XXVII

Pas tërheqjes s'Italianëvet, dhe pasi u ndal mësymja e ushtërisë jugosllave, qeveria e Sulejman Delvinës, për të çuar në vend vullnetin e shprehur në Kongresin e Lushnjës dhe kërkesën e disa krahinave, vendosi, më 14 Nëntor 1920, t'i propozonte Këshillit të Lartë dhe Këshillit Kombëtar që të shpallëshin zgjedhjet për Asamblenë Kushtetonjëse, e cila do të caktonte në mënyrë përfundimtare Statutin e shtetit dhe formën e regjimit. Hapej skena e politikës së brendëshme të shtetit shqiptar. Këtu filluan të delnin kundërshtime prej elementesh të tjerë që nuk e shihnin në të njëjtën mënyrë çështjen e zgjedhjevet parlamentare. Si përfundim, Sulejman Delvina dha dorëheqjen, dhe qeveria e re u formua më 19 Nëntor nën kryesinë e Iljaz Vrionit. Pasi i dha votëbesimin qeverisë së re, Këshilli Kombëtar u shpërnda për t'ia lënë vendin parlamentit që do të zgjidhej pas tij. Ligji i zgjedhjevet që shpalli qeveria e Iljaz Vrionit, më 5 Dhjetor 1920, nuk parashikonte asamble kushtetonjëse, por një parlament ose këshillë kombëtar më të gjerë nga ai që kishte dalë prej gjirit të Kongresit të Lushnjës. Kjo linte të kuptohej se Statuti i shtetit shqiptar dhe regjimi, me një Këshillë të Lartë në krye, do të mbetëshin hëpërhë ashtu si ishin. Zgjedhjet do të bëhëshin jo drejtpërdrejt prej të gjithë burravet në moshë madhore, por nëpërmjet zgjedhësash të dytë: domethënë çdo numër prej 500 meshkujsh njëzet vjeç e lart caktonte një zgjedhës të dytë, dhe ky votonte për zgjedhjen e deputetit. Mbasi deputetët do t'ishin një për 12.000 frymë, për zgjedhjen e secilit mjaftonin 24 zgjedhësa të dytë. Kështu klasa sundonjëse e kishte më lehtë të merrej vesh me zgjedhësat e dytë, të cilët ishin zakonisht nga parësia e vendit, se sa me tërë popullin. Por, me thënë të vërtetën, kjo mënyrë e zhdrejtë zgjedhjesh imponohej vetvetiu, se populli në përgjithësi nuk dinte se ç'ishte parlamenti, as ç'ishin deputetët, as për kë të votonte. Megjithatë, fushata e zgjedhjevet u zhvillua mjaft e nxehtë, sidomos për shkak të ndieshmërisë fetare, e cila n'atë kohë prekej shumë shpejt, sepse, sado kujdes që të tregonin qeveritë, të Krishterë e Myslimanë, në disa qytete, shikohëshin akoma si vëllezër prej njerke.

Zgjedhjet u bënë në Prill 1921, pa asnjë shtrëngim prej autoritetevet, dhe u krijua kështu i pari parlament shqiptar me nja 75 deputetë. Siç e do zakoni i demokracisë, nuk vonuan të formohëshin grupet parlamentarë. Dy "parti" u gjendën menjëherë përballë njëra-tjetrës: partia "Popullore", ose e reformavet, e cila mbulohej me kryesinë e Fan Nolit, por kishte edhe bejlerë si Eshref Frashërin dhe vetë Ahmet Zogun, që loznin sigurisht një rol më të rëndësishëm përbri shkollarësh të rinj si Stavro Vinjau. Partia tjetër u quajt "Përparimtare" dhe, përveç çifligarëvet të mëdhenj, përmblidhte grupin e irredentistëve kosovarë, disa nga deputetët e Shkodrës, e të tjerë. Kjo paraqitej si e kryesuar nga Hoxha Kadriu, refugjat kosovar, por në të vërtetën drejtohej prej Shefqet Vërlacit. Siç shihet, këta grupe ishin një përzjerje elementesh të mbledhur rastësisht, që s'mund të kishin kurrfarë vije as programi të përbashkët. Populli i krahinavet interesohej fare pak se në sa grupe ndahëshin e bashkohëshin deputetët e tij në Tiranë.

Veçse regjimi parlamentar nuk filloi me fat të mbarë në Shqipëri. Dy muaj pas mbledhjes së parlamentit (i cili u hap në Tiranë më 21 Prill 1921), ngriti krye Kapidani i Mirditës, Marka Gjoni, i shtytur e i ndihmuar prej Jugosllavisë për të përmbysur shtetin shqiptar. Pas tërheqjes s'ushtërisë italiane, Jugosllavia dhe Greqia vazhduan të mos ia njihnin Shqipërisë kufijtë e 1913-ës, dhe i shtuan përpjekjet për t'a shkallmuar këtë nga veriu e nga juga. Qeveria e Tiranës provoi të vendoste marrëdhënie të mira me të dy fqinjët duke mos kërkuar prej tyre asgjë tjetër veçse njohjen e kufijvet që pati caktuar Konferenca e Londrës. Por ato deshën të përfitonin nga pafuqia e shtetit shqiptar dhe nga puna që kufijtë e tij nuk qenë njohur akoma prej Lidhjes së Kombevet as prej fuqivet të mëdha. Greqia u vu të shtynte organizimin e komiteteve "vorio-epirote" dhe të niste trubullime në Himarë duke futur fshehtas armë e municione. Grekomanët punonin me zell për të. Kurse Jugosllavia përdorte si vegla krerët e Shqipërisë së veriut, disave prej të cilëvet iu paguante rroga të përmuajshme. Ata, siç qenë mësuar në kryengritje të përhershme kundër Turqisë për të mos njohur qeveri mbi kokë, vazhdonin të njëjtin zakon tani kundër Tiranës, pa u menduar një grimë se Jugosllavia do t'ua shtypte më në fund ato koka të trasha.

Mbasi nuk mundi të merrej vesh me fqinjët drejtpërdrejt, qeveria shqiptare iu drejtua Lidhjes së Kombevet, më 29 Prill dhe 21 Qërshor 1921, duke kërkuar prej këtij organizmi të lartë ndërkombëtar njohjen e kufijve të Shqipërisë që pati caktuar Konferenca e Londrës. Por Jugosllavia e Greqia i kundërshtonin ata kufij, duke e quajtur të pavlefshëm vendimin e Konferencës së Londrës, dhe kërkonin që çështja të rishikohej, jo prej Këshillit të Lidhjes së Kombevet, po prej Konferencës s'Ambasadorëvet, në Paris, e cila përbëhej tani nga përfaqësonjësit e Anglisë, të Francës, t'Italisë dhe të Japonisë. Këshilli i Lartë i Konferencës së Paqes ia kishte lënë "trashëgim" çështjen shqiptare Konferencës s'Ambasadorëvet. Jugosllavia me Greqinë e pëlqenin këtë gjë, sepse kishin më shumë shpresë të gjenin përkrahje tek fuqitë e mëdha se sa në Lidhjen e Kombevet, që ishte një organizëm ndërkombëtar m'i gjerë.

Si përfaqësonjës i Shqipërisë në Lidhjen e Kombevet u dërgua Fan Noli, i cili e mprojti shumë mirë çështjen shqiptare dhe kërkoi nga Këshilli i Lidhjes që të njihte kufijtë e Shqipërisë caktuar prej Konferencës së Londrës më 1913. Por Këshilli i Lidhjes së Kombevet, me një vendim që mori më 25 Qërshor 1921, ia la në dorë atë çështje Konferences s'Ambasadorëvet, e cila zëvendësonte Këshillin e Lartë të Konferencës së Paqes. Në Konferencën e Ambasadorëvet, Jugosllavia e Greqia kishin gjithmonë përkrahjen e Francës.

Duke përfituar nga gjendja e brendëshme e Shqipërisë, Jugosllavia desh t'a shkallmonte këtë me anën e Shqiptarëvet vetë dhe t'i tregonte botës së jashtëme, veçanërisht Konferencës s'Ambasadorëvet dhe Lidhjes së Kombevet, se Shqiptarët nuk mund të formonin një shtet. Për këtë qëllim gjeti Kapidanin e Mirditës, Marka Gjonin. Ky pat qëndruar ca kohë në Prizrend, ku ishte marrë vesh me qarqet jugosllave për t'iu shërbyer planevet të tyre. Me të hollat dhe armët që i dha Jugosllavia, u kthye në Mirditë dhe filloi kryengritjen nga mbarimi i Qërshorit 1921. Disa javë më parë, shtypi jugosllav kishte filluar një fushatë kundër qeverisë së Tiranës, të cilën e paraqiste si pasardhëse të Turqve të Rinj dhe përndjekëse të Katolikëvet. Kështu na dolli Jugosllavia "mprojtëse" e katolikizmit.

Nga kjo fushatë, kuptohet se qarqet jugosllave menduan që Marka Gjoni do të mund të tërhiqte rreth tij gjithë katolikizmin shqiptar. Por mbasi Kapidanin, në rrugën e trathëtisë, nuk e ndoqi as e tërë Mirdita, ai u shtrëngua të këthehej përsëri në Jugosllavi ku, nën mprojtjen e Jugosllavëvet dhe i këshilluar prej tyre, shpalli në Prizrend "republikën e Mirditës" më 17 Korrik 1921. Pastaj me anën e Jugosllavëvet iu drejtua Lidhjes së Kombevet, si edhe Jugosllavisë, Greqisë e Italisë që t'a njihnin "republikën" e tij.

Duke i përdorur parullat e politikës si lodrat e majmunëvet në cirkus, qarqet jugosllave ia paraqitën botës "republikën" e Marka Gjonit si një rast i së drejtës së vetvendosjes së popujvet. Dhe mbasi i shtynë punët deri aty, i dhanë Marka Gjonit ushtëri jugosllave, artileri, banda kriminelësh t'arratisur në Jugosllavi, dhe e nisën për në Mirditë.

Kjo ngjarje e shëmtuar e tronditi shtetin e ri shqiptar, përbrenda, dhe ia rrëzoi vleftën përpara botës. Në të njëjtën kohë, nisën edhe Grekët ngacmimet e tyre në kufij, ku kishin prurë forca të reja, dhe komitetet "vorio-epirote" i shtuan ulurimat e bërtimat, n'Athinë, në Janinë e në të tjera qytete të Greqisë.

Qeveria shqiptare u përpoq t'i bënte ballë gjendjes. Fuqi të reja u thirrën ndën armë dhe u formuan trupa vullnetarësh. Dy "grupet parlamentarë" u muarën vesh përkohësisht për t'i dhënë qeverisë një bazë më të gjerë. Por nuk ishte Iljaz Vrioni ai që mund t'a përballte atë gjendje. Njeriu m'i fortë n'ato rrethana ishte Ahmet Zogu, por këtë e druanin të tjerët dhe mundohëshin t'a mbanin në fre sepse i kishin kuptuar qëllimet e tija diktatoriale. Pas shumë bisedimesh e vajtje-ardhjesh ndërmjet grupesh e klikash, u gjet e nevojshme që të dy "partitë" të bënin "Bashkimin e Shënjtë", nga i cili do të delte një qeveri e pranuar prej të gjithëve. Porsa u brohorit, më 11 Tetor, "Bashkimi i Shënjtë" caktoi një komision prej tre vetash, Bajram Currin, Qazim Koculin dhe Avni Rustemin, për t'i propozuar parlamentit qeverinë e re. Kjo u formua më 19 Tetor nën kryesinë e Pandeli Evangjelit. Për të qënë m'e lirë në vepërimet e saja, qeveria e re i kërkoi Këshillit të Lartë, dhe ky e pranoi, që të dekretonte mbylljen e sesionit parlamentar gjer në Jenar 1922.

Ndërkohë, fuqitë shqiptare ishin munduar t'iu qëndronin bandavet të Marka Gjonit. Në Tetor 1921, përfaqësonjësi jugosllav n'Asamblenë e Lidhjes së Kombevet e paditi qeverinë shqiptare se gjoja bënte një politikë fanatizmi mysliman që synonte çfarosjen e të Krishterëvet. Këtë shpifje të ndyrë e përgënjeshtruan me një telegram drejtuar Lidhjes së Kombevet Arqipeshkvi i Shkodrës, Abati i Mirditës dhe grupi i deputetëvet katolikë.

Mbasi ndërhyrja jugosllave në Shqipëri po rrezikonte paqen, Konferenca e Ambasadorëvet nuk mund t'a mbante më të mbyllur në sirtar çështjen shqiptare. Ndonëse Franca mbetej gjithmonë armike numër një e Shqipërisë, Anglia kish ndërruar qëndrim qysh pas Kongresit të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës. Pastaj Italia, mbasi u tërhoq prej Shqipërie, nuk mund të pranonte që ai vend të pushtohej prej Greqisë dhe Jugosllavisë. Sa për Anglinë, ndërrimi i qëndrimit të saj lidhej sigurisht edhe me vajgurin e nëntokës shqiptare, për të cilin flitej se ekspertët austriakë dhe italianë kishin diktuar gjatë Luftës shtresa shumë të pasura. Shoqëria Anglo-Persiane ishte vënë në lëvizje dhe kish dërguar në Shqipëri, qysh në Mars 1921, përfaqësonjës të saj për të marrë nga qeveria e Tiranës lejën e kërkimevet dhe mundësisht konçesionin e vajgurit.

Sidoqoftë, më 7 Nëntor 1921, Kryeministri i Anglisë, Lloyd George-i, i drejtoi një telegram Lidhjes së Kombevet, me anën e të cilit e padiste Jugosllavinë si një shtet që po trubullonte paqen në Ballkan dhe kërkonte tërheqjen e ushtërive të saj prej Shqipërisë së veriut gjer në vijën e kufijvet të 1913-ës. Dy ditë më vonë, më 9 Nëntor 1921, me këmbënguljen e Anglisë dhe t'Italisë, Konferenca e Ambasadorëvet i hodhi poshtë mtesat e Grekëvet dhe vendosi t'a njihte Shqipërinë shtet të pavarur me kufijtë e 1913-ës. Por as këtë radhë nuk shpëtoi e mjera Shqipëri pa disa qethje të kufijvet në dobi të Jugosllavisë, e cila përkrahej djallëzisht prej Francës. Iu njoh akoma asaj një pjesë e mirë toke që përfshinte mjaft fshatra prej krahinavet të Lumës, Hasit dhe Gollobordës. Qeveria shqiptare protestoi kundër këtij cënimi që po i bëhej për të tretën herë Shqipërisë, po ku dëgjohej zëri i saj? Në të njëjtën ditë, Konferenca e Ambasadorëvet mori edhe një vendim tjetër që prekte sovranitetin e Shqipërisë, duke i njohur Italisë disa interesa të veçanta dhe një pozitë të privilegjuar mbi këtë vend. Sipas arësyes së shprehur në vendimin, prej cënimit të kufijvet ose të pavarësisë së Shqipërisë mund të rrezikohej sigurimi strategjik i Italisë. Prandaj, në një rast t'atillë, nëqoftëse Shqipëria nuk do t'ishte në gjendje të mprohej vetë, mund të kërkonte ndihmën e Lidhjes së Kombevet. Atëhere Anglia, Franca, Italia dhe Japonia do t'i propozonin Këshillit të Lidhjes që t'ia ngarkonte Italisë detyrën e rivendosjes së kufijvet të Shqipërisë. Në të njëjtën mënyrë do të veprohej edhe në rast se vihej në rrezik pavarësia ekonomike e Shqipërisë. Siç shihet, fuqitë e mëdha e linin shtetin shqiptar në sferën e interesavet t'Italisë.

Pas kësaj marrëveshjeje të re mbi Shqipërinë, Konferenca e Ambasadorëvet vendosi që të dërgohej një komision ndërkombëtar për të caktuar në vend kufijtë e saj.

Nga ana tjetër, edhe Lidhja e Kombevet vendosi që të dërgonte sa më shpejt një komision në Shqipëri për të hetuar gjendjen. Ky Komision Hetues ndërkombëtar, nën kryesinë e profesorit suedez Sederholm, arriti në javën e fundit të Nëntorit dhe i telegrafoi Lidhjes se, sipas hetimevet të bëra, ideja e një "republike të Mirditës" ishte krejt e pathemeltë, se Marka Gjoni me përkrahësit e tij ishin arratisur në Jugosllavi dhe se qetësia m'e plotë mbretëronte n'atë krahinë. Komisioni Hetues i Lidhjes së Kombevet e shëtiti të gjithë vendin, prej veriut në jugë, dhe raporti i tij, që u botua në Qërshor 1922, e paraqiste në dritë të mirë kombin shqiptar, duke ia vënë në pah cilësitë e vlefshme dhe mundësitë e zhvillimit. Vërtetonte gjithashtu se të qënët e Shqipërisë si shtet i pavarur ishte gjë fort e nevojshme nga pikëpamja ndërkombëtare për sigurimin e paqes në Ballkan. Komisioni i gjeti të pathemelta mtesat e Grekëvet. Ai u shpreh në mënyrë të prerë se të Krishterët e Shqipërisë së jugës nuk duhej kurrsesi të merrëshin për Grekë. Sipas atij, në tërë prefekturë e Gjirokastrës kishte nja 33.000 Grekofonë, dhe jo më tepër se 40.000 në tërë Shqipërinë. Raporti i Komisionit Hetues vlejti shumë për të davaritur në qarqet e Lidhjes së Kombevet mendimet e gabuara dhe propagandën e keqe rreth kombit shqiptar.

Për të shtypur rebelizmin e Marka Gjonit, qeveria e Tiranës ia ngarkoi kumandën e operacionevet Ahmet Zogut duke i dhënë ndihmës Bajram Currin. Por mbasi Jugosllavia u detyrua t'i tërhiqte trupat ushtarake deri në vijën e re që caktoi Konferenca e Ambasadorëvet, s'kish sesi t'a ndihmonte Marka Gjonin me fuqi t'armatosura. Prandaj ky u shpartallua prej forcavet shqiptare dhe u shtrëngua t'arratisej përsëri në Prizrend. Kur erdhi Komisioni Hetues i Lidhjes së Kombevet, në Mirditë mbretëronte qetësia.

Porsa që pavarësia dhe kufijtë e shtetit shqiptar u siguruan prej Konferencës s'Ambasadorëvet, më 9 Nëntor 1921, dhe rreziku i jashtëm u largua hëpërhë, "Bashkimi i Shënjtë" u çthur, grupet e mëparshëm rifilluan grindjet midis tyre, dhe qeveria e Pandeli Evangjelit u gjend në pozita të vështira. Më në fund qeveria erdhi në kundërshtim të hapët me Këshillin e Lartë, i cili e detyroi Pandeli Evangjelin të jepte dorëheqje. Por ata që u ngarkuan të formonin qeverinë e re, i pari, Qazim Koculi, pas këtij, Hasan Prishtina dhe, i treti, Idhomene Kosturi, s'iu qëndruan dot kundërshtarëvet dhe u rrëzuan njëri pas tjetrit brenda pak ditësh.

Në qendër të kësaj lëkundjeje, të këtij shqetësimi, ishte sigurisht figura e Ahmet Zogut, që po merrte rëndësi përditë e më tepër dhe i trembte të tjerët, sidomos Këshillin e Lartë. Ahmet Zogu po e sundonte grupin "popullor" në parlament, aq sa antarët demokratë të këtij grupi, me Fan Nolin në krye, ishin tërhequr më vehte. Pas operacionevet në Mirditë, Ahmet Zogu ishte në gjendje të lozte një rol më të madh, sepse kishte në dorë pjesën më të mirë të forcavet t'armatosura. Këtë "armë" deshën t'ia hiqnin nga dora. Këshilli i Lartë dhe qeveria katër-ditëshe e Hasan Prishtinës, e cila e shkarkoi nga kumanda e përgjithshme e operacionevet duke emëruar në vend të tij Bajram Currin. Por Ahmet Zogu nuk pranoi t'a dorëzonte kumandën, as me urdhër të Hasan Prishtinës as me atë t'Idhomene Kosturit që ia, përsëriti pas pak ditësh. Në të vërtetën, urdhërat e dhëna Ahmet Zogut prej kryeministrash si Idhomene Kosturi, i ngjanin përrallës së minjvet kur menduan t'i varnin zilen maçokut. Urdhërat nuk janë një copë kartë me një vulë në fund, por janë forcë vullneti e atij që është i zoti të kumandojë. Dhe ai që nuk e ka atë forcë vullneti, nuk mund të kumandojë dot kurrë. "Nuk do të kishte regjim më të keq nga demokracia, sikur regjimet e tjerë të mos ishin treguar më të këqij akoma", thoshte Winston Churchill-i. E meta m'e madhe e demokracisë - dhe aq më tepër e demokracisë së padisiplinuar - është se duan të sundojnë e të kumandojnë në një mënyrë të barabartë të gjithë ata që ndodhen në katin e sipërm të shtetit, si i dobëti dhe i forti, si i afti dhe i paafti. Figura e një të forti iu hedh hije frike të tjerëvet, të cilët s'mendojnë mandej veç si e si t'i lidhin atij këmb e duar, si Lilliputianët Gulliverit. Dhe mbasi që të gjithë druajnë se mos po iu del përpara ai ose ky, zgjedhin zakonisht për në krye të qeverisë a të shtetit atë më të padëmshmin, i cili është natyrisht edhe m'i paafti. Në këtë mënyrë, duke mos pasur një autoritet përsipër, të gjithë këta shkëlqesa e ndjejnë vehten krejt të lirë për të bërë kundër njëri-tjetrit luftë fjalimesh dhe rivalitetesh. Por shumica dërrmonjëse e popullit, domethënë nëntëqind-e-nëntëdhjetë-e-nëntë për mijë, nuk fiton gjëkafshë nga fjalimet e këtyre, dhe punët vetvetiu do të katandisen ose në kalbësimin e shoqërisë, ose n'ardhjen e një regjimi tiranik. Në Shqipëri ngjau kjo e dyta: më parë me Zogun, pastaj me komunizmin.

Pasi u kthye në Tiranë në krye të forcavet t'armatosura, në gjysmën e Dhjetorit 1921, Ahmet Zogu mori në dorë edhe kumandën e gjindarmërisë, thirri menjëherë parlamentin, dhe me anën e këtij rrëzoi antarët e mëparshëm të Këshillit të Lartë duke i zëvendësuar me katër shkëlqesa të tjerë: Ymer Pashë Vrionin, Refik Bej Toptanin, Sotir Pecin dhe Ndoc Pistullin. Pastaj formoi një qeveri të re duke vënë në krye të saj si kukëll Xhafer Ypin, ndërsa Zogu mbante për vehte Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Si ministër i Punëve të Jashtëme u emërua Fan Noli, i cili dha dorëheqjen pas nja dy muajsh.

Mbas këtyre ngjarjeve, Zogu iu përvesh punës haptas për të lidhur rreth vehtes krerë e bajraktarë të veriut, çifligarë e konservatorë që iu trembëshin reformavet, dhe ata që kishin qënë deri atëhere vegla t'Esad Toptanit e të pushtimevet të huaja. Në fillim, Zogu pat qënë pështetur në forcat nacionaliste dhe, pasi u dallua në Kongresin e Lushnjës, lozi një rol të rëndësishëm në qeveritë e pastajme për vënien e rregullit dhe shtypjen e rebelizmavet, i rrethuar prej disa oficerësh atdhetarë që e ndihmuan n'ato vepërime. Por mbasi doli në plan të parë, s'mendonte tjetër veçse të krijonte fuqi personale me elementet më konservatore dhe më prapanikë të vendit.

Në parlament, demokratët e partisë "popullore" u ndanë prej rrethit të Zogut dhe, bashkë me një pjesë të grupit "përparimtar", formuan një opozitë. Por duk' me qënë se "opozita" s'ia ndalte dot hovin Ahmet Zogut me mënyra parlamentare, disa nga kundërshtarët e tij, prej krerësh të veriut, deshën të vazhdonin shqiptarçe me anën e pushkës. Mirëpo "pushka", kur nuk i shërben një qëllimi të përgjithshëm kombëtar ose shoqëror, kur nuk përdoret në një mënyrë të disiplinuar, të hierarkizuar, të ndërlidhur, s'mund të sjelli veçse dëm e anarki. Ata krerë të veriut që çohëshin kundër Zogut, nuk ishin më pak ambiciozë nga ky, as një "dritë" m'e mirë, veçse donin t'a përmbysnin këtë për t'i zënë vendin. Dhe duke qënë sa koka aq kumanda, jo vetëm që s'ia arrinin dot ambicjes, por i sillnin dëmin më të madh Shqipërisë duke mos i lënë një çast qetësie, duke e paraqitur n'opinionin ndërkombëtar si një vend vazhdimisht në kryengritje dhe duke bërë, me dashje a padashje, lodrën e armiqve të jashtëm.

Nuk ishte tharë akoma gjaku i derdhur prej trathëtisë së Marka Gjonit, kur u lëshua Elez Isufi nga Dibra për të marrë Tiranën, i lidhur me Halit Lleshin, agjent i paguar i Jugosllavëvet, Mustafa Krujën, agjent i njohur i Italianëvet, Hamit Bej Toptanin, feudal rebel, dhe ndonjë atdhetar si Bajram Currin. Këta ngritën krye në Shqipërinë e veriut dhe të Mesmen, në fillim të Marsit 1922. Prej tyre, vetëm Elez Isufi mundi t'arrinte gjer brenda në Tiranë. Këshilli i Lartë, qeveria dhe pjesa m'e madhe e parlamentit iknë nga frika n'Elbasan. Por Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë për t'a mprojtur kreqytetin me forcat e gjidarmërisë, të cilat i kumandonte ai vetë. Ndërsa zhvillohëshin luftimet nëpër rrugët e Tiranës, ministri i Anglisë, H. Ayres, ndërhyri miqësisht pranë Elez Isufit dhe ia mbushi mendjen që të këthehej pas. Me tërheqjen e këtij, Zogu i shpartalloi bandat e Hamit Toptanit dhe mbeti sundonjës i vendit. Shtypja e kësaj lëvizjeje ia rriti fuqinë më shumë akoma Ahmet Zogut dhe ia forcoi autoritetin kundrejt qeveritarëvet të tjerë, Këshillit të Lartë dhe deputetëvet, të cilët e patën mbajtur frymën n'Elbasan.

Ndarja politike e brendëshme po merrte tani vija më të prera dhe po shkonte duke u përqendruar në dy grupime, që kishin midis tyre kundërshtim interesash dhe pikëpamjesh: mënjanë, konservatorët, çifligarët e mëdhenj, që po mblidhëshin për ditë e me tepër rreth Zogut duke e nxjerrë këtë në krye si njeriun e tyre më të fortë; n'anën tjetër, grupi i opozitës demokratike, ku shquheshin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Avni Rustemi, e të tjerë shkollarë.

Gjatë prendverës dhe verës së vitit 1922, kundërshtimi ndërmjet dy palëvet erdhi duke u acaruar, si në Tiranë ashtu edhe nëpër krahinat me rastin e zgjedhjevet bashkiake. Por Zogu duke e sunduar qeverinë si ministër i Punëve të Brendëshme, kishte në dorë mjetet dhe arkat e shtetit për të pregatitur marrjen e fuqisë, duke vënë më parë njerëzit e tij në vendet-kyç t'administratës dhe në kumandimin e forcavet t'armatosura. Pastaj, kur u hap sesioni parlamentar në Shtator t'atij viti, Ahmet Zogu bëri që të zgjidhëshin si antarë të Këshillit të Lartë Xhafer Ypi dhe Gjon Çoba, në vend të Ymer Pashë Vrionit dhe Ndoc Pistullit, të cilët ishin tërhequr disa muaj më parë. Kryeministër u bë ai vetë duke mbajtur edhe Ministrinë e Punëve të Brendëshme.

Mbasi shteti shqiptar, pas aq tronditjesh, po vihej n'udhë, duhej përcaktuar më mirë struktura e tij dhe sidomos ndarja e fuqivet ndërmjet organevet më të larta të pushtetit. Statuti i vendosur prej Kongresit të Lushnjës ishte mjaft i kufizuar dhe nuk parashikonte në hollësi se çfarë lidhjesh ndërmjet tyre dhe fuqie kundrejt njëri-tjetrit duhej të kishin parlamenti, Këshilli i Lartë dhe qeveria. Mbi këto çështje si edhe mbi formën e regjimit mund të vendoste përfundimisht vetëm një asamble kushtetonjëse. Por deri sa të mblidhej kjo, duhej gjetur një mënyrë rregullimi ndërmjet fuqivet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, për t'i dhënë shtetit një bazë parlamentare dhe nënshtetasvet një sigurim të lirivet demokratike.

Këtë desh të bënte parlamenti ose Këshilli Kombëtar, i cili u muar gjatë sesionit të vjeshtës me zgjerimin e bazavet të "Kanunores së Statutit të Lushnjës", zgjerim që u votua në Dhjetor 1922. Në parim, mbahej në fuqi regjimi i caktuar prej Kongresit të Lushnjës, që lidhej me idenë e monarkisë së vitit 1914, por që, në vend të princit, kishte hëpërhë një Këshillë të Lartë prej katër vetash, antarët e të cilit do të zgjidheshin prej parlamentit në çdo tre vjet.

Zgjerimi i Statutit të Lushnjës, që përmbante 129 nene të ndarë në katër kapituj, përcaktonte fuqitë që duhej t'ushtronin Këshilli i Lartë, parlamenti dhe qeveria, si edhe mënyrën e zgjedhjes ose t'emërimit të tyre. Fuqia e parlamentit shtrihej mjaft: përveç së drejtës për të vënë ligje, ai zgjidhte Këshillin e Lartë, kontrollonte vepërimet e qeverisë e cila duhej të merrte prej tij votëbesimin, ratifikonte traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të shtetit, dhe krijonte disa komisione që kishin lidhje me të, sikurse këshilli kontrollues i financavet etj.

Këshilli i Lartë emëronte qeverinë, kishte kumandën epërore të forcavet ushtarake, dekretonte ligjet e parlamentit etj. Kurse qeveria zbatonte fuqinë ekzekutive, politikën e brendëshme e të jashtëme të shtetit, dhe ishte përgjegjëse përpara parlamentit. Gjykatësit emërohëshin nga Këshilli i Lartë, pas propozimit të një komisioni të veçantë, dhe duhej t'ushtronin lirisht fuqinë gjyqësore.

Në kapitullin e tretë, shtesat e Statutit të Lushnjës përcaktonin të drejtat e nënshtetasvet, në pajtim me parimin e demokracisë dhe të lirivet që lidhen me të. Me zgjerimin e Statutit të Lushnjës krijohëshin kushtet ligjore për t'a vënë shtetin shqiptar në rrugën e demokracisë, për t'iu siguruar nënshtetasvet liritë brenda ligjit, pas aq shekujsh tiranie ose anarkie.

Por trubullimet e brendëshme vazhduan edhe në vitin 1923, në Shqipërinë e veriut, veçanërisht në krahinat e Tropojës dhe të Krumës, ku Bajram Curri me Hasan Prishtinën provuan të bënin një tjetër kryengritje kundër Zogut. Këto vepërime të marra tregonin më tepër kokëfortësi se sa një mendim politik të pjekur, dhe s'mund të kishin tjetër përfundim veçse dëmtimin e popullit dhe forcimin e autoritetit t'Ahmet Zogut, të cilin shumë veta e shikonin tani si njeriun e domosdoshëm për të mbajtur qetësinë dhe një farë rregulli n'atë kënd ferri të mallkuar.

Nuk kishin marrë fund as ngatërresat me shtetet fqinjë. Sipas vendimit të Konferencës s'Ambasadorëvet marrë më 9 Nëntor 1921, Komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufijvet arriti në Shqipëri më 1922. Ai përbëhej prej nga një përfaqësonjësi t'Anglisë, t'Italisë dhe të Francës; Japonia nuk desh të dërgonte, duke marrë si shkak që Shqipëria ishte tepër larg për të. Kryetar i Komisionit ishte gjeneral Tellini, italian. Sipas kërkesës së qeverisë shqiptare, Komisioni desh njëherë të rregullonte çështjen e 26 fshatravet të qarkut të Korçës që Greqia i mbante të pushtuar qyshse i shkeli ushtëria e saj më 1920. Komisioni vendosi që 14 prej këtyre fshatrave t'i këthehëshin Shqipërisë, duke ia bërë dhuratë Greqisë 12 të tjerët. Por kjo kërkonte gjëra më të mëdha akoma, veçanërisht njohjen e Protokollit të Korfuzit të vitit 1914. Pëmdryshe nuk pranonte bashkëpunim me Komisionin ndërkombëtar për caktimin e kufijvet. Qeveria shqiptare dhe Komisioni e hodhën poshtë atë kërkesë, dhe iu drejtuan Konferencës s'Ambasadorëvet dhe Lidhjes së Kombevet, të cilat ndërhynë pranë Greqisë duke e këshilluar që të tregohej m'e matur. Një valë të fortë sulmimesh kishte ngritur në shtypin grek çështja e 14 fshatravet të qarkut të Korçës, të cilët Greqia donte t'i gëlltiste bashkë me 12 të tjerët. Goditjet e shtypit drejtohëshin sidomos kundër gjeneral Tellini-t, i cili shikohej si përkrahës i anës shqiptare. Prandaj, kur Komisioni ndërkombëtar rifilloi punimet, më 1923, gjendja ishte fort e acaruar.

Atëhere ngjau një krim tepër i shëmtuar që vetëm fanatizmi kokëngushtë i Grekëvet mund t'a bënte. Në Gusht 1923, ndërsa Komisioni ndërkombëtar ishte duke udhëtuar prej Janine në Gjirokastër, bandat greke sulmuan automobilin e gjeneral Tellini-t dhe e vranë atë bashkë me dy oficerë italianë dhe një përkëthyës shqiptar që e shoqëronin. Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Shqipërinë, po edhe qarqet ndërkombëtare. Grekët e bënë këtë krim afër kufirit të Shqipërisë me qëllim që t'ua ngarkonin Shqiptarëvet dhe t'i tregonin këta si një popull t'ulët përpara "qytetërimit helenik". Mirëpo Italianët nuk hanin bar. Më parë se prefekti i Gjirokastrës, Kolë Tromara, t'a vërtetonte brënda tri ditësh me prova të pakundërshtuarshme që krimi ishte bërë prej Grekëvet, Italia pushtoi Korfuzin dhe i kërkoi Greqisë 50 milionë lireta si dëmshpërblim për vrasjen e gjeneralit dhe t'oficerëvet që e shoqëronin. Konferenca e Ambasadorëvet e njohu përgjegjëse qeverinë e Athinës për organizimin e krimit dhe e detyroi të paguante dëmshpërblimin. Njëhohësisht ndërhyri pranë Italisë që kjo t'a lëshonte ishullin e Korfuzit. Pas këtyre ngjarjeve, armiqësia greke kundrejt Shqipërisë u bë m'e tërbuar akoma, dhe këtë tërbim e shfrente kundër Çamërvet.

Ngatërresa dhe skena të mallëngjyershme nga ana e popullsisë shqiptare mbetur përtej kufijvet ngjajtën edhe gjatë përcaktimit të kufirit shqiptaro-jugosllav. Komisioni ndërkombëtar, bashkë me një përfaqësonjës të Shqipërisë, duhej të kalonte nëpër ato vende, prej Struge në Prizrend, duke marrë mandej anën e veriut. Por ngado që shkonte, popullsia shqiptare i delte përpara me lot për faqe dhe i lutej që ajo të përfshihej brenda kufijvet të Shqipërisë. Manifestime u bënë sidomos në Dibrën e Madhe, ku djalëria, duke kënduar këngë kombëtare, i kërkonte Komisionit bashkimin me Shqipërinë. Çështja e kufijvet nuk u përfundua dot tërësisht as më 1923, sepse Greqia nuk donte t'i lëshonte 14 fshatrat, dhe Jugosllavia, duke e interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të Londrës, donte të mbante Vermoshin e Shën-Naumin. Më në fund ia arriti qëllimit, se këta dy vende ia lëshoi Zogu më 1925. Kurse Greqia, e shtrënguar prej Konferencës s'Ambasadorëvet, i njoftoi Këshillit të Lidhjes së Kombevet, në vjeshtën e 1924-ës, se do t'i mbahej vendimit ndërkombëtar, dhe pas pak kohe i liroi të 14 fshatrat.

Një tjetër dram i dhëmbshëm për Shqipërinë ishte çështja e popullsivet shqiptare mbetur përtej kufijvet, në Jugosllavi dhe në Greqi. Lidhja e Kombevet ishte e zonja t'a detyronte Shqipërinë që t'iu çelte shkolla në gjuhën e tyre dhe t'iu njihte të gjitha të drejtat minoritare 33.000 Grekofonëve të prefekturës së Gjirokastrës, por nuk bëri asgjë për të detyruar Jugosllavinë dhe Greqinë që t'iu njihnin të njëjtat të drejta Shqiptarëvet, të cilët ishin dhjetra herë më shumë. Thirrjevet të shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombevet nuk ua vinte kush veshin, jo vetëm pse Shqipëria s'kishte përkrahje të jashtëme, po edhe sepse, duke qënë në kryengritje të përhershme, askush s'i jepte peshë.

Dy fqinjët, Jugosllavi e Greqi nuk kishin as nuk pranonin tjetër politikë kundrejt popullsivet shqiptare veçse atë të çfarosjes. Prandaj nuk mungonin n'asnjë rast e nuk kursenin asnjë mjet për t'ua bërë Shqiptarëvet jetën të pamundur, në mënyrë që këta të braktisnin vatrat stërgjyshore e të largohëshin. Për t'a zbrazur Çamërinë prej Shqiptarësh, Greqisë iu paraqit një rast i jashtëzakonshëm me nënshkrimin e traktatit greko-turk të Lozanës, më 30 Jenar 1923, që parashikonte shkëmbimin e popullsivet ndërmjet dy vendevet. Ndonëse Greqia ishte zotuar botërisht se nuk do të përfshinte Shqiptarët myslimanë të Çamërisë në numrin e popullsisë turke që do të shkëmbehej me Grekë të Turqisë, e shkeli fjalën si gjithnjë, dhe shpërnguli prej vatravet të tyre përmbi 60.000 çamër, të cilët i dëboi si "Turq" në thellësitë e Anadollit.

Jugosllavia gjeti një tjetër mënyrë. Ndënë mbulesën e një t'ashtuquajture "reformë agrare" u vu të bënte kolonizimin e Kosovës, duke sjellë aty Malazez, të cilëve iu jepte jo vetëm pjesën më të mirë të tokavet që ua rrëmbente Shqiptarëvet, po edhe një pjesë të banesës së këtyre. Me këto mjete dhe me anë përdhunimesh të papërshkruarshme, detyroi me qindra mijë Kosovarë të lëshonin truallin e tyre dhe t'emigronin në Turqi. S'iu njohu Shqiptarëvet kurrë një të drejtë, jo vetëm minoritare por as njerëzore: çdo botim i kapur në gjuhën shqipe dënohej si një krim. Me anë statistikash të rreme dhe duke e mbajtur shumicën e Shqiptarëvet për "myslimanë" ose "Turq", Jugosllavia e tregonte zyrtarisht dhe vazhdimisht 400.000 numrin e tyre, kurse Gazeta Zyrtare e Lidhjes së Kombevet, në Shtator 1921, vërtetonte se kishte një milion Shqiptarë në Jugosllavi.

Për t'iu shpëtuar ndjekjevet të pamëshirëshme, një pjesë Kosovarësh qenë arratisur në Shqipëri, ku vuanin e vdisnin nga uria, se shteti shqiptar s'kish me se t'i mbante. Gjithsaherë që Jugosllavia i kërcënohej Shqipërisë, lëshonte nga një valë tmerri mbi Kosovarët duke bërë me qindra viktima. Prej vitit 1913 e këtej, hemoragjia e Kosovës ka qënë një plagë që s'është mbyllur kurrë.

Një tjetër vështirësi për shtetin shqiptar, jo m'e vogël nga trubullimet e brendëshme dhe nga ndërhyrjet e fqinjëvet, ishte gjendja ekonomike e vendit. Kemi folur më sipër se Shqipëria kishte dalë prej sundimit otoman me një strukturë ekonomike krejt primitive dhe s'kishte asgjë të ndërtuar në kuptim të teknikës moderne. Toka punohej me mjetet e vjetra dhe s'nxirej dot prej saj as për të plotësuar nevojat ushqimore të vendit. Jo vetëm bujqit që s'dinin se ç'ishte teknika moderne, por as çifligarët pasanikë nuk interesohëshin për t'i mirësuar pronat e tyre me anën e mjetevet të reja. Ata ishin mësuar me përfitimin që nxirnin vetëm nga krahët e bujkut dhe nuk shtyhëshin më tutje. Prandaj shteti shqiptar, përveç artikujve të tjerë, duhej t'importonte nga jashtë edhe drithë në sasira të mëdha, gjë që e përmbyste balancën tregëtare me botën e jashtëme në dëm t'ekonomisë së vendit.

Industri nuk kishte pothuajse fare, dhe kjo, për t'u zhvilluar, gjente vështirësi të shumëllojshme. E para, nuk kishte as institute kredie, as bankë e monedhë kombëtare; e dyta, Shqiptarët pasanikë nuk ishin mësuar me shoqërira aksionesh, nuk kishin besim në qëndruarshmërinë e gjendjes së brendëshme, dhe iu pëlqente t'i mbanin "në qyp" ose t'i lëshonin me fajde të hollat e fituara me anë shfrytëzimesh të ndryshme. Mandej mungesa e rrugëvet, e uravet, e mjetevet të transportit, e bënte shumë të vështirë zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ndërmjet vjetëvet 1922-1923 u hapën në Shkodër e në Korçë nga një fabrikë duhani, dhe u formua në Durrës një shoqëri anonime e punimit të duhanit, e quajtur "Samas", më vonë "Stamles", e cila ishte e para që ngrihej në formë aksionesh me kapitale shqiptare. Nga të tjerat, përveç mullinjve të vajit të ndodhur që më parë, u ngrit ndonjë fabrikë mielli e makaronash, ndonjë fabrikë sapuni, ndonjë sharrë për të prerë e punuar drurin, si edhe ndonjë ndërmarrje e vogël për regjien e lëkuravet dhe përpunimin e kufizuar të disa prodhimeve bujqësore e blegtorale. Vlen të shënohen kriporet e Vlorës dhe të Durrësit, të cilat ishin prej shumë kohësh më parë, dhe nxirej prej tyre mjaft kripë sa për të plotësuar pothuajse nevojat e vendit.

Si pasuri të nëntokës, shfrytëzohej që në kohën e Turqisë prej një shoqërie frënge, e pastaj prej një tjetre italiane, sera e Selenicës. Mendohej të kishte shtresa të pasura vajgurore, përveç mineralesh të tjera. Për të marrë të drejtën e kërkimevet dhe konçesionin e shfrytëzimit të vajgurit të Shqipërisë, dy shoqëri të mëdha u gjendën kundra njëra-tjetrës, Anglo-Persiania dhe Shoqëria amerikane Standard Oil, të cilat u hëngrën në mest tyre për një punë që s'e vlente mundimin. Anglo-Persiania ishte vënë në lëvizje e para dhe, më 1923, kishte ardhur pothuajse në marrëveshje me qeverinë e Zogut për të marrë të drejtën e kërkimevet dhe konçesionin e shfrytëzimit. Anglia kish nja dy-tre vjet që interesohej për Shqipërinë, ndoshta nga shkaku i vajgurit, dhe Zogu desh t'afrohej sa më shumë me Anglezët. Prandaj qeveria e tij i pranoi, në parim, kushtet e Shoqërisë Anglo-Persiane, dhe projektin e marrëveshjes ia paraqiti parlamentit për miratim, më 23 Shtator 1923. Por n'atë kohë kishte ndërhyrë energjikisht Shoqëria amerikane Standard Oil, e cila propozonte edhe ngritjen e një rafinerie. Opozita parlamentare ishte për Shoqërinë amerikane. Natyrisht, porsa që shteti shqiptar nuk kishte kapitale as mjete teknike për t'i shfrytëzuar vetë pasuritë e nëntokës, duhej t'i jepte konçesionet e tyre në kushte sa më të mira. Por në rastin e shoqërivet angleze e amerikane hynin edhe faktorë politikë. Prandaj çështja pati një rrahje të nxehtë në parlament dhe s'u përfundua dot, mbasi ky do të shpërndahej në mbarim të muajit për t'ua lënë vendin zgjedhjevet t'Asamblesë Kushtetonjëse. Kështu ajo çështje mbeti për t'u shikuar prej kësaj. Po kur shoqëritë e mëdha Anglo-Persiane dhe Standard Oil diktuan më vonë se shtresat vajgurore të Shqipërisë nuk ishin aq të pasura sa mendohej, s'u interesuan më, dhe konçesionin e muarën më në fund Italianët.

Gjatë vitit 1923, qeveria e Ahmet Zogut i dha në konçesion disa çifliqe të shtetit shoqërisë italiane "Adriatiko" dhe nja 100 hektarë të tjerë të çiflikut Rreth një shoqërie zvicerane; po n'atë kohë, shoqëria gjermane "Inag" mori shfrytëzimin e pyllit ndërmjet Ishëm e Bregu-i-Matit.

Por shteti shqiptar, për t'a nxjerrë vendin nga ajo gjendje e prapambetur, kishte nevojë për ndihma të mëdha financiare e teknike, të cilat s'mund të plotësohëshin kurrsesi me burimet e brendëshme. T'ardhurat mezi mjaftonin për të mbajtur buxhetin vjetor të shtetit, i cili ishte më pak se 20 milionë franga ari. Në vjetët e parë kjo shumë mblidhej rregullisht, sepse në Shqipëri kishte mbetur mjaft ar prej ushtërivet evropiane në kohën e Luftës, malli shkonte mirë, dhe fshatarësia ishte disi në gjendje të paguante; mandej t'ardhurat doganore ishin një burim mjaft i rëndësishëm, mbasi populli ishte në gjendje të blinte. Këto kushte e ndihmuan shtetin shqiptar të kapërcente vështirësitë e para, të mëkëmbte administratën, të shtronte kryengritjet. Por mbasi Shqipëria n'atë kohë importonte dhjetë herë më shumë se sa eksportonte, i tërë ai ar dolli ca nga ca përjashta për të paguar deficitin e shkëmbimevet, dhe kriza ekonomike filloi të ndihej shumë shpejt.

Sido që t'ish, me mjetet e brendëshme Shqipëria nuk mund të dilte dot nga ajo gjendje mesjetare ku e kishte lënë sundimi otoman. Prandaj u përpoq të merrte një hua të jashtëme nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet prej kapitalesh t'ardhur nga shtete të paanshëm, që s'mund t'ushtronin ndikim politik mbi Shqipërinë. Flitej se disa banka të mëdha zvicërane dhe belge mund t'i jepnin Shqipërisë një hua në kondita mjaft të favorshme, po të garantohëshin nga Lidhja e Kombevet. Kjo e fundit kish dërguar në Shqipëri, më 1922, ekonomistin Albert Calmes për të shikuar gjendjen ekonomike e financiare të vendit dhe për të dhënë një mendim se cilat ishin mundësitë e zhvillimit të tij. Por kryengritjet e pareshtura njëra pas tjetrës nuk jepnin besim në shtetin shqiptar, përjashta, dhe bankierët nisën të ngurronin. Ndoshta edhe ndërhyrjet e para të shoqërivet Anglo-Persiane dhe Standard Oil iu prenë rrugën kapitalevet që mund të vinin prej shtetesh më të vegjël. Por qenë sidomos ngjarjet e brendëshme ato që s'linin shtek për një politikë ndërtimi, as siguri për një kredi të jashtëme.

Krahas me prapambetësinë ekonomike qëndronte prapambetësia kulturore. Populli, lart nga tetëdhjetë për qind, ishte analfabet, domethënë s'dinte shkrim e këndim. Shkollat nuk ishin të mjaftuarshme sepse mungonin mësuesit, mungonin lokalet, mungonin orenditë dhe sendet e mësimit, mungonin librat, mungonte gjithëçka. Nganjëherë ndërtesat shkollore ishin ca shtëpi të vjetëra pa dyer e dritore, ku të gjorët nxënës dridhëshin prej të ftohtit. Megjithatë, dëshira e mësimit ishte e nxehtë, sidomos në Shqipërinë e jugës, ku jo vetëm qytetarët po edhe fshatarët s'kursehëshin për shkollat, kërkonin prej qeverisë hapjen e tyre, dhe dërgonin të gjithë fëmijët, djem e vajza. Por shteti s'kish mundur të hapte deri atëhere veçse nja 550 shkolla fillore, nja 50 plotore, nja tri a katër të mesme, si normalja e Elbasanit, liceu frëng i Korçës, gjimnazi i Shkodrës, dhe shkolla teknike e Tiranës që u çel dhe mbahej nga Kryqi i Kuq amerikan. Për të pregatitur profesorë, inxhenjerë, mjekë, agronomë, gjyqtarë etj., shteti pat dërguar mjaft djelmosha me bursa studimi nëpër shkollat e larta t'Evropës.

Një kujdes të veçantë tregonin n'atë kohë arësimtarët e vjetër për spastërimin e gjuhës dhe zëvendësimin e fjalëvet të huaja me tingujt e ëmbël të shqipes. Edhe skajet shkencore filluan t'i nxirnin - dhe delnin fort bukur - prej gjuhës amtare, rrënjët e së cilës, aq të lashta sa histori e njerëzisë, prisnin prej katër mijë vjetësh prendverën e lulëzimit. Ato pak libra shkollore që ishin pregatitur n'atë kohë - ca libra të thjeshta këndimi dhe mësimi - shquhëshin nga pastërtia e gjuhës, nga fuqia e shprehjes, nga rrjedhja e natyrëshme e fjalivet ashtu siç vinë vetvetiu në shqipen. Një përpjekje të mirë në këtë drejtim pati bërë Komisioni Letrar, që u formua në Shkodër me përkrahjen e Austrisë, në kohën e Luftës. Mjerisht, më vonë, nuk u ndoq ky rregull. Prej ftohjes së ndjenjavet kombëtare, ose prej ndikimit të gjuhëvet të huaja ngaha merrnin mësimet studentët shqiptarë - ndoshta edhe pse brezi i ri nuk ishte në lartësinë e atij më të vjetrit - gjuha shqipe erdhi duke u prishur prapë; vendin e orientalizmavet të dikurshme e zunë barbarizmat e futura prej gjuhëvet të Perëndimit, dhe ligjërata e bukur e saj erdh e u bë si një gjuhë skele ndërkombëtare. T'ashtuquajturit shkollarë i përftojnë mendimet e varfëra të tyre në kallëpin e gjuhëve të huaja dhe i derdhin në një shqipe lesh-e-li që s'përputhet gjëkundi me të folmen e vërtetë të saj.

Për t'iu gjetur zgidhje gjithë këtyre problemeve, ose më mirë, për t'i vënë në një rrugë zgidhjeje, nuk mungonin mendimet theorike t'opozitës dhe të një pjese të djalërisë shkollare. Por mungonin mjetet dhe m'e keqja ishte se, midis mendimeve të këtyre dhe mendësisë së popullit, kishte një ndryshim shumë të madh. Opozita kërkonte reformën agrare, lirinë e organizimevet, spastërimin e administratës, zhvillimin e arësimit, të shërbimevet mjekësore, ndërtimin e rrugëvet etj., por nuk kishte një program praktik sesi mund t'iu arrihej këtyre qëllimeve, dhe ajo vetë përbëhej prej elementesh të ndryshëm që kundërshtonin njëri-tjetrin. Sa për djalërinë shkollore, e cila n'atë kohë udhëhiqej prej Avni Rustemit, ajo përsëriste gjithë ç'dëgjonte nga zhurmat e lëvizjevet socialiste evropiane, pa u menduar edhe aq thellë se ç'mund të bëhej dhe ç'nuk mund të bëhej në Shqipërinë e atëhershme. Më 1921, Avni Rustemi ish përpjekur t'i bashkonte shoqëritë e mëparshme në një organizatë të përgjithshme, e quajtur Federata "Atdheu". Më vonë themeloi shoqërinë "Bashkimi", me qendrën në Tiranë, e cila u përpoq të hapte degë në mjaft qytete, dhe lozi një rol të rëndësishëm në ngjarjet e vitit 1924. Ishte e para herë që djalëria shqiptare hidhej në jetën politike të vendit në një mënyrë t'organizuar.

Mbasi kundërshtimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës po vinte duke u acaruar, u pa e nevojëshme të bëhëshin zgjedhjet për Asamblenë Kushtetonjëse. Në Gusht 1923, Këshilli i Lartë thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit për t'i parashtruar projektligjin e zgjedhjevet që kish pregatitur qeveria. Një luftë e ashpër u bë rreth projektit qeveritar, sepse opozita kërkonte zgjedhje më demokratike. Megjithëse edhe kjo e mbante parimin e zgjedhjevet në dy shkallë (domethënë me anë zgjedhësash të dytë), donte që pjesëmarrja e popullit t'ishte m'e gjerë, që çdo numër 100 vetash, dhe jo 500, të nxirte një zgjedhës të dytë, dhe të delte një deputet për çdo 8.000 frymë. Këto dhe disa propozime të tjera t'opozitës u rrahën nxehtësisht, por më në fund u gjend një rrugë e mesme, zgjedhjet u caktuan për në muajin e Dhjetorit dhe parlamenti u shpërnda më 30 Shtator 1923.

Kuptohet se fushata e zgjedhjevet qe fort e nxehtë. U krijuan lloj lloj grupesh me emra demagogjikë të ndryshëm. Shoqëria Bashkimi bëri zhurmë sa mundi. Por ana e çifligarëvet dhe e konservatorëvet prapanikë ishte gjithmonë m'e forta, mbasi n'atë kohë lidhjet ishin personale, "zgjedhjet" bëhëshin nëpërmjet zgjedhësash të dytë, të cilët ishin zakonisht nga parësia e krahinave dhe shkonin si gjithmonë pas bejlerëvet dhe pasanikëvet. Nëse "opozita" mund të kishte një numër deputetësh, këtë nuk ua detyronte edhe aq "idevet përparimtare", as zhurmës që bënte Shoqëria Bashkimi, por sepse në gji të saj ndodhëshin mjaft bejlerë e njerëz me emër, të cilët tërhiqnin votat e zgjedhësavet të dytë për të njëjtat arësye. Mirëpo këta nuk kishin asnjë dëshirë të vërtetë për ndryshime të mëdha, e sidomos për reformën agrare, se ishin vetë pronarë, dhe ato parulla i pranonin vetëm si një demagogji për të gjetur pështetje në rrymat e reja kundër klikës s'Ahmet Zogut, të cilën e luftonin për rivalitet pozitash dhe jo për mospajtim parimesh. Prandaj, sikur të vinin në fuqi, do të tregohëshin edhe këta pengonjës të reformavet aq sa të tjerët, por me ndryshim se, ndërsa të tjerët kishin në krye një njeri të fortë si Zogun, këta s'ishin veçse një grumbullim i rastit, demagogë fjalë-mëdhenj, që s'kalonin dot prej fjalëvet në vepra. S'ishin të zotët as të mbahëshin në fuqi, sepse nuk formonin dot midis tyre një hierarki të disiplinuar.

Ndërkaq, Zogu kishte lozur të gjithë gurët për të forcuar pozitat e tija brenda dhe jashtë shtetit. Përbrenda, kish lidhur rreth vehtes klasën e bejlerëvet të mëdhenj dhe një pjesë krerësh të veriut, përveç një numri burokratësh, oficerësh, karrieristësh e aventurierësh të çdo kallëpi. Për të siguruar një mbështetje të fortë në Shqipërinë e Mesme, ishte mbluar me të bijën e Shefqet Vërlacit, m'i pasuri dhe m'i fuqishmi i bejlerëvet të Shqipërisë. Kurse jashtë shtetit, sidomos pranë Anglezëvet, Ahmet Zogu kish dashur të jepte përshtypjen se vetëm ai ishte i zoti të mbante qetësinë në Shqipëri. Ishte tepër shqetësonjës afrimi i tij me Jugosllavët. Ahmet Zogu e kish kuptuar se prej shtetevet fqinjë, Jugosllavia ishte ajo që praktikisht mund të lozte rolin më të madh në punët e brendëshme të Shqipërisë. Prandaj kish nisur t'afrohej shumë me të, sidomos qëkur erdhi në kundërshtim të hapët me irredentistët kosovarë, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën. I shtronte dreka e darka ministrit të Jugosllavisë në Tiranë , nuk donte që shtypi të merrej me çështjen e Kosovës, shenja këto që hidhnin shqetësim në qarqet e atdhetarëvet.

Zgjedhjet u bënë në Dhjetor 1923 dhe, sikurse mund të parashikohej, grupi qeveritar me Ahmet Zogun në krye fitoi shumicën e vendevet. Shkaku ishte ai që treguam më sipër, se zgjedhësat e dytë anonin përgjithësisht nga konservatorët dhe bejlerët e mëdhenj. Për n'Asamblenë Kushtetonjëse u zgjodhën gjithësejt nja 95 deputetë, të cilët ndahëshin në tre grupe: ai i konservatorëvet që përkrahte qeverinë; ai i opozitës ose i "radikalëvet" me Fan Nolin si kryetar; dhe midis tyre një grup i tretë gjoja "i pavarur" por që mbante anën e partisë qeveritare. Kështu opozita ndodhej në pakicë kundrejt dy grupevet të tjerë të cilët, kur lidhëshin bashkë, përbënin një shumicë të rëndësishme, pothuajse dy me një, përballë grupit të "radikalëvet".

Pra ishte fort e vështirë që punët e brendëshme të Shqipërisë të rregullohëshin nëpër rrugë parlamentare. Trubullimet vazhduan edhe pas zgjedhjevet. Ahmet Zogu nuk desh të jepte dorëheqjen nga kryesia e qeverisë. Por mbasi edhe grupi i deputetëvet të tij, ndonëse pak m'i madh se ai i opozitës, nuk mund të formonte shumicën n'Asamble pa u bashkuar me pjesën e t'ashtuquajturvet të "pavarur", Ahmet Zogu detyrohej t'iu bënte këtyre disa lëshime.

Grupi i-opozitës kishte nja 35 deputetë, të cilët, ndonëse nuk paraqitëshin me një program të përcaktuar mirë, kërkonin, në vija të përgjithshme, reformën agrare dhe zhdukjen e mbeturivet të feudalizmit, spastërimin e administratës nga elementi i prapambetur, liri të plota demokratike, zhvillime e ndërtime të çdo lloji, shkurt, të gjitha sa mund të thuhen nëpër fjalime. Nga shkollarët më të shquar të këtij grupi ishin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau etj., dhe bazat e fuqisë ky i kishte sidomos në Shqipërinë e jugës ku disa nga antarët e tij, si Qazim Koculi e Ali Këlcyra, gëzonin mjaft simpathi në popull; po ashtu Fan Noli e Stavro Vinjau. Prej veriut, kishte një pjesë të deputetëvet të Shkodrës, irredentistët kosovarë dhe disa nga kundërshtarët e Zogut, por këta jo të gjithë për qëllime reformash.

Kur u pa se zgjedhjet nuk dhanë përfundim të mirë dhe se Zogu nuk mund të mënjanohej në mënyrë demokratike, disa nga kundërshtarët e tij menduan t'a zhduknin me anën e një atentati, por s'ia arritën dot qëllimit. Ndonëse Zogu, i plagosur lehtë, tregoi gjakftohtësi n'atë rast, kjo ngjarje e ashpërsoi shumë gjendjen. Një qeveri e re u formua nën kryesinë-e Shefqet Vërlacit, ku hynin edhe të tjerë bejlerë bë mëdhenj, por këto ndryshime të përcipta s'kishin asnjë rëndësi, sepse Zogu mbetej gjithmonë njeriu m'i fortë i atij rrethi. Mandej Shefqet Vërlaci, që s'kishte marrë pjesë kurrë në lëvizjen kombëtare, s'mund të përfaqësonte veçse klasën e çifligarëvet robëronjës të Shqipërisë. Prandaj gjendja nuk u zbut as kur, më vonë, u futën në qeveri edhe disa ministra prej opozitës.

Gjatë kësaj kohe, Zogu s'pushoi së vepëruari dhe së forcuari tarafin e tij, duke përdorur çfarëdo lloj mjeti. Flitej se krimi i shëmtuar i Mamurasit, ku u vranë dy nënshtetas amerikanë që udhëtonin për në Shkodër, ishte i shtytur prej tij, me qëllim që t'i tregonte botës së jashtëme se s'mund të kishte qetësi as rregull në Shqipëri po të mos ishte ai në fuqi.

Por ngjarja që shkaktoi tronditjen më të madhe e që e përmbysi atë gjendje ishte vrasja e Avni Rustemit, i cili plagosur rëndë në një rrugë të Tiranës, më 20 Prill 1924, dhe vdiq pas ditësh. Mbasi punët kishin rrjedhur ashtu si i dimë, dhe gjindarmëria nuk tregoi asnjë zell për të kapur vrasësin, s'mbetej pikë dyshimi se shtytësi i vrasjes ishte Zogu. Gjakrat u nxehën tepër, manifestime të mëdha u bënë në Tiranë dhe pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, sepse Avni Rustemi shikohej si një hero. Me anë mbledhjesh, fjalimesh dhe telegramesh protestimi u çfaq urrejtja kundër qeverisë dhe veçanërisht kundër Zogut. Opozita parlamentare caktoi që Avni Rustemi të varrosej në Vlorë, ku shkuan përfaqësonjës dhe u dërguan kurora nga e tërë Shqipëria. Varrimi, që u bë më 1 Maj e ku merrnin pjesë me mijëra veta, u shndërrua në një manifestim kombëtar dhe kryengritës. Në Shqipërinë e jugës, Vlora dhe ndonjë qytet tjetër nuk po i bindëshin më qeverisë së Tiranës, në veri u shtuan trubullimet, por në të vërteten nuk pat një kryengritje popullore ashtu si është menduar gjer më sot nga "marksistët" dhe demokratët e kafenevet.

E ashtuquajtura "Kryengritje e Qërshorit" ishte si një lloj grusht-shteti që u bë kundër qeverisë nga dy regjimente ushtarakë. Vrasja e Avni Rustemit shkaktoi tronditje kudo dhe manifestimet e Vlorës e nxehën mjaft atmosferën, aq sa aparati i shtetit u paralizua në disa qytete. Por një kryengritje me armë nga ana e popullit nuk pati, përveç ndonjë grupthi të djemurisë së "Bashkimit" dhe lëvizjes së përhershme të Bajram Currit në rrethin e Tropojës e të Krumës. Djalëria e Vlorës, me anën e një pritjeje të bujëshme dhe duke e quajtur "Mustafa Qemal" të Shqipërisë, mundi t'i frynte mendjen kumandarit të garnizonit ushtarak të Përmetit, nënkolonel Kasëm Qafëzezit, një pijanec që s'merrte vesh se ç'bëhej, gjersa e bindi të ngrihej me regjimentin e tij kundër qeverisë së Tiranës. N'ato ditë ishte shpallur kundër qeverisë edhe kumandari i regjimentit të Shkodrës, nënkolonel Rexhep Shala. Dy nënkolonelat me regjimentet e tyre u bënë boshti i "kryengritjes", rreth të cilit u mblodhën fuqitë e Bajram Gurrit dhe ndonjë grup i vogël vullnetarësh. Qeveria u zu në befasi dhe s'mundi të bënte qëndresë, mbasi u sulmua nga veriu e nga juga. Disa merçenarë që dërgoi në Berat, u thyen brenda dy ditësh prej fuqivet ushtarake të Përmetit dhe vullnetarëvet të Skraparit që i kumandonte kapiten Riza Cerova. Pasi qeveria s'bëri dot qëndresë as në veri dhe aparati i saj u çthur, Ahmet Zogu me një pjesë të rrethit të tij dhe me nja 500 merçenare u arratis në Jugosllavi, ndërsa krerët e tjerë të partisë qeveritare u hodhën n'Itali ose kaluan në Greqi. Fuqitë kryengritëse, domethënë dy regjimentet dhe një turmë e mbledhur rreth tyre, hynë në Tiranë më 10 Qërshor 1924.

Çdo gjë që fitohet lehtë, nuk ka shumë vleftë as rëndësi. Kjo u vërtetua edhe me "Kryengritjen e Qërshorit". Një qeveri u formua në Tiranë nën kryesinë e Fan Nolit, me dy nënkolonelat si ministra, njëri i Luftës, tjetri i Punëve të Brendëshme, Sulejman Delvina, i Punëve të Jashtëme, Luigj Gurakuqi, i Financavet, Stavro Vinjau, i Drejtësisë dhe i Arësimit, Qazim Koculi, i Punëvet Botore dhe i Bujqësisë.

Përveç dy nënkolonelavet që bënin provën e parë në jetën politike dhe Stavro Vinjaut që ishte djalë i ri, katër të tjerët ishin të njohur si atdhetarë të vlefshëm dhe njerës që kishin mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi të rënda kombëtare në të kaluarën. Prandaj një qeveri e bërë prej tyre u prit mirë dhe gëzoi të gjithë ata që donin t'a shihnin Shqipërinë të përparuar e të lumtur. Fan Noli, për shërbimet që i kishte sjellë deri atëhere atdheut, e meritonte vendin që zuri. Të qenët e tij në krye të qeverisë, dhe ndoshta më vonë në krye të shtetit, ishte një rast shumë i mirë për t'a nxjerrë një pjesë t'Orthodoksvet nga ftohja shekullore kundrejt Shqipërisë dhe për t'a bërë që të hidhej më me besim në veprimtarinë kombëtare.

Por mjerisht, këto shpresa mbetën të thata dhe s'kish sesi të përmbushëshin. Kryengritja e Qërshorit kishte qënë një ndërrim i përciptë i qeverisë, që s'kishte ndërruar asgjë në strukturën dhe në kuadrot drejtonjëse të shoqërisë shqiptare. Populli shkonte gjithmonë pas krerëvet që kish pasur deri atëhere, të cilët kishin mbetur me të njëjtën mendësi dhe mbanin të njëjtat lidhje me klasën sundonjëse të mëparshme. Reformën agrare e kuptonin dhe e kërkonin disa shkollarë, por jo fshatarësia për të cilën duhej të bëhej. Mandej kuadrat e administratës së shtetit (të larta e t'unjëta) dhe të forcavet t'armatosura mbetëshin ato që ishin, dhe s'mund të pritej spastërimi i tyre prej dy nënkolonelavet, të cilët ishin edhe vetë prej asaj balte. Sa për shkollarët, ata po e shihnin tani se në disa punë që lidhen me strukturën ekonomike e shoqërore të një vendi, është shumë më kollaj të flitet se sa të veprohet. Dhe ata kishin folur aq shumë për reforma, sa që s'dinin se nga t'a kapnin fillin e tyre tani që ndodhëshin në fuqi, prandaj mbetën pa bërë asgjë.

E vërteta ish se "reformatorët" kishin ardhur në fuqi si ca fletë të këputura që i sjell vala, dhe s'kishin se me çfarë force t'i ndërronin kuadrat drejtonjëse të shtetit dhe të shoqërisë, as me se t'i zëvendësonin. Sepse iu mungonin kuadrat e reja, iu mungonin mjetet, kapitalet... Natyrisht, këto pengesa nuk ishin të pakapërcyershme sikur Fan Noli ose Kasëm Qafëzezi të kishin qënë "Mustafa Qemali" i Shqipërisë. Por mbasi Mustafa Qemalët nuk lindin më çdo qoshe rruge, kishte fort të ngjarë që "Kryngritja e Qërshorit" të kalonte si një aventurë dhe punët të këthehëshin përsëri në gjendjen e mëparshme. Sa për djalërinë e Shoqërisë "Bashkimi", ajo bëri mjaft zhurmë nëpër qytetet, tregoi sjellje rrugaçësh në disa raste duke iu dhënë vaj ricine ca kundërshtarëve, por nuk shkoi më tutje. Mbasi nëntëdhjetë për qind të popullsisë e përbënin fshatarë e malësorë, ku djalëria e qytëtevet nuk kishte asnjë hyrje, merret me mend se roli i kësaj ishte fort i kufizuar, dhe bërtimat e saja s'e tronditnin dot aq thellë strukturën e brendëshme shqiptare.

M'e keqja ishte se "Kryengritja e Qërshorit" dhe qeveria që dolli prej saj nuk kishin njeri në krye; Fan Noli ishte si një "figurë nderi", i cili as ishte i zoti të kumandonte, as kishte fuqi sunduese. Në qeverinë e tij gjithkush bënte pas kokës së vet. Shumë nga ata që kishin thirrur për reformat, në të vërtetën nuk i donin, sepse këto preknin interesat e tyre, dhe i tërë aparati i shtetit përbëhej prej elementesh që kundërshtonin njëri-tjetrin. Fan Noli vetë kishte një kompleks psikik nga ata që janë të dënuar të dështojnë gjithmonë kur është punë vepërimi; sepse nuk janë të zotët që të vendosin kur duhet dhe siç duhet, ose bëjnë gjithnjë të kundërtën e asaj që duhet bërë. Pazotësinë e marrjes së një vendimi e tregoi në punët e brendëshme, dhe prirjen nevrotike për të bërë të kundërtën e asaj që duhej bërë e tregoi në politikën e jashtëme. Ky "flamurtar" i reformavet, mbasi s'kishte as dinte se ç'të bënte në krye të qeverisë e shkonte kohën duke përkëthyer Omar-Khajamin ose duke mësuar t'i binte fyellit! Më në fund, kur dështoi me të gjitha, përqafoi komunizmin, për t'i sjellë Shqipërisë ato që ky regjim i pruri më pastaj.

Pak ditë pasi u formua, qeveria e re shpalli, më l9 Qërshor, programin e saj prej 20 pikash, ku premtohëshin në vija të përgjithshme përmirësimet dhe reformat që ishin folur deri atëhere dhe që nuk u vunë kurrë në zbatim. As kish sesi të zbatohëshin, kur qeveria nuk e sundonte dot gjendjen, kur në gji të saj filluan menjëherë kundërshtimet, sepse të shumtët e atyre që erdhën në fuqi s'kishin pasur asnjë qëllim reformash. Vetë Sulejman Delvina u përgjigj se reformat që kërkonin të rinjtë ishin "gjepura". Qeveria nuk shpalli dot as zgjedhje të reja për të "legalizuar" të paktën vehten e saj. S'kish guxim t'i shpallte, sepse nuk besonte në përfundimin e mirë të tyre.

Mbasi nuk kish se ç'të bënte në Shqipëri, Fan Noli u nis me ministrin e Financavet, Luigj Gurakuqin, për në Lidhjen e Kombevet, me qëllim që të kërkonte ndonjë hua ndërkombëtare nën garantinë e Lidhjes. Me atë rast desh të kërkonte edhe përfundimin e çështjes së kufijvet (mbasi Greqia mbante akoma 14 fshatrat e qarkut të Korçës dhe Jugosllavia Vermoshin e Shën-Naumin) dhe të ndalonte shpërguljen e Shqiptarëvet myslimanë të Çamërisë, të cilët Greqia po i përfshinte si "Turq" në shkëmbimin e popullsivet.

Disa vjet më parë, Fan Noli kishte bërë përshtypje shumë të mirë në Lidhjen e Kombevet duke mprojtur çështjen shqiptare me zotësi dhe urtësi. Këtë radhë nuk u prit edhe aq mirë, jo vetëm sepse Lidhja e Kombevet s'e merrte me gjithë mend shtetin shqiptar, ku s'pushonin kurrë kryengritjet, po dhe vetë Fan Noli shikohej si kryetari i një qeverie të pa "legalizuar".

Atëhere Peshkopi i ynë hipi në tribunë, nga mbarimi i Shtatorit, dhe ia numëroi të gjitha Lidhjes së Kombevet se ç'ishte e tek ishte, sesi e përdornin fuqitë e mëdha për interesat e tyre nën një mbulesë fjalësh hipokrite, sesi punët e saja ishin flluska sapuni, sesi ajo ishte zhytur në një burokraci të mërzitshme, me komisione e nënkomisione, dosjet e të cilëve flinin nëpër sirtarët ku i mbulonin cergat e merimangavet, dhe tregoi se demokracia s'ishte veçse një mashtrim për popujt dhe zgjedhjet e lira, një komedi. Natyrisht, të gjitha këto mund t'ishin të vërteta - dhe s'ishte Fan Noli ai që i zbulonte për të parën herë - por këtë lloj të vërtete mund t'a thoshte një shkrimtar ose një filozof, dhe jo një kryetar qeverie që kishte vajtur për të kërkuar ndihmën e Lidhjes së Kombevet. Fan Noli, si mendimtar, duhej t'a kuptonte që, nëse punët e popujvet shkonin ashtu si i tregoi ai, kjo do të thotë se ashtu është edhe natyra e lidhjevet njerëzore, të cilën nuk do t'a ndryshonte fjalimi i tij. Pastaj Lidhja e Kombevet diçka kishte bërë për Shqipërinë në dy-tre vjetët e parë, dhe Shqipëria, e shtrënguar prej fqinjëvet s'kish se ku të gjente një tjetër strehë përveç asaj. Jugosllavia u tërhoq prej Shqipërie më 1921, sepse e kërcënoi Anglia nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet. Por çdo të bëhej tani që Zogu ndodhej në Jugosllavi duke pregatitur me Pashiçin grushtin që do t'i jepte qeverisë së "reformatorit"?

Fjalimi i Nolit, i cili ishte edhe i bukur nga ana letrare, u botua me bujë prej shtypit t'atyre shteteve që ishin kundër Lidhjes së Kombevet, si Rusia bolshevike, Gjermania etj., por u përbuz prej qarqevet frënge e angleze; dhe ishin këto dy fuqi që mbizotëronin atëhere n'Evropë dhe në botën e Mesdheut.

Prej këtij akti të parë, Fan Noli kaloi shpejt n'aktin e dytë të dramit të tij heroikomik: lidhi marrëdhënie diplomatike me Rusinë komuniste. N'atë kohë, Rusia sovietike nuk kishte pozitën ndërkombëtare që ka sot, ku shumë shtete jo-komunistë, sidomos t'Azisë dhe t'Afrikës, duan të përfitojnë prej lidhjevet me të, qoftë për të marrë ndihma lëndore e teknike, qoftë për t'iu qëndruar ndërhyrjevet të Perëndimit. N'atë kohë bolshevizmi shikohej si një murtajë, dhe fuqitë perëndimore donin t'a mbanin larg Evropës, larg Ballkanit dhe Mesdheut. Anglia, Franca, Italia, Austria, Suedia dhe Norvegjia e njohën Bashkimin Sovietik vetëm më 1924, kurse shtetet e Ballkanit s'kishin akoma asnjë lidhje me të. Merret me mend nëse këto fuqi do të lejonin që Shqipëria të bëhej një vatër e bolshevizmit në Mesdhe, për të kënaqur fantazinë e Fan Nolit! Në këto vepërime Hirësia e tij u tregua si i frymëzuar prej Don Kishotit, kurse mund t'i kish vlejtur më shumë urtësia e Sanço Pançës. Njeriu me të cilin u këshillua Fan Noli për të lidhur marrëdhënie me Bolshevikët ishte Kostandin Boshnjaku, një aventurier prej Durrësi, që kish qënë më parë tregëtar n'Odesa dhe, pas revolucionit komunist, ish kthyer në Shqipëri si agjent i Rusisë. Kështu, në një ditë të Dhjetorit, misioni diplomatik rus, i përbërë prej 18 vetash, zbriti në Durrës. Por me ndërhyrjen e rreptë t'Anglisë, qeveria shqiptare u detyrua t'a përzinte pas dy ditësh. Sa keq për një qeveri që s'e kish parashikuar dot këtë gjë!

Siç shihet, aventurat e Fan Nolit e shpejtuan përmbysjen e "regjimit të Qërshorit", i cili do t'ishte shpartalluar sigurisht edhe pa ato. Por pas atyre ngjarjeve, Anglia e shtyti Jugosllavinë, si edhe Greqinë, që të përkrahnin këthimin e Zogut në Shqipëri. Nga ana tjetër, frika e bolshevizmit dhe e aventuravet ndërkombëtare i trembi shokët e Nolit, të cilët filluan të ndahëshin rremba rremba dhe të formonin "partira", që në të vërtetën s'ishin veçse emra të zbrazët "Radikal-Demokrate", "Nacional-Demokrate", etj. Por çthurja kishte nisur edhe më përpara, sepse i tërë ai grumbull ishte si një tok prej kashte që s'e lidhte asgjë. Dy nënkolonelat, që ndodhëshin në krye t'administratës dhe të forcave ushtarake, ishin dhënë pas dëfrimevet dhe s'interesohëshin për gjë tjetër. Kështu kuadrat e larta t'ushtërisë dhe t'administratës punohëshin prej agjentëvet të Zogut dhe të Jugosllavisë, të cilët vinin rreth lirisht në Tiranë dhe nëpër malësitë e veriut. Njëkohësisht, Zogu po pregatiste në Jugosllavi fuqitë e sulmimit, i ndihmuar prej Ceno Kryeziut, i cili hynte e delte në Belgrad si në shtëpinë e tij.

Pashiçi, që kishte derdhur gjith atë gjak Shqiptarësh më 1913, siç pat futur në Shqipëri Esad Toptanin më 1914, Marka Gjonin më 1921, po fuste tani Zogun duke i dhënë mjetet që i duhëshin. Dhe ia la trashëgim Dushan Mugoshës që të krijonte më vonë partinë e Enver Hoxhës. Nga këto kuptohet se çfarë roli të rëndësishëm ka lozur Jugosllavia në punët e brendëshme dhe ndërrimin e regjimevet të Shqipërisë.

Përpara se të niste sulmi, Jugosllavët kishin përqendruar trupa gjatë kufijvet dhe filluar nga provokimet. Me të hollat që i dhanë Anglezët (Shoqëria Anglo-Persiane), me armët dhe municionet që i dhanë Jugosllavet dhe me forcat merçenare që pregatiti në Jugosllavi, ku mblodhi Rusë të Bardhë e aventurierë, Ahmet Zogu e sulmoi Shqipërinë nga mesi i Dhjetorit 1924. Një regjiment i ushtërisë së rregullt jugosllave shkeli kufirin shqiptar për t'iu hapur udhën bandavet merçenare që kumandonte Ceno Kryeziu. Njëkohësisht hynë nga ana e Kakavisë, në jugë, Myfit Libohova dhe Koço Kota me bandat e pregatitura ne Greqi. Qeveria shqiptare, përveç disa përpjekjesh të vogla, nuk bëri dot qëndresë, se çdo gjë ishte çthurur që më parë: nuk kishte as kumandë, as plan, as drejtim. Një qëndresë që bëri Elez Isufi, në Peshkopi, u thye, dhe ai vetë u vra. Po ashtu mbaroi edhe qëndresa e Bajram Currit. Pasi mblodhi fuqi të tjera në Dibër e Mat, Ahmet Zogu hyri në Tiranë më 24 të Dhjetorit 1924. Fan Noli me qeverinë dhe me një grumbull "demokratësh" hipën në një vapor, në Vlorë, dhe u degdisën n'Itali.

Përmbysja e aq shpresave për t'a bërë Shqipërinë të zonjën e vetvehtes, siç ishte programi i lëvizjes së Qërshorit, ka qënë një humbje e madhe dhe pati pasoja të rënda në jetën kombëtare: e para, sepse Shqipëria nuk u zhvillua dot nëpër dritën e mendimit të lirë, ndërgjegjia e Shqiptarëvet mbeti e ndrydhur. E dyta, sepse disa nga të rinjtë e Shoqërisë Bashkimi, pas tronditjes që pësuan dhe duke mos pasur se në çfarë ideje të pështeteshin, ndoqën shembullin e Fan Nolit dhe u kthyen nga Rusia sovietike, krijuan kështu një klimë pro komuniste, që vazhdoi si shpuzë e mbuluar gjatë regjimit të Zogut, por që mori flakë rrëmbyer porsa gjeti kohën e përshtatshme.