në radhë të parë, nga përpjekja e Shqiptarëvet vetë, kryetari i Komitetit Qendror të Stambollit, Abdyl Frasheri, u nis menjëherë për në Shqipëri, me qëllim që të drejtonte lëvizjen. Rreziku ishte i afërt, kohët nuk prisnin, duhëshin bashkuar forcat, duhej lidhur vepërimi. Krahinat e kërcënuara të Shqipërisë veriore e veri-lindore ishin në gjendje kushtrimi, krerët e tyre caktuan të mblidhëshin në Prizrend për të lidhur kuvend e besë. Ndonëse në fillim mbledhja u duk si një nga më të zakonshmet që bënin Shqiptarët herë pas here, ndën shtytjen e rrethanavet të jashtëme dhe me frymën që i dha Abdyl Frashëri me shokë, u kthye në një lidhje të vërtetë kombëtare, e njohur në histori me emrin Lidhja e Prizrendit. Prandaj në një kuptim më të gjerë, mund të themi se kjo është e dyta mbledhje kombëtare e Shqipërisë pas asaj që bëri Skënderbeu, në Lesh, më 1444.
Përfaqësonjësit e krahinavet të kërcënuara u mblodhën në Prizrend, më 10 Qërshor 1878. Të shumtët ishin nga Shqipëria e veriut dhe e veri-lindjes, nga Kosova, nga Dibra, nga Shkodra. Prej jugës dhe Shqipërisë së Mesme kishte fare pak, sepse koha ishte e shkurtër, udhëtimi i vështirë. Erdhën edhe disa krerë të popullsivet myslimane sllave të Bosnjës, Herzegovinës dhe të sanxhakut të Novi-Pazarit, të cilët donin t'a lidhnin luftën e tyre me atë të Shqiptarëvet për të mos u shkëputur prej Turqisë. Mbledhjen e hapi Abdyl Frashëri, i cili tregoi qëllimin e saj, rrezikun që i kërcënohej vendit, dhe paraqiti një plan vepërimi për të mprojtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare prej një çipi t'atdheut në tjetrin. U vendos të krijohej në tërë Shqipërinë një organizatë e përgjithshme për mprojtjen e të drejtavet të kombësisë shqiptare, me në krye një komitet qendror të përhershëm që do të mbetej në Prizrend. Me këtë do të lidhëshin degët krahinore t'organizatës. Në Komitetin qendror bënin pjesë Sheh Mustafa Tetova, i cili u zgjodh edhe kryetar, Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë Dibra, myderriz Ymer Efendi Prizrendi, Sulejman Vokshi e të tjerë. Përveç këtyre dhe Abdyl Frashërit, që ishte mendja drejtonjëse e lëvizjes, u shquan edhe dy figura të radhës së parë në vepërimet e pastajme: Hodo Beg Sokoli nga Shkodra dhe Prenk Bib Doda i Mirditës.
Mbledhja e Prizrendit iu drejtoi nga një protestë Kongresit të Berlinit edhe Sulltanit kundër çdo copëtimi të tokavet shqiptare. Në telegramin drejtuar Portës së Lartë, më 15 të Qërshorit, thuhet ndër të tjerat: "Kur na thërret atdheu, qoftë i mallkuar ai që mendon për interesat e veta! Në Lidhjen tonë kemi vendosur ta shpallim botërisht se jemi të gjithë Shqiptarë dhe se feja s'ka të bëjë".
Porsa që u vendos se Shqiptarët do t'i mpronin me armë tokat e tyre në rast se Kongresi i Berlinit ua jepte Serbisë dhe Malit-të-Zi, duhëshin bërë pregatitjet. Pikësëpari duhëshin formuar kudo komitetet krahinorë, në lidhje me atë të Prizrendit. Pastaj këta do të çonin më këmbë forcat e armatosura duke iu siguruar ushqimin, mjetet e mbajtjes, armë e municione. Me thirrjen e parë, të gjithë burrat e aftë, duke lënë vetëm nga një për shtëpi, duhej t'ishin gati për në luftë. Ai Shqiptar që nuk i përgjigjej kushtrimit, ose që i këthente shpinën armikut, do të dënohej me vdekje. U parashikua numri i trupavet që do të nxirte çdo krahinë, kumanda dhe mënyra e ndërlidhjevet të tyre. U caktua taksa dhe ndihma për t'iu bërë ballë shpenzimevet. Një nga detyrat e komitetevet ishte mbajtja me bukë dhe strehimi i dhjetra mijë Shqiptarëve të shpërngulur nga krahinat e pushtuara prej Serbvet dhe Malazezvet.
Mbasi u muarën këto vendime, antarët e Lidhjes së Prizrendit u shpërndanë nëpër krahinat e tyre për t'organizuar komitetet dhe për të vazhduar vepërimin.
Ata që kanë menduar ose që mendojnë se Lidhja e Prizrendit ishte një krijesë e Turqisë, gabohen trashamanisht. Ajo lindi prej vetiu si një çfaqje e vetëdijes kombëtare përpara rrezikut të copëtimit. E pamë sesi, prej Dibre deri në Plavë e Guci, i tërë vendi u trondit kur u muarën vesh kushtet e traktatit të Shën-Stefanit. Protestat dhe mbledhjet filluan dy muaj më parë se të caktohej kuvendi i Prizrendit. Edhe Komiteti i Stambollit kishte nisur i fshehtë. S'do mend të kuptohet që Turqia nuk e pengoi dhe ndoshta e përkrahu në fillim Lidhjen e Prizrendit, sepse kundërshtimin e Shqiptarëvet desh t'a përdorte si një forcë ose argument për të detyruar Kongresin e Berlinit që t'i kufizonte sa më shumë kërkesat e Rusisë dhe të fqinjëvet. Por kjo nuk do të thotë që lëvizja, e mori shtytjen prej Turqisë. Porsa e pa që Lidhja u kthye kundër Stambollit për të kërkuar autonominë e Shqipërisë, Turqia përdori forcën dhe e shpërndau.
Nër komitetet krahinorë, ai i Shkodrës u tregua mjaft i gjallë, sepse një pjesë e asaj krahine ishte caktuar t'i jepej Malit-të-Zi. Nga Shkodra iu dërgua, më 18 Qërshor 1878, një memorandum i nënshkruar prej 500 vetash n'emrin e të gjithë Shqiptarëvet kryeministrit t'Anglisë, Lordit Beaconsfield (Disraeli), i cili i printe dërgatës britanike në Kongresin e Berlinit, që u hap më 13 Qërshor nën kryesinë e Bismarck-ut. Memorandumi kritikonte politikën mbisundonjëse të Rusisë dhe kushtet e traktatit të Shën-Stefanit, kërkonte pavarësinë e Shqipërisë, në pajtim me parimin e kombësivet, dhe formimin e një komisioni ndërkombëtar që të ngarkohej me këtë çështje, siç ishte bërë për Bullgarinë, mbasi Shqiptarët nuk kishin besim në qeverinë turke. "Shqipëria nuk mund të përfaqësohet prej qeverisë otomane, thuhej në memorandumin. Shqiptari, katolik, orthodoks apo mysliman, e urren pushtonjësin turk ashtu si çdo tjetër pushtonjes të huaj... Sikurse nuk jemi as nuk duam të jemi Turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha fuqitë tona cilindo që do të kërkonte të na bënte Sllavë, Austriakë ose Grekë. Ne duam të jemi vetëm Shqiptarë... Shqipëria nuk do t'i shtrohet kurrë sundimit sllav, qoftë të Bullgarisë apo të Malit-të Zi; Shqipëria nuk don të jetë as e Turqisë, siç e provon lufta e saj prej më shumë se katër shekujsh për të ruajtur traditat dhe karakterin kombëtar". Memorandumi nuk shprehej ashpër kundrejt Greqisë, mbasi kjo s'kishte kërkuar gjëkafshë akoma prej tokavet shqiptare, por e përmendte se "Shqipëria nuk mund t'i bashkohet Greqisë, mbasi ka një ndryshim të thellë race, gjuhe, qytetërimi e zakonesh ndërmjet dy popujvet". Tregonte gjithashtu dallimin ethnik, njësinë dhe shtrirjen gjeografike të racës shqiptare.
Siç shihet, ky memorandum që u dërgua nga Shkodra n'emër të të gjithë Shqiptarëvet, synonte pavarësinë e Shqipërisë, problem që Lidhja e Prizrendit s'e kishte prekur akoma. Si duket, u pregatit prej Komitetit të Shkodrës (Katolikë e Myslimanë) pranë Lidhjes së Prizrendit, dhe kuptohet menjëherë fryma e ndikimit të Katolikëvet. Përse iu drejtua kryeministrit t'Anglisë dhe jo Bimarck-ut, ose përfaqësonjësit t'Austro-Hungarisë, kurse kjo fuqi e fundit duhej t'ishte m'e interesuar për Shqipërinë? Mund të ketë pasur dy arësye: e para, Anglia ishte në kundërshtirn më të hapët me Rusinë; dhe e dyta, Austro-Hungaria mund të kishte qëllime pushtimi mbi Shqipërinë, siç po gatitej të zinte Bosnjën dhe Herzegovinën Nuk është e kotë fjala në memorandumin: "...e kundërshtojmë me të gjitha fuqitë tona cilindo që do të kërkonte të na bënte... Austriakë...". Porsa që Myslimanët pranonin shkëputjen nga Turqia, Katolikët jepnin provën se nuk donin n'asnjë mënyrë t'i nënshtrohëshin Austrisë.
Të tjera protesta i drejtuan Shqiptarët nga çdo anë Kongresit të Berlinit për mos-lëshimin e tokavet të tyre shtetevet fqinjë. Më 20 Qërshor 1878, dhjetë nga antarët më të shquar të Komitetit Qendror shqiptar të Stambollit iu dërguan një memorandum Bismarck-ut, Andrassy-ut (ministrit të Punëve të Jashtëme t'Austro-Hungarisë) dhe Lordit Beaconsfield, në të cilin kërkonin autonominë e Shqipërisë brenda kuadrit të Perandorisë Otomane. Nënshkruësit ishin prej të tre besimevet, si Vaso Pasha, Sami Frashëri, Jani Vreto e të tjerë, dhe n'emër të popullit shqiptar kërkonin që, "pa cënuar të drejtat sovrane të Sulltanit, të formohej një komision ad hok, i përbërë prej Shqiptarësh, i cili, ndën mbikqyrjen dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, të studionte formën dhe të përcaktonte rregulloren e institucionevet të reja lokale, në përshtatje me karakterin, zakonet dhe nevojat e vendit". Memorandumi vazhdonte: "Duke i paraqitur këto dëshira Kongresit dhe duke iu lutur që t'i marri parasysh, populli shqiptar proteston përpara Evropës kundër lëshimit t'edhe më të voglës copëz të tokës së tij ndonjë kombësie tjetër cilado qoftë, edhe shpall botërisht se ai është gati të flijojë të gjitha forcat e veta jetësore e ushtarake për t'i qëndruar këtij vendimi të lartë, të cilin ai e mban si një detyrë të shenjtë që ia urdhëron e Drejta dhe nderi kombëtar".
Memorandumi i Komitetit të Stambollit ndryshon prej atij të Komitetit të Shkodrës; e para, sepse kërkon vetëm autonominë brenda kuadrit të Perandorisë Otomane, dhe e dyta, sepse dëshiron që komisioni i përcaktimit të rregullores organike të përbëhej mundësisht prej Shqiptarësh. Dhe e tërë puna të kryhej me pëlqimin dhe ndën mbikqyrjen e Portës së Lartë. Sigurisht, memorandumi i Komitetit të Stambollit ishte më realist. N'atë gjendje ku ndodhej populli shqiptar dhe n'ato rrethana politike të jashtëme, nuk mund të pritej që Shqipëria të delte menjëherë shtet i pavarur, gjë që s'e kishin bërë dot as kombe të tjerë në Ballkan. Duhej të kalonte me doemos nëpër autonominë sepse nuk ishte e pregatitur nga brenda, ku fanatizmi turkoman mbahej akoma i fortë; sepse fuqitë e mëdha, Anglia dhe Austro-Hungaria, nuk donin që të shpartallohej Perandoria Otomane dhe se Shqiptarët nuk kishin përkrahje nga jashtë. Kurse nën mprojtjen e Turqisë dhe t'atyre që mpronin Turqinë, po të mundnin të shpëtonin tërësinë e tokavet dhe të bashkohëshin të gjithë në një shtet autonom, ishte një punë fort e madhe, ishte sigurimi jetësor i kombësisë dhe i Shqipërisë së pavarur për në t'ardhmen.
N'ato rrethana të vështira, udhëheqësit shqiptarë ishin përpjekur të gjenin aliatë. Mbasi edhe Greqia, në Ballkan, kërcënohej prej zgjerimit të Sllavëvet në Maqedoni dhe prej politikës pansllaviste të Rusisë, atdhetarët shqiptarë, megjithëse i dinin qëllimet e Grekëvet kundrejt Epirit, patën provuar të sillnin afrimin midis dy kombevet për t'i bërë ballë rrezikut të përbashkët. Nëpërmjet të një lidhjeje me Greqinë, e cila kishte përkrahjen e Anglisë dhe të Francës, Shqiptarët mund të gjenin pështetje edhe në qarqet ndërkombëtare. Ideja e një bashkimi shqiptaro-grek ishte e vjetër, që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Por ndryshe e kuptonin Grekët, ndryshe Shqiptarët. Udhëheqësit si Abdyl Frashëri me shokë kërkonin që Greqia të njihte tërësinë tokësore të një shteti shqiptar më vehte, i cili duhej të përfshinte, nga juga, vilajetin e Janinës gjer në Prevezë, dhe pastaj të dy popujt të bashkëpunonin ngushtë si miq e aliatë midis tyre. Kurse grekët kishin të njëjtat qëllime që tregojnë edhe sot: donin që kufijtë e Greqisë t'arrinin gjer në Përmet. Prandaj bisedimet e nisura prej Abdyl Frashërit në Janinë, në Korrik 1877, gjatë luftës ruso-turke, dhe që vazhduan mandej në Stamboll ndërmjet anës shqiptare dhe një përfaqësonjësi të qeverisë greke, dështuan. U kuptua se me Grekët nuk mund të kishte marrëveshje.
Për të shpëtuar kombësinë shqiptare, e tërë shpresa mbetej tek lufta e popullit shqiptar. Kur pjesëmarrësit e Kuvendit të Prizrendit u shpërndanë nëpër krahinat e tyre për t'iu përveshur punës, Abdyl Frashëri u kthye në Shqipërinë e jugës, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë. Mbledhje të përgjithshme u bënë në Berat, Vlorë, Gjirokastër e të tjera qendra, për t'organizuar komitetet krahinorë në lidhje me atë të Prizrendit. Rëndësi të veçantë pati një mbledhje që thirri Abdyli në teqenë e Frashërit dhe që u mbajt nën kryesinë e Baba Alushit. Muarën pjesë parësi e njerëz të mësuar, myslimanë e orthodoks, nga e tërë Toskëria. Me një ndjenjë të re atdhetarie që porsa kish nisur të ngjallej, mbledhja i pranoi të gjitha vendimet e Prizrendit, lidhi fjalën se nuk do t'i lëshohej Greqisë asnjë pëllëmbë e tokës shqiptare, dhe se në rast nevoje fuqitë e jugës do të shkonin në veri. Përveç kësaj, Abdyl Frashëri pati rastin të fliste me njerëz më të mësuar dhe t'i parashtronte mbledhjes një plan vepërimi edh' organizimi për t'a bërë Shqipërinë shtet autonom në kuadrin e Perandorisë Otomane. Duket se këto mendime Abdyli i kishte pasur me kohë edh' ishin pak a shumë ato të Komitetit Qendror të Stambollit, por në Frashër i rrahu me një rreth të ngushtë miqsh dhe ia paraqiti mbledhjes. Ideja e bashkimit kombëtar filloi të zinte rrënjë e të lëshonte degë. Mbledhja e pranoi programin e autonomisë, por hëpërhë duhej mbajtur i fshehtë, për t'u shpallur më vonë prej Lidhjes së Prizrendit pasi të kish kaluar rreziku i copëtimit të vendit. Duk'me qënë se Shqiptarët n'atë kohë ndahëshin më shumë pas fevet, Abdyl Frashëri mundi t'i hidhte Bektashinjtë në lëvizjen kombëtare dhe u përpoq t'afronte Orthodoksit. Komitetet e vepërimit u organizuan kudo në Shqipërinë e jugës, por më të rëndësishmit u bënë ata të Gjirokastrës, Janinës dhe Prevezës, gjithmonë në lidhje me qendrën e Prizrendit. Këtë radhë flitej për Shqipëri e për shtet shqiptar, dhe jo për pashallëke. Ndihej e njëjta frymë prej një çipi t'atdheut në tjetrin. Kështu Lidhja e Prizrendit u bë një lidhje e përgjithshme kombëtare.
Si vend pikëpjekjesh ndërmjet komitetevet të veriut dhe të jugës, mbledhja e Prizrendit kishte caktuar Elbasanin. Pengesat ishin të mëdha n'atë kohë për takime të rregullta, prandaj çdo krahinë detyrohej të vepronte sipas mundësivet dhe rrethanavet, por duke ndjekur të njëtin program, për të njëjtin qëllim. Abdyl Frashëri u përpoq t'i mbante sa më të lidhur komitetet midis tyre dhe sidomos të bëhëshin më të shpeshta udhëtimet ndërmjet jugës dhe veriut, në mënyrë që të thyhëshin ndarjet krahinore dhe të forcohej bashkimi kombëtar. Mbasi më 1878 rreziku m'i madh rëndonte mbi Shqipërinë e veriut, komitetet e jugës po mendonin pregatitjen e një dërgimi forcash në veri.
Ndërkaq, Kongresi i Berlinit i kishte marrë vendimet e tija pa i shikuar fare protestat e Shqiptarëvet. Copëtimin e tokavet të Shqipërisë duhej t'a kishte kundërshtuar sidomos Austro-Hungaria për t'i vënë një kufi zgjerimit të Sllavëvet, të cilët i prisnin rrugën e jugë-lindjes drejt detit Egje. Në marrëveshjen e fshehtë austro-ruse të 15 Jenarit 1877, ishte pranuar në parim krijimi i një shteti shqiptar të pavarur në rast se do të bëhëshin ndryshime tokësore në Ballkan. Por gjatë luftës ruso-turke, duket se Austria mendoi ta pushtonte vetë Shqipërinë e veriut. Këtë ide e kishte pasur prej kohësh më parë. Kurse në Kongresin e Berlinit u kënaq me të drejtën që iu dha të pushtonte Bosnjën dhe Herzegovinën, gjoja për të siguruar qetësinë n'ato vende, dhe desh që Shqipëria të mbetej hëpërhë në Perandorinë Otomane gjer sa t'i vinte radha për t'a shtirë në dorë. Qëndresa e Shqiptarëvet kundër Serbo-Malazezve i bënte mirë Austro-Hungarisë, po kërkesat e tyre për autonomi nuk i përkrahu, se nuk desh që ajo lloj lëvizjeje të përhapej edhe në Bosnjë e Herzegovinë. Pra, në Kongresin e Berlinit, politika e Austro-Hungarisë, e butë si gjithnjë, u përpoq t'i kufizonte kërkesat e shtetevet sllavë kundrejt tokavet shqiptare, po jo t'i hidhte fare poshtë. Ndërsa politika turke u mundua t'i prapste Serbinë, Malin-e-Zi dhe pastaj Greqinë prej tokavet shqiptare. Dhe për këtë kërkoi përkrahjen e përfaqësisë austriake në Kongresin e Berlinit. Ky ishte edhe shkaku që Turqia, në fillim, e shikoi me sy të mirë lëvizjen e Shqiptarëvet.
Kongresi i Berlinit, sikurse e pohoi edhe Bismarck-u vetë, ishte mbledhur për të larguar rrezikun e një përleshjeje ndërmjet të mëdhenjvet, domethënë Anglia dhe Austro-Hungaria, nga njëra anë, Rusia nga tjetra. Këto lloje mbledhjesh, ndonëse përfytyrimi popullor i rrethon me një madhështi të veçantë, nuk ndryshojnë fort nga ato të hajdutëvet për të ndarë plaçkën. Në verën e vitit 1877, gjatë luftës ruso-turke, Bismarck-u dhe ministri i Punëve të Jashtëme t'Anglisë, Derby, i patën propozuar Francesco Crispi-t që Italia të pushtonte Shqipërinë në rast se Austro-Hungaria do të merrte Bosnjën. Por Italia nuk u interesua për këtë dhuratë, ndoshta për të mos pasur ngatërresa me Austro-Hungarinë dhe me Shqiptarët. Ajo porsa e kish bërë bashkimin e saj si shtet, dhe e ndjente vehten akoma mjaft të dobët. As në Kongresin e Berlinit përfaqësonjësi i saj Kont Corti, nuk kërkoi gjëkafshë.
Greqisë traktati i Shën-Stefanit nuk i jepte gjë. Por në Kongresin e Berlinit, ku mundi të paraqitej me ndërmjetësinë e Anglisë, ajo kërkoi Kretën, Thesalinë dhe Epirin. Kryetari i përfaqësisë frënge në Kongres, Waddington-i, propozoi që t'i jepëshin Greqisë Thesalia edhe Epiri gjer në lumin Kallama, pa u menduar se Epiri ishte tokë shqiptare. Propozimin e Waddington-it e pështeti edhe përfaqësia italiane. Por Kryeministri i Anglisë, Lordi Beaconsfield, megjithëse përkrahës i Greqisë, nuk donte që të dobësohej tepër Perandoria Otomane. Prandaj me ndërhyrjen e tij nuk u muar ndonjë vendim urdhëronjës mbi këto propozime. Në një artikull të veçantë Kongresi çfaqi dëshirën që Turqia dhe Greqia të merreshin vesh vetë midis tyre për një ndreqje të kufijvet; fuqitë e mëdha ruanin të drejtën që të ndërhynin si ndërmjetëse për të lehtësuar marrëveshjen në rast se të dy palët nuk do të binin dot n'ujdi.
Bullgaria nuk mori asgjë nga tokat shqiptare, mbasi Kongresi vendosi që t'ia linte Maqedoninë Turqisë. Kurse Serbia, me kundërshtimin e Austro-Hungarisë, nuk arriti dot gjer në rrethet e Novi-Pazarit, të Mitrovicës e të Prishtinës, por mori Kurshumlinë, Prokupljen, Nishin, Leskovacin dhe Vranjën.
Mali-i-Zi pat hyrë në Tivar më 18 të Jenarit 1878, në kohën e luftës ruso-turke, pas një rrethimi të gjatë. Siç e dëshmon një gazetar frëng, Auguste Meylan, që ndodhej pranë ushtërisë malazeze, dhjetë mijë gjyle të dhëna prej Rusisë qenë hedhur mbi qytetin, ku s'kishte mbetur asgjë veçse gërmadha edhe kufoma, të mbuluara në rrënimet ose të qelbura rrugëvet. Në një xhami u gjetën dyqind gra të vdekura nga uria. "Kam parë shurnë rrethime të tjera, tregon ai, por s'kishnja parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s'ka mbetur asnjë shtëpi në këmbë". Pas Tivarit, Mali-i-Zi pushtoi edhe Ulqinin, por këtë të fundit u shtrëngua t'a lëshonte prapë. Përfaqësia turke në Kongres, duke u pështetur në protestat e Shqiptarëvet, kërkoi që Malit-të-Zi të mos i jepëshin toka nga kjo anë por të merrte si shpërblim një pjesë të Herzegovinës, e cila banohej nga e njëjta racë sllave. Ndoshta Turqit e bënë këtë propozim sepse e panë që Herzegovinën po e pushtonte Austro-Hungaria. Më në fund përfaqësonjësit e Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë ranë n'ujdi mbë një plan të përbashkët që e pranoi edhe Kongresi. Sipas këtij plani, Ulqini i mbetej Turqisë, por Malit-të-Zi i lihej Tivari dhe i jepëshin akoma qytetet Podgorica e Shpuza si edhe krahinat Plava, Gucija, Kuçi e Triepshi, të gjitha toka shqiptare.
Duke marrë këto vendime, Kongresi i Berlinit nuk e kishte llogaritur qëndresën e Shqiptarëvet, e cila u tregua e fortë, në veri kundër Malazezvet, në jugë kundër Grekëvet. Mbasi Serbia i kishte pushtuar gjatë luftës krahinat që i jepte Kongresi, Shqiptarët s'patën kohë as fuqi për t'a ndaluar. Por Malit-të-Zi i qëndruan me forcë.
Ushtëria austro-Hungareze ishte vënë në lëvizje më 22 Korrik 1878 për të pushtuar Bosnjën dhe Herzegovinën, por u prit me armë prej Bosnjakëvet. Siç e pamë më sipër, në mbledhjen e Prizrendit kishin marrë pjesë disa krerë të Bosnjës e Herzegovinës për ta lidhur luftën e tyre me atë të Shqiptarëvet. Përparimi i ushtërisë austriake drejt atyre dy krahinave, e sidomos frika e pushtimit të Novi-Pazarit, i shqetësoi Shqiptarët, një pjesë e të cilëvet u tregua gati për t'iu vajtur në ndihmë Bosnjakëvet. Turqia desh ta shfrytëzonte këtë rast dhe, duke nxitur ndjenjat fetare, u përpoq t'i shtynte Shqiptarët myslimanë të vilajetevet të Shkodrës dhe të Kosovës për të mprojtur Bosnjën. Pas një tronditjeje të parë, Shqiptarët e gjetën t'arësyeshme që duhej të mpronin vetëm tokat e tyre dhe të mos hidhëshin n'aventura kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës.
Në muajin e Gushtit 1878, u formuan komisionet ndërkombëtare për të caktuar kufijtë ndërmjet Malit-të-Zi e Turqisë dhe Serbisë e Turqisë. Por Shqiptarët e kishin vendosur të qëndronin me armë kundër Malit-të-Zi, gjë që do t'ia bënte punën të pamundur komisionit ndërkombëtar. Për të mbajtur zotimet kundrejt fuqivet të mëdha, Turqia dërgoi në Shqipërinë e veriut Mehmet Ali Pashën, i cili kishte qënë një nga përfaqësonjësit e saj në Kongresin e Berlinit. Mareshali turk njihte disa nga pashallarët shqiptarë që kishin shërbyer nën kumandën e tij në kohën e luftës kundër Serbisë dhe Malit-të-Zi, edhe mendoi se miqësia me këta do t'ia lehtësonte punën. Porsa arriti në Prizrend, më 25 Gusht 1878, thirri Komitetin drejtonjës të Lidhjes për t'a bindur ose për t'a shtrënguar që të pranonte vendimet e Berlinit. Por Shqiptarët s'deshën të merrnin vesh për këshillat as për kërcënimet e mareshalit turk. Përkundrazi, populli nisi të lëvizte dhe të tregonte shqetësim kundrejt ndërhyrjevet të Stambollit. Si s'bëri dot punë në Prizrend, Mehmet Ali Pasha, i mprojtur nga disa kompani ushtarësh turq, shkoi në Gjakovë dhe ra mik në shtëpinë e Abdullah Pashë Drenit, i cili ishte një nga antarët më të fuqishëm të Lidhjes shqiptare. Por as në Gjakovë s'mundi të bënte gjëkafshë, dhe gjeti një kundërshtim aq të rreptë sa në Prizrend. Më 2 të Shtatorit, një dërgatë e Lidhjes vajti e iu lut mareshalit turk që t'ikte sa më parë, por ai nuk dëgjoi. Lidhja i kërkoi njëkohësisht Abdullah Drenit që të mos e mbante në shtëpi armikun e vendit, po edhe ky u përgjigj se s'mund t'a përzinte mikun dhe se do t'a mpronte me të gjitha fuqitë e tija sipas zakonevet shqiptare. Gjëndja u acarrua tepër. Populli i Gjakovës buçiti përjashta dhe bërtiste rrugëvet. Lidhja iu bëri thirrje edhe malësivet dhe e rrethoi mareshalin turk në shtëpinë e Abdullah Drenit; kurse ky i fundit kishte mbledhur njerëzit e tij për t'a mprojtur. Më në fund pushka plasi dhe vazhdoi nja dy ditë. Më 6 të Shtatorit, pas një sulmi të furishëm, Shqiptarët e Lidhjes e muarën shtëpin e Abdullah Drenit, ku mbet i vrarë Mehmet Ali Pasha me oficerët dhe tërë ushtarët turq që s'u dorëzuan. Mbetën të vrarë gjithashtu Abdullah Dreni vetë me trimat e tij. Po edhe rrethonjësit patën mjaft humbje.
Ngjarjet e Gjakovës bënë një përshtypje të thellë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata të huaj që mendonin se Lidhja Shqiptare kishte qënë një krijesë e Turqisë, u gjetën të gabuar. Po edhe për Shqiptarët vetë, lidhjet e tyre me Turqinë kishin arritur në një pikë ku duhej ndarë shapi nga sheqeri. Besnikët e lëvizjes kombëtare e bënë forra dhe e provuan se ishin gati të luftonin edhe kundër Turqvet për të mprojtur tërësinë dhe vetqeverisjen e vendit; kurse një gjë e tillë iu dukej punë e çmendur turkomanëvet, disa çifligarëve dhe njerëzve t'interesuar që s'donin të shkëputëshin prej administratës turke. Kështu, bashkimi që kishte qënë pothuajse i përgjithshëm për të mprojtur tokat shqiptare, pësoi një përçarje kur erdhi puna për të kërkuar autonominë e Shqipërisë, qoftë edhe me forcë, kundër Turqvet. Megjithatë, nacionalistët, të pështetur në masat e popullit, u përpoqën të qëndronin dhe t'a sundonin gjëndjen. Lëvizja shqiptare nisi t'a shqetësonte Turqinë tash që po këthehej kundër saj. Por Stambolli e hoqi urtë e butë në fillim, për të mos i acarruar punët edhe më keq, prandaj nuk mori ndonjë masë për ngjarjet e Gjakovës. Lidhja shqiptare, që po tregohej një forcë, e trembi edhe Malin-e-Zi, i cili kërkonte dorëzimin e krahinavet që i njihte traktati i Berlinit. Me gjithë shtrëngimin e fuqivet të mëdha që shtytëshin nga Rusia, Porta e Lartë përgjigjej se duhej durim për të mos shkaktuar gjakderdhje me Shqiptarët dhe ndoshta një përmbysje të krejt gjëndjes. Vetëm në Shkurt 1879 mundi Turqia t'i lëshonte Malit-të-Zi Podgoricën, Shpuzën dhe Zhabjakun duke i tërhequr që andej ushtëritë e saja. Sa për Plavën dhe Gucinë, u përgjigj se s'mund të bënte asgjë mbasi ato ishin në duart e Shqiptarëvet.
Gjendja në Shqipërinë e jugës nuk ishte më pak shqetësonjëse. Greqia, e përkrahur nga Franca kërkoi të hapte menjëherë bisedimet me Turqinë për një ndryshim të kufijvet. Turqia nuk po shpejtohej për këtë punë, sepse Protokolli i Berlinit nuk i ngarkonte asnjë detyrim kundrejt Greqisë veçse këshillonte një marrëveshje ndërmjet dy palëvet. Pastaj pështetej n'arësyen që Epiri banohej prej Shqiptarëvet, të cilët nuk pranonin t'i nënshtrohëshin Greqisë. Më në fund, me ndërhyrjen e Francës dhe të fuqivet të tjera, komisionet turke e greke u poqën në Prevezë për të filluar bisedimet, më 5 të Shkurtit 1879.
Komitetet e Lidhjes Shqiptare ishin mbledhur përpara asaj date në Janinë e në Prevezë. Në Jenar 1879, vendosën t'iu dërgonin një memorandum fuqivet të mëdha, ku iu thoshin se Epiri banohej prej Shqiptarëve dhe se këta nuk do t'i nënshtrohëshin kurrë Greqisë. Njëkohësisht ia përmendën kryetarit të komisionit turk, Myftar Pashës, se s'duhej të lëshonte asnjë pëllëmbë tokë nga Epiri. Mbledhje zunë të bëhëshin në të gjitha qytetet e Toskërisë, por ajo m'e madhja u mbajt në Prevezë, ku erdhën përfaqësonjës të Lidhjes edhe nga Shqipëria e veriut. Këto vepërime i ndihmoi edhe qenia e Abedin Bej Dinos, Shqiptar prej Çamërie, në komisionin turk të bisedimevet me Grekët. Disa mbledhje u bënë në shtëpinë e tij. Lidhja Shqiptare vendosi të pregatiste një forcë prej 30.000 burrash për t'iu qëndruar Grekëvet me armë në rast se këta do të guxonin të hynin n'Epir me ushtëri. Më në fund bisedimet turko-greke s'arritën dot n'asnjë marrëveshje, dhe komisionet u shpërndanë.
Po rreziku mbetej i varur mbi Shqiptarët. Prandaj Lidhja e tyre vendosi të dërgonte n'Evropë Abdyl Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin për t'iu parashtruar fuqivet të mëdha çështjen shqiptare e për të kërkuar që të merrëshin parasysh edhe të drejtat e kësaj kombësie. Gjatë muajvet Prill, Maj e Qërshor 1879, dërgata shqiptare u paraqit në kryeqytetet e Evropës perëndimore, Paris, Berlin, Vienë, Romë, duke iu dhënë fuqivet të mëdha një memorandum n'emër të popullit shqiptar. Ishte e para herë që çështja shqiptare ngrihej n'Evropë në një mënyrë të këtillë, me anën e një dërgate që desh të përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë. Shqiptarët përbëjnë një komb prej 2.300.000 frymësh, me histori shumë të lashtë- thuhej në memorandumin-dhe se janë të gjithë të bashkuar kundër lakmive të fqinjëvet dhe rrezikut që i kërcënon. Se ndën autoritetin mprojtës, të Perandorisë Otomane, ata do të ruajnë me tërë forcën atdheun, gjuhën dhe kombësinë e tyre. Se Shqipëria nuk duhej shikuar si një radhë krahinash gjeografike nga të cilat mund të shkëputej njëra pa dëmtuar të tjerat. Qëkur Greqia kishte dalë shtet më vehte, thekësonte memorandumi, helenizmi ishte përpjekur me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të pregatitur pushtimin e Epirit. Por kjo krahinë, me limanet, tokat dhe kullotat e saja, kishte rëndësi jetësore për tërë Shqipërinë e jugës. Shqiptarët ishin betuar të vdisnin që të gjithë përpara se t'i lëshonin Greqisë Janinën, Prevezën, Artën e të tjera pjesë t'atdheut. Duke qëndruar në kuadrin e Perandorisë Otomane, thoshte memorandumi, Shqiptarët kërkojnë të njihen si një kombësi e veçantë me të gjitha të drejtat e tyre. Dhe përfundonte me një thirrje fuqivet të mëdha që të mos iu mbyllnin Shqiptarëvet rrugën e përparimit, por t'i shikonin njëlloj si kombësitë e tjera.
Siç shihet, memorandumi zgjatej mbi Epirin sepse deri atëhere nuk ishte marrë akoma ndonjë vendim prej fuqivet të mëdha rreth asaj krahine, kurse fati i kufijvet të Shqipërisë së veriut ishte vulosur prej Kongresit të Berlinit dhe s'mbetej veçse mprojtja me armë për atë pjesë që po mbahej e padorëzuar, domethënë për Plavën e Gucinë. Se çështja e Hotit e Grudës dhe pastaj e Ulqinit s'ishte hapur akoma n'atë kohë.
Gjatë udhëtimit, Abdyl Frashëri u takua me ministrin frëng të Punëve të Jashtëme, Waddington-in, dhe me të tjerë drejtonjës të diplomacisë evropiane. U përpoq t'ua shpjegonte sa më mirë çështjen shqiptare. N'Itali pati pjekje të shumëta, se aty Arbëreshët, me De Radën në krye, kishin zgjuar interes për punët e Shqipërisë. Një rrymë liberalësh italianë mundohej të perkrahte në Ballkan idenë e një "konfederate" për të penguar shtrirjen e Austro-Hungarisë. Por në këtë mes ishin Grekët ata që përfitonin dhe kërkonin të delnin në krye duke e kthyer "konfederatën" në një lloj panhelenizmi. Prandaj kur liberali italian, M.A. Canini, njeri politik i njohur, desh t'i mbushte mendjen Abdyl Frashërit për të zhvilluar lidhje miqësore sa më të ngushta me Greqinë, që kështu Shqiptarët të bënin pjesë në "konfederatën", ai u përgjigj: "Kjo marrëveshje që më këshilloni është e pamundur. Grekët nuk i-njohin të drejtat tona; ata na duan të nënshtruar dhe jo të barabartë".
Në Shqipëri, komitetet e qendrave të ndryshme kishin filluar të flisnin çiltas për autonomi. Programi i saj, përcaktuar në mbledhjen e Frashërit, kish nisur të përhapej. Komiteti Qendror i Stambollit punonte pranë qarqeve turke dhe ambasadave të huaja në këtë drejtim. Sami Frashëri pat botuar në një gazetë turqisht parashikimin për autonominë e Shqipërisë. Më 9 Korrik 1879, Komiteti i Stambollit i drejtoi Sulltanit një shkresë me anën e së cilës kërkonte që jo vetëm të mos copëtohëshin tokat shqiptare, po edhe të dekretohej një ligj organik i veçantë për qeverisjen e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe, në Prizrend ishin bërë mbledhje disa herë. Një kuvend m'i gjerë u mbajt në Tetor 1879, për të përballur kërkesat e Malit-të-Zi mbi Plavën e Gucinë. Në këto mbledhje ishte biseduar edhe çështja e autonomisë duke u pështetur në programin e Frashërit, dhe përfaqësonjësit e Shqipërisë së veriut e kishin pranuar, ndonëse nuk e shihnin të gjithë në të njëjtën mënyrë. Një komision i posaçëm ishte dërguar në Stamboll nga ana e Lidhjes, për t'i kërkuar Portës së Lartë bashkimin e të katër vilajetevet me shkollat dhe administratën në gjuhën shqipe. Këtyre kërkesave, që kishin filluar qysh në prendverën e vitit 1877, Porta e Lartë s'iu jepte pothuajse asnjë përgjigje dhe punonte fshehtazi për t'i përçarë Shqiptarët përsa i përkiste kësaj ideje, duke përdorur si vegla turkomanët, çifligarët dhe një pjesë të klerit mysliman.
Kërkesat shqiptare për autominë pështetëshin tani tek Neni 23 i Traktatit të Berlinit, i cili e detyronte Turqinë që të zbatonte për Kretën rregulloren e autonomisë të parashikuar më 1868 dhe të formonte komisione të veçanta, me pjesëmarrjen e vendasvet, për t'iu siguruar krahinave të tjera n'Evropë, sipas nevojavet të secilës, nga një rregullore te përshtatshme administrative.
Kongresi i Berlinit ishte treguar i pashpirt kundrejt Shqiptarëvet duke mos i përfillur fare si komb dhe duke e shikuar Shqipërinë si një krahinë thjeshtësisht gjeografike. E vetëmja çështje që u përmend në Kongres në lidhje me Shqipërinë, ishte ajo e "privilegjeve të Mirditës". Edhe kjo u shtyt nga Austria por u përkrah nga Franca, dy shtete me "ndjenja" katolike fort të zjarrta kur ishte puna për të siguruar ndonjë bazë ndërhyrjeje të mëtejshme. Se pikërisht ky ishte qëllimi i Austrisë, t'a kishte Mirditën si një bazë ndërhyrjesh të mëvonshme për llogaritë e saja. Përfaqësia turke e kundërshtoi këtë propozim, por më në fund u shpreh se "Porta e Lartë nuk mendonte hëpërhë të bënte ndonjë ndryshim në gjendjen e malësisë së Mirditës", e cila gëzonte disa të drejta.
Nga të huajtë që e njihnin mirë përbërjen ethnike të Ballkanit, vetëm ndonjë i rrallë mendonte dhe fliste siç ishte e vërteta. Ambasadori i Anglisë në Stamboll, Goschen, e kishte kuptuar se lëvizja shqiptare nuk ishte një manevër e drejtuar prej Turqvet. Në një raport që i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtëme, në Londër, thoshte: "Po të krijohej një Shqipëri e fortë, pakësohëshin edhe shkaqet që mund të gjente ndonjë fuqi e jashtëme për pushtime tokash në rast se do të shkatërrohej Perandoria Otomane. Një Shqipëri e bashkuar do t'ia priste rrugën çdo hyrjeje nga veriu, dhe gadishulli ballkanik do të mbetej në zotërim të racavet që e banojnë ... Mendoj se, për aq sa do të mëkëmbej kombësia shqiptare, do të zvogëlohëshin edhe mundësitë e një ndërhyrjeje evropiane në gadishullin ballkanik". Në një letër tjetër që i drejtonte ministrit të Punëve të Jashtme, Lordit Granville, ambasadori Goschen thoshte se Shqiptarët ishin një racë e vjetër, që dallohëshin nga çdo pikëpamje prej racavet fqinjë, dhe se po shikonin me hidhërim që të drejtat e tyre si komb qenë shkelur, toka të banuara prej tyre u qenë dhënë shtetevet që përkrahëshin nga fuqitë e mëdha. etj. Shtonte gjithashtu se nuk duhej penguar bashkimi i krahinavet shqiptare në një tërësi autonome, se çështja e kufijve të Turqisë me Greqinë dhe Malin-e-Zi nuk mund të zgidhej pa luftime po të mos kënaqëshin edhe dëshirat e ligjeshme të Shqiptarëvet, se kombësia shqiptare ishte një element që s'duhej lënë jashtë në çdo rregullim t'ardhshëm politik. Sipas mendimit të Goschen-it, krijimi i një Shqipërie të vërtetë mund t'a zgidhte problemin e Lindjes, se nuk do të linte shtek të hapët për një ndërhyrje të Rusisë ose t'Austro-Hungarisë në Ballkan.
Mendimet e ambasadorit Goschen patën filluar t'i hynin në kokë edhe Kryeministrit liberal britanik, Gladstone, i cili erdhi në fuqi më 1880, pas qeverisë së Lordit Beaconsfield. Gladstone-i e pati përmendur mundësinë e krijimit të një Shqipërie të pavarur ose autonome, e cila do të shtrihej nga juga gjer në lumin Kallama t'Epirit. Sikur t'a kishte pasur edhe Austro-Hungaria atë mendim, Shqipëria do të kishte dalë ndoshta si një shtet i pavarur ose autonom që atëhere. Por Austro-Hungaria nuk donte n'atë kohë formimin e një shteti shqiptar, i cili mund t'i delte nga dora dhe të hynte nën mprojtjen e tjetërkujt, gjersa ajo s'i kishte bërë akoma të sajat Bosnjën dhe Herzegovinën. Prandaj u interesua vetëm për qarkun e Shkodrës, ku mendonte se mund të formonte një bazë me Shqiptarët katolikë. Kurse pjesët e tjera të Shqipërisë, sipas politikës austriake t'asaj kohe, duhej të mbetëshin nën Turqinë, si një rezervë për zgjerimin e mëvonshëm t'Austro-Hungarisë. Kjo u kuptua haptazi në verën e vitit 1880, kur E. Fitzmaurice përfaqësonjësi anglez në Komisionin e Rumelisë Lindore caktuar nga Traktati i Berlinit, propozoi krijimin e një Shqipërie të madhe që të përmblidhte tokat e të katër vilajetevet të banuara prej Shqiptarëvet. Këtë propozim, përveç të tjerëvet, nuk e përkrahu as Austro-Hungaria.
Kundërshtimi i Shqiptarëvet kishte penguar që të zbatoheshin pikë për pikë vendimet e Berlinit. Mali-i-Zi kërkonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë, dhe pregatiti ushtërinë për t'i pushtuar me forcë nëqoftëse nuk do t'i jepeshin gjer në Dhjetor 1879. Po edhe Shqiptarët nga anë e tyre mblodhën një fuqi prej 8.000 vetash nën kumandën e Ali Pashë Gucisë, për t'i bërë ballë rrezikut. Mareshali turk Myftar Pasha, i ngarkuar për dorëzimin e atyre krahinave, nuk mundi, nga frika e një përpjekjeje me Shqiptarët. Mali-i-Zi i dha urdhër ushtërisë që t'i pushtonte. Shqiptarët i vunë pushkën, dhe mbas disa luftimeve të përgjakshme ushtiria malazeze prej 12.000 vetash u thye. Këto ngjarje kishin çuar peshë tërë Shqipërinë, e cila e ndjente tani si pjesë të sajnë çdo çip t'atdheut.
Diplomacia evropiane u vu prapë në lëvizje për t'i gjetur një zbërthim këtij problemi. Rusia propozoi që t'i jepej Malit-të-Zi një copë nga Herzegovina, por këtë mendim e kundërshtoi Austro-Hungaria, e cila e donte për vehte Herzegovinën. Atëhere, me pështëllitjen e Portës së Lartë, përfaqësonjësi Italian Kont Corti propozoi që t'i jepëshin Malit-të-Zi, në vend të Plavës dhe Gucisë që banohëshin prej Shqiptarësh myslimanë, Hoti, Gruda dhe Kelmendi që banohëshin prej Shqiptarësh në shumicë katolikë. Mendimi ishte se këta nuk do t'a kundërshtonin bashkimin me Malin-e-Zi të krishter. Ky propozim u pranua dhe u nënshkrua prej Turqisë dhe Malit-të-Zi më 12 Prill 1880. Por Shqiptarët e hodhën poshtë me përbuzje. Myslimanë e Katolikë u treguan më të bashkuar se kurrë për të mprojtur truallin e tyre stërgjyshor dhe për t'ua prerë shkurt intrigavet të jashtëme qe kërkonin t'i ndanin nga ana fetare. Kjo qyshkë e shtoi zemërimin kundrejt Portës së Lartë që po i përdorte krahinat shqiptare si plaçkë tregu dhe forcoi radhët e atdhetarëvet që kërkonin autonominë. Në degët e Lidhjes së Prizrendit, sidomos në Gjakovë, po delnin në krye njerëzit e fortë duke i mënjanuar turkomanët dhe feudalët e lëkundshëm.
Në fillim të Prillit 1880, u bë një mbledhje e madhe në Shkodër, ku muarën pjesë krerët e qytetit dhe të malësivet. U zgjodh një Komitet i Mprojtjes prej dymbëdhjetë vetash, myslimanë e katolikë, me kryetar Hodo Beg Sokolin dhe nënkryetar Prenk Bib Dodën. Komiteti i Shkodrës u vu në lidhje me qytetet e Kosovës, me të gjitha malësitë e veriut dhe me krahinat e largme të Shqipërisë duke iu bërë thirrje për vullnetarë.
Kur më 22 Prill 1880, sipas marrëveshjes, ushtëria turke u tërhoq prej Hotit, Grudës dhe Kelmendit për t'ia lëshuar Malit-të-Zi, forcat shqiptare ishin gati dhe i zunë ato vende. Kur ushtëria malazeze, e kumanduar prej Mark Milanit, provoi të kalonte kufirin, malësorët e pritën tek Ura e Rrzhanicës edhe i ranë. Pas disa humbjeve, Malazeztë u prapsën dhe u tërhoqën në Podgoricë. Kjo fitore e dytë e Shqiptarëvet i bëri fuqitë e mëdha t'a kuptonin mirë se Lidhja Shqiptare ishte një forcë e vërtetë me të cilën duhej llogaritur, dhe jo një krijesë e Turqisë, siç e kishin pandehur më përpara. Komiteti i Shkodrës mori në dorë pothuajse qeverimin e vendit dhe zuri t'i mblidhte ai taksa e të dhjeta. Dërgoi njerëz deri në Manastir, Vlorë, Gjirokastër, Janinë e Prevezë për të mbledhur ndihma në të holla, të cilat nevojitëshin për të mbajtur ushtërinë. Pas tërheqjes së Malazezvet, forcat shqiptare rreth 12.000 vetash u grumbulluan në Tuz dhe zunë anën e majtë të lumit Cem.
Pritej tani se ç'do të bënin fuqitë e mëdha, të cilavet Komiteti i Shkodrës iu drejtoi një memorandum për të protestuar përsëri kundër copëtimit të krahinavet shqiptare dhe për të kërkuar që t'i njihëshin edhe Shqipërisë ato të drejta që iu ishin njohur popujve të tjerë. Mbasi n'Angli kishte ardhur në fuqi një qeveri liberale me W.E. Gladstone-in kryeministër, Komiteti i Shkodrës i dërgoi edhe këtij një telegram duke i kërkuar që të zbatohej edhe për Shqipërinë parimi i kombësivet.
Ndërsa në veri qëndronte i hapur kundërshtimi i kufijvet me Malin-e-Zi, në jugë mori përseri valë çështja e Epirit. Bisedimet e ndërprera greko-turke u rifilluan në Stamboll më 23 Gusht 1879, me ndërmjetësinë e ambasadorëvet të fuqivet të mëdha, edhe vazhduan disa muaj por nuk dhanë asnjë përfundim. Grekët nisën kërcënimet me anën e çetavet, disa nga të cilat zbritën edhe në Himarë, por u shtrënguan të largohëshin shpejt. Në gjysmën e Qërshorit 1880, me propozimin e Anglisë, u mblodh në Berlin Konferenca e Ambasadorëvet të fuqivet të mëdha për t'iu gjetur mënyrën e zbatimit vendimevet të Kongresit që kishin mbetur varur. Aty u shikua edhe çështja e kufijvet greko-turke. Shqiptarët u çuan peshë me protesta. Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë jugore, prej Beratit gjer ne Prevezë, sikurse edhe nga Veriu, iu dërguan Konferencës telegrame për të mos i lëshuar Greqisë toka shqiptare. Një protestë i drejtoi edhe Komiteti Qendror i Stambollit, në të cilën kërkonte që fqinjët të hiqnin dore nga synimet dhe rrëmbimet kundrejt vendit tonë. Konferenca, e Ambasadorëvet mendoi t'a ndante çështjen duke i propozuar Greqisë gjysmën e Çamërisë, të cilën ajo e pranoi menjëherë, por Turqia nguli këmbë që s'mund t'ia lëshonte mbasi kjo krahinë banohej prej Shqiptarësh dhe këta nuk shtrohëshin pa luftë. Ministri i Punëve të Jashtëme të Turqisë, Abedin Pashë Dino, të cilin Sulltani e pat emëruar me qëllim n'atë kohë, ishte vetë Shqiptar prej Çamërie dhe bëri një kundërshtim të rreptë. Shqiptarët e mbajnë vehten si një racë e veçantë dhe jo më pak e rëndësishme nga kombësitë e tjera të Perandorisë, shtonte nota turke, dhe Janinën e kanë shikuar gjithmonë si kryeqytetin e Shqipërisë jugore. Prova ishte se edhe Waddington-i vetë, ministri frëng i Punëve të Jashtëme, kishte ndërruar mendim duke e përjashtuar Janinën dhe Çamërinë prej vëndevet që i duhëshin dhënë Greqisë, sepse parashikonte ngatërresat që mund të delnin nga qëndresa e mirënjohur e Shqiptarëvet.
Mbasi Konferenca e Ambasadorëvet nuk mori dot ndonjë vendim detyronjës kundrejt Turqisë, Grekët provuan përsëri të vepronin gjoja me anën e forcës dhe shkarkuan armë në disa pika t'Epirit për t'organizuar çeta. Shqiptarët nuk u trembën nga këto profka dhe filluan të pregatitëshin për luftë. U bënë mbledhje në shumë qendra, prej Beratit gjer në Janinë, dhe populli u tregua i vendosur për qëndresë. U pregatitën listat për forcat që do të çohëshin më këmbë, të cilat parashihej t'arrinin në 70.000 veta. U caktuan kumandarët. Abdyl Frashëri ishte vazhdimisht në lëvizje për të bindur turkomanët e lëkundshëm se Grekëve iu duhej qëndruar edhe kundër vullnetit të Turqisë, nëqoftëse kjo do të shtrëngohej prej fuqive të mëdha që të lëshonte pjesë t'Epirit. Të këtij mendimi ishin edhe baballarët bektashinj, që po e shtynin popullin për qëndresë. Orthodoksit, për të cilët nuk parashihej që të shkonin në luftë, do të ndihmonin me të holla. Disa prej tyre, si Petro Meksi dhe Vasil Hidua nga Gjirokastra, Mihal Haritua nga Zagoria, Dhimitër Kolea nga Berati, Llazaraq Luivano nga Përmeti etj., u treguan antarë të gjallë të Lidhjes. Natyrisht, Abdyl Frashëri me shokë s'bënin dallim ndërmjet Myslimanëvet dhe Orthodoksvet të cilët i shikonin të gjithë si vëllezër Shqiptarë. Edhe Komiteti i Lidhjes së Shkodrës çoi fjalë se ishte gati të dërgonte fuqi në jugë për të mprojtur vendin kundër Grekëvet, nëqoftëse ata do të kapërcenin kufijt. Kështu Lidhja Shqiptare po tregohej m'e fortë nga ushtëria turke dhe po zëvendësonte autoritetin e Portës së Lartë.
Duke parë vendosmërinë dhe gatitjen e Shqiptarëvet, Grekët nuk guxuan të shtyheshin në një ndeshje me armë, por vazhduan të kërkonin përkrahjen e fuqivet të mëdha, të cilat ishin ngatërruar keq në këtë çështje. Ambasadorët e tyre në Stamboll kërkuan përsëri nga Turqia, në Shkurt 1881, rregullimin e kufijvet me Greqinë. Qeveria turke vinte gjithnjë si arësye kundërshtimin e Shqiptarëvet. Bismarck-u bëri një propozim tjetër: që Greqisë t'i jepej Kreta në vend t'Epirit. Rusia e përkrahu këtë mendim, ndoshta sepse donte t'a shtynte Greqinë drejt ishujvet, për t'ua lënë si një fushë të hapët Sllavëvet kontinentin Ballkanik. Po edhe ky propozim u hodh poshtë. Grekët u munduan edhe një herë të ngrinin çeta, por s'bënë dot gjë. Më në fund Turqia bashkë me Konferencën e Ambasadorëvet vendosën, më 24 Maj 1881, që Greqisë t'i jepej, n'Epir, vetëm qyteti i Artës me rrethin e tij. Kështu u mbyll përkohësisht grindja e kufijvet ndërmjet Shqiptarëvet dhe Grekëvet.
Ndër mbledhjet që u bënë në Toskëri për të kundërshtuar kërkesat e Greqisë, m'e rëndësishmja ka qënë ajo e Gjirokastrës, më 23 Korrik 1880, në të cilën muarën pjesë përfaqësonjës nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga juga e nga veriu, Myslimanë e të Krishterë, si në një kuvend të përgjithshëm kombëtar. Mbledhja u organizua me përpjekjet e Abdyl Frashërit, i cili parashtroi programin e autonomisë q'e kishte pregatitur nja dy vjet më parë. Sipas mendimit t'Abdylit dhe t'atdhetarëve të tjerë, tani ishte koha për t'a vënë në zbatim, se Turqia ndodhej në një gjendje aq të vështirë sa që s'mund të ndërhynte dot ushtarakisht. Lidhja Shqiptare duhej të merrte në dorë administratën e vendit në të gjitha qytetet dhe krahinat, sepse ishte mjaft e fortë. Komiteti i Shkodrës po i mbante akoma në këmbë fuqitë e armatosura; në veri ishte dhënë prova e vepërimit kundër Turqvet. Mirëpo një pjesë e antarëvet të mbledhjes, çifligarë të frikshëm ose turkomanë të lëkundshëm, megjithëse e pranonin kërkimin e autonomisë, nuk ishin të mendimit për një vepërim të shpejtë. Sipas këtyre, duhej pritur një kohë m'e volitshme. Kështu u çfaqën të dy rrymat. Por më në fund, me përpjekjen e atdhetarëvet, mbledhja mori vendimin që programi i autonomisë të vihej menjëherë në zbatim porsa tokat shqiptare të sulmohëshin prej ndonjë armiku nga veriu ose nga juga. U vendos gjithashtu që të shkonin fuqi prej veriut në jugë ose prej jugës në veri, sipas rrezikut dhe nevojavet që do të paraqitëshin. Ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm për bashkimin kombëtar. Në zhvillimin e mëvonshëm të ngjarjevet, Sami Frashëri i shkruante De Radës një letër nga Stambolli, më 20 të Shkurtit 1881, ku, përveç të tjeravet, e lajmëronte me gëzim se dhjetë mijë Shqiptarë t'armatosur ishin gati të shkonin prej veriut në jugë. Ky ishte m'i bukuri sihariq n'atë kohë.
Mbledhja e Gjirokastrës shënon një datë historike në lëvizjen kombëtare, sepse aty u përfaqësua dhe u bashkua e tërë Shqipëria për të kërkuar autonominë. Disa krahina të veriut që s'mundën të dërgonin njerëz, e dhanë pëlqimin e tyre me telegrame.
Deri atëhere Perandoria Otomane kishte përdorur të gjitha rnjetet për t'i mbajtur Shqiptarët të ndarë e të përçarë, që t'i sundonte më lehtë dhe ata t'i shërbenin si një forcë ushtarake, pa lidhje midis tyre. Shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara, për të mos zgjuar vetëdijën kombëtare. Myslimanët duhej të ndiqnin shkollat turqishte dhe Orthodoksit shkollat greke. Tokat dhe popullsia e Shqipërisë ndahëshin në katër vilajete, ku zakonisht qeveritarët e lartë ishin turq. Në këto kondita, çdo bashkim ishte i pamundur. Dekreti i vitit 1856 (Hat-i Humajun) që iu njihte të drejtën e arësimit në gjuhën e tyre gjithë popujve të Perandorisë, nuk u zbatua për Shqiptarët. Kjo donte të thoshte se këta nuk shikohëshin si një komb, por si myslimanë ose të krishterë (si Turq ose si Grekë). Shqiptarët e mësuar e dinin dhe e shihnin se ç'ngjante n'Evropën e atëhershme dhe tek popujt ballkanas. E kuptonin gjithashtu se Perandoria Otomane do të përmbysej një ditë, e cila nuk ishte fort e largët. Nuk donin që të varrosej edhe Shqipëria në gërmadhat e asaj. Prandaj e mendonin edhe e donin megjithëshpirt pavarësinë kombëtare, por kjo nuk mund t'arrihej menjëherë: duhej kaluar nëpër autonominë brenda kuadrit të Perandorisë Otomane, ashtu siç kishin bërë Serbët, Rumunët dhe po bënin Bullgarët, të cilët patën dalë me parë si principata autonome të varura nga Sulltani. Ky ishte qëllimi i memorandumit që mbledhja e krerëve të Shqipërisë jugore, në Janinë, i pati drejtuar Portës, që në prendverën e vitit 1877, duke lypur bashkimin e të gjitha tokavet shqiptare në një vilajet të vetëm, me shkollat, administratën dhe gjyqet në gjuhën shqipe.
Programi i autonomisë (ose i vetqeverisjes) shqiptare, i hartuar në Frashër, i pëlqyer nga Komiteti Qendror i Stambollit, i pranuar prej një mbledhjeje të mëparshme në Prizrend, dhe që u vendos më në fund në Gjirokastër, parashihte bashkimin e të katër vilajetevet (i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës) në një tërësi të vetëme që do të quhej "Shqipëri" dhe do të kishte për kryeqytet Ohrin. Të gjithë Shqiptarët, pa dallim feje a krahine, do të kishin të drejta të barabarta dhe do të mësonin në shkolla shqipe, në gjuhën amtare, e cila do t'ishte edhe gjuha zyrtare. Pjesa m'e madhe e t'ardhuravet do të prishej për zhvillimin dhe rindërtimin e vendit. Administrata, gjyqet, arësimi, financat, ushtëria do t'ishin në duart e Shqiptarëvet. Vetëm qeveritari i përgjithshëm i Shqipërisë do t'emërohej prej Sulltanit. Shqipëria nuk do të kishte detyrim tjetër kundrejt Portës së Lartë veçse pagesën e një tributi të përvitshëm dhe ndihmën ushtarake në raste lufte. Natyrisht, në të gjitha shkallët e administratës dhe t'ushtërisë të Krishterët do të merrnin pjesë me të njëjtat të drejta si Myslimanët dhe barasia midis fevet do t'ishte e plotë.
Autonomia (ose vetqeverisja) do t'ishte çapi i parë drejt pavarësisë kombëtare. Gjatë kohës që do të vazhdonte autonomia, do të krijohëshin forcat e duhura, ngritja e kulturës, bashkimi shpirtëror, lidhjet e brendëshme dhe të jashtëme për t'a bërë Shqipërinë shtet të pavarur.
Rasti për t'a vënë në zbatim programin e autonomisë, siç kishte vendosur mbledhja e Gjirokastrës, erdhi menjëherë kur Turqia, e shtrënguar prej Fuqive të mëdha, pranoi t'i lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin në vend të Hotit dhe të Grudës.
Fuqitë e mëdha, sidomos Anglia dhe Austro-Hungaria, kishin interes t'i mbyllnin sa më shpejt grindjet e hapura në Ballkan nga Traktati i Berlinit, për të mos shkaktuar ndërlikime të tjera. Austro-Hungaria donte që të shuhëshin sa më parë dy vatrat e lëvizjes shqiptare në Shkodër e në Kosovë, të cilat ishin shumë afër Bosnjës dhe Herzegovinës ku iu ndihej afshi. Përpara se të mblidhej në Berlin Konferenca e Ambasadorëvet më 16 Qërshor 1880, Konsulli i Anglisë në Shkodër, Green, dhe ai i Austro-Hungarisë, Lippich, kishin bërë një plan për t'i dhënë Malit-të-Zi, në vend të Hotit e të Grudës që s'i mori dot, një krahinë tjetër ndërmjet liqenit të Shkodrës dhe detit Adriatik, e cila të përfshinte Ulqinin dhe rrethin e tij gjer te gryka e Buenës. Për të qetësuar Shkodrën dhe malësitë, agjentët anglezë e austriakë iu premtuan autonominë vilajetit të Shkodrës dhe privilegje malësivet katolike. Njëkohësisht Austria filloi nga intrigat fetare dhe ndonjë pagesë bajraktarëvet, duke u munduar të ndante Katolikët prej Myslimanëvet. Fuqitë e mëdha e pranuan planin e dy konsujvet dhe, më 26 Qërshor, i propozuan Portës së Lartë që t'i lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin me rrethet dhe të gjente mënyrën për t'i dhënë një farë autonomie vilajetit të Shkodrës. Kryeministri britanik Gladstone, me një cinizëm të neveritshëm, e përdori lëvizjen e Shqiptarëvet si një mjet shtrëngimi kundrejt Sulltanit, duke i lënë të kuptonte qeverisë turke se Anglia i dinte dhe mund t'i përkrahte "dëshirat e nxehta të Shqipërisë për autonomi" nëqoftëse Porta e Lartë nuk i lëshonte Malit-të-Zi Ulqinin. Humbja e këtij limani të rëndësishëm, që vinte në rrezik edhe sigurimin e Shkodrës, ishte e dëmshme për Turqinë, por sidomos një gjymtim i rëndë për Shqipërinë. Shkodra ishte fort e lidhur me Ulqinin, prandaj, me gjithë intrigat e Austrisë dhe qëndrimin e lëkundshëm të disave, të shumtët e Shkodranëvet u treguan të vendosur që t'a mpronin me armë dhe iu drejtuan ambasadorëvet në Konfereneën e Berlinit një protestë të rreptë; në-të cilën shtonin se Ulqini, në duart e Malit-të-Zi, do t'i vlente si një bazë Rusisë për pushtime të mëtejshme. Degët e Lidhjes n'Ulqin e në Shkodër po pregatitëshin për qëndresë, e iu bënë thirrje për ndihmë krahinavet të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë.
Fuqitë e mëdha i drejtuan Portës së Lartë tri nota njërën pas tjetrës dhe i kërkonin përgjigjen deri më 23 Gusht 1880. Njëkohësisht vendosën të bënin një demonstratë me luftanijet e tyre përpara bregdetit shqiptar për të trembur njëheresh Shqiptarët dhe Turqinë. Porta e Lartë nuk po tundej prej këtyre kërcënimeve dhe vinte gjithnjëj përpara si arësye kundërshtimin e Shqiptarëvet. Sipas dëshmive t'ambasadorëvet të Francës, të Gjermanisë dhe t'Austro-Hungarisë në Stamboll, n'atë kohë, Porta nuk ishte në gjendje të bënte gjë kundër vullnetit të Lidhjes Shqiptare dhe druante më tepër kryengritjen e Shqiptarëvet se sa demonstratën e flotës ndërkombëtare. Në Javën e parë të Shtatorit, një skuadër luftanijesh ndërkombëtare, nën kumandën e admiralit anglez B. Seymour, kaloi përpara bregdetit shqiptar dhe u mblodh në Dubrovnik. Porsa u muar vesh kjo Ulqinakët iu dërguan një protestë fuqivet të mëdha, ku iu thoshin që s'i lidhte asgjë me Malin-e-Zi, të cilit nuk do t'i shtrohëshin kurrë për pa u zhdukur me gjithë qytetin nga faqja e dheut. Shkodra dërgoi menjëherë fuqi t'armatosura, të cilat zunë kodrat përmbi Ulqin dhe u vunë të hapnin llogore. Në të njëjtën kohë po vinin vullnetarë nga malësitë e veriut dhe nga Kosova. Turqia, e shtrënguar, dërgoi në Gusht Riza Pashën në Shkodër, me urdhër që t'ia dorëzonte Ulqinin Malit-të-Zi por mundësisht pa ardhur në përpjekje me Shqiptarët. Porta e Lartë donte t'a përdorte akoma Lidhjen Shqiptare si një fuqi, sidomos kundrejt Greqisë, ku Turqia rrezikohej të humbiste një pjesë të mirë të vendit. Prandaj u përpoq të përçante vetëm Shkodrën me malësitë duke paguar edhe të holla djathtas e majtas. Të njëjtën gjë vazhdonin agjentët e Austrisë dhe t'Anglisë duke i premtuar vilajetit të Shkodrës autonominë. Riza Pasha, i zënë ngushtë prej Shqiptarëvet, jo vetëm që s'bëri dot gjë për dorëzimin e Ulqinit, por e shpalli se do t'iu binte Malazezvet nëqoftëse ata do të provonin të hynin në qytet. Kjo sjellje e Riza Pashës bëri bujë, se dukej sikur Turqia punonte me dy faqe. Shtypi rus u çua kundër Shqipërisë. Më 28 Shtator, flota ndërkombëtare me 20 anije lufte dhe 138 topa u duk n'ujrat e Ulqinit. Kumandari i saj e kishte bërë planin e demonstratës dhe të pushtimit të qytetit, por fuqitë e mëdha donin që Ulqini te dorëzohej prej vetë Turqisë. "Është një nder i madh për qytetin tonë të vogël që të sulmohet nga flota ndërkombëtare, shpallën Ulqinakët, por ne do të qëndrojmë gjer në fund". Fuqitë e mëdha kishin rënë ngushtë sepse, edhe sikur t'ia dorëzonin Ulqinin Malit-të-Zi, ai s'ishte i zoti t'a mbante përsa kohë që Lidhja Shqiptare qëndronte në këmbë. Shqipëria e bashkuar ishte shumë m'e fortë nga Mali-i-Zi. Një mendim i Anglezëvet, që kumandari i flotës të merrej vesh drejtpërdrejt me udhëheqësit shqiptarë, u kundërshtua prej Austrisë, e cila nuk donte që Lidhja Shqiptare të njihej tërthorazi si një përfaqësi zyrtare prej fuqive të mëdha. Kryeministri i Anglisë, Gladstone, si një nga mundësitë e zgidhjes së problemit pati parashikuar që "fundi i fundit t'i jepej Shqipërisë deri në lumin Kallama një formë pavarësie". Por qeveria britanike vendosi, më 30 Shtator, t'iu propozonte fuqive të tjera që flota ndërkombëtare të pushtonte Izmirin, nëqoftëse Turqia nuk i shtronte nënshtetasit e saj (Shqiptarët) për t'i lëshuar Ulqinin Malit-të-Zi.
Frika e pushtimit t'Izmirit, ku nxirëshin t'ardhurat doganore më të mëdha të Perandorisë, e bindi Turqinë se çështja e Ulqinit s'mund të vazhdonte më gjatë, dhe u përgjigj se do të merrte masat për t'a dorëzuar menjëherë. Ia ngarkoi atë barrë Dervish Turgut Pashës, të cilin e nisi për në Shqipëri me 13.000 ushtarë dhe me artileri fushore. Njëkohësisht Sulltani largoi nga Ministria e Punëve të Jashtëme Abedin Pashë Dinon, i cili, si Shqiptar, e kishte hequr xvarrë çështjen e Ulqinit. Këtë radhë Porta e Lartë vendosi t'a shtypte Lidhjen Shqiptare dhe vuri në lëvizje agjentët e saj në Shqipëri.
Sipas vendimevet që ishin marrë në mbledhjen e Gjirokastrës, atdhetarët menduan se tani kishte ardhur koha për t'a vënë në zbatim me forcë programin e autonomisë. Prandaj thirrën një kuvend në Dibër, më 20 të Tetorit, ku përveç atdhetarëvet, kishin ardhur shumë feudalë e turkomanë nga Shqipëria e Mesme dhe e Veriut. Këtu dolli sheshit mosmarrëveshja ndërmjet atyre që kërkonin autonominë e Shqipërisë me çdo kusht dhe të tjerëvet që s'donin të ndahëshin nga Turqia. Besnikët e autonomisë propozuan që kjo të shpallej menjëherë, që të çohëshin më këmbë të gjitha forcat e vendit për t'iu rënë ushtërivet turke në Shkodër e n'Ulqin dhe për t'iu prerë rrugën atyreve që po vinin me Dervish Turgut Pashën. Por mbledhja u ça më dysh: në krye t'autonomistëvet qëndronin Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë Dibra dhe Hasan Pashë Tetova. Kurse anën e mosndarjes nga Turqia e kryesonin Sadik Pashë Dibra dhe Xhemal Pashë Zogolli nga Mati. Këta kundërshtonin edhe dërgimin e fuqivet për të mprojtur Ulqinin, edhe shpalljen e autonomisë. Nuk donin të prishnin interesat e tyre me Turqinë, tani që ajo kishte vendosur t'ia lëshonte Ulqinin Malit-të-Zi. Çështja u vu në votë, por turkomanët fituan shumicën. Megjithatë, ana e besnikëvet të Lidhjes mori një vendim të prerë, në të cilin kërkonte autonominë e Shqipërisë, dhe e dërgoi në Stamboll me një përfaqësonjës. Nëqoftëse Porta e Lartë nuk do t'ua jepte Shqiptarëvet autonominë, ata do t'a shpallnin vetë-thoshte vendimi.
Sidoqoftë, përçarja në mbledhjen e Dibrës e dobësoi Lidhjen Shqiptare, e la të lirë ardhjen e Dervish Pashës me një ushtëri të re, i theu guximin Shkodrës dhe e bëri të mundshëm dorëzimin e Ulqinit.
Mareshali Dervish Turgut Pasha arriti në Shkodër në fillim të Nëntorit, i veshur me fuqi të plota, dhe mori nën kumandën e tij trupat e Riza Pashës. Njoftoi se Ulqini do të dorëzohej, e i dha urdhër Komitetit Shqiptar të Shkodrës që të hiqte vullnetarët dhe të shpërndahej. Ngjarjet në mbledhjen e Dibrës e kishin tronditur moralin e Shkodranëvet. Një pjesë e vullnetarëvet kishte filluar t'ikte. Agjentët e Austrisë ishin munduar t'a mënjanonin Prenk Bib Dodën. Dervish Pasha nisi t'afronte Hodo Begun, i cili në këtë kohë ishte bërë pashë. Megjithëse gjendja dukej e çthurur dhe vendimi i Portës i pakthyershem, Ulqinakët dhe shumica e Shkodranëvet ishin të vendosur për qëndresë. Një Komitet i ri u formua në Shkodër, prej myslimanësh dhe katolikësh, i cili jo vetëm nuk i luajti nga kodrat e Ulqinit fuqitë e armatosura që kumandohësnin prej Isuf Sokolit, por filloi të dërgonte te tjera. Kurse Mehmet Gjyli dhe Mehmet Beci nga Ulqini kumandonin vullnetarët e atij qyteti. Myderrizi Sali Hylja ua shpalli botërisht Shkodranëvet myslimanë se, sipas fesë islame, nuk ishte mëkat por detyrë e shënjtë që të luftonin për mprojtjen e atdheut edhe kundër Sulltanit-Kalif. Në një telegram që iu dërgonin konsujve të fuqive të mëdha në Shkodër, Ulqinakët e tregonin çiltas se do të luftonin edhe kundër Turqvet. "...Kemi vendosur të gjithë, pa dallim feje, të qëndrojmë me armë në dorë kundër kujtdo, mysliman a çfarëdo qoftë, për të mprojtur qytetin tonë...".
Fuqitë turke u vunë në lëvizje drejt Ulqinit më 20 Nëntor. Më 22, u nis Dervish Pasha vetë me pjesën më të madhe t'ushtërisë duke shkuar nëpër grykën e Mozhurës. Por aty ndeshi në forcat shqiptare që hapën zjarr kundër Turqvet. Përpjekja m'e ashpër u bë afër katundit Kleshë, ku mbetën mjaft të vrarë nga të dy anët. U plagos rëndë edhe kumandari i Shkodranëvet, Isuf Sokoli, i cili vdiq mbas pak ditësh. Pas ngjarjevet të Gjakovës, kjo ishte e dyta herë që Lidhja Shqiptare po gjakosej me Turqit. Me fuqitë e shumta dhe me artilerinë Dervish Pasha e theu qëndresën e pak mijave vullnetarësh, hyri n'Ulqin dhe ia dorëzoi qytetin Malit-të-Zi, në fund të Nëntorit 1880.
Pastaj Dervish Pasha u vu të shkatërronte Komitetin e Shkodrës, që ishte degë e Lidhjes së Prizrendit. duke kapur disa nga krerët më të rëndësishëm, sidomos Hodo Pashën dhe Prenk Bib Dodën, të cilët i dërgoi në mërgim sepse nuk iu besonte më.
Me dorëzimin e Ulqinit, që kishte mbajtur në lëvizje fuqitë e mëdha gjatë pesë muajve, mori fund për n'atë kohë çështja e kufijvet me Malin-e-Zi. Po kur u përcaktua vija kufizore, e cila ishte shënuar prej Traktatit të Berlinit pa asnjë kriter ethnik e topografik, malësorët e Kastratit, të Hotit, të Grudës dhe të Shkrelit u përpoqën përsëri me armë kundër Malazezvet, në Maj 1883, për të mprojtur caqet e tyre përpara Komisionit ndërkombëtar.
Humbja e Ulqinit e tronditi thellësisht Lidhjen Shqiptare. U kuptua se një pjesë e feudalëvet të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut si edhe një pjesë e klerit mysliman kishin qënë për mprojtjen e kufijvet përsa kohë që ky vepërim përputhej edhe me interesat e Turqisë. Po kur e panë se me Turqinë duhëshin ndarë punët njëherë e mirë, nuk deshën t'arrinin deri në shkëputje. Kështu dolli në shesh përçarja e brendëshme ndërmjet atdhetarëvet dhe turkomanëvet. Këta të fundit kishin interes pozitash dhe çifligjesh - ose edhe çështje ndjenjash - që të qëndronin të lidhur me Turqinë. Kjo çarje shkaktoi humbjen e Ulqinit të cilin Shqiptarët, sikur të kishin qënë të bashkuar, edhe mund t'a kishin mprojtur. Deri Hodo Pasha dhe Prenk Bib Doda, në çastin e fundit, u treguan të ftohur dhe të mënjanuar.
Atdhetarët, të pështetur në masat më të zhvilluara të popullit, e shpallën haptas se tani duhëshin qëruar llogaritë me Turqinë, e cila as pati qënë e zonja të mpronte tokat e Shqipërisë, as kishte ndër mend t'i jepte kësaj autonominë, me gjithë kërkesat dhe thirrjet që i kishin vajtur ngado. Porta e Lartë s'iu ishte përgjigjur kurrë atyre thirrjeve. S'donte mend të kuptohej se pa forcë nuk mund të merrej asgjë. Lidhja duhej të përfitonte tani nga zemërimi i masavet dhe të hidhej menjëherë në vepërim për autonominë e Shqipërisë. Pikësëpari duhej ndërruar Komiteti Qendror i Prizrendit duke nxjerrë jashtë feudalët turkomanë për t'a marrë drejtimin në dorë atdhetarët e vendosur. Dhe ashtu u bë. Në Krye të Lidhjes u vunë myderriz Ymer Efendi Prizrendi, Sulejman Vokshi prej Gjakove, Shuaip Agë Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Këta iu përveshën pregatitjes për luftë. Lidhja e pati përzënë mytesarrifin turk të Prizrendit, Ahmet Hilmi Pashën, me gjithë nëpunësit e tij dhe i zëvendësoi me Shqiptarë. Po ashtu bëri në Pejë, Gjakovë, Kaçanik e në shumë qytete të Kosovës, ku Shqiptarët muarën në dorë administratën dhe gjyqet. Nëpër këto vende u dha lajmi që të rrinin gati të gjithë burrat gjer në moshën 70 vjeç për të rrokur armët në rast se do të vinte kundër tyre ndonjë ushtëri turke. Një fuqi e armatosur e Lidhjes, nën kumandën e Sulejman Vokshit, hyri në Shkup më 4 të Jenarit 1881 dhe mori në dorë qeverimin e vendit. Më 10 Jenar Shqiptarët i dhanë urdhër shoqërisë austriake të hekurudhës, në Shkup, që të mos transportonte ushtëri turke as municione prej ose për në Mitrovicë e qendra të tjera. Pas Shkupit, Sulejman Vokshi zuri Prishtinën, më 18 Jenar, dhe Mitrovicën, më 25 t'atij muaji, duke arritur deri në Novi-Pazar. Prishtina ishte n'atë kohë qendra e vilajetit të Kosovës (përpara se të bëhej Shkupi), dhe valiu turk e lëshoi vendin e u nis për në Stamboll. Qytetet rreth e qark, Vuciterni, Gjilani, Kumanova, ranë pa kundërshtim në duart e Lidhjes Shqiptare.
Në Dhjetor 1880, Abdyl Frashëri mundi t'ikte fshehurazi nga Stambolli ku vëzhgohej prej autoritetevet, dolli në Sarandë dhe arriti në Dibër me disa përfaqësonjës të Shqipërisë së jugës, duke ndjekur udhën për në Prizrend. Desh të drejtonte qeverinë e Lidhjes dhe t'a shtynte për të shpallur zyrtarisht autonominë e Shqipërisë. Por në Dibër turkomanët i bënë një atentat ku Abdyli shpëtoi në fillt. Kjo i dha shkas zemërimit dhe ngritjes së popullit të Dibrës kundër partisë së Sadik Pashës, i cili u thye bashkë me dy batalionët turq t'ardhur nga Manastiri. Me ndihmën që iu dërgoi Lidhja, Dibranët e zotëruan gjendjen, e dëbuan mytesarrifin turk dhe u bashkuan me qendrën e Prizrendit. Po ashtu bënë edhe Gostivari, Tetova e të tjera qytete të Maqedonisë. Ndërkaq, Luma, Gjakova, Gucija, Plava, Peja, i kishin përzënë autoritetet turke. Lidhja, u përpoq të ringjallte degën e Shkodrës, e cila ishte dobësuar pas ndjekjevet dhe internimevet që bëri Dervish Pasha. Desh gjithashtu të bashkonte malësitë, si Mbishkodrën, Mirditën, Dukagjinin. Në çdo vend ku u shtri autoriteti i Lidhjes, qetësia u vu në rregull me nëpunës shqiptarë. Taksat që mblidhëshin, shpenxohëshin për administratën e re. Prej nëpunësve të vjetër turq, ata që deshën të qëndronin në vend, s'i trazonte kush. Një kujdes të veçantë i kushtoi Lidhja vëllazërimit ndërmjet fevet duke ftuar të Krishterët që të merrnin pjesë të barabartë n'administrimin e vendit.
Abdyl Frashëri, me t'arritur në Prizrend, e shtyti Lidhjen Shqiptare që të shpallej qeveri e përkohshme dhe të dërgonte fuqi të mjafta për të zënë grykat e Kaçanikut. Njëkohësisht iu çoi fjalë Shqiptarëvet, në jugë, që të pregatitëshin për të marrë në dorë vilajetin e Janinës. Megjithëse Shqiptarët e jugës kërkonin jo vetëm autonominë por mundësisht edhe pavarësinë kombëtare, lëvizja e tyre pengohej nga forcat e mëdha ushtarake që Turqia kishte grumbulluar n'Epir, mbasi grindja e kufijve me Greqinë nuk ishte mbyllur akoma. Lidhja e Prizrendit mendoi të dërgonte dhjetë mijë veta t'armatosur në jugë për të ndihmuar që edhe atje t'a merrnin në dorë Shqiptarët administrimin e vendit. Mendoi gjithashtu të thërriste një kuvend të përgjithshëm kombëtar, nga mbarimi i Marsit, për të shpallur autonominë e Shqipërisë nën mvarësinë e Sulltanit sipas programit të njohur. Nëqoftëse Porta e Lartë nuk do t'a pranonte një gjë të këtillë, atëhere kuvendi do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë duke e mprojtur me luftë.
Përpara këtyre vështirësive, Shqiptarët provuan edhe një herë të merrëshin vesh me Greqinë për një vepërim të përbashkët kundër Turqisë. Por u kuptua shpejt se Greqia desh vetëm t'i gënjente për interesat e saja dhe s'kishte kurrë ndër mend që të njihte kufijtë natyrorë të Shqipërisë.
Se çfarë përpjesëtimi dhe ç'rëndësi kishin marrë ngjarjet shqiptare n'atë kohë, kuptohet nga një letër e Sami Frashërit (për të cilën kemi folur më sipër) drejtuar De Radës, më 20 të Shkurtit 1881:
"Lidhja e Shqiptarëve, që e ka kërthizën në Prizrend, në Gegëri, ka kërkuar shumë herë që nga tre vjet e tëhu bashkimin e Shqipërisë në një provincë me autonomi; po mbretëria gjer më sot e kish gënjyer me fjalë. Këtë herë Shqiptarët e kuptuan fort mirë që mbretëria nuk do të bënjë gjë kurrë për ta, edhe Lidhja e Prizrendit ka nevojë të bashkonjë Shqipërinë e t'a bënjë një me autonomi, e mbase me shkëputje fare, pas punës. Kështu Lidhja mori emrin e kuvernës së përdorme (qeveri e përkohshme) dhe përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës dhe nga Prizrendi, nga Gjakova, nga Tetova, nga Dibra etj. 10.000 Shqiptarë të armatosur kanë zënë Ysqypnë (Shkupin) edhe udhën e hekurtë, 10.000 të tjerë po bëhen gati për t'u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri".
Ndërkaq, Porta e Lartë bënte planet e saj. Qeveria e Stambollit ishte mbledhur shumë herë për të biseduar mbi çështjen shqiptare. Në qarqet turke kishte edhe asish që mendonin t'i jepej një farë autonomie Shqipërisë e cila mund t'iu vinte kufi lakmivet të fqinjëvet dhe do të largonte koklavitje të tjera në Ballkan. Sulltan Abdul Hamiti e kishte menduar mjaft këtë punë. Druante sidomos ndonjë ndërhyrje të jashtëme në ngatërresat shqiptare. Kishte dhënë urdhër që të formohej një komision i veçantë për të studiuar çështjen e Shqipërisë dhe mundësinë e bashkimit të tokavet të saja në një vilajet të vetëm. Por pastaj ngjarjet rrodhën ndryshe. U kuptua se, pa qënë e shtrënguar me forcë, Turqia s'kishte asnjë dëshirë për t'i falur Shqipërisë autonominë.
Mareshali Dervish Turgut Pasha, i cili shikohej si një "dorë e fortë", nuk kishte fuqi të mjafta për t'a shtypur lëvizjen, prandaj u thirr në Stamboll që në Dhjetor 1880. Partizan i regjimit të përqendruar, ky i bindi qarqet turke se duhej vepëruar energjikisht dhe se e merrte vetë përsipër t'a shtronte kryengritjen shqiptare. Pregatitjet u bënë gjatë Marsit 1881. Dervish Pasha u nis me një ushtëri prej 15.000 vetash dhe me artileri. Përpara se t'arrinte ai vetë, disa reparte turke mundën të hynin me befasi në Shkup dhe të forconin garnizonin që kishte mbetur aty i paluajtur nën kumandën e Ibrahim Pashës. Mbasi Shqiptarët nuk patën kohë as mundësi t'organizonin mprojtjen e qytetit, Pashaj turk e shpërndau komitetin e Lidhjes, më 23 Mars, dhe antarët e tij i kapi e i mërgoi n'ishullin e Rhodit. Në javën e parë të Prillit ia mbërrini Dervish Pasha me ushtërinë e madhe. Me pushtimin e Shkupit, që ishte qendra hekurudhore m'e rëndësishme e Kosovës, Turqit kishin në dorë pozitën më të fortë te vendit.
Përpara se të nisej shpedita turke, Lidhja e Prizrendit iu kishte dërguar ambasadorëvet të fuqivet të mëdha, në Stamboll, një memorandum me anën e të cilit kërkonte përkrahjen e tyre, sidomos t'Austro-Hungarisë, në emër të të drejtavet njerëzore. Mbasi kujtonte humbjen e tokavet që kishte pësuar Shqipëria dhe rrezikun në të cilin ndodhej, memorandumi siguronte fuqitë e mëdha se autonomia që kërkonin Shqiptarët s'kishte tjetër qëllim veçse shpëtimin e kombësisë së tyre dhe pjesëmarrjen e lirë në qytetërimin evropian duke jetuar në paqe me fqinjët. Natyrisht, askush prej fuqivet të mëdha nuk ndërhyri pranë Portës së Lartë për Shqipërinë.
Prej Shkupit, Dervish Pasha iu bëri Shqiptarëvet një shpallje ku iu thoshte se ai kishte ardhur të shtronte vendin, se kohët ishin të rrezikshme, Turqia ishte e rrethuar me armiq, prandaj, për të mirën e përgjithshme, ai ishte i pregatitur që të shtypte pa mëshirë çdo kryengritje. Pastaj u nis për në Ferizaj, ku hyri më 16 Prill pa ndeshur në pengesa. Ushtëria e tij, ngado që shkonte, kishte një dukje tepër kërcënonjëse.
Lidhja e Prizrendit grumbulloi fuqitë e saja, nja 5.000 veta. Nuk mundi të mblidhte më shumë sepse agjentët e Turqisë, feudalë e turkomanë, kishin filluar punën e përçarjes dhe të shmangievet. Një pjesë e fuqisë, rreth 3.000 vetash, e kumanduar prej Sulejman Vokshit, zuri grykën e Cernolevës. Pjesa tjetër, nën kumandën e Mic Sokolit nga Krasniqi dhe t'Ali Ibrës nga Gashi, u vendos afër Shtimljes. Pas disa goditjesh të pjesëshme, ushtëria turke u hodh në vepërim të përgjithshëm më 21 Prill dhe sulmoi pozitat e Shtimljes duke përdorur zjarrin e dëndur t'artilerisë. Shqiptarët luftuan trimërisht, por u shtrënguan më në fund të tërhiqëshin në drejtim të Cernolevës ku ishte vendi m'i fortë. Beteja m'e ashpër dhe vendimtare u zhvillua të nesërmen, më 22 Prill, në grykën e Cernolevës, pranë fshatit Slivovë, ku Shqiptarët bënë një qëndresë shumë të rreptë gjer në përfytjen trup për trup. Ushtëria e madhe me armatimin e rëndë i shtrëngoi të prapsëshin, por duke e mprojtur vendin çap më cap deri në Suhareke ku bënë përpjekjen e fundit. Gjatë dy ditëve luftimi, Shqiptarët i shkaktuan ushtërisë turke lart nga 1.500 të vrarë, kurse prej tyre ranë nja 800 trima në fushën e nderit.
Dervish Pasha hyri në Prizrend, e shpërndau Lidhjen dhe ngriti gjyqin ushtarak. Por lëvizja nuk u shua. Një pjesë e fuqivet shqiptare me disa nga krerët, si Abdyl Frashëri, Ymer Efendi Prizrendi, Sulejman Vokshi, u tërhoqën në Gjakovë ku iu bënë thirrje malësivet për ndihmë. Kumandari turk priti gjer sa i erdhën edhe dhjetë batalionë të tjerë përpara se të sulmonte Gjakovën, të cilën e mori më 5 të Majit. Dervish Pasha u tregua i butë me krerët shqiptarë që iu dorëzuan, si Ali Pashë Gucija, Iljaz Pashë Dibra, Hasan Pashë Tetova etj., dhe iu dha grada më të larta. Hasan Pashë Tetovën e bëri mytesarrif t'atij qyteti dhe Ali Pashë Gucinë mytesarrif të Pejës. Popullit i premtoi një përmirësim të gjendjes dhe disa reforma, me kusht që t'i qëndronte besnik Turqisë. Disa nga ata që s'u dorëzuan, si Sulejman Vokshi me shokë, ndëjtën mjaft kohë malevet; të tjerët që u kapën, u dënuan me burg ose u internuan. Myderrizat Ymer Efendi Prizrendi (ose Sheh Ymeri), kryetari trim i Komitetit të Lidhjes gjatë luftës për autonomi, dhe Rauf Efendi Tetova, pasi qëndruan ca kohë malevet, u arratisën në Mal-të-Zi. Familjet e tyre u internuan në Selanik.
Dervish Pasha caktoi një shpërblim të madh për kapjen e Abdyl Frashërit, i cili ishte frymëzonjësi i bashkimit dhe i autonomisë. Abdyli desh t'arratisej përtej detit, por u kap nga një patrullë
turke afër Elbasanit, tek po hidhte Shkumbinin. Si ia prunë Dervish Pashës në Prizrend, të rrethuar me roje të forta, Abdyl Frashërin e çuan në Stamboll, ku u dënua me burgim të përjetshëm.
Pasi bëri pesë vjet burg të rëndë n'Anadoll, u lirua, dhe vdiq me
1894. Populli shqiptar e përkujtoi me këngë si këto:
U duk sikur Dervish Pasha e shtroi vendin dhe vuri administratën turke nëpër qytetet, por lëvizja vazhdoi në malësitë e Gjakovës, në Dibër dhe në Lumë deri në vjeshtë t'atij viti. Kumandari turk u suall sipas rastevet, dhe iu desh t'internonte mjaft njerëz n'Anadoll. Porta e Lartë nuk iu besonte më as atyre krerëve shqiptarë që u dorëzuan vetë dhe që i rriti në grada. Prandaj Dervish Pasha iu kërkoi dhe iu mori djemtë e tyre për të shërbyer gjoja si roje nderi në pallatin e Sulltanit, por në të vërtetën për t'i pasur si peng.
Ndërsa ushtëria turke vepronte në veri, valiu i Janinës, Mustafa Asim Pasha, me të cilin Dervish Pasha ishte në bashkëpunim, e shpërndau Lidhjen Shqiptare të jugës duke përdorur përçarjen dhe kërcënimin e kërkesavet greke. Në Maj 1881, ai ftoi në Prevezë disa nga krerët më të rëndësishëm të Lidhjes, gjoja sikur kishte një lajm të madh për t'iu kumtuar, i kapi me të pabesë dhe i dërgoi në Dardanelet. Kurse Mehmet Ali Vrionin, që kishte shoqëruar Abdyl Frashërin n'Evropë, e bëri mytesarrif të Beratit, dhe Neki Pashë Libohovën mytesarrif të Gjirokastrës.
Dervish Pasha u kthye ngadhënjyës në Stamboll ku u çmua si njeriu që dinte sesi t'ua ndreqte kokën Shqiptarëvet. Mbeti dhe pyetej si njohësi më kompetent për çdo gjë që kishte te bënte me Shqipërinë.
U zgjatëm ca me Lidhjen e Prizrendit, sepse është akti m'i rëndësishëm i historisë shqiptare në kohët e reja. Pas qëndresës lavdimadhe të Skënderbeut, është e para herë që Shqipëria lëviz si një popull i bashkuar prej një çipi t'atdheut në tjetrin, për të krijuar një shtet dhe për të mprojtur të drejtat e saja si një komb. Nuk është më luftë krahinash, është lëvizje kombëtare me një program të caktuar, drejt një qëllimi. Megjithëse diçka u bë për mprojtjen e kufijvet, qëllimi nuk u arrit, sepse gjendja nuk ishte e pjekur, përbrenda, sepse Shqipëria nuk kishte përkrahje të jashtëme. Ndarjet shekullore në fe e në krahina, në fise e në bajraqe, në bejlerë e në tarafe, nuk mund të zhdukëshin si me frymë. Populli ishte i lidhur pas krerëvet, pas feudalëve a pronarëve të mëdhenj. Këta shikonin interesat e tyre të veçanta dhe s'kishin fort dëshirë të shkëputëshin prej Turqisë. Prandaj bashkimi qe m'i përgjithshëm kur ishte puna për mprojtjen e kufijvet. U ça e u përça kur u vu kërkesa e autonomisë. Lidhja e Prizrendit s'mundi të mblidhte më në fund veç 5.000 veta për t'i qëndruar forcës turke. Megjithëse ideja e autonomisë lindi dhe ishte m'e zhvilluar në Jugë, rrethanat e prunë që fusha e luftimevet dhe e ngjarjeve të mëdha të bëhej Veriu. Këtu luftuan bashkë Myslimanë e Katolikë, dhe ishte punë e kënaqëshme që disa prej klerit mysliman u treguan të vendosur për autonominë. Në jugë, Orthodoksit ishin përgjithësisht nën ndikimin e Greqisë. Lidhja Shqiptare i ftoi kudo, në të gjitha mbledhjet, dhe s'desh të bënte dallime fetare n'asnjë mënyrë. Vëllazërimi ndërmjet fevet ishte një nga pikat kryesore të programit të saj.
Ndoshta Lidhja dështoi sepse nuk pati në krye një figurë ushtarake jashtëzakonisht të fortë, siç kishte qënë dikur Kara Mahmud Bushati. Me një figurë të këtillë mund t'a kishte fituar autonominë. Njeriu i Lidhjes Shqiptare, ai që i dha shpirt bashkimit kombëtar, qëndresës dhe idesë s'autonomisë, ishte Abdyl Frashëri. Këtë e gjejmë kudo, në jugë e në veri në Janinë e në Kosovë, në Dibër e në Prizrend, në Stamboll e n'Evropë. Ky frymëzon të gjitha mbledhjet, harton programin e autonomisë, shtyn e drejton qëndresën e Kosovës deri n'orët e fundit. Por Abdyl Frashëri, ndonëse njeriu i vepërimit e i mbushur me shpirt luftarak, ndonëse i bindur se asgjë s'mund të fitohej pa luftë, nuk kishte cilësi ushtari. Fytyra e tij e ndritur mbetet në historinë e re të Shqipërisë si frymëdhënësi i lëvizjes kombëtare.
Megjithëse nuk ia arriti dot qëllimit, Lidhja e Prizrenit pati dy rrjedhime historike të radhës së parë: ngjalli, përbrenda, idenë e bashkësisë kombëtare dhe e vuri problemin shqiptar n'Evropë si një çështje për t'u zgjidhur. Tronditja që shkaktoi, s'mund të kalonte pa lënë pas asnjë jehonë: prej saj e mori hovin shpirti i Rilindjes kombëtare.