XXIX

Në botën e jashtëme, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste u dënua përgjithësisht prej opinionit të popujvet liri-dashës, por nuk gjeti ndonjë kundërshtim prej qeverivet. Lidhja e Kombevet s'e ngriti zërin fare; Anglia dhe Jugosllavia e pranuan si një punë të kryer. Kjo e fundit u kënaq me premtimin e Duce-s që Italia nuk do të përqëndronte forca ushtarake në kufirin shqiptar-jugosllav dhe nuk do t'interesohej fare për Shqiptarët e Kosovës. Sa për Greqinë, ajo u përpoq të mos i jepte asnjë shkak zemërimi Italisë. Vetëm Shtetet-e-Bashkuar t'Amerikës u shprehën kundër. Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtëme, Cordell Hull, në një deklaratë që bëri më 8 Prill, e dënoi sulmimin e përdhunë fashist si një kërcënim për paqen.

Por pushtimi italian, me tronditjen e madhe që shkaktoi brenda në Shqipëri, nxori në shesh gjendjen e vërtetë të mendësisë dhe të lidhjevet shoqërore, që kishin ndryshuar mjaft prej vitit 1920 e gjer më 1939. Klasa sundonjëse e vjetër, bejlerë, krerë e bajraktarë, nuk kishte më asnjë rol drejtonjës në popull, e kishte humbur krejt ndikimin e dikurshëm dhe pat qënë mbajtur në fuqi në kohët e fundit vetëm prej autoritetit shtetëror të regjimit të Zogut. N'atë klasë nuk kishte mbetur asgjë nga fryma nacionaliste e Kongresit të Lushnjës. Të shumët e atyre që tani quhëshin "nacionalistë" ose dikur "demokratë" nuk ishin veçse sharlatanë, rrogëtarë dhe agjentë t'atij që i paguante. Pothuajse e tërë burokracia "besnike" e Zogut mbeti në vend dhe u vu t'i shërbente pushtimit italian me të njëjtën "besnikëri". Por kishte edhe më keq: ata që patën qënë kundërshtarët e Zogut, të mërguarët politikë, "demokratët" e 1924-ës që populli i përfytyronte si heronj, erdhën, me përjashtime shumë të pakta, me ushtërinë italiane si "çlironjës" dhe vinin rreth nëpër Tiranë si heronj prej kashte për të marrë rrogat e prapambetura për katërmbëdhjetë vjet, domethënë për tërë kohën që patën qënë t'arratisur jashtë shtetit. "Besnikë" e "kundërshtarë" të Zogut, që patën qënë kacafytur ndërmjet tyre si gjelat në plehë dhe s'kishin mundur kurrë të bashkohëshin ndën Shkabën dykrenore, u përqafuan si vëllezër ndën Shenjat e Liktorit për t'i shërbyer pushtimit të huaj. Kjo ishte komedia m'e paturpshme që luhej në kurrizin e një kombi të mjerë. Sa për "kreshnikët" e malevet, krerë e bajraktarë, nuk mbetën as këta më pas nga të tjerët: u lëshuan në Tiranë për të marrë rrogat e prapambetura dhe shpërblime të reja. Këtyre, përveç mustaqevet dhe fjalëve të mëdha, s'iu kishte mbetur asgjë nga madhështia heroike që iu pat dhënë dikur At Gjergj Fishta.

Ky qëndrim i dobët i klasës drejtonjëse ishte në kundërshtim të papajtuarshëm me atë që ndienin e mendonin djalëria e populli përgjithësisht dhe që e patën çfaqur si shpërthim vullkani në tronditjen e Ditëvet të Prillit. Megjithë shtrëngimet e regjimit të Zogut, ishte krijuar, siç thamë, në brezin e ri dhe në pjesën më të madhe të popullit, prej ndikimit të kulturës perëndimore dhe t'idevet të reja, një tjetër botëkuptim përsa iu përkiste qeverimit, lirisë dhe të drejtavet të secilit. Kjo optikë e re nuk mund të pajtohej n'asnjë mënyrë me sjelljet e klasës drejtonjëse të vjetër, ashtu si nuk pajtohet një trup i gjallë me një kërmë të vdekur. Por ndonëse populli shqiptar, në pjesën më të madhe, ndodhej i liruar nga lidhjet shoqërore të vjetra, domethënë nuk shkonte më pas bejlerësh, krerësh e bajraktarësh, nuk kish mundur të krijonte akoma lidhje të reja, sepse regjimi zogist nuk pat lejuar rrahje të lirë mendimesh. Dhe ishte frikë e madhe që djalëria, e papregatitur ajo vetë dhe e paformuar politikisht, mund t'a tërhiqte n'aventurën e komunizmit, siç e tërhoqi. Thamë se deri atëhere, duke mos pasur Shqiptarët një bosht mendimi e kulturor të tyren, kishin mbetur ndën ndikimin e ideologjivet të jashtëme si dikur ndën atë të fevet. Italia pat dashur të përhapte në brezin e ri shqiptar "ideologjinë" fashiste dhe mënyrat e organizimit të saj, duke dërguar në Tiranë si organizator të këtij drejtimi Giovanni Giro-n, që më 1937. Pas pushtimit, krijoi një ministri të Partisë Fashiste, me federalë nëpër qytetet, duke detyruar nëpunësit dhe djalërinë që të shkruhëshin në të. Por, përveç disa oportunistëve, kjo parti nuk mund të tërhiqte antarë sepse lidhej me pushtimin dhe robërimin e Shqipërisë. Ndryshe paraqitej ideollogjia komuniste, e cila jo vetëm besohej prej djalërisë dhe njerëzve të thjeshtë si çlironjëse e popujvet, jo vetëm që vinte si një reaksion i natyrshëm kundër shtypjes së regjimit zogist dhe të pushtimit italian, por gjente edhe një klimë të krijuar prej ca njerëzve që patën gëzuar besimin e popullit, si Fan Noli me shokë. Pastaj u ndihmua prej hyrjes së Rusisë në luftë dhe prej disa faktorësh të brendshëm, të cilët do t'i shohim më poshtë.

Më 9 Prill, një ditë pas hyrjes së tyre në Tiranë, Italianët formuan një t'ashtuquajtur komitet admistrativ nën kryesinë e Xhafer Ypit, ish-inspektor i përgjithshëm i Oborrit të Zogut. Mandej mblodhën menjëherë, më 12 Prill, një t'ashtuquajtur "asamble kombëtare", e përbërë prej bejlerësh bajraktarësh, tregëtarësh të mëdhenj, njerëz pozitash, klerikë e parësi - gjithësejt 159 veta - të cilët aprovuan me duartrokitie e zgërdhihje majmunash vendimet e pregatitura në Romë dhe dorëzuar Xhafer Ypit prej Legatës italiane në Tiranë. Këto vendime e rrëzonin kushtetutën e vitit 1928 dhe "i lutëshin" mbretit t'Italisë, Viktor Emmanuel-it III, që të pranonte kurorën e Shqipërisë. "Asambleja" ngarkoi njëkohësisht Shefqet Vërlacin, m'i madhi çifligar i vendit, për të formuar "qeverinë shqiptare". U caktua mandej një grup karnavalësh veshur me uniformën fashiste për t'i shpurë në Romë kurorën e Shqipërisë Viktor Emmanuel-i të III.

Italianët u vunë me të shpejtë t'a organizonin Shqipërinë pas mënyrës fashiste duke e futur në kuadrin e Italisë. Më 21 Prill formuan Partinë Fashiste Shqiptare. Më 3 Qërshor shpallën "Statutin themeltar të Mbretërisë Shqiptare", i cili iu njihte mbretit t'Italisë dhe trashëgimtarëvet të tij të gjithë fuqinë legjislative dhe ekzekutive në Shqipëri. Ketë fuqi mbreti i Italisë do t'ia ushtronte me anën e një zëvendës-mbreti ose mëkëmbës, siç u quajt, dhe si të tillë caktoi ish-Ministrin e Italisë në Tiranë, Jakomonin, njeriu i besuar i Mussolini-t, dhe një nga ata që patën pregatitur pushtimin e Shqipërisë. Ky do të ndihmohej gjoja prej një këshilli korporativ fashist, i emëruar prej partisë fashiste.

Mbasi në botën e jashtëme Shqipëria nuk figuronte më si shtet i pavarur, se të gjitha të drejtat e lidhjevet ndërkombëtare për të i ushtronte mbreti i Italisë, prej qeverisë kukëll të Tiranës u shlye ministria e Punëvet të Jashtëme. Po edhe ministritë e tjera mbahëshin vetëm si zyra administrative të drejtuara prej këshilltarëvet italianë, të cilët ishin të plot-fuqishëm, nën urdhërat e Jakomonit.

Ditën që shpallën "Statutin themeltar të Mbretërisë Shqiptare", Italianët i inkuadruan forcat e armatosura shqiptare në forcat italiane, flamurit kombëtar të Shqipërisë i vunë shënjat e Liktorit që simbolizonin fashizmin italian. Mandej, për të kolonizuar vendin, shpallën ligjin e barasisë së të drejtavet civile dhe politike ndërmjet nënshtetasvet shqiptarë dhe Italianëvet që do të vendosëshin në Shqipëri. Ky ishte qëllimi kryesor i Italisë, t'a mbushte vendin me popullsi italiane dhe t'a bënte Itali pas disa vjetësh, duke i asimiluar edhe Shqiptarët në gjuhën dhe kulturën e saj, përveç ndonjë grupthi primitivësh që mund të mbetej nëpër malet e pashkelshme. Por këtë politikë s'pati kohë t'a vinte në zbatim sepse, më 1 Shtator 1939, plasi Lufta e Dytë botërore, dhe Italia tani kishte interes t'i përdorte Shqiptarët si një forcë ushtarake për qëllimet e saja. Kolonizimin e plotë do t'a bënte pastaj, nëqoftëse fashizmi do të delte ngadhënjyës.

Për kolonizimin e Shqipërisë - ashtu siç bënin edhe fuqitë e tjera imperialiste tek popujt e Lindjes - Italia u pështet në feudalizmin e vjetër, domethënë në klasën e bejlerëvet, prandaj si kryeministër të qeverisë kukëll caktoi më të rëndësishmin e këtyre, Shefqet Vërlacin. Titulli bej, që nuk përdorej më zyrtarisht në kohën e Zogut, u vu përsëri në qarkullim. Italianët kujtonin se Shqipëria, nga pikëpamja shoqërore, ndodhej akoma si në kohën e feudalizmit otoman, ndonëse këtë mendim Konti Sforza e kishte kritikuar që më 1920, duke shkruar n'atë kohë se zgjimi i ndjenjës kombëtare në Shqipëri ishte shtrirë në masat e gjera dhe i kishte shkëputur ato nga ndikimi i vjetër i bejlerëvet. Njëkohësisht Italianët u munduan të pështetëshin në klerin dhe krerët e popullsisë katolike, por, me disa përjashtime të vogla, nuk ia arritën dot qëllimit. Nuk mundën të bënin gjë as disa agjentë të tyre që nisën të flisnin për mundësinë e këthimit t'Orthodoksvet n'unitizëm.

Ndonëse fuqinë e ushtronin ata vetë, Italianët mblodhën rreth tyre lamashët e klasës së vjetër sundonjëse të sistemit bejlerobajraktar, ish-kundërshtarë apo "besnike" të Zogut, si edhe disa oportunistë e kalemxhinj prej borgjezisë. Sidomos për tregëtarët u hap një periudhë e re spekulimi. Në krye të këtij vargu vunë, siç thamë, Shefqet Vërlacin, dhe si njeri të fortë mbanin, në rezervë, Mustafa Krujën. Por njeriu m'i afërm i tyre, me të cilin këshillohëshin për çdo gjë që kish të bënte me Shqipërinë, ishte Ernest Koliqi. Si pozitë zyrtare, ky ishte ministër i Arësimit, por dukej se pranë qarqevet italiane i shkonte fjala më shumë se kujtdo tjetër.

Italianët e kuptuan shpejt se klasa drejtonjëse e vjetër që ishte vënë në shërbim të tyre nuk gëzonte asnjë simpathi në popullin shqiptar, e kishte humbur krejt ndikimin e dikurshëm, dhe se një hendek i pakapërcyershëm ishte thelluar ndërmjet asaj dhe brezit të ri. Populli dhe djalëria u treguan përgjithësisht kundër pushtimit fashist me anën e demostratavet dhe të qëndresës pasive. Kjo qëndresë u bë m'e vendosur dhe m'e përgjithshme pasi u hap Lufta e Dytë botërore, në fillim të Shtatorit 1939. Italia përdori edhe këtë radhë të njëjtën taktikë politike si në Luftën e Parë botërore, domethënë u tregua përkohësisht mos-pjesëmarrëse në Luftë, por gjithkush e kuptonte se nuk do të mbetej pa u përfshirë.

Duke e parë pra se s'mund t'a sundonin popullin shqiptar me anën e ca rrogëtarëve të nënshtruar, Italianët hoqën çdo besim nga Shqiptarët dhe nisën të pështetëshin vetëm në fuqitë e armatosura të tyre. Në shërbime patrullash, për shembull, gjindarmët shqiptarë i kishin pushkët pa fishekë megjithëse, sa për dukje, delnin bashkë me karabinierët. Pak më vonë nisën Italianët të formonin disa trupa milicie fashiste, që përbëhëshin prej merçenarësh dhe aventurierësh të çdo marke. Por duke qënë shumica e madhe e popullit kundër pushtimit të huaj, një pjesë e vogël merçenarësh nuk mund të loste ndonjë rol të rëndësishëm.

Pas tronditjes së parë të Ditëvet të Prillit, shumica e madhe vazhdoi t'ia tregonte kundërshtimin e saj haptazi me anën e demostratavet, të botimevet dhe të qëndresës pasive. 28 Nëntori i 1939-ës iu dha shkas disa manifestimeve të përgjithshme, që u bënë sidomos në Tiranë, në Korçë e në Shkodër. Në Vlorë, te "Sheshi i Flamurit" u hodh poshtë flamuri i njollosur me Shënjat e Liktorit dhe u ngrit krenarisht flamuri i thjeshtë kombëtar. Në Korçë, buçiti i tërë populli i qytetit nëpër rrugët, të rinj e të vjetër, burra e gra, dhe filloi të thyente me gurë xhamat e zyravet dhe të kazermavet fashiste. Italianët mbajtën gjakftohtësinë dhe nuk ngjajtën përleshje. Por disa ditë më vonë filluan t'arrestonin frymëzonjësit dhe prijësit e demostratavet, të cilët ishin në shumicë arësimtarë, profesorë, si edhe disa nacionalistë të vjetër që kishin qëndruar të pastër, pa u përzjerë në lodrat e akrobatëvet. Këta udhëheqës të demostratavet u dërguan nëpër burgjet dhe ishujt e Italisë. Për fat të mirë, midis këtyre nuk kishte komunistë, të cilët n'atë kohë bashkëpunonin me fashizmin mbasi Rusia sovietike kishte lidhur një pakt miqësie e tregëtie me Gjermaninë e Hitlerit. Kështu, qëndresa e parë kundër pushtimit fashist, qëndresa e popullit dhe e djalërisë, frymëzohej nga ndjenja e pavarësisë kombëtare, nga ndjenja e lirisë dhe e demokracisë.

Një njeri që i ka jetuar ato ngjarje dhe këndon sot historinë e tyre shkruar prej komunistëvet, fërkon syt sepse i duket sikur sheh ëndërr. Mbasi muarën fuqinë në dorë, komunistët kanë të gjitha të drejtat, deri edhe atë të krijimit të kohës së shkuar, sikurse të së tashmes, nëpër zyrat e propagandës. Sipas atyre, të gjitha ato lëvizje e demostrata i paskan frymëzuar, organizuar e drejtuar ata. Kurse auktori i këtij studimi, që ndodhej atëhere në Korçë dhe, në Ditët e Prillit, u vu t'organizonte djalërinë për një qëndresë me armë, nuk pau në qarkullim as Enver Hoxhën as ndonjë nga shokët e tij, të cilëvet n'atë kohë s'iu interesonte se ç'bëhej ndërmjet "borgjezivet" italiane dhe shqiptare. Po ashtu edhe në lidhje me demostratën vigane që u bë në Korçë më 28 Nëntor 1939, për të cilën u arrestuan auktori i këtij studimi dhe disa atdhetarë të tjerë, Enver Hoxha me shokët e tij s'pësuan gjëkafshë.

Italia fashiste hyri në Luftë në Qërshor 1940, kur Gjermania e Hitler-it e kishte përmbysur Francën. Në Tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë duke e sulmuar prej kufijvet të tokës shqiptare. Por ushtëria greke i prapsi Italianët dhe, duke i ndjekur, hyri në Shqipëri. Gjatë asaj lufte, që vazhdoi gjer në Prill 1941, populli shqiptar në përgjithësi tregoi një vetëdijë politike nga më të lartat. Megjithë përpjekjet e Italisë fashiste dhe t'agjentëvet të saj për t'a përdorur si mish për topa n'atë luftë, kombi shqiptar, me përjashtim të disa kompanive merçenarësh të milicisë fashiste, jo vetëm që s'pranoi kurrsesi të luftonte kundër Grekëvet, po edhe iu ndihmoi këtyre, duke e kuptuar se të dy popujt ishin viktima të të njëjtit imperializëm. Këtë gjë e vërteton vetë mareshali Badoglio, kryetari i shtatmadhorisë italiane, në Kujtimet e tij, si edhe Mussolini, në një letër që i dërgonte Hitler-it më 22 Nëntor 1940. Por Grekët nuk i dhanë asnjë rëndësi këtij qëndrimi miqësor dhe përkrahës të Shqiptarëvet. Sepse, porsa hynë në Korçë e në Gjirokastër, ngritën flamurin e Greqisë dhe vunë administratën greke. Nga ana tjetër, kur Greqia hoqi zinë e tmerrëshme t'urisë pas kapitullimit, me mijëra gra e fëmijë grekë hynë në Shqipëri për të lipur. Populli shqiptar, duke i harruar therjet, djegiet e mizoritë e 1914-ës, si edhe vdekjen e mijëra grave, burrave e fëmijëve po prej urie n'ullishtat e Vlorës nga shkaku i Grekëvet, u tregua edhe këtë radhë aq fisnik e bujar si gjithmonë: ndau kafshatën e bukës me familjet greke që vinin në Shqipëri dhe iu mbushte thasët me grurë, misër e fasule pa asnjë shpërblim, në mënyrë që këto këthehëshin ngarkuar në Greqi për të mbajtur gjallë njerëzit e tyre. Sigurisht, për të shpërblyer këtë fisnikëri, bandat greke të gjeneralit Zervas, duke vepëruar sipas zakonit të njohur, punuan tmerre më vonë mbi Shqiptarët e Çamërisë, siç do t'a shohim më poshtë. Dhe për të shpërblyer qëndrimin e popullit shqiptar gjatë Luftës, politikanët e Athinës, me një cinizëm neveritës, ulurijnë akoma se gjoja Shqipëria paska luftuar krahas me Italinë fashiste kundër Grekëvet.

Vija e frontit italo-grek ngeli në Shqipërinë e jugës gjer në Prill 1941, kur ushtëria gjermane iu ra Jugosllavisë dhe Greqisë njëheresh dhe brenda pak ditësh pushtoi Belgradin, Selanikun dhe Athinën. Atëhere Grekët u tërhoqën prej Shqipërie, dhe ushtëria italiane hyri në Çamëri. Mbasi Gjermania e ndau Jugosllavinë në disa pjesë, Italia mundi të bashkonte Kosovën me Shqipërinë. Edhe Çamëria qëndroi për ca kohë si një krahinë e varur nga Tirana. Me atë rast u hapën në Kosovë disa shkolla shqipe dhe filloi një propagandë shqiptare. Ndonëse fashistët deshën t'a shfrytëzonin këtë "bashkim" të Shqipërisë ethnike për t'i lidhur Shqiptarët më ngushtë me fuqitë e Boshtit Romë-Berlin, qëndrimi i Shqipovet kundrejt këtyre dy fuqive vazhdoi i ftohtë dhe armiqësor. Bashkimi i Kosovës dhe i Çamërisë n'ato kushte nuk ngjalli ndonjë enthusiazëm, jo vetëm sepse e tërë Shqipëria ndodhej nën robërinë fashiste, po edhe për shkak se gjithkush e kuptonte që ai bashkim ishte i përkohshëm, që fuqitë e boshtit do t'a humbisnin luftën, dhe se Shqiptarëvet do t'iu duhej t'i delnin zot vetë vendit të tyre, t'a merrnin vetë ndër duar fatin e atdheut. Kështu, në vend që të topitej, qëndresa shqiptare kundrejt pushtonjësit të huaj nisi t'organizohej në çeta dhe të bëhej më sulmonjëse.

Italia, nga ana tjetër, gjatë luftës italo-greke e kuptoi mirë se kombi shqiptar nuk mund të përdorej ashtu siç patën menduar krerët e fashizmit dhe se ndjekjet e arrestimet e vazhduarshme (të cilat ishin shtuar gjatë Luftës) po e hapnin më tepër hendekun e antagonizmit në vend që t'a mbyllnin. E kuptoi gjithashtu se forca ushtarake e saj ishte një mith, aq sa mjaftoi vetëm ushtëria greke për t'ia hequr maskën e gogolit. Prandaj, nga mbarimi i vitit 1941, mendoi të ndryshonte "politikë" kundrejt Shqipërisë dhe të provonte nëse mund të kishte një mënyrë bashkëpunimi, qoftë edhe të përkohshëm, me kombin shqiptar. Kërkoi sidomos t'afronte rrymën nacionaliste kundrejt rrezikut komunist që po dukej tani më kërcënonjës me hyrjen e Rusisë në Luftë. Për këte qëllim, liroi nga internimi kundërshtarët e orës së parë, udhëheqësit e demostratavet, të cilët ndodhëshin ç'prej dy vjetësh nëpër burgjet ose ishujt e Italisë. Mandej, në Dhjetor 1941, e zëvendësoi qeverinë kukëll të Shefqet Vërlacit, që përbëhej kryesisht prej bejlerësh, me një tjetër qeveri gjoja më autonome nën kryesinë e Mustafa Krujës. Ky ftoi për bashkëpunim nacionalistë e shkollarë me premtimin se Italia do të bënte disa lëshime autonomie, dhe si provë e dukshme ishte heqja e Shënjavet të Liktorit prej flamurit të Shqipërisë. Deri atëhere Italianët e kishin mbajtur Mustafa Krujën në dorë si një kartë të dytë për një rast të këtillë. Tani kujtonin se ky ishte "njeriu i fortë" që lypnin rrethanat. Mustafa Kruja u mundua t'i bindte kundërshtarët e pushtimit fashist se punët do të shkonin si s'kish më mirë, dhe u përpoq sidomos të vinte në zbatim planin e mobilizimit ushtarak, i cili, sipas programit të ri, parashikonte krijimin e një ushtërie shqiptare prej 20.000 vetash, që do të luftonte për Perandorinë fashiste ashtu siç kishin luftuar Shqiptarët gjithmonë për botën, që nga Perandoria e Romës gjer tek ajo e Osmanllinjvet.

Natyrisht, këtë "politikë" të dytë t'Italianëvet, sikurse të parën, s'e gëlltiti askush përveç agjentëvet të fashizmit. E kuptonte kushdo se kjo ishte një dredhi e çastit, në një kohë kur Italia fashiste ndodhej me shpatulla për mur, dhe se s'mund të kishte liri as autonomi për Shqipërinë për sa kohë që ushtëria e huaj e mbante të shkelur. Prandaj ata që u liruan prej internimit dolën menjëherë në mal dhe zunë të formonin çetat; ata që u thirrën ushtarë, rrokën armët dhe u arratisën. Kundërshtimi vazhdoi m'i gjallë dhe m'i rreptë se përpara. Thirrjet "patriotike" të Mustafa Krujës nuk dëgjohëshin përtej kafenevet të Tiranës.