Mbasi treguam shkurtazi lëvizjen e Rilindjes kombëtare, e cila u zhvillua jashtë atdheut, gjendjen e brendëshme të Shqipërisë dhe ndërhyrjet e jashtëme, le të ndjekim tani zhvillimin e ngjarjevet.
Shpërndarja e Lidhjes së Prizrendit, në veri e në jugë, dhe shtypja e qëndresës së Kosovës më 1881, nuk e shtroi dot vendin plotësisht. Malësorët e Hotit, Grudës, Shkrelit dhe Kastratit u ndeshën përsëri me Malazeztë, në Maj 1883, kur u përcaktua vija e kufijvet, e cila shkelte mbi toka shqiptare. Turqisë iu desh të ndërhynte për të shtruar trubullimet, por ushtëria e saj pësoi dëme prej malësorëvet në një betejë afër Kastratit.
Në Shkurt të vitit 1885, lëvizja shpërtheu rishtas në Kosovë duke nisur prej Prizrendit në Ferizaj, ku ngjajtën me ushtërinë turke përpjekje të përgjakshme gjatë rrugës midis dy vendeve, pastaj u përhap në Gjakovë, Lumë, Pejë dhe u zgjerua gjer në Prishtinë e Mitrovicë. Kryengritësit kërkonin uljen e taksavet, të drejtën e mbajtjes s'armëvet, lirimin e të burgosurvet, t'internuarëvet, dhe kundërshtonin regjistrimin e popullsisë. Në Shtator 1885, Porta e Lartë dërgoi Vesel Pashën me disa batalionë për të shtruar trubullimet. Ky arriti në Gjakovë dhe bëri disa arrestime.
Por në këtë kohë plasi kriza e Rumelisë Lindore, e cila u bashkua me Bullgarinë, në Shtator 1885. Fuqitë e mëdha u detyruan t'a njihnin si një punë të kryer këtë ndryshim të statu quo-së në Ballkan. Kështu Turqia ngushtohej më shumë akoma dhe ndodhej në një gjendje të vështirë sepse kishin nisur të lëviznin edhe Grekët. Prandaj u detyrua t'iu bënte lëshime Shqiptarëvet. E pezulloi përkohësisht politikën e përqëndrimit administrativ në Shqipëri, liroi nga burgu ose internimi krerët e lëvizjevet bashkë me ata të Lidhjes së Prizrendit, ua njohu malësorëvet të drejtën e mbajtjes s'armëvet dhe premtoi se do të lejonte çeljen e shkollave shqipe. Me atë rast u lirua nga burgu edhe Abdyl Frashëri.
Gjatë luftës greko-turke, më 1897, Shqiptarët ishin të detyruar të merrnin anën e Turqisë, sepse, po të fitonte Greqia, do të pushtonte Epirin. N'atë rast, edhe atdhetarët orthodoks u treguan t'afruar me Turqinë. "Shqipëria e tërë është me Sulltanin kundër Helenëvet, shkruante Thimi Mitkua; disa të pakë nga të Krishterët e kanë zemrën me Helladhën".
Por Shqiptarët deshën të përfitonin nga shtrëngica ku ndodhej Turqia dhe kërkuan përsëri autonominë administrative me shkollat shqipe. Toskët që kishin luftuar kundër Grekëve nuk deshën t'i lëshonin armët. Në veri nisi lëvizja përsëri duke filluar gjithmonë në Prizrend dhe u përhap në tërë qarkun e Shkodrës. Disa krerë shqiptarë u arrestuan. Për të paqësuar vendin, Sulltani dërgoi në Shkodër Teufik Pashën. Ky, pasi dëgjoi kërkesat e një përfaqësie krerësh, myslimanë e katolikë, dha premtime për reforma të cilat nuk u zbatuan kurrë. Duke vazhduar t'a kërkonin autonominë me anë mbledhjesh, me fjalë e me thirrje drejtuar Sulltanit, Shqiptarët patën ardhur disa herë edhe në përpjekje me ushtërinë turke. Veçse këto lëvizje mbetëshin gjithnjë krahinore, me ca lidhje të flashkëta midis tyre, pa një qendër drejtonjëse, pa një kumandë të vetëme. Prandaj shpërndahëshin si retë e shprishura ose përfundonin si vesa e mëngjezit. Përveç mungesës së një organizimi dhe së një drejtimi, ishte edhe frika e ndërhyrjes së fqinjëvet, mbasi Greqia, Serbia, Bullgaria dhe Mali-i-Zi e kishin gjithmonë synë mbi tokat shqiptare. Kjo gjendje i paralizonte Shqiptarët dhe i shtrëngonte të mbahëshin me Turqinë. Ndërsa lëvizja e Maqedonasvet po bëhej për ditë m'e fortë, shqetësimi i Shqiptarëvet se mos shkelëshin prej fqinjëvet vinte duke u shtuar. Prandaj ndërmjet vjetëve 1896 e 1898 i qenë drejtuar disa herë Portës së Lartë për reforma, duke kërkuar edhe përkrahjen e fuqive të mëdha. Në Korrik 1896, disa nga atdhetarët e shquar të mërgimit, të krishterë e myslimanë, i dërguan prej Rumanie një memorandum kryeministrit të Turqisë duke protestuar kundër zakonit që kishte shteti turk t'i mbante Shqiptarët orthodoks për Grekë ose për Sllavë, dhe kërkonin njohjen e kombësisë shqiptare me të drejtat e saja, pavarësisht nga feja. Kurse disa muaj më vonë, në Tetor 1896, një grup intelektualësh e krerësh shqiptarë iu drejtoi prej Manastirit një thirrje fuqivet të mëdha duke kërkuar bashkimin e pesë vilajetevet, të Kosovës, Manastirit, Selanikut, Janinës dhe Shkodrës në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Manastirin. Sipas kësaj kërkese, popullsia e të pesë vilajetevet ishte në shumicë të madhe shqiptare, prandaj duhej të formonte një tërësi me administratën e saj të veçantë, me shkollat shqipe, dhe ushtarët që do të rekrutohëshin pa dallim feje në këto krahina duhej të shërbenin në Turqinë e Evropës, rreth kufijvet të shtetevet fqinjë.
Në vjeshtën e vitit 1897, të tjera trazime ngjajtën në Kosovë, duke u përhapur në Pejë, Gjakovë, Prizrend dhe deri n'afërsitë e Shkupit, për uljen e taksavet dhe çeljen e shkollavet shqipe. Një nga udhëheqësit e lëvizjes ishte Haxhi Mulla Zeka prej Peje. Trazimet ishin gati të pëlcisnin edhe në jugë. Frika e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare e shtyti Portën e Lartë t'a shpejtonte nënshkrimin e traktatit të paqes me Greqinë. Por megjithë masat e autoritetevet turke, të cilat prunë fuqi të reja në Pejë, Shqiptarët ishin gjithmonë të shqetësuar. Lufta e çetavet Maqedonase i bënte Kosovarët të druanin rrezikun e një copëtimi ndërmjet Sllavëvet. Prandaj as nuk mund të shtrohëshin, as nuk mund të ngrihëshin me armë kundër Turqvet, ndonëse këta u a kishin prurë shpirtin në fyt herë me shtypje e herë me premtime të rreme.
Më 1 Jenar 1898, të gjitha shoqëritë shqiptare të mërgimit, Komiteti i Stambollit, "Dituria" e Bukureshtit, "Dëshira" e Sofjes, "Vëllezëria Shqiptare" e Egjyptit dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e Arbëreshëvet t'Italisë, bënë një thirrje të përbashkët me anën e së cilës dënonin politikën e pandërgjegjshme dhe armiqësore që Turqia ndiqte kundrejt Shqiptarëvet dhe kërkonin nga Sulltan Abdul Hamiti II t'i jepte autonominë Shqipërisë duke i bashkuar vilajetet e saja në një të vetëm, me shqipen si gjuhë zyrtare, me shkollat shqipe, me qeveritarë shqiptarë, etj. Thirrja bëhej n'emrin e të gjithë Shqiptarëvet në botë, të bashkuar në një zë, të çfarëdo feje që t'ishin dhe kudo që fati i zi i kishte shpërndarë. Kjo thirrje, e cila u botua dhe u përhap prej Shoqërisë Kombëtare Shqiptare t'Arbëreshëvet, dënonte njëkohësisht qëllimet grabitqare të fqinjëvet kundrejt vendit tonë dhe iu drejtohej fuqivet të mëdha duke kërkuar që parimi i kombësive të zbatohej edhe për Shqipërinë, të përfshihej edhe kjo në programin e reformavet të parashikuara për popujt jo-turq dhe të sigurohej kundër çdo ndërhyrjeje të jashtëme.
Lëvizja e Kosovës, që nisi në vjeshtën e 1897-ës, nuk mundi të shuhej gjatë vitit 1898, se në Maqedoni zjente lufta e çetavet. Për t'iu dalë përpara rreziqevet që i kërcënohëshin vendit, u thirr një mbledhje në Pejë - prej 26 gjer më 30 Jenar 1899 - ku muarën pjesë përfaqësonjës qytetesh e krahinash nga i tërë vilajeti i Kosovës. Mbledhja lidhi një besë dhe mori disa vendime për të mprojtur atdheun edhe fenë kundër Bullgarëvet, Serbëvet dhe armiqve të tjerë, në rast se këta do të sulmonin tokat shqiptare. Bënte të njohur gjithashtu se Maqedonasit nuk ishin të shtypur, se kjo ishte një propagandë e hapur prej të huajvet për të gjetur shkak ndërhyrjeje, por Lidhja do t'ishte gati t'i qëndronte me armë çdo fuqie të jashtëme që do të provonte të shkelte në Maqedoni a në Kosovë.
Lidhja e Pejës, siç u quajt kjo, e cila zgjodhi si kryetar Haxhi Mulla Zekën, nuk e ngriti çështjen e autonomisë dhe të shkollavet shqipe, por vendosi t'organizonte komitete më çdo kaza, të krijonte një forcë shqiptare prej 15.000 vullnetarësh, dhe të shtrihej duke përfshirë, përveç Kosovës, katër vilajetet e tjerë, të Shkodrës, Manastirit, Selanikut dhe Janinës. Vendosi gjithashtu të thërriste një kuvend të përgjithshëm në Prizrend, më 26 të Shkurtit 1899, ku do të merrnin pjesë përfaqësonjës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë për t'u bashkuar me programin e Pejës.
Siç shihet, kjo Lidhje nuk ishte drejtpërdrejt për autonominë e Shqipërisë, por si një organizim për mprojtjen e vendit kundër të huajvet, duke i çfaqur besnikërinë Sulltanit. Ndër pjesëmarrësit e saj kishte mjaft turkomanë, dhe u shikua që në fillim si një krijesë e Turqvet ose si e shtytur prej tyre. Megjithatë, puna vetë e përmbledhjes së tokavet shqiptare në një organizatë të përbashkët me degë e komitete nëpër krahinat, çonte vetvetiu tek forcimi i lidhjevet kombëtare dhe tek autonomia. Prandaj Porta e Lartë u kthye shpejt kundër Lidhjes së Pejës, nisi të pengonte vepërimet e saja, ndaloi mbledhjen e përgjithshme që do të mbahej në Prizrend më 26 të Shkurtit. N'atë datë u bë një mbledhje tjetër në Dibër, e cila u kufizua në mprojtjen e lirivet krahinore dhe rregullimin e çështjeve të vendit, sikurse mbajtja e qetësisë etj., në bashkëpunim me autoritetet turke.
Sami Frashëri që shkroi e botoi në këtë kohë libërthin "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhetë?", shpresonte t'a shtynte Lidhjen e Pejës që të këthehej në një organizim përpjekjesh e lufte për autonominë e Shqipërisë. Por kjo Lidhje nuk qëndronte mbi baza të shëndosha, përbëhej vetëm prej Myslimanësh, dhe nuk kishte një komitet a dorë të fortë që t'a drejtonte. Ishte formuar nga frika e pushtimit sllav dhe s'mund të hynte njëkohësisht në luftë edhe me Turqinë.
Në prendverën e vitit 1899 u bënë disa përpjekje rreth çështjes s'autonomisë, por dështuan si të tjerat. N'atë kohë ishte duke u mbledhur në Hagë (Hollandë) një konferencë e fuqivet të mëdha për paqen. Lëvizja e Maqedonasvet iu drejtua menjëherë, por Konferenca nuk desh t'a shtrëngonte Turqinë për të bërë ndryshime e reforma. Kështu Porta e Lartë e ndjeu vehten të sigurtë dhe nisi të merrte masa më të rrepta kundrejt Shqiptarëvet. Gjatë vjetëvet 1900-1902, trubullimet vazhduan, në Kosovë, në qarkun e Shkodrës, edhe në jugë, por pa ndërlidhje, pa një drejtim të përkashkët.
Të bindur se Turqia po e pengonte vazhdimisht bashkimin e Shqiptarëvet, Haxhi Mulla Zeka dhe disa nga shokët e tij u vunë përsëri në lëvizje, në Prill të vitit 1901, për të rimëkëmbur Lidhjen e Pejës, jo vetëm kundër armiqve të jashtëm po edhe kundër qeverisë turke. Organizuan disa mbledhje nëpër qendra të ndryshme duke prekur çështjen e autonomisë dhe të shkollavet shqipe. Në vilajetet e Kosovës dhe të Manastirit po ngjanin përpjekje aty-këtu ndërmjet Shqiptarësh dhe ushtërisë turke. Shënja trazimesh u çfaqën në Shqipërinë e Mesme dhe të jugës, në qarqet e Elbasanit, të Beratit, të Vlorës. Qeveria turke bëri ndjekje të rrepta, dhe me shtytjen e saj u vra në Pejë Haxhi Mulla Zeka, në Shkurt 1902. Kjo ngjarje e pezmatoi gjendjen edhe më tepër. Shqiptarët sulmuan ndërtesën qeveritare të Pejës, arrestuan nëpunësit turq, muarën në dorë të gjitha zyrat dhe i kërkuan me telegram Sulltanit lirimin e bashkatdhetarëvet të tyre të burgosur. Lëvizja u përhap nëpër krahinat e tjera, në Mitrovicë e në Prishtinë.
Në të njëjtën kohë, u ngritën Mirditasit bashkë me malësorët e Pukës, prenë rrugën midis Shkodrës dhe Prizrendit, duke kërkuar që të lirohej nga internimi Prenk Bib Doda.
Lëvizjet e Shqiptarëvet vazhduan më me forcë gjatë vitit 1903, sepse atëhere u vu në planin ndërkombëtar problemi i reformavet të Maqedonisë, i cili shkakëtoi një tjetër tronditje në Shqipëri.
Kishte disa vjet që Bullgaro-Maqedonasit, të shtytur e të përkrahur nga Bullgaria, luftonin me çeta kundër autoritetit turk për reforma dhe autonomi. Vendi që gjeografikisht (ose historikisht) quhet Maqedoni, banohej prej kombësish të ndryshme, Shqiptarë, Bullgarë, Grekë, Serbë, Turq dhe Vllehë. Nga ana administrative, përfshihej në vilajetet e Selanikut, Manastirit dhe Kosovës. Këtë ndarje, Porta e Lartë e kishte bërë me qëllim që t'i vinte kombësitë e ndryshme kundra njëra-tjetrës si edhe Myslimanët kundër të Krishterëvet. Me këtë mënyrë pengonte edhe formimin e një Shqipërie të njësuar, mbasi Shqiptarët pjesëtohëshin në katër vilajete dhe, në dy prej këtyre, qëndronin të përzjerë me popuj armiq nën të njëjtën administratë. Megjithatë, në vilajetet e Kosovës dhe të Manastirit (ku ndodhej kjo përzjerje) shumicën e madhe e përbënin krahinat shqiptare. Në trevat e banuara prej popullsish të tjera, Bullgaro-Maqedonasit ishin më të shumët si numër. Këta kishin formuar një komitet kryengritës dhe organizuar çeta me fjalën: "Maqedonia për Maqedonasit". Grekët dhe Serbët nuk deshën të mbetëshin pas. Të parët, me përkrahjen e Patrikanës dhe të qeverisë s'Athinës, të dytët, me ndihmën e Belgradit, krijuan çetat e tyre por me cuba t'ardhur prej gjetiu. Kurse çetat bullgaro-maqedonase përbëhëshin prej vendasvet. Të tre llojet luftonin kundër Turqvet, po edhe kundër njëri-tjetrit.
Shqiptarët, për arësyet e ditura, nuk formonin dot një tërësi t'organizuar, nuk kishin një qendër drejtonjëse, nuk kishin një shtet fqinjë, prej racës së tyre, që t'i përkrahte. Kërkesat për autonomi qëndronin më fort në mendjen e Rilindasvet se sa në përpjekjen e masavet popullore tek të cilat frika e fqinjëvet ishte m'e madhe. Prandaj ndodhëshin në një gjendje tepër të rrezikshme, mënjanë, në kryengritje të vazhduarshme, por të çrregullta, kundër Turqvet, n'anën tjetër shtrëngohëshin të luftonin për këta kundër fqinjëvet, sepse copëtimi i Turqisë donte të thoshte njëherësh edhe copëtim i tokavet shqiptare. Për të shtruar lëvizjen e Maqedonasvet, Turqit patën përdorur edhe Kosovarët, të cilët ndodhëshin në një mospajtim kombëtar prej njëmijë-e-pesëqind vjetësh kundrejt Shkjaut. Ndoshta edhe ndjenja fetare i shtonte diçka urrejtjes ndërmjet dy racavet, por Shqiptarë e Sllavë kishin qënë armiq nja dhjetë shekuj më parë se të vinin Turqit me islamizmin. Prova është se edhe Shqiptarët katolikë ishin kundër Sllavëvet po aq sa myslimanët. Pra qëndresa që Kosovarët i bënin Shkjaut ishte për mprojtjen e truallit të tyre, kurse Turqia edhe Evropa e paraqitnin si një luftë myslimanësh kundër të krishterëvet duke i mbajtur Shqiptarët për "Turq". Kjo gjë ishte n'interesin e Turqisë dhe të fqinjëvet ballkanike, por e dëmtonte shumë çështjen tonë kombëtare.
Austro-Hungaria dhe Rusia, duke parë se trazimet në Ballkan po trashëshin, i dhanë Portës së Lartë një plan reformash, në Shtator 1902, ku, përveç të tjerave, kërkonin që të Krishterët të bënin pjesë në forcat e mbajtjes së qetësisë, polici e gjindarmëri. Në fillim të Dhjetorit t'atij viti, Sulltani e shpalli programin e reformavet dhe ngarkoi për zbatimin e tyre si inspektor të përgjithshëm Hysen Hilmi Pashën. Por ashtu si i mendonte Turqia, reformat ishin gjysmake dhe të ngadalshme, prandaj Petrogradi dhe Viena, në Shkurt 1903, ia përsëritën më me forcë programin e ndryshimevet për Maqedoninë, të pranuar këtë radhë edhe nga fuqitë e tjera të mëdha.
Gjatë kësaj kohe, veziri i madh (kryeministri) i Turqisë, Said Pasha, kishte dhënë dorëheqjen, dhe vendin e tij e zuri Ferid Pashë Vlora, i cili, ndonëse ishte prej kombësie shqiptare, nuk bëri asgjë për Shqipërinë. Sulltani e emëroi këtë ndoshta edhe me qëllim për të paqësuar Shqiptarët e për t'i lidhur më ngushtë me Turqinë, ose për t'i treguar Evropës se Shqiptarët ishin të njëjtë me Turqit.
Lëvizjet kryengritëse po merrnin hov më të madh. Puna e zbatimit të reformavet i tronditi Shqiptarët e vilajetevet të Manastirit e të Kosovës, të cilët parashikonin se Evropa po i vinte nën Bullgaro-Maqedonasit. Në krahinën midis Gjakovës e Pejës dhe deri në Prishtinë e në rrethet e Novi-Pazarit filluan trubullimet. Turqia dërgoi komisione për t'ua shpjeguar çështjen Shqiptarëvet dhe për t'i bindur, por pa dobi. Këta u përgjigjën se nuk ishin kundër reformavet në vetvehte, po kundër copëtimit të vendit, mbasi programi austro-rus ndihmonte Sllavët dhe mbizotërimin e Maqedonasvet në krahinat e banuara prej Shqiptarësh. Kërkuan gjithashtu njohjen e kombësisë shqiptare me të drejtat e saja. Turqit atëhere përdorën forcën, por kryengritësit nuk u stepën, pushtuan Vuçiternin, rrethuan Prishtinën dhe i sulmuan me rreptësi fuqitë turke në Mitrovicë. Në pamundësi që t'i shtypte, Turqia provoi të gjente një marrëveshje me Kosovarët, mbasi arrestoi dhe dërgoi n'internim një numër të mirë prej krerëvet të tyre.
Maqedonasit nuk u kënaqën as me programin austro-rus të reformavet, i cili po zbatohej shumë ngadalë, prandaj u pregatitën të hidhëshin në një kryengritje të përgjithshme kundër Turqvet, në fillim të Gushtit 1903. Qeveria e Stambollit ishte në dijeni të këtij plani dhe kishte marrë masat. Luftime të përgjakshme ngjajtën në rrethet e Manastirit dhe vazhduan disa muaj duke u shtrirë gjer në Thrakë. Puna mund t'arrinte në një përpjekje ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë, prandaj Austro-Hungaria me Rusinë shpejtuan të ndërhynin. Perandorët e tyre u takuan në Murzsteg, Austri, në fillim të Tetorit 1903, dhe bënë propozimet e fundit përsa iu përkiste reformavet në Maqedoni, të cilat u pranuan edhe prej fuqivet të tjera të mëdha. Ky program, që iu dorëzua qeverisë turke më 22 t'atij muaji, parashihte një ndryshim në përcaktimin e njësivet administrative, mbasi të qetësohej vendi, me qëllim që të rregullohej më mirë grupimi i kombësive të ndryshme, dhe krijimin e një gjindarmërie ndërkombëtare nën autoritetin e Portës së lartë. Natyrisht, Austro-Hungaria dhe Rusia mbikqyrnin vepërimet e inspektorit të përgjithshëm turk dhe kishin përfaqësonjësit e tyre në komisionet e hetimevet.
Siç shihet, Italia nuk u përfill fare në bisedimet e Murzsteg-ut. Kjo gjë i zemëroi qarqet italiane, të cilat zunë të dyshonin se Austria po e pregatiste për vehte pushtimin e Shqipërisë duke e ndarë Ballkanin me Rusinë. Kur u caktuan njësitë e gjindarmërisë ndërkombëtare për krahinat e Maqedonisë, Austria mbajti për vehte vilajetin e Kosovës. Kurse Italia, me përkrahjen e Francës dhe t'Anglisë, deri diku edhe të Rusisë, mundi të merrte për gjindarmarinë e saj mbikqyrjen e vilajetit të Manastirit. Viena kërkoi me këmbëngulje që të përjashtohëshin nga zona e reformavet, në vilajetet e Kosovës e të Manastirit, krahinat me popullsi shqiptare, të cilat i shikonte si një hapësirë të ndikimit të saj dhe nuk lejonte në to ndërhyrje tjetër, as atë t'Italisë. Kështu Komisioni ushtarak ndërkombëtar, kur ndau ndërmjet fuqivet të mëdha njësitë administrative për organizimin e gjindarmërisë, përjashtoi nga zona e reformavet, në vilajetet e Kosovës e të Manastirit, sanxhakun e Novi Pazarit, pjesën jugëperëndimore të sanxhakut të Pejës, sanxhaqet e Prizrendit, të Dibrës, t'Elbasanit, të Korçës (përveç kazasë së Kosturit) dhe pjesën perëndimore të kazasë s'Ohrit, për shkak se gjoja Shqiptarët e këtyre krahinave ishin kundër reformavet.
Në Prill 1903, Italia i pati propozuar Austrisë që të mendonin së bashku një program reformash edhe për Shqipërinë, si ai që po i njihej Maqedonisë, por Viena s'iu përgjigj fare. Pastaj, kur u përcaktua zona e reformavet, në të cilën nuk përfshihëshin krahinat shqiptare të vilajetevet të Kosovës e të Manastirit, Italia propozoi që këto krahina të lidhëshin me vilajetet e Shkodrës e të Janinës për të pregatitur me këtë bashkim krijimin e një Shqipërie autonome. Por as këtë herë nuk u dëgjua prej Austro-Hungarisë. Ankimevet që ngritën Shqiptarët se përse reformat e Maqedonisë nuk u zbatuan edhe për Shqipërinë, Austria iu përgjigjej se gjendja e brendëshme e Shqipërisë nuk ishte akoma e përshtatshme, se nuk duhëshin shpejtuar punët përpara kohe etj.
N'ato rrethana, shtypi britanik mori mprojtjen e Shqiptarëvet duke nxjerrë edhe një herë në dritë mendimet e ish-ambasadorit Goschen dhe propozimin që bëri më 1880 E. Fitzmaurice-i për formimin e një Shqipërie ethnike me vilajetet e Shkodrës e të Janinës dhe me krahinat shqiptare të vilajetevet të Kosovës e të Manastirit. Sikur ai propozim t'ishte pranuar prej fuqivet të mëdha, shkruante një gazetë e Londrës, Shqiptarët do të kishin pasur mjaft kohë për të siguruar të drejtat tokësore dhe për të forcuar bashkimin kombëtar në mënyrë që të pregatitëshin për pavarësinë.
Një rishikim të traktatit të Berlinit dhe bashkimin e tokavet shqiptare brenda vijavet që kishte propozuar Lordi E. Fitzmaurice më 1880, e kërkonin edhe Arbëreshët e Italisë, me zërin e Anselmo Lorecchio-s. Por ai që u tregua ndër ta m'i gatishëm për t'u hedhur në luftë kryengritëse, ishte Zef Schiroj. Për t'i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Arbëreshët kishin formuar n'atë kohë edhe një Komitet Vepërimi. Por, ndonëse e donin Shqipërinë megjith zemër, këta nuk mund t'i shpëtonin krejtësisht ndikimit të rrymavet politike italiane, mbasi jetonin si nënshtetas t'atij vendi. Prandaj luftën e tyre për çlirimin e Shqipërisë e lidhnin me lëvizjen irredentiste të disa qarqeve italiane kundër Austrisë, dhe patën hyrë në bashkëpunim me ato. Që më 1903, kur zjente çështja e reformavet të Maqedonisë, gjeneral Ricciotti Garibaldi, duke dashur të ndiqte shembullin e t'et (Giuseppe Garibaldi-t) si çlironjës i popujve të robëruar, pranoi të vihej në krye të një shpedite për në Shqipëri, me kusht që të kishte me vehte 1000 Arbëreshë t'Italisë, pëlqimin e Shqiptarëvet t'Epirit, dhe t'i sigurohëshin mjetet e lundrimit si edhe vendi i nisjes dhe ai i shkarkimit. Ky plan nuk u zbatua sepse, përveç pengesash të tjera, Austria nuk lejonte ndërhyrje ushtarake nga ana e Italisë në Shqipëri.
Në Mars 1904, Ricciotti Garibaldi, i cili bënte pjesë në grupet e Italianëvet irredentistë, thirri në Romë një numër personalitetesh prej Arbëreshëvët për t'organizuar edhe një lëvizje të Shqiptarëvet n'Itali. Kështu u formua Këshilli Shqiptar i Italisë me programin "Shqipëria për Shqiptarët", nën kryesinë e gjeneral Garibaldi-t. Qëllimi i kësaj organizate ishte lidhja e një bashkëpunimi sa më të ngushtë ndërmjet Arbëreshëvet, Shqiptarëvet të kolonivet dhe t'atyre n'atdhe, duke siguruar njëkohësisht përkrahjen e Italisë, për të mprojtur të drejtat e kombit shqiptar.
Vepërimi i Komitetit t'Arbëreshëvet dhe i disa qarqeve liberale e demokrate italiane të lëvizjes pro-Albania vazhdoi, gjer më 1911, duke pasur si qëllim dërgimin e një fuqie nën kumandën e gjeneral Garibaldi-t për të ndihmuar kryengritjen shqiptare, qëllim që s'u arrit dot.
Disa atdhetarë të kohës, si Faik Konitza e të tjerë, nuk e patën pritur mirë këtë interesim të Ricciotti Garibaldi-t, t'Arbëreshëvet dhe të qarqeve demokrate italiane, sepse shihnin prapa tyre ndërhyrjen e Italisë në Shqipëri. Sigurisht, lëvizja e Arbëreshëvet nuk mund të ndahej kryekëput prej politikës italiane dhe çfaqej haptazi kundër vepërimevet t'Austrisë në lidhje me Shqipërinë. Po edhe ndjenjat e dashurisë së tyre për atdheun e vjetër, për vëllezërit e gjakut e të gjuhës përtej Adriatikut, nuk mund të mohohëshin. Përgjithësisht, ata Shqiptarë që anonin nga politika e Vienës dhe Orthodoksit që mbahëshin me Patrikanën greke nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen e Arbëreshëvet. Por sidoqoftë, përpjekja e këtyre e ndihmoi mjaft çështjen kombëtare duke përhapur zërin e Shqipërisë dhe duke i bërë të njohura të drejtat e saja, jo vetëm n'Itali po edhe n'Evropë.
Mbi punët e Ballkanit, n'atë kohë, vendosnin Rusia me Austro-Hungarinë, dhe kjo e fundit nuk lejonte që të përzjehej tjetërkush në çështjet e Shqipërisë.
Natyrisht, porsa që Shqiptarët vetë nuk ishin të zotët për një vepërim t'organizuar nga brenda dhe t'i kërkonin me forcë të drejtat e tyre - siç bënë Maqedonasit - duhej të prisnin kur t'iu vinte radha që t'i pushtonte Austro-Hungaria a ndokush tjetër, ose t'a nxirnin dufin e zemrës me protesta e telegrame. Kur u mblodh në Manastir, nën kryesinë e Hysen Hilmi Pashës, Komisioni i Veçantë i reformavet për Maqedoninë, në të cilin përfaqësohëshin të gjitha kombësitë e Turqisë evropiane përveç Shqiptarëvet, Nikolla Naçua me disa atdhetarë të tjerë, prej të tri fevet, iu drejtuan nga Bukureshti një thirrje Sulltanit dhe fuqivet të mëdha, më 14 Tetor 1903, duke kërkuar që kombësia shqiptare të njihej zyrtarisht, që vilajetet e Janinës dhe të Shkodrës të përfshihëshin në programin e reformavet dhe të kishte një përfaqësonjës shqiptar në Komisionin e Veçantë.
Të njëjtat lutje e memorandume iu drejtuan Konferences së Hagës, më 1907, nga shoqëritë shqiptare të mërgimit, për të kërkuar autonominë administrative të Shqipërisë etj., duke theksuar se Shqiptarët e të tri fevet ishin vëllezër midis tyre.
U zgjatëm ca mbi reformat e Maqedonisë sepse ky ishte rasti ku Shqiptarët, sikur të kishin qënë të lidhur e t'organizuar nga brenda, mund të kishin fituar autonominë, dhe fati i Shqipërisë do të kishte marrë një tjetër drejtim. Por pa organizimin dhe lidhjet e brendëshme s'mund të fitonin as mund të fitojnë gjëkafshë kurrë, edhe sikur të bëhej, siç thotë populli i ynë, "deti kos dhe mali pilaf".
Mbetja e vilajetevet të Janinës e të Shkodrës dhe e një pjesës së madhe nga vilajetet e Kosovës e të Manastirit jashtë zonës së reformavet, mund të quhej si një farë njohjeje e tërthortë që këto toka ishin Shqipëri. Por deri sa Turqia nuk njihte zyrtarisht një kombësi shqiptare, nuk mund të flitej as për kufij të Shqipërisë. Pasi të sigurohej qetësia në Ballkan, Porta e Lartë do të bënte ndryshime në kufijtë e njësivet administrative, sipas programit të Murzsteg-ut, për të rregulluar më mirë grupimin e kombësivet të ndryshme. Për Shqipërinë, puna s'vihej fare në bisedim, sepse Turqia nuk njihte një kombësi të tillë. Por të tjerët, Grekë, Bullgarë, Serbë, nisën të luftonin midis tyre për të zgjeruar seicili kufijtë e grupit të tij në ndarjet e reja administrative. Kështu ndërhyrja e fuqivet të mëdha për reformat, në vend që t'a shuante zjarrin me ujë, i hodhi vajguri. E keqja ishte se çetat e Grekëvet, të Bullgarëvet, të Serbëvet, donin të shkelnin edhe në krahinat shqiptare, të cilat i quanin të Turqisë ose toka pa zot. Përveç në Maqedoni, çetat greke nisën të vepronin edhe n'Epir për të shtypur lëvizjen shqiptare me anën e tmerrit. Ngado që shkonin, bënin vrasje e pllaçkitje. Në Shkurt 1905, na vranë priftin e vlefshëm At Kristo Negovanin, sepse shkruante e mësonte shqip dhe fliste shqip në kishë. Kjo ngjarje bëri një përshtypje të thellë në tërë qarqet shqiptare.
Kur kërcet pushka, fjalët nuk dëgjohen më. Forcës s'armëvet s'mund ti qëndrohet veçse me forcën e armëvet. Prandaj edhe Shqiptarët u vunë t'organizonin çetat e tyre (ose kumitat, si quhëshin atëhere). Në fillim të vitit 1906, u formua në Manastir një komitet i fshehtë, "Komiteti për Lirinë e Shqipërisë", me Bajo Topullin, ish nëndrejtor i gjimnazit turk, Fehim Zavalanin, kolonel Halit Bërzeshtën, Gjergj Qiriasin, e të tjerë. Qëllimi i Komitetit të Manastirit ishte për të përhapur lëvizjen politike e kulturore shqiptare, të pështetur edhe me armë, "për të ngjallur Shqipërinë, duke mbjellë vëllazërinë, dashurinë, bashkimin, e për t'a shpëtuar nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjëndej". Duhej luftuar kundër sundimit turk me anën e çetavet, duke iu prerë njëkohësisht hovin edhe cubavet grekë. Komiteti i Manastirit shtriu degët në Shqipërinë e jugës dhe të veriut, sidomos në Kosovë, ku dërgoi një nga antarët e tij, Idris Jakovën. Në Gjakovë u krijua një qendër e shëndoshë, me në krye Bajram Currin. Bajo Topulli erdhi në qarkun e Korçës dhe formoi të parën çetë shqiptare, nën kumandën e tij. Nuçi Naçi u dërgua për të bërë propagandë në rrethet e Follorinës.
Komiteti i Manastirit shënon një çap të ri në lëvizjen kombëtare: organizimin e forcavet nën udhëheqjen e njerëzve të vetëdijshëm, të disiplinuar, të frymëzuar prej një ideje, me një qëllim e program të caktuar, dhe që drejtohëshin nga një qendër e vetëme. Prandaj u përkrah nga shoqëritë e jashtëme, të Sofjes, të Bukureshtit, t'Egjyptit, t'Amerikës. Mjerisht gjendja shoqërore e Shqipërisë ishte akoma shumë e prapambetur. Lëvizjet e çrregullta vazhdonin në Kosovë, në veri, në Shqipërinë e Mesme. Në Maj 1905, populli i Elbasanit kishte përzënë mytesarrifin turk dhe kumandarin e gjindarmërisë. Stambolli dërgoi pas disa javësh Shemsi Pashën për të shtruar vendin dhe për të shtypur çdo lëvizje që lidhej me idenë e pavarësisë shqiptare.
Vëzhgimi ishte i gjithanshëm, aq sa qeveria turke ra shpejt n'erë të Komitetit të fshehtë të Manastirit edhe u vu t'a ndiqte. Ky u shtrëngua t'a çonte qendrën e tij në Bukuresht, duke lënë në Manastir një komitet të vogël krahinor.
Ndërkaq, çeta e Bajo Topullit, e përbërë prej fshatarësh dhe disa studentësh t'ikur nga Manastiri, gjeti në Kolonjë përkrahjen e Sali Butkës e t'atdhetarëve të tjerë, veproi gjatë prendverës dhe verës së vitit 1906 në rrethet e Përmetit, Leskovikut, rrotull Korçës e në Devoll. Kundër vepërimit të çetavet kombëtare u tërbuan kleri grek dhe grekomanët, të cilët thirrën antartët (çetarët grekë) që t'iu bënin tmerre Shqiptarëvet. Por këta nuk u trembën. Për t'iu dhënë një përgjigje antartëvet dhe për të marrë gjakun e At Kristo Negovanit, çetarët shqiptarë vranë, në Shtator 1906, mitropolitin grek të Korçës, Fotios. Disa muaj më vonë, Grekët vranë në Selanik Spiro Kosturin, të birin e atdhetarit shqiptar Jovan Kosturi. Kështu lufta dhe gjakrat po vinin duke u nxehur nga të dy anët.
Të ndjekur nga forcat turke, vëllezërit Bajo dhe Çerçis Topulli u shtrënguan të largohëshin nga Shqipëria, në muajin e Nëntorit 1906, për t'a kaluar dimrin në Bukuresht e në Sofje. Q'andej Çerçis Topulli i drejtoi popullit shqiptar një thirrje për t'a shtytur kundër zgjedhës turke, duke i thënë: "Qëllimi i ynë është të ngrihemi të gjithë së bashku, Gegë edhe Toskë, dhe të luftojmë me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë sonë të dashur...". Në Bukuresht u bashkua me vëllezërit Topulli atdhetari i flakët Mihal Gramenua, i cili pastaj bëri pjesë në çetën e Çerçizit dhe u përpoq të përhapte ndjenjat kombëtare.
Në Sofje u pregatit çeta e re, që kaloi nga Italia dhe zbriti në bregdetin shqiptar afër Vlorës, në Maj 1907, me kumandar Çerçis Topullin dhe frymëzonjës Mihal Gramenon. Bashkimi i këtyre të dyve në një çetë ishte simboli i vëllazërimit ndërmjet Shqiptarëvet myslimanë e orthodoks.
Ndonëse e gjurmuar prej autoritetevet, çeta e Çerçis Topullit pritej mirë ngado që shkonte, gjente strehë nëpër fshatrat dhe nëpër teqetë e Bektashinjvet. Gjatë vitit 1907 u përpoq sidomos të përhapte ndjenjat kombëtare në popull, duke shpërndarë libra, gazeta, flamure e fotografi të Skënderbeut që kishte sjellë nga kolonitë e Sofjes e të Bukureshtit.
Duke i rënë rreth e qark Shqipërisë së jugës, grupi i Çerçis Topullit u takua miqësisht me çetat e Bullgaro-Maqedonasvet në Grazhdan të Prespës dhe n'afërsitë e Kosturit. Mbasi Maqedonasit luftonin n'atë kohë jo vetëm kundër Turqvet po edhe kundër Grekëvet, kërkonin bashkëpunim me Shqiptarët. Grupi i Çerçizit u çudit me zotësinë e organizimit dhe disiplinën e çetavet bullgaro-maqedonase, nga të cilat mësoi mjaft gjëra.
Veprimtaria luftarake u shtua në prendverën e vitit 1908. Në fillim të Marsit, çeta e Çerçizit vrau në Gjirokastër kumandarin turk të gjindarmërisë, i cili ishte treguar ndjekës i rreptë kundër atdhetarëvet shqiptarë. Më 18 t'atij muaji ngjau përpjekja e famshme në Mashkullorë, ku Çerçis Topulli me trimat e tij e çau rrethimin që i bëri ushtëria turke. Ky luftim pati nj'oshëtimë të gjerë dhe mbeti i paharruar në këngët popullore.
Mbasi vepërimi tërheq dhe ngjall enthusiazëm, fshatarë dhe intelektualë të rinj bashkohëshin me Çerçizin, ose formonin çeta të tjera të lidhura me atë të këtij, e cila u quajt çeta plakë.
Komiteti i Manastirit dhe lufta e çetavet i jepnin lëvizjes shqiptare një karakter të përgjithshëm kombëtar, të lidhur me idenë e bashkimit dhe të pavarësisë, ndryshe nga kryengritjet e çrregullta krahinore, të cilat bëhëshin shpeshëherë për interesat e kufizuara të krahinës ose të disa personave. Duke luftuar njëheresh kundër Turqvet dhe Grekëvet, ndjenja e vëllazërimit kombëtar ndërmjet Myslimanëvet dhe Orthodoksvet, sidomos tek idealistët e rinj, forcohej, dhe përçarja që kishin mbjellë besimet e huaja, fanatizmi i verbër i dikurshëm, mbytej nën hovin ringjallës: "atdheu përmbi të gjitha".
Më 1907, Bajo Topulli shkoi n'Amerikë për të mbledhur ndihma dhe djem të rinj për çetat. Parashihej një kryengritje e përgjithshme për në verën e ardhshme, prandaj duhëshin kuadra të përbëra nga njerëz të mësuar, të vetëdijshëm, të disiplinuar, dhe jo prej bejlerësh, bajraktarësh dhe agallarësh, që s'vlenin gjë për një vepërim të lidhur e të bashkërenditur, sepse seicili prej tyre ishte një kokë më vehte, një "shtet" më vehte, dhe s'mund t'i shtrohëshin asnjë disipline. U nis prej Amerike një grup vulletarësh me Petro Nini Luarasin, në prendverën e vitit 1908, dhe arriti në Shqipëri nga ana e Sofjes. Por n'atë kohë erdhën në fuqi Turqit e Rinj me Kushtetutën e tyre, dhe punët muarën një tjetër drejtim.
Turqit e Rinj ose Xhonturqit (prej frëngjishtes, Jeunes Turcs) ishin një lëvizje e ndikuar nga idetë e reja evropiane dhe përpiqëshin prej shumë vjetësh të përmbysnin absolutizmin e Sulltanit për t'a kthyer Turqinë në një shtet me kushtetutë liberale. Në këtë mënyrë - mendonin ata - do t'a shpëtonin Perandorinë nga shkatërrimi duke e përparuar dhe duke iu dhënë liri të mjafta popujvet që e përbënin. Kjo ishte edhe rruga për t'iu prerë hovin ndërhyrjeve të fuqivet të mëdha. Vepërimi për një regjim liberal, në Turqi, kishte nisur me Midhat Pashën, përpara 1870-ës, dhe Sulltan Abdul Hamiti vetë e kishte pranuar Kushtetutën e re më 1876, pastaj e shkeli shpejt. Por ajo që u quajt lëvizje e Turqvet të Rinj nisi rreth vitit 1890 me grupin e organizuar në Stamboll prej një Shqiptari nga Struga, i quajtur Ibrahim Temo. Duke gjetur konditat e përshtatshme në moskënaqësinë e shkaktuar prej regjimit t'Abdul Hamitit, shoqëria e fshehtë e Temos, e cila e pati ndoshta që në fillim emrin "Bashkim e Përparim" (turqisht, Ittahat ve Terakki), u përhap pas disa vjetësh dhe lëshoi degë nëpër qendra të ndryshme. Kur nisën ndjekjet nga ana e autoritetevet ata antarë t'organizatës që u kapën, u burgosën ose u internuan, të tjerë u arratisën jashtë Turqisë; Temua vetë shkoi në Rumani, ku filloi të përzjehej edhe në çështjet shqiptare.
Në Kongresin e parë të Turqvet të Rinj në mërgim ose t'Otomanëvet Liberalë, që u mbajt në Paris më 1902, përveç Ibrahim Temos, merrnin pjesë edhe Shqiptarë të tjerë, ndër të cilët Ismail Qemali. Lëvizja përmblidhte jo vetëm Turq po edhe njerëz prej popujve të tjerë të Perandorisë, mbasi premtonte liri për të gjithë, pa dallim feje e kombësie. Mirëpo në Kongresin e Parisit u çfaqën dy rryma: njëra, e kryesuar prej princit Sabahedin, mendonte t'iu bënte thirrje fuqivet të mëdha për t'a detyruar Sulltanin që të vinte në fuqi Kushtetutën e vitit 1876, e cila iu njihte të drejtat kombëtare popujvet të ndryshëm të Perandorisë; tjetra, e drejtuar prej ideologut Ahmet Riza, nuk donte t'i përzjente fuqitë e mëdha në punët e brendëshme të Turqisë dhe kërkonte vendosjen e një regjimi të përqendruar, domethënë nacionalist turk. Të dyja këto rryma u dukën më vonë në lëvizjen e Turqvet të Rinj: e para, me fjalë, sa për demagogji; e dyta, me punë, mbasi muarën fuqinë.
Ismail Qemali e kundërshtoi programin e pushtetit të përqendruar, mbajti anën e shumicës liberale të kryesuar nga princi Sabahedin, edhe kërkoi që përfaqësonjësit e kombësive të ndryshme në Kongres të njihëshin si të këtillë dhe të paraqitnin kërkesat e tyre. Vetëm nëpërmjet të një kushtetute që do t'iu njihte liritë administrative popujve jo-turq mund t'arrihej n'autonominë e Shqipërisë.
Pas disa vjetësh, lëvizja e Turqvet të Rinj nisi të krijonte qendra brenda në Perandorinë Otomane. Më 1906, u formua në Selanik një shoqëri e fshehtë, e cila u quajt "Komiteti për Bashkim e Përparim". Pak më vonë, si qendër e dytë e këtij komiteti u bë Manastiri. Në fillim dukej sikur këto shoqëri mbinin vetvetiu, pa lidhje me Turqit e Rinj të mërgimit, por kishin të njëjtin emër Bashkim e Përparim dhe hidhnin po ato fjalë, për një kushtetutë liberale, për zgjedhjen e një parlamenti ku të gjithë popujt e Perandorisë do të përfaqësohëshin njëlloj, pa dallim feje e kombësie. Ky program ushtronte një tërheqje të madhe mbi Shqiptarët, të cilët luftonin pikërisht për njohjen e kombësisë së tyre. Prandaj, qysh në fillim në komitetet "për Bashkim e Përparim" të Selanikut e të Manastirit, përveç Turqvet, pati edhe Shqiptarë. Në një kohë të shkurtër, Turqit e Rinj i shtrinë degët e komitetevet të tyre pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në jugë e në veri, në Maqedoni e në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Shqiptarët. Aty-këtu nisën të përzjehëshin me komitetet e lëvizjes kombëtare shqiptare, të cilëvet iu thoshin se luftonin për të njëjtin qëllim.
Duke përfituar nga dobësia që tregonte regjimi i Sulltan Hamitit përpara ndërhyrjevet të fuqivet të mëdha (Austro-Hungaria mori të drejtën e ndërtimit të një hekurudhe në zonën e Novi-Pazarit e të Mitrovicës dhe Anglia me Rusinë vendosën një tjetër program reformash për Maqedoninë, në Qershor 1908), Turqit e Rinj i shfrytëzuan këto raste për të tërhequr në lëvizjen e tyre intelektualë, nëpunës, krerë e popull, por sidomos oficerë e reparte t'ushtërisë.
Në prendverën e vitit 1908, administrata zyrtare në Shqipëri e në Maqedoni u çthur pothuajse krejt. Oficerët shqiptarë që shërbenin n'ushtërinë e rregullt u bashkuan me Turqit e Rinj. Njëri prej tyre, Ahmet Niazi Beu nga Resnja, u arratis më 3 të Korrikut bashkë me grupin e ushtarëvet që kumandonte, kaloi nëpër krahinat e Ohrit, të Dibrës, t'Elbasanit e të Korçës duke gjetur kudo përkrahjen e popullsisë. Nëpunësit besnikë të regjimit të vjetër dhe mbledhësit e taksavet u përzunë prej këtyre krahinave. Gjendja po ndryshonte prej një dite në tjetrën. Komiteti shqiptar i Korçës, dhe pastaj ai i Ohrit, iu bënë thirrje çetavet të tyre që të bashkëpunonin me kryengritësit turq nëpërmjet të Niazi Beut. Me këtë të fundit patën një pjekje edhe Çerçis Topulli me Mihal Gramenon.
Si kryeqendra e Turqvet të Rinj, në Ballkan, njihej Selaniku, ndonëse në të vërtetën çdo krahinë a qytet vepronte sipas rrethanavet dhe konditave të veçanta por duke iu mbajtur të njëjtit program. Në Komitetin "Bashkim e Përparim" të Selanikut ishin antarë oficeri i ri, Enver Beu, dhe Talati, që u bënë pastaj përsonalitete të radhës së parë. Enver Beu u arratis edhe ai me një grup ushtarësh pak ditë përpara se t'ikte Ahmet Niazi Bej Resnja.
Gjendja dukej e pjekur për t'i dhënë grushtin e fundit regjimit të Sulltan Hamitit. Është për t'u çuditur që edhe në këtë rast Shqiptarët lozën një rol të radhës së parë, si gjithmonë kur ka qënë puna për t'iu shërbyer shteteve, lëvizjeve e qëllimeve të huaja. Sadoqë këtë herë kishin një farë çfajësimi sepse shpresonin, me ndërrimin e regjimit, të fitonin të drejtat e tyre.
Në fillim të Korrikut 1908, Turqit e Rinj iu bënë një thirrje Shqiptarëvet të Kosovës për t'i lidhur me vehte, duke iu treguar rreziqet që iu kërcënohëshin sikur të vazhdonte regjimi i vjetër. Thirrja qëlloi kur duhej, sepse programi anglo-rus i reformavet të reja për Maqedoninë dhe ndërmarrja e ndërtimit të hekurudhës prej Austro-Hungarisë e kishin shqetësuar fort popullin e Kosovës. Sipas lajmevet të përhapura, ndoshta qëllimthi prej Turqvet të Rinj, qeveria kishte ndër mend t'ia shiste Austrisë tokat e fshatarëvet dhe Maqedonia mund të fitonte autonominë duke përfshirë krahina shqiptare. Nga ky shqetësim u ngritën me armë lart nga njëzet mijë fshatarë prej rrethevet të Prizrendit, Gjakovës, Prishtinës, Vuciternit, dhe u mblodhën në Ferizaj. Turqit e Rinj u përpoqën t'a shtinin në dorë këtë forcë dhe ia arritën qëllimit. Valiu i Shkupit dërgoi kumandarin e gjindarmërisë, Galip Beun, për t'i qetësuar dhe shpërndarë Kosovarët. Por Galip Beu ishte vetë antar i Komitetit "Bashkim e Përparim" të Shkupit dhe, në vënd që t'i shpërndante, veproi në mënyrë që të mblidhëshin Shqiptarë sa më shumë. Numri i tyre kaloi përmbi tridhjetë mijë. Përfaqësonjësit e Turqvet të Rinj u a paraqitën Kushtetutën e re Kosovarëvet si të vetëmen rrugë për t'i shpëtuar nga shtypjet, nga ndërhyrjet e huaja dhe nga rreziku i copëtimit. Iu premtuan liritë zakonore, të drejtën e mbajtjes s'armëvet, çeljen e shkollavet shqipe etj.
Mbledhja e Ferizajt, n'emër të popullit të Kosovës, i drejtoi një telegram Sulltan Abdul Hamitit II, me anën e të cilit i kërkonte vënien në fuqi të Kushtetutës së vitit 1876 dhe mbledhjen e parlamentit. Ky telegram i ra Sulltanit si një grusht i papritur dhe "bëri mbi të një përshtypje më të madhe se sa vrejtjet e të gjithë Turqvet ose të të gjithë përfaqësuësvet diplomatikë t'Evropës", thuhet në Kujtimet e Ismail Qemalit. (A nuk është për të vajtuar që, për vehten e tyre, për autonominë e tyre, as Kosovarët as të gjithë Shqiptarët nuk ishin të zotët të bashkohëshin e të bënin një punë të këtillë?).
Pas tri ditësh, i trembur se ushtëria dhe kryengritësit po i hynin në Stamboll, Abdul Hamiti II e vuri Kushtetutën në fuqi, më 24 Korrik 1908. Turqit e Rinj e kishin shpallur në Selanik e në Manastir një ditë më parë.
Menjëherë pas njohjes së Kushtetutës prej Sulltanit, u formua qeveria e Turqvet të Rinj. Kjo ngjarje, e cila atëhere u quajt Hyrrijet (liri), u prit me gëzim të madh prej Shqiptarëvet duke shpresuar se Turqit e Rinj do t'a mbanin fjalën dhe do t'i rrinin besnikë Kushtetutës. Nëpër qytetet u bënë mbledhje e kremtime të bujëshme, u liruan të burgosurit, çetarët u kthyen prej malevet, u ndie kudo gjatë ca ditëve një frymë e re. Vetëm disa fanatike myslimanë ose ata që përfitonin prej regjimit të vjetër e pritën ftohët këtë ngjarje të madhe.
T'etshëm për liri, atdhetarët u vunë menjëherë të flasin e të shkruajnë shqip pa frikë, u hapën klube shqiptarësh në shumë qendra. "Tani është dita edhe për neve të themi lirisht që jemi Shqiptarë. Gjer më sot nuk mund t'a thoshim këtë, se na prisnin gjuhën, na hidhnin në burg...", u fol në të parën ligjëratë që u mbajt në Selanik përpara një mbledhjeje Shqiptarësh.
Ky enthusiazëm nuk vazhdoi gjatë. Turqit e Rinj ishin nacionalistë turq dhe kërkonin me anën e një pushteti të përqendruar të turqizonin të gjithë popujt e Perandorisë. Prandaj u vunë menjëherë t'a vëzhgonin për s'afërmi lëvizjen e Shqiptarëvet, sepse i dinin qëllimet e këtyre për autonominë. Duke u pështetur në nenin 8 të Kushtetutës, i cili thoshte se nënshtetasit e Turqisë, të çdo kombi, a feje që t'ishin, do të quhëshin Osmanllinj, Turqit e Rinj zunë të krijonin nëpër qytetet e Shqipërisë, si në çdo vend tjetër, Komitetet Osmane të Bashkimit, ku bënin pjesë Shqiptarë e Turq. Por gjetën kundërshtime nga ana e popullsisë qytetare e fshatare, e cila kërkonte zbatimin e Kushtetutës sipas premtimevet të dhëna, shkollat dhe autonominë. Turqit ndaluan që të flitej për autonomi nëpër mbledhjet; megjithatë, ligjëratat e Shqiptarëvet përfundonin zakonisht me fjalët "rroftë liria, rroftë Shqipëria!". Ata që e kishin besuar demagogjinë e Turqvet të Rinj - domethënë shumica e madhe e popullit dhe e intelektualëvet - u gjetën të gënjyer. Një nga të pakët që e kishin parashikuar drejt punën ishte Sotir Peci, i cili shkruante në gazetën Kombi, më 24 Korrik 1908: "Është e ditur që programi i Turqve të Rinj është krejt i përkundërtë më çështjen tonë kombëtare. Turqit e Rinj qëllojnë t'i japin shpirt Turqisë dhe Shqiptarët kombëtarë përpiqen t'a shporrin nga vendi i tyre dhe të vetqeverisen". Pak ditë më vonë, më 31 Korrik, vazhdonte: "Dëshira dhe mejtimi i çdo Shqiptari duhet të jetë vetqeverimi dhe shpallja e një konstitucie kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen gjithë vepërimet tona".
Pas shpalljes së Kushtetutës, vepërimi i parë i Shqiptarëvet qe formimi i klubevet (ose shoqëri, siç u quajtën disa herë) si qendra kulturore. Turqit e Rinj nuk e penguan krijimin e klubevet sepse shpresonin t'i përdornin për t'a futur lëvizjen shqiptare nën drejtimin e tyre. Brenda katër a pesë muajve u hapën afro njëzet klube, shumica në qytetet e Shqipërisë së jugës, por tre më të rëndësishmit ishin në Manastir, në Selanik e në Stamboll. Bashkë me klubet dolën edhe gazetat shqipe, nja gjashtë a shtatë: Lirija dhe Diturija në Selanik, Besa dhe pastaj Shqiptari, në Stamboll, Bashkimi i Kombit, në Manastir, Bashkimi, në Shkodër, Korça dhe Lidhja Orthodokse, në Korçë, Tomorri, n'Elbasan, përveç gazetavet të mërgimit që vazhdonin si gjithmonë.
Në Shkodër, krijimi (ose vazhdimi) i një klubi ndeshi në fanatizmin e Myslimanëvet, i cili kishte mbetur i padryshuar. Vështirësi të këtilla pati edhe në Kosovë, ku hoxhët e ndjenin vehten më parë Myslimanë pa pastaj Shqiptarë. Atdhetarët menduan t'a bënin Shkupin si kryeqendrën e kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare për tërë Shqipërinë e verilindjes që rrethohej prej shtetesh sllavë armiq. Qyteti i Shkupit dhe e tërë krahina, sidomos ana perëndimore, banohëshin në shumicë të madhe prej Shqiptarësh nga gjaku. Po për fat të keq, një pjesë e qytetarëvet fliste turqisht dhe i kishte humbur ndjenjat kombëtare. Megjithatë, me përpjekjet e Nexhip Dragës u formua klubi shqiptar edhe në Shkup. Kur u vu çështja për të zgjedhur një klub si kryeqendër që t'i ndërlidhte të gjithë të tjerët, u paraqitën dy si më të përshtatshmit: ai i Selanikut, nën kryesinë e Midhat Frashërit, dhe ai i Manastirit me kryetar Gjergj Qiriazin. U zgjodh ky i dyti, i cili tregoi një veprimtari të gjallë për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në Shqipërinë e jugës dhe të Mesmen. Klubi i Janinës u përpoq të përhapte arësimin shqip kundrejt shkollavet greqishte dhe t'i shkëpuste Shqiptarët orthodoks prej ndikimit të Patrikanës greke.
Klubet qenë të shtrënguar t'a shpallnin botërisht se nuk merrëshin me politikë, por vetëm me çështje kulturore. Fshehtas merrëshin sigurisht edhe me politikë, por s'mund t'a thoshin hapur. Shumë prej atdhetarëvet e kuptuan që u gënjyen prej Turqvet të Rinj, por s'kishin se ç'të bënin. Me përhapjen e mësimit, t'idevet, dhe me ndërlidhjet midis tyre, klubet vlejtën për t'i dhënë shtytje e gjallëri lëvizjes kombëtare, prandaj nuk ishin edhe fare të kotë siç qenë kritikuar nga disa atdhetarë të kohës. Kur poeti Çajupi vizitoi klubin e Selanikut në fillim të vitit 1909, kishte të drejtë të çuditej dhe të prekej në sedrën kombëtare nga afrimi ndërmjet këtij klubi dhe Turqvet të Rinj. Por nga ana tjetër nuk duhej harruar se klubi i Selanikut ndodhej në një qendër që s'ishte shqiptare dhe se aty e kishte kryet Komiteti "Bashkim e Përparim" i Turqvet të Rinj. Prandaj duhej gjetur një mënyrë bashkëjetese me këta, ose duhej mbyllur klubi.
Sidoqoftë, edhe ashtu siç ishin, klubet, për të përmbushur detyrat e tyre n'anën politike, u vunë të krijonin komitetet e fshehtë. Në këtë lloj vepërimi u treguan t'aftë sidomos klubi i Manastirit edhe ai i Stamollit.
Puna m'e ngutshme për Shqiptarët, pas shpalljes së Kushtetutës turke, ishte hapja e shkollavet shqipe për të cilat kishin luftuar një gjysëm shekulli. Këto filluan të çelëshin me shumë zell në qytetet e nëpër ca fshatra. Dhe regjistrohëshin jo vetëm fëmijë po edhe djelmosha të rritur. Për të mëdhenjtë u hapën shkolla nate. Abetaret e librat filluan të vinin prej kolonivet, sidomos shtypëshkronja "Mbrothësia" e Sofjes dërgoi një sasi të madhe. Shkollat dhe arësimi u organizuan e mbahëshin prej klubevet, të cilët veprimtarinë më të gjallë të tyre e treguan në këtë drejtim. Në Berat u çelën dy shkolla të mbajtura prej qytetarëvet, por mbasi shpenximet ishin të mëdha, u caktua prej bashkisë një taksë mbi shitjen e lëkuravet dhe u vu monopoli i vajgurit. Natyrisht, duhej gjetur çdo mjet, mungonte gjithçka, e në radhë të parë mësuësit. Prandaj atdhetarët, intelektualët e klubevet, e bënë si një çështje nderi dhe si një detyrë shumë të lartë dhënien e mësimevet në gjuhën shqipe, falas. Pengesat ishin të mëdha dhe vinin nga shumë anë: nga mungesa e pajisjevet shkollore, e lokalevet, por sidomos nga kundërshtimi i grekomanëvet dhe i turkomanëvet, të cilët gjenin pështetjen e administratës zyrtare.
Megjithatë, një dekret i Ministrisë turke t'Arësimit lejoi mësimin e shqipes si gjuhë të dytë në shkollat turqishte fillore e të mesme të Shqipërisë. Kjo u bë ndoshta me qëllim për t'iu prerë hovin shkollavet shqipe, po sidoqoftë e ndihmonte përhapjen e gjuhës amtare. Ishte për t'ardhur keq që Myslimanët e Shkodrës e kundërshtuan edhe këtë vendim, sepse nuk donin shkolla shqipe as mësimin e shqipes. Nga ana tjetër, Kisha greke vuri tërë forcën për të ndaluar mësimin e gjuhës amtare në popullsinë orthodokse dhe kërcënoi me çkishërim prindërit e nxënësvet shqiptarë që ndiqnin shkollat shqipe.
Me hapjen e shkollavet dhe zgjerimin e arësimit vihej si një problem i ngutshëm caktimi i një abeceje të vetëme, mbasi deri atëhere kishte pasur disa të ndryshme. Për këtë punë u mblodh Kongresi i Manastirit, në muajin e Nëntorit 1908, mbi vendimet e të cilit kemi folur më sipër. Por aty u bisedua, në mbledhje të fshehta, me shtytjen e Shahin Kolonjës, edhe një program i gjerë për t'iu paraqitur parlamentit turk në lidhje me zhvillimin e arësimit kombëtar shqiptar; program aq i gjerë sa që nuk iu paraqit fare parlamentit, se s'do të kishte asnjë mundësi pranimi.
Duke parë hovin që po merrte arësimi shqip dhe forcimin e ndjenjavet kombëtare, Turqit e Rinj, të cilët ishin për turqizimin e popujvet të Perandorisë, u vunë të nxirrnin pengesa. Si mjet të parë gjetën abecenë: duke shfrytëzuar fanatizmin e hoxhëve dhe të disa Myslirnanëve, u përpoqën t'a zëvendësonin abecenë latine të shqipes me shkronjat arabe. Kjo ndërhyrje, siç do t'a shohim, u bë një grindje e vërtetë.
Politikën e turqizimit qeveria e tregoi sheshit kur botoi ligjin e zgjedhjevet parlamentare, në Shtator 1908. Deputetët duhej të paraqitëshin si Osmanllinj e jo si përfaqësonjës grupesh kombëtarë, dhe ishte e domosdoshme që të dinin turqishten. Në ndarjet krahinore të zgjedhjevet Turqit e Rinj bënë si deshën për të pasur shumicën. N'atë rast klubet shqiptarë zhvilluan propagandën që të zgjidhëshin si deputetë të Shqipërisë njerëz me ndjenja atdhetare dhe jo ata që gëzonin mprojtjen e Komitetit "Bashkim e Përparim" të Turqvet të Rinj. Gjendja u acarrua. Katolikët, në Shkodër, protestuan rreptësisht kundër mënyrës së zgjedhjevet dhe mohimit të së drejtës për të votuar lirisht kandidatin e tyre. Një protestë bëri edhe klubi i Manastirit për zgjedhjen e çrregullt të deputetit të Dibrës. N'Elbasan populli nuk desh të votonte për kandidatin e paraqitur prej Turqvet të Rinj. Po ashtu Berati, kundër vullnetit të Turqvet, zgjodhi Ismail Qemalin, i cili ishte kthyer në Shqipëri duke kaluar nga Athina ku, në një intervistë që i dha shtypit, tha se Grekët ishin vëllezërit e Shqiptarëvet, gjë që shkaktoi kundër tij një polemikë në gazetën Lirija të Midhat Frashërit.
Për të katër vilajetet e Shqipërisë u zgjodhën gjithësejt 26 deputetë, ndër të cilët shquhëshin si atdhetarë Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga nga Shkupi, Hasan Prishtina e disa të tjerë. Këta deshën të qëndronin si grup kombëtar dhe u bashkuan me krahun liberal të parlamentit, ku bënin pjesë edhe deputetë prej kombësish të tjera, myslimanë e të krishterë. Të gjithë tok formuan partinë e Liberalëvet (Ahrar), nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky grup bënte opozitën parlamentare kundër shumicës së Turqvet të Rinj. Programi i tij përmblidhej pak a shumë në mendimet që i çfaqi Ismail Qemali gazetës së Londrës, Pall Mall Gazette, në Jenar 1909: "Turq, Grekë, Sllavë, Shqiptarë, Armenë, Arabë dhe të gjithë popujt e tjerë të Perandorisë duhej të kishin të drejta të barabarta. Kjo ishte e vetëmja rrugë shpëtimi për Turqinë".
Gjatë fushatës së zgjedhjevet, në Tetor 1908, Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën e Herzegovinën, të cilat i mbante të pushtuara që prej Kongresit të Berlinit. Njëkohësisht shtyti dhe përkrahu Bullgarinë që të shpallej mbretëri e pavarur, mbasi kjo deri atëhere njihej - të paktën formalisht - si shtet autonom nën Sulltanin. Ishin dy shuplaka të rënda që Austro-Hungaria u jepte Turqvet të Rinj. Këta deshën me këtë rast t'i lidhnin Shqiptarët më ngushtë pas politikës së tyre duke u treguar rreziqet e jashtëme. Disa shqetësime u dukën aty-këtu dhe disa zhurma gazetash, sidamos nga frika se mos shpallja e pavarësisë bullgare dhe aneksimi i Bosnjës e Herzegovinës mund të nxitnin Serbinë, Malin-e-Zi dhe Greqinë kundrejt krahinavet të Shqipërisë. Një mbledhje u bë disa muaj më vonë në Tepelenë për të marrë masa kundër çetavet greke që po shtohëshin n'Epir. Propaganda për mos-blerjen e mallravet austriake gjeti një farë pështetjeje në Shqipëri, por lëvizja e Shqiptarëvet kundrejt Austrisë nuk shkoi më tutje.
Me politikën e tyre përqëndronjëse Turqit e Rinj po i keqësonin lidhjet me Shqiptarët dhe kombësitë e tjera të Perandorisë. Lajmet qarkullonin se ishin duke u pregatitur atentate kundër disa atdhetarëve shqiptarë. Më 12 Prill 1909, Komiteti "Bashkim e Përparim" e shpalli se nuk ishte më një organizatë e fshehtë por një parti politike e rregullt.
Qarqet e vjetra reaksionare, fanatikët muhamedanë dhe Sulltan Hamiti vetë deshën të përfitonin nga pakënaqësia e përhapur kundrejt Turqvet të Rinj, duke shpresuar se do të kishin përkrahjen e klasës feudale, të klerit mysliman, dhe sidomos të Shqiptarëvet. Më 13 Prill 1909, disa trupa t'ushtërisë në Stamboll ngritën krye dhe e rrëzuan qeverinë e Komitetit "Bashkim e Përparim". Sulltani emëroi një qeveri tjetër, e cila kërkoi edhe përkrahjen e Shqiptarëvet. Por këta, me gjithë ankimet që kishin kundrejt Turqvet të Rinj, nuk mund të ndihmonin këthimin e regjimit të vjetër, i cili s'iu kishte njohur as të drejtën e hapjes së një shkolle. Prandaj si klubet ashtu edhe grupi i deputetëvet shqiptarë në parlament nuk lëvizën, ose mbajtën anën e Komitetit "Bashkim e Përparim". Kundër-revolucioni nuk gjeti pështetje gjëkundi dhe mbeti i kufizuar vetëm në Stamboll. Atëhere armata e III turke e Maqedonisë, e kumanduar prej gjeneralit Mahmud Shefqet Pasha, nën të cilin shërbente edhe Ahmet Niazi Bej Resnja, u vu në lëvizje drejt kryeqytetit dhe hyri në Stamboll më 23 të Prillit. Planin e vepërimevet ushtarake e drejtonte një Shqiptar, Ali Pashë Kolonja. Sulltan Abdul Hamiti II u zbrit nga froni, dhe në vend të tij hipi i vëllaj, Mehmet Reshati V, i cili s'ishte veçse një vegël në duart e Turqvet të Rinj.
Ndonëse edhe këtë radhë Turqit e Rinj ua detyronin pjesërisht Shqiptarëvet fitoren kundër rivendosjes së regjimit të vjetër, nuk iu bënë asnjë lëshim kërkesavet kombëtare të këtyre. Përkundrazi pasi u siguruan mirë në fuqi, zunë të sillëshin më ashpër me Shqiptarët të cilët i shikonin si një popull mysliman fort pak të pregatitur politikisht, dhe besonin se me ca shtrëngime e mënyra dredhake mund t'i bënin osmanllinj të bindur - siç thotë Ismail Qemali në Kujtimet e tija - për t'ua treguar si shembull kombësive të tjera.
Trubullimet filluan përsëri në Kosovë, ku fshatarët nuk donin të paguanin taksat as të dorëzonin armët, as t'iu shtrohëshin ligjevet të reja. Për të treguar forcën, qeveria e Stambollit, e cila porsa ishte vendosur pas ngjarjevet të Prillit, i dha urdhër Xhavit Pashës, kumandarit të divizionit turk në Mitrovicë, që të bënte një shpeditë ushtarake nëpër Kosovë dhe të ndëshkonte të pabindurit. Xhavit Pasha u nis nga gjysma e Majit 1909, kaloi nëpër qytetet, u suall shumë keq në malësinë e Gjakovës, duke djegur fshatra, për të çarmatosur vendin dhe për të rekrutuar ushtarë me forcë. Po kur arriti në Qafën e Morinës, më 12 të Qërshorit, malësorët i kishin zënë pritat edhe i ranë. Pas luftimesh të rrepta, që vazhduan më se një javë, ushtëria turke u tërhoq në Gjakovë. Shqetësimet për çështjen e taksavet, të armatimit dhe të shërbimit ushtarak të detyrshëm, që lidhëshin me programin e Turqvet të Rinj, zunë të ndihëshin edhe në vilajetin e Shkodrës.
Më 23 Korrik 1909, në përvjetorin e shpalljes së Hyrrijetit, u mbajt në Dibër një kongres q'e kishin organizuar Turqit e Rinj, me qëllim që të lidhnin pas politikës së tyre klasën drejtonjëse të vendit dhe të tregonin se Shqiptarë e Turq ishin të bashkuar si Osmanllinj për mprojtjen e Kushtetutës. Kjo propagandë iu vlente për kombësitë e tjera të Perandorisë dhe për opinionin evropian. Në këtë rast, duke përfituar nga fanatizmi i një pjese të klerit mysliman, Turqit e Rinj deshën të futnin abecenë arabe në shkrimin e gjuhës shqipe, si një çap të parë drejt osmanizimit.
Shumica e kongresistëvet përbëhej prej Shqiptarësh nga veriu e nga juga (përveç Katolikëvet që nuk pranuan të merrnin pjesë), pastaj u thirrën edhe disa përfaqësonjës nga kombësitë e ndryshme të Maqedonisë. Agjentët q'e drejtonin punën ishin Turqit vetë me njerëzit e tyre në Kongres. Por aty kishin ardhur edhe mjaft atdhetarë shqiptarë, të cilët e kundërshtuan programin e pregatitur që Turqit deshën t'impononin, sidomos mbajtjen e Shqiptarëvet për Osmanllinj. Atdhetarët kërkuan reforma n'arësim, hapjen e shkollave fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ndërtimin e rrugëve dhe ndërmarrje të tjera në lidhje me zhvillimin e vendit. Pas bisedimesh të nxehta, u formua një komitet për të vendosur mbi programin. Por Turqit ia arritën pjesërisht qëllimit, sepse, ndonëse kongresi pranoi çeljen e shkollave fillore e të mesme shqipe dhe futjen e mësimit të shqipes në shkollat turqishte, çështja e abecesë, arabe apo latine, mbeti që të zgjidhej prej çdo krahine sipas dëshirës së popullit të saj. Ky ishte jo vetëm një prapakthim në punën e bërë gjer atëhere për njësimin e gjuhës, të kulturës dhe të kombësisë shqiptare, po edhe një shkak i përhershëm grindjesh e ndasish midis krahinash, sepse nuk mund të qëndronin bashkë dy lloje shkollash, dy lloje botimesh me shkronja aq të ndrysme siç janë abecetë arabe e latine. Prandaj ky vendim, që ishte absurd në vetvehte, iu shërbente Turqvet të Rinj për të mbjellë farën e përçarjes, për t'organizuar demostrata, për të ndarë krahinat nga njëra tjetra, Myslimanët prej të Krishterëvet, dhe për t'i hedhur nëpër këmbë pengesën më të madhe bashkimit kombëtar.
Ndërkaq, në Kosovë, në rrethet e Pejës, të Ferizajt, të Prizrendit, e sidomos në Lumë, vazhdonin kundërshtimet për taksat dhe shërbimin ushtarak të detyrshëm. Në Shtator 1909, Xhavit Pasha provoi të shtronte malësinë e Lumës duke djegur fshatra gjatë rrugës, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u shtrëngua të këthehej prapë në Prizrend. Lëvizja mori dukjen e një kryengritjeje në Dibër, ku ishin mbledhur shumë t'ikur nga Kosova. Ushtëria turke nuk guxoi të vazhdonte ndjekjen.
Qysh përpara Kongresit të Dibrës, q'u organizua prej Turqvet, atdhetarët shqiptarë kishin caktuar një mbledhje n'Elbasan, për të biseduar sidomos rreth çështjeve arësimore. Elbasani ishte bërë n'atë kohë një qendër mësimi i gjuhës amtare dhe kishte katër shkolla shqipe të mbajtura nga klubi i qytetit. Pas vendimevet të Kongresit të Dibrës dhe demostratavet që po shtyhëshin prej Turqvet të Rinj për të pranuar abecenë arabe, Kongresi i Elbasanit, që u mblodh më 2 gjer më 9 Shtator 1909, ishte si një përgjigje e atdhetarëvet kundër ndërhyrjes së huaj. Muarën pjesë 35 përfaqësonjës, kryetarë ose antarë klubesh, prej Shqipërisë së jugës dhe së Mesmes. Bisedimet u kufizuan sidomos rreth çështjes s'arësimit shqip dhe së hapjes së shkollavet, por u rrahën sigurisht edhe probleme të tjerë. U vendos që klubet dhe shoqëritë t'i shtrohëshin një programi të përbashkët, nën drejtimin e klubit të Manastirit, i cili u zgjodh përsëri si kryeqendër edhe për dy vjet.
Duhej shtuar numri i shkollavet shqipe si edhe botimi i libravet me abecenë latine, duke kërkuar nga shkrimtarët që t'i mbahëshin mundësisht dialektit t'Elbasanit, i cili kuptohej me lehtësi prej Toskëvet dhe Gegëvet. Klubi i Manastirit dhe të tjerët duhej të bënin ç'ishte e mundur për t'a futur mësimin e shqipes edhe në shkollat e huaja që ndodhëshin në Shqipëri. Mbasi mungonin mësuësit, Kongresi vendosi çeljen e një shkolle normale prej gjashtë klasësh, n'Elbasan. Drejtori i parë i saj u emërua Luigj Gurakuqi. Kongresi vendosi gjithashtu formimin e një shoqërie të quajtur "Përparimi" me qendrën në Korçë. Ajo do të mblidhte prej klubeve, shoqërive dhe mirëbërësve ndihmat e duhura për të mbajtur shkollën normale, për të hapur shkolla të tjera dhe për t'i pajisur me librat e sendet e nevojshme. Atdhetarët e klubevet duhej të bënin çdo përpjekje për të ngritur lart shkallën e arësimit të popullit duke ndihmuar sidomos shoqërinë "Përparimi".
Pas përshtypjes së keqe të Kongresit të Dibrës, Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re arësimit kombëtar nga i cili varej edhe bashkimi kombëtar. Shkolla të tjera u hapën, me abecenë latine, deri në Dibër e në qytetet e Kosovës, në Prizrend, Gjilan, Mitrovicë e Shkup.
Turqit e Rinj u vunë t'organizonin demostrata me anën e fanatikëvet të klerit mysliman, si në Manastir, në Shkup e në ca qytete të tjera, për abecenë arabe kundër shkronjavet latine. Po edhe atdhetarët nuk ndëjtën fjetur. Një demostratë madhështore, ku merrnin pjesë përmbi 15.000 veta nga qyteti dhe fshatrat, u organizua në Korçë prej shoqërisë "Përparimi", më 19 Shkurt 1910, kundër futjes s'abecesë Arabe. Hafiz Ali Korça i bekoi shkronjat shqipe (latine) përpara popullit duke thënë një lutje. Ca ditë më vonë, një tjetër mbledhje e madhe u bë në Gjirokastër, e kryesuar nga parësia dhe kleri mysliman, i cili shpalli botërisht se abeceja latine nuk i sillte asnjë dëm fesë, prandaj duhej mbajtur. Protesta kundër futjes s'abecesë arabe në gjuhën shqipe iu dërguan kryeministrit dhe ministrit t'Arësimit, në Stamboll, nga klubi i Janinës dhe prej qyteteve të tjera të Çamërisë. Protesta e klubit të Filatit drejtuar Portës së Lartë përfundonte me këto fjalë: "Atë gjak që na ka mbetur do t'a derdhim për abecenë latine". Turqit e Rinj, duke u pështetur në fanatizmin e një pjese të Myslimanëvet, përdorën të gjitha mënyrat djallëzore për të futur abecenë arabe dhe për të shkaktuar përleshje ndërmjet Shqiptarëvet. Kryeministri Ibrahim Haki Pasha e shikonte dëshirën e Shqiptarëvet për abecenë latine si një çap të parë për t'u shkëputur nga Turqia. Prandaj qeveria turke u përpoq t'a ndalonte me çdo mënyrë.
Kongresi që ishte mbajtur në Manastir për abecenë e shqipes, në Nëntor 1908, kishte parashikuar një mbledhje të dytë pas dy vjetësh. Ngjarjet e shpejtuan këtë mbledhje atdhetarësh, e cila u mbajt po në Manastir, në fillim të Prillit 1910. Ky kongres i dytë çfaqi keqardhjen që çështja e abecesë, e cila iu përkiste vetëm Shqiptarëvet, kishte marrë një karakter politik dhe shkaktuar ndërhyrjen e qeverisë turke në kundërshtim me Kushtetutën. Kongresi mori disa masa të reja për t'i dhënë gjallëri punës së klubevet, arësimit shqip dhe botimit të librave shkollore me abecenë latine (ose kombëtare, siç quhej atëhere).
Edhe prova e fundit që bënë Turqit me anën e propagandës fetare duke shtytur Sheh-yl-Islamin t'iu drejtonte një letër-qarkore myftinjve të Shqipërisë, më 5 Prill 1910, përmbajtja e së cilës ndalonte përdorimin e abecesë latine për gjuhën shqipe - nuk vlejti.