VIII

.

Që në fillim të punës, u duk që Skënderbeu ishte tjetër burrë, me zotësi dhe cilësi të rralla. Jo vetëm që e zgjodhi kohën e kryengritjes kur rrethanat ndërkombëtare ishin të favorshme, kur ushtëria turke u dërrmua prej Huniadit, i cili vazhdonte përparimet në Ballkan, po edhe mundi t'a zbatojë planin e tij me një energji dhe shpejtësi të jashtëzakonshme. Brenda dy muajve e çliroi krejt principatën. Por e dinte se nuk ishte e largët koha kur do të përpiqej me Turqit: gjer në prendverën e ardhëshme. Prandaj duhëshin bërë pregatitjet.

Ndryshe nga kapedanët e tjerë shqiptarë që ishin ngritur kundër Turqvet njëri pas tjetrit, deri atëhere, dhe qenë shtypur njëri pas tjetrit, Skënderbeu sillte dy ide të mëdha: bashkimin e gjithë forcavet shqiptare në një kumandë të vetëme dhe organizimin e një ushtërie të përhershme. Pa humbur kohë, iu përvesh punës për arritjen e këtyre dy qëllimeve.

Pik së pari, thirri në Lesh në një mbledhje me karakter kombëtar krerët më të përmendur të Shqipërisë, për të bërë bashkimin e fuqivet. Rrethanat ishin të favorshme: Huniadi kishte zbritur në Bullgari dhe lajmet qarkullonin se një kryqëzatë e përgjithshme evropiane ishte në pregatitje e sipër. Shqiptarët i kishin akoma të gjalla plagët e kryengritjevet të mëparshme. Shpejtësia me të cilën Skënderbeu e çliroi principatën e tij iu dha shpresë edhe krerëve të tjerë se mund t'i rifitonin të drejtat e humbura. I dha shpresë gjithë popullit se mund t'a thyente zgjedhën e huaj. Si vend të mbledhjes Skënderbeu zgjodhi Leshin, i cili ishte nën Venetikun, dhe jo Krujën, për të mos iu prekur sedrën kapedanëvet shqiptarë. Ashtu ndoshta mund t'i vinte mirë edhe Venetikut.

Mbledhja u mbajt më 1 të Marsit 1444, në kryekishën e Shën-Kollit, në Lesh. Merrnin pjesë n'atë kuvend: Gjergj Araniti, Theodhor Korona Muzaka, Andrea Thopia me të nipin Tanush, Nikollë dhe Pal Dukagjini, të gjithë këta kishin qënë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme. Vinin pastaj Gjergj Stres Balsha, Lek Zaharia, Lek Dushmani, Pjetër Spani, Stefan Çernojeviçi, sundimtari i Malit të Zi, dhe shumë krerë të tjerë më të vegjël, nga veriu dhe nga juga.

Skënderbeu iu foli mbi qëllimin e mbledhjes dhe mbi nevojën e bashkimit. Iu tregoi se rrethanat ndërkombëtare ishin të favorshme dhe se me forcat e të gjithëve mund t'i bëhej ballë ushtërisë turke. Krerët e tjerë u gjetën të gatishëm për t'u bashkuar në luftën kundër Turkut, dhe u vendos me një zë formimi i Lidhjes Shqiptare me Skënderben kryetar. Kjo Lidhje do të kishte edhe një ushtëri të bashkuar me Skënderben kumandar të përgjithshëm. Të pranishmit iu zotuan këtij se do t'a ndihmonin me ushtarë, me të holla dhe me ushqime. Gjergj Araniti propozoi që seicili t'a caktonte aty për aty shumën e përvitshme që do të jepte. Pal Dukagjini kërkoi të caktohej edhe numri i ushtarëvet që do të dërgonte gjithkush nga krerët, por kjo çështje u la në pëlqimin e seicilit.

U krijua kështu një fond i përbashkët, i cili, me t'ardhurat e principatës së Skënderbeut dhe me ato të kriporevet të Shën-Kollit, në veri të Durrësit, edhe me ndihmat që do të jepnin krerët e tjerë, arrinte në shumën e përgjithshme prej 200.000 dukatash t'arta në vit. Ushtëria e Lidhjes parashihej t'arrinte në 18.000 veta, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori.

Kuvendi i Leshit ka një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, sepse ishte e para herë, që nga Kohë e Mesme e këtej, që krerët shqiptarë bashkohëshin në një mbledhje me karakter pak a shumë kombëtar dhe zgjidhnin një kryetar e kumandar të përgjithshëm që s'ishte i huaj por vendas dhe Shqiptar, si ata. Seicili nga krerët mbetej zot mbi krahinën a krahinat e tij, i qeveriste si të donte, dhe Skënderbeu s'kishte të drejtë t'i ndërhynte. Lidhja e Leshit ishte si një farë konfederate, ku Skënderbeu ishte si një i parë ndërmjet të barabartëve, sa për të kumanduar ushtërinë e përbashkët në luftë. S'mund të mblidhte drejtpërdrejt taksa ose ushtarë nëpër krahinat e zotërve të tjerë, veçse ç't'i dërgonin ata vetë. Por edhe me kaq, në Kuvendin e Leshit u hodh çapi i parë drejt lidhjes kombëtare, sepse ishte e para herë që krerët e Shqipërisë zgjidhnin një kryetar midis tyre dhe vendosnin bashkimin e fuqivet ushtarake dhe të ndihmavet financiare në shërbim të një qëllimi të përgjithshëm. Skënderbeu, duke përdorur principatën e tij si bazë dhe me prestigjin e madh që fitoi në luftën kundër Turqvet, i shtroi nën vehte disa nga krerët e tjerë, ua mori krahinat, dhe u përpoq të formonte një shtet shqiptar të përqendruar, siç do t'a shohim më poshtë.

I vendosur tani t'i bënte një luftë për jetë a për vdekje ushtërisë më të fortë të kohës, Skënderbeu nis t'i pregatitet, duke treguar që në fillim disa nga cilësitë e jashtëzakonshme të kapedanëve të mëdhenj. Ai e dinte se fitimi i betejavet varet sigurisht edhe nga zotësia e kumandarit, por sidomos nga përbërja dhe forca goditëse e ushtërisë. Këtu qëndron e fshehta e fitorevet, dhe vetëm me anën e një ushtërie kompaktësisht t'organizuar kanë mundur të ngadhënjejnë ata që kanë lënë vrraga të thella në historinë e njerëzisë. Aleksandri i Madh, përveç cilësivet vetiake, ua detyroi fitoret legjendare falangavet maqedonase, që sulmonin bashkarisht si një maqinë shtypëse, dhe kalorësisë që goditte si rrufeja. Roma shtroi tërë botën me anën e legjionevet, që shkonin përpara si një masë dërrmonjëse ose qëndronin në vend si një mur i patundur. Edhe Turqia e kohës së Skënderbeut epërsinë ushtarake mbi botën e krishterë ua detyronte trupit të jeniçerëvet dhe kalorësisë së lehtë sulmonjëse.

Skënderbeu, që e njihte mirë ushtërinë turke dhe i kuptonte shkaqet se përse kryengritjet e mëparshme të Shqiptarëvet kishin dështuar, u vu edhe ai të krijonte mjetin e mprojtjes, domethënë një ushtëri në kuptimin e vërtetë. Nuk kishte shumë besim në një ushtëri "federale", domethënë në trupat që do të dërgonin krerët e tjerë shqiptarë, mbasi ato kumandohëshin prej kapedanëvet të tyre dhe s'mund të kishin as kompaktësinë as disiplinën e një ushtërie të rregullt. Prandaj nisi pikësëpari t'organizojë një ushtëri të përhershme, të rekrutuar në principatën e tij. Bëri regjistrimin e burrave t'aftë për shërbim, duke dalë vetë fshat më fshat, dhe krijoi me lulen e djalërisë një trupë të zgjedhur që Barleti e quan "garda pretoriane". Kjo përbëhej prej nja 3.000 vetash, e tërë kalorësi, dhe kumandohej drejtpërdrejt prej Skënderbeut. Kjo ishte bërthama e çeliktë e ushtërisë shqiptare, gjithnjë në ushtrim, gjithnjë në lëvizje, dhe sulmet e saja në luftë ishin të rrufeshme, ashtu si shpata e kryetrimit. Një pjesë tjetër e ushtërisë së përhershme ishin trupat e kufirit, nja tre a katër mijë veta, që mpronin kështjellat nga ana e lindjes. Këto ishin nën kumandën e Moisi Golemit, i cili qëndronte në Dibër. Pastaj vinte ushtëria e përkohshme, e përbërë prej atyre që thirrëshin vetëm në kohë lufte, zakonisht nga një burrë për derë në principatën e Skënderbeut, dhe prej trupavet që dërgonin krerët e tjerë aliatë. Këta vinin t'armatosur dhe qëndronin në shërbim përsa kohë që vazhdonte lufta; mandej këthehëshin nëpër shtëpitë e tyre. Numri i ushtërisë së përkohshme arrinte e shumta në 10.000 veta, një pjesë kalorës por më tepër këmbësorë. Në kohë rreziqesh të mëdha, me kushtrimin e Skënderbeut delnin të gjithë burrat e aftë. Një pjesë e tyre organizohëshin në çeta për t'i prerë shtigjet armikut.

Formimit t'ushtërisë dhe pregatitjes s'oficerëvet iu dha aq rëndësi Skënderbeu sa që merrte pjesë vetë n'ushtrimet e gardës dhe e mbante këtë gjithmonë nën syrin e tij vëzhgues. E dinte se Shqiptarëve iu mungonte disiplina e një trupe të rregullt: hidhëshin në luftë me guxim, po edhe shpartallohëshin shpejt kur armiku përdorte numrin e madh, mjetet e rënda, kohën e gjatë. Prandaj iu vuri një kujdes të veçantë inkuadrimit dhe disiplinës. Vrejti gjithashtu me hollësi topografinë e vendit duke shënuar dhe mbajtur në mendje çdo mal e fushë, çdo shpat a luginë, pyje e kodra, lumenj e përrenj, shtigje e gryka, sepse e dinte që njohja e vendit është kushti i parë i një plani strategjik dhe i manevrimevet taktike. Ndreqi kështjellat edhe i vuri në gjendje mprojtjeje. Siguroi armatimin dhe rezervat ushqimore për ushtërinë e përhershme. Organizoi një rrjetë informacjoni për të marrë vesh lëvizjet dhe përbërjen e ushtërivet armike. U përpoq të pregatiste moralin e popullit për një qëndresë të gjatë, heroike, kundër një ushtërie që tmerronte botën, dhe tmerret e së cilës Shqiptarët i kishin provuar mbi vehten e tyre kushedi sa herë. Pastaj i qetë, i patundur si shkëmbi, po priste rastin se kur do të përplasej furtuna.