THIRRJE GJITHE SHQIPTARVE KUDO QE NDODHEN
Nga Abas Ermenji 9 mars 1999
Shqiptarë!
Serbomëdhenjtë kanë ngritur forcat e rënda
të ushtërisë së tyre dhe i kanë rënë Kosovës
për të çfarosur popullsinë e saj prej tre
milionë Shqiptarësh. Dhe këtë tmerr po e bëjnë
përpara vështrimit pasiv të gjithë botës.
Kosovarët s'kërkojnë veçse të drejtën e
vetëvendosjes, një e drejtë ndërkombëtare që
iu është njohur gjithë grupeve etnikë, sepse
qëndron në bazën e Kartës së Atlantikut dhe të
Asamblesë së Kombeve të Bashkuar, por që nuk po
iu njihet vetëm Shqiptarve.
Ky është një nga çastet më tragjikë që ka njohur
kombi shqiptar gjatë historisë së tij, se po i
vihet pyetja a kërkon të jetojë apo të shkrihet
si kripa në ujë?
Shqiptarë! Mos rrini me duar kryq përpara kësaj
tragjedie kombëtare, por bashkohuni të gjithë tok,
në një mendje, në një qëllim, për të vdekur me
nder përpara se të zhdukemi me turp.
Djalëri shqiptare! Mos e njollos traditën e të
Parëve të tu, por tregohu e gjallë si të gjitha
djalëritë e botës për të mbrojtur atdheun tënd,
për të mbrojtur Kosovën dhe Kosovarët që janë
vëllezërit e tu.
Po të mblidhemi të gjithë tok të gjashtë milionë
Shqiptarët e Ballkanit - edhe ata që jetojnë jashtë
Ballkanit - do ta gjejmë shpirtin e qëndresës, do t'i
gjejmë edhe mjetet e mbrojtjes për t'i bërë ballë
rrezikut.
Kjo iniciativë i takon Shtetit shqiptar dhe qeverisë
shqiptare, nëqoftë se ata duan të tregohen në lartësinë
e gjendjes, nëqoftëse duan të veprojnë jo vetëm
me ndonjë lutje të vakët botës së jashtme, por
edhe me mjete të tjera. Në këtë rast duhet t'iu japim
të gjithë përkrahjen tonë.
Por nëqoftë se Shteti dhe qeveria nuk tregohen në
lartësinë e duhur për mbrojtjen kombëtare, duhet të
bashkohemi dhe të organizohemi si komb shqiptar për
t'i bërë ballë gjendjes. Duhet të krijojmë forca vullnetarësh
për t'iu vajtur në ndihmë Kosovarvet, se lufta e tyre
është lufta për jetë a për vdekje e kombit shqiptar.
Popull dhe djalëri shqiptare! Shkunduni prej
gënjeshtrave që ju bëhen, shikojeni realitetin me sy
burrash, dhe hidhuni në veprim për të shpëtuar Kosovën.
Abas ERMENJI
Kryetar i Ballit Kombëtar dhe i
së Djathtës së Bashkuar Shqiptare.
|