Në krye të shekullit XV, gjendja politike e Shqipërisë kishte ndryshuar. Principatat e mëdha, për të cilat folëm më sipër, ishin copëtuar. Fuqitë e huaja kishin vënë prapë këmbën në tokat shqiptare. Venetiku i pushtoi njërin pas tjetrit Durrësin, Leshin, Drishtin, Shkodrën, Ulqinin e Tivarin. Në jugë, Napolitanët, të ndihmuar dhe prej Grekëvet, mundohëshin të shkelnin Despotatin e Artës. Shpeditat ushtarake të Turqvet e kishin trazuar fort gjendjen e brendëshme. Disa nga krerët e vendit i qenë nënshtruar Sulltanit, disa të tjerë i patën humbur fare zotërimet e tyre.
Por deri në çerekun e parë të shekullit XV, sundimi turk, i tronditur prej katastrofës që pësoi n'Anadoll Bajazit Jilldërimi dhe prej luftës për fronin që plasi midis djemvet të tij, qëndroi i lëkundshëm në Shqipëri. Më të shumtat e krahinave qeverisëshin prej krerëve vendas, të cilët i paguanin Sulltanit një haraç të përvitshëm dhe i shkonin në ndihmë me ushtëri kur ai t'i thërriste. Por feudalët shqiptarë nuk iu qëndronin gjithmonë këtyre kushteve. Prandaj Turqit dërgonin herë pas here ushtëri për t'i vënë n'udhë ata që s'bindëshin.
Mvarësia tek Sulltani nuk i ndalonte krerët shqiptarë të luftonin ndërmjet tyre për të zgjeruar zotërimet në kurriz të njëri-tjetrit. Këto grindje shtyhëshin edhe prej Turqvet vetë, nga njëra anë, edhe prej Republikës së Venetikut, nga ana tjetër.
Kështu, në krye të shekullit XV, Shqipëria ra prapë në një thërrmim zotërimesh a principatash të vogla, të cilat përgjithësisht pështeteshin ose tek Turqit, ose tek Venetiku. Mbi principatat e Balshajvet dhe e Thopiajvet kishin dalë përsëri në dukje familjet e vjetra, si ajo e Dukagjinëvet, e Aranitëvet, e Muzakëvet, e Zahariajvet, e Dushmanëvet, e Spanëvet, e Jonimëvet, e Gropajvet etj., ose familje të reja, si ajo e Kastriotëvet. Thopiajt dhe Balshajt mbahëshin akoma si familje, por zotërimet e tyre qenë ngushtuar tepër. Një pinjoll i shtëpisë së Balshajvet, Balsha III, i biri i Gjergjit II, u përpoq t'a mëkëmbte përsëri principatën e gjyshëvet dhe luftoi disa vjet me radhë kundër Venetikut duke pushtuar përkohësisht edhe Shkodrën. Por kushtet kishin ndryshuar dhe, megjith energjinë e tij, Balsha III nuk e ringjalli dot principatën e vjetër.
Edhe Despotati i Artës, në jugë, pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (më 1400), u nda në dy pjesë. Epiri i jugës ose Çamëria, me Janinën si qendër, mbet në duart e Maurik Buas, vëllaj i Gjin Bua Shpatës. Kurse krahinat veriore me qendër Gjirokastrën formuan një principatë më vehte nën Gjin Zenebishin. Të dy këta kryezotër, për të mprojtur principatat e tyre, luftuan vazhdimisht kundër Napolitanëvet, Grekëvet dhe Serbëvet.
Nga familjet e para të vendit shquhëshin tani ajo e Aranitëvet, në jugë, ajo e Dukagjinëvet, në veri, dhe ajo e Kastriotëvet në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Këto tri familje, duke përfituar nga natyra malore e krahinavet që zotëronin dhe ku ndërhyrja ushtarake e Turqve ndeshte në vështirësi më të mëdha, patën mundur të shkëpusnin ca të drejta më shumë prej Sulltanit dhe t'ushtronin një farë ndikimi mbi krerët e tjerë më të vegjël. Pas thërrmimit që pësuan principatat e Balshajvet dhe të Thopiajvet, Aranitët, përveç Kaninës, Labërisë, Himarës, patën shtirë nën zotërimin e tyre Çermenikën, Mokrën dhe Shpatin, rreth Elbasanit të sotshëm. Kastriotët, përveç Matit dhe Dibrës, e zgjeruan principatën e tyre, afër-ngjat, prej Shufadaje, në jugë të Leshit, deri në Prizrend. Zotërimet e Dukagjinëvet shtrihëshin prej malësisë së Leshit gjer në Kosovë.