Abas Ermenji - një jetë për ShqipërinëAbas Ermenji - një jetë për Shqipërinë


Jetëshkrimi

Abas Ermenji lindi në Ermenj të Skraparit më 12 dhjetor 1913. Studimet fillore i kreu në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1934-1938 kryen në Sorbonë, Paris, Fakultetin e Letërsisë me specializim Historinë.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe emërohet profesor në Liceun e Korçës ku jep mësim deri në muajin nëntor të vitit 1939. Arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941.

Sapo kthehet në Shqipëri merr pjesë në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit të huaj në zonën Skrapar-Berat dhe arrin ta mbajë Beratin të lirë prej italianëve. Ishte një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit qendror të tij.

Pas fitores së revolucionit komunist në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe të marrë rrugën e gjatë të mërgimit. Vendoset në Paris ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga diktatura komuniste si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.

Pas rikrijimit të Ballit Kombëtar në Shqipëri në vitin 1991, zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, megjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut të madh në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet një serie konferencash në të gjithë Shqipërinë.

Profesor Ermenji ka qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes dhe kombësisë shqiptare, me artikuj të shumtë, të botuar tek "Flamuri", tek "Balli i Kombit", tek përmbledhja "Albania" etj. Por kryevepra e tij është studimi "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" - një apologji madhështore e kombësisë shqiptare.

Profesor Abas Ermenji u nda nga jeta më 10 mars 2003.

Profesori e donte shumë Shqipërinë. Jetoi për Shqipërinë dhe vdiq me Shqipërinë në gojë. Këshilla e Tij e fundit ishte që të jemi Shqiptarë të mirë.

Menu
Jetëshkrimi
Historia e Shqipërisë
Artikuj
Thirrje
Poezi
Foto
Dokumente
Shtypi
Pamje filmike
Faqe e parë

Kontakt
Nëse dëshironi t'ju mbajmë në dijeni për artikujt e rinj që do të vendosen në këto faqe, na dërgoni adresën tuaj email:

Libri i Miqve
Për të lënë një shënim ose mendimin tuaj për Profesor Abas Ermenjin klikoni këtu

Për ta parë
librin e miqve
klikoni këtu

© Abas Ermenji