Duke mos pasur një fe të përbashkët që të bëhej shprehja e kombësisë, si te Grekët, te Serbët, te Bullgarët etj., Shqiptarët u përpoqën t'a lidhnin bashkimin rreth ndjenjës kombëtare, rreth gjakut, gjuhës, zakonevet dhe kulturës popullore të tyre. Sepse feja, te këta, ishte një shkak përçarjeje. Vetëm ndjenja e kombësisë mund t'i mblidhte të gjithë tok. Por që t'arrinin sa t'a kuptonin se fe e kombësi nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe se shumë fe mund të bashkëqëndrojnë vëllazërisht në të njëjtin komb - siç ngjante jo vetëm te popujt e Evropës së qytetëruar, por në të gjitha racat e botës - duhej ngritur shkalla e mendimit dhe e kulturës së tyre. Ngritja e kulturës do t'i jepte popullit shqiptar vetëdijën e bashkimit, të njësisë, duke pajtuar jo vetëm ndasitë fetare po edhe dallimet krahinore, të cilat qenë thelluar nga gjeografia dhe nga mungesa e rrugëvet, mbasi Turqia, përveç gjakderdhjevet dhe përçarjevet, s'kishte bërë asnjë ndërtim n'atë vend gjatë pesë shekujvet që e mbante nën sundim.
Përveç bashkimit fetar, Shqiptarëvet iu mungonte edhe kujtimi i historisë së tyre të lashtë që duhej t'ua mbante të gjallë vetëdijen kombëtare siç ua mbante Grekëvet drita e pavdekshme e helenizmit, siç ua mbante Serbëvet dhe Bullgarëvet historia e njohur e mbretërivet të tyre mesjetare.
Pra, mbi çfarë themeli letrar e historik do të ngrihej kultura shqiptare? Si themel letrar ishin këngët dhe rrëfimet popullore, në një gjuhë të pasur dhe të pastër, domethënë folklori i ynë që çmohet si një nga më të bukurit n'Evropë. Me gjithë mungesën e një letërsie të shkruar, kultura popullore e Shqiptarëvet ka qënë mjaft e lartë në të gjitha kohët, e shprehur në krijime poetike, kallzime e fjalë t'urta, që na kanë ardhur gojë më gojë e brez pas brezi si thesari m'i çmuar i gjeniut kombëtar. E drejta zakonore e të Parëvet tonë, ashtu siç e gjejmë në Kanunin e Lek Dukagjinit, dëshmon jo vetëm virtutet e larta të besës, të nderit dhe të burrërisë, po edhe kuptimin e barasisë përpara ligjit, kuptim që, përtej revolucioneve të kohëve të reja, rrallëherë e gjejmë tek popujt më të qytetëruar të botës. Mbi këtë kulturë popullore duhej ngritur kultura letrare e shkencore, duhej zgjeruar horizonti i mendimit, i botëkuptimit.
Po historia? - Këtu del si shtatore gjiganti figura e Skënderbeut. Ajo iu përmend Shqiptarëvet se ç'kishin qënë dikur. Iu kujton se ishin një komb i fortë, një komb nga më trimat, një komb që bënte çudira, më parë se të përçahëshin në fe e në krahina. Në Shqipëri brenda, gjatë shekujve t'errësirës, emri i kryetrimit ishte harruar pothuajse, përveç ndonjë kujtimi të vogël që kishte mbetur rreth Krujës dhe në malësitë e veriut. Por figura e Skënderbeut kishte hyrë në historinë e Evropës dhe jetonte e plotë tek Arbëreshët e Italisë, rreth së cilës qenë thurur kujtimet, këngët e legjendat e tyre. Prandaj shkrimtarët e Rilindjes s'kishin veçse t'a merrnin dhe t'ua tregonin Shqiptarëvet. Atëhere Myslimanë e të Krishterë, Gegë e Toskë do të quhëshin të bijtë e Skënderbeut dhe do të përqafohëshin si vëllezër përpara Atit të kombit.
Në Kongresin e Berlinit, Bismarck-u pat thënë në fillim se nuk dinte që të kishte një kombësi shqiptare. Pastaj, kur Lidhja e Prizrendit ia provoi se kishte, çfaqi një tjetër mendim pas nja tre vjetësh, si burrë i madh shteti që ishte, duke thënë se Greqia s'do të mund t'a sundonte dot racën luftëtare e të panënshtruarshme të Shqiptarëvet, prandaj do të bënte më mirë të mbante me ta marrëdhënie miqësore si aliatë të natyrshëm kundër Sllavëvet dhe Turqvet. Nuk ka shembull më të qartë nga ky për të dëftyer se një komb është komb vetëm atëhere kur lëviz dhe tregohet i tillë.
Këtë të vërtetë e kuptuan atdhetarët mendje-ndritur t'asaj kohe dhe iu vunë menjëherë punës për të zgjuar vetëdijën e Shqiptarëvet si komb me anën e arësimit në gjuhën shqipe, që kështu t'ishin në gjendje të bashkohëshin dhe të luftonin për të mprojtur të drejtat e tyre.
Ndërsa Lidhja e Prizrendit po e bashkonte popullin shqiptar për një qëndresë me armë, në Stamboll formohej, që në Shtator 1879, "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip", e cila u quajt prej disave "Drita" sipas emrit të së përkohëshmes që botoi më vonë. Shoqëria përbëhej nga njerëz të ditur prej të tri fevet, me Sami Frashërin në krye dhe me antarë Jani Vreto, Vaso Pasha (Pashko Vasa) Shkodrani, Hoxha Tahsim, Koto Hoxhi e të tjerë. Qëllimi i shoqërisë ishte që të botonte libra shqipe, të hartuara ose përkëthime, për t'i dhënë popullit shqiptar arësim dhe për t'a nxjerrë nga padituria. Popujt janë qytetëruar me anën e mësimit në gjuhën e tyre, mendonte Shoqëria e Stambollit, dhe një komb që nuk shkruan e këndon në gjuhën e tij është, i dënuar të mbetet n'errësirë, siç ishte gjendja e Shqiptarëvet. Pikësëpari Shoqëria krijoi një abece me shumicën e shkronjavet latine, me disa të tjera greqishte dhe ca pak të bëra prej Samiut vetë për tingujt e veçantë të shqipes. Pastaj botoi një abetare, një këndim dhe disa libra të tjera shkollore, më vonë nxori të përkohëshmen "Drita" dhe pastaj "Dituria", duke u munduar që t'i jepte përhapje sa më të madhe mësimit të shqipes dhe të bënte çmos për çeljen e shkollavet në Shqipëri. Duhet, thoshte Samiu, "të ndritohet edhe kombi i ynë me dituri, me pasje e me rrojtje të mirë". Shkrimtarët e Shoqërisë deshën t'afronin dialektet dhe t'a bënin shqipen gjuhë letrare. Sipas mendimit të Samiut, gjuha shqipe duhej t'ishte një dhe e pandarë, ashtu siç duhej t'ishte Shqipëria.
Por kjo veprimtari nuk mundi të vazhdonte lirisht në Stamboll sepse qeveria turke, e cila deri n'atë kohë kishte ndaluar me rreptësi shkolla e botime në gjuhën shqipe, porsa erdhi në kundërshtim me Lidhjen e Prizrendit nisi t'ia ndalte hovin Shoqërisë së Stambollit duke i nxjerrë lloj lloj pengimesh. Në këtë luftë kundër përhapjes së shqipes shoqërohej edhe Patrikana. Grupi i Stambollit u përpoq t'a vazhdonte punën, por me vështirësi të mëdha. Prandaj shtyti që të formohëshin shoqëri shqiptare në qendra më të lira, si për shëmbull në Bukuresht, Rumani, ku ndodhej një koloni e lulëzuar Shqiptarësh orthodoks. Udhëheqësi i saj kishte qënë Naum Veqilharxhi, atdhetar nga Vithkuqi i Korçës, i cili ishte mërguar në Rumani prej shumë kohësh më parë dhe kishte treguar një dashuri të thellë për gjuhën e mëmës, për gjuhën shqipe. Naum Veqilharxhi ishte përpjekur edhe t'a shkruante shqipen me një abece që kishte nxjerrë ai vetë, dhe të përhapte mësimin e saj; sepse kombet, thoshte, s'mund të nxënë as nuk mund të kulturohen veçse në gjuhën e mëmës.
Shqiptarët orthodoks të Rumanisë dhe të kolonive të tjera, në pjekje me botën e jashtëme, ishin shëruar nga ndjenjat grekomane dhe kishin përqafuar çështjen kombëtare. Këta i dhanë një ndihmë shumë të madhe lëvizjes së Rilindjes. Që më 1880, Shoqëria e Stambollit dërgoi në Rumani Jani Vreton për të hapur nje degë të saj në Bukuresht.
Me gjithë kërkesat e përsëritura, vetëm në verën e vitit 1884 iu dha leja Shoqërisë së Stambollit të nxirte të përkohëshmen "Drita", kur Turqia u shqetësua nga përpjekjet e Greqisë që donte t'i shtynte Shqiptarët në kryengritje. Mbasi myslimanët shikohëshin si "Turq", leja u dha n'emrin e një të krishteri, i cili u tërhoq shpejt nën shtrëngimin e Patrikanës greke. Prandaj e përkohëshmja ndërroi emër dhe u quajt "Dituria" me një lejë të dytë që u dha n'emrin e një tjetër të krishteri, Pandeli Sotirit. Në të vërtetën, dy të përkohëshmet u drejtuan nga vëllezërit Sami e Naim Frashëri me bashkëpunim të Jani Vretos, Koto Hoxhit, etj. Po edhe "Dituria" qe jetëshkurtër si "Drita". Atëhere qendra e botimevet u shpërngul prej Stambollit në Bukuresht, ku u formua e famëshmja Shoqëria Drita me pjesëmarrjen e disa qindra Shqiptarëve Orthodoks. Kjo botoi shkrimet shqipe me abecenë e Stambollit. Dy vjet më vonë, më 1887, Shoqëria u riorganizua dhe mori emrin Dituria, por duke qëndruar e lidhur ngushtë me atë të Stambollit dhe duke përdorur abecenë e saj. Drita dhe Dituria e Bukureshtit botuan veprat e Naim Frashërit, të Samiut, të Jani Vretos dhe të shkrimtarëve të tjerë. Më vonë ngjajtën disa përçarje në koloninë shqiptare të Rumanisë dhe, prej Jenarit 1887, u quajt në Bukuresht një tjetër shoqëri me emrin Drita, e kryesuar prej Nikolla Naços, i cili kishte të tjera mendime politike. Ky ishte për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Shqiptarëvet dhe Vllehëvet të Maqedonisë e të Pindit, të cilët, sipas këtij, duhej të formonin mundësisht një shtet të përbashkët për t'iu qëndruar Grekëvet dhe Sllavëvet. Shoqëria e Naços ndihmohej nga qeveria rumune, por pati pak antarë Shqiptarë dhe Vllehë. Në botimet e tija Naçua përdorte abecenë latine. Shumica e madhe e Shqiptarëvet të Rumanisë qëndroi e lidhur me Shoqërinë Dituria e cila bashkëpunoi me atë të Stambollit dhe me tërë lëvizjen kombëtare në mërgim. Një shoqëri e tretë kulturore u formua më pastaj në Bukuresht, me emrin Shpresa. Të gjitha këto tregojnë veprimtarinë e Shqiptarëvet të Rumanisë për të ndihmuar në çështjen kombëtare.
Atdhetarët e kolonisë s'Egjyptit, ku mbretëronte një dinasti shqiptare, nuk mbetën pas. Formuan edhe ata, shoqëritë e tyre dhe botuan gazeta shqipe me emra të ndryshëm. Egjypti u bë një nga vatrat më të nxehta të lëvizjes sonë kombëtare.
Kolonia shqiptare e Sofjes, në Bullgari, e përbërë edhe ajo prej të mërguarëve orthodoks, formoi më 1890 shoqërinë Dëshira, nën kryesinë e Kristo Luarasit, dhe ngrehu pak vjet më vonë shtypëshkronjën Mbrothësia me abecenë e Stambollit. Këtu u botuan mjaft libra e të përkohëshme ndër të cilat Kalendari Kombiar i Midhat Frashërit dhe gazeta Drita e Shahin Kolonjës. Shoqëria Dëshira e Sofjes, Dituria e Bukureshtit dhe grupi i Stambollit bashkëpunuan ngushtë ndërmjet tyre duke përdorur të njëjtën abece.
Tek Arbëreshët e Kalabrisë, De Rada nxori të përkohëshmen muajore Fiamuri Arbërit, në shqip e italisht, prej Korrikut 1883 gjer më 1887. Këtu u botuan mendimet e Rilindasvet, në një kohë kur nuk kishte gazeta nëpër kolonitë e tjera, dhe u përhap zëri i kombësisë shqiptare.
Arbëreshët e Italisë mbajtën edhe dy kongrese gjuhësorë, më 1895 dhe më 1897, me shtytjen e De Radës, të Schirojt dhe t'Anselmo Lorecchio-s. Pas kongresit të parë, i cili zgjodhi si kryetar nderi Francesco Crispin - dhe ky, në telegrarnin e urimit, thoshte se ishte "Shqiptar nga gjaku e nga zemra" - u botua më 1896 e përkohëshmja Ili i Arbëreshëvet. Kongresi i dytë, që u mbajt në Lungro të Kalabrisë, në Shkurt 1897, thekësoi të njëjtin program: njësimin e abecesë, përpilimin e një fjalori, themelimin e një shoqërie kombëtare shqiptare dhe zgjerimin e lidhjevet me atdheun e vjetër. Pas kongresit të dytë Ili i Arbëreshëvet u zëvendësua nga gazeta La Nazione Albanese, nën drejtimin e Anselmo Lorecchio-s.
Disa vjet më vonë nisi të shquhej veprimtaria e atdhetarëvet shqiptarë t'Amerikës.
Rilindja letrare shqiptare kishte nisur përpara Lidhjes së Prizrendit. sidomos tek Arbëreshët e Italisë, me De Radën në krye. Por hovin e madh e mori pas ngjarjevet të vitit 1878. Të frymëzuar prej lëvizjes së bashkimit t'Italisë, Arbëreshët De Rada, Camarda, Dorsa, Serembe, e të tjerë, u ngritën për të ringjallur vetëdijën e kombësisë së tyre me anë krijimesh letrare e mbledhje këngësh a rapsodish popullore, ose me anë studimesh mbi gjuhën dhe historinë e Shqiptarëvet. E forcuar më vonë me fytyra të reja, sidomos me atë të Zef Schirojt, rryma letrare e Arbëreshëvet t'Italisë u lidh me veprimtarinë e shoqërive të tjera shqiptare në mërgim edhe u bë pjesë e pandarë e lëvizjes së Rilindjes sonë kombëtare.
Princesha rumune me origjinë shqiptare, Helena Gjika, e cila shkruante në gazetat dhe të përkohëshmet më të mëdha t'Evropës, nën pseudonimin Dora d'Istria, ishte munduar t'a bënte të njohur kombësinë shqiptare me anën e këngëvet popullore dhe kishte përkrahur shkrimtarët arbëreshë t'Italisë. Në të përkohëshmen frënge Revue des deux Mondes botoi më 1866: Kombësia shqiptare sipas këngëvet popullore - Shqiptarët e të dy brigjevet t'Adriatikut.
Mjerisht, Arbëreshët e Greqisë nuk mundën të zhvillonin një veprimtari të këtillë, sepse Greqia shtypte me çdo mjet ndjenjat kombëtare shqiptare. Megjithatë, Panajot Kupitoris nga ishulli Hydra botoi më 1879 një studim historik e filologjik rreth gjuhës dhe kombit shqiptar. Ai që u përpoq të ngjallte ndjenjat shqiptare tek Arbëreshët e Greqisë ishte Anastas Kullurioti, nga ishulli i Sallaminës, i cili botoi n'Athinë, më 1882, gazetën Zëri i Shqipërisë, dhe një abetare për t'iu mësuar bashkatdhetarëvet të tij gjuhën e mëmës. I ndjekur prej Grekëvet, Kullurioti shkoi në Rumani, pastaj u kthye në Shqipëri, në Gjirokastër ku, me kërkesën e konsullit grek, u kap prej autoritetevet turke dhe u dërgua në Korfus. Më në fund mbaroi në burgun e Athinës.
Shqiptarët e Greqisë kanë qënë heronjt e kryengritjes dhe të pavarësisë greke. Pas themelimit të shtetit grek, përveç pozitavet të tjera, përbënin pjesën e zgjedhur t'ushtërisë së detit. Mbasi nuk dinin greqisht, urdhërat në marinën greke jepëshin në gjuhën shqipe edhe gjer në vjetët e parë të shekullit XX. Gjinden akoma edhe sot në bibliotekën e parlamentit grek arkivat e marinës s'asaj kohe me urdhëra e qarkore në gjuhën shqipe, shkruar me shkronja greke. Por Arbëreshët e Greqisë nuk kanë pasur ndjenja shqiptare, për arësyet që janë treguar më sipër - edhe ndoshta sepse patën emigruar n'ato vende që përpara kohës së Skënderbeut. Por gjuhën shqipe e patën ruajtur edh' e flisnin pastër gjer në pjesën e parë të këtij shekulli.
Prej Rilindasvet shqiptarë përpara Lidhjes së Prizrendit, Zef Jubani nga Shkodra pati botuar në Trieshtë, më 1871, një përmbledhje këngësh popullore të Shqipërisë së veriut, me një parathënie në të cilën kritikonte ashpër sundimin turk dhe pohonte se tërë Shqiptarët, me gjithë ndryshimet fetare, ishin të një gjaku, të një gjuhe, me zakone dhe aspirata te përbashkëta.
Atdhetari korçar, Thimi Mitko, kishte botuar n'Egjyptë, më 1878, një përmbledhje këngësh dhe kallzimesh popullore me emrin Bleta Shqiptare. Por shkrimtari m'i madh i asaj kohe është Kostandin Kristoforidhi, i cili, në shërbim të Shoqërisë Biblike angleze, përkëtheu në një shqipe të thjeshtë e të fuqishme pjesë të Dhiatës së Vjetër e së Re dhe Psallmet. Kristoforidhi vazhdoi të shkruante edhe pastaj në një prozë të kulluar dhe punoi sidomos fjalorin e famshëm gjatë tërë jetës së tij. Ndërmjet vjetëvet 1865 dhe 1870, Kristoforidhi bashkë me Pashko Vasa Shkodranin, Hoxha Hasan Tahsimin nga Çamëria dhe Ismail Qemalin u përpoqën në Stamboll të merrnin lejë për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare, por nuk mundën.
Në Shqipëri brenda, vetëm kleri katolik i Shkodrës, që gëzonte mprojtjen e Austro-Hungarisë, pati mundur të çelte shkolla ku hynte edhe mësimi i shqipes. Më parë filluan Fretërit; pastaj hapën edhe Jezuitët një seminar, ku shqipja u fut si lëndë që më 1872, dhe një kollegj më 1877. Nga mbarimi i shekullit, më 1899, Imzot Prenk Doçi, abati i Mirditës, themeloi shoqërinë letrare Bashkimi ku përmblidhej një pjesë e mirë e klerit katolik shqiptar, sidomos Fretërit. Një tjetër shoqëri letrare, Agimi, u krijua në Shkodër nga Dom Ndre Mjeda, më 1901.
Përpara se të merrte hov Rilindja kombëtare shqiptare, domethënë më parë se të çohëshin Shqiptarët vetë, ishin interesuar dijetarët e huaj për të studiuar gjuhën dhe kombësinë tonë. Që në shekullin XVII, filozofi e dijetari i madh gjerman, Leibniz, ishte marrë edhe me gjuhën shqipe, por e njihte fare pak dhe e lidhte me keltishten. Në shekullin XVIII, Rektori i Seminarit italo-shqiptar të Palermos, Paolo Maria Parrino, pati bërë studime të gjera mbi historinë dhe ethnografinë shqiptare. Botimi i profesorit gjerman J. Thunmann; Kërkime mbi historinë e popujve t'Evropës lindore (më 1774) zgjoi një interes më të gjallë rreth shqipes. Thunmann-i, duke u pështetur në studimet gjuhësore, përfshinte edhe Thrakët në përbërjen e popullsisë shqiptare. Malte-Brun e ndante në tre grupe prejardhjen e shqipes duke e lidhur me gjuhët e vjetra t'Evropës. Një shtytje të re i dha studimit të shqipes dhe t'origjinës së kombit tonë vepra e dijetarit gjerman, J. Xylander, Gjuha e Shqiptarëvet, botuar në Frankfurt më 1835. Por sidomos shkrimet e të famshmit Georg von Hahn, konsulli austriak në Janinë, Studime Shqiptare, botuar më 1853-1854, hapën një tjetër horizont për Albanologjinë, dhe Hahn-i u shikua për disa kohë si babaj i saj. Ky e përshkruante Shqipërinë dhe popullin e saj me histori, gjuhë e zakone, duke botuar një pjesë të folklorit, një fjalor dhe një gramatikë të shqipes. Shkrimtari frëng Ami Boué, në veprën e tij Turqia e Evropës (Paris, 1840) dhe të tjerë auktorë kanë hedhur dritë mbi shtrirjen gjeografike dhe veçoritë ethnike të kombit shqiptar. "Shqiptarët janë ndoshta raca m'e bukur e Turqisë... midis tyre mund të gjinden tipa të denjë për t'u marrë si model i Afroditës ose i Apollonit", shkruante Ami Boué1.
Linguistë të mëdhenj si Franz Bopp dhe August Schleicher (Gjermanë), Holger Pedersen (Danes) u muarën me studimin e shqipes. Bopp-i ishte i mendimit se kjo zinte një vend të veçantë në familjen e gjuhëvet indo-evropiane, kurse Schleicher-i e mbante për një gjuhë pellazgjike. Këto theori kishin rëndësi të madhe n'anën historike, sepse gjuha tregonte edhe rrënjën e popullit shqiptar. Prandaj tek Rilindasit u përhap ideja se Shqiptarët rrithnin prej Pellazgëvet dhe se ishin kushërinj me Grekët. Këta të fundit u përpoqën t'a shfrytëzonin legjendën pellazgjike për t'i futur Shqiptarët nën sundimin e tyre, gjoja si me origjinë të përbashkët. Studimet e reja dhe të thelluara të historisë nuk kanë mundur të përcaktojnë asgjë rreth Pellazgëvet, të cilët mbeten si një emër i mjegullt. Grekët e Vjetër quanin Pellazgë atë shtresë popullsie që gjetën në Ballkan dhe n'ishujt e Egjeut përpara se të zbrisnin fiset helenike. Pellazgët kishin qënë ndërtonjës qytetesh dhe muresh vigane me gurë shumë të mëdhenj; Grekët i muarën prej tyre emrat e disa perëndive, sipas Herodotit. Për fise pellazgjike është folur jo vetëm në Ballkan, por në tërë botën e Mesdheut, prej Azisë së Vogël deri n'Itali. Tek historianët e vjetër grekë, Efori, Herodoti, Thuqidhidhi e deri te Hesiodi gjejmë një mishmash të ngatërruar rreth Pellazgëvet. Ky emër mbetet akoma i mjegullt edhe për historianët e sotshëm me gjithë studimet që janë bërë rreth tij e vërteta është se fiset helenike sikurse fiset e të Parëvet tonë, kur erdhën në Ballkan, gjetën aty një shtresë popullsie të mëparshme të cilën e quajtën Pellazgë. Prej asaj shtrese muarën sigurisht fjalë dhe elemente të qytetërimit. Rrënjët e përbashkëta të disa fjalëve ndërmjet shqipes dhe greqishtes e kanë ndoshta burimin tek shtresa e popullsisë pellazgjike. Por si fiset helenike ashtu edhe fiset stërgjyshore të Shqiptarëvet erdhën më vonë e u vendosën përmbi atë shtresë. Dhe ishin fise të ndryshme (të Parët tonë me Helenët) ndonëse bënin pjesë në familjen Ariane ose Indo-Evropiane.
Linguisti austriak Gustav Meyer e hodhi poshtë theorinë pellazgjike të shqipes dhe u përpoq të vërtetojë se kjo vjen prej ilirishtes së vjetër. Por Meyer-i e paraqit mjaft të kufizuar numrin e fjalëvet-rrënjë të shqipes duke i pandehur të huaja një pjesë të tjerash. Kurse linguistë më të rinj, ndër ta edhe Norbert Jokl-i, e tregojnë gjuhën tonë shumë më të pasur me rrënjë thjeshtë të sajat nga ç'e mendonte Meyer-i. Veçse Jokl-i e nxjerr shqipen me rrjedhje iliro-thrake.
Duket se Ilirët, Thrakët, Maqedonasit, Dakët, Frigjët e të tjerë përbënin në kohët e vjetra një familje popujsh me lidhje gjuhe e gjaku, sikurse popujt sllavë që zbritën n'Evropë më vonë. Prej brigjevet t'Epirit, Ilirët kapërcyen n'Itali, ku jo vetëm Japigët dhe Mesapët, por disa historianë mendojnë se edhe Sabinët ishin Ilirianë. Raca iliriane kaloi Apeninet, sipas këtyre, dhe arriti deri n'Etruri.
Sidoqoftë, prej kësaj familjeje popujsh të vjetër, kanë mbetur të pashkrirë vetëm Shqiptarët dhe gjuha shqipe.
Pra, siç e pau për herën e parë Bopp-i dhe siç e vërtetojnë Pedersen, Jokl etj., shqipja zë një vend të veçantë në grupin "satem" të gjuhëvet indo-evropiane. Shqiptarët përbëjnë një komb të dalluar, nga më të vjetrit n'Evropë, dhe nuk janë një përzjerje e çoroditur siç mendonin armiqtë e tyre. Pedersen-i thekëson se shqipja është një gjuhë më vehte dhe se ndryshimet dialektore të saja janë fare të vogla.
Po ashtu, anthropologë që kanë studiuar veçoritë trupore të popullit shqiptar, si Dr. Paul Traeger, Gjerman, Prof. Eugëne Pittard, Zviceran, e të tjerë, vërtetojnë se ai përbën një grup racial të përbashkët dhe se të njëjtët tipa gjinden prej një skaji të Shqipërisë në tjetrin, prej veriut në jugë. Është vështirë të gjindet një popull me trajtë kafke aq të përngjashme, thotë Prof. Pittard, i cili i mban Shqiptarët si një racë shumë të bukur malësorësh, brakiqefalë (kokë-gjerë), me shtat të bëshëm e të zhdërvjelltë, racë që ai e quan Iliriane ose Dinarike.
Gjeografi i madh frëng Elisée Reclus shkruante, më 1875, në Gjeografinë e Përbotëshme "...Kur Shqiptarët të hyjnë në marrëdhënie të vazhduarshme me popujt e tjerë, shpresohet me të drejtë se do të lozin një rol të rëndësishëm, mbasi ata dallohen përgjithësisht nga hollësia e mendjes, qartësia e mendimit dhe forca e karakterit".
Kështu Albanologët e huaj kishin vërtetuar se Shqiptarët janë një racë e vjetër dhe se zënë një vend të veçantë si gjuhë e si kombësi në familjen e Evropës. Shkrimtarët e Rilindjes duhej t'a nximin nga errësira e padijes popullin e përçarë në fe e në krahina, t'ia kujtonin se ishte një komb i lashtë që kishte pasur për të Parë Aleksandrin e Madh, Filipin, Bardhylin, Aleksandër Mollosin, Pirron, Agronin. Teutën, dhe sidomos Skënderbén, rreth të cilit gojëdhënat mbushnin akoma folklorin e Arbëreshëvet t'Italisë. Figura e Skënderbeut u bë simboli i bashkimit kombëtar. S'kishte vjershëtar a shkrimtar që të mos e përmendte. De Rada pati shkruar poemin Scanderbeccu i Pafaan. Zef Schiroj, në Rapsoditë Shqiptare, pjesën e parë ia kushtonte rrethimit të Krujës prej Sulltan Mehmetit II, dhe, Te Dheu i Huaj, ngjitej deri n'origjinën pellazgjike të Shqiptarëvet duke kaluar pastaj nëpër kohët kastriotiane. Gabriello Dara mblodhi nga gojë e Arbëreshëvet, lidhi e përpiloi poemthin e bukur Kënka e Sprasme e Balës. Naim Frashëri shkroi në vjershë veprën Istori e Skënderbeut.
Letërsia e Rilindjes lulëzoi jashtë Shqipërisë, me përjashtim të krijimevet të klerit katolik në Shkodër, i cili gëzonte një farë mprojtjeje. Botimet nga Bukureshti, Sofja, Egjypti, Italia, hynin fshehtazi në Shqipëri dhe shpërndahëshin dorë më dorë, në një numër të kufizuar, pa u përhapur dot, fatkeqësisht, në shumicën e popullsisë. Të gjitha shkrimet nuk kishin një vleftë letrare, por qëllimi i tyre ishte ngjallja e ndjenjës kombëtare dhe bashkimi i Shqiptarëvet me anën e arësimit. Pa u zgjatur këtu mbi vjershat e bukura të Çajupit (Anton Zakos), n'Egjyptë, mbi vjershat e Filip Shirokës, mbi ato t'Asdrenit (Aleks S. Drenovës), në Rumani, mbi botimin e një pjese të folklorit shqiptar, Valët e Detit, nga Spiro Dine, më 1908, mbi veprat e Dom Ndre Mjedës dhe të Dom Ndoc Nikajt, në Shkodër, mbi ç'patën shkruar Sami Frashëri, Vaso Pasha, Jani Vretua e të tjerë, dy poetët që kanë lozur një rol kryesor në Rilindjen kombëtare janë Naim Frashëri dhe At Gjergj Fishta.
Cilado qoftë vlefta letrare e vepravet të Naimit, gjuha e tij është një shqipe e kulluar, krejt e pastër nga fjalët e huaja, dhe ndjenjat e tija njerëzore janë aq të çiltëra, aq të nxehta, sa që prekin shpirtrat edhe nëpër ato vjersha të thjeshta. Naimi i përfshin në të njëjtën dashuri të gjithë Shqiptarët, myslimanë e të krishterë, Toskë e Gegë, në Shqipëri a kudo që të ndodhëshin. Zemra e tij, ëndërra e tij, adhurimi i tij ishte Shqipëria, prandaj mund të quhet me të drejtë apostulli i kombësisë.
At Gjergj Fishta është ndoshta m'i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më të rëndësishme të veprave të tija ua pati kushtuar subjekteve kombëtarë. Në kryeveprën Lahuta e Malcis, poem epik shumë i fuqishëm, këndon luftat e malësorëvet të Shkodrës kundër Malazezvet dhe më në fund kundër Turqve të Rinj. Aty tregon, me vija të forta, doke e zakone, besë e burrëri, veçoritë trupore si edhe botëkuptimin dhe fisnikërinë morale të Shqiptarit.
Nuk mund të flitet për brezin e Rilindjes pa përmendur Faik Konitzën, punonjës i gjuhës, përhapës i shkrimevet, i idevet dhe shtytës i kulturës kombëtare. Që më 1897, kur ishte fare i ri, nxori në Bruksel të përkohëshmen Albania, të cilën pastaj e vazhdoi në Londër gjer më 1909. I pajisur me dituri të gjerë, njohës i shumë gjuhëve dhe veprave, Faik Konitza i dha bukuri artistike prozës shqipe, zbuloi shprehjet e holla të saja edhe e ngriti në lartësinë letrare. Mjerisht, nuk ka shkruar veçse artikuj, kritika dhe ndonjë përkëthim. E përkohëshmja Albania u bë si një enciklopedi e vogël shqiptare, ku shkruhej mbi gjuhë, letërsi, arte, histori, probleme politike e shoqërore, botohëshin pjesë të folklorit dhe t'auktorëvet që jetonin të shpërndarë nëpër vise të ndryshme të botës.
Në vjetët e parë të këtij shekulli nisi të shquhej kolonia shqiptare e Amerikës, e cila. pak më vonë, u tregua shumë e gjallë për mprojtjen e të drejtavet kombëtare. Më 1905, Petro Nini Luarasi formonte shoqërinë Malli i Mëmëdheut. Të tjera shoqëri u formuan më pastaj. Në Qërshor 1906, Sotir Peci filloi të botonte në Boston gazetën Kombi. Rolin më të madh n'Amerikë ka për t'a lozur Fan Noli, i cili u dorëzua prift më 1908 me qëllim misionari, për t'i shkëputur Shqiptarët orthodoks nga Kisha greke, nga helenizmi, e për të themeluar Kishën Autoqefale shqiptare me liturgjinë e saj në gjuhën shqipe. Kisha Orthodokse shqiptare e Amerikës u organizua më 1919 si një dioqezë e pavarur, me Peshkop Nolin në krye. Fan Noli u shqua në fushën kombëtare si letrar, si njeri politik, si përhapës mendimesh, por shërbimin më të madh ia ka sjellë Shqipërisë si themelonjës i Kishës Autoqefale dhe përkëthenjës i liturgjisë së saj në gjuhën shqipe, të thjeshtë e t'ëmbël si qumështi i mëmës.
Më 1909, shkoi n'Amerikë edhe Faik Konitza, i cili drejtoi për disa kohë, në Boston, gazetën Dielli. Pastaj nxori në St. Louis, Missouri gazetën Trumbeta e Krujës. Më 1912, Konitza, Noli e të tjerë atdhetarë themeluan në Boston Federatën Pan-Shqiptare Vatra t'Amerikës, e cila përmblodhi në gjirin e saj shoqëritë e mëparëshme dhe pati si organ gazetën Dielli. E udhëhequr prej Nolit dhe Konitzës, Vatra ka lozur një rol fort të rëndësishëm në mprojtjen e pavarësisë dhe të të drejtavet shqiptare.
Një nga problemet kryesorë në lidhje me kulturën dhe arësimin kombëtar ishte edhe pranimi i një abeceje të përbashkët për gjuhën shqipe. Në shkrimet e vjetra qenë përdorur abece të ndryshme, latine, greke edhe arabe. Shkrimtarët katolikë e Arbëreshët e Italisë patën përdorur abecenë latine me disa bashkëngjitje shkronjash ose shënja të veçanta për t'ua përshtatur tingujve të shqipes. Gjon Buzuku pat marrë edhe ca shkronja cirilike. Naum Veqilharxhi dhe, përpara atij, Theodor Haxhi Filipi nga Elbasani patën bërë nga një abece të veçantë. Një gjë të këtillë mendoi të shpikte edhe Hoxha Tahsimi. Jani Vretua anonte për abecenë greke, sepse atëhere besohej në theorinë pellazgjike që na bënte kushërinj me këta. Daut Boriçi nga Shkodra pat botuar një abetare të gjuhës shqipe me shkronja arabe. Kjo gjë iu pëlqente edhe disa pashallarëve e bejlerëve, dhe mund të kalonte e pa-vënë-re prej autoritetevet turke për t'iu mësuar shqipen Myslimanëvet. Kurse Ismail Qemali dhe Vaso Pasha ishin për abecenë latine.
Por në fillim të këtij shekulli, më të përhapurat ishin abeceja e Shoqërisë së Stambollit ose e Frashëriotëvet, për të cilën kemi folur më sipër, dhe dy abece latine, me disa ndryshime ndërmjet tyre, që përdorëshin në Shkodër prej shoqërivet të klerit katolik Bashkimi dhe Agimi. Abeceja e Stambollit dhe ajo e shoqërisë Agimi kishin nga një shkronjë për çdo tingull. Njësimi i abecesë donte të thoshte njësimi i gjuhës shqipe, dhe njësimi i gjuhës donte të thoshte njësimi i kombit. Këtë të vërtetë e kishin kuptuar me kohë Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë. Prandaj qenë bërë përpjekje për një abece të përbashkët. Rrahja m'e gjere e kësaj çështjeje u bë në Kongresin e Manastirit, i cili u mblodh në Nëntor të vitit 1908. Kishin ardhur përfaqësonjës nga të gjitha qendrat kulturore shqiptare. Pas shumë bisedimesh e duke marrë para sysh përhapjen e botimevet t'asaj kohe, u vendos që të përdorëshin dy abece, ajo e Stambollit dhe një tjetër latine si ajo e shoqërisë Bashkimi. Por pastaj, ca nga ca, sidomos pas vitit 1912, abeceja e Stambollit u la mënjanë dhe u pranua prej të gjithë Shqiptarëvet abeceja latine që përdoret edhe sot.
Ndërsa jashtë Shqipërisë bëhëshin këto përpjekje për Rilindjen kombëtare, përbrenda gjendja kishte mbetur pothuajse e pandryshuar, shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara përveç atyreve të klerit katolik në Shkodër. Prej vitit 1888, hapi edhe Italia dy shkolla fillore në Shkodër, një për djem e një për vajza, me qëllim që të fuste kulturën e saj për t'i bërë kundërpeshë ndikimit politik t'Austro-Hungarisë. Kjo e fundit, nëpërmjet të klerit katolik, vazhdoi hapjen e shkollavet fillore shqipe, përmbi njëzet, në rrethin e Shkodrës, në Prizrend e gjer në Durrës. Po edhe Italia nuk desh të mbetej pas. Hapi një shkollë tregëtare në Shkodër, më 1899, dhe disa të tjera më pastaj: fillore, tregëtare e mjeshtërore, ku mësimet jepëshin italisht, nëpër qytete të ndryshme, si në Durrës, Vlorë, Gjirokastër e Janinë.
Në viset shqiptare me pakica sllave të Maqedonisë kishte shkolla bullgare që ndiqëshin edhe prej Shqiptarësh orthodoks, dhe në Kosovë qenë hapur aty-këtu shkolla serbe. Ekzarkati bullgar (Kisha kombëtare bullgare) ishte shkëputur nga Patrikana më 1870, dhe kishte hyrë në luftë kundër Kishës greke për të shkrirë ndikimin e vet në Maqedoni, në vilajetet e Manastirit e të Kosovës duke hapur shkolla bullgarisht. Nëpër këto krahina u ndesh dhe me Kishën serbe, e cila donte të bënte të njëjtën punë me anën e klerit të saj dhe të shkollavet, domethënë të serbizonte Maqedonasit dhe Shqiptarët. Atë që kishte dashur të bënte Kisha greke për çkombëtarizimin e Shqiptarëvet, po mundohëshin t'a bënin tani edhe Kishat bullgare e serbe. Lufta ndërmjet tri Kishavet për të futur popullsinë orthodokse të Maqedonisë e të Kosovës nën mvarësinë e tyre u ashpërsua aq tepër sa që arriti në përpjekje çetash t'armatosura, të shtytura nga Athina, Sofja e Belgradi.
Por ato që shtrihëshin në tërë vendin ishin shkollat greqishte për Orthodoksit dhe turqishte për Myslimanët. Qeveria turke dhe Patrikana ishin marrë vesh ndërmjet tyre për t'i mbajtur Shqiptarët të çarë më dysh: Turqia, sepse ashtu mund t'i sundonte më lehtë, mund të ndalte mëkëmbjen e një kombësie shqiptare dhe t'i përdorte Myslimanët si ushtarë të saj; Patrikana, sepse s'donte që Orthodoksit shqiptarë t'i delnin prej dore, por duhej të formonin trup të përbashkët me kombësinë greke. Kjo politikë fetare e Patrikanës ishte e njëjtë me atë të qeverisë greke t'Athinës. Për të ndaluar arësimin shqip, Turqia përdorte forcën. Patrikana me klerin grek përdornin mallkimin e gjuhës shqipe dhe çkishërimin e atyre që e mësonin. Kur dëshira për arësimin kombëtar filloi të merrte hov në Shqipëri dhe "mallkimi" nuk mjaftonte, engjëjt-grekë të Patrikanës vranë me plumba e me thika priftërinjtë shqiptarë at Kristo Negovanin dhe At Stathi Melanin, sikurse dyshohet që patën vrarë Mjeshtër Todërin nga Elbasani, më 1806, dhe helmuar Naum Veqilharxhin, më 1866. Vranë Pandeli Sotirin më 1891, përveç të tjerëve që gjetën vdekjen prej atyre armiqve të djallëzuar.
Shqiptarët patën bërë protesta pothuajse në të gjitha mbledhjet ndërkombëtare për mos-pasjen e shkollavet në gjuhën e tyre. Myslimanët prej krahinash të ndryshme i qenë drejtuar Sulltanit me lutje e telegrame për t'iu hapur shkolla shqipe, por të gjitha këto ishin si trokitje në derën e shurdhit. Në një protestë që i drejtonte populli i Dibrës Stambollit, më 1898, i thoshte: "Armiku m'i madh i Shqipërisë po tregohet Porta e Lartë. Qeveria turke lejon në tokat shqiptare shkollat greke, bullgare e serbe dhe na i ndalon neve që kemi lindur e jetojmë në këtë vend. Kështu të drejtat tona po merren nëpër këmbë prej atyre që duhej të na ishin mirënjohës dhe të na shpërblenin për gjakun që kemi derdhur dhe po derdhim në shërbim të Perandorisë Otomane".
Shqiptarët e kolonivet u përpoqën me sa mundën për të përhapur mësimin e gjuhës amtare n'atdheun e mjeruar. Ndonjë atdhetar si Koto (Kostandin) Hoxhi, i cili pati qënë mësuës në shkollën normale greke të fshatit Qestorat afër Gjirokastrës, ishte vënë t'ua mësonte shqipen fshehurazi disa nxënësve të tii, si Pandeli Sotirit dhe Petro Nini Luarasit, që u shquan më vonë për dashurinë kombëtare. Koto Hoxhi u përpoq të hapte edhe një shkollë shqipe, por qe e pamundur. Më në fund peshkopi grek i Gjirokastrës e çkishëroi, dhe Koto Hoxhi, siç e dimë, bëri pjesë pastaj në Shoqërinë e Stambollit. Për tërë vilajetin e Janinës, n'atë kohë, kishte 665 shkolla greke dhe asnjë shkollë shqipe. Në qarqet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit kishte 163 shkolla greqisht dhe 80 turqisht - sipas disa statistikave.
Vetëm më 1885, pas shumë përpjekjesh, Shoqëria e Stambollit mundi të merrte lejë për të hapur një shkollë shqipe private në Korçë. Shoqëria Drita e Bukureshtit u zotua për shpenximet dhe dërgoi në Korçë një nga antarët e saj, Thimi Markon, të ngarkuar me atë detyrë. Ky takoi mitropolitin dhe këshillin grekoman të qytetit për t'i bindur që të futej shqipja si gjuhë e dytë edhe në shkollat greke, por Patrikana e kundërshtoi me tërë forcën. Autoritetet turke nxuarën të tjera pengesa për lejën, megjithatë shkolla shqipe mundi të çelej pas një viti përpjekjesh, me drejtor të parë Pandeli Sotirin, i cili erdhi nga Stambolli për atë punë. Një Shoqëri kombëtare për arësimin shqip u formua në Korçë me Thimi Markon, Orhan Çerçis Pojanin dhe Jovan Kosturin. Shkolla nisi t'ecte mirë në vjetët e parë dhe u regjistruan nja 200 nxënës prej të dy besimevet. Por mitropoliti i Korçës dhe Patrikana u vunë menjëherë në lëvizje duke kërcënuar me çkishërim prindërit që dërgonin djemtë e tyre në shkollën shqipe. Kështu numri i nxënësvet u pakësua. Pandeli Sotiri u shtrëngua të largohej. Drejtimin e shkollës e mori Thanas Sina, pastaj Petro Nini Luarasi dhe më në fund Nuçi Naçi. Parësia orthodokse e Korçës ishte grekomane, si në çdo vend të Shqipërisë, dhe bashkë me klerin filloi të çpifte pranë autoritetevet turke se ndihmat nuk mblidhëshin për shkollën, po për të mbajtur çetat që luftonin kundër Perandorisë.
Ndërkaq, i palodhëshmi atdhetar Petro Nini Luarasi u përpoq të hapte të tjera ose të këthente shqipe shkollat greqishte rreth Korçës, në gjashtë fshatra të Kolonjës dhe të Vakëfevet. Më 1892, kryepeshkopi i Kosturit, Fillareti, lëshoi një letër mallkimi kundër Petro Ninit, me anën e së cilës tmerronte popullsinë orthodokse. "Nuk ka gjuhë shqipe", thoshte kryepeshkop Fillareti, "por i mallkuari Petro Nini Luarasi kërkon të prishi ndërgjegjen e Orthodoksvet, t'i këthejë në masonë dhe në protestantë, të përmbysi themelet e Orthodoksisë, të përdhosi ikonat e shënjta, kryqin, shënjtorët etj.". Prandaj, vazhdonte Fillareti, "çdo i Krishter, i madh a i vogël, i varfër a i pasur, burrë apo grua, që dëgjon fjalën e të mallkuarit Petro Luarasi dhe të bashkëpunëtorëvet të tij, që pranon prej tyre libra ose të holla për t'u bërë mësuës i shqipes, do të jetë i çkishëruar dhe i nëmur nga Zoti i plotfuqishëm".
Natyrisht, Petro N. Luarasi nuk u tund nga këto profka, dhe shkollat e Kolonjës e të Vakëfeve u kthyen shqipe në vitin 1893, por nuk vazhduan dot sepse pengesat dhe vështirësitë ishin shumë të mëdha.
Më 1892, u hap në Korçë e para shkollë shqipe për vajza, nën drejtimin e Gjerasim Qiriasit, me ndihmat e Shqiptarëve dhe të disa misioneve fetare amerikane edhe anglezë. Mësimet jepëshin nga Sevastia Qiriasi, Katerina dhe Grigor Cilka, që kishin studiuar nëpër shkolla amerikane. Më vonë shërbyen si mësuëse edhe Polikseni Luarasi, Parashqevi Qiriasi, Fanka Efthimi etj. Misionari arnerikan P. Kennedy i shërbeu mjaft kësaj shkolle, e cila kishte përkrahjen e Misionit Amerikan në Manastir, e prandaj mundi të mbahej kundrejt autoritetevet turke deri më 1902. Në këtë datë, Turqit vendosën t'i jepnin fund arësimit shqip në Korçë, megjithëse nuk kishte qënë kushedi se çfarë mbasi ndodhej në kushte shumë të dobëta kundrejt mjetevet dhe kulturës helenike, kundrejt shkollavet greqishte e turqishte. Nuçi Naçi, Thimi Marko, Jovan-Kosturi, Orhan Çerçis Pojani, u arrestuan; ky i fundit, si mysliman, u internua n'Anadoll. Më 1904 u arrestua edhe Grigor Cilka, ish-drejtori i shkollës së vajzavet.
Atdhetarëvet shqiptarë s'iu mbetej tjetër veçse t'a mësonin shqipen vetë me anën e libravet dhe të gazetavet që hynin fshehurazi nga jashtë, sidomos nga Bukureshti dhe nga Sofia. Në radhët e intelektualëvet kishte mjaft që e mësonin, sepse ata që e ndjenin vehten Shqiptarë, myslimanë e të krishterë, bashkëpunonin ngushtë, ndihmonin dhe ia kalonin librat njëri-tjetrit. Si qëndra mësimi të shqipes shërbyen sidomos teqetë e Bektashinjvet, që ishin bërë fole e nacionalizmit shqiptar. Kafazët shqiptarë nëpër konsullatat e huaja ishin zakonisht bektashinj dhe punonin për të futur fshehurazi nga jashtë botimet shqipe, nën mprojtjen diplomatike. Natyrisht, arësimi kombëtar i hapur në këtë mënyrë nuk mund t'arrinte deri në masat e gjera të popullit.
Përpjekjet e Rilindasvet për të zgjuar vetëdijën kombëtare, e cila do të sillte si pasojë bashkimin e Shqiptarëvet, ndeshën jo vetëm në kundërshtimin e Turqisë dhe të Patrikanës greke, po edhe në trashëgimin historik e shoqëror të Shqipërisë, i cili ishte me të vërtet për të vajtuar. Përveç ndarjevet fetare, mbizotëronin copëtimet krahinore, të cilat kishin rrënjosur tek Shqiptari një botëkuptim që nuk shikonte dot përtej malit, qytetit apo fisit të tij. Nga kjo gjendje përfitonin feudalë, krerë e bajraktarë, si edhe kleri, q'e kishin popullin të lidhur pas vehtes dhe losnin lloj lloj intrigash për interesat e tyre të veçanta. Kush mund t'i bashkonte këta të gjithë tok për një çështje kombëtare që kërkonte një drejtim dhe një vepërim të vetëm? E pamë sesi përfundoi Lidhja Prizrendit kur erdhi puna për të kërkuar autonominë. Ashtu kanë përfunduar pothuajse të tëra luftat dhe përpjekjet e Shqiptarëvet, sepse ka qënë e pamundur që këta të mblidhëshin të gjithë bashkë. Çdo i huaj, që nga koha e Ilirëvet e gjer më sot, i ka mposhtur me anën e përçarjevet.
Këtë të vërtetë të hidhur e shprehte fort mirë gazeta Drita e Sofjes kur shkruante, në Mars 1906: "Deri tashti, Shqiptarët nuk kanë qënë të marrur vesh midis tyre: Gjakova lufton e vritet, Peja s'ka asnjë lajm. Luma digjet, të tjerët s'dijnë kurrgjë: Bashkimi, bashkimi, bashkimi e bën fuqinë... tjetër rrugë s'ka".
Prej qëndresës së fundit që bëri Lidhja e Prizrendit, në Prill 1881, dhe gjer në shpalljen e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ngjajtën mjaft përpjekje e kryengritje në Shqipëri, me idenë e lëvizjes kombëtare, por copë copë, e pjesë pjesë, pa ndërlidhje midis tyre, pa një dorë, pa një drejtim, pa një kumandë të vetëme. Nuk po zgjatemi mbi protestat që kanë bërë Shqiptarët nëpër mbledhjet ndërkombëtare - siç i bënë me dyzina Kongresit të Berlinit - ose mbi kërkesat që i drejtuan Portës së Lartë për shkollat shqipe e për autonominë. Sepse protesta është thirrja e të dobëtit; është një copë letër që hidhet në shportë dhe që askush s'ka kohë t'a këndojë kur nuk sjell me vehte erën e barutit. Liria nuk lypet duke qarë, se kurrkush s't'a jep, por merret me forcë. Dhe një popull që s'ka qënë i zoti t'a merrte, s'e ka pasur kurrë. Të shumtët e Rilindasvet ishin deri diku intelektualë dhe jo njerëz të vepërimit. Kërkonin njëherë t'a qytetëronin popullin shqiptar, pa mandej ky të hidhej në luftë për autonominë ose pavarësinë, të cilën ishte duke e lypur vetëm me lutje nga Sulltani. Mirëpo kohët nuk prisnin gjersa të ndryshohej mendësia e Shqiptarëvet. Planet e shumë Rilindasve, si të çdo intelektuali që nuk e ka intuitën e burrit të shtetit, ishin abstrakte, qëndronin n'erë, nuk e rroknin dot realitetin e gjallë të gjëravet politiko-shoqërore. Prandaj pritën gjersa ra gërmadha turke e i zuri brenda. Pati edhe njerëz të vepërimit, jo se s'pati. Por këta nuk qenë të një shkalle sa të kumandonin tërë Shqipërinë. Vepërimet e tyre s'e kapërcenin dot horizontin e krahinës ose të qarkut.
Me këtë kritikë, nuk duam t'iu hedhim ndonjë përgjegjësi Rilindasvet, të cilët bënë aq sa mundën, sepse në të vërteten autonomia ose pavarësia e Shqipërisë ishte një gjë tepër e vështirë për t'u arritur. Vështirësitë ishin të brendëshme dhe të jashtëme. Të brendëshme, sepse ishte gati e pamundur që të mblidhëshin e të përdorëshin të gjitha energjitë e kombit shqiptar në një drejtim të vetëm; të jashtëme, sepse fuqitë e mëdha, edhe ato që kishin interes t'a përkrahnin Shqipërinë, donin të mbanin atë gjendje që ishte në Ballkan, domethënë t'a linin vendin tonë si pjesë të Perandorisë Otomane. Pastaj, sikur Shqiptarët të ngrinin krye për autonominë, fqinjët ballkanase, Greqia, Serbia, Bullgaria e Mali-i-Zi, do t'iu binin prapa krahëvet për t'iu rrëmbyer tokat, për t'i copëtuar. Ndoshta sikur Shqipëria të kishte pasur n'atë kohë një burrë të madh, një figurë ushtarake të jashtëzakontë - siç ka nxjerrë disa herë kombi i ynë - ose një komitet drejtonjës shumë të fortë, të përbërë nga njerëz prej të tri fevet, dhe që të vepronte me dorë të hekurt, mund t'a kishte fituar autonominë duke i thyer ushtëritë turke. Rreziku i fqinjëvet dhe i ndërhyrjes së fuqivet të mëdha mbetej gjithmonë si një gjë e mundshme, por nuk besohet që Austro-Hungaria dhe Italia të përdornin forcat e tyre për t'ia shtruar Shqipërinë Turqisë, ose të lejonin copëtimin e saj ndërmjet fqinjëvet ballkanase të përkrahura nga Rusia. Problemi i Shqipërisë do të kishte pasur një zgidhje ndërkombëtare, siç pati më 1903 ai i Maqedonisë, ndoshta edhe më mirë, se do të përfundonte me fitimin e plotë t'autonomisë. Por është e kotë të merremi këtu me hamëndje dhe të tjerrim tortë rreth gjërash që nuk u bënë, rreth përfytyrime heronjsh që s'ia fali n'atë kohë popullit tonë natyra.
Thamë se Lidhja e Prizrendit e nxori problemin shqiptar, në planin evropian, si një çështje për t'u zgidhur. Nga ana tjetër, tek një pjesë atdhetarësh iu dha hov ndjenjavet për liri e pavarësi kombëtare. Në të dyja këto vështrime solli si rrjedhim shtrëngimin e luftës së brendëshme dhe acarrimin e konfliktevet, të cilët shtyhëshin nga jashtë. Turqia nuk desh të lejonte formimin e një kombësie shqiptare e cila mund t'i delte nga dora, prandaj bashkëpunonte me Patrikanën për të ndaluar arësimin shqip dhe për të mbajtur përçarjen fetare. Prapa Patrikanës çfaqej haptazi politika greke për pushtimin e Toskërisë, politika e megali idhea-s, e cila ishte aq'e egër, aq e pandryshuarshme n'atë kohë sa ç'është edhe sot. Rusia i shikonte tokat shqiptare si një rezervë për të zgjeruar shtetet sllavë të Ballkanit nëpërmjet të të cilëvet kërkonte të delte n'ujrat e ngrohta të Mesdheut. Austro-Hungaria mendonte edhe ajo t'i kishte krahinat shqiptare si një rezervë për vehte a si një mjet për të penguar shtrirjen e sllavizmit; por politika e saj e butë, e ngadalshme, nuk ishte aq dinamike sa ajo e Rusisë, dhe ndeshte, nga ana tjetër, në rivalitetin e Italisë, e cila kishte nisur t'a quante Adriatikun mare nostrum dhe s'mund të mos interesohej për Shqipërinë.
Mbasi me fuqitë e tyre Shqiptarët s'ishin të zotët të bënin gjëkafshë, iu mbetej të shikonin nga Austro-Hungaria e nga Italia, ja të kërkonin përkrahjen e ndokujt tjetër, ose të qëndronin nën Turqinë për t'i shpëtuar copëtimit prej fqinjëvet. Prandaj sa herë që Turqia ndodhej në luftë me këta, si për shembull me Greqinë më 1897, Shqiptarët ishin të shtrënguar t'i vinin në ndihmë, sepse mundja Turqisë donte të thoshte copëtimi i Shqipërisë. Qenë batalionët shqiptarë që iu dhanë dërmën Grekëvet prej Epirit në Thesali, më 1897. Po ashtu ngjante edhe kundër Sllavëvet. Përpjekjet e vazhduarshme për një bashkëpunim me Greqinë nuk arrijtën dot kurrë në një përfundim, sepse Greqia Shqiptarët Orthodoks i shikonte si "Grekë", dhe myslimanët si "Turq".
E kemi përsëritur kushedi sa herë se përçarjet e Shqiptarëvet ishin fetare, krahinore, psikologjike, mbasi gjatë shekujve këta qenë mësuar të shikonin drejt qendrash kulturore të ndryshme, dikush nga helenizmi, dikush nga Lindja islamike, dikush nga Perëndimi. Gjeografia i kishte mbajtur të thërrmuar në njësira të vogla me një botëkuptim shoqëror të ngushtë. Këto konflikte u acaruan me përpjekjet e Rilindjes kombëtare dhe me ndërhyrjet e jashtëme. Myslimanët, që përbënin shumicën, nuk ishin të gjithë për shkëputjen nga Turqia, qoftë prej fanatizmit fetar të cilin e nxiste pjesa m'e madhe e klerit syni, qoftë nga frika se mos binin nën sundimin e fqinjëvet të krishterë, qoftë nga interesat e veçanta të disa bejlerëve e çifligarëve të lidhur ngushtë me administratën e kalbur turke, qoftë më në fund nga ligji i inercisë. Natyrisht, fanatizmi fetar për Myslimanët nuk ishte i njëjtë në të gjitha krahinat. Në jugë, për shembull, vetëm disa bejlerë e çifligarë, si nëpunës e përfitonjës, kishin interes që të qëndronin me Turqinë, kurse popullsia në përgjithësi ishte e rrëmbyer nga ndjenjat kombëtare. Në malësitë e veriut përçarjet ishin më shumë krahinore se sa fetare. Në Shqipërinë e Mesme, ku bektashizmi pati hyrë aty-këtu, ndjenjat kombëtare kishin bërë përparim, po edhe fanatizmi turkoman qëndronte mjaft i fortë siç do t'a tregojnë ngjarjet e mëvonshme. Kurse Kosova, ndonëse myslimane me bindje, u bë për disa kohë qendra e lëvizjes dhe e kryengritjevet kombëtare kundër Portës së Lartë, e cila s'ishte e zonja t'i siguronte mprojtjen nga një pushtim i mundshëm i Serbisë ose edhe i Austrisë. Por lufta për autonominë gjeti kurdoherë aty kundërshtimin e feudalëve turkomanë dhe të një pjese të klerit syni. Në Shkodër, fanatizmi i Myslimanëvet ishte një gjë e mërzitëshme. Po edhe tek të Krishterët, megjithëse një pjesë e mirë e klerit ishte mendim-gjerë, zhvilloi kulturën dhe i solli shërbime çështjes kombëtare duke mbajtur lidhjet me Perëndimin, kishte edhe asish që s'e kuptonin dot Shqipërinë përtej krahinavet katolike.
M'e çuditshme paraqitej gjendja e Orthodoksvet. Ata që ndodhëshin jashtë atdheut, nëpër kolonitë, i kanë dhënë ndoshta ndihmesën më të madhe Rilindjes kombëtare kur mendojmë se edhe Arbëreshët e Italisë ishin orthodoks unitë. Kurse ata që jetonin brenda në Shqipëri u treguan grekomanë shumica, të shkelur nga kultura helenike dhe nga ndikimi i klerit grek. Pati qarkulluar mendimi për të krijuar një Kishë kombëtare më vehte, një Ekzarkat shqiptar, të pavarur nga Patrikana. Por brenda në Shqipëri, atdhetarët orthodoks q'e ushqenin këtë mendim ishin të pakët si numër megjithëse të flakët nga ndjenjat. Iu mbetej barra Shqiptarëvet orthodoks të kolonivet, të cilët e kuptonin rëndësinë e këtij problemi dhe i mundonte shumë zgidhja e tij. Sotir Peci, në gazetën Kombi që delte në Boston, pati propozuar këthimin e Shqiptarëvet orthodoks n'unitizëm, domethënë duke mbajtur liturgjinë e Kishës orthodokse të shkëputëshin nga Patrikana greke dhe të lidhëshin me Papën. Gazeta Shqipëria, n'Egjyptë, mendonte për një këthim në protestantizëm që mund t'a përqafonin, sipas asaj, edhe Shqiptarët e besimeve të tjera. Kurse Fan Noli, i cili pohonte me keqardhje se ishte ndarja fetare qe po i mbante Shqiptarët nën Turqinë dhe që i bënte Orthodoksit t'i shikonin si armiq vëllezërit e tyre myslimanë e katolikë, e gjente plagën e kësaj sëmundjeje në shkakun që asnjë nga fetë nuk thuhej në gjuhën shqipe dhe se kleri i tyre ishte i huaj ose me ndjenja të huaja. Sipas Fan Nolit, mjerimi vinte jo aq nga ndryshimi i fevet se sa nga kleri drejtonjës i tyre, i cili duhej t'ishte shqiptar dhe me ndjenja kombëtare.
Siç shihet, përçarjet e Shqiptarëvet nuk kishin karakter klasësh shoqërore në kuptimin ekonomik të fjalës. Dhe nuk kanë pasur kurrë një karakter të këtillë deri pas vitit 1920. Nëpër qytetet ishte formuar si gjithmone një borgjezi tregëtarësh dhe zejtarësh, por kjo nuk loste ndonjë rol politik të rëndësishëm, mbasi në Shqipëri fuqinë e kishin ata që kumandonin masat fshatare e malësore, domethënë bejlerët, bajraktarët, agallarët, kapedanët dhe kleri. Prej këtyre i ka ardhur vendit çdo e mirë ose e keqe, por sidomos shumë të këqia dhe fort pak të mira. Sepse këta ishin gjithmonë shumë të zotët për të prishur, për të çthurur, për të shpërndarë fuqitë kombëtare, dhe rrallëherë për të ndrequr.
Fshatarët, dhe aq më pak punëtorët, nuk e kanë pasur në Shqipëri, edhe pas vitit 1920, vetëdijën e një klase politike. Ata që flasin për lëvizje fshatarësh ose punëtorësh deri në këtë datë, shohin ëndërra me sy hapët ose duan të rrahin ujë në havan. Janë sidomos "historianët" komunistë që tregojnë këso prallash ose kodra pas bregut, duke i gjykuar ngjarjet e atëherëshme sipas mendimevet të sotshme. Është e vërtetë se fshatarë e malësorë kishin bërë kushedi sa kryengritje krahinore kundër Turqisë, kundër autoritetevet, por qëllimi ishte për të mos paguar taksat, për të mos vajtur ushtarë, për të jetuar sipas zakonevet, dhe jo për të marrë fuqinë politike ose për të ndarë tokat e bejlerëvet. Kjo s'iu shkonte nëpër mend si një gjë e mundshme as bujqvet më të shtypur që vuanin për bukën e gojës. Edhe kryengritja e Rebelëvet në Shqipërinë e mesme, më 1914-1915, ishte lëvizje e shtytur nga fanatizmi fetar dhe jo për t'iu marrë tokat bejlerëvet siç duan t'a tregojnë "historianët" e regjimit të sotshëm. Nëse fshatarët e Mallakastrës me Rrapo Hekalin në krye, kapën të gjallë dhe e pushkatuan në Qafën e Sinjës Isuf bej Vrionin më 1847, ishte sepse ky erdhi t'i shtronte si kryetar i administratës turke për t'i futur nën ligjet e Tanzimatit, dhe jo se ata kishin idenë e reformës agrare ose të luftës së klasëvet.
Sigurisht, tek Rilindasit ka pasur njerëz me ide përparimtare, që mendonin për reforma shoqërore-ekonomike, q'e urrenin klasën shfrytëzonjëse të feudalëve e bejlerëve, që kërkonin zhdukjen e titujvet dhe barasinë e të drejtavet, por këto ishin ndjenjat ose gjykimet e një numri të vogël intelektualësh dhe jo të masavet të gjera. Shahin Kolonja, në gazetën Drita, shkruante se bejlerët bëhëshin miq të qeverisë turke për të pasur në dorë forcën që t'a ripnin më kollaj popullin e varfër, duke e prurë Shqipërinë n'atë gjendje të mjeruar. Në një tjetër artikull, më 1905, gazeta Drita goditte të gjithë ata që mbahëshin si parësi, bejlerë, efendilerë e arhontë, të cilët i quante hajdutë e vjedharakë, shërbëtorë të Turqvet dhe të Grekëvet, ose që këthehëshin sot Turq e nesër Grekë me qëllim përfitimi, dhe vetëm kur kjo s'iu vlente më, bëhëshin Shqiptarë, shkonin në Londër e në Paris, ku nisnin të shkruanin fletushka për t'u treguar atdhetarë të zjarrtë.
Me këtë frymë edhe vjershëtari Asdren i dërgonte Faik Konitzës një letër që u botua n'Albania, më 1903, me titullin "Dy-tri fjalë për oxhakësinë". Asdreni tregohej mprojtës i vegjëlisë me idetë e Revolucionit Frëng liri, barasi, vëllazëri. S'e duronte dot "ndarjen e kombit në shkallë, me zotër, me robër". Nëqoftëse Shqipëria ka për të fituar pavarësinë, mos e fitoftë kurrë, thoshte ai, po të jetë se të gjithë Shqiptarët nuk do të gëzojnë të drejtat e tyre. Shqiptarët duhet të jenë të barabartë përpara ligjevet. "Në është që ca - vazhdonte Asdreni - duan të marrin mprimin (mprojtjen) e oxhakësisë, aq më tepër ne duhet të marrim mprimin e vegjëlisë, se jo parësia është shtyll' e kombit, po vegjëlia. Ajo vegjëli që derdhet kurdoherë në çdo rrezik kur parësia rri dhe vështron për së largu, ajo vegjëli që është përpjekur, edhe sot përpiqet me nevoja të rënda, të cilat nevoja parësia s'i ndjen... se lëpin këmbët e Anadollakëve për ca ergjënt !... Është detyra jonë të mos e lëmë vegjëlinë ndë thonjtë e mprehta të parësisë, po të kërkojmë t'i shërojmë plagët e gjakta, të dhëmburit e të cilavet e ndjen gjer në palcët". Megjithatë, Asdreni e pranonte se kishte edhe bejlerë që ishin atdhetarë te vërtetë dhe që sillëshin shumë mirë me këdo.
Vjersha ose thumba kundër bejlerëvet gjejmë edhe tek shkrimtarë të tjerë t'asaj kohe, si për shembull tek Çajupi. Por këto ishin ndjenja e mendime intelektualësh të ndikuar nga idetë shoqërore q'atëhere qarkullonin n'Evropë. Kurse në Shqipëri, këto ide nuk kishin bërë akoma rrugë në masat popullore. Parësia përbënte n'atë kohë kuadrat e popullit shqiptar, i cili s'mund të lëvizte veçse i udhëhequr prej asaj. Bejlerë, bajraktarë, agallarë, etj., ishin klasa drejtonjëse e krijuar prej shekujsh nga historia dhe gjeografia e vendit, kishin një funksion në shoqërinë shqiptare, si gjëndërrat në një organizëm, dhe s'mund të zhdukëshin veçse pas një evolucioni - të shkurtër apo të gjatë - kur populli të nxirte një tjetër sistem gjëndërrash, domethënë të tjera kuadra udhëheqëse. Prandaj lufta e brendëshme n'atë kohë ishte ndërmjet krerëvet, ose ndërmjet fevet, dhe jo ndërmjet klasëve shoqërore në kuptimin ekonomik të fjalës. Megjithatë populli jetonte në mjerim dhe vuante nga uria, kur ishte puna për të lëvizur, shkonte pas beut, agajt ose bajraktarit të krahinës, domethënë pas atyre që e shtypnin, e shfrytëzonin, dhe më të shumtën e herës e bënin të vritej për interesat e tyre të veçanta a sepse ishin të paguar prej agjentësh të huaj. Në këtë lodër të shëmtuar hynte, natyrisht, edhe kleri, i cili fuste spica dhe shtynte andej ose këtej. Por kjo ishte mendësia e popullit, se ashtu ishte mësuar prej shekujsh. A nuk vuanin shtresat popullore t'Evropës së Perëndimit në Kohën e Mesme? Megjithatë, luftat bëhëshin ndërmjet feudalëvet, e jo ndërmjet popullit dhe këtyre.
Shkaku i përçarjevet shqiptare ishte dhe është ai që kemi treguar qysh në fillim të këtij studimi: se Shqiptarët s'kanë mundur të formonin kurrë gjatë historisë së tyre një vatër kulturore të brendëshme dhe një bosht politik kombëtar rreth të cilëve të mblidhëshin si njësi e bashkuar. Kanë vështruar gjithmonë drejt qendrash fetare e politike të jashtëme, duke i përzjerë tok fe e politikë. Vijat e kësaj mendësie iu kanë mbetur edhe sot në thellësitë e pavetëdijës, megjithëse nuk duan t'a pohojnë. Shikojnë gjithmonë përjashta se kush po i "çliron" e kush po i "shpëton", dhe jo në forcat e tyre. Kanë më shumë besim tek një xhandar i huaj se tek një hero shqiptar. Edhe mendësia e ngushtë e krahinarizmës, e bajraktarizmës, e bejlerllëqeve, e agallëqeve dhe e tarafeve nuk është zhdukur akoma nga pavetëdija e shumë Shqiptarëve, por çfaqet në një tjetër formë, në formë "partish politike" : çdo grup tre-katër vetash do të dëshironte t'ishte mundësisht një "parti", por me kusht që t'i vinte radha çdo njërit për të qënë "kryetar!". Sigurisht, shërimi i plagëvet psikike është m'i vështirë dhe shumë m'i ngaldalshëm nga ai i plagëvet trupore. Po kur t'i kemi kuptuar mirë shkaqet e tyre, është fillimi i shërimit.
Se çfarë pengese ishte për bashkimin ndarja fetare (që donte të thoshte njëkohësisht ndarje kulturore e politike) e kishin kuptuar të gjithë shkrimtarët e Rilindjes dhe deri atdhetarët e thjeshtë. Duke përsëritur një fjali të Sami Frashërit, "Shqiptari ka qënë shqiptar përpara së të bëhet i krishter a mysliman", shkruante Shahin Kolonja në gazetën Drita. Dhe iu këthehej Myslimanëvet: A dinte turqisht Profeti? A ka thënë kurrë që duhet të nxëmë këtë gjuhë dhe të lëmë mënjanë tonën? Pastaj klerit orthodoks e katolik: A nuk ju ka urdhëruar Krishti që t'i ndriçoni njerëzit në gjuhën e tyre?... Tani ç'janë gjithë këto gjuhë të pakuptuarshme me të cilat po na ndani dhe na ngatërroni? Pse nuk dëgjoni fjalën e Zotit, në vend që të përhapni idetë e Patrikanës dhe t'Ekzarkatit, që janë veglat e Athinës dhe të Sofjes? Një klerik që nuk është Shqiptar, por Grek, Italian ose Austriak, ç'mund të bëjë në Shqipëri? Si do t'a bëjë ai këtë komb t'a kuptojë fenë, kur nuk i flet shqip?
Si shihet, mendimet e Rilindasvet mbi shkakun e përçarjes së Shqiptarëvet janë po ato, veçse ata i vënë gishtin sidomos plagës fetare dhe jo aq tepër ndarjevet krahinore, të cilat nuk ishin më pak të rrezikshme. Sepse këto, duke e kufizuar botëkuptimin e Shqiptarit në rrethin e krahinës, fuqizonin kryetarin e saj dhe iu jepnin lidhjevet shoqërore një karakter personal. Prandaj në Shqipëri, edhe gjer pas vitit 1920, jeta politike vërtitej rreth personash, klikash, tarafesh, ku loste rolin e tij edhe kleri i të tri fevet, dhe nuk pat pasur kurrë parti ose rryma politike t'organizuara me një program të caktuar, në kuptimin modern të fjalës.
Për t'i mbledhur bashkë të gjitha këto koka, të cilat punohëshin prej lloj lloj intrigash të jashtëme dhe shkonin andej nga kishin interes, nuk ishte një punë fort e lehtë. Siç thamë më sipër, mund t'ishte bërë ndoshta sikur fati t'i kishte falur Shqipërisë një burrë të jashtëzakonshëm, ose po të kishte pasur një komitet drejtonjës shumë të fortë. Mjerisht, kjo nuk ngjau. Rilindasit e ndjenin dobësinë e brendëshme të lidhjevet shqiptare e prandaj, në programin politik të tyre, nuk shkonin përtej autonomisë. Shumica e mendonte këtë në kuadrin e Perandorisë Otomane, të tjerë nën mprojtjen e Austro-Hungarisë, sepse dyshonin nëse Shqipëria do të mund të qëndronte mbë këmbët e saja që në ditët e para si shtet i pavarur. E mendonin për një kohë të dytë pavarësinë e plotë, kur t'ishin forcuar lidhjet e brendëshme dhe pozita e jashtëme e Shqipërisë si shtet. Natyrisht, frika nga një ndërhyrje e fqinjëvet e forconte më shumë akoma këtë dyshim.
Mbasi shikuam vështirësitë e brendëshme për bashkimin e luftës dhe t'energjivet të kombit shqiptar në një drejtim të vetëm - në drejtimin e autonomisë ose të pavarësisë - le të hedhim tani një vështrim të jashtëm mbi gjendjen ndërkombëtare dhe ndërhyrjet e fuqivet të mëdha në Ballkan, ndërhyrje të cilat e penguan vazhdimisht shkëputjen e Shqipërisë si një shtet autonom.
Pas Kongresit të Berlinit, fuqitë e mëdha, duke bërë secila llogaritë e saja, u gjetën në një mendje për të mbajtur statu quo-në (domethënë mos-ndryshimin e gjendjes) në Ballkan. Kancelari i Gjermanisë, Bismarck-u, i cili u mbiquajt kancelari i hekurt desh nga njëra anë t'a mbante Francën të veçuar, që kjo të mos bënte dot ahmarrje për disfatën e pësuar më 1870-1871, dhe n'anën tjetër t'a ndalonte Austrinë që të këthehej për t'ushtruar ndikimin e dikurshëm mbi kombësitë gjermanike. Kështu Austrisë nuk i mbetej tjetër mundësi se nga të shtrihej veçse Ballkanit dhe rruga e Selanikut. Por drejt Ballkanit varej edhe pesha e Rusisë për të dalë në Ngushticat. Që të pengonte afrimin midis Francës dhe Rusisë - kjo e fundit ngeli e pakënaqur prej vendimevet të Kongresit të Berlinit - dhe të mbante njëkohësisht me vehte Austro-Hungarinë, Bismarck-u pati mundur të krijonte dhe të përsëriste Aliancën e Tre Perandorëvet (i Gjermanisë, i Rusisë dhe i Austro-Hungarisë). Por mbasi n'atë kohë kishte dalë në skenë edhe Italia, sadoqë e dobët, Bismarck-u desh t'a afronte edhe këtë, e cila ishte shqetësuar nga pushtimi i Tunizisë prej Francës. Kështu u nënshkrua Alianca Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, më 20 Maj 1882. Kjo aliancë kishte sidomos për qëllim t'i bënte kundërpeshë ndërhyrjes së Rusisë, ndoshta edhe të Francës, në Ballkan. Por Anglia dhe Franca, që kishin koloni dhe interesa të mëdha në Lindje, kërkonin vetëm të mbahej statu quo-ja në Ballkan, për të ruajtur pozitat e tyre të siguruara me kohë në Perandorinë Otomane dhe për të ndaluar daljen e Rusisë në Ngushticat ose t'Austro-Hungarisë në Selanik, gjë që do t'a përmbyste ekuilibrin e forcavet dhe do të hapte përsëri grindjen e çështjes së Lindjes. Kurse Italia, që s'kishte shumë peshë, i trembej fort zgjerimit t'Austro-Hungarisë në Ballkan, sidomos në bregun lindor t'Adriatikut, prandaj donte edhe ajo që të mbahej statu quo-ja, domethënë ato vende të mbetëshin ashtu siç ishin, nën Turqinë.
Fuqitë drejtpërdrejt t'interesuara në Ballkan ishin Austro-Hungaria dhe Rusia, prandaj këto të dyja e mbanin balancën, domethënë për çdo ndryshim të gjendjes, bisedimi, ndeshja ose marrëveshja e parë do të bëhej ndërmjet këtyre. N'Aliancën e Tre Perandorëve, këto ia kishin njohur njëra-tjetrës këtë të drejtë, që asnjë ndryshim të mos bëhej në Ballkan pa pëlqimin e të dy palëvet. Kishin ndarë deri diku edhe zonat përkatëse t'interesavet të tyre: synimet e Austrisë do të përmbahëshin n'anën perëndimore të gadishullit, ku përfshihej edhe Shqipëria. Më vonë Gjermania nisi t'ushtronte në Stamboll një ndikim të madh, i cili erdhi duke u forcuar dhe duke zënë vendin që kishte mbajtur deri atëhere në kryeqytetin turk diplomacia angleze. Kjo shkaktoi pak nga pak largimin e Anglisë prej çështjevet ballkanike. Më 1887, Gjermania lidhte një traktat të veçantë me Rusinë, së cilës i njihte të drejtën e mbizotërimit në Bullgari.
Përsa iu përkiste tokavet shqiptare në lidhje me fuqitë e mëdha, (përveç lakmivet të fqinjëvet ballkanase) rivaliteti ishte sidomos ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Italisë. Francesco Crispi e kishte shpallur në Parlamentin italian, që më 1880, se Austro-Hungaria duhej të mbetej e kënaqur me pushtimin e Bosnjës e të Herzegovinës, dhe të mos kërkonte të shtyhej më tutje. "Në pajtim me interesat dhe parimet tona, ne duhet të jemi mprojtësit dhe miqtë e shtetevet të vegjël në Ballkan", shtonte Crispi.
Bismarck-u i kuptonte qëllimet e Italisë në lidhje me Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, nuk kishte fort besim tek qëndrimi i Rusisë n'Aliancën e Tre Perandorëvet. Ndoshta me shtytjen e tij, kur u përsërit Alianca Tripalëshe ndërmjet Gjermanisë, Italisë, Austro-Hungarisë, më 20 Shkurt 1887, për të siguruar Italinë, Austro-Hungaria nënshkroi me këtë një traktat të veçantë me anën e të cilit të dy shtetet zotohëshin të mbanin statu quo-në në Ballkan, në tokat e Turqisë të brigjevet dhe t'ishujvet t'Adriatikut dhe t'Egjeut. Nëqoftëse mbajtja e statu quo-së do t'ishte e pamundur, të dy shtetet do të pyetëshin midis tyre dhe do të binin n'ujdi se ç'duhej të bënin, për pushtime tokash a çdo lloj përfitimi, pa shkelur interesat e njëri-tjetrit. Siç shihet, ky traktat njihte edhe Italinë si një fuqi drejtpërdrejt t'interesuar në Ballkan, përveç Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Por Italia politikën ballkanike e kufizoi sidomos rreth Shqipërisë e në miqësinë me Malin-e-Zi, dhe nuk pati peshën e dy fuqivet të tjera. Alianca Tripalëshe u përsërit disa herë duke përmbajtur edhe marrëveshjen e veçantë ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë në lidhje me Ballkanin. Por çështja e Shqipërisë mori një rëndësi më të madhe për të dy këta shtete, sidomos pas vitit 1900. Austro-Hungaria nuk donte që bregu i Adriatikut, me Durrësin dhe Vlorën, të binte nën sundimin e një fuqie tjetër.
Kur nisi kryengritja e Kretës që shkaktoi luftën greko-turke më 1897, mundësia e një ndryshimi të statu quo-së në Ballkan e bëri Austro-Hungarinë t'i kushtonte tërë kujdesin çështjes shqiptare. Qarqet politike dhe ushtarake të Vienës u gjetën në një mendje se Shqipëria kishte për Austrinë një rëndësi të radhës së parë. Por mbasi pushtimi i saj paraqitej i vështirë, se do të ndeshte, përveç të tjerash, në kundërshtimin e Italisë, Viena mendoi të përkrahte krijimin e një Shqipërie autonome ose të pavarur, mundësisht nën mprojtjen e Austro-Hungarisë, e cila lakmonte për vehte Durrësin dhe Vlorën. Sa për krahinat e jugës, ku ndihej fryma e helenizmit, diplomacia austriake mund të hynte në bashkëfjalim me Greqinë sesi do të rregullohëshin. Këto ishin, natyrisht, parashikime në rast se do të shkatërrohej Perandoria Turke. Njëkohësisht me këto plane, Austro-Hungaria u mundua t'arrinte në një marrëveshje me Rusinë, në mbarim të Prillit 1897, për të ruajtur statu quo-në në Ballkan, i cili do të mbetej i ndarë si gjithnjë në dy zona ndikimesh: n'atë të Rusisë, nga lindja, dhe n'atë t'Austro-Hungarisë n'anën perëndimore. Si shihet, Italia nuk u përfill në këto bisedime. "Marrëveshja" austro-ruse ishte vetëm një shkëmbim fjalësh, ku thuhej se të dy palët njihnin interesat e njëra-tjetrës dhe se do të përpiqëshin të largonin çdo grindje rivaliteti që mund të prishte paqen e Evropës. Po kur Viena, pas pak ditësh, i paraqiti një notë ministrit të Punëve të Jashtëme të Rusisë, në të cilën parashtronte kërkesat e saja në rast se nuk do të mund të mbahej statu quo-ja në Ballkan, u gjend përpara një kundërshtimi të pandryshuar. Viena kërkonte për vehte aneksimin e Bosnjës e të Herzegovinës2 dhe mundësisht sanxhakun e Novi Pazarit, pastaj krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, i cili do të shtrihej që nga Janina gjer në Shkodër, me një zgjerim t'arësyeshëm nga ana e lindjes, dhe do të mbetej jashtë çdo sundimi të huaj. Tokat e tjera turke të gadishullit do të ndahëshin ndërmjet shteteve të Ballkanit sipas parimit të kombësivet. Rusia nuk i pranoi këto kërkesa të cilat i gjente të parakohshme, si aneksimin e Bosnjës e të Herzegovinës ashtu edhe pavarësinë e Shqipërisë. Pajtohej me Vienën vetëm përsa i përkiste mbajtjes së statu quo-së në Ballkan. Ndërkaq, Greqia u mund prej Turqisë dhe kërkoi armëpushimin. Gjendja në Ballkan mbetej ashtu si ishte.
Italia, nga ana e saj, dyshonte se mos Austro-Hungaria pregatitej dhe priste rastin për t'a gëlltitur Shqipërinë. Pati disa herë nxehje mendimesh dhe shtytje për vepërim: qarqet politiko-kulturore, q'e shikonin Adriatikun si det italian, kërkonin nga qeveria masa energjike për të mprojtur "të drejtat" dhe interesat e Italisë në Shqipëri. Nuk mungonin as planet: për shembull ai i Profesor Baldacci-t, i cili parashihte formimin e një principate malazezo-shqiptare që të përfshinte Shqipërinë e veriut, kurse ajo e jugës mund të hynte si një pjesë më vehte nën mprojtjen e Italisë. Miqësia me Malin-e-Zi erdhi duke u forcuar më shumë kur Victor Emmanuel III u martua me Helenën, të bijën e Knjaz Nikollës, më 1889. Italia i shtoi atëhere shkëmbimet dhe marrëdhëniet me Malin-e-Zi, dërgoi kompani ndërtimesh, nisi lidhje kulturore etj. Knjaz Nikolla, duke përfituar prej miqësisë me Italinë, desh të bënte për vehte krerët e malësivet shqiptare katolike të veriut. Kjo e shqetësoi Austro-Hungarinë, e cila ndërhyri me anën e klerit dhe duke iu shpërndarë ndonjë ndihmë malësorëvet.
Qëllimet e Italisë në Shqipëri i përkrahte edhe Franca, e cila e shtynte në këtë drejtim, qoftë për t'a mbajtur larg nga Afrika veriore, qoftë për t'a kthyer kundër Austro-Hungarisë dhe mundësisht t'a shkëpuste prej Aliancës Tripalëshe. Megjithatë, Italia qëndroi në këtë aliancë deri më 1914, por pati shpeshëherë me Austro-Hungarinë bisedime e shkëmbime notash, një luftë politike të vërtetë, rreth çështjes shqiptare. Në kryengritjen e Kretës, më 1897, Italia, në kundërshtim me aliatët e saj, u tregua përkrahëse e Greqisë.
Vijën politike që kishte caktuar kundrejt Shqipërisë Austro-Hungaria ia bëri zyrtarisht të njohur Italisë në Nëntor 1897, kur u takuan në Monza ministri austriak i Punëve të Jashtëme, Goluchowski, me kryeministrin italian, Rudini, i shoqëruar nga ministri i tij i Punëve të Jashtëme, Visconti Venosta. N'atë pjekje, Goluchowski iu tha bashkëfolësvet se Austro-Hungaria nuk kishte ndër mend t'a pushtonte Shqipërinë, por as nuk lejonte që një tjetër fuqi të shkelte n'atë vend. Ministri Venosta iu përgjigj menjëherë se edhe Italia nuk kishte për qëllim pushtimin e Shqipërisë. Atëhere të dy palët ranë n'ujdi që, në rast se Turqia do të humbiste Maqedoninë, t'a bënin Shqipërinë ose autonome në kuadrin e Perandorisë Otomane, ose principatë të pavarur.
Megjithëse marrëveshja e shprehur në Monza mbeti si baza e politikës së përbashkët austriake dhe italiane kundrejt Shqipërisë deri në shpalljen e pavarësisë, më 1912, e në caktimin e kufijvet dhe të Statutit të parë të shtetit shqiptar, rivaliteti i dy fuqivet midis tyre nuk pushoi kurrë për të shtrirë secila në këtë vend ndikimin e saj me qëllim pushtimi, ose shfrytëzimi, gjë që e dëmtoi shumë kombin tonë fatkeq.
Italia disa herë u tregua m'e gatishme për të përkrahur autonominë shqiptare kundrejt Turqisë, si për shembull më 1903, kur u vu në planin ndërkombëtar çështja e reformavet për Maqedoninë. Por Austro-Hungaria ishte m'e forta, kishte lidhje tokësore me gadishullin ballkanik, dhe rolin kryesor e loste ajo në çështjen shqiptare. Më 1903, bashkëpunoi me Rusinë për të mprojtur të drejtat e popullsisë maqedonase; më 1908, përkrahu pavarësinë e Bullgarisë dhe aneksoi për vehte Bosnjën e Herzegovinën, të cilat i mbante të pushtuara që nga koha e Kongresit të Berlinit, por nuk bëri as një çap, as një ndërhyrje pranë Portës së Lartë për t'i mbledhur tokat shqiptare në një tërësi të vetëme, autonome. Priti gjer më 1912, kur Serbia po delte në Durrës dhe Greqia në Vlorë. Por atëhere ishte tepër vonë, se shtetet ballkanikë ishin pregatitur me kohë dhe kishin tërë përkrahjen e Rusisë. Pastaj, në fillim të këtij shekulli, të tjera lidhje qenë krijuar ndërmjet fuqivet të mëdha. Kundrejt Aliancës Tripalëshe ishte formuar Entente-a (Marrëveshja) ndërmjet Francës, Rusisë dhe Anglisë. Antagonizmi franko-gjerman e shtyti Francën t'i shikonte Sllavët si aliatë të natyrshëm, të lidhej ngushtë me Rusinë dhe të përkrahte bashkë me këtë, e deri diku me Anglinë zgjerimin e shteteve të Ballkanit në tokat shqiptare.
Rivaliteti ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë u bë ndoshta shkaku kryesor që Shqipëria mbeti nën Turqinë gjer më 1912, sepse secila prej atyre fuqive donte t'a pushtonte për vehte, kur t'i vinte koha, dhe nuk i ndihmoi kurrë Shqiptarët që të shkëputëshin prej Turqisë. Shpeshëherë qenë çfaqur mendime, sadoqë jo zyrtarisht, për ndarjen e Shqipërisë midis dy fuqivet rivale. Italisë i interesonte sidomos Vlora dhe pjesa që sundonte Ngushticën e Otranto-s, për sigurimin e saj n'Adriatik. Kurse Austro-Hungaria, përveç interesavet që kishte edhe ajo n'Adriatik, mendonte për një Shqipëri më të gjerë nga ana e veriut dhe e lindjes, për t'ia vënë si një ndalesë shtrirjes së sllavizmit. Sidoqoftë, politika e të dy shtetevet u kufizua në mbajtjen e statu quo-së, po rivaliteti për të zgjeruar seicili ndikimin e vet në Shqipëri vazhdoi i fortë dhe i pandërprerë, në fushën e kulturës, të propagandës dhe të shkëmbimevet ekonomike. Si njëra edhe tjetra nga të dyja fuqitë u përpoqën të hapnin shkolla sa më shumë, të shtonin numrin e konsullatavet duke e shtrirë edhe më tej vepërimin e tyre, të zgjeronin tregëtinë. Në fushën e arësimit Austro-Hungaria ndihmohej prej klerit katolik, po edhe Italia përfitonte nga lidhjet e vjetra kulturore me Shqipërinë dhe i mbante mirë shkollat e saja laike. Përfitonte gjithashtu nga lëvizja e Arbëreshëvet, të cilët i vinte përpara si mbulesë. Këta thërrisnin kundër ndërhyrjevet t'Austro-Hungarisë në Shqipëri por, duke qënë nënshtetas italianë, nuk e ndjenin se edhe Italia donte të bënte po atë gjë. Arësimit shqip dhe kulturës kombëtare u përpoq t'i jepte shtytje sidomos Austro-Hungaria, e cila nuk u kursye në këtë drejtim; kurse nëpër shkollat italiane mësimet jepëshin n'italisht. Turqia e shikonte me sy të mirë veprimtarinë e Italisë, për të kundërbalancuar Austro-Hungarinë të cilën e druante më shumë. Porta e Lartë e kuptonte se rivaliteti ndërmjet të dyjave shërbente për t'a mbajtur Shqipërinë vazhdimisht nën Perandorinë Otomane. Gjer nga mbarimi i shekullit XIX, pothuajse tri të katërtat e tregëtisë së jashtëme të krahinavet shqiptare bëhëshin me Austrinë. Por pastaj shoqëritë italiane të lundrimit si edhe shoqëritë tregëtare filluan të hapnin agjensitë e tyre nëpër skelat dhe qëndrat e brendëshme të Shqipërisë, sidomos të vilajetit të Janinës, kështu që shkëmbimet me Italinë erdhën duke e shtuar vëllimin. Nisën të vendosëshin aty-këtu edhe sipërmarrje italiane për shfrytëzime të ndryshme. Kur, më 1908, Austro-Hungaria bëri të njohur planin për ndërtimin e një hekurudhe prej Sarajevos në Mitrovicë dhe prej këtej në Selanik - ndërmarrje e madhe drejt detit Egje - Italia nxori një tjetër plan për të ndërtuar një hekurudhë prej Vlorës në Manastir, e cila do të ndiqte deri diku drejtimin e Via Egnatia të Romës së vjetër.
Natyrisht, seicili prej dy shtetevet rivalë mundohej të bënte për vehte edhe Shqiptarët, domethënë klasën drejtonjëse, klerin dhe intelektualët. Kleri katolik, në pjesën më të madhe, ishte për Austro-Hungarinë. Po ashtu edhe disa intelektualë, si Faik Konitza, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Kristo Luarasi e të tjerë. Zëdhënësi m'i dukshëm i klerit katolik n'atë kohë, Prenk Doçi, abati i Mirditës, besonte se Austria ishte i vetëmi shtet që s'kishte për qëllim t'a pushtonte Shqipërinë, por veç t'a ndihmonte të bëhej e pavarur për t'a pasur mike dhe aliate. Kurse Italia ishte m'e rrezikshme nga çdo tjetër fuqi, mendonte Prenk Doçi, se kishte nevojë t'a pushtonte Shqipërinë për t'a shfrytëzuar dhe kolonizuar, domethënë për të hedhur aty një pjesë të popullsisë së saj që shtohej vazhdimisht. Edhe intelektualët e tjerë anonin nga Austria pak a shumë për këto arësye, sepse shpresonin tek ajo për mprojtjen, zhvillimin dhe lirinë e Shqipërisë. Po edhe Italia kishte aty-këtu përkrahësit e politikës së saj, duke ngjallur herë shpresa e herë dyshime, sipas natyrës së ndërhyrjevet. Në fillim dha shpresa se dukej sikur do të ndihmonte autonominë e Shqipërisë, sidomos që, n'atë kohë, një nga udhëheqësit e saj më të mëdhenj ishte Francesco Crispi, Arbëresh nga Siqelia. Mirëpo kur nisi t'a zgjeronte veprimtarinë e brendëshme, të vinte dorë kudo me ndërmarrjet tregëtare, hapjen e shkollavet etj., zu të jepte përshtypjen se qëllimi i saj ishte shfrytëzimi, pregatitja e kolonizimit, dhe jo autonomia ose pavarësia e Shqipërisë. Mjerë ai komb i robëruar që shpreson të lirohet me "ndihmën" e huaj !
Sa për marrëveshje me popujt e tjerë të Ballkanit, Shqiptarët patën provuar vetëm me Grekët, mbasi ishin dy kombet më të vjetër të gadishullit, kishin pasur lidhje historike e kulturore prej më se dy mijë vjetësh dhe, siç tha Bismarck-u, ishin aliatë të natyrshëm kundër Sllavëvet dhe Turqvet. Duk' me qënë se n'atë kohë besohej edhe në legjendën "pellazgjike", e cila na nxirte gjiri me Grekët, disa Shqiptarë, sidomos prej Orthodoksvet, patën menduar se të dy kombet mund të formonin një konfederatë nën dinastinë mbretërore greke, pak a shumë siç ishin atëhere Norvegjia me Suedinë. Këtë mendim e ushqeu për ca kohë edhe Thimi Mitkua, por me kusht që shteti shqiptar të përfshinte Janinën dhe tërë Epirin deri në Prevezë. Një politikë afrimi dhe bashkëpunimi me Greqinë u përpoq t'a bënte edhe Ismail Qemali, duke u pështetur në rrezikun sllav që kërcënonte Greqinë në Maqedoni dhe Shqipërinë në Kosovë. Por Ismail Qemali nuk shkonte gjer në krijimin e një konfederate greko-shqiptare. Të dy kombet duhej të bashkëpunonin ngushtë, me të drejta të barabarta dhe si shtete të pavarur nga njëri-tjetri. Kjo gjë ishte e pamundur sepse, siç thoshte Abdyl Frashëri, i cili e pati provuar këtë politikë më përpara, "Grekët na duan të nënshtruar dhe jo të barabartë". Më në fund edhe Thimi Mitkua e të tjerë e kuptuan këtë të vërtetë dhe nuk mendonin më për "konfederatën" greko-shqiptare, por si e si t'a shpëtonin vendin nga thonjtë e Greqisë.
Sa për idenë e një bashkëpunimi me Vllehtë, me Maqedonasit, ose edhe me Malin-e-Zi, nuk vlen të zgjatemi, se këto qenë mendime të rastit e të çastit, që nuk patën kurrë një bazë të shëndoshë.
Por cilët ishin burrat që drejtonin mendimin shqiptar n'atë kohë? Pas vdekjes s'Abdyl Frashërit, kishte mbetur i vëllaj, Samiu, si udhëheqësi ideologjik i Shqiptarëvet. Kurse Naimi e adhuronte Shqipërinë si poet, e donte të bashkuar si mëmën e të gjithëve, të lirë e të përparuar, por nuk kishte mendime politike se qysh mund t'i arrihej asaj së mire. Abdyli pati qënë njeriu i vepërimit, qe munduar të shfrytëzonte ngjarjet e rrethanat, për t'a bërë Shqipërinë autonome ose të pavarur, sipas zhvillimit të gjendjes së brendëshme e së jashtëme. Përpara së gjithash, kërkonte të bënte bashkimin ethnik të Shqipërisë, mbledhjen e tokavet dhe të kombësisë shqiptare në një tërësi të vetëme, pastaj forma e regjimit a Statuti që do të gëzonte ky shtet vinin në radhën e dytë. Megjithëse e peshonte aq sa duhej rëndësinë e faktorëvet të jashtëm, Abdyl Frashëri është i vetëmi nga udhëheqësit e Rilindjes që kujdesin e parë ia kushtoi organizimit të brendshëm dhe luftës me armë të kombit shqiptar. E dinte ose e ndjente se, pa qëndresën e tij, pa luftën e tij, një popull s'mund të fitojë asgjë, cilatdo qofshin rrethanat e jashtëme. Mbasi n'atë kohë gjithë shtetet e Ballkanit si edhe t'Evropës, përveç Francës dhe Zvicrës, ishin mbretëri ose principata, Abdyl Frashëri, në një letër që i drejtonte Francesco Crispit, më 1890, i paraqiste si mbretin e ardhshëm të Shqipërisë princin Fuad t'Egjyptit, stërnipin e Mehmet-Aliut. Ai dukej si m'i përshtatshmi për shumë arësye, sepse ishte Shqiptar nga gjaku, kishte kulturë evropiane, shikohej mirë prej Italisë (ku kishte marrë mësime ushtarake) dhe prej Anglisë; pastaj, si mysliman, ishte m'i pranuarshëm jo vetëm prej shumicës së Shqiptarëvet po edhe prej Turqisë, nëqoftëse Shqipëria do të mbetej për ca kohë si shtet autonom nën mvarësinë e Sulltanit. Abdyl Frashëri ia shkruante letrën Crispit n'emër të Shqiptarëve të Stambollit, të cilët n'atë kohë duket se ishin të gjithë në një mendje për të zgjedhur si mbret t'ardhshëm të Shqipërisë princin Fuad. Por ka të ngjarë që Samiu t'a ketë pranuar këtë mendim si një nevojë të rastit dhe të rrethanavet, sepse, në shkrimet e tija u tregua republikan: "Në u bëftë dot Shqipëria më vehte, nuk do të kemi nevojë për princër as të krishterë as muhamedanë, që të na rjepin e të na pinë gjaknë. Vëndi ynë munt edhe të kuvernohet (qeveriset) prej një farë dhimokratie, prej pleqve..."etj.
Idenë e bashkimit të Shqipërisë si një tërësi e pandarë dhe të përpjekjes së Shqiptarëvet vetë për vendin e tyre e kishte edhe Samiu, por ky ishte më tepër ideolog se sa njeriu i vepërimit politik, prandaj pikëpamjet e tija nuk ishin aq praktike sa ato t'Abdylit. Me kulturë të gjerë, i thellë nga mendimi, i mbushur me frymën e re të përparimit, shkrimtar, filolog dhe enciklopedist në gjuhën turqishte, Samiu ishte kundër absolutizmit të regjimit perandorak otoman dhe sidomos kundër gjendjes së Shqipërisë nën atë regjim. E kemi parë më sipër veprimtarinë e tij, si kryetar i Shoqërisë së Stambollit, për të përhapur arësimin dhe dituritë në gjuhën shqipe. Pas 1890-ës Shoqëria e Stambollit u riorganizua dhe mori emrin "Komiteti Shqiptar", gjithnjë nën kryesinë e Samiut, i cili tani duhej të loste edhe rolin e udhëheqësit politik. Mendimet e tija ishin përparimtare në fushën shoqërore dhe në lidhje me organizimin e ardhshëm të Shqipërisë, e cila do të qeverisej si një republikë demokratike. Samiu e parashihte t'afërt rrëzimin e Perandorisë Otomane dhe të pamundur që Shqipëria të qëndronte për një kohë të gjatë me Turqinë, edhe sikur kjo të ndërronte regjim. Prandaj Shqiptarët duhej të lidhnin besën e të bashkohëshin si komb për të formuar një tërësi autonome nën Sulltanin, deri sa të pregatitëshin (e të krijohej gjendja) për të qënë më vonë një shtet i pavarur. Me idenë e lirisë, kundër çdo fanatizmi fetar, Samiu e dënonte politikën çkombëtarizonjëse turke dhe greke që iu ndalonte Shqiptarëvet shkollat në gjuhën e tyre, që i shikonte Myslimanët si Turq dhe Orthodoksit si Grekë ose Rum. Shprehej me hidhërim kundër përpjekjevet të Greqisë për ndarjen dhe helenizimin e Shqiptarëvet orthodoks me qëllim që të pushtonte Toskërinë. Sikur Turqia të vazhdonte e t'i mbante Shqiptarët n'atë gjendje, pa shkolla në gjuhën e tyre, s'do të mbetej kombësi shqiptare - mendonte Samiu - dhe vendi i ynë do të ndahej ndërmjet Grekëvet dhe Sllavëvet. Prandaj duhej vepëruar përpara se t'ishte tepër vonë.
Disa nga këto mendime qenë shprehur në një shpallje programi me titullin "Ç'duan Shqiptarët", që e nxori Komiteti i Stambollit më 1897 dhe që ishte shkruar si duket prej dorës së Samiut. Kjo shpallje iu tregonte Shqiptarëvet rreziqet që iu kërcënohëshin dhe mënyrën sesi mund t'iu bëhej ballë. Këshillonte mbledhjen e të gjithave rrymave kombëtare në një organizim të përbashkët, në një besë, duke marrë si shembull Lidhjen e Prizrendit. Siç shihet, mënyra që këshillonte Komiteti Shqiptar i Stambollit nuk ishte fort dinamike, sepse Lidhja e Prizrendit u formua në të tjera kondita, nën kërcënimin e copëtimit të vendit, dhe megjithatë e pamë sesi përfundoi. Pas hedhjes së kësaj shpalljeje, u bë një provë e dytë me Lidhjen e Pejës, e cila, mbaroi më keq akoma, siç do t'a shohim më poshtë.
Por mendimet e tija politike Samiu i shprehu kryesisht në një libërth: "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?" botuar nga Shoqëria "Dituria" e Bukureshtit, më 1899. Libërthi u shtyp pa emrin e auktorit, që kuptohej se cili ishte. Mbas një tregimi të shkurtër dhe pak si romantik të historisë së vjetër e mesjetare të Shqipërisë, Samiu përshkruante gjendjen e saj të mjeruar ku e kishte prurë sundimi turk pas Tanzimatit dhe këshillonte se ç'duhej bërë për t'a nxjerrë nga ajo gjendie. "Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorët të Shqiptarëvet", shkruante Samiu. Sikur këta të mbeten të këputur në katër vilajete dhe të luftojnë kundër fqinjëvet, jo për kombësinë e tyre po për të mprojtur Turqinë, bota do t'i mbajë për Turq dhe vendi i ynë do të copëtohet ndërmjet shtetevet të Ballkanit si pjesë e Perandorisë Otomane. Prandaj "duhetë një orë e më parë të ndahetë Shqipëria, e të dihetë që ku e gjer ku është. Të njihetë vëndi i ynë për Shqipëri, t'a njohë edhe Evropa Shqipëri. Shqiptarëtë të ndritojnë e të zbukurojnë gjuhën e tyre me shkronja e me dituri; të bashkohenë të gjithë bashkë e të tregohenë si një komb... Atëhere edhe të bëhetë një trazim në sinisit të Ballkanit, edhe të bjerë e të humbasë Turqia, Shqipëria qëndron më vehte të saj...". Për, Sami Frashërin, armiku m'i madh i Shqipërisë ishte Turqia, e cila bashkëpunonte me Grekët, "zënë shëndoshë dorë-për-dorë për të humbur kombërinë e gjuhënë e Shqiptarëvet... Pas Tyrqvet e Grekëvet, Shqipëria ka armik Bullgarët e Serbët, të cilët duanë të bëjnë nëpër anët të lindjes e të veriut të Shqipërisë ato që bëjnë Grekërit n'anët të jugës". Për të humbur kombësinë shqiptare, të gjithë këta armiq ndalonin arësimin dhe shkollat në gjuhën shqipe. Samiu dinte se "Tyrqia me dashuri e me mirësi s'ep gjë kurrë.. Prandaj edhe Shqiptarëvet me hir Tyrqia s'u ka për të dhënë gjë. Shqiptarëtë duhet t'i marrënë ato që duanë me pahir; t'i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkënë plot". Por Samiu nuk besonte as nuk uronte që punët të shkonin gjer tek zbrazja e pushkës. Sipas atij, mjaftonte që Shqiptarët "të lidhin një besë të madhe e të përgjithçime në mes të tyre... dhe kush i del kundrejt atëhere Shqipërisë e Shqiptarit, kush kuxon t'i rrëmbenjë a t'i shkelnjë të drejtën e tij, si ja bëjnë sot q'e gjejnë të ndarë e të dobët?". Po të lidhnin këtë besë, "Shqiptarëtë s'kanë nevojë të zirenë nga armëtë, të hiqen nëpër malet e nëpër shpellat, të vriten e të prishenë, si bëjnë kombet e tjerë për të fituar lirinë e tyre" - mendonte Samiu. Se kur t'i shohë të bashkuar e të fortë, Turqia nuk do të jetë "aq e çmendurë sa të zihete në luftë me Shqiptarëtë". Edhe Evropa do t'iu ndihmonte Shqiptarëvet, sepse "thirrjet e kombevet do të dëgjohenë e të drejtat e tyre do t'u epenë".
Sa për organizimin a ardhshëm të shtetit shqiptar, Samiu parashikonte një republikë parlamentare me në krye një Këshill të Pleqësisë, të përbërë prej 15 vetash, të zgjedhur nga një për çdo ngastër (prefekturë), dhe që do t'ishte si një lloj senati. Kjo Pleqësi do të zgjidhte prej gjirit të vet një kryetar, i cili do t'ushtronte detyrat e kryetarit të shtetit. Pastaj vinte Këshill' e Përgjithçime (parlamenti) me një numër rreth 100 të dërguarësh (deputetësh), që do të zgjidhëshin nga një për çdo 20.000 frymë. Një qeveri prej shtatë ministrash do të qeveriste vendin në bashkëpunim me Pleqësinë dhe me Këshillin e Përgjithshëm. Përsa kohë që Shqipëria do të qëndronte si shtet autonom nën Turqinë, kryeministri, ose qeverindari i përgjithçim, do të dërgohej nga Stambolli për çdo pesë vjet, por i pëlqyer prej Pleqësisë dhe Këshillit të Përgjithshëm. Kur Shqipëria të bëhej e pavarur, edhe kryeministri do t'ishte Shqiptar si të tjerët. Samiu parashihte një Shqipëri të përbërë prej 15 ngastrash (prefekturash), të cilat do t'ishin: Shkodra, Peja, Prizrendi, Prishtina, Shkupi, Manastiri, Dibra, Elbasani, Tirana, Berati, Korça, Kosturi, Janina, Gjirokastra e Preveza. Çdo ngastër do të ndahej në 3-4 nën-ngastra (kaza). Ngastrat dhe nënngastrat do të qeverisëshin prej nga një qeverindari e nën-qeverindari të varur nga qeveria qendrore. Por m'e shumta e administratës së vendit do t'ishte në duart e katundarivet (këshillevet bashkiake), të zgjedhura edhe këto prej popullit të qytetit a të krahinës. Sepse "m'i lumtur' i vëndevet në botë është ay tek ndjehetë fort pakë dorë e qeverisë". Kurse "kryeqyteti i përgjithçim do të ndërtohet i ri në mesin e Shqipërisë dhe shumë i bukur, në një vent të shëndeçim e do të quhet Skënderbegas". Samiu bën një ndarje të ministrivet, cakton detyrat dhe punët që duhet të kryejë qeveria për mbarëvajtjen dhe lulëzimin e vendit, lartësimin kulturor dhe ekonomik të popullit shqiptar. Flet mbi organizimin dhe llojet e shkollavet, t'institutevet kulturore, mbi ndërmarrjet e mëdha të zhvillimit ekonomik, me tharjen e fushavet, ndërtimin e hekurudhavet, ndreqjen e limanevet, krijimin e industrisë, shfrytëzimin e nëntokës, të pyjevet, shtytjen që i duhej dhënë bujqësisë etj. Natyrisht, Samiu parasheh edhe organizimin e fevet, që do të varëshin nga ministri i diturisë (arësimit) ose i gjyqit (drejtësisë) dhe do të kishin në krye: një Myfti i math për myslimanët, një Eksark për të krishterët orthodoks, një Kryepeshkop për katolikët. "Të parët e besëvet (të fevet), domethënë Myftiu i math, Eksarku e Kryepeshkopi, do të jenë në nder të math, po nuk do të përzjehen përveçse në punëra të besës, si edhe myftinjtë e tjerë, peshkopëtë e gjithë njerëzit e besës". Samiu nuk lë në harresë as organizimin e ushtërisë, së tokës e së detit, parashikon buxhetin dhe deri rrogat që duhej të merrnin ofiqarët e lartë.
U zgjatëm pak mbi këtë libërth të Sami Frashërit, sepse përmban një farë doktrine politike për Shqiptarët, dhe sepse "kritikët" e letërsisë sonë nuk e kanë vënë fort në dukje, megjithëse është shkruar në një gjuhë të pastër letrare. Natyrisht, idetë e Sami Frashërit janë pak a shumë platonike, ide librash, që s'e rroknin dot realitetin e gjallë shqiptar t'asaj kohe, as ndeshjen e interesavet ndërmjet fuqivet të mëdha. Këshillat e tija të fisshme, njerëzore, nisëshin nga parimi sikur bashkimi i përgjithshëm, lidhja e besës, t'ishte një punë fort e lehtë për t'u bërë, t'ishte vetëm një fjalë goje... sikur Shqipëria të ndodhej në një ishull të veçuar dhe populli i saj të kishte arritur në një shkallë pjekurie më të lartë nga ai i Zvicrës e i Suedisë. Samiu nuk kishte asnjë kuptim të dinamizmit shoqëror e politik, të luftës së brendëshme të një populli dhe të ndërhyrjevet të jashtëme. Por s'duhet të harrojmë që Samiu ishte njeriu i idesë dhe jo i vepërimit. Në shkrimet e tija gjejmë mendimin e Rilindasvet dhe disa ide që kishin dhe do të kenë vleftë për Shqiptarët në të gjitha kohët. E para, Samiu e thekson me forcë se s'mund të ketë kombësi pa kulturë kombëtare: "...s'munt të ketë Shqipëri pa Shqiptarë, s'munt të ketë Shqiptarë pa gjuhë shqipe, s'munt të ketë gjuhë shqipe pa shkronja (shkrime) shqipe e pa shkolla në të cilat të mësohet shqipja". Arësimi duhet të jetë i detyruarshëm për djemtë dhe vashat që më 7 gjer më 13 vjeç. Samiu i jep rëndësi të madhe edukatës së vajzavet, të cilën e vë në një shkallë të barabarte më atë të djemvet. Dhe me të vërtetë, nuk mund të ketë shoqëri njerëzore të lartë pa lartësimin e gruas. E dyta, Samiu kërkon që kleri të merret vetëm me punën e fesë dhe të mos përzjehet në politikë as në veprime të tjera që i përkasin shtetit. Edhe arësimin e mendon laik. E treta, disa mendime që jep Samiu mbi zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit, deri edhe ato që jep mbi formën dhe mënyrën e qeverimit, ishin dhe janë akoma të parealizuarshme, por si parim mbeten gjithmonë të vlefshme, dhe drejt atij qëllimi lirie e përparimi duhet t'ecin Shqiptarët. Samiu flet me krenari për trimërinë dhe cilësitë e tjera të kombit tonë, kërkon ruajtjen e vetijavet të bukura shqiptare, dhe, duke e mbajtur Skënderbén si figurën qendrore të historisë kombëtare, donte që kryqytetit të Shqipërisë t'i jepej emri Skënderbegas. I goditte rreptë ata Shqiptarë që përbuznin kombësinë e tyre: "Sot shumë Shqiptarë, nëntëdhjetë për qint munt të themi, s'janë Shqiptarë as me ment as me zemër; kombin e tyre e gjuhënë s'e duanë as e nderojnë... dhe shumë kanë edhe turp të flasin shqip! Po në kanë ata turp të thonë që Shqipëria është mëma jonë, Shqipëria ka më shumë turp e dhuni të duketë që ka të tillë bij! Kombi shqiptar s'është komb për të pasur turp prej tij; të qënët e një njeriu nga një komb kaq trim e kaq' i zgjuar s'është turp, po është nder i math". Samiu shprehet ashpër kundër Turqisë, të cilën e shikonte si armikun numër një të Shqiptarëvet.
Tre vëllezërit Frashëriotë, Abdyli, si njeriu i vepërimit politik për bashkimin e atdheut, Naimi, si këngëtar i dashuruar i Shqipërisë, Samiu, si shtytës i kulturës dhe i mendimit, përbëjnë një sintezë të ndritur në historinë e Rilindjes sonë kombëtare.
Një nga fytyrat më simpathike të Rilindjes, që pajtohej plotësisht me idetë e Frashëriotëvet, është Pashko Vasa (ose Vaso Pashë) Shkodrani. Edhe ky e shikonte Shqipërinë si një tërësi të pandarë "qysh prej Tivarit deri n'Prevezë", ku "feja e Shqyptarit" duhej t'ishte "shqyptarija". As ky nuk shpresonte në ndihmën e huaj: "Vjen njeri i huej e ju rrin ndë votër - Me ju turpnue me grue e me motër". Besonte vetëm në fuqinë e Shqiptarëvet: "Çoniu, Shqyptarë, prej gjumit çoniu, - Të gjith si vllazën me nji besë shtërngoniu!". Si ide politike, edhe Vaso Pasha mendonte bashkimin e të katër vilajetevet në një tërësi autonome të varur nga Sulltani, deri sa Shqipëria të pregatitej dhe t'i vinte rasti për të fituar pavarësinë.
Nga udhëheqësit shqiptarë orthodoks (flasim për ata të kolonivet, se brenda n'atdhe shumica e Orthodoksvet ishte për bashkimin me Greqinë) çfaqëshin pothuajse të njëjtat mendime në lidhje me autonominë, ose me pavarësinë e Shqipërisë. Në fillim, disa si Thimi Mitkua patën menduar për formimin e një konfederate greko-shqiptare, me kusht që Shqipërisë t'i njihej i tërë Epiri deri në Prevezë. Mendimin e një lidhjeje greko-shqiptare e pati për ca kohë edhe Jani Vretua. Por pastaj e kuptuan se bashkëpunimi me Greqinë ishte i pamundur, se Greqia kërkonte pushtimin e Shqipërisë jugore. Atëhere u kthyen kundër politikës greke dhe kundër Patrikanës, duke ndjekur një program thjeshtë kombëtar, i cili ishte ai i Frashëriotëvet, për një Shqipëri autonome ndën Sulltanin, gjer sa t'i vinte koha që të bëhej e pavarur. Atdhetarëvet orthodoks iu binte edhe barra e formimit të një Kishe shqiptare të shkëputur nga Patriakana. U treguan të gjallë kudo, në Stamboll, në Bukuresht, në Sofie, n'Egjyptë, n'Amerikë. Disa si Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Koto Hoxhi, Jani Vretua, Thimi Mitkua, Spiro Dine, Anton Zako (Çajupi), Petro Nini, Aleks S. Drenova (Asdreni), Kristo Luarasi, Sotir Peci, më vonë Fan Noli, e të tjerë, i kanë dhënë forcë mendimit shqiptar, përveç që janë treguar lëronjës të vlefshëm të gjuhës dhe të letravet shqipe.
Në veri, kleri katolik ishte përgjithësisht për autonominë ose pavarësinë e Shqipërisë, por, i prirur nga Perëndimi, autonominë e donte më fort ndën Austro-Hungarinë se sa ndën Sulltanin. Tek ndihma e Austro-Hungarisë patën shpresuar edhe intelektualë prej fevet të tjera. Imzot Prenk Doçi ati i Mirditës, për të cilin kemi folur më sipër, ishte Shqiptar i mirë, por mendimet e tija politike dukëshin të pathemelta. Ai parashikonte njëherë formimin e një principate katolike, me ndihmën e Austro-Hungarisë, pastaj krijimin e katër shteteve të vegjël (si punë kantonesh), Kosovë, Shqipëri e Mesme, Toskëri dhe Epir, të cilët do të ndihmonin njëri-tjetrin dhe do të përbënin një lloj konfederate me një qeveri të përbashkët. Kjo fantazi s'pajtohej gjëkundi me realitetin shqiptar. E para, sepse në veri krahinat katolike e myslimane janë të përzjera; e dyta, sepse Shqipëria ishte mjaft e përçarë dhe ndërhyrjet e jashtëme shumë të forta. Prandaj, ose shteti shqiptar do t'ishte një dhe i pandarë, ose s'do të kishte Shqipëri fare. Kryesonjësit e klerit katolik e kuptuan shpejt këtë të vërtetë.
Mendimi politik shqiptar, që vërtitej pothuajse i tërë rreth autonomisë, përhapej sidomos me anë gazetash të përkohëshmesh, si Albania e Faik Konitzës, Drita e Shahin Kolonjës, Kombi i Sotir Pecit, e të tjera. Faik Konitza, i mprehtë si shkrimtar dhe me një kulturë të gjerë, nuk kishte, për fat të keq, cilësitë e njeriut politik, se edhe karakteri i tij i vështirë e bënte të papajtuarshëm me natyrat e ndryshme.
Në fillim të këtij shekulli nisi të shquhej figura e Ismail Qemalit. Ky ishte përzjerë edhe më përpara në lëvizjet shqiptare, por vetëm përsa iu përkiste çështjevet kulturore. Veprimtaria e tij ishte kufizuar rreth mundësisë së çeljes së shkollave shqipe për arësimin kombëtar, pa hyrë në një luftë të hapët politike. Si të gjithë intelektualët, mendonte edhe ai për fatin e Shqipërisë në rast se do të ngjanin ndryshime në Ballkan. Më 1900, pikërisht kur Sulltani e emëroi vali të Tripolit, Ismail Qemali u arratis nga Turqia dhe qëndrimin e parë e bëri n'Athinë, me idenë e përpjekjevet për afrimin greko-shqiptar. Ismail Qemali kishte qënë një liberal që kërkonte liri kulturore dhe reforma për popujt e Perandorisë. Arratisja e tij e shqetësoi qeverinë turke, por u prit mirë prej Shqiptarëvet. Nga Athina, iu bëri një shpallje qendrave shqiptare, në të cilën tregonte arësyet e ikjes së tij. Pastaj u nis për në Napoli, në Romë, në Paris, qëndroi ca kohë në Bruksel me Faik Konitzën por miqësia në mes të tyre nuk vazhdoi gjatë dhe prej andej shkoi e u vendos në Londër. Me shpalljet dhe artikujt e tij drejtuar Shqiptarëvet, Ismail Qemali i shtynte për zhvillimin kulturor dhe ekonomik, për shkollat dhe arësimin në gjuhën shqipe, gjë kjo që do të forconte vetëdijën e tyre kombëtare dhe ndjenjën e bashkimit për t'iu qëndruar rreziqeve të jashtëme. Shqiptarët duhej të përparonin dhe gjithnjë të përparonin. Por Ismail Qemali nuk iu këshillonte kryengritje, sepse çdo lëvizje me armë do t'iu jepte shkak ndërhyrjeve të huaja që mund t'a keqësonin gjendjen. Ai ishte për mbajtjen e statu quo-së në Ballkan sa kohë që Perandoria Turke do të mund të qëndronte. Si shihet, ka një kundërshtim (kontradiktë) në mendimet e tija, sepse qysh do të përparonin Shqiptarët pa kryengritje, kur Turqia s'iu lejonte as një shkollë në gjuhën shqipe dhe as që i mpronte nga ndikimi fetaro-kulturor grek e sllav? Ky kundërshtim i dukshëm në mendimet e Ismail Qemalit mund të shpjegohet vetëm në këtë mënyrë: ai s'kishte hequr dorë akoma nga vepërimi dhe interesimi politik në Perandorinë Otomane. Si intelektual liberal, shpresonte se Perandoria do të "liberalizohej", do t'iu lejonte zhvillimin e lirë kulturor dhe ekonomik kombësive të ndryshme, të cilat, në këtë rast, kishin më dobi të jetonin në paqe midis tyre duke u mbajtur me Turqinë, se sa të binin në kthetrat e fuqive të mëdha imperialiste. Ky mendim shpjegon deri diku edhe besimin e Ismail Qemalit në miqësinë dhe bashkëpunimin greko-shqiptar, mbasi të dy kombet kërcënohëshin njëlloj - prej rreziqeve të jashtëme, sidomos prej Sllavëvet të shtytur e të përkrahur nga Rusia. Në fillim, Ismail Qemali kishte anuar nga Austro-Hungaria, si e vetëmja fuqi që mund të përkrahte kombësinë shqiptare. Por pastaj ndërhyrjet e Rusisë dhe t'Austro-Hungarisë nisi t'i shikonte si një rrezik për paqen dhe mbajtjen e statu quo-së në Ballkan. Prandaj kërkoi t'afrohej edhe me politikën italiane, pati lidhje të ngushta me Arbëreshët - të cilët i vizitoi disa herë në Kalabri e Siqeli dhe u prit përzemërsisht prej tyre - sepse mendonte që ndërhyrja e Italisë vlente për të mbajtur ekuilibrin në Ballkan, për të përkrahur Shqiptarët, Grekët dhe Turqit, jo vetëm kundrejt shtrirjes së Rusisë e të sllavizmit po edhe t'Austro-Hungarisë. Të tëra këto ishin deri diku peshime të stërholluara, por duhet të dimë se Ismail Qemali ishte, përpara së gjithash, një diplomat i regjur që vështronte nga çdo anë ku mund të gjente përkrahje për Shqipërinë. Siç ishte përpjekur të siguronte miqësinë e Greqisë, e gjejmë në Mal-të-Zi më 1911, bisedonte në Stamboll me Ambasadorin e Rusisë, për të zbutur edhe armiqtë dhe për t'ua bërë të pranuarshme të drejtat e kombësisë shqiptare. Në një intervistë që i dha në Romë gazetës italiane la Tribuna, në Korrik 1907, Ismail Qemali shprehte pikëpamjet e tija në lidhje me Perandorinë Otomane, me mbajtjen e statu quo-së në Ballkan, me të drejtat e kombësisë shqiptare, me mundësinë e një marrëveshjeje shqiptaro-greke.
Kur Turqit e Rinj erdhën në fuqi, më 1908, Ismail Qemali u kthye nga mërgimi, duke kujtuar se arriti koha e "liberalizmit" që ai shpresonte. Por ngjarjet rrodhën ndryshe.
Për fat të keq, Ismail Qemali nuk hoqi dorë gjer vonë nga përzjerja dhe interesimi në punët e Perandorisë Otomane. Sikur t'ishte marrë vetëm me çështjen shqiptare, mund t'i kishte sjellë atdheut shërbime më të mëdha. Afrimi i ngushtë i tij me Greqinë nuk u prit mirë prej Shqiptarëvet të kohës, të cilët e kuptonin se s'kishte asnjë mundësi që Grekët t'a ndryshonin qëndrimin e tyre kundrejt vendit tonë. Po edhe dyshimet se Ismail Qemali mund t'i bënte lëshime Greqisë ishin të kota, siç u provua më pastaj. Prej vitit l911, Ismail Qemali vendosi të vihej në krye të lëvizjes shqiptare dhe qëndroi si udhëheqësi i saj gjer në Jenar 1914.
E meta m'e madhe e këtyre intelektualëve ishte se donin t'i rregullonin punët me anën e diplomacisë dhe të lodravet politike të jashtëme, pa u kujdesuar aq sa duhej për organizimin e forcavet të brendëshme dhe të luftës me armë të popullit shqiptar.
Porsa çështja shqiptare u vu në dukje përpara diplomacisë
dhe mendimit evropian, e vetëmja gjë që nuk mungonte ishin
"princat" që u çuan si kandidatë për fronin e Shqipërisë. Në
Spanjë, dolli një farë Gjin Aladro Kastriota (emri i vërtetë i tij
ishte Juan de Aladro y Perez de Valasco), i cili mendonte se rridhte
nga një e motër e Skënderbeut. Natyrisht, historia e tij ishte përfytyrim. Në Napoli (Itali), jetonte markezi Di Auletta i quajtur
Giovanni Kastriota, që mbahej se rridhte në vijë të drejtë nga i
biri i Skënderbeut. Kurse në Rumani dolli Albert Gjika i cili, siç
e dimë, ishte nga një falmilje princore me rrjedhje shqiptare. Ata
që lëvizën më shumë qënë Aladro de Valasco dhe Albert Gjika,
të cilët u munduan të bënin për vehte përkrahës prej Shqiptarëvet të njohur n'atë kohë, sidomos nëpër kolonitë dhe gjer tek Arbëreshët e Italisë. U paraqitën nëpër ministritë e jashtëme të disa
shteteve, bënë thirrje e shpallje për mprojtjen e të drejtavet të
kombit shqiptar dhe ca zhurmë nëpër gazetat. Albert Gjika, u përpoq të merrte kryesinë e lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë, pa e
vënë kërkesën e fronit si një kusht të domosdoshëm. Por nuk
ishte në lartësinë e duhur për atë punë, aq sa nuk pati as përkrahjen e kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Sidoqoftë, këto zhurma nuk i prunë ndonjë dëm çështjes shqiptare; ndoshta vlejtën
si propagandë sepse bënë që të flitej rreth Shqipërisë.