24 Dhjetori u shpall prej zogistëvet si dita e "Triumfit të Legalitetit", një "legalitet" i çuditshëm që u vendos me ndihmën e Jugosllavisë, ushtëria e së cilës iu hapi udhën bandavet të Zogut duke shkelur kufirin shqiptar. Këto lloje vepërimesh u bënë një zakon aq i keq për ngjarjet e pastajme, sa që kundërshtarët e Zogut s'e patën për gjë, më 7 Prill 1939, të hynin në Shqipëri me ushtërinë italiane si "çlironjës" të vendit.
Me fjalën "legalitet", Ahmet Zogu donte të thoshte se partia e tij kishte qënë pushteti i ligjshëm, që mbahej me votëbesimin e shumicës parlamentare, kur u përmbys prej një rebelizmi ushtarak në Qërshor të 1924-ës; dhe tash këthehej prapë në fuqi. Duke e pasur shqisen politike më të mprehtë nga ajo e kundërshtarëvet të tij, Ahmet Zogu vuri ca ditë në kolltuqe sa për formë qeverinë e përmbysur prej kryengritjes së Qërshorit dhe thirri Asamblenë Kushtetonjëse të mëparshme me ata antarë që i kishin mbetur. Kjo shpalli Republikën Shqiptare, më 21 Jenar 1925, dhe zgjodhi kryetar të saj Ahmet Zogun. Sipas Statutit që u votua më 31 Jenar, kryetari i Republikës, i cili zgjidhej për 7 vjet, ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë. Republikës së re nuk i mungonte veshja parlamentare e përbërë prej dy dhomash: Senati edhe dhoma e deputetëvet. Senati përbëhej prej 18 antarësh, nga të cilët dy të tretat zgjidhëshin prej popullit dhe-një e treta emërohej prej kryetarit të Republikës. Kurse deputetët zgjidhëshin për 4 vjet, me anë zgjedhësish të dytë, si më parë, por në një numër më të kufizuar: një për 15.000 frymë që kështu delnin gjithësejt nja 57 "baballarë të kombit". Është e kotë të zgjatemi këtu mbi përcaktimet e fuqisë dhe të kontrollit që duhej t'ushtronte parlamenti, mbasi praktikisht të gjitha fuqitë i kishte Zogu me rrethin e tij.
Si njeriu i vepërimit dhe që s'merrej me ëndërra të kota, krahas me këto forma "legale", Ahmet Zogu mori të gjitha masat praktike për të vendosur sundimin e tij. E ndau vendin në zona operacioni ku dërgoi fuqi merçenarësh me nga një kumandar besnik në krye, duke bërë shtrëngime për çarmatimin e popullsisë në Shqipërinë e jugës dhe në disa krahina të veriut. Kurse ato malësi që kishin marrë anën e Zogut i mbanin armët lirisht. Ndoqi me rreptësi kundërshtarët e tij, disa prej të cilëve i vrau. Dërgoi e vrau Luigj Gurakuqin, në Bari, më 2 Mars 1925. Dhe në fund t'atij muaji fuqitë ndjekëse vranë Bajram Currin te Shpellë e Dragobisë. Duke vepëruar me shpejtësi, Zogu vuri kudo besnikët e vet n'administratën e në kumandat ushtarake, për t'a mbledhur fuqinë e shtetit në duart e tija. Formoi një qeveri me njerëz që kishin marrë anën e tij, si Myfit Libohova, Koço Kota etj., disa prej të cilëvet i mbajti gjer në fund. Por pas këthimit prej Jugosllavie dhe kur e ndjeu vehten mjaft të fortë, Ahmet Zogu desh të çlirohej prej rrethit të bejlerëvet të mëdhenj, të cilët donin t'ushtronin ndikimin e tyre në politikën e vendit, dhe formoi një regjim krejt personal. Për këtë punë, i mënjanoi bejlerët ca nga ca ose i uli në radhën e oborrtarëvet të nënshtruar, duke i përdorur në lloj lloj shërbimesh me rroga e pozita dhe duke iu lënë, natyrisht, çifliqet, por ua hoqi rëndësinë politike. Për këtë arësye, ose edhe sepse i ndrinte përpara syvet një kurorë mbretërore, e prishi mblesën me të bijën e Shefqet Vërlacit, për të mos pasur detyrime kundrejt këtij.
Cinik prej natyre dhe i rritur me konceptet orientale të politikës, Zogu nuk njihte tjetër parim përveç interesit dhe nuk besonte në kurrfarë ideje ose idealizmi. Dhe është për t'ardhur keq, se me energjinë e tij, me zotësinë dhe intuitën politike që kishte, mund t'i kish sjellë shërbime të mëdha Shqipërisë sikur të kish formuar një rreth me njerëzit më të ndritur dhe moralisht më të lartë, prej të cilëvet mund të gjente sigurisht edhe në brezin e ri edhe në të vjetërin, duke mbajtur nër duar flamurin e shqiptarizmit; më të pastër, ashtu si kanë bërë tek popuj të tjerë disa udhëheqës të mëdhenj. Virtuti ngjall gjithmonë enthusiazmë dhe tërheq, e nuk mund të thuhet se i tërë kombi shqiptar ishte një kalbësirë. Tjetër punë sepse Zogu mblidhte rreth vehtes kalbësirat. Sikur të kishte qënë i një tjetër lartësie morale, jo vetëm mund t'a kish vënë popullin shqiptar në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit, por sidomos - dhe të dyja këto anë lidhen bashkë - do të kishte sjellë pajtimin e shpirtravet, mbylljen e plagëvet shoqërore të vjetra, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në një tjetër shkallë pjekurie, me frymën e drejtësisë dhe nëpër dritën e idevet të lira, kështu që ai popull do të kish gjetur ndoshta ekuilibrin e brendshëm dhe do të kish formuar lidhjet e nevojshme rreth një ideje qendrore shqiptare për t'iu bërë ballë furtunavet të pastajme. Por regjimi i Zogut s'bëri tjetër veçse i acaroi konfliktet shoqërorë edhe më tepër, rrëzoi në llom çdo shpresë që mund të kishte njeriu në vleftat kombëtare e morale, në drejtësinë, në rolin udhëheqës të shtetit drejt së mirës. Nuk lejoi që të formohej një ide qendrore shqiptare e pështetur në të vërtetën. E la vendin në një anarki të plotë shoqërore e ekonomike, mendore e morale, nga e cila s'mund të delte veçse komunizmi.
Por Zogu nuk ishte nga ata që ndiejnë një mision historik në vetvehte dhe që ia kushtojnë të gjitha energjitë e shpirtit për t'a përmbushur. Nuk ishte njeriu i krijimit, por një ambicioz i zakonshëm nga ata që duan të kumandojnë e të shkëlqejnë. Nuk e shtynte një dashuri e thellë për vepra të larta e të qëndruarshme, por dëshira e rëndomtë për madhëri, për kumandë, për lukse e pasuri. Këtë e provoi sidomos më 1928, kur ngrehu një "mbretëri" theatrore, me ca paraqitje qesharake, mbi një popull të vogël e të mjerë. E provoi me kultin e vetvehtes, me salltanetet, me paradat e një ushtërie kukëll, që përpiu gjysmën e buxhetit të shtetit për 14 vjet rresht, për të mos bërë as një orë qëndresë kur erdhi dita që atdheu të sulmohej nga i huaji.
Për të kënaqur këto dëshira, Zogut i duhej të sundonte si një despot oriental, pa i dhënë llogari askujt. Prandaj ngrehu një regjim personal duke u pështetur në forcat më të prapambetura të vendit dhe duke mbledhur rreth vehtes elementin më të dobët. Bazën e forcës së tij Zogu e krijoi me disa krerë e bajraktarë të veriut, mësuar prej kohësh të jetonin si merçenarë. Zogu dijti të lidhte pas vehtes një pjesë prej tyre duke i bërë oficerë "kreshnikë" me grada e rroga sipas rëndësisë. Në kohë qetësie, këta rrinin në shtëpi dhe merrnin gjysmën e rrogës. Në rast nevoje, iu jepej urdhëri që të çonin në këmbë sa më shumë burra prej krahinavet të tyre, të cilët qëndronin gjithnjë t'armatosur. Me anën e këtyre i pat shtypur Zogu të gjitha kryengritjet që u bënë kundër tij, mbasi ushtërisë së rregullt nuk i kishte besim: kjo ishte vetëm sa për paradë, me gjithë milionat që i kushtonte shtetit.
Mbasi formoi bazën e forcës me krerë e bajraktarë të veriut (që kishin qënë më parë në shërbim t'Esad Toptanit a të kujtdo tjetër), Zogu s'kishte më nevojë për pështetjen e bejlerëvet të mëdhenj, dhe i uli këta në radhën e oborrtarëvet. Mblodhi rreth tij njerëzit më të poshtër që mund të mendohej, të cilët i kumandonte si shërbëtorë. Këta deri atëhere s'i kishte lidhur asgjë me Shqipërinë, shumë prej tyre kishin qënë kundër lëvizjes kombëtare në të kaluarën duke bashkëpunuar me Turqit e me Grekët. Kur na duallë menjëherë "veteranë", domethënë shërbëtorë besnikë të Zogut, dhe duhej që populli shqiptar t'iu paguante rroga. Njerëzve të regjimit, t'administratës dhe t'ushtërisë iu kërkohej vetëm një cilësi: t'ishin "besnikë" dhe asgjë tjetër. Kjo arriti në një farë kulti të personit të Zogut, në një mënyrë të neveritshme. Kur njerëzit e një regjimi zgjidhen vetëm sipas kriterit të besnikërisë ndaj kryetarit, merret me mend se çfarë elementi i dobët hipokrit e dallkauk mblidhet n'atë sofër. Të tillë qenë përgjithsisht ata që mbajtën në këmbë regjimin personal të Zogut gjatë atyre 14 vjetëve.
Duke pasur si një forcë në rezervë "kreshnikët" e veriut dhe si kuadra për n'aparatin e shtetit "besnikët", Zogu iu përvesh me një dorë të fortë organizimit t'administratës dhe të Gjindarmërisë. Bëri një ligj t'administratës civile, sipas të cilit vendi ndahej në 10 prefektura, që kishin nga dy-tri nënprefektura, dhe këto nga dy-tri krahinari ose komune, siç u quajtën më vonë. Administrata ishte ngushtësisht e përqendruar në duart e ministrit të Punëve të Brendëshme, dhe ky urdhërohej, natyrisht, prej Zogut. Për të mos lënë jashtë kontrollit qeveritar asnjë tjetër formë autoriteti, Zogu i futi më vonë edhe bashkitë nën urdhërat e qeverisë, dhe kryetarët e tyre, që deri atëhere zgjidhëshin prej qytetarëvet si në çdo vend të botës, emërohëshin tani prej Ministrisë së Punëve të Brendëshme, sikurse prefektat dhe nënprefektat. Një rëndësi të veçantë i dha Zogu organizimit të gjindarmërisë. Vetëm në këtë nuk lejoi ndërhyrjen e Italianëvet, por u a besoi organizatorëve anglezë. Degën e gjindarmërisë e ndau në katër zona: e Veriut, e Lindjes, e Shqipërisë së Mesme dhe e Jugës, me qendra Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin. Në secilën prej zonavet kishte nga një inspektor anglez. Gjindarmëria varej nga kumanda e përgjithshme e saj me qendrën në Tiranë. Kumandari i përgjithshëm, shqiptar, dhe inspektori i përgjithshëm, anglez, ishin drejtpërdrejt nën urdhërat e Zogut. I pari organizator dhe inspektor anglez i gjindarmërisë shqiptare pat qënë koloneli Sterling, i cili u zëvëndësua më pastaj nga gjeneral J. Percy. Mund të thuhet se gjindarmëria ishte mjaft mirë e organizuar dhe se qetësia u mbajt në rregull, mbasi edhe Zogu vetë ishte i zoti për kësij punësh.
Nuk dimë (ose s'është nevojë të shkruajmë këtu) se çfarë premtimesh i bëri Zogu Jugosllavisë, kur kjo e ndihmoi që të këthehej në Shqipëri. Por nga premtimet që mund t'i ketë bërë, zbatoi vetëm lëshimin e Vermoshit dhe të Shën-Naumit.
Ishte bërë punë e mërzitshme çështja e kufijvet të Shqipërisë, sepse Jugosllavia dhe Greqia mundohëshin gjithmonë të shkëputnin diçka më tepër. Më 1923, Jugosllavia kish ngulur këmbë për të mbajtur Vermoshin dhe Shën-Naumin, dhe Greqia 14 fshatrat e qarkut të Korçës. Konferenca e Ambasadorëvet nuk i mori fare parasysh kërkesat e këtyre shteteve përsa iu përkiste Vermoshit dhe 14 fshatravet. Por çështja e Shën-Naumit u rrah gjatë. Duke e interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të Londrës që caktonte kufijtë e shtetit shqiptar me 1913, Jugosllavia mtonte se Shën-Naumi i takonte asaj. Por Konferenca e Ambasadorëvet, në një vendim të 6 Dhjetorit 1922, i dha të drejtë Shqipërisë. Në Prill e në Maj 1923, Jugosllavia e kundërshtoi atë vendim dhe kërkoi që të rishikohej. Konferenca e Ambasadorëvet formoi një komision anglo-franko-italian për t'a shqyrtuar edhe një herë atë çështje, por mbasi komisioni s'ra dot n'ujdi, çështja kaloi në Lidhjen e Kombevet, e cila kërkoi mendimin e këshilltarëvet të saj juridikë. Këta i dhanë të drejtë Jugosllavisë, por Lidhja e Kombevet nuk mund t'a thyente aq lehtë vendimin e Ambasadorëvet, të cilët ishin ngarkuar prej Konferencës së Paqes për caktimin e kufijvet të Shqipërisë, prandaj ia kaloi çështjen Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky, mbasi i rishikoi të gjitha të dhënat, e ndau punën më mirë, dhe u shpreh që Shën-Naumi t'i jepej Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës s'Ambasadorëvet, marrë më 6 Dhjetor 1922. E pështetur në mendimin e Gjyqit të Lartë Ndërkombëtar, Lidhja e Kombevet ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë, në Tetor 1924. Konferenca e Ambasadorëvet e vërtetoi edhe një herë atë vendim më 27 Prill 1925. Mirëpo Zogu, në Korrik t'atij viti, ia bëri peshqesh Jugosllavisë jo vetëm Shën-Naumin, po edhe Vermoshin, të cilin Konferenca e Ambasadorëvet s'kish pranuar t'a vinte fare në bisedim mbasi i takonte Shqipërisë. Disa "kalemxhinj" zogistë kanë dashur jo vetëm t'a mbulojnë këtë trathëti, po edhe t'a tregojnë si një politikë t'urtë të Zogut, duke u pështetur n'arësyen se Jugosllavia i kish pushtuar ato vise dhe s'do të dëgjonte kurrsesi t'ia këthente Shqipërisë etj. Këto profka nuk kanë asnjë vleftë, sepse Jugosllavia do të detyrohej më në fund t'ia këthente ato dy vise Shqipërisë, sikurse u detyrua Greqia për 14 fshatrat. Konferenca e Ambasadorëvet dhe Lidhja e Kombevet nuk do t'a shkelnin vendimin e tyre, pasi kaloi edhe nga gjyqi ndërkombëtar, dhe do të kërkonin që Jugosllavia të nënshkruate përfundimisht caktimin e vijës së kufirit me Shqipërinë. Po edhe sikur Jugosllavia të vazhdonte kundërshtimin për ca kohë, kryetarit të shtetit shqiptar nuk ia lejonte as nderi as detyra që t'i falte asaj peshqesh pjesë të tokës kombëtare duke i legalizuar atë çka ndërkombëtarisht i ishte njohur Shqipërisë.
Mbasi pësuan edhe këto ndryshime të vogla, kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan përfundimisht prej Komisionit Ndërkombëtar, në Korrik 1926, dhe Protokolli i fundit u nënshkrua në Paris, më 30 t'atij muaji, prej Ambasadorëvet t'Anglisë, të Francës, t'Italisë dhe të Japonisë, dhe prej nga një përfaqësonjësi të Jugosllavisë, të Greqisë e të Shqipërisë.
Zogu e dinte se nuk mund të mbahej në fuqi pa një përkrahje të jashtëme, e sidomos pa ndihmën financiare të jashtëme. Shqipëria ishte një vend shumë i varfër, akoma fort i përçarë, dhe fqinjët ballkanike s'pushonin së ndërhyri. Për të mbajtur në këmbë administratën, forcat e armatosura, për të paguar "kreshnikët", për të ndërtuar rrugë, ura, pallate, e sidomos për të kënaqur ambicjet e tija për lukse e madhëri, Zogut i duheshin mjete. Shteti shqiptar kishte provuar më parë të gjente një hua nëpërmjet të Lidhjes së Kombevet, prej kapitalesh politikisht asnjanëse, por s'kishte mundur. Mbasi gjendja politike e Shqipërisë paraqitej e pasigurtë dhe pasuritë e saja natyrore nuk njihëshin mirë, vështirë se mund të gjendëshin kapitale prej shtetesh asnjanëse për t'u derdhur aty. Pastaj rreth Shqipërisë sillëshin si langonjtë pas erës shtetet që kishin interesa politike, në radhë të parë Jugosllavia dhe Italia. Kurse Greqia kërkonte të shkëpuste ato krahina që ajo i quante "Vorio-Epir", por nuk mendonte të bënte një politikë të përgjithshme me shtetin shqiptar. Anglia kish dëftyer një farë interesimi për Shqipërinë prej vitit 1920 e këtej, por tani nuk donte t'i delte përpara Italisë, me të cilën kish nisur t'afrohej. Pas ardhjes në fuqi të regjimit fashist dhe duke i kuptuar ambicjet e tija, Britania e Madhe desh t'a drejtonte Italinë nga Evropa jugë-lindore, qoftë për t'ia nxjerrë Francës si një pengesë, qoftë për të kundërshtuar shtrirjen e ndikimit të Rusisë sovietike. Në këto kushte, Shqipëria mbetej, natyrisht, në sferën e interesavet italiane. Një farë pozite të privilegjuar kundrejt Shqipërisë ia kishte njohur Italisë edhe vendimi i Konferencës s'Ambasadorëvet më 9 Nëntor 1921.
Kundrejt afrimit anglo-italian, qëndronte lidhja m'e ngushtë akoma ndërmjet Francës dhe Jugosllavisë. Nëse Anglia lejonte një "depërtim paqësor" t'Italisë në Shqipëri, Franca do të dëshironte që Shqipëria të mbetej nën panxhën e Jugosllavisë. Kështu, siç kishte qënë dikur një shesh rivaliteti ndërmjet Austro-Hurngarisë dhe Italisë, Shqipëria ngelte në të njëjtën pozitë midis kësaj së fundit dhe Jugosllavisë, e cila zëvendësonte Austro-Hungarinë në bregun lindor t'Adriatikut. Duke mos pasur një ekuilibër të brendshëm dhe e ndodhur në një shkallë ekomomike e kulturore shumë t'ulët, ishte e vështirë që Shqipëria t'iu qëndronte ndërhyrjevet të njërës e të tjetrës pa u pështetur në njërën kundrejt tjetrës. Zogu dijti të manevronte me njërën e me tjetrën, për interes të tij por jo të Shqipërisë.
Për sa kohë që ishte puna për të marrë në dorë fuqinë, asnjë shtet tjetër nuk mund t'i jepte Zogut praktikisht një përkrahje aq të madhe sa Jugosllavia. Sepse kjo kishte kufij të përbashkët me Shqipërinë rreth malësivet të veriut, ku krerë e bajraktarë, me intriga e pak të holla, mund t'i përdorte si të donte, duke i vënë ndën urdhëra të Zogut ose duke i kthyer kundër tij. Prandaj Zogu, që e pat ndier t'afërt shpërthimin e luftës së brendëshme, miqësinë e parë e shtrëngoi me Jugosllavinë, përkrahja e së cilës i dukej e domosdoshme jo vetëm për të gjetur përkohësisht strehë në rast nevoje, po edhe për të vepëruar në Shqipërinë e veriut. Kurse tani që u bë zot i vendit, Jugosllavia mund të këthehej e rrezikshme për të, sepse, me të njëjtën lehtësi, mund të çonte në këmbë krerë të tjerë kundër këtij, nëqoftëse-ky nuk i nënshtrohej plotësisht. Pra duhej gjetur një tjetër mbështetje, që s'mund t'ishte veçse Italia.
Zogu qe munduar t'afrohej sa më shumë me Anglezët. Këta e përkrahën këthimin e tij në Shqipëri, siç pat ndërhyrë ca kohë më parë ministri i tyre për të larguar Elez Isufin prej Tirane. Përveç organizatorëvet të gjindarmërisë që i kishte Anglezë, Zogu pat mbajtur vazhdimisht lidhje me përfaqësonjës të Shoqërisë Anglo-Persiane për t'i dhënë kësaj konçesionin e vajgurit. Me t'u kthyer prej Jugosllavie dhe duke pasur nevojë të ngutshme për të holla, Zogu i dha Shoqërisë në fjalë të drejtën e kërkimevet vajgurore mbi një sipërfaqe prej nja 60.000 hektarësh ndërmjet Beratit dhe Vlorës. Projekti i kësaj marrëveshjeje i pat qënë paraqitur parlamentit të mëparshëm, në Shtator 1923, por nuk gjeti pëlqimin e tij, dhe kish mbetur varur. Zogu e bëri që të ratifikohej prej "Asamblesë Kushtetonjëse", në Shkurt 1925. Gjatë atij viti, Zogu iu lëshoi konçesione për kërkime edhe disa shoqërive të tjera të jashtëme. Por duket se Anglo-Persiania dhe shoqëritë e tjera nuk i gjetën fort të pasura shtresat vajgurore të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Italia ndërhyri pranë qarqevet politike angleze që t'ia linin asaj shfrytëzimin e pasurivet natyrore të Shqipërisë. I bëri gjithashtu premtime Zogut për t'a tërhequr n'anë të saj. Mbasi ajo kohë ishte një periudhë afrimi ndërmjet Anglisë dhe Italisë, dhe pasuritë minerale të Shqipërisë nuk ishin fort të rëndësishme, shoqëritë angleze e të tjerat hoqën dorë, dhe Shqipëria mbeti fushë e lirë për Italinë.
Regjimi fashist italian me Mussolini-n në krye kish nisur zhurmën e tij dhe pregatitjen për ndërmarrje të mëdha në drejtim të jugë-lindjes. Shqipëria ishte kyçi i Adriatikut dhe kryeura e zgjerimit italian në Mesdhe. Prandaj merret me mend se çfarë rëndësie mund të kishte për Italinë imperialiste. Po edhe Zogut i binte mirë që t'anonte nga Roma, për tri arësye: e para, Italia ishte në gjendje t'a mpronte prej Jugosllavisë; e dyta, ishte në gjendje t'a ndihmonte me kapitale; e treta, duke qënë përtej detit, nuk e kishte aq lehtë që t'a rrëzonte Zogun me anë lëvizjesh të brendëshme siç mund të bënte Jugosllavia. Tjetër punë se ç'mund t'i ngjante më vonë Shqipërisë prej "lidhjevet të ngushta" me Italinë.
Kështu Zogu iu suall Italisë, me të cilën kish nisur t'afrohej porsa u kthye prej Jugosllavie. Në Mars 1925, dërgoi në Romë ministrin e Finiancavet, Myfit Libohovën, për të bërë me qarqet financiare italiane marrëveshjen e një huaje dhe atë të shfrytëzimit të pasurivet natyrore të Shqipërisë. Myfit Libohova, që shkoi si mik ose agjent i Italisë, u prit në Romë me nderime të mëdha dhe, natyrisht, u shpërblye mirë... Grupet financiare italiane e dinin sesi ecin punët, prandaj nuk i kursyen bakshishet, duke i dhënë Zogut pjesën që i takon luanit, e pastaj rrethit të tij, si Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Iljaz Vrionit e të tjerëve, pjesën që i takon ujkut a dhelprës. Përfundimi ish se marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, të cilat filluan të nënshkruhëshin në Maj 1925, u bënë të gjitha në përfitim të kapitalit italian dhe ashtu si desh Italia.
Puna u nis me krijimin e "Bankës Kombëtare të Shqipërisë" prej grupit bankier Credito Italiano. Asaj do t'i përshtatej më mirë emri "Banka Italiane e Shqipërisë", mbasi qendra e saj ishte në Romë dhe kapitali italian duhej të kishte jo më pak se 51 për qind t'aksionevet. Kështu që Shqiptarët s'ushtronin dot asnjë fuqi mbi të. Le që Myfit Libohova me rrethin e Zogut, të cilët muarën ryshfete të mëdha, e suallën punën aq mirë në dobi të kapitalit italian, duke e mbajtur të fshehtë afatin e shkurtër për nënshkrimin e aksionevet, sa që tri të katërtat e këtyre iu mbetën Italianëvet, dhe një pjesë tjetër disa shoqërive të huaja. Mandej, për "zhvillimin ekonomik të Shqipërisë", u formua Shoqëria S.V.E.A., e cila do të jepte një hua prej 70 milionësh franga ari me interes të lartë dhe kondita shumë të rënda, duke marrë si garanti t'ardhurat doganore dhe të disa monopoleve të shtetit shqiptar. Kur, më 1927, u provua se Shqipëria nuk ishte në gjendje të paguante interesin dhe këstin e huas, qeveria italiane e mori vetë përsipër t'ia lante detyrimet Shoqërisë SVEA, kështu që shteti shqiptar i mbetej borxh shtetit italian, gjithmonë nën garantinë e t'ardhuravet doganore dhe të monopolevet.
Njëkohësisht, qeveria e Tiranës iu dha shoqërivet italiane konçesionet për shfrytëzimin e pasurivet kombëtare të vendit. Shoqëria A.I.P.A. mori konçesionin e vajgurevet në kondita shumë të mira për të, duke i paguar shtetit shqiptar një përqindje fare t'ulët, dhe vetëm 1,5 Fr. ari për hektar në vit si qira toke. Një tjetër shoqëri italiane, S.I.G.M.A, mori konçesionin e nxjerrjes së linjitit (një lloj qymyrguri) në Memaliaj të Krrabës, duke paguar si qira toke 2 Fr. ari në vit për hektar. Qeveria e Tiranës i dha edhe një shoqërie jugosllave konçesionin e shfrytëzimit të bakërrit në Pukë. Një shoqëri gjermane dhe një tjetër italiane muarën konçesione për shfrytëzimin e pyjevet të Mamurasit. Italianët ngritën në Shqipëri edhe disa ndërmarrje bujqësore, si në Sukth, afër Shijakut, n'Yrshek, afër Tiranës, në Llakatund të Vlorës dhe në Vurg të Delvinës.
Marrëveshjet financiare e ekonomike me Italinë, sidomos në lidhje me krijimin e "Bankës Kombëtare" dhe me huan e SVEA-s, kur shkuan në parlament për miratim, gjetën kundërshtimin e një grupi deputetësh, të cilët e paditën Myfit Libohovën se kish marrë ryshfet prej Italianëvet dhe formuan një komision hetimesh për t'a gjyrmuar atë çështje. Që Myfit Libohova dhe disa "shkëlqesa" të tjerë muarën si bakshish shuma të mëdha prej Italianëvet, e panë edhe të verbërit, sepse brenda pak muajve këta zotërinj ngrehën vila, blenë aksione nëpër shoqëritë, ose apartamente n'Evropë, si në Paris e gjetkë. Disa "kaurë" si Koço Kota, që kishin dëshirë të vjetër për t'u bërë çifligarë, blenë edhe çifiliqe. Por puna ishte se bakshishin më të madh prej grupevet financiare italiane e kishte marrë Zogu vetë. Prandaj çdo gjyrmim kundër Myfit Libohovës do t'ia nxirte byrekut të gjitha lakrat në shesh. Për t'a fshehur skandalin prapa ligjevet, shumica parlamentare vuri përpara nenin 74 të Kushtetutës republikane, sipas të cilit; kryetari i Republikës nuk ishte përgjegjës përpara parlamentit. Dhe mbasi ai ishte njëkohësisht edhe kryetari i qeverisë, duhej të përfitonin edhe ministrat e tij nga ajo "paprekshmëri". Sidoqoftë, çështja bëri aq bujë sa që Ahmet Zogu u detyrua të formonte një qeveri të re, në shtator 1925, ku Myfit Libohova nuk bënte pjesë. Kjo i dha rast Ahmet Zogut t'a ulte ca më poshtë rrethin e bejlerëvet të mëdhenj dhe të sillte në qeveri njerëz si Musa Juka. Mandej vuri tërë forcën që çështja e Myfit Libohovës të mbyllej, ashtu siç u mbyllën më pastaj shumë skandale të tjerë të këtij lloji.
Qëllimi i depërtimit ekonomik italian në Shqipëri ishte që të sillte pas depërtimin politik dhe ushtarak. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën gjithmonë duke u ngushtuar. Në Qërshor 1926, ministri i Italisë në Tiranë, Aloisi, i propozoi qeverisë së Zogut lidhjen e një pakti politik me Italinë, që t'i njihte kësaj të drejtën e mprojtjes së Shqipërisë, pa ndërmjetësimin e Lidhjes së Kombevet, në rastin e ndonjë agresioni. Zogu e kuptoi se qeveria fashiste e Romës donte t'a lidhte sa më ngushtë pas rrotavet të saja, dhe nisi të mendohej. Por në muajin e Nëntorit shpërtheu kryengritja e Dukagjinit e shtytur prej Jugosllavisë dhe e udhëhequr nga prifti Dom Loro Caka. Lëvizja vetë kish një qëllim separatist katolik, kurse Jugosllavia që e shtyti, synonte, si gjithmonë, shkatërrimin e shtetit shqiptar. Një pjesë e të mërguarve politikë, kundërshtarë të Zogut, ishin vënë në shërbim të Jugosllavisë. Zogu e shtypi kryengritjen e Dukagjinit, por këto rrethana e detyruan të përfundonte sa më shpejt paktin italo-shqiptar të "miqësisë dhe sigurimit", i cili u nënshkrua në Tiranë, më 27 Nëntor 1926. Sipas këtij pakti, Italia garantonte jo vetëm statu quo-në tokësore të Shqipërisë, po edhe statu quo-në politike e juridike, domethënë, me fjalë të tjera, i jepej e drejta që të ndërhynte për të mbajtur regjimin e Zogut në fuqi sa herë që ky t'ishte në rrezik edhe prej lëvizjesh të brendëshme. Siç shihet, kjo marrëveshje cënonte, nga ana juridike, pavarësinë e Shqipërisë duke e vënë këtë pothuajse ndën protektoratin italian.
Pakti i Tiranës shkaktoi një valë shqetësimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për të qetësuar dyshimet e Shqiptarëvet, ministri i Italisë në Tiranë, baron Aloisi, me anën e një letre drejtuar qeverisë shqiptare më 5 Dhjetor 1926, sqaronte se ndihma italiane do t'i jepej Shqipërisë vetëm në rast se e kërkonte kjo vetë.
Përjashta, pakti i Tiranës çoi peshë zemërimin e Jugosllavisë dhe shkaktoi mjaft zhurmë në shtypin jugosllav dhe frëng. Por Italia pati përkrahjen e qarqevet britanike, dhe e hodhi poshtë propozimin jugosllav që desh t'a shtronte çështjen shqiptare në Lidhjen e Kombevet. Ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Austen Chamberlain, u përgjigj në Dhomën e Komunevet se kishte marrë sigurime nga Mussolini që Italia do të ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë. Austen Chamberlain-i ishte takuar me Mussolini-n në Livorno t'Italisë, më 30 Shtator 1926, ku qe biseduar, nër të tjerat, edhe çështja e Shqipërisë, mbi të cilën Anglia i linte dorë të lirë qeverisë fashiste të Romës për një "depërtim paqësor". Pakti i Tiranës u regjistrua në Lidhjen e Kombevet si një marrëveshje e zakontë ndërmjet dy shtetesh.
Si një përgjigje paktit të Tiranës dhe për të kundër-balancuar ndërhyrjen italiane në Ballkan, Jugosllavia nënshkroi një pakt aliance me Francën, më 11 Nëntor 1927. Kështu Italia gjeti shkak të nënshkruate me Shqipërinë një tjetër traktat me karakter ushtarak, ose "aliancë mprojtëse" siç u quajt në gjuhën zyrtare, më 22 Nëntor 1927. Sipas këtij traktati, që u lidh për 20 vjet, të dy palët duhej t'i vinin në ndihmë njëra-tjetrës në rast se njëra prej tyre sulmohej nga jashtë dhe kërkonte ndihmën e aliates së vet. Pas nënshkrimit të këtij "pakti të dytë të Tiranës", zunë të vinin radhë e radhë prej Italie këshilltarë teknikë e organizatorë ushtarakë, armë e municione, për të mëkëmbur ushtërinë shqiptare. Paradat ushtarake dhe shkëlqimi i uniformavet pajtohëshin fare mirë me natyrën e Zogut.
Nuk duhet kaluar në heshtje roli i dobët që lozën disa nga të mërguarët politikë, kundërshtarë te Zogut, gjatë marrëveshjevet që ky bëri me Italinë. Ata ishin katandisur në merçenarë të politikës, mbahëshin me rroga prej Jugosllavisë ose prej Italisë dhe përdorëshin prej këtyre dy shteteve në të gjitha intrigat dhe presionet kundër Zogut. Italia, për shembull, kur ish duke bërë marrëveshjet me qeverinë e Tiranës, bisedonte njëkohësisht mbi të njëjtat çështje me disa të mërguar politikë dhe ua merrte me nënshkrim se çfarë lëshimesh do t'i bënin ata nëqoftëse ajo i ndihmonte për t'u kthyer në Shqipëri. Dhe ata, pa pikë turpi, tregohëshin më dorëlëshuar nga Zogu... të cilin mandej Italia e vinte në dijeni për të bërë presion mbi të.
Nga ana tjetër, Jugosllavia, kur pa se Zogu u pështet pas Italisë, vazhdoi si më parë cytjet dhe provokimet rreth kufijvet. Mbasi dështoi kryengritja e Dukagjinit, Jugosllavia mendoi t'a përmbyste Zogun me anën e Ceno Kryeziut, i cili ishte i kunati i tij dhe njeriu i Jugosllavisë. Mirëpo Zogu i ndiente shumë larg ato punë. E emëroi Ceno Kryeziun ministër të Shqipërisë në Çekosllovaki dhe dërgoi e vrau në Pragë.
Mbasi e zotëroi mirë gjendjen përbrenda dhe e forcoi pozitën e vet ndërkombëtare nëpërmjet të lidhjevet me Italinë, Zogu mendoi se erdhi çasti për të realizuar ëndrrën e jetës së tij, domethënë për t'u bërë mbret. Në Qërshor 1928, me shtytjen e tërthortë të Zogut, dy dhomat legjislative (parlamenti e senati) vendosën se gjoja ishte i nevojshëm një rishikim i përgjithshëm i Statutit të Republikës për t'i bërë disa plotësime. Mbasi Statutin s'mund t'a rishikonte veçse një asamble kushtetonjëse, dy dhomat legjislative, porsa muarën atë vendim, e quajtën vehten të shpërndarë. Zogu, me anën e një dekreti, shpalli menjëherë zgjedhjet e reja për Asamblenë Kushtetonjëse, e cila do të bënte rishikimin e Statutit. Zgjedhësit e dytë të disa nënprefekturave, kur vajtën të votonin për antarët e Asamblesë, u detyruan prej nënprefektavet që të kërkonin ndërrimin e regjimit prej republike në mbretëri, me Zogun si mbret. Komedia ishte pregatitur aq mirë, sa që zëri i parë dolli nga nënprefektura e Skraparit. "Ai do të bëhet që do të bëhet", iu tha nënprefekti zgjedhësave të dytë që po shikonin njëri-tjetrin në heshtje, "por më mirë kërkojeni edhe ju, që të mos ju vijë ndonjë bela mbi kokë... se ashtu e kam urdhërin". Disa nga zgjedhësit e dytë po mendohëshin akoma kur telegrami u hoq për në Tiranë se "populli" i Skraparit e kërkonte Zogun mbret. Ashtu ngjau edhe nëpër krahina të tjera. Kur u mblodh Asambleja Kushtetonjëse me deputetët e rinj, të cilët s'ishin veçse ata të vjetërit, nuk hoqi shumë mundim për rishikimin e Statutit, sepse drejtimin ia kishte treguar... "populli !". Kështu, më 1 Shtator 1928, shpalli Mbretërinë Shqiptare, dhe Ahmet Zogu mori emrin Zog I, Mbret i Shqiptarëvet.
Kryetar republike apo mbret, Zogu sundoi në të njëjtën mënyrë, dhe regjimi i tij mbeti personal, i ngrehur me njerëz që s'kishin asnjë parim përveç interesit të tyre. Ndryshimi ishte se buxhetit të varfër të Shqipërisë iu ngarkuan tani shpenzimet e rënda të salltanetit mbretëror, me oborrin theatror me një varg princash e princeshash, me uniforma të ndritura, e sidomos... nuk ka mbret pa një sigurim pasurish të mëdha.
Në dukje, Mbretëria mbeti kushtetutore, dhe parlamenti përbëhej prej dhomës së deputetëvet, mbasi senati u suprimua. Në të vërtetën, "zgjedhjet" ishin një komedi e mërzitshme, se listën e "deputetëve të gishtit" e ndreqte Zogu vetë me Ministrin e Punëve të Brendëshme. Populli i quajti "deputetë të gishtit" sepse ishin vetëm sa për të ngritur gishtin dhe për të bërë amin vendimet e qeverisë.
Mbasi i mënjanoi disi bejlerët, Zogu u rrethua me njerëz të çdo kategorie, dhe krijoi vegla të reja prej borgjezisë, si Musa Jukën (ose Musa Efenija, siç e quanin Shkodranët), të cilin e mbajti ministër të Punëvet të Brendëshme pothuajse për tërë kohën e regjimit të tij. Musa Juka i mbushi kafenetë me spiunë, se nuk njihte tjetër mënyrë qeverimi përveç asaj të kohës së Sulltan Hamitit. Të tjerë "besnikë" që Zogu i mbajti gjer në fund ishin Koço Kota, Abdurrahman Dibra, Hiqmet Delvina, e shumë dallkaukë që iu ngjanin këtyre. Por ai që e karakterizon regjimin e Zogut ishte një farë Abdurrahman Sali, nga Mati, ose Lalë Krosi, siç e quanin Shqiptarët, i cili u bë me të vërtetë Rasputini i Shqipërisë. Njeri i korruptuar dhe i të gjitha vesevet, por shumë i zgjuar, kishte qënë shërbëtor në familjen e Zogollit, në Mat, dhe nuk dinte shkrim as këndim. Këtë Zogu e përdorte për intrigat e fshehta të vendit, për komplotet, atentatet, shpërdorimet, dhe sidomos për ndërlidhjet me krerët e malësivet, të cilët Lalë Krosi i pajtonte ose i vinte kundër njëri-tjetrit, sipas nevojës. Si pozitë zyrtare, Lalë Krosi ishte gjithmonë deputet i Matit, por mbasi përzjehej në të gjitha punët dhe fjala e tij ishte fjala e Zogut, e kishin frikë të tërë dhe i përulëshin. Ky vuri pasuri të mëdha, sepse kishte gisht në të gjitha sipërmarrjet, vjedhjet e abuzimet.
Me fjalën "përparim" kuptojmë zhvillimin e një populli n'anën ekonomike dhe kulturore, drejt mirëqenies dhe lumtërisë. Por s'mund të ketë përparim pa një bazë drejtësie dhe nderim vleftash morale. Regjimi i Zogut ishte i xhveshur nga këto dy cilësi. Pasi vrau disa nga shtyllat e nacionalizmit shqiptar, si Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin, Zogu nuk mund të pështetej në vleftat e vërteta kombëtare, sepse edhe ai vetë nuk ishte i asaj natyre. Prandaj s'mund të sundonte veçse me anën e korrupsionit dhe të policisë, duke përdorur herë paranë dhe pozitat, herë vrasjen dhe dënimet, sipas rastevet, dhe duke urdhëruar prej pallatit pa ardhur kurrë në kontakt të drejtpërdrejtë me popullin. Nuk mund të pritej që regjimi i tij, i mbajtur me kleçka dhe me huan e Italisë, dhe i ngrehur me njerëzit më të dobët që mund të mendohej, t'a nxirte vendin nga prapambetësia shekullore e t'a vinte në rrugën e përparimit. Kështu, gjatë asaj periudhe, Shqipëria nuk mundi të ngrihej lart as n'anën ekonomike, as n'anën kulturore.
N'anën ekonomike, puna duhej nisur me zhvillimin e bujqësisë dhe t'industrisë, me ndreqje rrugësh e ndërtime të ndryshme. Si pikënisje e zhvillimit bujqësor duhej t'ishte reforma agrare, pastaj bonifikimi i tokavet, tharja e kënetavet, disiplinimi i lumenjvet, pyllëzimi i vendevet të xhveshura, futja e teknikës moderne, krijimi i bankës bujqësore për t'a shpëtuar fshatarësinë nga thonjtë e fadexhinjvet që e shtrydhnin me një interes prej 50% gjer më 100%, krijimi i organizatavet bujqësore për t'a shpëtuar fshatarin prej matrapazëve e spekulatorëve që ia blinin drithin me çmim t'ulët në vjeshtë dhe ia shisnin dyfish në Prill, Maj e Qërshor. Kurse për zhvillimin e industrisë duhej shtytur vënia në punë e kapitalevet duke krijuar besimin, duhej përkrahur e mprojtur industria kombëtare kundrejt konkurencës së huaj.
Askush nuk e padit regjimin e Zogut se përse nuk u bënë të gjitha këto, se këto nuk bëhëshin me frymë dhe në një periudhe kohe aq të shkurtër. Por pse nuk u tregua asnjë kujdes, asnjë nismë, asnjë vullnet i mirë në këtë drejtim. Gjithashtu, pa një ndihmë teknike dhe financiare të jashtëme nuk mund të ndërtohej asgjë në Shqipërinë e atëhershme. Po përse huaja që u muar prej Italisë u shpërdorua n'atë mënyrë.
Kur u nënshkrua huaja me Shoqërinë SVEA, ishte parashikuar që gjysma e saj të shpenxohej për zhvillimin e bujqësisë, tharje kënetash, bonifikime, hapje kanalesh vaditëse etj., dhe gjysma tjetër për ndërtime botore: rruga, ura, shkolla, spitale, e kështu me radhë. Për bujqësinë nuk u shpenxua as një e dhjeta e shumës së parashikuar, kurse n'anën e punëvet botore u ndërtuan disa rrugë e ura që iu përgjigjëshin qëllimevet strategjike t'Italisë në drejtim të së famshmes Via Egnatia të Romës së vjetër. U ndërtua edhe limani i Durrësit, gjithmonë për nevojë shkarkimesh të gjera t'Italisë në Shqipëri. Pjesa tjetër e huas së SVEA-s u përdor për të mbajtur burokracinë dhe salltanetin e Zogut, ushtërinë dhe "kreshnikët", për të ngrehur pallatet e ministrivet e të tjera punë si këto. Duhet shënuar se Italianët bënin çmos për t'a penguar mëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, e cila mandej mund t'iu delte prej dore. Ata donin që shteti shqiptar, i shtrënguar prej nevoje, të mbetej i varur tek Italia gjersa kjo t'a fuste vendin plotësisht nën sundimin e saj.
Në një mesazhë që i drejtonte parlamentit, në Dhjetor 1928, Zogu desh t'a zbukuronte fronin mbretëror me premtimin e një reforme agrare. Pas shumë demagogjie, dredhish e shtrembërimesh, "ligji i reformës agrare" u dekretua më në fund më 3 Maj 1930. Por mënyrat e parashikuara prej ligjit nuk i dëmtonin fort pronarët, të cilëvet iu merrej vetëm pjesa e tepërt pas disa llogaritjeve të bëra në dobi të tyre, përveç që do t'iu jepej edhe për atë një farë shpërblimi. Mandej kishin lirinë t'i ndanin ose t'ua bënin shitje tokat antarëvet të familjevet të tyre, që kështu të prekëshin sa më pak prej reformës agrare. Më në fund, ndërlikimi i ligjevet, mungesa e organizimit dhe e mjetevet nga ana e bujqvet, vullneti i keq që tregonin organet qeveritare ku mbizotëronin pronarët, bënë që reforma agrare të mbetej si një ndarje lëmoshe. Vetëm nja dy mijë familje, shumica prej emigrantësh kosovarë, mundën të merrnin nga një copë tokë në Myzeqe, pjesërisht prej çifliqeve të shtetit.
Si ndërmarrje industriore, nisën të formohëshin disa shoqëri aty këtu pas vitit 1925, kur lidhjet ekonomike me Italinë dhe krijimi i Bankës Kombëtare iu dhanë një farë besimi kapitalistëvet shqiptarë se gjendja e brendëshrne do t'ishte e qëndruarshme. U formuan në Korçë një shoqëri e elektrikut dhe një tjetër e prodhimit t'alkoolit, si edhe një ndërmarrje për tharjen e liqenit të Maliqit. Në Durrës, u organizua shoqëria e duhanit dhe e fabrikimit të cingarevet "Stamles". Në Tiranë, u formua më 1927 shoqëria industriore-tregëtare SITA, n'Elbasan shoqëria SAIDE e duhanit dhe e cingarevet, në Shkodër u ngrit një fabrikë çimentoje. Disa ndërmarrje të vogla vazhduan të hapëshin edhe pastaj, por këto nuk çonin peshë n'ekonominë e përgjithshme të vendit. Ato që përparuan më shpejt qenë shoqëritë italiane, të cilat kishin kapitale e mjete teknike më shumë se Shqiptarët. Gëzonin gjithashtu të drejta e kushte të favorshme nga ana e shtetit, sepse njerëzit e regjimit qenë kthyer n'agjentë të kolonializmit italian. Shoqëritë italiane kishin jo vetëm sipërmarrjet e ndërtimevet botore, por depërtuan edhe në degë të ndryshme t'ekonomisë dhe deri në monopolet e shtetit. Një rast që bëri shumë bujë ishte ai i Shoqërisë AGIP, e cila mundi të merrte koncesionin e monopolit të vajgurit dhe të benzinës. Pastaj shpërdorimet e saja bënë skandal.
Një plagë e pambyllshme për ekonominë shqiptare ishte deficiti tregëtar ndërmjet importimevet dhe eksportimevet. Mbasi, përveç artikujve t'industrisë dhe disa lëndëve të para, Shqipëria duhej të sillte shpeshëherë edhe drithë nga jashtë, ndryshimi ndërmjet të hyravet dhe të dalavet mbeti vazhdimisht prej një me dy, deri një me katër, domethënë vendi importonte dy, tri ose katër herë më shumë se sa eksportonte. Kriza ekonomike e Shqipërisë arriti kulmin ndërmjet vjetëvet 1929-1934, pikërisht në periudhën e krizës më të madhe që njohu bota perëndimore midis dy Luftavet. Tregëtia bëhej pothuajse 80% me Italinë, por kjo nuk i blinte të gjitha prodhimet bujqësore e blegtorale që mund t'eksportonte Shqipëria. Nga ana tjetër, Banka Kombëtare, që e kishte qendrën në Romë dhe drejtohej prej Italianësh, jo vetëm që bënte lloj lloj spekulimesh, por me manevrat e saja shkaktoi që të delte ari në qarkullim, për t'a mbledhur ajo vetë dhe për t'a hequr n'Itali. Prej vitit 1929 filloi rënia e tregëtisë dhe ulja e çmimevet, sidomos mallrat e vendit ranë fare përdhe. Pjesën më të madhe t'eksportimevet të Shqipërisë, lart nga 60%, e përbënin produktet blegtorale. Por këto s'po gjenin treg përjashta, se Italia e kufizoi blerjen e tyre. Kështu çmimet e prodhimevet të vendit - prandaj edhe fuqia blerëse e popullit - ranë tepër poshtë. Dhe mbasi elementet e një ekonomie ndërvaren nga njëri-tjetri, varfërimi i fshatarësisë dhe ulja e fuqisë blerëse të saj solli vetvetiu varfërimin e zejtarisë dhe shkrehien e tregëtisë. Prej vitit 1929 gjer më 1934, jo vetëm ndryshimi ndërmjet importimevet dhe eksportimevet vjen duke u bërë gjithmonë m'i madh, po edhe tregëtia në përgjithësi vjen duke rënë gjithmonë më poshtë. Më 1929, për shembull, vlefta e importimevet të Shqipërisë arrinte në 38,5 milionë franga ari dhe ajo e eksportimevet në 15,5 milionë. Më 1930, vlefta e importimevet kapej rreth 33,5 milionësh dhe ajo e eksportimevet rreth 12,5. Më 1931, eksportimet ranë në 7,5 milionë franga ari, kurse importimet qenë 29,5 milionë. Vitin tjetër pati një rënie më të madhe akoma: eksportimet zbritën në 4,5 milionë, kurse importimet qëndruan rreth 23 milionësh. Kjo rënie e tregëtisë së jashtëme dhe ky ndryshim ndërmjet importimevet dhe eksportimevet vazhdoi edhe për disa vjet akoma. Krahas me deficitin tregëtar qëndronte deficiti i buxhetit shtetëror, i cili plotësohej gjithmonë me huan e Italisë. Kështu, huaja e Shoqërisë SVEA, që ishte marrë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, nisi të përdorej për të mbushur vrimat e buxhetit të shtetit, domethënë për të mbajtur administratën, ushtërinë dhe salltanetin mbretëror.
Pikërisht për të mbajtur këto, mbasi huaja e Italisë nuk mjaftonte, dhe mundësia e mbledhjes së taksavet të drejtpërdrejta, në vend, u kufizua tepër, shteti u vu t'a shtrydhte popullin me anën e taksavet të zhdrejta, duke ngritur monopolet mbi artikujt e nevojavet të para, si kripë, duhan, shkrepëse, vajguri etj., dhe duke i shtuar taksat doganore. Kështu katundarit i ripej lëkura pa mëshirë, sepse s'kishte asnjë krahasim ndërmiet çmimevet t'artikujvet që ai shiste dhe t'atyre që ai blinte. Njerëzia s'kishin t'iu hidhnin kripë bagëtivet dhe e hanin darkën në terr se s'mund t'a paguanin dot vajgurin. Fëmijët e fshatarëvet nuk e njihnin kokrrën e sheqerit. Nuk shihnje veçse fytyra të zbeta dhe njerëz të rreckosur si mos më keq.
Mjerimin ekonomik t'atyre 14 vjetëve e tregon vetë gjendja demografike e Shqipërisë, e cila mbeti e palëvizur rreth një milioni frymësh. Vdekësia e fëmijëvet ishte e hatashme, dhe disa nga sëmundjet më të përhapura, si oftika e malaria, bënin kërdi. Mbi këtë mjerim të përgjithshëm, ngriheshin me elegancë vilat e njerëzve të regjimit, dhe të shtypnin veturat e tyre ndërmjet Tiranës dhe plazhës së Durrësit. Në shërbim të kapitalit italian dhe duke u shoqëruar me disa spekulatorë nga borgjezia, këta, shtinë në dorë të gjitha burimet ekonomike të vendit. Kishnje përshtypjen se shteti ishte diçka për t'u shfrytëzuar, për të paguar rroga, për t'u rjepur nga ata që e drejtonin, dhe jo për të krijuar, për të mirësuar jetën e popullit. Zogu interesohej sidomos për mbajtjen e qetësisë, domethënë për administratën dhe forcat e armatosura; të tjerat ishin gjëra të dorës së dytë për të. Ministria e Ekonomisë s'ishte tjetër veçse një burokraci njerëzish të papunë që shkonin kohën duke bërë statistika të thata dhe duke pirë duhan e kafe. Shumë ministri të tjera nuk ishin më aktive nga kjo. Buxheti i shtetit shpenxohej në pjesën më të madhe për ushtërinë, administratën dhe pallatin mbretëror. Nganjëherë bëhej demagogji shifrash kur caktohej buxheti në fillim të vitit financiar, duke iu lënë ministrive t'Arësimit dhe t'Ekonomisë Kombëtare shuma jo edhe aq t'ulëta. Por më vonë bëhej një transferim fondesh, në mënyrë të pazhurmshme, prej buxhetit të këtyre dikastereve n'atë t'ushtërisë dhe t'"Institutevet të Larta", ku hante me lugë të madhe pallati mbretëror.
Edhe kur merrej ndonjë nismë për të bërë "punë të mëdha", përfundonte si kanali i Kavajës. Shteti ndërmori ndërtimin e një kanali për të vaditur fushën e Kavajës me ujët e Shkumbinit. Por, kur ish bërë gjysma e punës, u vu re se toka nuk kishte pjerrësinë e duhur për të lejuar rrjedhjen e ujit nëpër kanalin. Atëhere ndërmarrja u braktis, pasi humbën 3 milionë franga ari. Si mund të shpjegohej një gabim i tillë me mjetet teknike të kohës për matjen e pjerrësisë? Nga pazotësia e inxhenjerëvet shqiptarë? Nga sabotimi i inxhenjerëvet italianë? Gjuhët e liga flisnin se ndërmarrja ishte nisur me këmbënguljen e Abdurrahman Krosit për të vaditur tokat e këtij në fushën e Kavajës!...
Lart nga 40% të buxhetit të shtetit (i cili pat qënë ndërmjet 25 e 32 milionë franga ari në vit) shpenxohëshin për ushtërinë, që s'vlejti dhe s'mund të vlente për asgjë tjetër veçse për të kënaqur dëshirën megalomane të Zogut për uniforma e parada. Pastaj korrupsioni dhe abuzimet ishin ngjarje të përditshme, por skandalet mbyllëshin kollaj kur bëhëshin prej "besnikëvet". Mbasi Zogu ishte fort i interesuar pas kapitalevet dhe grumbulloi për vehte shuma tepër të mëdha prej huas s'Italisë dhe t'ardhuravet të vendit, nuk mund të ndalonte të tjerët që të mos bënin po ashtu. Shteti u kthye në "pronë private" të njerëzve të regjimit. Këta nisën të shisnin edhe nëpunësitë, ose të krijonin nëpunësi të panevojshme për farefisin e tyre. Kjo mënyrë abuzimi u bë zakon sidomos në kohën e krizës së madhe, kur papunësia erdhi duke u shtuar, kur çmimi i mallravet të vendit ra përdhe, kur tregëtarët po falimentonin njëri pas tjetrit dhe tregëtia zuri të mblidhej në disa duar; në duart e atyre që kishin ortakëri me njerëzit e regjimit, në monopolet, në kontrabandat doganore ose në sipërmarrjet e shtetit. Atëhere tregëtarë të falimentuar e njerëz të papunë i kishin sytë të gjithë tek arka e shtetit për ndonjë nëpunësi. Vetëm kjo kishte mbetur si i vetëmi burim, si e vetëmja shpresë për ata që s'kishin se ku të përpiqëshin gjëkundi, dhe numri i të cilëvet shtohej përditë e më tepër. Po edhe arka e shtetit mbahej sidomos me thërrimet e huas italiane. Nëpunësit kishin zakonisht nga pesë a gjashtë rroga brenda. Kur Italia e pezullonte huan - për të bërë presion sa më shumë mbi qeverinë e Tiranës - pat qëlluar që disa nëpunës mbetëshin edhe tetë muaj pa rrogë. N'ato raste, pagesa iu bëhej m'e rregullt atyre që kishin në dorë administratën dhe fuqitë e armatosura. Kurse nëpunësit e degëvet të tjera, sidomos n'Arësim, shtrëngohëshin shpeshëherë t'ua shisnin rrogat me kambiale disa pasanikëve që përfitonin. Për fshatarin ishte një ëndërr që të shkruhej "xhandar"; po edhe këtë shkallë s'mund t'a arrinte aq lehtë pa i dhënë në disa raste dy-tri rroga ryshfet ndonjë "deputeti".
Merret me mend se sa binte në sy dhe se ç'përshtypje mund të bënte në djalërinë shkollare kontrasti ndërmjet kësaj gjendjeje dhe jetës tepër luksoze të njerëzve të regjimit.
Ky kontrast dhe depërtimi përditë e m'i dukshëm i Italianëvet në jetën e vendit, pat krijuar një frikë të përgjithshme se "po na merr Italia". Përveç në ndërtimet botore dhe në disa degë t'ekonomisë, Italianët kishin ardhur si organizatorë t'ushtërisë dhe të djalërisë paraushtarake, përpiqëshin të hynin n'Arësim, patën hapur disa shkolla tregëtare dhe zejtarie. Ministri i Italisë në Tiranë, Ugo Sola, dhe kryetari i misionit ushtarak italian, gjeneral Alberto Pariani, ushtronin një autoritet të dukshëm pranë qeverisë shqiptare kur ishte puna për të mprojtur interesat e Italianëvet.
Për të qetësuar Shqiptarët, dhe ndoshta duke e kuptuar se kishte hyrë shumë thellë me Italinë, Zogu nisi të merrte një qëndrim pak më të pavarur. Në Nëntor 1931, nuk pranoi që të përsëritej nënshkrimi i paktit të "miqësisë dhe sigurimit", të cilit i mbaronte afati n'atë vit. Por mbetej në fuqi traktati ushtarak i "aliancës mprojtëse", i cili ishte për 20 vjet. Prandaj Italia, ndonëse e pakënaqur prej kësaj shtëmëngie të Zogut, nuk e bëri çështje. Ajo e dinte që do t'a kishte në dorë për sa kohë që ky s'mund të mbahej pa financat e asaj. Në vitin 1930 kishte pasur një deficit më të madh akoma në buxhetin e shtetit Shqiptar. Tirana i ishte drejtuar Romës për një ndihmë më bujare. Më 1931, qeveria italiane pranoi t'i jepte shtetit shqiptar nga ana e saj një hua prej 100 milionësh franga ari, me afat të gjatë dhe pa interes. Huaja do të jepej me këste nga 10 milionë franga ari në vit. Njëkohësisht qeveria e Romës duhej të merrte përsipër detyrimet e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA.
Mirëpo huaja prej 100 milionësh dhe pa interes fshihte pas qëllime më të rënda. Më 1932, Mussolini i propozoi Zogut bashkimin doganor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, përndryshe do t'i priste burimet financiare. Pak më vonë paraqiti të tjera kërkesa për konçesione ekonomike, për një kontroll më të plotë mbi ushtërinë dhe financat e Shqipërisë, për vendosje familjesh italiane në fushat bujqësore, për dëbimin e organizatorëve anglezë të gjindarmërisë dhe zëvendësimin e tyre me instruktorë italianë, dhe prishjen e çdo marrëveshjeje tregëtare me shtete të tjerë. Zogu nuk pranoi asnjë nga këto propozime që kishin për qëllim t'a këthenin Shqipërinë në një krahinë t'Italisë. Por marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet erdhën duke u ftohur. Për t'i bërë ballë gjendjes së vështirë financiare, Zogu filloi t'i kufizonte shpenximet e ushtërisë. Lidhi gjithashtu disa marrëveshje tregëtare me Jugosllavinë dhe Greqinë për të kundër-balancuar presionin ekonomik t'Italisë. Por mjerisht, Jugosllavia dhe Greqia mbanin të njëjtin qëndrim armiqësor kundrejt Shqiptarëvet, si gjithmonë. Pasi përzuri në Turqi nja 60.000 Çamër, Greqia vazhdoi t'ua bënte jetën skëterrë atyre që kishin mbetur, për t'i detyruar që t'iknin edhe ata. Në të njëjtën mënyrë sillej Jugosllavia kundrejt Kosovarëvet, duke vrarë krerët e tyre dhe duke i shtrënguar fshatarët që të shpërngulëshin. Më 1929, Serbët kishin vrarë Shqiptarin e kulluar At Shtjefën Gjeçovin.
Në verën e vitit 1932, u zbulua edhe komploti ose lëvizja e fshehtë e Vlorës, ku bënin pjesë disa nacionalistë, shumica prej atij qyteti, me qëllim që të rrëzonin, ose më mirë të zëvendësonin Zogun, për të cilin mendohej se ishte shumë i sëmurë dhe mund të vdiste. Një vit më parë, ky kish vajtur për t'u mjekuar në Vienë, ku i qe bërë edhe një atentat prej të mërguarve politike. Komploti i Vlorës pasqyronte pakënaqësinë e përgjithshme të Shqiptarëvet, shkaktuar prej gjendjes së brendëshme dhe ndërhyrjevet t'Italisë. Por njerëzit që merrnin pjesë në të nuk ishin të gjithë element i saktë, dhe kishte sigurisht ndonjë shtytje të jashtëme prapa perdesë. Pas zbulimit, komplotistët u kapën dhe disa prej tyre u dënuan me burgim të rëndë.
Në Prill 1933, Zogu bëri shtetëzimin e shkollavet. Kjo masë kishte për qëllim sidomos t'i vinte një kufi ndikimit italian në Shqipëri. Përveç shkollavet italiane dhe atyre të Grekofonëvet, u mbyllën edhe ato të klerit katolik, në Shkodër. Greqia u ankua në Lidhjen e Kombevet dhe çështja shkoi në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, i cili vendosi kundër Shqipërisë. Kështu, pas nja dy vjetësh, kjo u detyrua t'ua hapte shkollat përsëri Grekofonëvet. Kurse Italia zemërimin e saj e tregoi me ndërprerjen e huas. Menjëherë pas shtetizimit të shkollavet, Zogu pushoi nga shërbimet lart nga 60 instruktorë ushtarakë italianë të cilët, bashkë me gjeneral Parianin, u larguan n'Itali.
Ftohja e marrëdhënievet me Italinë dhe pezullimi i huas e vështirësuan më shumë akoma gjendjen ekonomike: nëpunësit mbetën pa rroga, disa ndërmarrje ndërtimesh botore u ndërprenë, papunësia u shtua. Zogu desh të gjente një tjetër mhështetje dhe provoi t'afrohej me Francën, kundërshtarja e Italisë. Po edhe ajo, për t'i dhënë një hua, paraqiste kushte jo më pak të rënda nga t'Italisë fashiste. N'atë gjendje ekonomike ku ishte katandisur Shqipëria, pas dhjetë vjet abuzimesh e shpenximesh të kota për ushtëri e salltanete, nuk i kish mbetur asnjë rrugë-dalje. Mussolini desh të përfitonte prej ngushticës së shtetit shqiptar dhe i vazhdoi presionet. Porsa mori vesh se Zogu kish nisur përçapjet për t'u afruar me Francën, provoi t'a trembte me anën e forcës. Në Qërshor 1934, një pjesë e flotës italiane e përbërë prej 22 luftanijesh erdhi e qëndroi përpara Durrësit, pa i bërë asnjë paralajmërim qeverisë shqiptare. Zogu e kuptonte se n'atë kohë Italia nuk ishte në gjendje të prishte ekuilibrin në Mesdhe, prandaj nuk u tremb nga ato profka. Iu drejtua Anglisë dhe Francës, të cilat i kërkuan shpjegime Italisë. Më në fund çështja u rregullua miqësisht dhe flota italiane u tërhoq. Por marrëdhëniet ndërmjet dy vendevet mbetën akoma të ftohta me gjithë përpjekjet që bëri qeveria shqiptare për t'i ndrequr. Mbasi shteti shqiptar s'kish mundur të krijonte asnjë bazë ekonomike dhe arkat e tija ishin bosh, s'mund të mbahej më këmbë pa u pështetur në ndihmën financiare t'Italisë.
Shqipëria nuk mori pjesë në Lidhjen Ballkanike, pakti i së cilës u nënshkrua n'Athinë prej Greqisë, Turqisë, Jugosllavisë dhe Rumanisë, në Shkurt 1934. Dhe s'kish sesi të merrte pjesë, mbasi pakti ballkanik kishte më fort një qëllim mprojtjeje kundrejt Italisë fashiste me të cilën Shqipëria qëndronte e lidhur. Po edhe ky shkak sikur të mos ishte, ndërmjet Shqipërisë, nga njëra anë, Jugosllavisë dhe Greqisë, nga tjetra, kishte shumë vështirësi afrimi.
Më 1935, ngjau një trubullirë m'e bujëshme nga komploti i Vlorës, e cila u quajt "kryengritja e Fierit". Kjo e tregoi më haptas akoma pakënaqësinë e përgjithshme kundrejt regjimit Zogist. Sepse n'atë lëvizje ishin lidhur elemente të ndryshëm prej gjithë Shqipërisë: nacionalistë të vjetër, djem të rinj enthusiastë, po edhe disa komunistë, si edhe borgjezë e bejlerë të mëdhenj. Organizimi ishte bërë keq, me anë pështëllitjesh vesh më vesh; shumë nga pjesëmarrësit nuk dinin se ku ishte kreu i punës dhe çdo të bëhej pas përmbysjes së Zogut. Është e vështirë të besohet që të mos ketë pasur edhe këtu shtytje nga jashtë, të paktën tek disa nga krerët e mëdhenj. Por mbasi edhe kjo lëvizje kishte formë komploti, dështoi si të tjerat. Më 14 Gusht, ngriti krye vetëm gjindarmëria e Fierit, e cila arrestoi nënprefektin dhe vrau gjeneral Gilardin tek udhëtonte për në Vlorë. Me gjindarmërinë u bashkua një pjesë djemuri dhe popull prej rrethit të Fierit. Në Skrapar u ngrit Riza Cerova, i cili ishte kthyer disa muaj më parë prej mërgimit, ku qe bërë komunist. E shumta e atyre që ishin lidhur gjoja me lëvizjen, nga borgjezia dhe bejlerët, nuk luajtën vendit. Kështu kryengritësit e Fierit arritën vetëm gjer në Lushnje, dhe aty u thyen prej fuqivet qeveritare. Riza Cerova desh t'arratisej në Jugosllavi, por u vra malevet. Kryengritja u shtyp brenda 24 orësh dhe u bënë shumë arrestime, sidomos në qarkun e Beratit dhe në rrethin e Fierit. Disa nga të burgosurit u torturuan keq dhe shumë prej tyre u dënuan me vdekje e burgime të rënda. Por u pushkatuan me njëherë, pa kaluar fare nëpër gjyq 11 gjindarmët e Fierit që kishin filluar kryengritjen. Kurse për të dënuarët e tjerë pati ndërhyrje e protestime nga organizata ndërkombëtare të jashtëme e deri nga Lidhja e Kombevet. Çështja bëri bujë në botë. Kështu Zogu u detyrua të mos e zbatonte dënimin me vdekje për të tjerët "përveç 11 gjindarmëvet që ishin pushkatuar".
Kryengritja e Fierit e tronditi mjaft gjendjen e Shqipërisë përbrenda, aq sa Zogu mendoi për një çast të ndërronte udhë. E mënjanoi skuadrën e vjetër dhe emëroi një qeveri të re, "liberale", nën kryesinë e Mehdi Frashërit. Duke e marrë punën me optimizëm siç e kishte zakon, Mehdi Beu premtoi se do të spastëronte administratën, do t'a lironte popullin nga frika e gjindarmërisë "gogol" dhe do t'a bënte Shqipërinë shesh me lule. Filloi të sillte disa njerëz të rinj nëpër pozita me rëndësi, desh t'ekuilibronte buxhetin e shtetit dhe balancën e tregëtisë së jashtëme, por me se? Sidoqoftë gjithkush nisi të merrte frymë më lirisht, shtypi filloi të shante "skuadrën e vjetër" dhe të ngrinte Zogun me lëvdata gjer në qiell, disa djemuri vunë menjëherë në qarkullim ideologjinë e "diktaturës së ndritur". Ky enthusiazëm ishte si një dehje e përkohshme, dhe s'mund të shkonte gjatë për dy arësye: e para, as Zogu as regjimi i tij s'mund të ndërronin natyrë, mbasi ishin ngritur dhe s'mund të mbahëshin veçse mbë një sistem bajraktarist. E dyta, Shqipëria n'atë kohë ishte varfëruar aq fort përbrenda sa që s'mund të mbahej pa një ndihmë financiare të jashtëme, dhe këtë s'mund t'ia jepte veçse Italia, kundrejt konçesionesh të tjera ekonomike që mund të merrte. Prandaj edhe Mehdi Beu s'gjeti dot rrugë tjetër përveç asaj që çonte në Romë.
Qysh përpara kryengritjes së Fierit, Zogu kish nisur t'i përulej përsëri Italisë, i shtrënguar prej nevojave financiare. Në Shkurt 1935, Mussolini i dha qeverisë shqiptare një ndihmë prej 3 milionësh franga ari për të plotësuar disi deficitin e buxhetit. Pastaj i bëri edhe disa ndihma të tjera të vogla, por duke shtrirë përsëri kontrollin mbi ushtërinë shqiptare. Në verën e atij viti, Tirana kishte nisur bisedimet me Romën për t'u kthyer në miqësinë e mëparshme, duke lypur ndihma gjithmonë më të mëdha. Bisedimet i vazhdoi dhe i përfundoi qeveria e Mehdi Frashërit, në Mars 1936. Sipas marrëveshjevet të reja që u nënshkruan më 19 t'atij muaji, Italia i jepte Shqipërisë disa hua të tjera, i falte ato që i kish dhënë gjatë vjetëvet 1931-1932 në bazë të huas së 100 milionëvet e cila u anulua, dhe pezullonte për pesë vjet detyrimet e shtetit shqiptar kundrejt Shoqërisë SVEA. Por nga ana tjetër, e shtrinte më tutje akoma kontrollin mbi ekonominë shqiptare dhe ruante pozita të privilegjuara në tregëtinë: më të shumtat e importimevet Shqipëria do t'i bënte prej Italisë, kurse kjo blinte vetëm disa lloje e sasi të kufizuara nga prodhimet shqiptare, nëpërmjet të shoqërisë bujqësore-tregëtare italiane EIAA. Italia do të dërgonte përsëri organizatorë ushtarakë dhe inxhenjerë për ndërtimin e disa rrugëve me karakter strategjik. Parashikohej zgjerimi i skelës së Durrësit për t'a bërë të përshtatshme për shkarkime të mëdha, në përputhje me planet strategjike t'Italisë.
Me këto marrëveshje të reja, gjendja financiare e regjimit të Zogut u përmirësua disi përkohësisht, por dara italiane u shtrëngua më shumë akoma rreth Shqipërisë.
Kur Zogu zgjodhi Mehdi Frashërin për të formuar qeverinë, pati dy qëllime: për të qetësuar gjendjen e brendëshme, mbasi Mehdi Beu shikohej si atdhetar liberal e përparimdashës, dhe për t'ia ngarkuar këtij përgjegjësinë e marrëveshjevet të reja me Italinë, si zëdhënës i rrymavet nacionaiste e përparimtare. Kur Mehdi Beu ia kreu këto dy shërbime dhe Zogu, prej lidhjevet të reja me Italinë, e ndjeu vehten më të sigurtë, nuk kish më nevojë të shurdhohej prej llomatitiesh "liberale" të cilat ai s'mund t'i dëgjonte. Prandaj, me shtytjen e tij, parlamenti hodhi poshtë një projekt-ligj të parëndësishëm të qeverisë duke mos i dhënë kësaj votëbesimin. Atëhere qeveria e Mehdi Beut dha dorëheqjen, më 7 Nëntor 1936, dhe Zogu, duke ua prerë këngën në gojë koristëve të "diktaturës së ndritur", solli në fuqi "skuadrën e vjetër": Koço Kotën, Musa Jukën dhe shokët e tyre.
Në Maj 1937, Et-hem Totua, ish-ministër i Punëve të Brendëshme në qeverinë e Mehdi Frashërit, ngriti krye në Delvinë e Gjirokastër, i mori këto dy qendra me ndihmën e gjindarmërisë, si edhe Tepelenën, dhe iu nis Vlorës. Por u shpartallua prej forcavet qeveritare dhe u vra. I vëllaj i tij, Ismeti, ideologu i "diktaturës së ndritur", u kap, u dënua me vdekje dhe u var.
Më të shumët e kundërshtarëvet të Zogut, përbrenda, ose të pakënaqurit, shpresonin tek t'arratisurit politikë përjashta, të cilët fantazia popullore i kishte idealizuar. Kurse këta s'kishin asgjë nga cilësitë ose zotësitë që iu vishte aq bujarisht përfytyrimi i popullit. Dhe e treguan më 1924 se sa vlenin. Kur e lanë Shqipërinë nga frika e Zogut, u ndanë në dy-tri grupime. Pjesa e të rinjvet të Shoqërisë Bashkimi, me Fan Nolin në krye, anoi nga komunizmi, nga Rusia sovietike, dhe formoi në Vienë, në Mars 1925, Komitetin Nacional-Revolucionar, ose KONARE-n, siç u quajt shkurtimisht, nën kryesinë e Fan Nolit. Këta hynë menjëherë në lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe me Kominternin. Zunë pastaj të futëshin më çdo birucë ku kishte punëtorë ose studenta shqiptarë përjashta për të bërë propagandë komuniste. Disa prej tyre si Llazar Fundua, Sejfulla Malëshova, Riza Cerova etj., shkuan për haxhillëk në Bashkimin Sovietik. Pjesa tjetër e të mërguarve politikë, "nacionalistë", "demokratë" a thuaju si të duash, u ndanë më dysh sipas shtetit të jashtëm që zgjodhën për patron: me Jugosllavinë ose me Italinë. Ata që zgjodhën Jugosllavinë dhe që paguhëshin me rroga muajore prej kësaj, si Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj., formuan "Bashkimin Kombëtar", me qendrën në Paris. Të tjerët që paguhëshin prej Italisë kishin në krye Mustafa Krujën, agjentin e përhershëm të Romës. Këta ishin kthyer përgjithësisht në politikanë kafenesh dhe i mbanin veshët përpjetë se kush po e përzinte Zogun prej Shqipërie, Jugosllavia apo Italia, për t'i futur këta si bash-veqilë në Tiranë.
Po edhe KONARE-ja nuk i kishte punët fort mirë. U mundua ca kohë të mbante në krye Fan Nolin, si një "figurë", por ky nuk para iu shtrohej parimevet politike. Kur pati nevojë për të holla në një rast sëmundjeje, i kërkoi Zogut telegrafisht, pasi kishte derdhur kundër tij gjithë ato sharje nëpër vjersha satirike. Këtu s'bëri ndonjë mëkat të madh, sepse më mirë që i kërkoi Zogut se sa Jugosllavisë ose Italisë. Por m'e keqja ishte se, mbasi iu lut Zotit ca kohë për Zogun I në kishat shqiptare t'Amerikës, disa vjet më vonë, po n'ato kisha dhe përpara atyre besnikëve, krahasonte Enver Hoxhën me Krishtin! Kështu e kishin këta shkrimtarë! A nuk u bë Faik Konitza me Esad Toptanin, më 1913, sepse urrente Ismail Qemalin? Më pastaj, pasi derdhi edhe ai shumë të palara kundër Zogut, u bë ministri i tij n'Amerikë.
Pra, pas ca kohe KONARE-ja u shkatërrua dhe vendin e saj e zuri "Komiteti i Çlirimit Nacjonal", që kishte shpirt e zemër Halim Xhelon. Ky pati mundur të hynte fshehtazi edhe në Shqipëri. Prej vitit 1929, "Komiteti i Çlirimit Nacjonal" bënte pjesë në Komitetin e Federatës Komuniste Ballkanike. Nga komunistët shqiptarë në mërgim, më të diturit ishin Sejfulla Malëshova dhe Llazar Fundua. Ky i dyti, mbasi e pa se ç'ishte praktikisht komunizmi në Rusi, ndërroi pikëpamje dhe u kthye në Shqipëri, i falur, disa muaj përpara pushtimit fashist, me qëllim që të bashkëpunonte me demokratët në mprojtjen e atdheut dhe, natyrisht, në zhvillimin shoqëror, ekonomik e kulturor të vendit. Ishte njeri i zgjuar, i çiltër në mendime dhe me kulturë të gjerë. Për fat të keq, komunistët e kapën dhe e vranë më 1944. Halim Xhelua vdiq në një spital në Belgjikë. Një nga ata që u bënë përhapësit e idevet komuniste në Shqipëri ishte Ali Kelmendi, i cili u mundua të fuste farën e keqe më çdo birucë ku kishte ndonjë grupth të vogël punëtorësh. Idetë komuniste, si një pështjellim i mjegullt, nisën të përhapëshin edhe në djalërinë shkollare. Disa prej të rinjve shqiptarë, si Mehmet Shehu, Asim Vokshi etj., shkuan prej Italie si vullnetarë në luftën civile të Spanjës, në radhët e brigadës ndërkombëtare "Garibaldi", për të ndihmuar anën komuniste.
Ndërkaq, n'Evropë po ngjanin lëkundje. Në Gjermani, më 1933, kish ardhur në fuqi Hitler-i me Partinë Nazi, që i theu njërën pas tjetrës konditat e traktatit të Versailles-ës, bëri riarmatimin e Gjermanisë dhe krijoi një rrezik të vërtetë për Evropën. Mbasi fashizmi e nazizmi ishin e njëjta "ideologji", filloi menjëherë afrimi ndërmjet Italisë dhe Gjermanisë, që u bë fare i ngushtë me aliancën e nënshkruar ndërmjet dy shtetevet, në Tetor 1936, dhe me krijimin e boshtit Berlin-Romë.
Duke menduar se i erdhi koha për të themeluar një perandori koloniale, Italia fashiste sulmoi Abisininë në Tetor të vitit 1935 dhe e pushtoi në Maj 1936. Kështu Viktor-Emmanuel-i III u bë edhe perandor i Ethiopisë. Mandej Italia erdhi duke e zgjeruar veprimtarinë e saj në Ballkan. Në Mars 1937, ministri italian i Punëve të Jashtëme, Galeazzo Ciano, i dhëndërri i Duce-s, bëri një vizitë në Belgrad dhe nënshkroi me qeverinë jugosllave një pakt miqësie. E shtrënguar ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë, Jugosllavia po shkëputej nga rrethi i politikës frënge për t'u afruar me Romën dhe Berlinin. Ndërmjet Ciano-s dhe kryeministrit jugosllav, Millan Stojadinoviç-it, u bisedua sigurisht edhe për çështjen e Shqipërisë. Duket se Jugusllavia nuk e kundërshtoi, ose nuk kish fuqi t'a kundërshtonte, ndërhyrjen e mëtejshme t'Italisë në Shqipëri, por, në rast të një pushtimi, donte edhe ajo pjesën e saj. Në verën e vitit 1937, u nënshkrua edhe një marrëveshje jugosllavo-turke, e cila përmbante shpërnguljen në masë të Kosovarëvet për në Turqi. Por këtë pikë të marrëveshjes nuk pranoi t'a zbatonte Qemal Ataturku.
Italia u përpoq të mbante një politikë miqësore edhe me Greqinë, ku ishte vendosur diktatura fashiste e Metaksajt. Në këtë mënyrë, Mussolini po pregatiste pushtimin e Shqipërisë.
Në faqet e mësipërme, kemi parë sesi veproi Zogu, sesi Shqipërinë e përdori më fort si një mjet për ambicjet e tija dhe, bashkë me rrethin e vet të dobët, shtetin shqiptar e përdorën si një pronë të tyren. Kemi thënë gjithashtu, në fillim të kësaj kaptine, se Zogu, sikur të kishte qënë një udhëheqës i madh, i frymëzuar nga dashuria e krijimit dhe e lartësimit të popullit shqiptar, mund të kish gjetur elemente për të formuar një rreth të shëndoshë, se i tërë kombi nuk ishte një kalbësirë. Por mbasi Zogu nuk qëlloi i asaj natyre, duhet thënë haptazi se as populli shqiptar, në tërësi, nuk ishte i asaj lartësie sa të vetqeverisej me mënyrat demokratike që kanë zënë vend në botën e qytetëruar të Perëndimit pas një evolucioni shumë të gjatë. E pamë sesi, prej vitit l9l3 e gjer me 1937, (përveç vitit 1920 ku Shqiptarët, nga frika e copëtimit, treguan një solidarësi të vërtetë kombëtare) s'shihej as dëgjohëj tjetër veçse trubullime, kryengritje, çohu ai kundër këtij, pikërisht si në kohën e Turqisë, kur çdo krahinë, çdo bajraktar, çdo kapedan, ishte një shtet më vehte. Prandaj, në kushte të këtilla, t'ia hedhish të gjithë përgjegjësinë e fatkeqësivet kombëtare një njeriu të vetëm - dhe ky njeri të jetë Zogu - nuk na duket gjykim historiani. Zogu ka përgjegjësitë e tija, po edhe kombi shqiptar, në përgjithësi, kishte mungesat e tija, të cilat nuk ishin më të vogla. Dhe mbasi çdo populli i vjen një regjim pas kokës sikurse çdo njeriu që i vjen një kësulë, duket se populli shqiptar në tërësi, nuk ishte i pjekur për një regjim më të mirë. Dhe kjo jo për mungesë energjie, zgjuarësie e cilësish morale, po për shkaqet historike që kemi treguar gjatë këtij studimi. Shqiptarët, në përgjithësi, kishin mbetur ndoshta populli më anarkik i Evropës, popull që s'pranonte asnjë autoritet shtetëror, dhe botëkuptimi i të cilit me shumë vështirësi mund të delte përtej rrethit të krahinës të fisit a të bajrakut. Kujtonin se qeveritë dhe regjimet politike duhëshin ndërruar sipas fantazisë së secilit, me aq lehtësi sa ç'mund të ndërrohet këmisha. Çdo bajraktar që çonte më këmbë 300 veta, çdo oficer që mund të bënte me vehte 20 gjindarmë, kujtonte se ishte mjaft i fortë për të marrë në dorë Tiranën dhe shtetin. Dhe gati të gjitha ato që kemi quajtur "kryengritje" kanë qënë të kësaj natyre. Kjo papjekuri politike, kjo gjendje fatkeqe e atij populli të mjerë, pas zogizmit, solli komunizmin. Prandaj, përveç përgjegjësivet historike që Zogut mund t'i ngarkohen edhe prej brezavet t'ardhshëm, kur të jenë shuar pasionet e kohës sonë, le të shikojmë nëse regjimi i tij mund të ketë pasur edhe ndonjë anë pozitive.
Ana pozitive e regjimit të Zogut është se, mirë, keq, gjatë atyre 14 vjetëve i dha Shqipërisë formën e një shteti të përqendruar, me një administratë të rregullt dhe me një gjindarmëri t'organizuar mirë, e detyroi një pjesë të Shqiptarëvet t'iu nënshtrohej ligjevet, dhe, me anën e ca rrugëve që u ndërtuan (qoftë edhe për interesat strategjike t'Italisë), me ca shkolla që u hapën, me shërbimin ushtarak të detyruar, me pjesëmarrjen e Shqiptarëvet të çdo feje e të çdo krahine në vepërimet e ndryshme të bashkësisë shtetërore, u krijuan lidhje kombëtare më të forta, u ngul në mendjen e gjithkujt se Shqipëria duhej të përbënte një tërësi, si shtet i pavarur. Administrata shtetërore e qiti jashtë ligjit zakonin e ahmarrjes dhe të mbajtjes s'armëvet; u vu kudo një farë disipline. Me gjithë kryengritjet që u bënë njëra pas tjetrës, qetësia u mbajt mirë, sepse Zogu ishte i zoti për atë punë. Por nuk mund të thuhet se ky rregull mbretëroi më çdo anë të Shqipërisë. Administrata e përqendruar pati fuqi pothuajse vetëm nëpër ato krahina që ishin mësuar deri diku të njihnin autoritetin e shtetit. Kurse në disa malësi të veriut qetësia u mbajt duke iu paguar rroga "kreshnikëvet", të cilët shpeshëherë ishin qeveri më vehte nëpër krahinat e tyre, vrisnin për gjaqe e punë të tjera sa iu donte zemra, dhe nëpunësit e administratës shtetërore qëndronin n'ato vise si "jallan shahitë". Për t'i dhënë Shqipërisë tiparet e një shteti evropian, Zogu vuri në fuqi kodin penal sipas atij t'Italisë, në Jenar 1928, kodin civil sipas ligjevet napoleoniane, në Prill 1929, dhe kodin tregëtar sipas modelevet të Francës dhe t'Italisë, në Prill 1932.
Ndonëse gjatë regjimit të Zogut u krijuan, siç thamë, lidhje kombëtare më të forta, n'anën shoqërore dhe të mendimeve politike kundërshtimet u acaruan më shumë akoma ndërmjet së vjetrës dhe së resë, ndërmjet përfitonjësve dhe të shfrytëzuarve, duke sjellë një pështjellim ndjenjash e idesh, nga i cili s'mund të delte veçse komunizmi.
Në fushën e kulturës dhe t'arësimit, nuk mund të thuhet se s'u bë asgjë gjatë regjimit të Zogut, por mjerisht jo aq sa duhej dhe sa kishte mundësi të bëhej. U hapën disa shkolla të mesme e qytetëse, si edhe një numër filloresh, për djem e vajza, por më të shumët e katundevet nuk kishin. Mungonin gjithashtu librat shkollore, të cilat hartohëshin dhe shtypëshin me një rithmë të ngadaltë. Arësimtarët përgjithësisht punonin mirë dhe mundohëshin të bënin dicka, por mungonte shtytja, ndihma e shtetit dhe organizimi. Me shtrirjen që kanë marrë degët e ndryshme të diturisë në kohët tona, nuk mund të bëhet gjë e madhe pa një punë t'organizuar dhe të drejtuar prej institutesh të larta kulturore. Dhe mbasi këto institute mungonin në Shqipëri, atë nismë duhej t'a merrte shteti. Duhej themeluar pikësëpari një institut i lartë albanologjie, për të hedhur bazat e kulturës kombëtare n'anën e gjuhësisë, të letërsisë, të historisë, për të hartuar librat shkollore të degëve të ndryshme të diturisë, për t'a ngritur mendimin shqiptar në rrafshin akademik. Sigurisht, për këtë lloj pune duhëshin mjete, dhe shteti shqiptar nuk ishte i pasur. Por në krahasim me shpenximet e kota që bëhëshin për ushtërinë, për lukse e salltanete, kjo punë edhe kish për të kushtuar më pak, edhe do t'ishte fort e dobishme. Se s'mund të ketë kombësi pa një shpirt kombëtar, dhe s'mund të ketë shpirt kombëtar pa një kulturë të lartë kombëtare që të qëndrojë në gjuhën e mëmës, në një gjuhë të punuar me kujdes, ku të derdhet me një rrjedhje të natyrshme i tërë thesari i fjalëvet dhe i shprehjevet t'ëmbëla të saj. Ndjenja e së mirës, përfytyrimi i së bukurës, mendimet e larta, nuk mund të thithen e të zhvillohen plotësisht veçse nëpërmjet të gjuhës amtare. Duke mos pasur shkolla të larta, shteti dërgonte disa studentë me bursë nëpër universitete t'Evropës. Bursat jepëshin zakonisht me anësi për farefisin e njerëzvet të regjimit, dhe rrallëherë bazohëshin në zotësinë e studentëvet.
Sa për krijimet letrare gjatë regjimit të Zogut, u botuan disa gjëra të këndshme dhe u tregua një farë kujdesi për pastërimin e gjuhës, por nuk mund të thuhet se kemi kryevepra t'asaj periudhe. Ndonëse letërsisë patriotike të Rilindjes i kishte kaluar koha, disa shkrimtarë vazhduan akoma mbi ato thema, ose mbi thema të historisë kombëtare, por pa iu dhënë dot këtyre kuptimin e kohës. Disa të rinj deshën t'imitonin symbolizmin si edhe romantizmin e letërsive evropiane, me ca dashuri melankolike e psherëtima në dritë të hënës. N'atë kohë, jeta familjare e shoqërore e Shqiptarëvet paraqiste kundërshti (kontradikta) të përditshme ndërmjet mendësisë së vjetër dhe idevet të reja, ku mund të merrëshin thema interesante për dramin dhe romanxin. Por në këtë lëmë prodhimi nuk kemi veçse disa novela dhe ndonjë poezi humoristike. Si letërsi të një karakteri shoqëror, kemi aty-këtu disa përshkrime të skamit e të mjerimit ku rrihej e përpiqej populli i varfër, i shfrytëzuar prej pasanikëvet. Ndonëse kjo mënyrë shkrimi frymëzohej prej ideve komuniste, i përgjigjej së vërtetës n'atë kohë, dhe përmban ndjenja të prekshme. Por nuk pati krijime me të vërtet origjinale, as n'anën e përfytyrimit të lartë artistik, as n'anën e ngritjes s'idevet në një botëkuptim epëror me ngjyrimet e mendësisë së Shqiptarit. Kështu mendimi i Shqiptarëvet, si gjatë shekujvet, mbeti rob i propagandavet të jashtëme, dikur fetare, dhe tani "ideologjike". Me të vërtet Shqiptarët e gjorë, siç ndahëshin dikur në të krishterë e myslimanë, nisën të frymëzohëshin tani ose prej "ideologjisë" fashiste, ose prej asaj komuniste, pa e vrarë mendjen asnjë çast se që të dyja këto s'ishin tjetër veçse propaganda imperialiste të disa fuqive të mëdha, të cilat donin të hanin edhe Shqipërinë, siç u provua më vonë.
Zogu dhe rrethi i tij ndjenin një frikë instinktive kundrejt kulturës, mbasi kët' armë s'e kishin ata vetë. Mandej e kuptonin ndoshta se mënyra e qeverimit të tyre nuk pajtohej me idetë e reja që vinin prej kulturës së kohës. Prandaj nuk i dhanë një përkrahje me shpirt zhvillimit kulturor të vendit, dhe çdo mendim të ri e quanin komunist. Por nuk mund të thuhet se përdorën masa të rrepta për të penguar zhvillimin e kulturës ose për t'imponuar një "ideologji", si në Gjermani, Itali e gjetkë. Ata ndaluan vetëm rrahjen e lirë t'idevet politike, botimet e theorivet ose të propagandës komuniste dhe çdo kritikë që mund t'i bëhej regjimit të Zogut.
Por këto masa ndalimi bënin efektin e kundërt, sepse idetë e reja gjenin gjithmonë rrugë se nga të hynin, me anën e libravet të shkollës dhe nëpër kulturën evropiane përgjithësisht, e cila depërtonte nga të gjitha marrëdhëniet me botën e Perëndimit. Prandaj do të kishte qënë shumë më mirë sikur mendimet e reja t'ishin rrahur në dritë të lirë, se sa të merrëshin në një mënyrë të rrëmujëshme, pa kritikë, prej grupthe fanatikësh, nëpër biruca. Sepse idetë që thithen fshehurazi, merren gjithmonë shtrembër.
Kishte mandej një kundërshti të dukshme, të përditshme, ndërmjet abuzimevet orientale të regjimit, të cilat binin fort në sy në një vend të vogël si Shqipëria, dhe idevet ose aspiratavet që brezit të ri i vinin prej kulturës perëndimore. Kështu ndërmjet regjimit zogist dhe brezit të ri u krijua një hendek i pakapërcyershëm, ishin si dy botë të ndara që s'i lidhte asnjë urë bashkimi. Shumica e madhe e të rinjvet e kishin për turp të tregonin ndjenja simpathie për regjimin, deri edhe një pjesë e atyre që ishin bij ministrash ose "besnikësh" dhe që përfitonin prej tij. Ky ishte ndoshta dëmi m'i madh që i pruri regjimi i Zogut Shqipërisë dhe që pati, siç do t'a shohim, pasoja të tmerrshme.
Nëse Zogu nuk u tremb nga demostrata e flotës italiane përpara Durrësit, në Qërshor 1934, punët kishin ndryshuar në Prill 1939. Hitleri e kish përmbysur ekuilibrin e Evropës, me aneksimin e Austrisë më 13 Mars 1938, me copëtimin e Çekosllovakisë në Shtator t'atij viti dhe me pushtimin e plotë të Bohemisë e të Moravisë, në Mars 1939. N'ato kushte, as Italia nuk mund të mbetej pa u shtrirë më ndonjë anë, sidomos tani që nga veriu po ndjente peshën e Gjermanisë, e cila i kishte ardhur në Brenner. Dhe ana nga mund të shtrihej, ishte Shqipëria. Tre muaj pas aneksimit t'Austrisë prej Gjermanëvet u bë një takim i dytë ndërmjet Kontit Ciano dhe kryeministrit të Jugosllavisë, Stojadinoviç-it, në Venetik, më 18 Qërshor 1938. Ky takim kishte për qëllim të forconte miqësinë italo-jugosllave, domethënë të siguronte qëndrimin mënjanë të Jugosllavisë në rast se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Kryeministri jugosllav ia përsëriti edhe njëherë Kontit Ciano se çështja e Shqipërisë nuk kishte një rëndësi t'atillë sa të prishte marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shtetevet dhe se Jugosllavia ia njihte Italisë pozitën e privilegjuar mbi atë vend. Por megjithatë, kërkonte edhe për vehte një copë nga ana e veriut, nëqoftëse Italia do t'a pushtonte Shqipërinë ushtarakisht. Për këtë qëllim u përqëndruan fuqi jugosllave rreth kufijve të Shqipërisë dhe, në Shtator 1938, ministri i Jugosllavisë në Tiranë i njoftonte ministrit shqiptar të Punëve të Jashtëme se, në rastin e një pushtimi të Shqipërisë nga trupat italiane, duhej të merrte edhe Jugosllavia, për sigurimin e saj, disa krahina në veri.
Por me synimet e mëtejshme të Gjermanisë n'Evropën qendrore, Jugosllavia e ndjeu vehten në rrezik ndërmjet fuqivet të Boshtit; dhe nisi t'a ulte ca më shumë qëndrimin e saj kundrejt Italisë. Përpara se të pranonte planin e Kontit Ciano për një vepërim ushtarak në Shqipëri, Mussolini u mendua fort, nga frika se mos i jepte shkak Gjermanisë për të zbritur në Ballkan. Por në Jenar 1939 e ndau mendjen, dhe Konti Ciano shkoi përsëri në Belgrad, ku qëndroi prej 18 gjer më 23 t'atij muaji, për t'a biseduar çështjen më gjatë me kryeministrin jugosllav, Millan Stojadinoviçin. Sa për Greqinë, Italia s'e fuste fare në llogari. Stojadinoviçi qëndronte gjithnjë në mendimin se zgidhja m'e mirë e problemit të Shqipërisë do t'ishte copëtimi, siç shkruante Konti Ciano. Jugosllavia kërkonte Shkodrën dhe malin e Taraboshit, kurse Italia i premtonte asaj përkrahjen për të dalë në Selanik dhe ndonjë ndryshim të vogël në kufijtë e Shqipërisë, duke i lënë natyrisht edhe dorë të lirë për të çkombëtarizuar Shqiptarët e Kosovës. Selaniku ishte shumë tërheqës për Jugosllavinë, por mbetej gjithmonë si një "premtim". Gjë që nuk e bindte Stojadinoviçin. Prandaj, kur ky dha dorëheqjen më 4 të Shkurtit dhe në Belgrad u formua një qeveri tjetër, Konti Ciano shkruante në ditoren e tij: "Me Stojadinoviçin duhej t'a ndanim Shqipërinë, tash do t'a pushtojmë të tërë, pa Jugosllavinë".
Nëse pengesa jugosllave mund të kapërcehej, mbetej gjithmonë frika se mos Gjermania zbriste në Ballkan. Më 15 Mars 1939, Hitler-i e pushtoi të gjithë Çekosllovakinë. Mussolini-t po i prishte gjumin çështja e Shqipërisë, duke e menduar nga të gjitha anët. Por duket se vendimin e prerë e mori më 23 të Marsit 1939, kur Gjermania e siguroi Italinë se Adriatiku dhe deti Mesdhe i mbetëshin kësaj. Në të njëjtën kohë Mussolini pati një letër edhe nga kryeministri i Anglisë, Neville Chamberlain-i, i cili i lutej pothuajse diktatorit italian që të ndihmonte për të krijuar mirëbesimin ndërmjet fuqivet të mëdha dhe për të ruajtur paqen. Kjo letër bëri efektin e kundërt sepse, siç shkruante Konti Ciano në ditarin e tij, tregonte dobësinë e demokracivet dhe ia forcoi vendosmërinë Mussolini-t. Pas pak ditësh, Ambasadori jugosllav në Romë e siguronte Kontin Ciano se Belgradi nuk i paraqiste kundërshtim vepërimit italian në Shqipëri, vetëm kërkonte që ky vend të mos përdorej si një bazë kundër Jugosllavisë.
Më 23 Mars, Italia nisi pregatitjet ushtarake për zbatimin e planit. Përqëndroi fuqi në Pulje, nën kumandën e gjeneral Alfredo Guzzoni-t, dhe një skuadër të flotës në Taranto. Njëkohësisht, vuri në lëvizje agjentët e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë për të përdorur si vegla një pjesë Shqiptarësh, të cilët do të ndihmonin ndërmarrjen ushtarake italiane dhe do t'i lutëshin me telegrame Mussolini-t që t'a çlironte vendin e tyre nga regjimi i Zogut. Ministri i Italisë në Tiranë, Jakomoni, u ngarkua të pregatiste një kryengritje bajraktarësh dhe shpërndau mjaft të holla djathtas e majtas. Kurse përjashta, agjentët e fashizmit u vunë të fusnin në shërbim kundërshtarët e vjetër të Zogut ose "heronjt" e 1924-ës, të cilët jetonin ç'prej 14 vjetësh me rroga të Jugosllavisë dhe t'Italisë. Shërbimi i këtyre i vlente Italisë në dy drejtime: e para, mund të mënjanonte rrezikun e një qëndrese me armë të popullit shqiptar dhe, e dyta, me telegramet e këtyre, që mbushnin faqet e para të gazetavet, jepte përshtypien në botën e jashtëme se ajo nuk vinte në Shqipëri si robëronjëse, por si "çlironjëse", e thirrur prej Shqiptarëvet vetë. Jugosllavia porsa u bind se Shqipërinë po e pushtonte Italia, ua preu rrogat politikanëve të "Bashkimit Kombëtar", Qazim Koculit, Ali Këlcyrës e të tjerëve, që jetonin në Paris. Për t'i ngushulluar, shkoi menjëherë Mustafa Kruja me premtime të reja... Dhe për t'i bashkuar të gjithë tok në shërbim t'Italisë këta "nacionalistë", të cilët mund t'i bashkonte çdo i huaj por kurrë zëri i atdheut. Shërbimet e fshehta italiane dërguan në Francë si kasnec kryeagjentin e tyre për pushtimin e Shqipërisë, Ernest Koliqin. Gojtaria e këtij, e ambël si tringëllimi i arit, qetësoi zemrat dhe pajtoi mendimet e papajtuarshme për të nënshkruar në Grenoble një copë karte, me anën e së cilës i kërkohej Duce-s çlirimi i Shqipërisë nga regjimi i Zogut, dhe ky i fundit të zëvendësohej me një princ prej Shtëpisë së Savojës. Të gjitha pregatitjet ishin bërë siç duhej nga ana e Italianevet; deri edhe data e sulmimit të Shqipërisë ishte caktuar pikërisht për n'ato ditë kur Zogu priste lindjen e një fëmije dhe s'kish sesi t'arratisej me të shoqen shtatzënë n'orët e fundit ose lehonë. Kjo rrethanë familjare mund t'a detyronte të dorëzohej.
Kur gjithëçka ishte në rregull, Italia i dha Zogut një notë, më 25 të Marsit, me disa kërkesa të papranuarshme: shkarkim trupash italiane në Shqipëri për të pushtuar katër skelat kryesore dhe pikat strategjike gjatë kufijvet bashkë me kontrollimin e rrugëvet dhe të fushavet t'aviacionit; bashkim doganor dhe monetar ndërmjet dy shtetevet; vendosje familjesh italiane në Shqipëri, sidomos nëpër fushat bujqësore, me të drejtë blerjeje tokash dhe me të gjitha të drejtat e nënshtetasvet shqiptarë; sekretarët e përgjithshëm të ministrivet t'ishin italianë etj. Natyrisht, Zogu nuk i pranoi këto kërkesa që donin të thoshin këthim i Shqipërisë në një krahinë italiane. Por si njeri i fshehtësisë dhe i komplotevet që ishte, u mundua t'a mbante çështjen fshehur disa ditë, gjersa kjo plasi vetvetiu kur Italianët e përsëritën notën, me të njëjtën përmbajtje, më 2 të Prillit. Atëhere, më 3 Prill, i tërë kombi u trondit si një trup i vetëm dhe buçiti në demostrata rrugëvet.
Ndonëse rrethi i dobët i "mbretit" anonte për një rregullim me Italinë për të mos pasur andralla e për të ruajtur pasuri e pozita, Zogu vetë nuk mund t'i pranonte ato kushte, sepse atëhere do të mbetej si i burgosur në duart e ushtërisë italiane. Siç e kishte zakon në raste të këtilla, Zogu thirri për këshillim Mehdi Frashërin, i cili shikohej si zëdhënës i rrymavet patriotike dhe mund të përmbante lëvizjen e madhe popullore që të mos këthehej kundër mbretit. Mehdi Beu i foli popullit të mbledhur përpara Pallatit duke treguar haptas se ç'kërkonte Italia dhe se ai e kishte këshilluar mbretin që të mos i pranonte ato kushte. Në të vërtetën, Zogu dhe Mehdi Beu menduan që t'i parashtrohëshin Romës disa kundër-propozime të cilat, në parim, nuk e kundërshtonin shkarkimin ushtarak t'Italisë, por kërkonin që ky të bëhej në bazë të një marrëveshjeje dhe brenda disa rregullave të caktuara. Po ashtu duhëshin kufizuar kërkesat në lidhje me vendosjen e Italianëve në Shqipëri, me bashkimin doganor, me këshilltarët e ministrivet etj. Ka shumë të ngjarë që këto kundër-propozime u bënë për të fituar kohë. Sidoqoftë, qeveria shqiptare ia paraqiti ministrit t'Italisë në Tiranë mjaft vonë, më 5 Prill, kurse ultimatumi mbaronte të nesërmen. Në pasdreken e 8 Prillit, propozimet e notës italiane u hodhën poshtë edhe prej parlamentit. Zogu dërgoi Mehdi Frashërin pranë ministrit t'Italisë në Tiranë, Jakomonit, për t'i kërkuar shtytjen e ultimatumit dhe çiljen e bisedimevet, por çdo gjë kishte mbaruar. Mussolini kishte thënë se bisedimet mund të bëhëshin me gjeneral Guzzoni-n, në Tiranë. Zogu kishte dërguar edhe në Romë si ministër fuqiplotë për t'i rregulluar punët kryeagjutantin e tij, gjeneral Zef Sereqin, të cilin duhej t'a kishte si njeriun më të besuar. Por ky u vu menjëherë në shërbim t'Italianëvet, vetëm se "i duhëshin ca të holla", siç tregon Konti Ciano në ditaren e tij. Po ashtu vepëruan prefekti i Durrësit dhe disa oficerë t'ushtërisë. Shumë deputetë, ministra dhe titullarë të lartë që kishin lëpirë këmbët e Zogut deri n'atë kohë, si Xhafer Ypi, kryeinspektor i Oborrit mbretëror, Eqrem Libohova, ministër i Punëve të Jashtëme etj., u vunë menjëherë në shërbim t'Italianëvet. Kjo provon se prej çfarë kalbësirash përbëhej regjimi i Zogut.
Mbasi nuk parashihte asnjë ndërlikim të jashtëm, se edhe kryeministri britanik, Neville Chamberlain-i, në një deklaratë që bëri në Dhomën e Komunevet, tha se Anglia nuk kishte ndonjë interes të veçantë në Shqipëri, Roma lajmëroi më 6 Prill vetëm qeverinë jugosllave duke i njoftuar se po merrte disa masa ushtarake kundrejt Shqipërisë për të mprojtur interesat e saja.
Ditët e para të Prillit 1939 kanë lënë një mbresë të pashlyershme në kujtesën e kombit shqiptar. Gjithkush e paramendonte ndoshta se regjimi i Zogut ishte i dënuar të mbaronte n'atë mënyrë mbasi nuk mund të mbahej pa ndihmën financiare të jashtëme dhe nuk pështetej në një vullnet kombëtar të vërtetë. Por askujt s'i pat shkuar nëpër mend se ata që kishin drejtuar deri atëhere kombin dhe shtetin shqiptar të tregohëshin aq të dobët. Vetëm populli dhe djalëria buçitën në këmbë si një trup i vetëm dhe kërkuan të gjithë të vdisnin, burra e gra, i madh e i vogël, për të mprojtur lirinë kombëtare. Demostrata vigane shpërthyen si një valë e fuqishme në Tiranë, në Korçë, në Shkodër, në Vlorë e kudo gjetkë. Populli, djalëria, s'kërkonin veçse armë, armë për të mprojtur pavarësinë e atdheut. N'ato tri-katër ditë t'ethëshme, ku s'kishte gjumë, ku shumica gëdhihëshin përjashta, u harruan të gjitha vuajtjet e ankimet kundrejt regjimit të Zogut, dhe populli u tregua i tërë pas "mbretit", mjaft që ky të qëndronte. Telegrame sigurimi i vajtën Zogut ngado, nga qendrat e demostratavet, nga djalëria, nga qytetet dhe grupet e ndryshme duke i dhënë besën se do të luftonin të gjithë ndën urdhërat e tija. Ndoshta s'ishte parë kurrë gjer atëhere një vetëdijë kombëtare, një bashkim moral i atillë në popullin shqiptar.
Mjerisht, Zogu nuk u tregua i denjë për kaq besim. U dëftye njeri fare i rëndomtë dhe pa asnjë rremb heroizmi. Duke pasur gjithmonë frikë nga populli lozi komedinë e qëndresës sa për të gënjyer masat dhe për të pregatitur ikjen e tij. Që të përmbante buçitjen popullore, bëri disa lëvizje trupash dhe hapi parullën se gjoja ai do të luftonte me anën e ushtërisë së rregullt dhe se mobilizimi i përgjithshëm do të bëhej ca nga ca sipas nevojës. U muar vesh se të gjitha këto ishin një dredhi dhelpre si të tjerat dhe se qëllimi i "mbretit" kishte qënë që të delte shëndoshë e mirë përtej kufijvet me familjen dhe thesarët e tij. Turp, për Zotin! Po a n'atë mënyrë patën ikur Kara Mahmut Bushati, Ali Pashë Tepelena, e sa e sa burra të tjerë të racës shqiptare?
Por burrërinë e racës shqiptare e tregoi Mujo Ulqinaku me shokët e tij që u bënë copë e grima ndënë gjylet e Italisë. Sepse ishte kalbur klasa drejtonjëse e gjerahershme, gjaku i Shqiptarit vlonte akoma, si në kohët e lashta në rrembat e popullit.
Në mëngjezin e 7 Prillit 1939, një fuqi italiane e përbërë nga dy divizionë këmbësorie, katër regjimente bersaljerësh, një regjiment granatierësh, dy batalionë këmishëzes, tre batalionë të motorrizuar tanksesh dhe një grup qerresh të koracuara, dy grupe artilerie të kalibrit të mesëm, me një flotë detare prej dy koracatash dhe shtatë kryqëzorësh përveç torpilorëvet, etj., dhe me një flotë ajrore - gjithësejt afro 40.000 ushtarë - ndën kumandën e gjeneral Alfredo Guzzoni-t, sulmoi Shqipërinë. Pjesa m'e madhe e fuqisë i drejtohej Durrësit. Pjesa tjetër do të zbriste në Shëngjin, Vlorë e Sarandë.
Ndërsa "kumandarët e lartë" të klikës së Zogut bashkë me atë vetë iknin fshehurazi si hajdutët kur bëhet berihaja në fshat: ndërsa të tjerë "shkëlqesa" t'atij rrethi shkonin t'i paraqitnin nderimet dhe nënshtrimin ministrit t'Italisë në Tiranë; ndërsa ajrorët italianë hidhnin trakte me nënshkrimet e të mërguarve politikë që i bënin thirrje popullit shqiptar t'i priste Italianët si miq; Mujo Ulqinaku me disa reparte të gjindarmërisë dhe të marinës, në Durrës, të tjerë grupe gjindarmësh e vullnetarësh në Vlorë e në Shëngjin, i pritën me grykë të pushkës dhe të mitralozavet, ashtu si e ka pasur gjithmonë zakon Shqiptari, që s'e ka lëshuar kurrë atë tokë të ngratë pa i vënë vulën e gjakut.
Austria, Çekosllovakia, ndonëse më të qytetëruara dhe shumë më mirë t'armatosura, t'organizuara, u dorëzuan pa shtirë një pushkë. U çudit Evropa kur dëgjoi se Italianët provuan tri herë të zbrisnin në skelën e Durrësit dhe u detyruan të këthehëshin prapë n'anijet; gjersa më në fund e hapën rrugën me grykat e artilerisë së detit dhe shkelën në tokën shqiptare duke shkelur mbi kufoma dëshmorësh. Shqiptarët ishin i pari komb n'Evropë që po i qëndronte me armë agresionit fashist.
Italianët hynë në Tiranë të nesërmen, më 8 Prill. Ndonëse nuk ndeshën në tjetër qëndresë, bënë më tepër se një muaj për t'a shkelur të tërë vendin. Sikur Zogu të kishte qëndruar me armë, dhe gjithë popullin n'atë rast e kishte me vehte si një shkëmb graniti, do të kishte habitur botën, do t'ishte përsëritur epopeja kastriotiane, Shqipëria do të kish tërhequr admirimin e gjithë njerëzisë, do të kishte mbetur shembull heroizmi. Forcat e reja do t'ishin mbledhur rreth Zogut, do t'ishte krijuar një tjetër bosht përqëndrimi politik, do t'i ishte prerë udha komunizmit. Por Zogu s'kishte asnjë rremb heroizmi, ishte njeri tepër i rëndomtë: Jugosllavia e kishte futur në Shqipëri, Italia i dha një shqelm dhe e hodhi jashtë.