Rasti erdhi më Qërshor të vitit 1444. Një ushtëri turke prej 25.000 vetash, pjesa m'e madhe kalorësi, nën kumandën e Ali Pashës, hyri në Shqipëri nga anë e Kosovës dhe zbriti në Dibrën e Poshtme. Sulltan Murati II mendoi se do t'a shtypte edhe këtë herë kryengritjen shqiptare ashtu si kishte shtypur ato të mëparshmet. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e ushtërisë turke, i dolli përpara në fushën e Dibrës me ushtërinë shqiptare që ai kishte pregatitur brenda disa muajve. Kjo përbëhej prej 15.000 vetash, pjesa m'e madhe e rekrutuar në principatën e Skënderbeut, dhe vetëm nja 2.000 kalorës qenë dërguar nga krerët e tjerë të Lidhjes. Çasti ishte vendimtar, sepse në këtë përpjekje të parë vihej në provë qëndresa shqiptare. Oficerët dhe ushtarët, përgjithësisht të rinj, nuk ishin mësuar deri atëhere të përballonin në fushë të hapët një armik aq të fortë sa ç'ishte ushtëria turke. Populli dukej m'i shqetësuar akoma. Fshatarët fusharakë iknin maleve ose futëshin nëpër fortesat. Gra, pleq e fëmijë rrinin gjithë ditën në kishë duke iu lutur Perëndisë që t'a shpëtonte vendin nga rreziku. Vetëm Skënderbeu qëndronte i patronditur. I fliste popullit për t'a qetuar, iu fliste oficerëve dhe ushtarëve për t'iu dhënë zemër dhe për t'i siguruar se do t'a fitonin betejën.
Mjeshtër n'artin e luftës, Skënderbeu kishte zgjedhur për këtë ndeshje të parë fushën e ngushtë të Torviollit, rrethuar me male e pyje. Sipas planit të tij, do të fshihte në pyjet një pjesë të fuqisë, e cila do të sulmonte me befasi kur lufta t'ishte ndezur nga të gjitha anët. Për t'a tërhequr armikun në këtë kurth, i dolli përpara me pjesën tjetër t'ushtërisë dhe bëri sikur prapsej, duke manevruar me mjeshtëri. Dy nga oficerët e tij më të zotë n'artin ushtarak, Kont Urani dhe Aidin Muzaka, e ndihmuan në këtë taktikë: i pari, duke i qëndruar përballë ushtërisë turke për të penguar përparimin e saj, dhe i dyti duke rreshtuar në Torvioll grupet e ushtërisë shqiptare që prapsëshin dhe arrinin aty ca nga ca. Skënderbeu, sa andej këtej, ndihmonte njërin vepërim dhe tjetrin. Ndonëse të pamësuar me manevra të këtilla, Shqiptarët lëvizën rregullisht, duke zbatuar urdhërat, dhe puna shkoi mirë, siç ishte parashikuar. Kur u kthye Skënderbeu në Torvioll, e gjeti ushtërinë të radhitur sipas planit. Kumandën e krahut të djathtë e kishte Tanush Thopia me Labërit e Aranitit dhe malësorët e Dukagjinit; kumandën e krahut të mëngjër e kishte Moisi Golemi me Dibranët; në qendër ishte vetë Skënderbeu me gardën pretoriane, i ndihmuar nga Aidin Muzaka dhe Gjergj Stres Balsha. Një fuqi prej 3.000 kalorësish, e kumanduar nga Hamzë Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli dhe Gjin Muzaka, ishte dërguar të fshihej në një pyll aty afër, me urdhër që të mos lëvizte gjersa të ndizej beteja në të gjitha anët. Trupin e rezervës prej 3.000 vetash, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori, e kumandonin Kont Urani dhe Marin Spani. I pari, me kalorësinë, duhej ta sulmonte armikun përballë kur Hamzë Kastrioti me shokë t'i kishin rënë befasisht nga krahët. I dyti, me këmbësorinë, nuk duhej të lëvizte veçse kur ushtëria turke të jepte shënja tronditjeje. Skënderbeu kishte vënë kudo kalorësinë përpara, mbasi pjesa kryesore e ushtërisë turke ishte kalorësi dhe beteja do të niste me një përpjekje kuajsh. Por skuadrat ishin rregulluar në mënyrë që edhe këmbësoria të merrte pjesë në luftim pa qënë e penguar prej kuajvet.
Kur ushtëria turke arriti në Torvioll, dita ishte më të ngrysur, dhe beteja mbeti për të nesërmen. Ali Pasha kujtoi ndoshta se e futi Skënderben në një vend të ngushtë, ku s'kishte se nga t'i shpëtonte. Në mëngjezin e 29 Qërshorit, Shqiptarët e panë se sa e madhe ishte ushtëria turke, e cila mbushte tërë fushën. Ulurinte dheu nga trumbetat, daullet dhe bërtimat e saja. Mbasi një pjesë e ushtërisë shqiptare ishte e fshehur, ajo që ndodhej në fushë të hapët dukej fare e vogël përpara mizërisë anadollake. Skënderbeu i kishte pregatitur radhët që me të zbardhur të mëngjezit. Por duke menduar se mos Shqiptarët, të rrëmbyer, hidhëshin në mënyrë të çrregullt dhe merrëshin nëpër këmbë prej numrit të madh t'armikut, dha urdhër që të mos lëviznin deri sa Turqit të sulmonin të parët.
Sulmi i tyre nuk vonoi. Me një bërtimë të përgjithshme dhe tmerronjëse, Turqit u lëshuan kundër ushtërisë shqiptare. N'atë çast, trumbetat e gardës pretoriane dhanë shënjën e betejës, dhe Skënderbeu, duke iu thirrur Shqiptarëvet me zë të fortë, u vërvit si luani drejt armikut. E tërë garda, me Aidin Muzakën dhe Gjergj Balshën, e ndoqi pas si një trup i vetëm. Beteja u mbërthye në të gjitha anët, e rreptë, e tërbuar. Përpiqej çeliku me çelik, përmbysëshin kuaj e kalorës, dridhej toka nën këmbë. Turqit e sulmuan me aq forcë qendrën shqiptare sa që kjo do t'ishte thyer sikur të mos ndodhej aty vetë Skënderbeu. Por krahu i djathtë që kumandonte Tanush Thopia, e pa më ngushtë akoma. Shumë kapedanë nga më të mirët ishin vrarë, nër ta edhe Anton Linjërosa, kumandari i Labërvet dhe i Himariotëvet. Tanushi po bënte qëndresën e fundit, kur u vërsul nga pylli kalorësia e Hamzë Kastriotit me shokë dhe i ra armikut nga krahët, ndërsa Kont Urani me rezervën e goditi përballë. Nga kjo befasi e rrufeshme që e vuri midis dy zjarresh, krahu i mëngjër i ushtërisë turke u thye shpejt. Në të njëjtën kohë, Moisi Golemi me Dibranët bëri një sulm të rreptë dhe e shpartalloi krahun e djathtë t'armikut. Qendra turke, ku ndodhej vetë Ali Pasha me pjesën më të fortë t'ushtërisë, po mbahej akoma. Por Skënderbeu, kur pau se të dy krahët e ushtërisë së tij ishin në fitim, u hodh në mes t'armiqvet si një shigjetë, thotë Biemmi1, duke thyer radhët e tyre dhe duke përmbysur me shpatë ç'gjente përpara. Gardës pretoriane që luftonte rreth kryetrimit i erdhën shpejt në ndihmë Kont Urani dhe Marin Spani me rezervën, dhe me një goditje të fundit qendra turke u dërrmua plotësisht. Ali Pasha iku nga sytë këmbët me mbeturitë e ushtërisë së tij duke lënë 7.000 të vrarë në fushën e betejës, 500 robër dhe 24 flamure në duart e Shqiptarëvet. I tërë kampi i ushtërisë turke, me plaçkat, ushqimet dhe mijëra kuaj, mbeti aty. Nga Shqiptarët pati 1800 të vrarë dhe 2.000 të plagosur, prej të cilëve nja 400 vdiqën pastaj. Nër të plagosurit rëndë ishte edhe Aidin Muzaka, një prej oficerëvet më të shquar, i cili vdiq në Dhjetor t'atij viti dhe u vajtua nga e tërë ushtëria.
Beteja e Torviollit është një kryevepër strategjike dhe taktike, në të cilën Skënderbeu tregoi zotësitë e rralla të kapedanëve të mëdhenj. Kjo fitore iu bëri shumë përshtypje Shqiptarëvet dhe i mbushi me lavdi. Këta e kuptuan atë ditë se çfarë rëndësie kanë bashkimi, plani dhe disiplina në fitimin e një lufte dhe se çfarë luani ishte kryekumandari i tyre. E panë me sy kur vërvitej i pari me shpatë në dorë në mes t'armiqvet dhe njëkohësisht drejtonte tërë betejën, si Aleksandri i Madh. Prova e parë u bë. Me një burrë të këtillë në krye, Shqipëria mund t'i qëndronte furtunës turke; mund të bëhej mburoja e Evropës dhe e Krishterimit, siç u bë për njëzetepesë vjet rresht.
Pas këtij ngadhënjimi, Skënderbeu u kthye në Krujë në mes të një gëzimi të papërshkruarshëm. Populli delte rrugës për t'a parë me sy, për t'a përshëndetur, për t'i çfaqur adhurimin. Kur arriti në Krujë, gjeti aty shumë miq dhe krerë aliatë që kishin ardhur ta përgëzonin.
Përveç në Shqipëri brenda, ku forcoi pozitën e Skënderbeut, fitorja e Torviollit bëri bujë të madhe n'Evropë. Papa Eugjeni IV mori zemër për të pregatitur një kryqëzatë të re kundër Turqvet. Oborrët e Perëndimit filluan të shikojnë tani edhe nga Shqipëria. Hungarezët u vunë përsëri në lëvizje. Një lidhje e gjerë u formua, në të cilën Papa dhe mbreti Vladisllav i bënë thirrje edhe Skënderbeut.
Sulltan Murati II, i tronditur nga këto pregatitje, iu kërkoi paqe Hungarezëvet. Vladisllavi, mbreti i Polonjës dhe i Hungarisë, pranoi, dhe një paqe prej dhjetë vjetësh u nënshkrua në Szeged, më 12 Korrik 1444. Në bazë të këtij traktati, Murati II e linte të qetë Hungarinë dhe ia këthente Serbinë Gjergj Brankoviçit, i cili u bë vasal i tij. Pas kësaj paqeje, Sulltan Murati ia lëshoi fronin të birit, Mehmetit II, dhe ai vetë shkoi n'Anadoll për t'a ngrysur jetën në qetësi.
Por paqja prej dhjetë vjetësh nuk mbajti as gjashtë javë. Papa Eugjeni IV, me anën e Kardinal Julianit, e bindi mbretin Vladisllav t'a shkelte traktatin dhe, duke përfituar nga abdikimi i Muratit II, të vihej në krye t'ushtërivet të krishtere për t'i përzënë Turqit nga Ballkani. Filluan thirrjet dhe premtimet për kryqëzatën. Vladisllavi mblodhi një ushtëri prej 14.000 Hungarezësh, Polakësh e Rumunësh, nën kumandën e tij dhe të Gjon Huniadit, zbriti në Bullgari dhe e nguli kampin afër qytetit Varna. Pritej të lëviznin fuqi të tjera të cilat mbetën premtime të thata, si zakonisht. Ndërkaq, Sulltan Murati II, me të marrë vesh që Hungarezët e shkelën paqen, u kthye përsëri në fron, mblodhi me të shpejtë n'Anadoll një ushtëri prej 40.000 vetash, e kaloi Bosforin me anije Gjenovezësh duke paguar nga një dukatë për kokë, dhe u ndodh papritur përpara ushtërisë së krishtere në fushën e Varnës. Në betejën e përgjakshme që u bë më 10 Nëntor 1444, Vladisllavi u vra dhe ushtëria e tij u thye keq duke lënë 10.000 të vdekur në fushë. Gjon Huniadi me një pakicë mezi shpëtoi dhe mundi të kapërcejë Danubin. Disfata e Varnës qe një humbje e madhe për Krishterimin dhe provoi se ky s'ishte në gjendje t'organizonte një qëndresë të përgjithshme kundër Turqvet. Shpresat e popujve ballkanikë filluan të bjenë. Sulltan Murati II, i liruar nga pesha e Hungarezëvet, mbetej ballë për ballë me kryengritjen shqiptare.
Po edhe në Shqipëri brenda nisën grindjet si nga herë, për të mbjellë farën e përçarjes në Lidhjen Shqiptare të Leshit. Në vitin 1445, Mamica, motra m'e vogël e Skënderbeut, u martua me Muzakë Thopinë. Në dasmë e sipër, ku ishin ftuar shumë krerë dhe kapedanë shqiptarë, ngjau një zihje midis Lek Dukagjinit dhe Lek Zaharisë. Shkak u bë Irena, bija e vetëme e Gjergj Dushmanit, kryezotit të Zadrimës, e cila me bukurinë e jashtëzakonshme të saj ua mori mendjen dy rivalëvet që e kërkonin për martesë. Mbasi zemra e Irenës anonte nga Lek Zaharia, një luftë e vërtetë u ndez ndërmjet këtij dhe Lek Dukagjinit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe i turpëruar përpara Irenës. Pas ca kohe, Skënderbeu i thirri të dy dhe i pajtoi. Por pajtimi i Lek Dukagjinit nuk qe i sinqertë. Sepse pas dy vjetësh ky e vrau me të pabesë Lek Zaharinë, kryezotin e Danjës. Nga kjo vrasje rrodhi lufta ndërmjet Skënderbeut dhe Republikës së Venetikut, siç do t'a shohim më poshtë.
Po edhe lufta kundër Turqvet vazhdoi e paprerë. I shqetësuar nga pregatitjet e reja që bënte Huniadi, Sulltan Murati II provoi t'a ndreqte me të mirë me Skënderben duke i propozuar këtij paqen me kushtet që kishte pranuar i ati, Gjon Kastrioti, më 1430. Me fjalë të tjera, Skënderbeu duhej t'i nënshtrohej Sulltanit, t'i lëshonte një pjesë të principatës dhe të mbetej si vasal i atij në krahinat e Krujës dhe të Matit. Porsa që Skënderbeu e hodhi poshtë këtë propozim me një përgjigje krenare, Sulltani nisi për në Shqipëri Firuz Pashën me 9.000 kalorës, i cili hyri nga anë e Ohrit. Skënderbeu e tërhoqi ushtërinë turke në një pyll të Mokrenës, afër Dibrës së Sipërme, dhe e shpartalloi më 10 të Tetorit 1445. Kjo fitore bëri bujë dhe ngjalli shpresa të reja n'Evropë pas disfatës që pësoi ushtëria hungareze në Varna. Skënderbeu zu të shikohej si shtylla e Krishterimit. Papa Eugjen IV dhe mbreti Alfons V i Napolit dërguan ambasada të veçanta për t'i çfaqur përgëzimet dhe për të lidhur miqësinë me të.
Më 1446, një tjetër ushtëri turke prej 15.000 kalorësish, nën kumandën e Mustafa Pashës, u nis
nga Shkupi dhe arriti në fushën e Otonetës, në Dibrën e Sipërme. Skënderbeu e sulmoi befas, më
27 të Shtatorit, dhe e shkatërroi.