Na u desh të japim një përmbledhje të krejt historisë së Shqipërisë për të treguar vendin që zë Skënderbeu në të. Deshëm sidomos t'iu japim Shqiptarëvet një shikim sa më të plotë dhe sa më të drejtë të historisë së tyre, me qëllim që të kuptojnë sesi ka rrjedhur e kaluara, peripetitë e vështira të së cilës duhet t'iu vlejnë si një mësim për ndërtimin e s'ardhshmes.
E shkuara është një kohë e perënduar por jo plotësisht e vdekur, sepse e sotmja është vazhdimi i fillit të saj dhe e nesërmja do të jetë vazhdimi i të sotmes. Kështu në jetën e popujvet, sikurse n'atë të një njeriu, hovi jetësor rrjedh si një rrymë e paprerë. Ndërmjet së djeshmes, së sotmes e së nesërmes ka lidhje organike. Prandaj, kur t'i kemi kuptuar siç duhet shkaqet e së djeshmes, ka më fort mundësi t'a rregullojmë më mirë të sotmen dhe t'a pregatisim më mirë akoma të nesërmen. Ky është roli i kulturës përgjithësisht, dhe i asaj pjese të kulturës që quhet histori, veçanërisht. Në histori nuk duhet të ketë mëri as ndjenjë ahmarrjeje. Ngjarjet e së shkuarës duhen shikuar me qartësi mendjeje e shpirti, për të na ndriçuar mbi gabimet e bëra, mbi rrugët e shtrembëta, që të ndreqen në t'ardhmen.
Por ndodh shpesh herë që njerëzit e interpretojnë ose edhe e stolisin historinë sipas ndjenjavet, paragjykimevet a interesavet të ndryshme kombëtare, shoqërore e politike. Domethënë e përfytyrojnë të kaluarën ashtu si iu pëlqen ose iu intereson t'ishte, dhe jo si ka qënë me të vërtet. Le të marrim për shembull historinë e antagonizmit franko-gjerman të këtyre njëqind e ca vjetëve të fundit. Pothuajse të gjithë historianët frëngj ia hedhin përgjegjësinë Gjermanisë, dhe e shumta e historianëvet gjermanë, Francës. Të rrallë janë ata që i studiojnë dhe i paraqisin ato ngjarje me paanësi shkencëtari, ashtu sikur studiohen fenomenet e fizikës, të biologjisë a të sociologjisë. Kur historianët e këtyre dy kombevet, që përfaqësojnë dy nga kulturat më të larta n'Evropë, nuk shkëputen dot nga një tok ndjenjash e paragjykimesh kombëtare, kulturore e politike, ç'vleftë mund të ketë interpretimi i historisë nga grumbulli i sharlatanëvet të ditës, që e sjellin të gjithë të kaluarën rreth interesavet të tyre si një mjet mashtrimi e propagande? Prandaj disa dijetarë, fort të shtrënguar pas së vërtetës objektive, nuk i njohin historisë ndonjë vleftë shkencore, dhe e hedhin në rradhën e krijimevet letrare.
Pa qënë nevoja t'arrijmë gjer aty, mund të pohojmë pa frikë përgënjeshtrimi, që historia, nëqoftëse edhe tek popujt më të kulturuar të botës lë fort për t'u dëshiruar përsa i përket së vërtetës objektive, tek ne Shqiptarët katandiset shpeshëherë në profka mburrjesh ose sharjesh e në thashatheme. Tek ne, kushdo që ka bërë nja katër klasë të shkollës fillore dhe ka dëgjuar nja pesë a gjashtë emra "burrash të mëdhenj" pandeh se i ka kuptuar me themel ndërlidhjet e faktorëvet historikë, dhe mundohet t'a sjellë historinë e Shqipërisë rreth tarafit, krahinës a skotës ku bën pjesë. Kemi ndoshta edhe asish me diploma universitetesh, të cilët mund të mbledhin data edh'emra të përveçëm sa të duash, por që, përsa i përket kuptimit ose interpretimit të historisë, nuk janë fort larg nga ata me katër klasë fillore. Vleftën "akademike" të këtij lloji dijetarësh e pat klasifikuar mirë poeti persian Sadi, nja shtatëqind vjet më parë. Në mes t'atij që ka kënduar një tok libra, por që s'ka nxjerrë kuptim prej tyre, dhe mushkës nuk ka shumë ndryshim- shkruante Sadiu. Sepse a di mushka nëse është ngarkuar me libra apo me dru?
Pa humbur kohë këtu me sharlatanët ose me "mushkat e ngarkuara me libra", mund t'a themi që në fillim se Shqiptarët e gjorë, edhe kur nuk iu mungon vullneti i mirë, kanë disa vështirësi të mëdha për t'a kuptuar siç duhet të kaluarën e tyre historike. E para, sepse nuk kemi pasur një një histori të shkruar të Shqipërisë në kuptimin e vërtetë dhe pak a shumë shkencor të fjalës. Ajo që ne kemi quajtur gjer më sot histori e Shqipërisë nuk është veçse një përmbledhje njohurish fort të përgjithshme, nxjerrë prej auktorësh të huaj, të të gjitha kohëvet, të cilët shpeshherë ishin prej kombesh armiq me të Parët tonë. Shqiptarët, si komb, nuk kanë qënë kurrë në një shkallë kulturore t'atillë sa t'a shkruanin ata vetë historinë e tyre. E dyta (që lidhet me të parën), duke mos pasur një kulturë të lartë, Shqiptarët në përgjithësi nuk kanë as kuptimin e vërtetë se ç'është historia. Të shumtët e tyre pandehin se "historia" merret vetëm me luftat, me mbretër e ushtarakë të mëdhenj. Nuk e dinë se ajo duhet të tregojë si në pasqyrë jetën e popujvet në të gjitha çfaqjet dhe fazat e zhvillimit. Dhe se çpikësit, mjeshtrat, artistët, poetët, filozofët, shkrimtarët, shkencëtarët, ligj-vënësit, organizatorët, pionerët e të gjitha drejtimevet dhe puna e masavet përgjithësisht, janë krijonjësit e historisë së njerëzisë përkrah mbretërve, gjeneralëve dhe udhëheqësve të mëdhenj.
Na kujtohet një rast kur ishim t'internuar në Ventotene, Itali, në kohën e pushtimit fashist. Një atdhetar shqiptar, burrë i urtë dhe me një farë emri, tha në bisedim e sipër se Grekët e Vjetër nuk kanë ndonjë histori të madhe, mbasi ata s'patën bërë veçse nja tri a katër lufta kundër Persëvet! Ky mendim rreth historisë është pak a shumë i përgjithshëm tek Shqiptarët. Prandaj, cilido prej tyre që ka dëgjuar emrin e Aleksandrit të Madh, të Pirros, të Skënderbeut dhe tre a katër të tjerëve, kujton se e di me rrënjë historinë e Shqipërisë.
Komunistët e interpretojnë historinë sipas pikpamjes marksiste, duke shpikur në çdo rast e në çdo vend "lëvizje popullore" kundër "shfrytëzonjësve tiranikë", të cilat nuk kanë vleftë vërtetësie më shumë nga legjendat e epopevet. Kurse nacionalistët kanë mbetur te këngët patriotike të brezit të Rilindjes dhe tek ato pak njohuri të përgjithshme që ai brez vuri shpejt e shpejt në qarkullim. Sigurisht, burrat e Rilindjes janë për t'u çmuar si frymëzonjës të ndjenjës dhe t'idesë kombëtare, por s'duhet të harrojmë se të shumtët e tyre ishin gjysmakë nga kultura dhe se, nga ana tjetër, iu duhej të përhapnin shpejt një histori heroike, fort të thjeshtë, për një popull që s'dinte se ç'ishte as se nga rridhte. Kurse sot ajo fazë është kapërcyer. Shqiptari duhet të ketë një kuptim më të gjërë dhe më të plotë të historisë; duhet t'a shohë më qartë të kaluarën e tij; duhet t'i peshojë ngjarjet me gjykim burri dhe jo me ndjenjë çilimiu. Duhet t'arrijë n'atë shkallë krahësimi të vleftavet dhe n'atë lartësi të mendimit kritik ku kanë arritur popujt më të qytetëruar të botës. Sepse vetëm atëhere mund të bëhet i zoti që t'i hapë udhë ai vetë historisë së tij për në t'ardhmen.
Zakonin që kemi ne të quajmë histori vetëm kujtimin e luftave, të mbretërve ose të kapedanëve të mëdhenj, e kanë pasur dhe e kanë deri diku të gjithë popujt. Sepse ky zakon lidhet me një nga ndjenjat më të thella të njeriut, me adhurimin për forcën. Shkrimtari frëng Jules Romains shkruante diku, që Neroni ka mbetur si një tiran i zi në histori sepse iu pat rënë më qafë vetëm të krishterëvet dhe ca pak patricianëve (aristokratëve) të Romës. Po sikur, në vend që t'iu ngarkohej këtyre, t'ishte nisur me nja pesëqind mijë njerëz për të pushtuar Saharanë ose Siberinë dhe t'u a kishte lënë të gjithëve kockat andej (siç ua la Napoleoni në fushatën e Rusisë), do të kujtohej prej brezavet të pastajmë si një nga heronjt më të mëdhenj të botës. Kështu ne Shqiptarët kënaqemi kur gjejmë ndonjë emër burri të madh prej racës sonë por që i ka shërbyer ndonjë perandorie të jashtëme. Dhe s'na shkon asfare në mendje se ata burra, vetëm për t'u bërë të mëdhenj, për të kënaqur ambiciet e tyre, kanë derdhur e shkapërderdhur në shërbim të Romës, Bizantit, Turqisë a Greqisë pjesën më të mirë të gjakut shqiptar, prej Renit dhe Danubit gjer në shkretirat e Azisë dhe t'Afrikës. Kurse kombit të tyre, përveç kësaj hemorragie të tmerreshme, përveç kësaj shterrje jete edh'energjish në shërbim të të huajvet, nuk i kanë sjellë asnjë të mirë. Mburremi me aventurën e Pirros që u nis me njëzet mijë Epirotë për të shtruar Romën! Dhe s'na shkon kurrë në mendje se ajo politikë nuk pati tjetër përfundim përveç shitjes si skllevër njëqind-e-pësëdhjetë mijë Epirotëvet prej konsullit romak Pavl Emilit, një shekull më vonë. Por neve aq na bën: sipas mendësisë sonë, a e tundi njëherë Pirrua, pa bota le të përmbyset!
Siç thamë, adhurimi për forcën është në natyrën e njeriut. Por me organizimin e jetës në shoqëri, me përparimin e kulturës dhe të vleftavet morale, njerëzit kërkojnë t'a lidhin forcën me qëllimin. E adhurojnë atë kur i shërben një qëllimi pak a shumë të përgjithshëm të një grupi, të një populli, ose të njerëzisë mbarë. Edhe e urrejnë kur përdoret për qëllime krejt egoiste e tiranike. Këtu qëndron ndryshimi ndërmjet herojt dhe tiranit, ndërmjet Skënderbeut dhe Ali Pashë Tepelenës. Ata që e adhurojnë forcën vetëm si forcë, pa e lidhur me një qëllim pak a shumë të përgjithshëm, janë zakonisht popujt e egër, primitiv. Por s'duhet të mendojmë se ndërmjet natyrës së primitivit dhe njeriut të qytetëruar ka ndonjë ndryshim të madh. Siç thoshte filozofi frëng Bergson, mjafton t'ia kruajmë pak njeriut të qytetëruar atë pluhur fort të hollë që i ka vënë përsipër kultura, dhe del menjëherë në shesh natyra e primitivit. Kjo shpjegon sesi, në disa raste tronditëse, edhe tek popujt më të qytetëruar të botës njerëzit tregohen më të pashpirt dhe më gjakatar nga bishët.
Le të këthehemi përsëri te kuptimi që i japim ne Shqiptarët historisë. Na ka mbetur zakon që nga brezi i Rilindjes të jetojmë me një farë kompleksi heroik të së kaluarës sonë kur jemi disi në qejf, por shpejt këthehemi në ndjenjën e kundërt dhe themi, "s'bëhet me Shqiptarët", kur na has sharra në gozhdë. Kompleksi heroik, po të shikohet në dritë të psikologjisë, s'është tjetër veçse një ndjenjë inferioriteti, një lloj mekanizmi psikik i nevojshëm për të na fshehur dhëmbjen e gjendjes sonë më t'ulët kundrejt popujve të tjerë. Mbasi s'kemi se ç'të tregojmë për në kohët e sotme, rrimë duke përsëritur si një daulle e plasur: "të Parët tonë kanë tundur botën, kanë vajtur deri atje e deri këtje".
- Mirë, mirë (mund të na thotë ndonjë i huaj), por na tregoni pak se përse kini mbetur populli m'i rreckosur i Evropës, dhe rrini duke cfilitur kokën e njëri-tjetrit pa u nginjur dot as me brumë misri, i cili sot, në botën e Perëndimit, s'iu mungon as derravet. Aq më keq për ju që rridhni nga një origjinë kaq'e shkëlqyer!-
Pikërisht këtë shpjegim ka dashur të japi auktori i këtij studimi, i cili, bashkë me tiparet e shëndosha të kombit shqiptar, ka treguar edhe anët e dobëta, domethënë shkaqet (historike a çfarëdo qofshin) e përçarjevet e të ndasivet, ngaha i kanë ardhur të gjitha mjerimet. Sepse historia, sikurse e tërë kultura përgjithësisht, duhet të ketë një rol edukonjës: t'iu dëftejë popujvet cilësitë e mira që duhen ruajtur dhe anët e shtrembëta që duhen ndrequr. I tërë përparimi i njerëzisë s'është veçse një rrugë e kryq-e-tërthortë gabimesh dhe ndreqjesh. Kombi shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim nga ky ligj. Por që të jetë në gjendje për të bërë ndreqje, duhet më parë të shohë se ku qëndrojnë gabimet.
Prandaj në vend që të rrimë duke u mahnitur se sa trima jemi ne, le të fillojmë të themi edhe se sa punëtorë të mirë jemi, se sa t'afruar me njëri-tjetrin, se sa të zotët për t'u bashkuar në shërbim t'atdheut dhe sesi dimë t'a përdorim trimërinë atje ku duhet. Besa, nderi e burrnija, tri vleftat më të larta të Shqiptarit, janë vlefta kur mbahen me të vërtet, dhe jo kur bëhen si një përsëritje banale në gojën e atyre që s'i kanë. Një farë bombastike kombëtare që përdorin agjentët e të gjitha ngjyravet për të gënjyer njerëzit e thjeshtë, na duket krejt e pangjyrë. Dashurinë edhe nderimin për kombin, për atdheun, e tregojnë puna, lufta, disiplina, theroria, dhe jo fjalët e trasha. S'është nevoja të bërtasim botërisht se ne jemi mrekullia e tetë e botës, kur midis nesh rrimë duke përsëritur që "s'bëhet me Shqiptarë". Megjithë të metat që mund të kenë (e cili popull është pa të meta?), Shqiptarët janë një racë energjike, e zgjuar dhe plotë cilësira. Prandaj mund të bëhet fare mirë me ta, po të punojnë mirë ata që duan t'udhëheqin. Dhe detyra e udhëheqësvet, qoftë n'anën kulturore qoftë n'anën politike, duhet të jetë detyrë edukonjësi dhe jo mashtrim demagogu as cinizëm përbuzësi. Një Dante, një Goethe, një Montesquieu nuk kanë shkruar lëvdata për kombet e tyre, as përbuzje mistreci, por lëvdohen me ta Italia, Gjermania, Franca.
Shqiptarët e gjorë, ndonëse të paorganizuar, kanë derdhur shumë gjak për të mprojtur lirinë e tyre, në të gjitha kohët. Roma nuk i shtroi dot pa luftë stërgjyshët e Shqiptarëvet, siç bëri me Greqinë. As sulltanët e Turqisë, siç bënë me disa popuj të tjerë. Pra le të mundohemi me punë ndërtonjëse, me urtësinë dhe thjeshtësinë e të gjithëve, të bëjmë lavdinë e Shqipërisë.
Ata bashkatdhetarë që e kanë kënduar këtë studim prej fillimit në mbarim, mund t'a kuptojnë më mirë tani se cili është vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë. Disa prej tyre mund të kenë menduar se Skënderbeu mbetej i famshëm mbasi ishte treguar shumë trim, kishte thyer shumë ushtëri armike, kishte vrarë shumë Turq.
Kurse rëndësia e tij për historinë e Shqipërisë qëndron gjetkë. Duke lënë mënjanë mbretëritë e vjetra t'Ilirisë, t'Epirit e të Maqedonisë, të cilat, në Kohën e Mesme, nuk mund të merrëshin si histori e Shqipërisë ndonëse kombi arbëresh rridhte prej atyre popujve, Shqiptarët gjer në shekullin e Skënderbeut nuk kishin dhënë dot provën e mvehtësisë kombëtare, si një shtet i pavarur që mund të mbahej me forcën e tij dhe n'emër të tij. Edhe sepse deri atëhere kishin gëzuar disa lloje autonomish krahinore, kishin pasur disa princa të fuqishëm që patën thyer ushtëritë e shtetevet fqinje dhe qenë munduar të bënin bashkimin e Shqipërisë, Shqiptarët ishin shikuar si një popull i varur prej Bizantit, prej mbretërivet bullgare e serbe, a prej Mbretërisë së Napolit e cila pat krijuar përkohësisht edhe një "mbretëri të Shqipërisë" nën kurorën e Angjevinëvet. I tërë gjaku dhe energjia që Shqiptarët kishin derdhur gjatë shekujvet si edhe burrat e mëdhenj të racës së tyre shkonin me historinë e Romës dhe të Bizantit, sikurse më vonë me atë të Turqisë ose të Greqisë, dhe nuk përbënin një histori shqiptare. Sikur punët të kishin vazhduar ashtu gjer në ditët tona, nuk do të mbahej mend kurrë që Shqiptarët të kishin lozur një rol, si komb më vehte, në historinë e Evropës. Mandej duke mos pasur edhe një qendër kulture, një letërsi në gjuhën e tyre, do të shikohëshin ndoshta prej botës së jashtëme si një lëndë njerëzore që iu ka shërbyer perandorive a shteteve fqinje, por që s'ka treguar kurrfarë zotësie e cilësie të veçantë për të formuar një kombësi.
Kurse ndën udhëheqjen e Skënderbeut Shqiptarët u dëftyen përpara botës si një komb më vehte që lufton me forcën e tij për t'u mprojtur kundër vërshimit të një perandorie aziatike, e cila përmbysi Bizantin dhe i shtiri drithmat tërë Evropës. Këtë radhë nuk është Roma ose Bizanti, Greqia ose Serbia që iu qëndron Turqvet me krahët e Shqiptarëvet, por janë Shqiptarët vetë që e bëjnë qëndresën n'emër të tyre, n'emër të Shqipërisë. Dhe e bëjnë me një shpirt t'atillë, sa që kombi shqiptar njihet në botë i rrethuar me lavdi heroike, Shqipëria shikohet si mburoja e Evropës, si i vetëmi shtet i Ballkanit që s'mund të thyhej prej Turqvet dhe Skënderbeu u mbiquajt prej papëvet Mprojtësi i Krishterimit. Emri i tij, bashkë me atë të kombit shqiptar, hyri në historinë e përgjithshme dhe në letërsinë e Evropës.
Kështu, qëkur Shqipëria quhet Shqipëri, Skënderbeu është burri që e tregoi atë si komb e shtet më vehte, nga më të fortët n'Evropën e asaj kohe, gjatë një lufte të paprerë prej njëzetepesë vjetësh. Dhe formoi nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i historisë së saj për kohët e pastajme. Populli shqiptar nuk ishte më një lëndë njerëzore në shërbim të të tjerëvet, por një komb me histori, i njohur e i dalluar mirë.
Në kohët e reja duke mos pasur Shqiptarët as letërsi, as histori të shkruar, as liturgji fetare në gjuhën e tyre, figura e Skënderbeut iu vlejti si monumenti historik m'i lashtë, rreth të cilës u lidh ideja e njësisë kombëtare dhe e mvehtësisë së Shqipërisë. Brezi i Rilindjes e nxori Gjergj Kastriotin si Atin e Kombit, shembullin e të cilit duhej t'a ndiqte gjithë nipëria. Për këto arësye, Skënderbeu mbetet si gur themeli në historinë e Shqipërisë.
A do t'a mbajë me nder nipëria kujtimin e Gjergj Kastriotit? Këtë pyetje duhet t'ia bëjë vetvehtes çdo Shqiptar i ndërgjegjshëm. Me Shqipëri e Kosovë mund të bëhen afërsisht rreth gjashtë milionë Shqiptarësh. Nëqoftëse nuk kanë vënë mend nga e kaluara dhe do të vazhdojnë si kanë vazhduar, sa njerëz janë aq koka, s'mund të pritet gjë e madhe prej tyre. Por ne shpresojmë se do të dinë t'organizohen, të punojnë e të luftojnë së bashku për t'arritur në radhën e kombevet me të vërtet të lirë. Nuk do t'a mbyllin me turp historinë e tyre katërmijë-vjeçare. Shpresojmë se burrëria e lashtë, sado që të ketë qënë shtypur, nuk është shuar tek ata. Mbi rrënjët e asaj burrërie, prej rrembavet t'atij gjaku, do të lulëzojnë vleftat e reja në të tjera fusha krijimi, për t'i dhënë kombit shqiptar një vend nderi në radhën e popujvet më të qytetëruar t'Evropës. Siç patën qënë dalluar stërgjyshët e tyre me aq shkëlqim n'anën e trimërisë, Shqiptarët do të shquhen ndoshta me të njëjtin shkëlqim në fushën e kulturës e të përparimit, dhe do të nxjerrin Skënderbenj të tjerë në krijimet e larta të mëndjes e të shpirtit. Po edhe atëhere, Gjergj Kastrioti, burri që përfaqson virtytet heroike më të larta të racës sonë, do të mbetet shembull i ndritur nderi, lavdie e krenarie kombëtare.