XXV

Lufta e Parë botërore e vinte edhe njëherë çështjen e Shqipërisë si një problem për t'u zgjidhur. Zgjidhja këtë radhë mund t'ishte copëtimi i saj ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanike. E pamë më sipër sesi Konferenca e Londrës pat pranuar njohjen e një shteti shqiptar vetëm sa për të ndaluar përpjekjen me armë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Kufijtë e shtetit të ri nuk u bazuan n'asnjë kriter ethnik, historik ose gjeografiko-ekonomik, por u shënuan si një kompromis artificial ndërmjet këtyre dy fuqive. Tani që Austro-Hungaria ndodhej në luftë kundër Rusisë dhe Aliatëvet të Perëndimit, dhe që Italia, në Maj 1915, mori anën e Aliatëvet, u kuptua se, po t'a fitonin luftën këta të fundit, problemi i Shqipërisë mbetej për t'u rregulluar ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanikë. Nga ana tjetër, e tërë bota ishte mërzitur me çështjen shqiptare dhe me zhvillimet fatkeqe që patën marrë punët e Shqipërisë përbrenda.

Menjëherë pas shpërthimit të Luftës botërore, krahinat e Shqipërisë, mbetur si një mall i shkretë, u bënë plaçkë pazarllëqesh ndërmjet fuqivet të mëdha, sepse secila prej tyre kërkonte të tërhiqte n'anë të saj shtetet rreth e rrotull duke iu premtuar shpërblime mbë tokat shqiptare. Porsa Venizelloja u tregua se do të merrte anën e Franko-Britanikëvet, këta ia njohën Greqisë të drejtën e pushtimit ushtarak mbi Epirin. Por në qendër të pazarllëqevet për tokat shqiptare qëndronte Italia. Duke mbetur disa muaj jashtë luftës si asnjanëse, kjo i vazhdoi pazarllëqet me të dy palët ndërluftonjëse, hem për të parë se ngaha mund të nxirte përfitim më shumë, hem për të pritur se nga do t'anonte balanca e forcavet. Austro-Hungaria ia njihte Italisë Vlorën me rrethet, por kërkesat e kësaj kundrejt aliates së vjetër u bënë gjithmonë më të mëdha: donte Trentinin, Istrien etj., dhe heqjen e ndikimit austriak prej Shqipërie. Kënaqja e këtyre kërkesave ishte e vështirë për perandorinë Austro-Hungareze, sidomos që Shqipëria kishte për të një rëndësi strategjike të radhës së parë në sigurimin e rrugëvet detare e tokësore drejt Mesdheut. Kurse Anglia e Franca nuk kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri dhe mund t'i kënaqnin dëshirat e Italisë, por iu duhej të mendonin edhe për Serbinë e Greqinë, ndoshta edhe për Bullgarinë e cila s'kishte marrë akoma qëndrim deri atëhere. Rusia, n'anë të saj, u përpoq të ringjallte aliancën e vjetër ballkanike për të hedhur kundër Austro-Hungarezëvet edhe Bullgarinë e Greqinë përkrah Serbisë. Në këtë rast, dy fqinjët duhej t'i lëshonin diçka Bullgarisë në Thrakë e Maqedoni, ndërsa ato vetë do të shpërblehëshin me Shqipërinë. Mbasi mbreti Kostandin i Greqisë anonte nga Perandoritë qendrore, Gjermania i premtonte atij Shqipërinë e jugës në rast se do t'iu shpallte luftë fuqivet t' Entente-ës. Si shihet, Shqipëria ishte bërë një plaçkë në duart e fuqivet të mëdha, për të shpërblyer me të aliatët e tyre më të vegjël. Kur Turqia iu shpalli luftë fuqivet t' Entente-ës, më 2 Nëntor 1914, Anglia e Franca i shtuan përpjekjet për të hedhur kundër saj Bullgarinë dhe Greqinë, duke menduar si shpërblim për këtë të fundit, përveç tokash n'anën turke, edhe Shqipërinë e jugës.

Ndërsa bëhëshin këto parashikime rreth copëtimit të Shqipërisë, Italia, duke manevruar mjeshtërisht me të dy palët ndërluftonjëse, si edhe me Greqinë, e zuri Sazanin që më 30 Tetor l9l4. Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë ua kishte kërkuar më përpara pëlqimin, duke ua paraqitur këtë vepërim si një masë të nevojshme për mprojtjen e Vlorës kundrejt Grekëvet. Kurse me Grekët ishte në marrëveshje për këtë punë qëkur nisi t'iu lëshonte pe në Shqipërinë e jugës me Protokollin e Korfuzit. Nga mbarimi i Dhjetorit 1914, duke qënë gjithmonë asnjanëse, Italia pushtoi edhe Vlorën. Kështu që fuqitë e Entente-ës nuk mund të bënin tani plane për copëtimin e Shqipërisë pa marrë pjesë edhe Italia në bisedimet. Pas hyrjes së Turqisë në luftë dhe me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjevet, u bind edhe Rusia se tokat e Shqipërisë s'mund të ndahëshin ndërmjet Ballkanikëvet pa marrë edhe Italia pjesën e saj; sidomos kur pritej që kjo të rreshtohej n'anën e Aliatëvet, kundër Perandorivet qendrore. Vetë Cari i Rusisë, duke hapur një hartë gjeografike të Ballkanit, i tregoi Ambasadorit të Francës në Petrograd, më 21 Nëntor 1914, planin e tij mbi copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe fqinjëvet ballkanike. Pas disa muajsh, më 29 Mars 1915, ministri i Punëve të Jashtëme t'Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante edhe planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Mbasi, në vija të përgjithshme, plani i Italisë afrohej me atë të Rusisë, Franca dhe Anglia nuk patën vështirësi për t'a pranuar. Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë, u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Entente-ës më 26 Prill 1915. Një muaj më vonë, Italia iu shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.

Sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Italia do të merrte Vlorën, Sazanin dhe një pjesë mjaft të gjerë përbrenda, që të siguronte mprojtjen e Vlorës. Shqipërinë e veriut do t'a merrnin Serbia dhe Mali-i-Zi, kurse Greqisë i lihëshin krahinat e jugës. Shqipëria e Mesme do të përbënte një shtet të vogël mysliman e autonom ndën protektoratin e Italisë.

Le të shohim tani shkurtazi se nëpër çfarë peripetish kaloi Shqipëria gjatë Luftës.

Dy ditë pas ikjes së Vidit, Rebelët hynë në Durrës, më 5 Shtator, ku vendosën "Këshillin e Përgjithshëm" të tyre ndën kryesinë e Mustafa Ndroqit. I pari vendim që muarën, ishte që të nisnin për në Stamboll një dërgatë, e cila do t'i kërkonte Sulltanit bashkimin e Shqipërisë me Turqinë ose dërgimin e një princi mysliman ndën mvarësinë e tij. N'atë kohë Turqia po i shtrëngonte lidhjet me Austro-Hungarinë, prandaj agjentët e saj iu këshillonin Rebelëvet që të merrnin anën e kësaj fuqie kundër Serbisë. Një komision i ri turk arriti prej Stambolli, për t'i drejtuar forcat e Rebelëvet në përputhje me politikën e Turqisë.

Gjendja në Shqipëri ishte e vajtuarshme. Në jugë, Grekët diqnin e piqnin. Malësitë e veriut kishin rënë n'anarkinë e përhershme, për të pritur riardhjen e Serbo-Malazezve. Një farë qetësie mbretëronte vetëm në Shkodër, ku vazhdonte akoma rregulli që pati vënë Komisioni Ndërkombëtar. Rebelët u përpoqën t'a shtrinin fuqinë gjer këtu, të ndihmuar nga disa turkomanë si Alush Lohja me shokë, por nuk mundën. Në qarkun e Shkodrës ishin edhe Katolikët që loznin rolin e tyre. Prandaj, kur mori fund kontrolli i Komisionit Ndërkombëtar, qytetarët formuan një këshill administrativ vendas duke mbajtur flamurin kuq-e-zi dhe gjuhën shqipe nëpër zyrat. Kështu Shkodra mbeti për ca kohë si e vetëmja strehë e lirë në tokën shqiptare, ku u mblodhën mjaft atdhetarë t'ikur prej visevet të tjera të Shqipërisë.

Porsa u hap Lufta botërore, Esad Toptani u vërsul përsëri, kaloi prej Italie n'Athinë dhe, prej këtej, në Nish ku ishte tërhequr n'atë kohë qeveria serbe. Me ndihmat financiare dhe armatimin që mori prej Pashiçit, ai mblodhi në Dibër një fuqi merçenarësh dhe zbriti në Durrës papritur, më 2 Tetor 1914. Pasi e detyroi "Këshillin e Përgjithshëm" të Rebelëvet që t'i nënshtrohej, Esadi e shpalli vehten kryetar i "qeverisë së përkohshme" dhe "kumandar i fuqivet t'armatosura" të Shqipërisë. Italia shpejtoi të dërgonte menjëherë në Durrës, si përfaqësonjës pranë Esad Pashës, baron Aliottin, ish-ministri i saj pranë Vidit.

Dhelparak si gjithnjë, Esadi i bëri të tijat parullat myslimane të Rebelëvet, mallëngjimin e tyre për Turqinë dhe dëshirën për një princ mysliman. Por kjo hipokrizi nuk mund të vazhdonte gjatë, sepse Esadi lidhej me fuqitë e Entente-ës, sidomos me Serbinë, kurse Rebelët, të këshilluar prej Turqvet, mbanin anën e Austro-Hungarisë. Punët erdhën në një pikë që duhëshin ndarë, kur Turqia, e lidhur me Perandoritë qendrore, iu shpalli luftë fuqivet t'Entente-ës, më 2 Nëntor 1914, dhe Sulltani iu bëri thirrje Myslimanëvet që të hidhëshin në luftë të shënjtë kundër armiqve t'Osmanllisë. Agjentët turq i shtynin Rebelët që t'iu binin Serbëvet, kurse Esad Toptani ishte në shërbim të Serbisë. Kjo gjendje nuk mund të vazhdonte. U kuptua se Pashaj Toptanas donte të bëhej vetë princi i Shqipërisë, i përkrahur prej fqinjëvet (Serbi, Greqi) dhe prej fuqivet t'Entente-ës, domethënë prej armiqve të Turqisë.

Kështu, nga mbarimi i Nëntorit, Rebelët u kthyen kundër Esad Toptanit dhe iu ranë fuqivet të tija. Haxhi Qamili i përzuri prej Tirane merçenarët e Esadit, që kumandohëshin nga Xhelal Zogu e Dine Hoxha, dhe iu vuri zjarrë shtëpivet të Pashajt Toptanas. Pas disa javësh, Rebelët ngrehën përsëri fuqinë e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe i vazhduan luftimet kundër Esadit, i cili u mbyll në Durrës me larot e vet. Aty kishte ndihmën e luftanijevet italiane dhe vazhdoi lidhjet me fqinjët armike të Shqipërisë.

Më vonë, Rebelët bënë një mbledhje në Krujë, ku e gargaritën edhe një herë programin e bashkimit me Turqinë dhe iu dhanë një notë konsujvet të fuqivet të mëdha, në Shkodër, për t'iu treguar se ata mbanin anën e Turqisë dhe të Perandorivet qendrore. Rrëmuja e tyre vazhdoi gjer në verën e vitit 1915, si edhe luftimet herë pas here kundër Esad Toptanit. Po edhe grindjet që patën me njëri-tjetrin nuk qenë të pakta. Shpirti i keq i lëvizjes së këtyre të mallkuarve ishte myftiu i Tiranës, Musa Qazimi. Natyrisht, fuqia e tyre nuk do t'ishte mbajtur dot në këmbë gjatë një viti, sikur të mos drejtohej prej agjentëve turq me parulla fetare e me flamurin e Turqisë përpara, e vetëmja ndëgjesë që mund të kishte kjo turmë e verbër.

Në fillim të Qërshorit l915, trupat serbe, duke hyrë nga ana e Dibrës, zbritën në Shqipërinë e Mesme, pushtuan Elbasanin, Kavajën, Tiranën dhe iu afruan Durrësit. Në bashkëpunim me Esad Toptanin, ato e shtypën lëvizjen e Rebelëvet, të cilën e shikonin si një forcë në shërbim t'Austro-Hungarisë, dhe i kapën disa nga krerët e saj, ndër ta edhe Haxhi Qamilin. Esadi ngriti një gjykatore të kryesuar prej Xhelal Zogut për të dënuar me vdekje Haxhi Qamilin me shokë, të cilët edhe i vari. Serbët nuk hynë në Durrës, për të mos zëmëruar Italinë, dhe shpallën se qeverimin e vendit do t'ia linin mikut të tyre, Esad Toptanit.

Porsa që Serbët shkelën Shqipërinë e Mesme, Grekët mbanin krahinat e jugës dhe Italianët Vlorën, Mali-i-Zi nuk mund të mbetej pas. U fut edhe ai nga ana e veriut, në javën e dytë të Qërshorit dhe, pas disa përpjekjesh të parëndësishme, pushtoi Shkodrën. Kështu u zhduk edhe ajo strehë e lirë që kishte mbetur n'atë çip të Shqipërisë. Ushtëria malazeze i kapi si dhentë në vathë disa nga atdhetarët e shquar që ishin mbledhur aty, Çerçis Topullin, Mustafa Qullin, Isa Buletinin, Dedë Gjo' Lulin, Mehmet Shpendin, e të tjerë, edhe i vrau. Gjaku i Shqiptarëvet po rridhte rrëke në çdo skaj të së mjerës Shqipëri.

Por këtë herë pushtimi serbo-malazias nuk vazhdoi gjatë. Bullgaria, e lidhur me Perandoritë qendrore, i shpalli luftë Serbisë më 14 Tetor 1915. Në të njëjtën kohë, Austro-Hungaria lëshoi ofensivën e madhe kundër Serbisë dhe Malit-të-Zi. Këtyreve s'mundi t'iu vinte ndihmë prej aliatëve t'Entente-ës, ndonëse në muajin e Tetorit Franca shkarkoi në Selanik njësitë e para t'Armatës së Lindjes. E vënë midis dy zjarresh, Serbia u thye keqas dhe ushtëritë e saja filluan të tërhiqëshin në drejtim të Shqipërisë, mbasi nga ana e Maqedonisë, në jugë, ua kishin prerë udhën Bullgarët. Në Jenar të vitit 1916, u shua edhe qëndresa m'e fundit e Serbëvet, dhe ushtëria austro-hungareze i dha një grusht të mirë Malit-të-Zi, i cili kërkoi menjëherë armëpushimin. Mbeturitë e ushtërisë serbe u tërhoqën nëpër Shqipëri, pa i trazuar askush, sepse rrugën ua mbante të hapur Esadi. Prej skelavet të Shqipërisë ato u hodhën në Korfuz, dhe s'andejmi në Selanik, për t'u bashkuar me Armatën aliate të Lindjes.

Fuqitë austro-hungareze, duke ndjekur ushtërinë serbe, hynë në Shqipëri në Jenar të vitit 1916 dhe zunë Shkodrën. Esad Toptani që iu kishte shpallur luftë gjoja Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, u shtrëngua t'a linte Durrësin dhe të hidhej n'Itali. Por duket se Italia nuk ia vari këtë radhë, jo vetëm pse ky urrehej prej gjithë Shqiptarëvet, po edhe sepse ishte agjent i kujtdo dhe shumë i afërt me Serbët. Atëhere Esadi e gjeti më të përfitimshme që të vihej në shërbim të Francës, e cila ishte edhe përkrahëse e Serbisë. Prej France shkoi në Selanik, në Gusht 1916, ku formoi pranë Armatës së Lindjes një trupë prej nja 500 merçenarësh shqiptarë nën kumandën e tij.

Ushtëria austriake, pas Shkodrës, zuri Durrësin, Tiranën dhe arriti n'Elbasan, ku kishin hyrë Bullgarët. Pastaj zbriti nga juga gjer përtej Beratit e në Vjosë, ku nguli vijën e frontit kundrejt ushtërisë italiane. Nga jugë-lindja u shtri gjer në Pogradec, përballë fuqivet greke.

Një "politikë zgjerimi" deshën t'a bënin në Shqipëri edhe Bullgarët, duke kujtuar me mallëngjim traktatin e Shën-Stefanit ose Perandorinë e tyre mesjetare, por e panë që s'kishin asnjë bazë pështetjeje. Ushtëria austriake i detyroi t'a zbraznin Elbasanin dhe të prapsëshin më tutje, nga lindja.

Zbritjen e ushtërivet austro-hungareze, të cilat, bashkë me Kosovën, pushtuan edhe dy të tretat e Shqipërisë politike, Shqiptarët e pritën me gëzim, për shumë arësye: sepse ato e çliruan vendin prej Serbo-Malazezvet duke ngjallur shpresat e krijimit të Shqipërisë ethnike, dhe sepse Austro-Hungaria shikohej prej të gjithëve si mprojtësja e Shqipërisë. Atdhetarët u vunë në lëvizje për të rimëkëmbur shtetin shqiptar të lirë, ku do të përfshihëshin Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, dhe për të kërkuar këthimin e Vidit, i cili nuk kishte abdikuar. U caktua të mblidhej një kuvend i madh kombëtar n'Elbasan, më 18 të Marsit l9l6, për të vendosur mbi këtë program vepërimi dhe për të formuar mundësisht një qeveri shqiptare. Në krye të lëvizjes u vu Aqif Pashë Biçaku (Elbasani), ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Vidit.

Kumanda austriake desh t'a shfrytëzonte miqësinë e Shqiptarëvet për interesat e luftës, bëri disa shpallje me anën e të cilavet njoftonte se Austro-Hungarezët kishin ardhur si miq, dhe se Shqiptarët duhej t'i ndihmonin për të dëbuar prej vendit të tyre armiqtë e përbashkët. Propagandën e miqësisë dhe të bashkëpunimit nisi t'a bënte sidomos gazeta shqipe "Vllazënija" që delte në Vienë. Disa krerë e bajraktarë të malësivet të veriut u vunë menjëherë në shërbim t'ushtërisë austro-hungareze. Mirë po kur erdhi puna e mbledhjes së kuvendit kombëtar, i cili kishte për qëllim rimëkëmbjen e shtetit dhe formimin e një qeverie, autoritetet austriake e ndaluan. Pas pak, zunë t'i arrestonin disa nga krerët e lëvizjes dhe t'i internonin n'Austri. Megjithatë, flamuri i Shqipërisë u ngrit lirisht dhe administrata u organizua me nëpunës shqiptarë duke përdorur shqipen si gjuhë zyrtare.

Austria, si edhe më parë, i dha përkrahje zhvillimit kulturor të Shqiptarëvet, ndihmoi hapjen e shkollavet shqipe kudo, edhe në Kosovë, formoi Komisionin Letrar për lavrimin e gjuhës dhe përpunimin e tekstevet shkollorë, dërgoi me bursa studimi nëpër shkolla austriake mjaft djelmosha shqiptarë. (Në të vërtetën, pa një pregatitje kulturore, ishte e kotë që të mendohej për një shtet shqiptar, dhe Austria e kuptonte mirë rëndësinë e këtij faktori). Qendra e administratës civile u vendos në Shkodër, me drejtoritë e përgjithshme t'Arësimit, të Drejtësisë dhe të Financavet, nën mbikqyrjen e përfaqësonjësit austriak, August Kral. Edhe pse e drejtuar prej Austriakësh, administrata vlejti si një shkollë praktike për t'iu mësuar nëpunësve shqiptarë metodat e reja dhe për t'a bërë shqipen më të përdorshme nëpër zyrat. Që të mund të vetqeverisëshin, Shqiptarët kishin nevojë t'edukohëshin, përpara së gjithash.

Por mbasi Austria nuk po e shikonte Shqipërinë si një shtet më vehte, as nuk po e tregonte mendimin e saj se qysh do të rregullohej ky vend në t'ardhmen, atdhetarët nisën të shqetësohëshin dhe t'a tregonin haptas, në mos kundërshtimin, pakënaqësinë e tyre. Patën bërë disa herë kërkesa e protesta, dhe një pjesë e atyre që qenë shtytur pak si tutje në bashkëpunimin me ushtërinë austriake, filloi të largohej. Atëhere për të fituar besimin, kumanda e lartë austro-hungareze, më 23 Jenar 1917, me rastin e përvjetorit të hyrjes s'ushtërisë së saj në Shkodër, bëri një shpallje zyrtare ku thuhej se Austro-Hungaria do t'i jepte Shqipërisë "autonominë", duke e lënë çështjen e pavarësisë për më vonë, kur të krijohëshin kushtet e duhura dhe kur Shqiptarët t'ishin më të pregatitur. Ky premtim nuk i kënaqi fort atdhetarët shqiptarë, të cilët vazhduan të kërkonin pavarësinë me anë protestash dhe manifestimesh. Më 7 Mars 1918, përvjetori i ardhjes së Vidit në Shqipëri, u bënë manifestime në zonën e pushtimit austriak për të kërkuar këthimin e Princit, i cili simbolizonte pavarësinë kombëtare.

Mbasi Greqia, gjer në Qërshor 1917, qëndroi asnjanëse dhe mbreti Konstandin prirej nga Perandoritë qendrore, ushtëria austriake nuk hyri në zonën e pushtuar prej Grekëvet. Por kuptohej se politika e Venizellos, e lidhur me fuqitë e Entente-ës, do t'a hidhte më në fund Greqinë n'anën e tyre. Prandaj Austro-Hungaria iu dha përkrahje Shqiptarëvet që përpiqëshin për të dëbuar Grekët prej rrethevet të Korçës. Çetat e Sali Butkës u armatosën dhe u ndihmuan prej kumandës austriake.

E dyta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë gjatë Luftës së Parë botërore ishte Italia. Kjo e pati zënë Vlorën që në mbarim të Dhjetorit 1914, kur s'kishte hyrë akoma në luftë. Por fuqitë e shumëta i shkarkoi në Shqipëri gjatë vitit 1916, për t'i bërë kundër-peshë ushtërisë austro-hungareze. N'atë kohë, pjesa m'e madhe e Toskërisë ishte e pushtuar prej trupavet greke të mbretit Kostandin. Greqia i quante krahina të sajat Korçën dhe Gjirokastrën qysh se, në Jenar të vitit 1916, kishte vendosur që "deputetët" e "Vorio-Epirit" të bënin pjesë në parlamentin grek. Mirëpo Italia nuk desh të pengohej në Shqipërinë e jugës prej ushtërivet greke dhe i pëlqente t'ishte në pozita më të forta për të shkëputur për vehte copën më të madhe kur të ndahej vendi në mbarim të Luftës. Mbasi Greqia qëndronte akoma asnjanëse, ushtëria italiane kishte edhe një arësye tjetër, strategjike, për t'u ndërlidhur me frontin aliat të Selanikut nëpër rrugën tokësore që niste prej Sarande dhe kalonte nga Kalibaqi e Korça. Prandaj, në Gusht 1916, ushtëria italiane u vu t'i përzinte Grekët nga Shqipëria jugore dhe pushtoi me radhë Gjirokastrën, Sarandën, Tepelenën, Këlcyrën, Përmetin; disa muaj më vonë, në fillim të vitit 1917, zuri Leskovikun, Ersekën, dhe bëri pjekje me trupat frënge në Qafën e Qarrit. Kështu Italia i shporri Grekët prej asaj pjese t'Epirit q'e kishin bërë gjak e gërmadhë.

E treta fuqi pushtonjëse e Shqipërisë u bë Franca. Disa trupa t'Armatës frënge të Lindjes, me qendrën në Selanik, zunë Korçën në Tetor të vitit 1916 dhe u shtrinë nga Perëndimi gjer në Gorë e Opar. Kështu vija e frontit midis dy palëvet ndërluftonjëse (Italia e Franca, nga juga, Austro-Hungaria, nga veriu) ndiqte anën e Vjosës, në veri të Vlorës, kalonte nëpër Mallakastër, Skrapar, Tomorricë, Vërçë, Mokër e delte në Pogradec. Dhe, me fort pak ndryshime, mbeti aty pothuajse gjer në mbarim të Luftës.

Kur ushtëria frënge zuri Korçën, Greqia ishte e ndarë, siç thamë, në dy parti kundërshtare: n'atë të mbretit Kostandin, që anonte nga Perandoritë qendrore, dhe n'atë të Venizellos, që mbante nga Aliatët. Në Shtator 1916 Venizelloja kishte formuar një qeveri më vehte në Selanik, kundër asaj s'Athinës. Prandaj kumanda frënge i përzuri prej Korçe ushtarakët e Kostandinit dhe ua lëshoi administratën e atij qarku partizanëvet të Venizellos. Ky dërgoi si prefekt në Korçë një të besuarin e tij, Argjiropullos, dhe si fuqi një batalion ushtarësh.

Mirëpo lëvizja shqiptare për çlirimin e Korçës po bëhej gjithmonë m'e fortë. Përveç qëndresës së Myslimanëvet, Korça shquhej për gjallërinë e atdhetarëvet orthodoks, të cilët qenë përpjekur me aq guxim për çeljen e shkollavet shqipe dhe u dalluan kudo në fushën e veprimtarisë kombëtare. Një prej këtyre ishte Themistokli Gërmenji q'e kemi përmendur më sipër. Pas ripushtimit të Korçës prej Grekëvet, në verën e vitit 1914, Themistokliu kishte shkuar në Sofje. U kthye që andej më 1916, kur ushtëritë austro-hungareze dhe bullgare kishin hyrë në Shqipëri, dhe kur ai mendonte se mund të bëhej diçka për të çliruar krahinat jugore t'atdheut. Duke gjetur një mbështetje të parë në çetat e Sali Butkës, Themistokliu e zgjeroi rrethin e vepërimit, dhe lëvizja kombëtare në qarkun e Korçës u bë kërcënonjëse për Grekët.

Kumanda frënge ishte në dijeni të gjendjes, dhe nuk donte që në zonën ushtarake të saj të vazhdonin trubullimet ndërmjet Shqiptarëve e Grekëve, gjë që do t'i nxirte mjaft ngatërresa, se Shqiptarët mund të ndihmohëshin me armë e mjete prej Austriakëvet. Pastaj n'atë kohë ushtëria frënge s'po shihte ndonjë dobi nga Grekët, të çarë siç ishin në dy parti. Kurse po t'ua linte administratën e Korçës Shqiptarëvet, që ishin të zotët e vendit, jo vetëm që do t'i kishte prapavijat të sigurta dhe s'do t'i duhej asnjë fuqi për të mbajtur rregullin n'atë krahinë, po edhe mund t'i përdorte Shqiptarët si një forcë n'interes të saj në vend që t'i bënte të hidhëshin në duart e Austro-Hungarezëvet. Këtë llogari të thjeshtë e tregon vetë në shkrimet e tija të pastajme koloneli Descoins kumandari i trupavet frënge në Korçë.

Kështu, duke shikuar më fort interesat e saja ushtarake se sa lëmshin e koklavitur të politikës së Parisit, kumanda frënge, për t'a qetësuar krahinën, i përzuri prej Korçe edhe Grekët venizellistë edh' erdhi në marrëveshje me Shqiptarët. Më 10 Dhjetor 1916, u nënshkrua një protokoll ndërmjet kolonelit Descoins dhe përfaqësonjësve të Korçës, me një përmbajtje që i njihte krahinës autonominë dhe e linte administratën e saj në duart e Shqiptarëvet. U formua menjëherë një këshill administrativ prej 14 vetash, nën drejtimin e Themistokli Gërmenjit, dhe u hartuan rregulloret për degët e ndryshme t'administratës. Sipas marrëveshjes me kumandën frënge, gjuha zyrtare e krahinës do t'ishte shqipja, administrata, arësimi, financat, gjyqet, do t'ishin në duart e këshillit, i cili do të krijonte edhe një gjindarmëri shqiptare për të mbajtur rregullin. Flamuri i krahinës autonome do t'ishte ai i Shqipërisë, por bashkë me një shirit të tringjyrëshit të Francës. Do të formohej me Shqiptarë një regjiment këmbësorie nën urdhërat e kumandës frënge, i cili do të shërbente pranë kësaj si një fuqi e vogël aliate. Ky regjiment u shqua për trimëri dhe u çmua prej shtabit t'Armatës së Lindjes si një nga më të mirët që kishte ushtëria frënge.

Përzënia e Grekëvet prej Korçe dhe kalimi i administratës s'asaj krahine në duart e Shqiptarëvet ishte si një çap i parë drejt rimëkëmbjes së shtetit shqiptar të 1913-ës. Me këtë vepërim, lëvizja kombëtare, përbrenda, forcohej, dhe plani i copëtimit, për diplomacinë e jashtëme, vihej si një çështje për t'u rishikuar. Grekët ishin të parët që e kuptonin këtë gjë, prandaj bënë përçapje energjike pranë ministrisë frënge të Punëve të Jashtëme, e cila i kërkoi menjëherë shpjegime kumandës s'Armatës së Lindjes në Selanik. Por duket se gjenerali Sarrail shikonte më shumë nevojat e luftës se sa ato të politikës, prandaj, me një farë përçmimi që kanë zakonisht ushtarakët për diplomatët, iu përgjigj Ministrisë së Punëve të Jashtëme shkurtazi dhe prerë: "Korça deshi t'ishte autonome dhe ashtu u bë. Tani n'atë krahinë ka qetësi e rregull".

Këshilli administrativ i Korçës e qeverisi vendin në një mënyrë shembullore. Shkollat greqishte u mbyllën. Në vend të tyre u hapën nja 60 shkolla fillore shqipe për tërë qarkun dhe një shkollë e mesme brenda në qytet. Drejtësia u vu e rregullt. Të hyrat e të dalat financiare u organizuan aq mirë sa që buxheti tepëroi. Themistokliu ishte atdhetar i pastër, dhe jo vetëm që dha shembullin e qeverisjes më të ndershme, po edhe u mundua të pajtonte shpirtrat e elementeve të të dy fevet në frymën e vëllazërimit kombëtar. Autonomia e Korçës u prit mirë në tërë Shqipërinë. Dhe ndoshta ishte ajo që e shtyti më shumë kumandën austro-hungareze të bënte në zonën e saj një premtim t'autonomisë shqiptare, më 23 Jenar 1917.

Mjerisht, punët muarën një tjetër rrjedhë. Ndën shtrëngimin e Aliatëvet, mbreti Kostandin i Greqisë abdikoi duke ia lënë fronin të birit, Aleksandrit I, i cili thirri në fuqi qeverinë e Venizellos dhe ky iu shpalli luftë Perandorivet qendrore, më 29 Qërshor 1917. Atëhere qëndrimi i Frënqvet kundrejt krahinës autonome të Korçës ndryshoi. Me urdhër të Parisit, ata filluan të përkrahnin përsëri Grekët dhe të lejonin hapjen e shkollavet greqishte duke iu nxjerrë pengime Shqiptarëvet. Grekëve e grekomanëve iu shërbente edhe Esad Toptani me disa bejlerë të rrethit të tij. Më në fund, me shtytjen e qeverisë s'Athinës dhe duke u pështetur në kallëzimet shpifarake të grekomanëvet, Frënqtë e arrestuan Themistokli Gërmënjin, se gjoja ishte në lidhje të fshehta me Austro-Hungarezë e Bullgarë, dhe e hoqën në Selanik, ku gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes e dënoi me vdekje. Theror i idealit të tij dhe i denjë gjer përpara vdekjes, Themistokliu u pushkatua më 9 Nëntor 1917. Me atë, lëvizja kombëtare humbiste një burrë nga më të vlefshmit.

Kumanda frënge e prishi marrëveshjen me këshillin shqiptar, më 16 Shkurt 1918, dhe e mori vetë në dorë administratën e Korçës. Por Grekët nuk i lejoi që të hynin përsëri n'atë krahinë, shkollat shqipe nuk i mbylli dhe nëpunësit shqiptarë t'administratës i mbajti, si edhe gjindarmërinë shqiptare. Flamuri shqiptar vazhdoi të ngrihej bashkë me atë të Francës.

Përveç krahinës së Korçës, dhe pjesës më të madhe të vendit që ndodhej ndën ushtërinë austro-hungareze, ishte edhe zona e pushtimit italian, e cila kishte shumë rëndësi për t'ardhmen e kombit shqiptar sepse Italia do të mbetej, pas fitores s'Aliatëvet, shteti m'i interesuar për Shqipërinë. Më 3 Qërshor 1917, në përvjetorin e Kushtetutës s'Italisë, kumandari i përgjithshëm i ushtërisë italiane në Shqipëri, gjenerali Ferrero, n'emër të qeverisë së Romës, bëri në Gjirokastër një shpallje drejtuar gjithë Shqiptarëvet, me anën e së cilës siguronte bashkimin dhe pavarësinë e tërë Shqipërisë ndën mprojtjen e Mbretërisë s'Italisë. Menjëherë pas shpalljes, u ngrit në Gjirokastër flamuri shqiptar dhe u bënë disa manifestime. Italianët filluan të hapnin shkolla, ku shqipja mësohej bashkë me italishten. Duket se n'atë kohë Italia e kishte vënë në mendje që t'a përfshinte të tërë Shqipërinë në sferën e saj, pa iu dhënë gjë fqinjëvet ballkanase. Prandaj edhe shpalljen e bëri qëllimisht në Gjirokastër, qëndra e intrigavet të Grekëvet dhe të grekomanëvet. Ngaha i erdhi ky guxim? Ndoshta sepse Rusia, përkrahësja e Serbisë, u paralizua prej revolucionit të brendshëm, dhe se Greqia, deri atëhere, s'kishte marrë akoma pjesë në luftë.

Disa ditë pas shpalljes së gjeneralit Ferrero, ministri italian i Punëvet të Jashtëme, baroni Sonnino, duke dhënë shpjegime në parlament mbi çështjen shqiptare, theksoi se Vlora me rrethet do t'aneksohëshin dhe se vetëm pjesët e tjera të Shqipërisë do të përbënin një shtet gjoja të pavarur, ndën mprojtjen e Italisë. Kjo ishte politika kundrejt Shqipërisë që desh të ndiqte Italia në Konferencën e Paqes, siç do t'a shohim më poshtë.

Në dy-tre vjetët e fundit të Luftës së Parë botërore, pushtimi i krejt Shqipërisë prej ushtërivet austriake, italiane e frënge, ndonëse e bëri vendin shesh betejash e dëmtimesh dhe shkaktoi aq humbje e vdekje prej epidemivet që u përhapën, kur e krahasojmë me gjendjen e mëparëshme, mund të thuhet se qe një periudhë m'e mirë nga ç'patën hequr Shqiptarët ç'prej Luftës ballkanike. Shërbimi m'i madh që i prunë vendit ushtëritë evropiane, ishte që e liruan prej Serbo-Malazezvet dhe Grekëvet. Gjithkush u kthye në vatrën e tij ose në gërmadhën e djegur për të rifilluar jetesën. Ushtëritë evropiane, përveç që iu mësuan Shqiptarëvet administratën e rregullt dhe çelën mjaft shkolla shqipe, sidomos Austriakët, ndreqën edhe ca rruga e ura për nevojat e tyre dhe lanë mjaft material, i cili vlente shumë në një vend aq të varfër sa Shqipëria.

Por vuajtjet e atij populli të mjerë, gjithmonë nëpër këmbët e të huajvet, ishin si fazat e një sëmundjeje kronike që vazhdon e paprerë. Të dëbuar prej Korçe dhe Gjirokastre, Grekëve s'iu mbetej tjetër viktimë se ku t'i shfrenin instinktet e tyre shtazore veçse mbi popullin e Çamërisë. Në Mars të vitit 1917, terrori i bandavet greke në Çamëri arriti në një shkallë t'atillë sa që katërqind familje orthodokse shqiptare u ngritën me armë në dorë kundër autoriteteve të Janinës, duke kërkuar që t'iu jepej fund vrasjevet dhe tmerrevet kundrejt Shqiptarëvet myslimanë. Qeveria e Athinës, me anën e terrorit, donte t'ua bënte këtyreve të fundit jetën të pamundur, për t'i shtrënguar që të braktisin vatrat stërgjyshore e t'iknin. Këto "metoda" Greqia i ndoqi vazhdimisht kundrejt popullsisë shqiptare të Çamërisë, gjersa e zhdukën pothuajse krejt pjesën myslimane.

Kur Lufta e Parë botërore kishte hyrë në fazën e fundit dhe nuk dihej akoma se çfarë peripetish do të ndiqte drami shqiptar, plasi si një bombë dalja në shesh e traktatit të fshehtë të Londrës. Kjo ndodhi nga mbarimi i vitit 1917, kur Bolshevikët, në Rusi, pasi muarën fuqinë me Revolucionin e Tetorit, botuan arkivat e fshehta të ministrisë së Carit. Përmbajtja e atij traktati famëkeq u botua menjëherë prej autoritetevet austro-hungareze në gazetat shqipe të zonës së tyre, dhe u përhap në tërë botën. Plani i copëtimit të Shqipërisë ia griste maskën demagogjisë s'Aliatëvet që bërtisnin se gjoja luftonin për lirinë e popujvet. Shqiptarët po e shihnin tani se ç'fat i priste. Prandaj u vunë menjëherë në lëvizje për t'i dalë zot tërësisë s'atdheut. Në këtë fushatë, u dallua sidomos Federata Panshqiptare Vatra, e Amerikës. Ajo mund të bënte diçka më shumë në botën e jashtëme, jo vetëm se kishte mjete, po edhe sepse Shtetet-e-Bashkuar, që patën hyrë në Luftë përkrah Aliatëvet më 2 Prill 1917, s'ishin të lidhur me traktatin e fshehtë të Londrës. Mandej Presidenti Wilson ishte idealist i paqes.

Lufta e Parë botërore mbaroi në Nëntor të vitit 1918. Duke ndjekur ushtërinë austro-hungareze në tërheqje, Italianët pushtuan tërë Shqipërinë e Mesme dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë së veriut. Frënqtë mbajtën vetëm qarkun e Korçës gjer në Pogradec. Por dërguan disa reparte në Shkodër, e cila u vu përsëri nën kontrollin ndër-aliat, siç kishte qënë përpara Luftës, gjersa të vendosej se kujt do t'i binte në pjesë. Si kumandar i fuqisë ndërkombëtare të Shkodrës u caktua gjenerali frëng de Fourtou. Kurse Serbët, me pëlqimin e gjeneralit frëng Franchet d'Espërey, kumandari i ushtërive aliate të Lindjes, u ngulën përsëri në vijën "strategjike" mb'atë anë Drinit, në një zonë që përfshinte rrethet e Peshkopisë, të Kukësit, dhe arrinte gjer në malësinë e Kelmendit. Grekët nuk mundën të përparonin me ushtëri në tokat shqiptare, mbasi krahinat e jugës ndodhëshin të pushtuara prej Italianëve dhe Frënqve.

Konferenca e Paqes u hap në Paris më 18 Jenar 1919. Përveç fuqive të mëdha evropiane - Angli, Francë, Itali - merrnin pjesë Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës dhe Japonia. Megjithë deklaratën e Kryeministrit t'Anglisë, Lloyd George, dhe shpalljen e "14 pikavet" të Presidentit Wilson t'Amerikës, fryma që mbizotëronte në Konferencën e Paqes ishte ajo e imperializmit të zakonshëm, e ndarjes së botës në zona ndikimi e shfrytëzimi, në bazë t'ekuilibrit të forcavet. As nuk mund të pritej që Georges Clemenceau-j i Francës (i mbiquajtur "Tigër") dhe Lloyd George-i i Anglisë të kishin një tjetër mendësi e plan për ndërtimin e botës. Është e vërtetë se, pas Luftës, dolën disa shtete të pavarur n'Evropën qendrore e lindore, por ajo u bë për t'i shkëputur ata popuj prej sundimit gjermano-austriak e prej Rusisë bolshevike, dhe për t'i lidhur pas Franko-Britanikëvet. Politika frënge krijoi edhe Jugosllavinë e madhe, me bashkimin e Serbve, Malazezve, Kroatëve e Sllovenëve në një shtet të vetëm, për t'ia vënë si një pengesë racës gjermane n'Evropën e jugë-lindjes. Sa për "14 pikat" e Wilson-it, që mpronin të drejtën e pavarësisë politike për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, mbetën pothuajse edhe ato si një "parim i shënjtë" në botën e realitetevet.

Në mbarimin e Luftës, Shqiptarët i shtuan përpjekjet për t'i dalë zot vendit të tyre, por s'kishin as këtë radhë një qendër as program të përbashkët. Përveç kolonivet t'Amerikës, të Rumanisë, të Turqisë etj., bënin zhurmë përjashta edhe grupet e refugjatëve politikë që kishin qëndruar n'Itali e në Zvicër gjatë Luftës. Pjesa m'e madhe e këtyre të fundit përgjithësisht bejlerë, mbahej me politikën italiane. N'Amerikë, Federata Panshqiptare "Vatra" dhe "Partia Politike Kombëtare" përpiqëshin me anë thirrjesh e protestash t'a kundërshtonin planin e copëtimit, por as këto nuk shihnin mënyrë tjetër sesi mund t'iu qëndrohej fqinjëvet ballkanike pa përkrahjen e Italisë. Edhe në Shqipëri brenda, atdhetarët ishin vënë në lëvizje, po ç'të bënin dhe kujt t'i drejtohëshin? Kosovarët e mërguar formuan një komitet të quajtur "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", me qendrën në Shkodër. Të tjerë grupe formonin të tjerë komitete, por delte gjithmonë e njëjta pyetje: ç'duhej bërë?

Duke parë se Shqiptarët s'kishin nga të mbanin, Italia u mundua t'i tërhiqte n'anë të saj nëpërmjet premtimesh të lira, por pa hequr dorë as nga aneksimi i Vlorës as nga qëllimi i protektoratit mbi pjesën tjetër të vendit. Kurse Shqiptarët vetë, mënjanë grindëshin midis tyre duke e paditur pala palën si agjentë t'Italisë, n'anën tjetër, ngado që të këthehëshin, do të përpiqeshin tek Italia. E vërteta ishte se, kundrejt copëtimit më trish që vuloste zhdukjen e Shqipërisë përgjithmonë, mbetja e tërë vendit ndën Italinë paraqitej si e keqja më pak e keqe. Pastaj marrëdhëniet me Italinë ishin të përditshme, mbasi ajo ndodhej me ushtëri pothuajse në tërë Shqipërinë. Por mendimet e Shqiptarëvet në lidhje me politikën italiane ndryshonin në këtë pikë: pala e atdhetarëvet më të guximshëm ngulmonte se i duhej kërkuar Italisë që të hiqte dorë prej Shqipërie dhe t'i jepte kësaj përkrahjen kundrejt fqinjëvet. Ajo mendonte se ndërmjet Italisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra, kishte mjaft kundërshti (kontradikta) interesash, e prandaj Italianët, pavarësisht nga qëndrimi i Shqiptarëvet kundrejt tyre, do të detyroheshin t'i jepnin përkrahjen Shqipërisë. Kurse pala e bejlerëvet të mëdhenj (zakonisht më politikanë) mendonte se Italisë i duhëshin bërë disa lëshime (por pa shkuar gjer tek njohja e aneksimit të Vlorës), sepse vetëm nën hijen e asaj mund të formonin Shqiptarët një qeveri dhe mund të paraqitëshin në Konferencën e Paqes. Formimi i një qeverie ishte puna m'e ngutëshme, se përndryshe s'kish sesi të dëgjohej zëri i Shqipërisë atje ku ndahej fati i popujvet. Krijimin e një përfaqësie të ligjshme shqiptare, por të lidhur pas rrotavet të saja, e donte edhe Italia për t'a përdorur në Konferencën e Paqes për qëllimet e veta. Kjo nevojë bëhej m'e ndieshme akoma kur dihej se Esad Toptani, në shërbim të Jugosllavisë e i përkrahur prej Francës, ishte shtruar në Paris dhe e paraqiste vehten si "qeveri legale" e Shqipërisë.

Për këto arësye, me bekimin e Italisë u mblodh në Durrës, ish-kryeqytetin, një lloj kuvendi kombëtar prej të cilit do të krijohej një organ shtetëror. Të dërguarët, rreth 50 vetash, kishin ardhur nga viset që ndodhëshin ndën pushtimin italian (përveç Vlorës); mungonin gjithashtu përfaqësonjësit e krahinavet të zëna prej ushtërivet frënge e serbe. Kuvendi u hap më 25 të Dhjetorit 1918 dhe nxori prej gjirit të tij një qeveri të përkohshme nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, i cili kish kryesuar edhe qeverinë e Vidit më 1914. Italinët patën kërkuar që të formohej vetëm një "këshill kombëtar", por- Shqiptarët e mbledhur në kuvend anonin më fort nga pavarësia dhe e drejta e vetvendosjes, prandaj ngrehën një qeveri. Dhe për t'a bërë këtë të pranuarshme prej Italisë, emëruan si ministra disa miq të saj, Myfit Libohovën, Mustafa Krujën, Fejzi Alizotin, e të tjerë. Kuvendi i Durrësit caktoi edhe komisionin që do të shkonte në Konferencën e Paqes, dhe i ngarkoi qeverisë si detyrë që të kërkonte jo vetëm pavarësinë kombëtare, por edhe ndreqjen e padrejtësivet tokësore që i qenë bërë Shqipërisë prej Konferencës së Londrës dhe Kongresit të Berlinit.

Ndonëse Italia ngurroi për t'a njohur këtë qeveri dhe, në fillim, nuk desh t'a përfillte, dërgata shqiptare, e përbërë prej Turhan Pashës, Mehmet Konitzës, Imzot Bumçit, Dr. Mihal Turtullit dhe Midhat Frashërit, u nis për në Konferencën e Paqes, në Paris. Më 15 të Shkurtit i paraqiti Konferencës memorandumin e parë me kërkesat shqiptare dhe, pas nja dhjetë ditësh, më 24 Shkurt, një memorandum të dytë "Këshillit të Lartë" të pesë fuqivet të mëdha, që pati edhe mirësinë t'a dëgjonte. Në të dy rastet, dërgata shqiptare pavarësinë e Shqipërisë e paraqiti si një çështje të vendosur që më 1913, dhe kërkoi ndreqjen e gabimevet të bëra në dëm të saj prej Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, që iu patën njohur shtetevet fqinjë krahina të banuara tërësisht prej Shqiptarësh. Pa e prekur drejtpërdrejt Italinë, dërgata shqiptare kritikoi lakmitë e pangopshme të fqinjëvet ballkanike dhe mënyrat e tyre kundrejt Shqipërisë. "Unë jam vetë i krishter orthodoks prej Korçe", foli Dr. Turtulli përpara Këshillit të të pesëve, "dhe ua them me ndërgjegje se në tërë qarkun e Korçës nuk ka asnjë Grek... Epiri s'ka qënë kurrë pjesë e Greqisë... Por Grekët quajnë "Grekë" Shqiptarët e fesë orthodokse... Ngjarjet e 1914-s u organizuan dhe u drejtuan prej oficerësh grekë. Zografi dhe Karapanoja, që i kryesonin, janë Grekë. Ata përdorën si mjet andartët keqbërës të Gjiritit dhe ushtarë grekë që s'kishin xhveshur as uniformat".

Mirëpo "gjyqi" i fuqivet të mëdha i ngjan atij të përrallës së La Fontaine-it në "Kafshët e sëmura nga murtaja". Aty nuk dëgjohet ai që ka të drejtë, por ndahen çështjet sipas interesit të më të mëdhenjvet, në përpjesëtim me forcën e secilit. Paraqitja e popujve të vegjël (ose të dobët) luhet si një komedi rituale për t'i hedhur hi syvet opinionit të masavet. Sepse, në të vërtetën, kur flasin përfaqësonjësit e tyre përpara këshillit të të mëdhenjvet, askush prej antarëvet mjekërr-nderuar të këtij s'e ka mendjen aty: njëri dremit, tjetrit i vinë gogësima, i treti kujton ndonjë aventurë... e kështu me radhë. Dhe s'kanë sesi t'a lodhin mendjen duke dëgjuar mbasi ata do të vendosin sipas udhëzimevet që marrin prej ministrivet të tyre dhe jo në bazë të së vërtetës që duan të provojnë popujt e vegjël. Në rastin e Shqipërisë, interesat e të mëdhenjvet gjenin edhe një tjetër arësye se ku të pështetëshin: pas ngjarjevet fatkeqe të vjetëvet 1913-1914, askush nuk besonte më në kombësinë shqiptare ose në zotësinë e kësaj për t'u vetqeverisur. Prandaj të mëdhenjtë, sidomos Franca e Anglia, e kishin ndarë mendjen që problemin e Shqipërisë t'a rregullonin sipas traktatit të fshehtë të Londrës.

Sa për shtetet drejtpërdrejt t'interesuar, domethënë Itali, Greqi e Jugosllavi, mbanin secili qëndrimin e vet. Italia, pasi të merrte Vlorën me një zonë rreth e qark, donte që pjesët e tjera të Shqipërisë, brenda kufijvet të l9l3-ës, të formonin një shtet shqiptar nën mprojtjen e saj. Greqia, në memorandumin që i paraqiti Konferencës së Paqes, kërkonte prej Shqipërie Korçën dhe Gjirokastrën, duke u pështetur jo në kombësinë, por në "ndjenjat" e popullsisë së këtyre krahinave dhe në "lartësinë e qytetërimit helenik". Venizelloja nuk e mohonte se Shqiptarët orthodoks flisnin shqip në familjet e tyre. Por ndjenjat, thoshte ai, i kanë greke. Sipas atij, gjuha dhe raca s'kishin rëndësi: ajo që duhej marrë parasysh ishte ndërgjegjia kombëtare. Dhe sillte si shembuj disa nga heronjt e Kryengritjes greke, të cilët, ndonëse Shqiptarë me gjuhë e fis, kishin qënë Grekë me ndjenja.

Kurse Jugosllavia, që loste një kartë më të madhe, mbajti një qëndrim të ndryshëm: ajo kishte më shumë interes që të mos hidhej Italia në Ballkan, se sa të merrte vetë një copë prej Shqipërisë-së veriut. Jugosllavia me Italinë do të hahëshin kështu e tutje për sundimin e Adriatikut, si dikur Austro-Hungaria me Italinë. Prandaj Jugosllavia donte njëherë t'a mbante Italinë përtej detit, pastaj shtetin shqiptar mund t'a shkallmonte ca nga ca, ashtu si provoi më vonë. Për këto arësye, Jugosllavia s'kërkonte gjë për vehte nëqoftëse edhe të tjerët nuk kërkonin, dhe propozoi njohjen e shtetit shqiptar të pavarur me kufijtë e 1913-ës. Por nëqoftëse të tjerët nuk e pranonin këtë propozim, atëhere kërkonte edhe ajo pjesën e saj: Shqipërinë e veriut gjer në Drin, duke premtuar se qytetit të Shkodrës do t'i linte një farë autonomie.

Nga fuqitë e mëdha, Shqiptarët prisnin që të përkrahëshin të paktën prej Amerikës, mbasi ajo s'e kishte nënshkruar traktatin e fshehtë të Londrës dhe se "14 pikat" e Wilson-it ishin në të mirë të popujve të vegjël. Por Amerika s'mund t'i binte ndesh politikës së fuqivet të mëdha evropiane, sidomos aneksimit të Vlorës prej Italisë. Atëhere të qenët e kësaj në Shqipëri, çonte vetvetiu Greqinë dhe Jugosllavinë që të kërkonin "pjesën" e tyre. Prandaj Amerika, në fillim, mbajti një qëndrim të mesëm, që nuk i kënaqte plotësisht kërkesat e fqinjëvet, por as Shqipërinë s'e shpëtonte dot nga humbja: ajo i njihte Italisë aneksimin e Vlorës e mundësisht mandatin mbi shtetin shqiptar që do të mbetej; pranonte që Greqia të merrte krahinën e Gjirokastrës por jo Korçën; kurse Jugosllavisë nuk i bënte lëshime tokësore, por i njihte disa të drejta tregëtare dhe ndërtimin e një hekurudhe në Shqipërinë e veriut. Vetëm më vonë, kur këto kushte nuk u pranuan prej fqinjëvet, dhe Franca me Anglinë vendosën ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë sipas traktatit të fshehtë të Londrës, Presidenti Wilson e kundërshtoi këtë vendim kategorikisht. Kundërshtoi gjithashtu që Shqipëria të përfshihej në "çështjen e Adriatikut", domethënë nuk desh që Jugosllavia të shpërblehej me toka shqiptare për lëshimet që ajo munt t'i bënte Italisë n'Adriatikun e veriut. Ky qëndrim i Wilson-it i dha një farë mbështetjeje çështjes shqiptare dhe e xvarnisi vendimin e copëtimit deri sa Shqiptarët vetë, me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës, e shpëtuan vendin e tyre nga vdekja.

Kërkesat e paraqitura prej dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes iu dhanë për shqyrtim komisionit të posaçëm që ishte formuar për çështjet greke, me përfaqësonjës t'Anglisë, të Francës t'Italisë dhe t'Amerikës, nën kryesinë e diplomatit frëng J.-M. Cambon. Por aty seicili prej antarëvet të komisionit i mbahej politikës së shtetit të vet dhe nuk shikonte se ç'kërkonin Shqiptarët. Prandaj, në raportin që ky komision i parashtroi Këshillit të Lartë të Konferencës nga fillimi i Marsit 1919, çfaqëshin mendime të ndryshme; përfaqësonjësi italian kërkonte njohjen e shtetit shqiptar me kufijtë e 1913-ës (natyrisht, nën mprojtjen e Italisë dhe pasi kjo t'aneksonte Vlorën). Kurse Franca dhe Anglia propozonin që t'i jepeshin Greqisë Korça e Gjirokastra. Përfaqësonjësi i Amerikës mbante një rrugë të mesme, për t'i lëshuar Greqisë një copë nga ana e Gjirokastrës por jo krahinën e Korçës. Në këto kushte, Këshilli s'mund të merrte një vendim, dhe çështja shqiptare mbeti varur. Mbasi ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë kundërshtimi m'i madh delte për ndarjen e trashëgimit të Perandorisë austro-hungareze mbi bregun veri-lindor t'Adriatikut, çështja shqiptare qëndronte e lidhur edhe me këtë problem.

Duke parë gjithë këto koklavitje dhe se në Konferencën e Paqes nuk kishin pothuajse asnjë përkrahje përveç simpathisë s'Amerikës, Shqiptarët menduan një çast t'i a besonin kësaj fatin e vendit të tyre, për t'i shpëtuar copëtimit. Ky mendim u forcua me ardhjen e përfqësonjësve të kolonivet, nga Shtetet-e-Bashkuar, Rumania e Turqia, të cilët në fillim u bashkuan me dërgatën e qeverisë së Durrësit. I shtytur prej shumicës, Turhan Pasha i drejtoi Konferencës së Paqes, më 7 Mars, një notë me anën e së cilës propozonte që krahinat e kundërshtuara, Korçë e Gjirokastër, bashkë me tokat e tjera shqiptare që Konferenca e Londrës dhe Kongresi i Berlinit iu patën lëshuar shtetevet fqinjë, të pushto- hëshin dhe t'administrohëshin për një vit a dy prej Amerikës; mandej t'organizohej një plebishit ndën kontrollin ndërkombëtar në të gjitha ato krahina, për t'ia lënë popullit të tyre të drejtën e vetvendosjes nëse do të donte të bashkohej me Shqipërinë apo të bënte pjesë me fqinjët.

Qëndrimi i përbashkët i dërgatavet shqiptare në Konferencën e Paqes nuk vazhdoi gjatë. Përfaqësonjesit e kolonivet dhe disa nga ata të qeverisë së Durrësit filluan t'a shihnin punën drejt, se rrezikun Shqipërisë po ja sillte Italia. Përsa kohë që kjo nuk hiqte dorë nga qëllimi i aneksimit të Vlorës dhe i prokektoratit mbi pjesën tjetër të Shqipërisë, as fqinjët ballkanase, që përkrahëshin prej Francës dhe Anglisë, nuk mund të hiqnin dorë së kërkuari "pjesën" e tyre. Dhe logjikërisht çështja shqiptare duhej të përfundonte me copëtimin më trish, siç qe parashikuar në traktatin e fshehtë të Londrës. Prandaj pala m'e ndërgjegjëshme e atdhetarëvet vendosi të delte haptas kundër politikës s'Italisë, duke shpresuar në përkrahjen morale t'Amerikës dhe mundësisht në një ndërrim qëndrimi t'Anglisë, e cila kish nisur të ndjente erë vajguri në Shqipëri... Kurse një pjesë e qeverisë së Durrësit, me Turhan Pashën në krye, nuk shihte-tjetër përkrahëse përveç Italisë për të mprojtur kufijtë e 1913-ës kundrejt fqinjëvet ballkanase.. Prandaj vazhdoi të mbetej e pështetur pas kësaj, duke u munduar t'i zbuste kërkesat italiane ose të gjente disa formula e shprehje të ndërmjeme për t'ua fshehur kuptimin.

Kështu, që në Prill 1919, dërgatat shqiptare në Konferencën e Paqes u ndanë në dy grupe, duke paraqitur nga një memorandum të veçantë. Grupi i atdhetarvet më largpamës, i cili përbëhej prej përfaqësonjësve të kolonivet dhe disa antarëve të qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha Konferencës, më 14 Prill, e thoshte qartë se pushtimi i Vlorës nga ana e Italisë dhe protektorati i kësaj mbi Shqipërinë do të bëhëshin shkak grindjesh dhe konfliktesh të reja në Ballkan; prandaj kërkonte hedhjen poshtë t'asaj pjese të traktatit të Londrës që kish të bënte me Shqipërinë, njohjen e pavarësisë së kësaj dhe zbatimin e parimit të kombësivet për krahinat shqiptare mbetur jashtë kufijvet të 1913-ës. Ky grup, për të larguar Italinë, kërkoi që Shqipëria të vihej përkohësisht nën mandatin e Amerikës, e cila nuk ishte drejtpërdrejt e interesuar në Ballkan.

Kurse grupi pro-italian i qeverisë së Durrësit, në memorandumin që i dha edhe ai Konferencës në të njëjtën ditë, hidhte poshtë kërkesat e fqinjëvet ballkanase, kërkonte njohjen e kufijvet të 1913-ës ose edhe më shumë, por nuk e zinte me gojë Italinë dhe mundohej t'a zbuste kuptimin e një protektorati nga anë e kësaj, duke e quajtur "ndihmë dashamirëse" që njëra nga fuqitë e mëdha aliate duhej t'i jepte Shqipërisë për një kohë të caktuar. Por "fuqinë e madhe aliate" do t'a zgjidhte vetë qeveria shqiptare (dhe s'donte mend të kuptohej se do të "zgjidhte" Italinë). Kështu, "pavarësia" e Shqipërisë duhej të mbetej e pacënuar.

Për t'iu vënë punëvet kapak, nuk mungoi t'i jepte Konferences memorandumin e tij edhe Esad Toptani, i cili e mbante vehten si kryetar i "qeverisë shqiptare" legale dhe aliate.

Kuptohet lehtë se të gjitha këto karturina hidhëshin në shportë dhe se askush nuk kishte kohë për të humbur me profkat e Shqiptarëvet. Në qarqet ndërkombëtare dëgjohet vetëm një lloj fjale dhe një lloj oshëtime: fjala që jehoi në Kongresin e Lushnjës dhe oshëtima që bumbulloi rreth Vlorës, më 1920.

Mbasi traktati i paqes me Gjermaninë (i cili u nënshkrua në Versailles, më 28 Qërshor 1919) ishte në pregatitje e sipër, u shtruan në tryezën e gjelbër, që në Prill e Maj, edhe çështjet që lidhëshin me Austro-Hungarinë, në radhë të parë ajo e ndarjes së krahinavet t'Adriatikut ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Disa prej atyre vendeve i qenë njohur Italisë në traktatin e fshehtë të Londrës, por ajo kërkonte akoma, sidomos qytetin e Fiumes, të cilin e pushtoi poeti G. d'Annunzio më 1919.

Franca e Anglia, që kishin pasur nevojë për Italinë gjatë luftës, nuk donin tani që kjo të shtrihej shumë në Lindje për t'i bërë konkurencë fuqisë dhe tregëtisë s'atyre. Prandaj kërkonin t'i vinin cak, duke përkrahur Jugosllavinë e Greqinë. Ky ishte shkaku që Franca e Anglia ngulnin këmbë për t'i dhënë Greqisë Korçën dhe Gjirokastrën, sepse nuk donin që ato krahina, nëpërmjet të një shteti shqiptar, të binin nën panxhën e Italisë, e cila do të kontrollonte n'atë mënyrë jo vetëm kanalin e Korfuzit, po edhe rrugën e brendëshme Sarandë-Korçë-Follorinë, që çonte drejt Selanikut. Gjithmonë në pështetje të kësaj politike, Anglia e Franca i lanë dorë të lirë Greqisë që të pushtonte Izmirin, në Maj 1919, kurse në kohën e Luftës atë qytet i patën premtuar Italisë. E gjetur përpara kundërshtimit t'Anglisë e të Francës, të cilat përdornin në lodrën e tyre Jugosllavinë e Greqinë, Italia e ndjeu vehten mjaft të dobët, qeveria e V.E. Orlando-s dha dorëheqjen më 23 Qërshor 1919 dhe u zëvendësua prej asaj të Francesco Nitti-t, me T. Tittoni-n si ministër i Punëve të Jashtëme. Qëllimi i këtij ndërrimi ishte për të zbritur në një politikë kompromisi, të cilën qeveria e re e filloi me Greqinë. Të dy shtetet, duke dashur t'iu gjenin një zgidhje sa më të shpejtë çështjevet që mbetëshin varur midis tyre në Shqipëri dhe në detin Egje, hynë në bisedime të drejtpërdrejta dhe arritën në marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos, që u nënshkrua më 29 Korrik 1919.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Italia dhe Greqia do të përkrahnin njëra tjetrën në Konferencën e Paqes për t'a ndarë Shqipërinë midis tyre ashtu si e kishin parashikuar: Greqia të merrte Korçën dhe Gjirokastrën, Italia Vlorën, e mandej atë copë që mbetej si shtet shqiptar t'a vinte nën mandatin e saj. Greqia zotohej të mbante asnjanësinë e kanalit të Korfuzit dhe t'i lëshonte Italisë për 50 vjet një hyrje të lirë në skelën e Sarandës. Kurse Italia do të përkrahte Greqinë për të marrë Korçën, edhe nëqoftëse Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës do të kërkonin që ajo krahinë t'i mbetej Shqipërisë.

Ndonëse marrëveshja Tittoni-Venizellos ishte e fshehtë, nuk vonoi t'i delte era, dhe Shqiptarët e kuptuan se ajo që po ia gërmihte varrin atdheut të tyre ishte Italia. U vunë në një gjendje të keqe edhe ata që mbahëshin gjer atëhere me politikën Italisë. Për t'iu dhënë Shqiptarëvet përshtypjen se po ua linte atyre admistrimin e vendit, Italia nënshkroi me qeverinë e Durrësit, më 20 Gusht 1919, një marrëveshje, sipas së cilës administrata shqiptare do të shtrihej mbi të gjitha krahinat e pushtuara prej ushtërisë italiane, përveç Vlorës dhe qarkut të saj. Duke pritur vendimin e Konferencës së Paqes, administrata e qeverisë së Durrësit do të shtrihej edhe mbi krahinat që Italia ia kishte njohur Greqisë në marrëveshjen e fshehtë, siç ishte Gjirokastra, ose edhe Korça kur të zbrazej prej trupavet frënge. Po ashtu do të përfshihëshin nën të njëjtën administratë krahinat e "zonës strategjike" që mbante Jugosllavia, si edhe Shkodra, kur këto të pushtoheshin prej ushtërisë italiane. Këtë marrëveshje me qeverinë e Durrësit Italia e bëri për të qetësuar disi Shqiptarët, po edhe për të pregatitur bashkimin e vendit nën protektoratin e saj. Sepse marrëveshja përmbante edhe pika të tjera në lidhje me organizimin dhe kontrollin e brendshëm: gjindarmëria dhe milicia shqiptare do t'organizohëshin prej oficerësh italianë, të cilët do të kishin edhe kumandën e përgjithshme; një komisar i lartë italian do të kontrollonte vepërimet e qeverisë shqiptare, ndërsa këshilltarë e teknikë do të drejtonin degët e ndryshme t'administratës, etj.

Gjatë kësaj kohe, marrëveshja Tittoni-Venizellos ishte përhapur dhe Shqiptarëvet s'iu kishte mbetur më asnjë besim tek Italia. Disa ministra atdhetarë u larguan ca nga ca prej qeverisë së Durrësit, ku tani qëndronin vetëm "miqtë" e Italisë. Kundërshtimi u bë i hapët. Ndihej nevoja e një vepërimi kombëtar. Në Vlorë, ditën e 28 Nëntorit 1919 u zhvillua një manifestim i madh. Nëpër qarqet e atdhetarëve dhe të shkollarëve flitej për nevojën e mbledhjes së një kuvendi të përgjithshëm kombëtar, i cili duhej të merrte vendime heroike. Aty-këtu u treguan shenja armiqësie kundër ushtërisë italiane, e cila mori masa mprojtjeje.

Por ajo që e mbushi kupën gjer atje ku s'mbante më, ishin vendimet e Konferencës së Paqes. Më 9 Dhetor 1919, përfaqësonjësit e Anglisë, të Francës dhe t'Amerikës i kishin dhënë Italisë një memorandum të përbashkët në lidhje me kërkesat e saja n'Adriatik. Përsa i përkiste Shqipërisë, memorandumi i njihte Italisë aneksimin e Vlorës me një pjesë të brendëshme si edhe mandatin mbi atë copë shtet shqiptar që do të mbetej; në jugë, i njihej Greqisë krahina e Gjirokastrës, kurse çështja e Korçës mbetej varur; Jugosllavisë nuk i lëshohëshin toka përkëtej kufijvet të l9l3-ës, por i njihej e drejta e ndërtimit të një hekurudhe në Shqipërinë e veriut, gjatë luginës së Drinit gjer n'Adriatik.

Italia nuk e priti mirë këtë memorandum, i cili nuk i kënaqte të gjitha kërkesat e saja n'Adriatikun veri-lindor. Por ajo që e kundërshtoi më me forcë ishte Jugosllavia. Në një notë që kjo i dha Konferencës së Paqes më 8 Jenar 1920, u çfaq kundër lëshimevet që i bëheshin Italisë n'Adriatik dhe, përsa i përkiste Shqipërisë, kërkonte "pjesën e saj" nëqoftëse nuk do të njihej pavarësia e shtetit shqiptar brenda kufijvet të 1913-ës. Edhe përfaqësia e qeverisë së Durrësit në Paris i pat dhënë Konferencës një memorandum tjetër, më 26 Dhjetor 1919, në të cilin protestonte kundër planevet të copëtimit të Shqipërisë dhe bënte propozimet e saja, por zërin e Shqiptarëvet s'e dëgjonte askush.

Më në fund, Anglia e Franca, për t'i gjetur një zgjidhje çështjes s'Adriatikut dhe për të kënaqur të tria fqinjët e Shqipërisë, pasi u dëgjuan, më 13 Jenar, edhe "argumentat" e Venizellos dhe të ministrit jugosllav Trumbiç, vendosën copëtimin e Shqipërisë në përputhje me traktatin e fshehtë të Londrës. Greqia do të merrte Korçën dhe Gjirokastrën, Italia ato që kërkonte, dhe Jugosllavia Shqipërinë veriore bashkë me Shkodrën duke i njohur këtij qyteti një farë "autonomie". Mbasi Anglia e Franca këtë vendim e kishin marrë pa Amerikën, duhej t'i tregonin kësaj disa arësye, një prej të cilavet ishte se Shqiptarët nuk kishin zotësi për t'u vetqeverisur dhe do t'ishte më mirë për ta të mbetëshin ndën kujdesin e fqinjëvet. Nga ana tjetër, duke i dhënë Jugosllavisë Shkodrën, ajo hiqte dorë prej Fiumes, e cila i kalonte Italisë, dhe çështja e Adriatikut gjente një rregullim.

Lajmi i vendimit të këtij copëtimi u përhap si vetëtima dhe iu ra Shqiptarëvet si rrufe. Ky ishte çasti që vinte në provë energjitë e fundme të shpirtit kombëtar, nëse racës shqiptare i kishte mbetur akoma një fije vullneti për jetesë apo do të shuhej si kripa n'ujë. Tani çdo shpresë në "drejtësinë" e fuqivet të mëdha ishte vegim marrëzie. Kombe që jetojnë, janë vetëm ata që dinë të mprohen. Më parë se të përhapej lajmi i fundit, Shqiptarët ishin vënë në lëvizje për t'organizuar mbledhjen e një kuvendi të përgjithshëm. Tani kjo nevojë u bë m'e ngutshme se kurrë. Nervat e kombit ishin nxehur në kulm. Ata që mbahëshin akoma me qeverinë e Durrësit ishin agjentët e Italisë, dhe Italia këtë radhë po tregohej armiku vdekësor i racës shqiptare.

Por trathëtarët nuk ndjejnë as turp as përgjegjësi. Qeveria e Durrësit me ndihmën e ushtërisë italiane u përpoq të bënte çmos për të ndaluar mbledhjen e kuvendit kombëtar. Ajo vrau në pritë Abdyl Ypin, një nga atdhetarët më energjikë që po merrej me organizimin e mbledhjes. Në Shkodër, ishte vrarë prej një agjenti t'Italianëvet atdhetari Sali Nivica, drejtor i gazetës "Populli" dhe mprojtës i guximshëm i idesë kombëtare.

Megjithë këto pengesa, kuvendi shpëtimtar mundi të mblidhej në Lushnjë, më 21 Jenar 1920, dhe mori emrin Kongresi i Lushnjës. Ishin gjithësejt nja 50 të dërguar prej krahinavet të ndryshme të Shqipërisë. Mbledhja u hap nën kryesinë e Aqif Pash Biçakut (Elbasanit). Pa marrë parasysh se Shqiptarët ishin një komb i vogël dhe pa u pështetur n'asnjë shpresë të jashtëme, Kongresi i Lushnjës i hodhi poshtë me vendosmëri planet e copëtimit që fuqitë e mëdha kishin kurdisur në traktatin e fshehtë të Londrës dhe në Konferencën e Paqes. Ai shpalli botërisht se Shqipëria ishte shtet i pavarur dhe se Shqiptarët nuk pranonin asnjë formë mandati ose protektorati të huaj mbi vendin e tyre. Në telegramin që iu drejtoi Konferencës së Paqes dhe fuqivet të mëdha, Kongresi i Lushnjës ua bëri të njohur se Shqiptarët do të derdhnin gjer pikën e fundit të gjakut kundër çdo vendimi që vinte në rrezik tërësinë tokësore t'atdheut të tyre dhe pavarësinë e plotë kombëtare. Një protestë të rreptë iu drejtoi edhe parlamentit dhe senatit t'Italisë.

I vetëdijshëm se përfaqësonte vullnetin e kombit, Kongresi i Lushnjës mori masa vendimtare, siç e lipnin rrethanat, n'ato çaste të vështira ku po përshkohej atdheu. E shpalli të rrëzuar qeverinë e Durrësit dhe në vend të saj, formoi një qeveri kombëtare nën kryesinë e Sulejman Delvinës, me ministër të Punëve te Jashtëme Mehmet Konitzën, të Punëve të Brendëshme Ahmet Zogun, të Finacavet Ndoc Çobën, t'Arësimit Sotir Pecin etj. Mbasi çështja e regjimit nuk mund të vendosej aty për aty, se Shqipëria kish qënë shpallur principatë më 19l3 e 1914 dhe Princ Vidi nuk kishte abdikuar, Kongresi zgjodhi një Këshillë të Lartë, që do të mbante vendin e kryesisë së shtetit. Ky Këshillë përbëhej prej katër vetash, që përfaqësonin katër rrymat fetare të Shqipërisë: Aqif Pashë Biçaku (mysliman bektashi), Abdi Bej Toptani (mysliman syni), Dr. Mihal Turtulli (orthodoks), Imzot Luigj Bumçi (katolik). Kongresi zgjodhi prej gjirit të vet edhe një senat prej 37 vetash, si një këshillë kombëtar që do të zinte vendin e parlamentit për gjersa të bëhëshin zgjedhje të rregullta. Caktoi gjithashtu për në Konferencën e Paqes një dërgatë të re, që përbëhej prej Mehmet Konitzës, Imzot Bumçit dhe Dr. Mihal Turtullit.

Bashkë me krijimin e këtyre organeve, Kongresi i Lushnjës caktoi një statut të shtetit shqiptar, prej 6 nenesh, me Këshillin e Lartë në krye, që kishte fuqinë ekzekutive, dhe Këshillin Kombëtar (ose senatin), i cili kishte fuqinë legjislative dhe kontrollin mbi qeverinë për deri sa të zgjidhej Asambleja Kombëtare. Këshilli i Lartë emëronte kryeministrin, dhe ky, mbasi të formonte qeverinë, kërkonte votë-besimin e Senatit. Si kryeqytet i Shqipërisë u caktua Tirana.

Kongresi i Lushnjës iu dha fund punimevet më 9 Shkurt 1920 dhe, më 11 t'atij muaji, qeveria kombëtare hyri në Tiranë. Një fuqi vullnetarësh dhe disa qindra Matjanë që kishte sjellë me vehte Ahmet Zogu ia hapën udhën. Vendimet e Kongresit të Lushnjës ngjallën një enthusiazëm të përgjithshëm në popull, i cili u tregua kudo i gatishëm për të përkrahur qeverinë e re. Kështu kjo mundi të përballonte vështirësitë e para, të cilat ishin me të vërtet të mëdha: mungonte çdo gjë, mjetet financiare, organizimi, fuqia. Nga, ana tjetër, qeveria trathëtare e Durrësit, që drejtohej prej Mustafa Krujës dhe Myfit Libohovës me shokë, provoi të mbahej me anën e forcës italiane, por pas disa javësh u shkri vetvetiu, sepse krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe i tërë vendi u lidhën me qeverinë e Tiranës. Kjo u vu t'organizonte administratën, gjindarmërinë, arësimin, financat, gjygjet. I bëri thirrje popullit shqiptar që të tregohej i bindur dhe t'a ndihmonte. Ahmet Zogu, si ministër i Punëve të Brendëshme, u tregua energjik dhe i zoti për të vënë rregullin. Rreth tij u mblodhën disa oficerë nacionalistë me anën e të cilëvet ai organizoi të parat fuqi kombëtare dhe mundi të shtronte në Shqipërinë e Mesme trubullimet e zakonshme t'Esadistëvet ose të Rebelëvet që shtytëshin tani prej Italianëvet.

Në botën e jashtëme, Kongresi i Lushnjës bëri përshtypjen e një ringjalljeje shqiptare. U kuptua se plani i copëtimit nuk mund të zbatohej pa gjakderdhje. Vendimin e fundmë t'Anglisë dhe të Francës e kundërshtoi Presidenti Wilson i Amerikës. Ky u tregua kundër gjithashtu që Shqipëria të përfshihej në "çështjen e Adriatikut". Në një notë drejtuar fuqivet evropiane më 6 të Marsit, Presidenti Wilson ua thoshte hapur se ai nuk pranonte asnjë plan që do të përfshinte Shqipërinë në rregullimin e çështjeve t'Adriatikut dhe që t'i jepte Jugosllavisë toka shqiptare si shpërblim për lëshimet që kjo mund t'i bënte Italisë në Fiume ose gjetkë. Kundërshtimi i Wilson-it e pezulloi përkohësisht çështjen e Adriatikut si dhe atë të Shqipërisë. Në horizontin ndërkombëtar filluan të dukëshin shenja të tjera, të cilat i dhanë zemër qeverisë së Tiranës. Porsa që nota amerikane e përjashtonte Jugosllavinë prej pjesës së premtuar në Shqipërinë e veriut, marrëveshja Tittoni-Venizellos do të gjente vështirësi zbatimi, sepse Jugosllavia do t'a kundërshtonte daljen e Italisë në Vlorë e në Durrës. Nga ana tjetër, porsa që Shqiptarët po jepnin provën se dinin t'organizohëshin dhe të vetqeverisëshin, mendimet në Konferencën e Paqes filluan të ndryshonin, sidomos qëndrimi i diplomacisë angleze. Kjo e fundit kishte edhe një arësye tjetër, se Shqipërisë po i vinte era vajguri... dhe Shoqëria Anglo-Persiane e kishte hundën fort të ndieshme.

Qeveria e Tiranës iu vu punës me durim për të bashkuar pjesët e ndara të Shqipërisë. Rasti iu paraqit me Shkodrën. Fuqia ndërkombëtare po largohej prej atij qyteti, dhe gjenerali frëng de Fourtou, që e kumandonte, ia dorëzoi Shkodrën qeverisë Shqiptare, më 11 Mars 1920. Ndonëse në vendimin e fundit marrë në Konferencën e Paqes prej Anglisë dhe Francës ishte caktuar që Shkodra t'i jepej Jugosllavisë, kundërshtimi i Presidentit Wilson e kishte lënë varur atë çështje. Prandaj kumanda ndërkombëtare, duke u larguar nga Shkodra, s'kish se kujt t'ia dorëzonte atë qytet veçse qeverisë shqiptare, në pritje të një vendimi përfundimtar nga ana e Konferencës së Paqes. Sidoqoftë, ky ishte një hap i madh drejt bashkimit të Shqipërisë, dhe forcat kombëtare që dërgoi qeveria e Tiranës u pritën me shumë gëzim prej Shkodranëvet. Për të vendosur mirë administratën shqiptare mbasi edhe ushtëritë jugosllave nuk ishin larg, qeveria dërgoi si prefekt të përkohshëm të Shkodrës Ahmet Zogun.

Por Italia nuk donte të tundej nga kërkesat dhe pozitat e saja në Shqipëri. Pastaj kërkesat e Italisë nuk i kundërshtonte as Amerika. Shpëtimi i Shqipërisë varej, siç e kemi thënë më sipër, nga përzënia e Italisë prej tokavet shqiptare. Sepse atëhere do të binin poshtë vetvetiu edhe kërkesat e fqinjëvet. Po qysh dhe kush do t'a përzinte Italinë? Askush tjetër përveç Shqiptarëvet vetë. Qeveria e Tiranës provoi të gjente një rregullim miqësor me Italinë duke i propozuar që kjo të njihte pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Ndonëse e kuptoi se plani i protektoratit të saj mbi Shqipërinë u bë fort i vështirë, Italia nuk pranonte kurrësesi të hiqte dorë nga Vlora. Përpara shtrëngimit t'administratës shqiptare dhe kërcënimit të një kryengritjeje nga ana e popullit, ajo u detyrua t'a tërhiqte ushtërinë ca nga ca prej pjesëvet të brendëshme të vendit, por u forcua rreth Vlorës, Tepelenës dhe Sarandës. Kurse në Këlcyrë, Përmet e Gjirokastër u vu administrata shqiptare. Italia mbante edhe në skelën e Durrësit një trupë të vogël ushtarake, ndonëse qyteti ndodhej tani ndën administratën e Tiranës.

Qeveria shqiptare nuk kishte fuqi t'i shpallte zyrtarisht luftë Italisë për çlirimin e vendit. Por në qarqet e atdhetarëvet po bëhej përditë m'e dukshme se pa një vepërim me armë Italia nuk tërhiqej prej Shqipërie. Ky vepërim mbetej të bëhej në formën e një kryengritjeje popullore. Po edhe kjo duhej organizuar mirë dhe ndërlidhur me vepërimin politik të qeverisë. Sulejman Delvina ishte mjaft i aftë për këto punë dhe dijti t'i vazhdonte bisedimet me Italianët, duke u munduar njëkohësisht të siguronte mosndërhyrjen e fqinjëvet ballkanike, sidomos të Jugosllavisë, në rastin e një vepërimi me armë të Shqiptarëvet kundër Italisë.

Gjatë vitit 1919 patën qënë formuar në Shqipëri disa komitete të "Mbrojtjes Kombëtare". Të parin që u pagëzua me kët' emër, e patën sajuar emigrantët kosovarë në Shkodër. Edhe Vlora kishte pasur të sajnë. Por këta komitete kishin kaluar pa zhurmë. Kurse "Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare" që u formua në Vlorë për së dyti, në Prill 1920, mundi të hynte në histori. Kryetar i Komitetit u zgjodh Osman Haxhiu, por shtylla e vërtetë e tij ishte Qazim Koculi. Një rol të rëndësishëm lozi në të dhe Spiro Koleka. Që të dy këta, Koculi e Koleka, ishin përfaqësonjës të Vlorës në Këshillin Kombëtar (Senatin) të Tiranës, dhe në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Pregatitjen e një kryengritjeje e patën biseduar me Sulejman Delvinën e të tjerë ministra ose antarë të Këshillit të Lartë, por qeveria duhej mbajtur jashtë çdo përgjegjësie zyrtare.

Gjatë Majit, organizimi u shtri në krahinat e pushtuara prej Italianëvet. Por ndërsa pregatitej kryengritja e Vlorës, plasi çështja e Korçës. Ushtëria frënge po largohej prej Shqipërie dhe mori urdhër nga Parisi që të mos e kundërshtonte pushtimin e Korçës prej Grekëvet. Këta rrinin gati, dhe fuqitë që kishin përqendruar në Follorinë, nën kumandën e gjeneralit Trikupis, u vunë në lëvizje drejt kufijvet të Shqipërisë. Mirëpo atdhetarët e Korçës dhe të rrethevet çuan popullin në këmbë, ngritën në qytet flamurin kombëtar dhe e bashkuan krahinën me qeverinë e Tiranës. Grekët që mendonin t'a zinin Korçën me befasi, u gjetën përpara forcash t'armatosura që s'e lëshonin vendin pa luftë. Atëhere ushtëria e tyre u përmbajt. Duket se Anglezët e këshilluan Venizellon që të mos hapte një tjetër trazirë në Shqipëri, në një kohë kur Greqia ndodhej në luftë kundër Turqvet n'Azinë e Vogël. Kështu Grekë e Shqiptarë nënshkruan, më 28 Maj, protokollin e Kapshticës, sipas të cilit të dy anët do të mbanin caqet e tyre gjersa Konferenca e Paqes - ose një marrëveshje e drejtpërdrejtë greko-shqiptare - të rregullonte çështjen e kufijvet ndërmjet dy vendevet. Por ushtëria greke nuk i lëshoi 26 fshatrat shqiptare që kishte shkelur, për t'i mbajtur gjoja si një zonë sigurimi. Vetëm disa vjet më vonë qeveria e Athinës u detyrua të lironte 14 prej tyre.

Ndërkaq, rreth Vlorës vazhdonin pregatitjet. Komiteti i fshehtë i "Mbrojtjes Kombëtare" thirri në një mbledhje të madhe parësinë e qytetit dhe të fshatravet, me 29 Maj 1920. Mbledhja u bë në Barçalla, një faqe mali afër Dukatit, në jugë të Vlorës. Pasi folën Qazim Koculi e të tjerë, u muar vendimi që Italia duhej luftuar dhe u zgjodh një këshillë prej 30 vetash, i cili nxori një Komitet të ri të "Mbrojtjes Kombëtare", të përbërë prej 12 antarësh dhe përsëri nën kryesinë e Osman Haxhiut. Por në gji të Komitetit, për t'organizuar dhe kumanduar kryengritjen, u caktua një komision ushtarak nën drejtimin e Qazim Koculit. Pas këtyre vepërimeve, Komiteti iu bëri thirrje qytetit dhe fshatravet të zonës së pushtuar që të rrëmbenin armët. Burrat e Labërisë e dëgjuan zërin e atdheut. Disa mijëra prej tyre, me ato armë që kishin, u mblodhën në Beun, më 2 Qërshor l920.

Mbasi lëvizja udhëhiqej mirë, sipas një plani të caktuar, Komiteti i "Mbrojtjes Kombëtare" i drejtoi nga Beuni, më 3 Qërshor, një ultimatum kumandarit të forcavet italiane, gjeneralit Piacentini, duke kërkuar që Italia t'ia këthente sa më shpejt Vlorën, Tepelenën dhe Himarën qeverisë kombëtare të Tiranës. "E dijmë se një shtet i madh si Italia mund të ketë mjaft forcë për të shtypur një popull të vogël si ne", thuhej n'ultimatumin, "por populli shqiptar nuk mund të pranojë në heshtje që të shitet si bagëti nëpër tregjet e Evropës, prandaj vendosi të rrëmbejë armët..." etj.

Komiteti i kërkonte një përgjigje kumandarit italian gjer në mbrëmjen e së nesërmes më 4 Qërshor. Por ky e gjykoi më të kollajshme t'ua jepte përgjigjen Shqiptarëvet me grykën e topavet. Atëhere s'mbetej tjetër veç sulmit me armë. Qazim Koculi i propozoi Komitetit të "Mbrojtjes Kombëtare" se duhej nisur sulmi pa humbur kohë. Spiro Koleka e përkrahu këtë mendim me një fjalim të nxehtë, antarët e tjerë të Komitetit e pranuan, dhe Shqipot e bënë forra! Labëria trime e provoi se kishte akoma burra nga ata që i hidheshin "topit nga grika" si Selam Musa Salaria.

Fuqia italiane në Shqipëri përbëhej prej 20.000 ushtarësh, përveç luftanijvet që ndodhëshin përpara Vlorës. Një pjesë e ushtërisë kishte zënë pozitat më të forta gjatë rrugëvet Vlorë-Gjirokastër dhe Vlorë-Sarandë. Në disa pika, si në Drashovicë, Kotë, Gjorm e Llogara kishte bërë fortifikime të patundshme, përveç telavet me gjëmba që mpronin çdo pozicion t'ushtërisë italiane, shqiptarëvet iu duhej të merrnin më parë pozicionet e jashtëme, të kapnin sa më shumë armë e municione prej Italianëvet, dhe mandej të lironin Vlorën.

Pasi krisi topi i Italisë, Shqipot u hodhën në sulm, në mbrëmjen e 5 Qërshorit, të rreptë si breshëri, dhe i kapën një nga një postkomandat dhe pozicionet e jashtëme t'Italianëvet. Por këta u mbyllën brenda vijavet të fortifikuara duke u mprojtur me anën e mjetevet dhe t'armatimit të rëndë. Morali i tyre u trondit që në fillim, sepse Shqiptarët sulmuan befas dhe nga të gjitha anët, me një guxim t'atillë që Italianëvet s'iu kishte shkuar kurrë nëpër mend. Luftime heroike ngjajtën në Kotë, ku fshatarët trima, të kumanduar prej Ahmet Lepenicës, mbas disa sulmesh të rreptë, u hodhën mbi telat me gjëmba duke vënë gunat përsipër dhe iu hynë kazermavet brenda. Midis Italianëve të vrarë ndodhej edhe vetë gjeneral Gotti. Të tjerët, oficerë e ushtarë, u dorëzuan. Po n'atë mënyrë u muarën të gjitha pozicionet e forta t'Italianëvet, Gjormi, Llogaraja, Tepelena, Drashovica. Në Tepelenë, lufta vazhdoi e rreptë gjatë pesë ditëve; por me fuqitë që erdhën prej krahinash rreth e qark dhe disa qindra burra që kumandonte Ali Këlcyra, u lirua më në fund edhe qyteti i Ali Pashës. Me armët, municionet, disa topa e mitraloza që u kapën nëpër këto pozicione, forcat shqiptare u armatosën më mirë dhe numri i tyre arriti në nja 4.000 veta. Komisioni ushtarak shqiptar e ngrehu qendrën e tij në Drashovicë. Komiteti i "Mbrojtjes Kombëtare" i kërkoi edhe njëherë gjeneral Piacentini-t dorëzimin e Vlorës. Mbasi ky nuk dëgjoi, u vendos që të sulmohej qyteti. Natën duke u gdhire 12 Qërshor, Shqipot u hodhën si shqiponja mbi bregoret e Babicës, në Qafën e Koçiut, në fortesën e Kaninës, dhe fitorja e tyre u vulos n'Ullishtat e Vlorës me gjakun e Selam Musajt.

Kumanda italiane s'gjeti tjetër mënyrë mprojtjeje veçse kapi në qytet nga popullsia civile afro 1500 veta - ndër ta edhe gra e fëmijë - dhe i hoqi si peng në Sazan, duke kërcënuar se të gjithë këta do të pushkatoheshin nëqoftëse kryengritësit nuk ndalnin sulmin. Kjo i detyroi trimat, të cilët kishin hyrë në lagjet e jashtëme të qytetit, të përmbahëshin dhe të zinin vend rreth Vlorës. Po lufta e tyre ishte e fituar.

Gjatë asaj kohe, veglat e Esad Toptanit në Shqipërinë e Mesme, të cilët shtyhëshin nga agjentët e Jugosllavisë dhe t'Italisë, ishin vënë në lëvizje. Por qeveria e Tiranës mundi t'i shpartallonte duke ia ngarkuar Bajram Currit kumandën e ndjekjevet kundër tyre. Ndërsa Esad Pasha vetë ra i vdekur në Paris prej dorës s'Avni Rustemit, më 13 Qërshor 1920.

Lufta dhe triumfi i Vlorës elektrizuan ethusiazmin e Shqiptarëvet, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prej krahinash të tjera u nisën grupe vullnetarësh drejt Vlorës, ndonëse punën e kishin kryer pothuajse burrat e Labërisë. Shoqëritë e jashtëme u vunë të mblidhnin ndihma. Bujë e madhe u bë n'Evropë dhe në tërë botën.

Por jehona e Vlorës tronditi sidomos Italinë. Qeveria e Nitti-t u rrëzua dhe vendin e saj e zuri ajo e Giovanni Giolitti-t, e cila desh të dërgonte fuqi të reja për të shtypur kryengritjen shqiptare. Veçse n'atë kohë ishte e fortë n'Itali edhe lëvizja socialiste, që besonte atëhere në vëllazërimin e popujvet. Deputetët e saj kërkuan në parlament votimin e një rezolute për tërheqjen e forcavet italiane nga Shqipëria, por ai propozim nuk u pranua prej shumicës. Me shtytjen e partisë socialiste, u bënë manifestime popullore nëpër disa skela t'Adriatikut për të ndaluar dërgimin e trupave të reja në Shqipëri; u hodhën trakte, u ngjitën shpallje murevet, iu bëhej thirrje ushtarëvet të të mos pranonin të nisëshin. Punëtorë e hamenj bënin greva për të mos ngarkuar materialin e luftës.

Megjithatë, gjeneral Piacentini, në Shqipëri, kërkoi nga Komiteti i "Mbrojtjes Kombëtare" që t'i shpërndante forcat dhe të dorëzonte robërit, se përndryshe do të niste një ofensivë të rreptë ndëshkimore. Mbasi Shqiptarët nuk u tundën prej pozicionevet të tyre, trupat e zgjedhura italiane, me automjetet dhe të ndihmuara nga artileria e flotës, filluan ofensivën më 19 Qërshor në drejtim të Drashovicës. Por u thyen përsëri dhe u shtrënguan të këthehëshin në Vlorë, pasi lanë mjaft të vrarë.

Përpara forcës së Shqiptarëvet, dhe mbasi n'atë kohë Italia po kalonte nëpër një krizë të brendëshme, qeveria e Romës dërgoi në Tiranë agjentin e saj të vjetër për punët shqiptare, baron Aliotti-n, që t'a paqësonte gjendjen duke shkëputur diçka me anë bisedimesh dhe kërcënimesh. Por qeveria e Tiranës nuk i pranoi kërkesat italiane; si të vetëmin kusht për paqësimin ata vunë tërheqjen e ushtërisë dhe njohjen e pavarësisë së plotë shqiptare nga ana e Romës. Atëhere kumanda italiane e Vlorës, me një urdhër-dite që shpalli më 17 Korrik, bënte të njohur se ushtëria e saj nuk do të largohej prej Shqipërie dhe se ishte mjaft e fortë për t'a shtypur kryengritjen. Këtij kërcënimi, Shqiptarët iu përgjigjën, pak ditë më vonë, natën mbë 22 Korrik, me një sulm të përgjithshëm kundër vijavet t'ushtërisë italiane në Vlorë, dhe u futën deri në lagjet e jashtëme të qytetit.

Kur e pa se s'kishte mundësi që të vepronte ndryshe, qeveria e Romës e prishi marrëveshjen Tittoni-Venizellos, më 22 Korrik 1920, dhe dërgoi në Tiranë kont Manzoni-n për të bërë paqen e vërtetë me Shqiptarët. Ky nënshkroi me qeverinë e Sulejman Delvinës një protokoll, më 2 Gusht l920, me anën e të cilit Italia njihte pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe tërësinë tokësore të kësaj ku përfshihej edhe Vlora, por mbante ishullin e Sazanit. Ushtëritë italiane duhej t'a linin Shqipërinë gjer më 2 Shtator 1920. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Shqiptarët i liruan robërit e luftës, lart nga 1200 veta por nuk i lëshuan pozicionet gjersa ushtëria italiane u tërhoq e tërë. Kjo u largua rregullisht, sipas marrëveshjes, dhe, më 3 Shtator 1920, luftëtarët e lirisë hynë ngadhënjyësa në Vlorë me flamurin e Skënderbeut, i cili këtë radhë rrethohej me lavdi kastriotiane, sepse ishte e para herë në historinë e re të Shqipërisë që Shqiptarët e fitonin lirinë vetëm me luftën e tyre kundër një fuqie të madhe si Italia.

Me tërheqjen e Italisë prej Shqipërie dhe me njohjen e tërësisë dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar nga ana e saj, binin poshtë vetvetiu kërkesat e fqinjëvet ballkanike, të cilat nuk do të gjenin asnjë përkrahje në Konferencen e Paqes, mbasi tani i kundërshtonte edhe Italia. Ngadhënjimi i Vlorës iu dha Shqiptarëvet besim në vetvehten dhe e ndyshoi krejt opinionin evropian kundrejt tyre. Këta dhanë provën se dinin të vetqeverisëshin, se dinin t'a kundërshtonin vendimin e fuqivet të mëdha, se ishin të zotët t'a hidhnin me forcë njërën prej tyre jashtë Shqipërie. Lufta e Vlorës u zhvillua brenda një rregulli dhe disipline shembullore; midis "Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare" dhe qeverisë së Tiranës pati harmoni të plotë, bisedimet me Italinë u drejtuan prej një vullneti, prej një qëllimi, robërit italianë të luftës u mbajtën mirë në fusha përqëndrimi në Vajzë e në Tepelenë. Populli shqiptar u dëftye në lartësinë e qytetërimit dhe të burrërisë së tij të lashtë.

Me enthusiazmin që ngjalli triumfi i Vlorës, Shqiptarët deshën të hidhnin përtej kufijvet ushtëritë jugosllave, e cila jo vetëm që mbante të pushtuar "zonën strategjike" por delte herë pas here edhe përkëtej. Me tërheqjen e Italisë, Jugosllavët kujtuan se Shqipëria mbetej një vend i zbrazët ku ata mund të bënin lodrën e tyre. Qeveria e Tiranës kishte kërkuar disa herë prej Jugosllavisë që të tërhiqej në kufijtë e l913-ës. Por kjo, duke përfituar nga pafuqia e shtetit shqiptar, përpiqej t'aneksonte zonën strategjike dhe mundësisht të shtrihej më këtej. Ushtëria e saj provoi të zbriste drejt Shkodrës dhe arriti gjer në Koplik, por Shqiptarët mundën t'a prapsnin. Mbasi qeveria e Tiranës nuk kishte forcë për t'i bërë drejtpërdrejt luftë Jugosllavisë, populli i zonës së pushtuar desh të ndiqte shembullin e Vlorës. Këtë nismë e muarën krerët e Dibrës, si Ramiz Dibra me shokë, të cilët, në një mbledhje që bënë në katundin Arras të Peshkopisë, vendosën t'organizonin një kryengritje ndën kumandën e Elez Isufit. Kështu Dibranët i ranë ushtërisë jugosllave nga mbarimi i Gushtit 1920, çliruan Peshkopinë dhe e hodhën armikun përtej kufijvet të 1913-ës. Lëvizja mori hov në Shqipërinë e veriut, dhe krerët e Kosovës, Hasan Prishtina, Bajram Curri e Hoxha Kadriu me shokë, deshën t'a zgjeronin më tutje.

Por Jugosllavia ishte shtet kufitar dhe mundi të hidhte fuqi të mëdha kundrejt Shqiptarëvet. Mbasi e theu qëndresën e rreptë të Dibranëvet, ushtëria jugosllave e pushtoi prapë "zonën strategjike" dhe u shty më thellë, duke vrarë, djegur e rrëmbyer ç'i binte në dorë, pa kursyer as robërit e luftës, as gra e fëmijë. Shumë fshatra u shkretuan, popullsia provoi t'ikte nga të mundte, me dhjetra mijë zbritën në Tiranë, të rreckosur, të pa-ngrënë e si mos më keq. Jugosllavët arritën në Martanesh e në Shkallën e Tiranës. Qeveria shqiptare dha kushtrimin për mobilizim vullnetarësh, të cilët, bashkë me forcat e ushtërisë dhe të gjindarmërisë, ia thyen turrin armikut dhe e prapsën gjer në "zonën strategjike". Krahas me këto vepërime, qeveria e Sulejman Delvinës iu drejtoi një notë fuqivet të mëdha që t'a detyronin Jugosllavinë për t'u tërhequr në kufijtë e 1913-ës. Por ushtëria jugosllave i vazhdoi akoma ndërhyrjet e saja duke përdorur si vegla disa krerë të Shqipërisë së veriut dhe mbeturitë e esadismës, për t'a shkallmuar shtetin shqiptar me anën e këtyre. Qeverisë së Tiranës i duhej t'iu gjente bukë dhe strehë refugjatëvet të rinj, që mbushnin lagjet e kryeqytetit dhe fushën rreth e rrotull, me gra e fëmijë, të sëmurë, fytyrë-verdhë, si fantazma dalë prej varresh. Shumë prej tyre vdiqën nga uria dhe sëmundjet.

Duke kaluar nëpër këto kushte jashtëzakonisht të vështira, Shqipëria, gjatë vitit 1920, vetëm me forcat e saja mundi të mëkëmbej si shtet, t'iu bënte ballë armiqve të jashtëm, të çlironte vendin prej pushtimit të huaj, dhe t'a ndryshonte në botën e Perëndimit opinionin që ishte formuar kundrejt saj. E zonja e vetvehtes, kërkoi që të pranohej si shtet i pavarur në Lidhjen e Kombevet. Megjithë kundërshtimin e fqinjëvet dhe të Francës që mbante anën e tyre (dhe që e tregoi gjer në fund armiqësinë e saj kundrejt Shqipërisë), qeveria e Tiranës e kapërceu edhe këtë pengesë. Me përkrahjen e Anglisë, Shqipëria u pranua antare e Lidhjes së Kombevet më 17 Dhjetor 1920. Por kufijtë mbetëshin akoma të pacaktuar, mbasi Greqia nuk hiqte dorë nga kërkesat e saja. Vetëm një vit më vonë, më 9 Nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëvet vendosi që kufijtë e Shqipërisë të mbetëshin ata të 1913-ës, me ca ndryshime në dobi të Jugosllavisë. Më 1923, komisioni ndërkombëtar caktoi në vend vijën e kufijvet dhe vuri piramidat, përveç disa pikave që u vendosën përfundimisht më 1925. Kështu Shqipëria shpëtonte edhe njëherë nga furtuna duke ruajtur të paktën, me ca ndryshime të vogla, kufijtë e 1913-ës.

Si çasti m'i lavdishëm i historisë së re të Shqipërisë mbahet dita e 28 Nëntorit 1912, që simbolizon pavarësinë kombëtare. Dhe ashtu duhet të jetë. Por viti heroik në historinë e re të Shqipërisë është viti 1920. Është periudha ku Shqiptarët, më shumë se kurrë në historinë e re të tyre, tregojnë jo vetëm një shpirt kombëtar të pathyershëm, po edhe punë të ndërlidhur, të peshuar me mend dhe të zbatuar me guxim, n'afrim të ngushtë me njëri-tjetrin. Në një kohë kur horizonti shqiptar ishte mbuluar me re të zeza, kur copëtimi i Shqipërisë mbahej si gjë e sigurtë, kur nuk kishte asnjë shpresë, asnjë ndihmë të jashtëme, Shqiptarët çohen në këmbë kundër gjithë botës dhe vendosin në Kongresin e Lushnjës se zotër t'atij trualli ishin ata vetë, se s'lejonin t'ua prekte kurrkush dhe se do t'a mpronin kundër kujtdo gjer në pikën e fundit të gjakut. Nuk pranojnë "të shiten si bagëti nëpër tregjet e Evropës". Hedhin poshtë vendimet e fuqivet të mëdha, mtesat e fqinjëvet, ngrehin një qeveri kombëtare pa "mprojtjen" e kurrkujt, e shpallin të rrëzuar qeverinë trathëtare të Durrësit, vënë administratën, rregullin, vetëm me mjetet e tyre, detyrojnë ushtërinë greke të përmbahet në kufi, përzënë me luftë ushtërinë italiane përtej detit, gjersa Italia shtrëngohet t'i njohi shtet të pavarur, vrasin Esad Toptanin, iu bjenë Jugosllavëvet, dhe me në fund e bëjnë Shqipërinë antare të Lidhjes së Kombevet! Dhe të gjitha këto punë të pabesuarshme, brenda një viti! A ka provë më të qartë se ç'mund të bëjë vullneti i një kombi, sado i vogël të jetë ky, kur është i lidhur çelnik drejt një qëllimi? A ka vërtetim më bindës se Shqipërinë e kanë humbur vetë Shqiptarët me përçarjet e tyre gjatë shekujvet, sado që mundohen t'u hedhin fajin të huajvet? Kurse më 1920, duket sikur e kanë kapërcyer atë ndjenjë inferioriteti kombëtar për të cilën kemi folur më sipër, duket se kanë marrë besim në vetvehte, ashtu si kombet e pjekur, dhe i dalin përballë furtunës me forcat e tyre. Duket se ngjarjet e shëmtuara të vjetëvet 1913 e 1914 iu ishin bërë mësime iu kishin ndriçuar gjykimin, forcuar vullnetin dhe bashkuar pikëpamjet drejt rrugës së shpëtimit. Kanë vepëruar me urtësi edhe gjatë vitit 1919. Por më 1920 marrin vendime të guximshme, dhe jo vetëm i marrin po edhe i zbatojnë, me anë vepërimesh të lidhura mirë, me anën e një bashkëpunimi vëllazëror prej një çipi t'atdheut në tjetrin, duke treguar një ndërgjegje kombëtare të pamohuarshme.

Mjerisht, në vjetët e pastajmë kombi shqiptar nuk u mbajt dot në këtë lartësi. Dhe arësyet janë të kuptuarshme. Më 1920, lufta e tij ishte kombëtare kundër shkelësve të huaj, për të cilën ai ishte rysur e pregatitur nga ngjarjet e mëparshme. Kurse pastaj filloi lufta politike e brendëshme, për të cilën Shqiptarët nuk ishin të pregatitur. Plagët e vjetra shoqërore, vijat e përçarjevet dhe mendësitë e ndryshme të krijuara gjatë shekujvet hynë përsëri në lodër, duke i sjellë atij populli të mjerë vuajtje të papërshkruarshme.